“Akademia”, akademi e veçantë kulturore-letrare

Varësisht natyrës së tyre, varësisht problematikave dhe temave që shtjellojnë, revistat janë mjet mediatik dhe, për nga roli, mund të jenë organ institucionesh, por edhe vepër e iniciuar nga ndonjë figurë publike, personalitet që gëzon autoritet në fushën përkatëse.

Revistat janë produkt i përpjekjeve dhe nevojave për të përcjellë mesazhe të caktuara që informojnë; revistat janë një fushë e ravijëzuar në të cilën shprehen afinitetet, shqetësimet intelektuale e shkencore, shpalosen vlera historike, por dhe bashkëkohore si dhe ndriçohen kahet dhe prurjet më të fundit në fushë të caktuar. Bota e letrave shqipe që nga Lëvizja e Rilindjes Kombëtare e deri në ditët e sotme njeh mbi 200 revista javore, dyjavore, mujore, periodike, vjetore, të fushave dhe llojeve të ndryshme.

Revistat (sidomos ato për letërsi, art e kulturë) në momente të caktuara për popullin shqiptar kanë luajtur rolin vendimtar, qoftë në ndërgjegjësimin e tij për peshën dhe rolin e identitetit kulturor të kombit, qoftë për ngritjen e nivelit të vlerave krijuese.

Nuk ka shqiptar nga viset etnike dhe më gjerë që nuk di për revistën “Jeta e Re”, të themeluar dhe të udhëhequr më shumë se dy dekada e gjysmë nga poeti i kombit, Esad Mekuli! Nuk ka shqiptar që nuk e di rolin e jashtëzakonshëm kombëtar që e luajti kjo revistë në zhvillimin kulturor e letrar të shqiptarëve që pas luftërave botërore ngelën jashtë kufirit të Shtetit amë. Kjo revistë, përveçse përpiqej që shkencërisht t’i bëjë ballë politikave shovene që po luheshin mbi kurriz të popullit shqiptar të Kosovës, pati rolin edhe të gjetjes dhe të përkrahjes së talenteve letrar si dhe të mendimit intelektual të kohës, të cilët, të rritur e të kalitur nga kjo revistë, do të bëhen intelektualë e krijues të kombit, bartës e shtytës të proceseve e shoqërore, kulturore, politike, deri në çlirimin e Kosovës.

Po kështu, rolin dhe detyrën e përkrahjes si dhe të zhvillimit kulturo-letrar të shqiptarëve të RMV-së e luajti edhe revista për letërsi, art, kulturë, “Jehona”, e Redaksisë “Flaka e Vëllazërimit”! Edhe nga kjo revistë do të dalin emrat më të spikatur të krijimtarisë artistike e letrare nga Maqedonia e Veriut.

Rrethanat e reja shoqëroro-politike, përpjekjet e fundit kolonialiste të Serbisë që u përpoq ta zaptojë përfundimisht Kosovën, ndikuan që shumë projekte kombëtare shqiptare, shumë procese të avancimit të përgjithshëm të shqiptarëve, shumë angazhime të flakta për t’i nxjerrë në pah dhe shtuar vlerat kulturore shqiptare u stopuan, u mbyllën me masa të dhunshme serbe, financimet u kushtëzuan me njohjen e autoritetit të plotë të Serbisë mbi Kosovën etj. Pas pavarësisë së Kosovës, nën rrethana të reja shoqërore-historike, të etur e me vullnet të mirë për të kontribuar gjithsecili në fusha përkatëse, në ngritjen e shtetit të Kosovës dhe në avancimin e gjithmbarshëm të shoqërisë shqiptar, u vërejtën nisma të reja, angazhime të shumta entuziaste, por dhe profesionale. Natyrisht, këto rrjedha do të ndikojnë edhe në shpërndarjen e potencialit si drejtues ashtu edhe botues, nëpër ndërmarrje e produksione që ishin në gara për të thithur sa më shumë artistë e krijues. Ky proces fuqizoi shoqërinë civile, njohu iniciative te reja kreative, hapi mundësi për përfshirje të sa më shumë intelektualëve, artistëve, krijuesve.

Rrjedhojë e këtij procesi do të jetë edhe Revista për letërsi, kulturë, gjuhë, media, AKADEMIA! Nëse i hidhet një sy numrave të deritanishme të kësaj reviste, sakaq do të shihet se AKADEMIA në fakt është një Akademi e vërtetë kulturo-letrare në Kosovë. Janë publikuar qindra autorë botërorë, kanë defiluar dhjetëra emra të rinj përkthyesish që kanë sjellë përkthime brilante të denja për t’u publikuar në një revistë që pasqyron punën profesionale dhe me vlerë të pakontestueshme. Janë sjellë qindra krijime të krijuesve bashkëkohor shqiptar, por dhe krijimet e krijuesve të rinj, në krijimet e të cilëve vërehet gati po ajo vlerë krijuese që shihet te krijuesit botëror e bashkëkohor shqiptar. Kjo flet se koncepti i AKADEMISË, politikat redaktuese të kësaj reviste mëtojnë dhe këmbëngulin vetëm në vlera, në tërheqje të krijuesve të denjë për t’u publikuar në AKADEMIA dhe për t’u lexuar prej një numri të konsiderueshëm lexuesish.

Nga ana tjetër, edhe përkundër përkrahjes simbolike të institucionit shtetëror, edhe përkundër mungesës së financave, honorarëve, rrogave, revista për asnjë moment nuk ka shprehur dilema: të vazhdojë apo të ndërpresë! Revista tashmë është e lexuesve dhe editorët e saj e dinë fare mirë se ndërprerja eventuale e daljes së numrave të rinj, do të jetë mbyllje e një dritare prej nga shihet një botë e pasur kulturo-letrare si dhe një padrejtësi e madhe ndaj lexuesve “militantë” të kësaj reviste.

Revista AKADEMIA, në çdo njësi të saj, qoftë poetike, prozaike, ese, intervistë, etj., “fsheh” një vepër më vete! AKADEMIA është një model që ofron ligjërime akademike mbi atë se si shkruhet poezia, si përkthehet poezia, si kapet tema, si materializohet motivi, si zhvillohet mendimi bashkëkohor, si definohen problemet kulturore, artistike, letrare. Përkrahja institucionale dhe shoqërore e Revistës AKADEMIA duhet të llogaritet si akt i domosdoshëm kombëtar. Sepse, historitë nga e kaluara e “Jetës së Re” të Esad Mekulit, flasin se edhe kjo revistë në fillimet e saj, por dhe përgjatë rritës së vet, gjithnjë ka hasur në probleme nga më të ulëtat financiare e politike, por ama, sot, këtë revistë e kemi ngritur në monument kulturor shqiptar të një rëndësie të veçantë. Materia e saj është një trashëgimi kulturore nga më të veçantat që i ka populli shqiptar i Kosovës.

AKADEMIA po ecë me hapa galopante drejt botës së “Jetës së Re”, hapa këto që shumë shpejt do të tejkalojnë çdo vlerë tradicionale për t’u shndërruar në simbol të vlerës bashkëkohore. Revista AKADEMIA për momentin po kundrohet dhe po vlerësohet si akademi kulturo-letrare që me shumë finesë e profesionalizëm po e kryen misionin e vet në përcjelljen dhe publikimin e trendeve të reja në fushën e krijimtarisë së gjithmbarshme. /HEJZA/ KultPlus.com

Vendi po shkon drejt humnerës

Nga Aziz Nesin

Përktheu: Fatijona Bajraj

Në kafene u dëgjua një goditje shpulle, shkllap. U ndal gjithçka, tallva, domino, loja e letrave dhe bisedat. Kokat u kthye kah tavolina prej nga u dëgjua zëri i shuplakës. Ai i cili u godit ishte njeri i madh dhe i trashë. Kurse ai që e goditi, të kundërtën e tij, i hollë, i ligsht dhe i vogël. Gishtat e të dobëtit kishin lënë shenjën e pesë gishtave në faqen e majtë të të trashit. Po të donte, polici nëpërmjet shenjës së gishtërinjve lehtë mund ta gjente kush i ka rënë.

Burrat në kafene menduan se burri trashaluq do ta kapë të hollin dhe do ta shkelë si shajak rruge, por nuk u bë ashtu, por vetëm bërtiti: Jam paditës! Nuk doli zë nga askush. Më pas tha: E patë të gjithë. Dhe duke iu kthyer të dobëtit, i cili nuk i vinte as deri të krahët, i tha: Ec, drejt në stacion policor.

Goditësi në vend të përgjigjes bëri një gjest sikur ta trembte mizën. Më pas lëshoi një zë si avull nga goja: Psss!

I trashi doli jashtë.

Burrat e kafenesë iu kthyen përsëri lojërave e muhabeteve. Trashaluqi më pas u kthye me një polic pranë. Ia tregoi policit të dobëtin. Ja, ky është! Më pas i tregoi edhe të ulurit si dëshmitarë, duke thënë: Edhe këta e kanë parë!

Polici i dërgoi në stacionin policor të trashin, goditësin dhe katër persona të tjerë që ishin ulur pranë tavolinës së tyre.

I trashi duke mbajtur ende faqen e majtë, tha: Zotëri komisar, jam paditës ndaj këtij burri. Më goditi. Janë dëshmitarë edhe këta.

Komisari shkroi me makinë shkrimi të dhënat e paditësit, të paditurit dhe dëshmitarëve. Paditësi thoshte se nuk e njeh atë që e goditi. Edhe dëshmitarët ashtu, duke thënë se ne nuk dimë gjë.

Paditësi pyeti: A e keni dëgjuar zhurmën e shuplakës?

Dëshmitarët thanë: Jo, as nuk kemi parë e as dëgjuar gjë.

I padituri tha: Unë nuk e mohoj që e kam goditur këtë burrë.

Komisari e pyeti: Përse e ke bërë? A ka diçka që nuk shkon mes jush? A ju ka fyer?

– Jo, s’ka gjë mes nesh. Nuk e njoh atë.

E si ndodhi?

I dobëti filloi të rrëfejë: Mbrëmë erdha nga puna në shtëpi. Kur pashë na e kishin shkëputur rrymën elektrike. Nuk e kishim paguar. E kaluam tëre natën në errësirë. Natën nuk fjeta fare. Veç kësaj, edhe nëna është e sëmurë tash dy vjet. Vuan nga dhimbja e lukthit. Mjeku i jep një ilaç. Kur e merr atë, i pushon dhimbja. Mirëpo, ku është tani ilaçi se? Kur u bë mëngjes u ngrita nga shtrati, po më ishte mpirë ana e majtë. Xhami i dhomës në të cilën rashë është thyer tre muaj më parë. Nuk po gjejmë xham. As ai vetë nuk po vjen. I vendosem jastëk e çarçaf dritares. Mirëpo nuk pati dobi. Deri në mëngjes hyri brenda të ftohtit. Më ishte mpirë ana e majtë. U ngrita nga shtrati, më falni, shkova në tualet. Uji ishte ndalur. Jashtë binte shi i furishëm. Në çezme nuk kishte ujë. Hyra në dhomë. Po dridheshim. Kishin marrë pak dru. Por, u harxhuan. Tani nuk po gjejmë dru. S’ka. Gazetashitësi e kishte lënë gazetën. Çdo mëngjes pa shkuar në punë lexoj gazetë. Shikova gazetën. Kishte tituj si “Garë bukurie”, “Gallatasaraji u bë kampion i ligës”. Desha ta hedh shpirtin jashtë shtëpisë. Kur po dilja në derë, erdhi nëpunësi ekzekutiv me përmbaruesin. Për shkak që nuk e kemi paguar qiranë, pronari na ka paditur. Nuk gjetën gjëra për t’i marrë në shtëpi. Nuk dua asnjëherë që në shtëpi të me vijnë nëpunësi ekzekutiv dhe përmbaruesi. Nuk gjetën gjë për të marrë. Njeriu turpërohet.

Përmbaruesi tha: Ta marrim këtë kanape.

Me ta çuar dorën në kanape dolën në pah mbi sëndukët e vjetër të sheqerit, pantallona, copëza zhelesh e jorganë të grisur.

Përmbaruesi këtë herë tha: Radion.

Sikur ta marrin këtë dreq radioje dhe të shpëtoj. Dhjetë muaj të vitit është te mjeshtri. Fito, fito, e jepja rregullimit të radios. Zaten radio na ka sjellë në këtë gjendje.

Duke dalë nga dera, gruaja më tha: Vajza nuk po shkon në shkollë.

E pyeta pse?

Mësuesi i ka kërkuar uniformë sportive. Pa të nuk e lejon të hyjë në mësim.

Mirë, mirë…

Nuk ka as vaj ulliri.

E hodha vetën rrugëve. Sido që të jetë, në punë nuk kisha mbetur vonë. Nuk shkoj as sot, thashë.

Shi i rrëmbyeshëm.

Tramvajin aty te ne e kanë hequr. Autobusi vjen çdo gjysmë ore. Nuk ka mundësi të hip. Është i stërmbushur. Minibusët edhe ata të mbushur plot.

Veturat kalojnë një pas një, mirëpo asnjëra nuk ndalon. Uji me hynë në këpucë. Sikur shiu ra me kove. U bëra qullë. Po dridhem. Një djalosh më erdhi afër dhe më tha: Më falni xhaxha!

Mendova se do të më pyeste për orën.

Më tha: A keni dijeni për ndeshjen e djeshme?

Hë, Zoti im… Vazhdova të ec. Aty gjendet një kafene. Hyra në kafene. Uji më rridhte nga çdo anë. E porosita një çaj. Pranë meje ishte i ulur ky burri që i meshova shuplakë. Lexonte gazetë.

Unë duke thënë me vete: More çka do të bëhet kjo gjendja ime? Si do të jetë fundi ynë?

Teksa unë po mendoja kështu, ky burri me mllef e gjuajti gazetën që mbante në duar dhe bërtiti: More vendi po shkon drejt humnerës!

Mendova që edhe ai ishte me brenga si unë, dhe thashë të flasim e t’i rrëfehemi njëri-tjetrit. I thashë: Përse zotëri? Më falni, mos të jetë sikur po përzihem, përse jeni tendosur?

Ai përsëri me mllef: Çka të jetë më shumë! Ej, në këtë vend nuk ka arbitër! Nuk ka arbitër, i poshtër qofsha. Në ndeshjen e djeshme arbitri përsëri ka gjykuar duke mbajtur anën..

Më pas nuk e di se çfarë më ndodhi mua. Për besë as unë nuk e kuptova, zotëri komisar. Në jetën time nuk e kam qëlluar askënd asnjëherë. Sikur në trupin tim më është shtypur një sustë, sikur është ngritur me forcën elektrike, u ngre përnjëherë lart kjo dora ime e djathtë. I mëshova një shpullë në fytyre këtij herifit. Unë nuk po e mohoj. E godita. Mirëpo, jo qëllimisht. Për besë nuk e kisha me qëllim. Ishte diçka jashtë vullnetit tim. Më pas me erdhën mëndtë. U frikësova, madje thashë se ky njëri do të më bëjë copë-copë tani. Mirëpo, u bë një herë. Zoti, duke ma dhënë në krahun e djathtë forcën e mundësit Zalolu Rrystemit, i mëshova shuplakë këtij herifit.

Komisari e shikoi burrin e trashë i cili e kishte hëngër shpullën. I shtrëngoi dhëmbët, bëri sikur u çua në këmbë. Filloi ta kruante dorën e këmbën e djathtë, dhe i tha paditësit: Hajde më! Pajtohuni mos e zgjatni!

I godituri u rebelua dhe tha: Nuk pajtohem!

Komisari i zemëruar, iu drejtua policit që shkruante në makinë: Shkruaj! “Paditësi, duke thënë vendi po shkon drejt humnerës, interesat e mëdha të vendit, personalitetin shpirtëror të qeverisë…”

Iu kthye burrit të trashë edhe një herë: Hajde pajtohuni!

Burri i trashë, duke fërkuar me dorën e majtë faqen në të cilën ende qëndronte shenja e shpullës, tha: Mirë zotëri, pajtohemi.

Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”/ KultPlus.com