‘I vetmi limit për arritjet e së nesërmes, janë dyshimet e së tashmes’

50 shprehje frymëzuese që do ta motivojnë secilin:

“Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal, guximi për të vazhduar përpara ka rëndësi.” – Winston Churchill

“Më mirë të dështosh me origjinalitet, se sa të kesh sukses me imitim.” – Herman Melville

“Rruga te suksesi dhe rruga drejt dështimit janë pothuajse gjithnjë e njëjta.” – Colin Davis

“Suksesi zakonisht u shkon atyre që janë duke e kërkuar.” – Henry Thoreau

“Mundësitë nuk ndodhin, ne i krijojmë.” – Chris Grosser

“Mos ki frikë të heqësh dorë nga e mira për të shkuar drejt një të mire më të madhe.” – John Rockefeller

“Kam zbuluar se sa më shumë punoj, aq më shumë fat kam.” – Thomas Jefferson

“Ka dy tipe njerëzish që do të thonë se nuk mund të bësh diferencën në botë: ata që kanë frikë të provojnë dhe ata që kanë frikë nga suksesi jot.” – Ray Goforth

“Njerëzit e suksesshëm bëjnë atë që njerëzit e pasuksesshëm nuk bëjnë. Mos uro që të ishte më e lehtë, uro që ti të ishe më i mirë.” – Jim Rohn

“Mos u bëj një njeri suksesi, bëhu një njeri vlerash.” – Albert Einstein

“Kurrë mos iu ndaj bindjeve të nderit dhe qëllimit të mirë.” – Wiston Churchill

“Boll ndoqe paratë, ndiq pasionin.” – Tony Hsieh

“Sukses do të thotë të kalosh nga dështimi në dështim pa e humbur entuziazmin.” – Winston Churchill

“Kreditet e suksesit tim ia jap këshillës më të mirë.” – GK Chesterton

“Do të të jap një formulë për suksesin? Është e thjeshtë. Dyfisho normën e dështimit. Po mendon për dështimin si armik të suksesit. Por nuk është e gjitha. Mund të dekurajohesh nga dështimi ose të mësosh nga ai, kështu që vazhdo dhe bëj gabimet e tua. Bëj ç’të jetë e mundur. Kështu e gjen suksesin.” – Thomas Uatson

“Nëse nuk do të rrezikosh të zakonshmen, duhet të përshtatesh me të.” – Jim Rohn

“Ata që janë aq të çmendur sa mendojnë se do ndryshojnë botën, ata e bëjnë.” –Anonim

“Bëj çdo ditë një gjë që të frikëson.” – Anonim

“Progresi i vetëm është të dalësh nga zona e rehatisë.” – Muchael Bobak

“Njerëzit që kanë sukses kanë vrull. Sa më shumë arrijnë, aq më shumë duan të arrijnë, dhe aq më shumë e gjejnë mënyrën për të arritur suksesin.” –Tony Robbins

“Mos lër frikën e humbjes të jetë më e madhe se dëshira për të fituar.” – Robert Kuyoaski

“Sukseset më të mëdha nuk ndodhin brenda natës, kërkojnë kohë.” – Steve Jobs

“Testi i vërtetë nuk është si të shmangësh dështimin, sepse s’do mundesh, por si ta përballosh atë.” – Barack Obama

“I vetmi limit për arritjet e së nesërmes, janë dyshimet e së tashmes.” – Franklin Roosvelt

“Karakteri nuk zhvillohet me thjeshtësi, por nëpërmjet përvojës së vuajtjeve dhe gjykimit. Forcohet shpirti, rritet ambicia dhe arrihet suksesi.” – Helen Keller

“E vetmja mënyrë për të filluar është të heqësh dorë nga të folurit dhe të fillosh ta bësh.” – Walt Disney

“Luftëtari i suksesshëm është një njeri mesatar por i fokusuar.” – Bruce Lee

“Nuk ka sekrete për suksesin. Është rezultat i përgatitje, punës së shumtë dhe mësimit nga dështimi.” – Colin Powell

“Suksesi duhet të jetë i lidhur me veprimin. Njerëzit e suksesshëm vazhdojnë të lëvizin. Ata bëjnë gabime por nuk heqin dorë.” – Conrad Hilton

“Nëse me të vërtetë do të bësh diçka do ta gjesh mënyrën. Nëse jo do të gjesh justifikim.” – Jim Rohn

“Nuk mund të të jap formulën e suksesit, por të jap formulën e dështimit që është t’i kënaqësh të gjithë.” – Herbert Suope

“Suksesi nuk është çelësi i lumturisë. Lumturia është çelësi i suksesit. Nëse e do atë që  bën atëherë do jesh i suksesshëm.” – Albert Schveitzer

“Suksesi nuk është thjeshtë të arrish në jetën tënde. Por edhe të inspirosh të tjerët t’ia arrijnë”– I panjohur

“Rrëzohu 7 herë e ngrihu 8 herë.” – Proverb japoneze

“Disa njerëz ëndërrojnë për suksesin, ndërsa të tjerët zgjohen dhe punojnë për të.” – I panjohur

“Nëse e ëndërron mund ta arrish.” – Walt Disney

“Ndryshimi mes asaj që je dhe asaj që do është ajo çfarë bën.” – I panjohur

“Një njeri i suksesshëm është ai që ngre një ndërtesë me tullat që hodhën në drejtim të tij.” – David Brinkley

“Për të patur sukses, dëshira për sukses duhet të jetë më e madhe se frika nga humbja.” – Bill Cobsy

“Për të pasur sukses, në fillim duhet të kemi besim se ne mundemi.” – Niko Kazanzaqis

“Shumë nga dështimet në jetë ndodhin nga njerëz që u dorëzuan duke mos ditur se sa pranë suksesit ishin.” – Thomas Edison

“Mos u huto nga kritikat. Kujto që shumë njerëz kanë ecur vetëm për shkak të atyre që e kafshuan.” – Zig Ziglar

“Sekreti i suksesit është ta bësh gjënë e zakonshme në mënyrën më të mirë të mundshme” – Jon Rockefeller

“E di që je në rrugën e suksesit nëse bën punën tënde, dhe nuk pret të paguhesh për të.” – Oprah Winfrey

“Ekziston një forcë e madhe brenda çdo njeriu, që kur lëshohet, mund të bëjë çdo dëshirë, çdo ëndërr realitet.” – Anthony Robbins

“Sekreti i suksesit është të dish atë që askush nuk e di.” – Aristotel Onasssis

“Dështova në mënyrën time për të pasur sukses.” – Thomas Edison

“Asgjë të vlefshme që bëra nuk ishte aksidentalisht, as shpikjet e mia nuk erdhën aksidentalisht. Jo, kur kam vendosur se çfarë rezultati dua, punoj për të deri kur të vijë.” – Thomas Edison

“I vetmi vend ku suksesi vjen përpara punës është vetëm në fjalor.” – Vidal Sassoon

“Vazhdo të ecësh, shanset janë të pengohesh, ndoshta kur nuk e pret. Por nuk kam dëgjuar për një njeri të suksesshëm që të rrëzohet dhe të qëndrojë ulur.” – Charles Kettering / KultPlus.com

Letra e dashurisë që Theodore Roosvelt i shkroi bashkëshortes së tij, Edith Roosvelt

Sot, më 6 janar 2022 janë shënuar 103 vjet nga vdekja e Theodor Roosvelt, presidentit të 26-të SHBA-së.

Theodore Roosvelt ka shërbyer si president i SHBA-së që nga viti 1933 deri në fund të jetës së tij. Ai ishte i martuar me Edith Roosvelt e cila solli mjaft ndryshime si zonja e parë e shtetit, shkruan KultPlus.

Sot ju sjellim një letër që presidenti Roosvelt, ia kishte shkruar bashkëshortes së tij, Edith Roosvelt, në përvjetorin e martesës, më 20 maj 1943. Në këtë letër Roosvelt e kujton ditën e martesës me Edith dhe për rrugëtimin e tyre deri në atë ditë.

“E dashur Bunny!

E di se çfarë është kjo? Një letër për përvjetorin e martesës. Unë mendoj se duhet të mbërrijë në kohën e duhur. A të kujtohet ajo ditë e nxehtë qershori para tridhjetë e tre vitesh? Kisha e tejmbushur me njerëz, babai me atë jelekun e mrekullueshëm me pika blu, turmat në rrugë, velloja jote e bardhë, mamaja jote me një prej atyre kapelave të mrekullueshme. Dhe, a e mban mend si ishte bota atëherë, e vogël dhe e rregullt, një rend ndryshe. Gjërat kanë ndryshuar shumë që atëherë. Asgjë s’ka ndodhur ashtu siç e imagjinonim se do të ndodhte përveç fëmijëve tanë. Ne s’e menduam asnjëherë se do t’i binim botës kryq e tërthor. Ne nuk e menduam kurrë se profesionet dhe interesat tona do të shkonin aq larg. Ne nuk e menduam kurrë se tridhjetë e tre vjetori i martesës sonë do të na gjente të zhytur në Luftën tonë të Dytë me mua sërish në front. Epo e dashur, duhet thënë se ne kemi jetuar sipas pjesës më të rëndësishme të ceremonisë “Në të mirë e në të keq, në pasuri e varfëri deri sa vdekja të na ndajë”.

Me shumë, shumë dashuri,

Th. R./ KultPlus.com

Amerika e Franklin Roosevelt, nga rrënimi në superfuqi

Nga: Luan Kondi

Një nga presidentët më të pëlqyer nga amerikanët, Franklin Delano Roosevelt, njohur ndryshme edhe si FDR (shkronjat e pra të emrit të tij), drejtoi SHBA-në me sukses gjatë Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore. Programi i tij qeverisës (New Deal) Marrëveshja e Re krijoi vende pune, lejoi hapësira për sindikatat, reformoi vendin me anë të rregullimit të Wall Street dhe sistemit bankar kombëtar, dhe siguroi një rritje ekonomike të qëndrueshme. Disa nga programet e realizuara prej tij si Siguria Sociale dhe Korporata e Sigurimit të Depozitave Federale, janë shumë të rëndësishme ende.

Edhe pse ai u përpoq të mbante Amerikën neutrale gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke mbështetur gjithnjë aleatët, por pas sulmeve në Pearl Harbor, Roosevelt e çoi Amerikën në luftë të drejtpërdrejtë. Udhëheqja e tij rezultoi një strategji efikase në luftë pasi mundësoi shkatërrimin përfundimtar të nazistëve dhe fuqive të Boshtit. Shumë historianë mendojnë se hyrja e SHBA-së në luftë ishte një pikë kthese, e pikërisht kjo e bëri Rooseveltin një president të njohur. Franklin kujtohet si një politikan i madh, nga modeli qeverisës i të cilit mund të përfitohet mjaft. Franklin D. Roosevelt udhëhoqi popullin amerikan gjatë një momenti shumë të rëndësishëm të historisë së SHBA-së. Në prag të një lufte të madhe botërore, kur vendi ishte ekonomikisht i shkatërruar, u desh një njeri i fortë, si Franklin, që t’i trajtonte në mënyrë strategjike këto kriza. Presidenca e Roosevelt la një trashëgimi, që e bën atë një emër të madh të familjes së tij. Gjatë viteve ka ndodhur të harrohen disa prej presidentëve të SHBA-së, por me Franklin Roosevelt, që drejtoi dymbëdhjetë vjet, vështirë të ndodhë kjo. Reformat e ndërmarra nga Roosevelt e radhisin atë në krye të listës së presidentëve. Franklin Roosevelt ishte presidenti me moshë të re, që e solli Amerikën në epokën moderne të shekullit XX. Njeriu i fortë, i cili mposhti sëmundjen dhe paaftësinë për të udhëhequr një komb në luftë, mbetet një figurë historike që do të vlerësohet dhe respektohet edhe nga brezat e ardhshëm.  

Si u formua personaliteti i Franklin Roosevelt 

Franklin, edhe pse një president i lavdishëm, nuk ka qenë asnjëherë një nxënës dhe student i shkëlqyer. Ai deri në moshën 14-vjeçare mësoi në çifligun familjar Springwood. Më vonë u dërgua në shkollën përgatitore në Groton, ku shkonin fëmijët e familjeve të pasura, dhe më tej ndoqi studimet në Harvard. Ai mori nota mesatare në të gjithë shkollën dhe madje edhe gjatë shkollës së drejtësisë. Ai u diplomua në Harvard për histori, dhe më vonë ndoqi studimet për drejtësi në Universitetin e Columbias, por i ndërpreu ato pasi dha provimin e avokatisë. Edhe pse pa një diplomë në drejtësi, ai u përpoq të fillonte karrierën si avokat deri sa vendosi të hynte në shërbimin publik. Ashtu siç ndodh te shumë njerëz të suksesshëm, shkollimi i tij në fillim nuk ishte një tregues i vërtetë i asaj që Franklin Roosevelt do të ishte në gjendje të realizonte më vonë në jetë. Përkundër atij suksesi të madh që arriti si një udhëheqës i fuqishëm, Franklin nuk kishte një edukim shumë të fortë formal. Sot do të ishte shumë e vështirë që dikush të bëhet president pa një arsimim të fuqishëm, dhe sidomos pa një prapavijë të fortë ligjore. Edhe pse nuk shkëlqeu në shkollë, Franklin Delano Roosevelt mësoi shumë nga përvoja e jetës. Kjo e ndikoi atë në marrjen e vendimeve shumë të zgjuara gjatë karrierës së tij presidenciale. Franklin ishte kushëriri i pestë i Theodore Roosevelt, Presidentit të 26-të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai erdhi nga një familje shumë e privilegjuar, e cila kishte shumë të afërm me ndikim të madh në politikë dhe fusha të tjera. Krenar për prejardhjen e familjes së tij, Franklin pohonte se kishte lidhje me njëmbëdhjetë Presidentë të SHBA-së, si edhe njerëz të famshëm si Robert E. Lee, Jefferson Davis, Mbretëresha Elizabeth dhe Winston S. Churchill. Kjo tregon se aftësitë udhëheqëse të Franklin ishin në linjën e gjakut të tij.Franklin lidhi martesë me Eleanor Roosevelt, mbesën e Theodore Roosevelt. Eleanor ishte grua e zgjuar dhe e mirëarsimuar për kohën e saj. Ajo ndikoi shumë në “New Deal” (Marrëveshjen e Re), si dhe ndihmoi Franklinin në reformat e nevojshme gjatë Depresionit të Madh.  

Një Roosevelt ndryshe në politikë 

Edhe pse Franklin erdhi nga një linjë e gjatë politikanësh, ai ishte i pari demokrat në familjen e tij. Të gjithë Rooseveltët përfshirë dhe Theodorin, ishin republikanë. Në fakt, vendimi i tij për të qenë një demokrat e ndihmoi të fillonte karrierën politike. Në zgjedhjet për Senatin e Shtetit të Nju Jorkut, në vitin 1910, edhe pse kandidonte me siglën e demokratëve, ai u votua kryesisht për shkak të emrit të familjes së tij. Vetëm një demokrat kishte mundur të fitonte në Kontenë e Dutchess, zona ku kandidonte Franklin, që nga viti 1856. Atë kohë, shumë njerëz ende kujtonin me respekt të madh Theodore Rooseveltin, ndaj dhe Partia Demokratike vendosi të kandidonte atje një Roosevelt demokrat. Franklin fitoi me diferencë votash dhe kjo shënoi nisjen e karrierës së tij politike.  Roosevelt kishte një karrierë premtuese sepse më herët ai kishte shërbyer si senator i shtetit dhe Ndihmës Sekretar i Marinës. Në vitin 1920, ai konkurroi për një biletë në Shtëpinë e Bardhë, për zëvendëspresident, teksa guvernatori i Ohios, James Cox ishte kandidat për Presidentit. Ata humbën në betejën elektorale me Warren G. Harding dhe Calvin Coolidge. Kjo nuk e pengoi Franklin të vazhdojë shërbimin në poste publike.  

Presidenti në karrigen me rrota 

Franklin Roosevelt u paralizua pas një goditjeje nga poliomieliti në vitin 1921. Ai nuk e la paaftësinë fizike ta ndalonte për t’u marrë me politikë. Roosevelt u përpoq pareshtur të gjente një kurë për sëmundjen e tij. Për një kohë, ai u tërhoq për shkak të sëmundjes, por bashkëshortja Eleanor dhe Louis Howe e inkurajuan të vazhdonte më tej. Roosevelt punoi shumë në përmirësimin e imazhit fizik dhe politik. Ai mësoi të ecte vetë në distanca të shkurtra. Franklin kujdesej të mos shfaqej në publik duke përdorur karrigen me rrota. Asnjëherë nuk deshi të mësohej nga publiku aftësia e tij e kufizuar. Roosevelt i mbajti larg mediat nga ky problem, ndaj ekzistojnë vetëm tre foto që e tregojnë atë në karrigen me rrota. Paraliza e Franklin e solli poliomielitin në vëmendje publike. Mijëra jetë janë kursyer nga çrrënjosja e kësaj sëmundjeje. Për zbulimin e vaksinës kundër poliomielitit ka meritë edhe Roosevelt, pasi nxiti hulumtuesit. Pas disa mosmarrëveshjeve me persona me ndikim në Partinë Demokratike të Nju Jorkut, Roosevelt u shfaq në paqe me ta në Konventat Kombëtare të vitit 1924 dhe 1928 për të emëruar guvernatorin e Nju Jork, Al Smith si kandidat për president. Kjo e rriti ekspozimin e tij kombëtar, ndaj dhe Al Smith i kërkoi të kandidonte për guvernator i Nju Jorkut, në vitin 1928. Roosevelt fitoi me rezultat të ngushtë, por ky triumf i dha besimin të kuptonte se ylli i tij politik ishte në ngjitje. Si guvernator, ai besonte në një qeveri progresive që krijonte programe të reja sociale. Në vitin 1930, republikanët u fajësuan për Depresionin e Madh dhe Franklin Roosevelt ndjeu se kishte ardhur koha e triumfit. Ai filloi përgatitjen për një kandidim në zgjedhjet presidenciale. Shpesh bënte thirrje publike për ndërhyrjen e qeverisë në ekonomi, që të siguronte lehtësi, shërim përmes reformave. Qasja e tij optimiste, pozitive dhe përvoja personale e ndihmuan të fitonte ndaj kandidatit republikan Herbert Hoover, për president, në nëntor të viti 1932. Kur Roosevelt mori detyrën, në mars të vitit 1933, Amerika numëronte 13 milionë të papunë dhe qindra banka ishin mbyllur. Roosevelt u përball me krizën më të madhe në historinë e SHBA-së që nga Lufta Civile. Në 100 ditët e para si presidenti Franklin Roosevelt propozoi reformë të thellë ekonomike materializuar në programin “Marrëveshja e Re”. Ai urdhëroi mbylljen e përkohshme të bankave për të ndaluar tërheqjen e depozitave. Ai formoi një “Task Forcë” me ekspertë ekonomikë, të cilët projektuan agjencitë për të mbështetur fermerët, punësuar të rinjtë, rregulluar pagat e çmimet, siguruar depozitat bankare, rregulluar tregun e aksioneve, subvencionimin e kolateralëve etj. Që nga viti 1936, ekonomia tregoi shenja përmirësimi. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 34 për qind, dhe papunësia ra nga 25 për qind në 14 për qind. Por, Franklin Roosevelt u përball me kritika për rritjen e shpenzimeve qeveritare, buxhet të çekuilibruar, dhe se e kishte çuar vendin drejt socializmit. Disa akte të Marrëveshjes së Re u deklaruan jo kushtetuese nga Gjykata e Lartë e SHBA-së. Në vitin 1938, opinioni jo pozitiv për qeverisjen, rritja e ngadaltë ekonomike dhe fitoret e republikanëve në zgjedhjet e ndërmjetme, nuk i dha mundësinë Rooseveltit të kalonte legjislacionin e reformës.  

Lavdia e një udhëheqësi të madh 

Që nga fundi i Luftës së Parë Botërore, Amerika kishte adoptuar një politikë izolacioniste në politikën e jashtme. Në fillim të viteve 30-të, Kongresi miratoi aktet e neutralitetit të SHBA-së, duke parandaluar ndërhyrjen e saj në konfliktet e huaja. Në vitin 1933, Franklin D. Roosevelt largoi vendin nga parimi i njëanshëm i Doktrinës Monroe dhe themeloi politika të fqinjësisë së mirë me Amerikën Latine. Megjithatë, me lindjen e konflikteve ushtarake në Azi dhe Evropë, Roosevelt ka kërkuar mënyra për të ndihmuar Kinën në luftën me Japoninë dhe deklaruar se Franca dhe Britania e Madhe ishin “Vija e parë e mbrojtjes” së Amerikës nga Gjermania naziste. Në vitin 1940, Roosevelt nuk ishte shprehur publikisht se do të kandidonte për një mandat të tretë presidencial. Por duke parë fitoret e Gjermanisë në Evropë dhe dominimin në rritje të Japonisë në Azi, ndjeu se vetëm ai kishte përvojën dhe aftësitë për të udhëhequr Amerikën në situata të tilla. Në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike në Çikago, Roosevelt i sfidoi të gjithë kundërshtarët dhe doli kandidat për president i demokratëve. Në nëntor 1940 ai fitoi zgjedhjet presidenciale kundër republikanit Wendell Willkie. Gjatë vitit 1941, Franklin Roosevelt inkurajoi fabrikat e SHBA-së të bëhen një “arsenali i demokracisë” për aleatët – Francën, Britaninë dhe Rusinë. Mizoritë e luftës i detyruan amerikanët të ishin më pak izolacionistë. Roosevelti shfrytëzoi qëndrimin e patundur kundër Fuqive të Boshtit si Gjermania, Italia dhe Japonia për të marrë mbështetjen dypartiake në Kongres për rritjen e numrit të ushtarëve që merrnin pjesë në furnizimin e Aleatëve. Shpresat për të mbajtur SHBA-në larg luftës përfunduan me sulmin japonez në Pearl Harbor, më 7 dhjetor të vitit 1941. Gjatë Luftës II Botërore, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Franklin Roosevelt, ndihmoi në realizimin e një strategjie efikase për të fituar mbi Gjermaninë në Evropë dhe Japoninë në Azi e Paqësorin Lindor. Gjatë kësaj kohe, Roosevelt promovoi formimin e Kombeve të Bashkuara. Në shkurt të vitit 1945, ai mori pjesë në Konferencën e Jaltës së bashku me kryeministrin britanik, Winston Churchill dhe sekretarin e përgjithshëm sovjetik, Josif Stalin, për të diskutuar riorganizimin e pasluftës. Pas Konferencës së Jaltës ai u kthye në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shëndeti jo i mirë e dha goditjen. Pasditen e 12 prillit të vitit 1945, Roosevelt pësoi hemorragji cerebrale dhe u shua. Vdekja e Franklin Roosevelt tronditi publikun amerikan.  

Një lider i sprovuar 

Franklin D. Roosevelt ishte udhëheqësi më i rëndësishëm i shekullit të 20-të. Ai shpëtoi demokracinë amerikane nga Depresioni i Madh, udhëhoqi aleatët në fitoren mbi diktatorët, dhe triumfoi në katër palë zgjedhje të njëpasnjëshme. Fitorja e tij merr edhe më shumë vlera pasi dihet se vuante paaftësinë fizike, pas prekjes nga Poliomieliti në vitin 1921. Drejtimi që Franklin i bëri SHBA-së tregon efektivitetin e dukshëm të qeverisjes, një shembull i mirë për politikën e sotme. Roosevelt ishte një udhëheqës i ndërlikuar, i diskutueshëm, por çdo kombinim i ADN-së dhe përvojës e bëri atë të ishte jashtëzakonisht efektiv, sidomos në mandatin e tij të parë dhe të tretë, dhe pasardhësit e kanë parë vazhdimisht atë si një nga udhëheqësit më të fuqishme në historinë e SHBA. Një nga parimet e drejtimit të tij ishte; “Qëllimet mbaji të sigurta, mjetet për ti arritur ato fleksibël”. Fakt është se në vitet 1939-1941, Roosevelt e transformoi Amerikën nga një fuqi e mesme e ndarë dhe në mëdyshje në një udhëheqëse globale. Ai e shtyu izolimin në skajet e jetës kombëtare dhe e tërhoqi vendin në luftë, një veprim ky i kryer me kujdes dhe finesë. Franklin i ndryshonte vazhdimisht taktikat, por pas tyre gjithnjë dallohej synimi i qartë dhe i palëkundur. Për të realizuar synimet e tij, Roosevelt e ktheu qeverinë në një anije me vela, që ecte e fiksuar vetëm drejt progresit, edhe pse ndonjëherë lëkundej, por më në fund e ankoronte atë në portin e zgjedhur prej tij. Suksesi i udhëheqjes së Roosevelt ishte bashkëpunimi; “Ju jeni më të fortë kur punoni me të tjerët”, shprehej FDR. Për shkak të paralizës, pasojë e poliomielitit, Roosevelt u detyrua të mbështetet për arritjen suksesit politik dhe mbijetesën e tij, te familja, miqtë dhe bashkëpunëtorët. Në rrethanat që paraprinë Pearl Harborin, ai caktoi pesë burra të jashtëzakonshëm – diplomatin e mirëshkolluar, Sumner Welles, aventurierin dhe drejtuesin e ardhshëm të aktiviteteve të fshehta të inteligjencës (OSS- Zyra e Shërbimeve Strategjike) Republikanin “Wild Bill” Donovan, punonjësin social dhe influent, Harry Hopkins, kandidatin presidencial të Partisë Republikane (GOP-Grand Old Party) Wendell Willkie, dhe biznesmenin e diplomatin Averell Harriman. Roosevelt i dërgoi ata në misione të veçanta në Europë, që ishin vendimtare për luftën dhe Amerikën e shekullit XX. Pesë të dërguarit ishin frymëzimi dhe instrumentet e politikës së jashtme të Franklin D. Roosevelt. Përvoja e Roosevelt na mëson se: “Të jesh në dijeni të veprimeve të kundërshtarit”, është domosdoshmëri për jetëgjatësinë politike të një lideri. Filozofi dhe diplomat i kohës së luftës Isaiah Berlin ka vërejtur se Franklin Roosevelt besonte në “fleksibilitet, improvizim, trajtimin e personave dhe shfrytëzimin e burimeve të shumëllojshme në mënyra të reja dhe të papritura”. I vendosur për ta neutralizuar krahun izolacionist të Partisë Republikane, ngriti në nivele ndërkombëtare republikanin, Wendell Willkie. Ndokush mendonte se nuk do të ishte e mundur që një ish-rival presidencial t’i shërbente qëllimeve të Rooseveltit, por gaboi. Në të vërtetë, ai zotëronte një shkallë të tillë të lartë të besimit në vete, se koncepti i tij i udhëheqjes së presidencës krejtësisht pa vështirësi apo shqetësim është në thelb shëmbëlltyrë e vetë personalitetit të tij. Besimi i Roosevelt mundësoi mospajtimin e presidentit me këshilltarët kur duhet të merreshin vendime të rëndësishme, mbështetja e tij e hershme për Britanisë në fillim të Luftës së Dytë Botërore shushati shumica e tyre. Zëvendëspresident, guvernator në Nju Jork, dhe më në fund president, ai pothuajse ia ka kushtuar të gjithë jetën e tij shërbimit publik. “Kurioziteti është një gjë e mirë”. Kjo zinte vend të rëndësishëm në metodat e qeverisjes së Roosevelt. Ai liroi zinxhirët komandues. La mënjanë protokollet dhe krijoi perandorinë ndërthurëse administrative. Shpesh ai ua ndante një detyrë të vetme shumë njerëzve. Kjo ishte metoda e duhur për këtë çmenduri administrative. Duke kërkuar inteligjencës kudo, ai shmangu kapjen pas një burimi të vetëm. Me vendosjen e këshilltarëve të tij kundër njëri-tjetrit, ai testoi fuqinë e argumenteve të tyre. Duke shkrirë autoritetin, ai mbante kontrollin mbi çdo gjë. Roosevelt shquhej për Guximin dhe karakteri i fortë. Ai nuk e lejoi asnjëherë paaftësinë të pushtonte shpirtin e tij. Kjo duket në mënyrën se si ai është marrë me poliomielitin që i shkaktoi paaftësinë fizike kur ishte vetëm 39 vjeç. Të gjithë të njohurit e tij ranë dakord: ai u përball me pafuqinë me kurajë, këmbëngulje, dhe shpresë. Këto tipare të karakterit u shfaqën kur, si udhëheqës dhe komandant i përgjithshëm, ai inkurajoi një komb duke luftuar kundër Depresionit të Madh dhe fuqive të Boshtit në Luftën II Botërore. Studiuesi David Kennedy e quan atë një burrë të provuar në jetën politike dhe madje edhe një pasuri kombëtare. Roosevelt ishte një udhëheqës i përgjegjshëm ndaj detyrës. Ndjenja e shërbimit ndaj vendit i ishte rrënjosur nga prindërit, familja e tij e zgjeruar dhe mësuesit në Groton. Ai kurrë nuk kishte parashikuar ndonjë karrierë tjetër veç asaj të shërbyesit publik. I mprehtë dhe mendjehollë, si kushëri i Theodore, Franklin u ngjit në hierarki nga senator i Shtetit të Nju Jorkut e ndihmës sekretar i Marinës, kandidat presidencial. Shumica e njerëzve pranojnë se ai ishte një lider efektiv. Shkrimtarë të shumtë janë përpjekur të gjejnë cilësitë që e bënë atë tërheqës për ndjekësit e tij. Më mirë se kushdo tjetër historiani David Kennedy ka përshkruar disa nga karakteristikat e Roosevelt. “Presidenti i 32 i SHBA-së, ishte njohës i mirë i situatave, karizmatik, vetëbesues, i angazhuar në shërbimin publik, me karakter të fortë, vizion të qartë për të ardhmen e kombit dhe rolin e SHBA-së në botë, zotëronte aftësi politike për të realizuar një fazë përgatitore perfekt përpara marrjes së një vendimi, etj.  Ai zotëronte një kureshtje të madhe, një oreks të pakufi për dije që kombinoheshin me kapacitetin e tij për të absorbuar një gamë të habitshme të fakteve përmes bisedës. Bashkëbisedimi ishte mënyra e tij e preferuar e të mësuarit, ai donte t’i flisnin gjerësisht për çdo gjë”, shkruan David Kennedy. 

Presidenti i katër mandateve u shua në krye të detyrës 

Para Frankin D. Roosevelt, disa presidentë u përpoqën të kërkonin më shumë se dy mandate, por të tjerë e kanë konsideruar të mjaftueshëm drejtimin e vendit në vetëm dy të tillë. Mund të përmendim këtu Ulysses S. Grant, i cili ka bërë përpjekje për një mandat të tretë, por nuk u pa si kandidat i mundshëm nga partia e tij. I ndryshëm ishte rasti i George Washington, i cili u bë i famshëm për mospranimin e një mandati të tretë, dhe shumë ia atribuojnë pikërisht atij amendamentin që u krijua më pas për të krijuar një qeverisje vetëm në dy presidenca. Franklin Roosevelt është i vetmi që u zgjodh të drejtonte vendin në katër mandate. Pasi këtij shërbimi presidencial të Franklin Roosevelt, u propozua dhe më pas u ratifikuara një amendament, ku përcaktohej një afat për presidencën deri në dy mandate. Njerëzit mendonin se të pasurit e një presidenti që shërbente në kaq shumë mandate mund të çonte në korrupsion politik, pushtet të pakufizuar, për shkak të kohës së gjatë të qeverisjes nga një person. Ka pasur disa tentativa për shfuqizimin e këtij amendamenti, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë e suksesshme. Franklin Roosevelt do të mbetet i vetmi që ka shërbyer më shumë se dy mandate në krye të SHBA-së. Ai shërbeu si president për dymbëdhjetë vjet, dhe madje u shua pas vitit të parë të mandatit të tij të katërt, pak para shpalljes së fitores ndaj Japonisë, nga një hemorragji cerebrale më 12 prill, 1945. Nga 44 presidentë të Shteteve të Bashkuara, vetëm tetë prej tyre humbën jetën në mandatin e tyre presidencial. Franklin ishte një nga të paktët që u shua nga shkaqe natyrore. Presidentët; Lincoln, Kennedy,  Garfield dhe McKinley, u vranë teksa udhëhiqnin SHBA-në. William Harrison, Presidenti i 9-të i SHBA-së, vdiq në vitin 1841 nga pneumonia, Zachary Taylor, Presidenti i 12-të i SHBA-së, vdiq në vitin 1850 pasi vuante nga disa sëmundje, ndërsa Warren G. Harding, presidenti i 29-të, vdiq nën dyshimin për helm, ndërsa mjekët e tij shkak përcaktuan komplikacionet në zemër. /KultPlus.com

Ditari i presidentit Roosvelt në ditën e vdekjes së nënës dhe gruas së tij

Para 133 vitesh, kur ish-Presidenti Theodore Roosevelt kishte përjetuar një humbje tronditëse me vdekjen e nënës dhe gruas së tij. Ai po këtë ditë kishte shkruar një fjali në ditarin e tij, përcjell KultPlus.

Ishte dita kur vdiq gruaja e Roosvelt Alice. Ajo ishte vetëm 22 vjeç, kurse vdiq gjatë procesit të lindjes, vetëm disa orë pasi nëna e presidentit Roosvlet kishte ndërruar jetë. Theodore Roosevelt pasi kishte humbur nënën dhe gruan, në ditarin e tij më 14 shkurt të vitit 1884 kishte shënuar një ‘X’ ndërsa poshtë tij kishte shkruar “Drita ka dalë nga jeta ime”.

Theodore Roosevelt, kishte mbushur faqet e ditarit duke shkruar rreth gruas gati sa herë që mendonte për të. Në ditarin e tij ai kishte vënë në dukje shprehjet më të thjeshta, aktet më të vogla të njohjes, buzëqeshjen dhe heshtjen e saj, duke përfshirë dhe çdo veprim që kishte mbetur në kujtesën e tij dhe veprimet që ata kishin planifikuar për të ardhmen e tyre së bashku.

Pasi gruaja i vdiq, Roosevelt jo vetëm që nuk e përmendi më kurrë emrin e saj, por as nuk lejoi askënd ta përmendtë atë në praninë e tij. Ky kufizim përfshinte edhe vajzën e tyre, Alice Longworth Roosevelt, e cila kurrë nuk dëgjoi babanë duke përmendur emrin e nënës së saj.

Ai i kishte treguar një shoku cili gjithashtu kishte humbur gruan, se dhimbja duhej të varroset sa më thellë brenda ose përndryshe të shkatërron.

“Si një lule ajo u rrit, dhe si një lule e bukur e re ajo vdiq”, ishte një nga fjalitë e tij në ditar.

Fotografia nga ditari i Rooseveltit gjendet në Bibliotekën e Kongresit në internet, si pjesë e Thesarit Amerikan të Bibliotekës së Kongresit, një ekspozitë që përmban “artikujt më të rrallë, më interesante dhe më të rëndësishëm në lidhje me të kaluarën e Amerikës”./ KultPlus.com