Premiera e dokumentarit “Jo Më” shfaqet më 9 dhjetor në Kino Armatë

Së shpejti vjen premiera e filmit dokumentar BIBA MAY-“Jo Më”, një histori e fuqizimit të grave me aftësi të kufizuara dhe një model guximi, vendosmërie, përkushtimi dhe dashurie, përcjell KultPlus.

Premiera shfaqet në Javën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut dhe Muajin e Filmit Evropian në Kino ARMATA mes 13 nëntor – 10 dhjetor.

Rrëfimi zbulon jetën e një gruaje Resmije Rahmani e njohur ndryshe si Biba May, e cila vuan nga distrofia muskulare progresive, por me gjithë sfidat, pengesat dhe humbjet e saj, nuk ndalet kurrë duke u përpjekur të bëjë ndryshimin për personat me aftësi të kufizuara.

Shkruar dhe prodhuar nga Shqipe Malushi, Producente Ekzekutive dhe Drejtimi Artistik: Zana Hoxha, Regjisore: Arlinda Morina, përfshirë dhe regjisorë kontribues si Burim Haliti, Mahiema Anand, Arzana Pireci, dhe Jeton Pireci, Drejtor i Fotografisë: Michael Stoeger, xhirimet e luftës dhe video klipet: Nafis Lokvica, Montazherët: Arlinda Morina dhe Berat Kryeziu, Grimi dhe kostumografia: Ganimete Sava, Droni: Visar Selimi, Muzika dhe Kënga Origjinale: Memli Kelmendi dhe Shqipe Malushi, Vokaliste: Klea Dina; Zgjedhja muzikore dhe Zërimi: Samer Agolli, Ngjyrat: Rron Ismajli, Dizajni: Arbër Matoshi.

Projekti i iniciuar në bashkëpunim me Akademinë Evropiane të Filmit, do të shfaqet më 9 dhjetor, duke filluar nga ora 20:00, në Kino Armatë.

Donatorët dhe përkrahësit: Fondacioni Joseph Handleman “Besoj në Ty”, (SHBA), Fondacioni Global Shqiptar, (SHBA), Ministria e Kulturës, Rinse dhe Sporteve e Kosovës; SIGMA – Grupi i Sigurimit nga Vjena, Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, si dhe OPDMK, Kino ARMATA, ANIBAR – Kino “Jusuf Gërvalla”, Pejë, dhe Komuna e Pejës – Departamenti i Kulturës.

Ky event/projekt gjithashtu mbështetet nga Zyra e Presidentes së Republikes së Kosovës. / KultPlus.com