Le Miroir Des Sports: Riza Lushta, qendërsulmuesi shqiptar i Juventusit

“Le Miroir des sports” ka botuar, të hënën e 6 korrikut 1942, në faqen n°6, një rrëfim të rrallë për futbollistin e talentuar shqiptar nga Mitrovica, Riza Lushtën, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Nëse ka një vend i cili, nga numri dhe cilësia e lojtarëve të tij, mund të pretendojë se nuk ka asgjë për të mësuar nga askush në kontinent, kjo është Italia, fituese dy herë e Kupës së Botës, në 1934 dhe 1938, dhe palmares-i ndërkombëtar i të cilës është madhështor.

Megjithatë…

Megjithatë, trajneri i A. S. Romës, kampion i Italisë në 1912, është një hungarez, Alfred Schaffer. Asnjëherë A. S. Roma, që prej vitit 1898 që kampionati italian ekziston, nuk e kishte fituar titullin. Klubi ka arritur këtë sukses, këtë vit, me një ekip që nuk ka në radhët e tij asnjë lojtar titullar në “njëmbëdhjetëshen” e një kombëtarje. Merita e Shaffer-it është akoma dhe më e madhe.

Megjithatë përsëri Juventusi i Torinos, fitues i Kupës së Italisë në 1942, ia detyron suksesin e tij qendërsulmuesit shqiptar Lushta, i cili shënoi kundër Milanit dy herë radhasi, ndërsa ekipi Lombard, i udhëhequr nga 2 -1, dukej se do të barazonte. Nga 2-1, Piemontezët rritën diferencën në 4-1; Ishte shumë për ekipin e ri të Milanos…

Duket kështu që, edhe brenda një elite, njerëz të jashtëzakonshëm, “fate të veçanta” si Schaffer dhe Lushta arrijnë të imponohen. Sidoqoftë për Schaffer-in, kishim dëgjuar për reputacionin evropian të krijuar për shumë vite, si lojtar dhe më pas si trajner.

Por Lushta ?

Ky Lushta, aktualisht futbollisti më i njohur në Piemont, nuk ka asgjë të përbashkët me Lushtën, të quajtur Riza, i lindur më 21 janar 1916, në Nierogiza (Mitrovicë, Shqipëri), dhe i cili luajti për S. O. Montpellier gjatë sezonit 1939-1940 ?

Nëse është kështu, si mund ta shpjegojmë që nuk u fol për këtë lojtar në Francë? A nuk pati njeri për të dalluar klasin e jashtëzakonshme të një lojtari që arriti të imponohej në mesin e lojtarëve më të mirë italianë dhe që, të dielën e kaluar, shënoi dy gola vendimtarë si në paradë, pas një serie fintesh dhe driblimesh që shmangën mbrojtësit kundërshtarë nga rruga e tij, aq sa ai pati kohë për të bllokuar me qetësi topin për të shënuar në mënyrë të pandalshme?” / KultPlus.com

Riza Lushta, shqiptari i parë që luajti me ekipin e Juventusit

Riza Lushta është shqiptari i parë që luajti me Juventusin, madje arriti të shpallej edhe kampion, duke shkruar historinë e klubit bardhezi.

Ndër shqiptarët e rrallë, që ka pasur një takim me Lushtën para viteve 90- të, ka qenë Bamir Topi. Ish-presidenti i Shqipërisë shfrytëzoi rastin gjatë kohës që kryente studimet pasuniversitare në Torino për të takuar një prej futbollistëve më të mëdhenj që kanë nxjerrë trojet shqiptare.

Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, veç të tjerash, Bamir Topi, ka zbuluar një detaj interesant për sa i përket varrit të kolosit të futbollit. Ish-presidenti zbulon se varri i Lushtës ndodhet në sektorin e varrezave të myslimanëve dhe duke mos patur familjarë, të afërm dhe ishte disi i braktisur.

“Qëndrimi me Lushtën atë ditë, nuk zgjati shumë. U largova me premtimin se do të takoheshim sërish, por nuk u ktheva më. Jam rikthyer në Torino kohë më vonë, në vitin 2000, kur ai kishte ndërruar jetë. Bashkë me mikun, kolegun tim, i gatshëm kurdoherë edhe sot, sidomos kur flasim për sportin, tifozë të Juventusit të dy, shkuam në varreza.

Doja të vendosja një lule mbi varrin e tij dhe ashtu bëra. Varri i tij ndodhet në sektorin e varrezave të myslimanëve dhe duke mos pasur familjarë, të afërm, ishte disi i braktisur. Kjo që kam këtu është “La Gazzetta dello Sport”, që flet për Riza Lushtën pasi ai kishte ndërruar jetë”, tregon Topi për “Panorama Sport”.

Kujtojmë që sezonin e kaluar kampionëve të Juventusit, i është bashkuar edhe sulmuesi i Kombëtares, Xhakomo Vrioni, i cili ëndërron të ecë në gjurmët e Lushtës. /PanoramaSport/ KultPlus.com