MKRS hapë thirrje për mbështetje financiare në sport, rini dhe trashëgimi kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur sot një tjetër thirrje publike.

Përmes kësaj thirrje MKRS synon: Promovimin dhe prezantimin ndërkombëtar të sportit vendor dhe zhvillimin e tij përmes pjesëmarrjes në aktivitete ndërkombëtare,

Promovimin dhe fuqizimin e rinisë së Republikës së Kosovës përmes pjesëmarrjes së tyre në aktivitete ndërkombëtare dhe Promovimin dhe prezantimin ndërkombëtar të produktit kulturor vendor dhe skenës së pavarur të Republikës së Kosovës nga fusha e artit dhe trashëgimisë kulturore, duke kontribuar në zhvillimin e diplomacisë publike.

Përmes fondit të mobilitetit ofrohet mbështetje financiare për nismat individuale dhe grupore për prezantim ndërkombëtar në fushat e mësipërme.

Thirrja është e hapur. Bashkëngjitur gjeni linkun me detajet tjera dhe mënyrën e aplikimit: https://bit.ly/3A5J9nI /  / KultPlus.com

Driton Kuka me fjalë të mëdha për Nora Gjakovën: Fitoj titullin më të madh që mund të fitohet

Driton Kuka ka bërë një përshkrim të karrierës së xhudistes, Nora Gjakova, e cila vitin e kaluar është shpallur kampione e botës në Tokio, shkruan KultPlus.

Nora Gjakova e ka filluar karrierën në vitin 2002, e fillon tregimi Kuka, duke treguar se për plotë 19 vite punoi me përkushtim dhe në fund u kurorëzua edhe kampione.

“Nuk kishte medalje botërore as olimpike deri në vitin 2021, por pandemia sikur ia rriti përkushtimit drejt cakut”, thotë Kuka në postimin e tij, të cilin mund ta lexoni më poshtë:

“Për një ditë të mirë … Nora Gjakova E nisi xhudon diku 2002 e qëndrueshme drejt qëllimit të saj! Plot 19 vjet punoj me përkushtim! Skishte medalje Botërore as Olimpike deri 2021 … Por pandemia sikur ja rriti përkushtimin drejt cakut! Punoj shumë këto vitet e fundit dhe në Budapest qershor 2021 fitoj medaljen e saj të parë Botërore,por ishte e qetë pas fitores së medaljes në Botëror,pa emocione! Kishte qëllim në kokën e saj donte medaljen Olimpike. Dhe në Lojëra Olimpike kulmoj me formën e saj,ashtu ishte vizatuar rruga e formës dhe ashtu ndodhi fitoj titullin më të madh që mund të fitohet të Artën Olimpike! Pas Majlindes,Distrias erdh edhe e Arta e Nores! Tri Copa të arta Për Kosovën nga xhudo”, shkruan trajneri.

Sporti i xhudos një “brend i shtetit tonë të ri” është përshkrimi që ia bën njëri ndër trajnerët më të sukesshëm në histori të Kosovës, Driton Kuka. /KultPlus.com

Ekipi shqiptar shpallet kampion në “Europianin e gjimnastikës artistike”

Ekipi shqiptar ka arritur një rezultat fantastik në Kampionatin Europian të gjimnastikës artistike që po mbahet në Mersin të Turqisë.

Kuqezinjtë të cilët përfaqësohen në këtë event nga gjimnasti Matvei Petrov dhe trajneri Alon Hasa, kanë arritur një rezultat të jashtëzakonshëm duke u shpallur kampionë të Europës.

Një rezultat historik ky për Shqipërinë që për herë të parë arrin të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit.

Gjimnasti Matvei Petrov është një sportisit rus i pajisur me nënshtetësi shqiptare disa vite më parë.

Meritë për këtë arritje ka edhe presidenti i federatës së gjimnastikës, Flobens Dilaveri.

Në një intervistë të dhënë për mediat ruse, përfaqësuesi i Shqipërisë tregon se si nisi historia e tij me Shqipërinë. “Kam pasur një karrierë të gjatë në Rusi, por nuk do të thoja që ishte shumë e suksesshme. Kur nuk arrita në Lojërat Olimpike 2016 në Rio, unë përfundova plotësisht karrierën time sportive dhe u transferova në Pragë për të punuar si trajner. Nuk mendoja të vazhdoja karrierën time sportive. Por gjatë ditës time të punës si trajner kisha pak kohë të lirë, kështu që fillova të stërvitesha përsëri dhe kuptova që në të vërtetë isha akoma në gjendje të mirë. Unë thjesht isha me fat, sepse drejtori i palestrës ku kam punuar është shqiptar. Kështu nisi historia ime shqiptare”.

Petrov ka treguar gjithashtu se “Federata Shqiptare e Gjimnastikës” mori miratimin nga “Federata Ruse e Gjimnastikës” që ai të garonte për Shqipërinë. “Askush nuk ishte kundër”, tha ai.

Më parë Gjimnasti Matvey Petrov ka siguruar Medaljen e Bronztë për ngjyrat kuq e zi duke përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Ndërkombëtar “Voronin Cup” që u mbajt në datat 12-13 Dhjetor 2018 në Moskë, Rusi. /dp/ KultPlus.com

Le Miroir Des Sports: Riza Lushta, qendërsulmuesi shqiptar i Juventusit

“Le Miroir des sports” ka botuar, të hënën e 6 korrikut 1942, në faqen n°6, një rrëfim të rrallë për futbollistin e talentuar shqiptar nga Mitrovica, Riza Lushtën, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Nëse ka një vend i cili, nga numri dhe cilësia e lojtarëve të tij, mund të pretendojë se nuk ka asgjë për të mësuar nga askush në kontinent, kjo është Italia, fituese dy herë e Kupës së Botës, në 1934 dhe 1938, dhe palmares-i ndërkombëtar i të cilës është madhështor.

Megjithatë…

Megjithatë, trajneri i A. S. Romës, kampion i Italisë në 1912, është një hungarez, Alfred Schaffer. Asnjëherë A. S. Roma, që prej vitit 1898 që kampionati italian ekziston, nuk e kishte fituar titullin. Klubi ka arritur këtë sukses, këtë vit, me një ekip që nuk ka në radhët e tij asnjë lojtar titullar në “njëmbëdhjetëshen” e një kombëtarje. Merita e Shaffer-it është akoma dhe më e madhe.

Megjithatë përsëri Juventusi i Torinos, fitues i Kupës së Italisë në 1942, ia detyron suksesin e tij qendërsulmuesit shqiptar Lushta, i cili shënoi kundër Milanit dy herë radhasi, ndërsa ekipi Lombard, i udhëhequr nga 2 -1, dukej se do të barazonte. Nga 2-1, Piemontezët rritën diferencën në 4-1; Ishte shumë për ekipin e ri të Milanos…

Duket kështu që, edhe brenda një elite, njerëz të jashtëzakonshëm, “fate të veçanta” si Schaffer dhe Lushta arrijnë të imponohen. Sidoqoftë për Schaffer-in, kishim dëgjuar për reputacionin evropian të krijuar për shumë vite, si lojtar dhe më pas si trajner.

Por Lushta ?

Ky Lushta, aktualisht futbollisti më i njohur në Piemont, nuk ka asgjë të përbashkët me Lushtën, të quajtur Riza, i lindur më 21 janar 1916, në Nierogiza (Mitrovicë, Shqipëri), dhe i cili luajti për S. O. Montpellier gjatë sezonit 1939-1940 ?

Nëse është kështu, si mund ta shpjegojmë që nuk u fol për këtë lojtar në Francë? A nuk pati njeri për të dalluar klasin e jashtëzakonshme të një lojtari që arriti të imponohej në mesin e lojtarëve më të mirë italianë dhe që, të dielën e kaluar, shënoi dy gola vendimtarë si në paradë, pas një serie fintesh dhe driblimesh që shmangën mbrojtësit kundërshtarë nga rruga e tij, aq sa ai pati kohë për të bllokuar me qetësi topin për të shënuar në mënyrë të pandalshme?” / KultPlus.com

Kosovare Asllani, sulmuesja më e mirë në listën e Fifapro 2020

Sulmuesja shqiptare Kosovare Asllani është përzgjedhur mes 55 futbollisteve më të votuara nga Fifapro.

Ajo është në treshen e parë që ka marrë më shumë vota si sulmuese duke kaluar kështu në World 11 që Fifapro dhe Fifa, për rezultatet që do të shpallen më 17 dhjetor.

Në listën me 55 emra të këtij viti, 15 prej tyre janë emra të rinj ndërkohë që Tabitha Chavvinga nga Malavi është lojtarja e parë afrikane në historinë e kësaj liste.

Kosovare Asllani ka lindur në Suedi më 29 korrik 1989 nga prindër shqiptarë. Ajo u rrit duke luajtur futboll dhe hokej por talentin e saj e fokusoi tek fusha e blertë dhe jo akulli.

Pas sukseseve në Suedi e më tej, aktualisht 31-vjeçarja është pjesë e skuadrës së Realit të Madridit. /dp/ KultPlus.com

Vdes ish-futbollisti dhe trajneri Nikolin Lorenci

Si pasojë e Covid 19, ka vdekur ish-futbollistit i njohur nga Lezha, Nikolin Lorenci.

Lorenci ishte i shtrirë në spitalin infektiv në Tiranë, por gjendja e tij iu përkeqësua dhe vdiq në mëngjesin e sotëm.

Nikolin Lorenci ka lindur me 13 Dhjetor 1949 në Lezhë. Ai e ka veshur zyrtarisht fanellën e Besëlidhjes në maj të vitit 1965 në ndeshjen Butrinti- Besëlidhja dhe që nga ajo kohë e deri në fund të sezonit 1978-79 nuk i është ndarë fushës së blertë duke thyer  një rekord  si titullar, pasi  nuk ka munguar në asnjë ndeshje.

Nikolin Lorenci si futbollist  me fanellën e Besëlidhjes ka luajtur në 5 sezone. Pasi ka lënë futbollin si lojtar, ai më vonë ka shërbyer si trajner i Besëlidhjes, si shef i sportklubit dhe si drejtor sportiv në akademitë private te futbollit ne Lezhe, “Brians” dhe  “Porto”.

Më 4 dhjetor 2018 Këshilli bashkiak i Lezhës për kontributet e tij e shpalli “Qytetar Nderi” të Bashkisë. Më herët Nikolin Lorenci ka marrë dhe titullin “Mjeshtër Sporti”. / KultPlus.com

Distria Krasniqi ngadhënjen me medalje evropiane në xhudo, Dumoshi: Vajzat e Kosovës, të pandalshme

Distria Krasniqi është një emër tjetër nga lista e gjatë e vajzave të Kosovës që na bëjnë krenar. Së fundmi, ajo fitoi medaljen e bronztë evropiane në Kampionatin Evropian të xhudos, shkruan KultPlus.

Krasniqi arriti ta mund francezen Melanie Clement me ippon, në kategorinë deri në 48 kg në Pragë të Republikës së Çekisë. Xhudisten e suksesshme e uroi edhe ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi nëpërmjet një postimi.

”Përgëzime për Distrian dhe ekipin për medaljen e dytë në kampionatin evropian pas të argjendtës së fituar në “Tel Aviv 2018”. Ajo vazhdon të na bëjë krenarë me secilën paraqitje. E përgëzoj njëkohësisht edhe për arkëtimin e 350 pikë Olimpike për Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat e mbajnë në pozitën e parë të kategorisë së saj”, ka shkruar Dumoshi.

Tutje ajo ka theksuar se në garën e sotme shkëlqeu edhe kosovarja Flaka Loxha, e cila shënoi një fitore dhe një humbje dhe të cilën gjithashtu e uroj për suksesin e treguar.

Në fund ministrja i uroi suksese edhe Loriana Kukës e cila do të garoj nesër. /KultPlus.com

MKRS nënshkruan memorandume bashkëpunimi me dy federata sportive

Në vazhdën e nënshkrimit të memorandumeve me federatat sportive edhe sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u nënshkruan memorandume bashkëpunimi edhe me dy federata sportive.

Memorandumet u nënshkruan me Federatën e Motoçiklizmit dhe me Federatën e Ragbit.

Ministrja Vlora Dumoshi, i nënshkroi memorandumet në emër të MKRS-së ndërsa për federatat firmën e vunë përfaqësuesit e federatave përkatëse. Këto memorandume bashkëpunimi u nënshkruan më qëllim të realizmit të objektivave dhe synimeve të këtyre federatave për vitin 2020.

Gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi, dhe drejtuesit e federatave diskutuan për sfidat dhe problemet që kanë federatat, dhe gjithashtu ministrja tha se është e angazhuar që t’iu gjendet pranë sportistëve në këtë kohë të vështirë nëpër të cilën po kalojmë si pasojë e pandemisë.

“Jam jashtëzakonisht e përkushtuar që ta zhvillojmë sa më shumë infrastrukturën sportive në vend pasi që e dimë se sportistë janë ambasadorët më të mirë të vendit”, tha ministrja Dumoshi.

Ndërkaq përfaqësuesit e këtyre federatave falënderuan ministren Dumoshi për mbështetjen e vazhdueshme që po tregon për sportin në vendin tonë ata u shprehen të lumtur se me nënshkrimin e këtyre memorandumeve tani më do të kenë mundësi që të realizojnë në vazhdimësi objektivat dhe synimet e tyre për vitin 2020, duke  theksuar se me kalimin e izolimit do të angazhohen maksimalisht  të rikthehen fuqishëm në aktivitete edhe në gara. / KultPlus.com

Reagon Gashi: Me heqjen e flamurit, Spanja tentoi ta dëmtojë suksesin e sportistëve kosovarë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, e ka quajtur veprim jo të mirë dhe ndërhyrje politike të Spanjës, heqjen e flamurit të Kosovës nga faqja zyrtare e Lojërave Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018” që po mbahen në shtetin spanjoll.

Tani për tani Kosova në sajt është e paraqitur me inicialet “KOS”, ndërsa Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi në një prononcim për Ekonomia Online, ka reaguar për herë të parë lidhur me këtë veprim, i cili sipas tij, ka ardhur si pasojë e presionit të shtetit të Spanjës.

“Është një veprim jo i mirë i shtetit spanjoll sepse sporti nuk njeh kufi e as politikë. Nëse ka pasur kërkesë nga Qeveria, kjo tregon që në Spanjë ka ndërhyrje politike në aktivitete sportive dhe është për keqardhje. Me gjasë ditën e fundit ka pasur një presion politik atje nga shteti i Spanjës për të hequr flamurin nga ekranet”, është shprehu ai.

Mirëpo sipas tij ajo që është me rëndësi është fakti se Kosova ka marrë pjesë si shtet, me të gjitha simbolet e veta.

Ekonomia Online njofton se në fillim flamuri i Kosovës ka qenë prezent në faqen ku përfshihen ekipet pjesëmarrëse, por ai është larguar një ditë pasi xhudistet kosovare Nora Gjakova e Distria Krasniqi kishin fituar medaljet e arta.

Me këtë veprim sipas Gashit, Spanja ka dashur që të prishë rezultatet e arritura nga sportistët kosovarë, të cilët atë e kanë impresionuar me paraqitjet e tyre.

“Përndryshe, jam jashtëzakonisht i impresionuar me atë se si sportistët dhe shteti ynë është paraqitur në Spanjë me të gjitha simbolet dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja që ata kanë dashur ta prishin gjithë atë aktivitet të madh dhe gjithë ato rezultate që kanë sjellë sportistët tanë” tha ai.

Ministri i Kulturës ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës që po merr pjesë për herë të parë në këto lojëra. Ai ka theksuar se Kosova është trajtuar si shtet dhe është paraqitur me të gjitha simbolet e saj, derisa kur janë fituar medaljet është intonuar edhe himni shtetëror. Sipas tij, Komiteti dhe sportistët janë trajtuar jashtëzakonisht mirë.

“Por, ajo ndodh, është një incident i vogël që ka mundur të ndodhë me heqjen e flamurit nga ekranet ditën e fundit, është një gjest jo i mirë dhe një ndërhyrje politike e shtetit të Spanjës në zhvillimin e sportit”, tha ai.

Meqë Spanja vazhdon të mos e njohë Pavarësinë e Kosovës, ministri ka deklaruar se nuk kanë komunikim zyrtar me autoritetet atje për të kuptuar arsyen e heqjes së flamurit, raporton EO.
Por, ai ka shtuar se KOK-u ka kontaktuar me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe atë të Spanjës, dhe sipas tij së shpejti pritet të vijnë informacione rreth këtij veprimi./KultPlus.com