Kur filmat e Rikard Ljarjes i shihnim fshehurazi

Nga: Gani Mehmetaj

“Rikardi ka zënë shtratin”, me tha miku im Saimir Kumbaro në nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa e pyeta për Rikard Ljarjen regjisorin dhe aktorin e madh shqiptar. Sa herë vija në Tiranë, meqë gjithnjë isha në nxitim për  një punë apo tjetër, pyesja miqtë për te. Me erdhi keq, kur Saimiri ma tregoi edhe sëmundjen nga e cila lëngonte.

Rikard Ljarjen e kam njohur para tridhjetë vjetësh, në fillim të viteve të nëntëdhjeta, në kohën e rrëmujës së madhe, atëherë kur po rrënohej diktatura. Isha mysafir i Festivalit të Filmit Shqiptar, me te shëtisnim rrugëve të Tiranës, flisnim për filmin, kulturën, artin, flisnim edhe për situatën politike. Ai më rrëfente peripecitë e aktorit, por me tregonte edhe për sharmin e punës gjatë xhirimeve të filmave.

Rikard Ljarjën në të vërtetë e kam njohur shumë më parë se ta takoja, e kam njohur nga filmat: “Radiostacioni”, “Në pyjet me borë ka jetë, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Komisari i dritës”, “Rrugë të bardha” etj. Shumicën e filmave të tij i kam shikuar ilegalisht, atëherë kur na i ndaluan të gjithë filmat shqiptarë. I ndiqnim në Televizionin Shqiptar me antenën e kanalit 12, që e blinim kinse për Tv Beogradin , programin e dytë, dhe e kthenim nga Tirana, një hile që e kishim mësuar për t’iu shmangur shërbimit të fshehtë jugosllav.

Shkodrani i Tiranës gjithnjë më ka lënë mbresa me paraqitjen ekpresive, me zërin e thellë, burrëror dhe pamjen e aktorit që e mbush ekranin me praninë e tij. E kam takuar pastaj pas luftës edhe në Prishtinë.

Në librin tim: “Qyt etet e Ilirisë”, kam shënuar: “Më kujtohej kur më 1991 apo 1992 e luta shkodranin e thekur e aktorin e famshëm, Rikard Ljarja, të ma zgjidhte mëdyshjen: ta vizitoja apo jo qytetin. Ai ma tha atë që nuk e prisja: Nuk është koha të shkosh në Shkodër, nuk është Shkodra ajo që e kërkon! Prit ditë më të mira! Dhjetëra herë kam kaluar nga ura e Bunës për të vazhduar në Ulqin, Dubrovnik, Split, Zarë e tutje në Itali e Zvicër, sepse s’bëja ballë të futesha në qytetin e ëndrrave”.

Vdekja e tij me la një boshllëk, e thirra Saimirin dhe e pyeta për ceremoninë e varrimit, i vetëdijshëm që as mund të shkoja, as mund t’i shkonim miqtë tjerë. Ishte kohë e pandemisë që na ngujoi si të kishim rënë në gjak me tërë botën. E pashë në televizor rrugëtimin e tij të fundit dhe me pikëlloi edhe më shumë.

… Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rrmajit, 
dallendyshe ulu me pushue; 

Mu kujtuan vargjet e Filip Shirokës.

Pushofsh në paqe, miku im i çmuar. /KultPlus.com

Sekretet e Rikard Ljarjes, rrëfimi i mikut të fëmijërisë për yllin e kinematografisë shqiptare

Nga Albert Shala

Mirë bëre, moj bijë, që shkrove disa rreshta për shokun tim të vjetër, Rikardin. Po shoh këtu në Fb në pamundësi që të dal nga shtëpia që shumë e shumë njerëz, miq e shokë të tij, si dhe plot dashamirës, të panumërt, me plot dhembje shprehin vlerësimet e tyre për largimin e tij nga kjo bote. Dhe me të drejte. Rikardi me çfarë bëri në jetën e tij ishte kthyer në një ikone te artit shqiptar ne me shume se gjysmë shekulli.

Nëse ka ndonjë gjë që mund të shtoj me këtë rast është se ai ka qene “bir i artit”, një artist shumëdimensional. Shumëkush nuk e di qe ai ka qenë një muzikant i mrekullueshëm, i cili që në rininë e hershme ka marrë pjese si orekstrant në shfaqjen e pare të operas “Mrika”, duke luajtur ne fagot. Pak kush mund ta dije që ai me fizarmonikën e tij në krah i jepte gjallëri dasmave në vendlindjen tonë, në Shkodër. Pak kush mban mend që ai ka marrë pjesë me një këngë rinore me titullin “Riviera” në një ndër festivalet e para ne Radio Tirana. E më tëj, Rikardi ka qenë një piktor i talentuar e mjaft origjinal, që ka lënë vepra të çmuara edhe në këtë fushe E më tej se kaq, po them që ai ka lënë edhe disa libra me tregime shumë të bukura e se fundi në nëntor të vitit që shkoi, megjithëse shëndeti e kishte vënë poshtë, përfundoi e botoi romanin e tij të fundit.

Rikardi ka qenë shembull i artistit te madh shqiptar, i njeriut të talentuar në disa fusha, punëtorit të palodhur, qytetarit të ndershëm e të urte, që gjithë jetën e tij e kishte mbështetur te mirësia e puna. i qofte i lehtë dheu. Jam i bindur që arti shqiptar do ta ketë Rikard Ljarjen gjithnjë si shembull plot dritë.

*Albert Shala është miku i fëmijërisë së aktorin Rikard Ljarja, që janë lindur dhe rritur së bashku në qytetin e Shkodrës dhe e kanë ruajtur miqësinë për dekada me radhë. Shkrimi dedikuar është marrë nga rrjetet sociale nga e bija e tij. /KultPlus.com

Dumoshi: Ne në Kosovë, jemi ushqyer me kulturën shqiptare nëpërmjet veprave të cilat na ka sjellë Rikardi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në  Republikën e Kosovës, Vlora Dumoshi, përmes një postimi në Facebook ka shprehur ngushëllimet e saj për vdekjen e aktorit Rikard Ljarja, shkruan KultPlus.

Dumoshi vlerëson se Rikardi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në tërë kulturën shqiptare si dhe puna e tij e ka bërë atë figurë të rëndësishme në historinë e kulturës shqiptare.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të Dumoshit:

E nderuara familja Ljarja,

Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e të dashurit tuaj Rikardit, aktorit, regjisorit dhe skenaristit tonë të madh, që la gjurmë të pashlyeshme në tërë kulturën shqiptare.

Puna, kontributi dhe angazhimi i tij, në fushën e teatrit dhe sidomos të kinematografisë, e ka bërë atë figurë të rëndësishme në historinë e kulturës shqiptare.
Ai me shumë punë dhe dashuri për artin, e ngriti kulturën shqiptare në një nivel tjetër.

Ne në Kosovë, jemi ushqyer me kulturën shqiptare nëpërmjet veprave të cilat na ka sjellë Rikardi bashkë me shumë aktorë e artistë tjerë shqiptarë.

Jemi rritur me filmat ku protagonist ka qenë ai. Nga shumë filmat që Rikardi mori pjesë, nuk mund të harrohen dot “Rrugët e bardha”, “Pesha e kohës”, e shumë filma të tjerë si dhe angazhimi i tij në teatrin “Migjeni” i cili ishte një thesar në mesin e xhevahireve të tjerë që kishte Shkodra.

Vdekja e tij është humbje e madhe për artin shqiptar, por korpusi i veprave filmike që ai la pas vete, janë një pasuri e çmuar artistike që ka vulën e kulturës shqiptare dhe bën që emri i tij të mos harrohet kurrë. Fizikisht, ai nuk do të jetë më i pranishëm me ne, por do të kujtohet gjithmonë përmes veprës shumë të çmuar dhe me vlerë që la pas.

E nderuara familje Ljarja, të dashur miq të tij, i tërë komuniteti artistik mbarëshqiptar, pranoni ngushëllimet e mia më të përzemërta.

I përhershëm qoftë kujtimi për të dhe i lehtë i qoftë dheu. / KultPlus.com

Agim Doçi mallëngjen me vargjet për Ljarjen: Po unë Rikard ku t’i çoj lotët?

Poeti dhe autori i shumë këngëve, Agim Doçi ka kujtuar mes lotësh por edhe me vargje Rikard Ljarjan, aktorin e madh i cili vdiq një ditë më parë.

Pengu më i madh për Doçin është fakti se sot nuk mund t’i japë lamtumirën mikut të tij si pasojë e COVID 19. Por kjo situatë nuk e ka ndalur atë të thurë vargje e të mallëngjejë të gjithë.

“Kam jetuar në Shkodër 16 vjet, e pashlyer do mbetet për mua kur në Kukës erdhi si personazh jetësor për të përjetësuar një personazh të thjeshtë atë “Dedën” e famshëm. Ai ishte një nga rolet më të personalizuar dhe më të realizuar të Rikardit. Dhimbja më e madhe sot është që nuk shkojmë dot ta përcjellim, t’i hedhim një dorë dhe atij shkodrani që me zemërgjerësinë e tij pati ndihmuar të bëhet aktor edhe një djalosh shkodran Frederik Ndoçi. Kanë aktruar bashkë”,- tha ai.

Doçi thuri këto vargje për mikun e tij Rikard Ljarjan:

NE ishim shokë RIKARDI shtrenjt
Sa shpejt që ike O NJERI…
KUJTESA jonë të ka të SHENJT
TI yll i ndezun me DASHURI.

Do ikin vitet TI s’do harrohesh
MAGJIA yte – PRINC i aktrimit
TI mbetesh YLLË e do kujtohesh
SIMBOL i gjallë n’magjin e filmit.

Do jesh tek ENGJËJT perkrah me shokët
Po unë RIKARD ku ti çoj lotët? / KultPlus.com

I jepet lamtumira e fundit Rikard Ljarjes, miqtë e kolegët e përcjellin me duartrokitje

Ka qenë përshëndetja e fundit sot me aktorin Rikard Ljarja, ndarë nga jeta mbrëmë në moshën 77 vjeçare. Miq e kolegë e kanë përcjellë për në banesën e fundit përmes duartrokitjesh, dhe nderimi të heshtur në distancë.

Sipas amanetit të aktorit, lënë familjarëve, ai do prehet në vendlindjen e tij, në Shkodër.

Aktorja e njohur, Roza Anagnosti, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Dhimitër Anagnosti, ka thënë disa fjalë nderimi për Rikard Larjan.

“Ne kemi një miqësi shumë të mirë me familje, ato që ka lënë ai nuk do të harrohen. Ka lënë një pasuri të jashtëzakonshme për artin. Kam punuar me të si regjisor në momente shumë të vështira. Pushtoftë në paqe dhe vepra e tij të ketë një jetë sa më të gjatë”, tha Roza.

Ndonëse po jetojmë ditë të vështira, dhe në izolim total, përcjellja mortore për aktorin ka qenë me miq e kolegë të shumtë. / Standard/ KultPlus.com