Adoleshentit tim: Ki durim me mua, është e vështirë të lësh të shkosh

Një letër e ndjerë e një nënë drejtuar djalit të saj adoleshent.

E di që është koha. E di që po rritesh dhe se ndonjëherë është e pakëndshme të të kontrolloj vazhdimisht. Bëj durim me mua sepse nuk je vetëm ti që po përshtatesh, dashuria ime. Edhe unë po bëj të njëjtën gjë.

E di që është e vështirë të kuptohet, por më dëgjo.

Kam ëndërruar për ty para se të ishe një pëshpëritje ose një realitet. Të kam ëndërruar kur ishe kaq i vogël në barkun tim sa askush nuk mund të të shihte, përveç meje. Të kam ëndërruar kur isha përkulur mbi tualet derisa nuk kishte mbetur asgjë pa vjellë. Unë të kam ëndërruar ndërsa isha shtrirë në divan duke i thënë babit që po, do doja patjetër një ushqim të caktuar. Të ëndërrova dhe të çmova ndërsa barku im i bënte pantallonat e mia të shtrënguara dhe të pakëndshme, ndërsa këmbët më fryheshin dhe ndërsa faqet e mia bëheshin të plota dhe gropëzat e mia ishin më të thella. Të kam ëndërruar në netët pa gjumë duke mbajtur barkun dhe duke llogaritur kontraktimet ashtu si mamitë më thanë se duhej.

Unë kurrë nuk kisha ndjerë një qëllim dhe pritje të tillë, dashuria ime.

Unë ëndërrova për ty kur kontraktimet rrezatonin nëpër trupin tim dhe e dija se kjo ishte ajo. Të ëndërrova ndërsa mundohesha përmes një dhimbjeje që nuk e dija se ekzistonte. Në zemrën time e dija se ja vlen për ty çdo frymëmarrje, çdo dhimbje, çdo shtytje. E dija, sepse isha unë që të mbaja. Unë të mbaja në barkun tim, në zemrën time dhe në shpirtin tim.

Ti ishe ëndrra ime para se bota ta dinte që ti ekzistoje.

Unë të kam ëndërruar ndërsa dhoma e spitalit u bë një zonë lufte dhe unë luftova me të gjitha forcat e mia për të sjellë ty në botë.

Dhe befas ti ishe në gjoksin tim, ishe aty; ëndrra ime; arsyeja ime, zemra ime. Ti ishe aty qëllimi im me një trup të vogël, shtrënguar me shpirtin tim. Çdo sekondë ia vlejti, çdo sekondë e vetme…

Unë kurrë nuk kam dashur ta ndiej atë dhimbje përsëri, por gjithashtu e dija se do ta bëja njëmijë herë vetëm për të të mbajtur në krahët e mi. Dashuria e një nëne është e pashpjegueshme; është e paarsyeshme; nuk ka dashuri tjetër si ajo. Dashuria e një nëne i përket plotësisht fëmijëve të saj. Nuk ka korridore të zemrës së saj që janë jashtë kufijve të kësaj dashurie.

Çdo derë është e hapur për ty; Unë jam e gjitha e jotja.

Dhe pastaj u rrite.

Çdo ditë dyshoja në vetvete. Unë luftoja të bëhesha gruaja që e ndieja se duhet të isha. Unë doja të të jepja botën, por veprimet e mia dukeshin të pakta.

Unë ëndërroja për të ardhmen tënde ndërsa kaloja net pa gjumë me çarçafë të lagur me qumësht. Unë ëndërrova për ty ndërsa ishe ulur duke bërtitur për mua nga karrigia jote në vitet e rritjes tënde. Unë ëndërrova për ty kur gjykova veten sepse isha e sigurt se po i bëja të gjitha gabim dhe aq shumë doja t’i zgjidhja të gjitha. Unë të ëndërrova ndërsa përqafoja trupin tënd të ngrohtë pas një ëndrre të keqe. Të kam ëndërruar kur të kam mbajtur dorën tënde në ditën e parë të kopshtit. Të kam ëndërruar ndërsa të kam parë duke vrapuar në fushën e futbollit për herë të parë.

Një ditë mbase do ta shihni. Ndoshta do ta mbani foshnjën tuaj në gjoks për herë të parë. Ndoshta zemra juaj do të copëtohet në një miliona copa dhe do të ndërtohet përsëri nga e para. Një dashuri si kjo është e pamundur të shpjegohet derisa të keni pasur rastin ta prekni atë.

Këto fëmijë, këto janë ditët që i ëndërrova. Kam ëndërruar për personin që do të bëheshe; Kam ëndërruar të të shoh duke fluturuar. Të lutem ki durim me mua dashuria ime, pasi po mësoj të lejoj të zgjasësh këmbët dhe të përdorësh zërin tënd. Bëj durim me mua ndërsa kaloj edhe një tranzicion dhe bëhem tjetër njeri…

Ti po rritesh, dhe unë jam gjithashtu.

Ti ishe ëndrra ime para se të vije në jetë! Ti ishe ëndrra ime para frymëmarrjes tënde të parë!

Bëj durim me mua ndërsa unë i heq gishtat e mi dhe i liroj këto duar që ju kanë mbajtur. Bëj durim me mua ndërsa unë i ”qetësoj” krahët që ju kanë mbartur që ditën e parë kur keni ardhur në jetë. Bëhu i durueshëm me mua derisa ta pranoj se ka ardhur koha të të “mbroj” më pak dhe të dëgjoj më shumë e të lë të ecësh vetë në jetë… .

E kam e ëndërruar këtë moment dhe ja ku je.

Dhe unë akoma ëndërroj.

Unë të dua aq sa ti nuk do arrish kurrë ta dish sa shumë …

Dashuria ime

Mamaja jote. / KultPlus.com

‘Gjithçka që jam apo shpresoj se do të jem, ia kam borxh nënës time engjëllore’

Dashuria e vetme e pastër dhe e sinqertë në këtë botë, është ajo ndaj nënës. Prandaj KultPlus ju sjell disa thënie që figura të mëdha përgjatë historisë, kanë thënë për dashurinë e nënës.

“Gjëja më me rëndësi që babai mund të bëjë për fëmijën është ta dashurojë nënën e tyre!” – Theodore Hesburgh

“Gjithçka që jam apo shpresoj se do të jem, ia kam borxh nënës time engjëllore!” – Abraham Lincoln

“Dashuria e nënës është paqja. Nuk ka nevojë të fitohet, nuk ka nevojë të meritohet!” – Erich Fromm

“Nëna është emri i Zotit në buzët dhe zemrat e fëmijëve të vegjël!” – ëilliam Makepeace Thackeray

“Jeta fillon duke u zgjuar dhe dashuruar fytyrën e nënës!” – George Eliot

“Kemi lindur nga dashuria; dashuria është nëna jonë!” – Rumi

“I lumtur është djali besimi i të cilit te nëna mbetet i pandryshuar!” – Louisa May Alcott

“Nuk keni nevojë të meritoni dashurinë e nënës; keni nevojë të meritoni dashurinë e babait!” – Robert Frost

“Dashuria e nënës është karburanti që lejon një person të thjeshtë për të arritur të pamundurën!” – Marion C. Garretty

“Burri e do të dashurën më së shumti, gruan më së miri, e nënën më së gjati!” – Proverb irlandez

“Në veshët e një fëmije, fjala “nënë” është magjike në të gjitha gjuhët!” – Arlene Benedict

“Ka mijëra gra, por vetëm një nënë!” – Proverb bolivian

“Kur je nënë, nuk je kurrë vetëm në mendimet e tua. Një nënë gjithmonë duhet të mendojë dy herë. Një për vete dhe një për fëmijën e saj!” – Sophia Loren

“Në momentin që lind një fëmijë, lind edhe nëna. Ajo nuk ekzistonte më parë – gruaja ekzistonte, por kurrë nëna. Nëna është qenie e re!” – Osho

“Nëna mban duart e fëmijës për pak… e zemrat përgjithmonë!” – Anonim

“Nëna: çdo dashuri fillon dhe përfundon atje!” – Robert Broëning

“Fati i ardhshëm i një fëmije, është gjithmonë rezultat i punës së nënës së tij!” – Napoleon Bonaparte

“Zemra e nënës është një humnerë e thellë, në fund të së cilës gjithmonë do të gjesh falje.” – Honore de Balzac

“Nëna është drita e shtëpisë!” – Proverb shqiptar

“Pa diell nuk ka lule, pa dashuri nuk ka fat, pa grua nuk ka dashuri, pa nënë nuk ka poetë, as heroj!” – Maxim Gorky

“Është veç një fëmijë i bukur në botë dhe çdo nënë e ka atë!” –Proverb kinez

“Mjekët më thanë se kurrë nuk do të mund të ecja përsëri, por nëna ime ishte e sigurt se do të ecja përsëri. E, dhe unë besova nënën time!” – ëillma Rudolph

“Zoti nuk mund të ishte kudo, prandaj i krijoi nënat!” – Proverb hebraik

“Disa nëna puthin, të tjera janë më të rrepta, por dashuria është gjithmonë e njëjtë. Përveç kësaj, shumica e nënave puthin dhe qortojnë në të njëjtën kohë!” – Perl S. Back

“Nuk e kuptoni se sa ju do nëna juaj , derisa të zbuloni në sirtar të gjitha pikturat dhe kartat që i keni dhënë!” – Pam Brown

“Nëna e mirë nuk pyet a dëshiron, por jep!” – Prover anglez

“Nëna: banka që depozituam të gjitha dhimbjet dhe shqetësimet tona.” – Thomas De Witt Talmage

“Lotët e nënës janë fuqia më e madhe hidroelektrike në botë!” – George Bernard Shaw

“Dashuria e nënës nuk vjetrohet kurrë!” – Seneka

“Kur je një nënë e mirë, gjithçka falet!” – Emile Zola

“Nëna është gjithçka – ajo është ngushëllimi ynë në pikëllimin, shpresa jonë në mjerimin tonë dhe fuqia jonë në dëshpërim; është burimi i dashurisë, mëshirës, dhembshurisë dhe faljes. Ai që humbet nënën e vet humb një shpirt të pastër që e bekon dhe e mbron vazhdimisht!” – Khalil Gibran

“Fëmijët janë spirancat që mbajnë nënën gjallë!” – Sofokliu

“Duart e nënës janë bërë nga brishtësia dhe fëmijët flen rehat në to!” – Victor Hugo

“Sa herë lind fëmija, lind edhe nëna!” – Gilbert Parker

“Amësia ka efekte humane. Gjithçka reduktohet te thelbësorja!” – Meryl Streep

“Amësia: Çdo dashuri lind dhe përfundon aty!” – Robert Brownin

Babai më thoshte: “Rri i përulur, dhe duhet të punosh më shumë se secili”. Nëna më thoshte: “Bëhu vetja”. Ajo gjithmonë më mësonte se veç Zoti mund të më gjykojë!” – Nate Robinson

“Në momentin kur kishte shumë paqe në Qiell, por zërat nga Toka mund të dëgjoheshin dhe fëmija me ngut pyeti: “Zot, po të largohem tani, më thuaj emrin e engjëllit tim”. “Ju thjesht do ta quani atë, ‘Nënë”! – Anonim

“Nëna kupton atë që nuk e thotë fëmija!” – Proverb hebraik

“Dashuria e nënës të çliron!” – Maya Angelou

“Kurrë nuk e dija se sa shumë dashuri mund të mbante zemra ime, derisa dikush më quajti: “Nënë”!” – Anonim

“Pas çdo gjëje, ka një histori, por pas çdo historie tuajën gjithmonë është historia e nënës, sepse te e saj fillon e jotja!” – Mitch Albom

“Dora që përkund djepin është ajo që rrotullon fatin e njerëzve, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndritura ose të errëta!” – Haki Stërmilli

“Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!” – Johann Heinrich Pestalozzi / KultPlus.com

Një djalë çdoherë do të ketë nevojë për nënën e tij..

Këto çaste po ikin, zotëri i vogël. Pavarësisht se sa përpiqem t’i mbaj, do të më ikin nga duart.

Kështu është jeta.

Ndonjëherë pyetem nëse të kam mbajtur mjaftueshëm.

Por shpresoj që një djalë çdoherë do të ketë nevojë për nënën e tij.

Një ditë, krahët e tu nuk do të zgjaten më drejt meje për të të kapur. Në fakt, mendoj se kjo më ka ndodhur.

Nuk do të kesh nevojë të ta puth gjurin e lënduar, as të të përqafoj para gjumit.

Do të më kujtohen këto netë dhe do të dua t’i përjetoj përsëri.

Dhe shpresoj që një djalë çdoherë do të ketë nevojë për nënën e tij.

Më nuk do të vish në dhomën tonë të gjumit në mëngjes, ndonjëherë edhe para se të lind dielli, kur ne jemi të lodhur.

Nuk do të ngjitesh më në krevat e të na lusësh të zgjohemi.

Në vend të kësaj, unë do të zgjohem e do të të gjej në kuzhinë duke bërë ushqim për veten.

Do të të shikoj dhe do ta kuptoj se gjërat janë më të lehta tani, e disi më të vështira gjithashtu.

Dhe do të shpresoj që një djalë çdoherë do të ketë nevojë për nënën e tij.

Më nuk do të zgjohesh duke më thirrur në mes të natës. Nuk do të më thuash që më do disa herë në ditë. Shpresoj që përsëri do të ma thuash, por e di që nuk do të jetë me ato duart e vockla në fytyrën time.

Nuk do të jetë. Dhe kjo është në rregull.

Por shpresoj që një djalë çdoherë do të ketë nevojë për nënën e tij.

Do të ma lëshosh dorën një ditë, dhe do të më thuash që mund të shkosh vetë në shkollë. Do të më japësh një përqafim që asnjëherë nuk zgjat mjaftueshëm.

Një ditë, do të jesh një burrë e do të kesh fëmijën tënd.

Atëherë do ta di që ti çdoherë do të kesh nevojë për nënën tënde, por në mënyra të ndryshme.

Kështu kam dashur të të rris.

Kështu që do t’i çmoj këto momente.

Do të vazhdoj të të mbaj në duar.

Do të të përqafoj para gjumit.

Sepse një ditë, edhe nëse ke më pak nevojë për mua, do ta dish që unë do të jem aty. /supergrate.net/ KultPlus.com

Falmë nënë, u vonova nënë duart s’t’i putha

Poezi nga Anita Hoxha

U vonova nënë e avionin s’munda ta kap dot
Aerportit si fëmi i erdha rrotull unë duke qarë
Dhe qiellit sy përlotur i bërtita me zë të fortë
A ka një zog mbi krahë këtu të më marrë

U vonova nënë ti me shpirtin tënd po lufton
Ora e jetës pa mëshir mbrapsht filloi rrotullimin
Në shtratin e vdekjes me sy fëmijët kërkon
Dhimbja po ta fik buzëqeshjen e gëzimin

Të lam nuse të re nënë kur shkuam ne a`therë
Me gërshetin e gjatë një nga një na përcolle
Me nallanet e drunjta kur u ndam atë pranverë
Një trëndafil të bardh për secilin nga ne mbolle

Sa vite shkuan nënë, e ti thoje s’mund të vij atje
Në tokën tënde bijë, je zonjë vetëm atje ke vlerë
Por mua sot pran vetes, pran shpirtit nuk më ke
Dhe as unë s’do të kem për të gjithë vitet e tjerë

U vonova nënë e gjallë dot s’të gjeta ty o zot
E putha me lot shtratin e qava mbi rrobat e tua
Ah nënë se c’ndjeva me fjalë une s’mundem dot
Pse t’lam vetem nënë pse shkuam n’dhe të huaj

U vonova nënë duart sti putha, s`të mbajta erë
Kam mbetur si një lis erës e stuhis atje rrëzuar
Ah nënë të lutem zgjohu e sërish në krah më merr
Të ndihem fëmijë e vogël, si dikur prej teje llastuar

U vonova nënë e n’shtëpin e fundit s’të përcolla
Veten mallkova pse në jetë u takuam ne aq rrall
Kujtimet e dhimbjen mes tufës me lule unë ta solla
E mes lotësh të lutem falmë ma bëj hallall. / KultPlus.com

E urreva nënën time, por një mëngjes pashë veten në pasqyrë dhe njoha atë

Mamaja ime ishte një grua e bukur dhe e zgjuar, si të gjitha mamatë, kështu që unë e doja dhe e urreja njëkohësisht. Fillova ta urreja kur isha 1 vjeçe, ndoshta sepse e doja kaq shumë dhe ideja se një ditë mund ta humbisja më krijoi një ankth, dhe për të qetësuar veten më duhej të nënvlerësoja nënën time.

Ndonjëherë ajo më dukej e bukur dhe e zgjuar, ndërsa vetja ime e shëmuar dhe e trashë. Unë s’kisha një mendim timin; Në mendjen time kisha vetëm mendimet e mamasë. U ndjeva e shtypur dhe e torturuar nga mania e saj për të dhënë urdhra. nga shijet e saj dhe nga idetë e saj që kjo është e drejtë dhe kjo e padrejtë. Për një kohë të gjatë ndjeja se të mos e doja kaq shumë nënën time, do të ishte e vetmja mënyrë që të doja veten time.

Një fije e padukshme na lidh ne me nënat: nuk ka asnjë mënyrë për t’u shkëputur prej saj, ose të paktën unë s’ia kam dalë dot kurrë ta shkëpus. Është e pamundur që të kthehesh brenda trupit të nënës, është e vështirë të lëvizësh përtej hijes së saj.

Kështu që shumë shpejt unë vendosa “trupa” të tjerë mes timit dhe atij të nënës sime. Trupa me të cilët unë mund të komandoja, të bëja dashuri, të acarohesha, të bëhesha e mençur ose e marrë – duke ndërtuar një botë të huaj për të. Doja që ajo të shqetësohej vetëm duke e parë këtë botë të re timen: Kjo gjë ndodhi shumë shpesh, dhe ajo iku në heshtje.

Për njëfarë kohe u ndjeva e lirë. Pastaj njerëzit filluan të më thonin gjëra të tilla si: “Ti qesh si nëna jote, je kokëfortë si ajo, ti i ke duart fiks si të nënës tënde”. Dhe unë një mëngjes pashë veten në pasqyrë dhe kuptova: Ajo ishte aty, në shtëpinë time, në trupin tim. Dhe për habinë time, kjo gjë filloi të më mërziste gjithnjë e më pak: unë kam zbuluar mamanë në gjestet e mia, në zërin tim, në gjithçka timen. Ishte e pamundur që unë të kthehesha brenda trupit të nënës sime, por ishte kaq shumë e mundur që ajo ishte brenda meje qëkur linda, dhe se ajo ishte brenda meje edhe atëherë kur unë mendova se isha larguar prej saj – kur mendova se isha e lirë nga ajo.

Dhe atë atëherë e kuptova se duke kërkuar veten, gjeta mamanë time, duke e pranuar dhe duke e dashur atë si kur isha fëmijë. U ndjeva sërish e brishtë. Ndonjëherë pajtimi merret si një veprim për të harruar gabimet që kemi kaluar e vajtur. Dhe ndoshta është e vërtetë, por jo në marrëdhëniet tona me nënat tona. U pajtova me nënën time kur kuptova gabimet – ato që mua më dukeshin të tilla – si pjesë e vetes sime, thelbësore për rritjen time.

Autore: Elena Ferrante
Përktheu: Eneida Daci. / KultPlus.com

Letra e nënës së dy fëmijëve për burrin e saj: Një ditë do të thyhem

Sipas statistikave, 90% e nënave vazhdimisht kanë një ndjenjë faji. Për pjesën më të madhe, kjo është për shkak të faktit se ato mendojnë se nuk i përmbushin detyrat e tyre mjaftueshëm mirë.

Pjesa më e trishtuar është se ata kanë frikë të flasin për këtë. Megjithatë, një nënë e 2 fëmijëve, Celeste Yvonne, nuk e ka këtë frikë. Ajo i ka shkruar një letër të sinqertë burrit të saj me një kërkesë për ndihmë, ku publikisht dhe në mënyrë të detajuar, ka deklaruar gjëra që shumë njerëz nuk janë aq të guximshëm as për t’ua treguar as miqve të tyre më të mirë.

Ne do të publikojmë tekstin e kësaj letre dhe do t’u ofrojmë lexuesve të saj një mundësi për të mësuar se pse kjo letër nuk i la indiferentë gratë moderne dhe familjet moderne.

Burrë i dashur!

Kam nevoje. Për më shumë. Ndihmë.

Nata e kaluar ishte e vështirë për ty. Të kërkova që të kujdeseshe për fëmijën që të mund të shkoja më herët në shtrat. Foshnja po qante. Në të vërtetë, po ulërinte. Unë munda ta dëgjoja që nga kati sipër dhe stomaku që më ngacmohej nga tingujt, duke pyetur veten nëse duhet të zbres atje dhe ta pushoj ose thjesht të mbyll derën, që të mund të bëja fare pak gjumë të qetë. Unë zgjodha këtë të fundit.

Ju erdhët në dhomë 20 minuta më vonë, me fëmijën ende duke qarë me dënesë. E vendose fëmijën në shtrat dhe e shtyve shtratin ngadalë, vetëm disa centimetra larg shtratit tim, një gjest i qartë se turni yt i kujdesit për të me kaq mbaroi.

Doja të të bërtisja. Doja të nisja një luftë epike në atë çast. Unë kam qenë duke u kujdesur për fëmijën dhe foshnjën gjatë gjithë ditës. Unë do zgjohesha me foshnjën për ta ushqyer gjithë natën. Më e pakta që mund të bësh është ta mbash atë për disa orë në mbrëmje, kështu që të mund të përpiqem të fle.

Vetëm disa orë të çmuara gjumë. A kaq shumë po kërkoj?

Unë e di që të dy ne i kemi parë prindërit tanë të përmbushin rolet tipike të nënës dhe babait. Të dyja nënat tona ishin kujdestarët kryesorë dhe etërit tanë ishin relativisht të papërfshirë. Ata ishin baballarë të shkëlqyeshëm, por nuk pritej të kalonin një kohë të konsiderueshme duke ndërruar pelena, duke ushqyer dhe duke u kujdesur për fëmijët.

Nënat tona ishin forca që mbante dinamikën familjare. Duke gatuar, pastruar dhe rritur fëmijët. Çdo ndihmë nga babai ishte i mirëpritur, por jo e pritshme.

E shoh veten tonë çdo ditë e më shumë duke u bërë pjesë e këtyre dinamikave familjare. Përgjegjësia ime për të ushqyer familjen, për ta mbajtur shtëpinë të pastër dhe për t’u kujdesur për fëmijët merret si e mirëqënë, madje edhe kur të kthehem në punë.

Pjesën më të madhe të kohës unë fajësoj veten. I kam thënë vetes që unë mund ta bëj. Dhe në të vërtetë, unë dua ta bëj.

Unë gjithashtu shoh miqtë e mi dhe nënat e tjera duke ia dalë me të gjitha dhe shëlqyeshëm. Nëse ato po ia dalin dhe nëse nënat tona ia kanë dalë aq mirë, pse unë nuk mundem? Une nuk e di.

Ndoshta miqtë tanë po luajnë shtiren në publik dhe po luftojnë fshehurazi. Ndoshta nënat tona vuajtën në heshtje për vite me radhë dhe tani, 30 vjet më vonë, ato thjesht nuk e kujtojnë sa e vështirë ishte për ta.

Ose ndoshta (dhe kjo është diçka për të cilën unë e qortoj veten çdo dite), unë nuk jam aq e kualifikuar për këtë punë sikurse të gjithë të tjerët. Dhe sa më shumë që e mendoj, unë do të vazhdoj duke thënë: Më duhet më shumë ndihmë!

Një pjesë e imja ndihet e dështuar vetëm sepse kërkoj ndihmë. Domethënë, ti më ndihmon. Je një baba i mrekullueshëm dhe bën një punë të shkëlqyer me fëmijët. Dhe përveç kësaj, kjo duhet të ma lehtësoje punën, apo jo? Instinkti i një nënë, o jo? Por unë jam njeri dhe jam duke punuar me 5 orë gjumë dhe shumë e rraskapitur.

Unë kam nevojë për ty.

Në mëngjes, më duhet në fillim të bëj gati fëmijën tonë që më pas të kujdesem për beben dhe të bëj drekën për të gjithë dhe të pij një kafe. Dhe jo, të bëj gati fëmijën nuk do të thotë ta mbaj atë para TV. Do të thotë të sigurohem që ai ka kryer nevojat, duke i dhënë atij mëngjes, duke parë nëse dëshiron ujë dhe duke paketuar çantën e tij për në shkollë.

Natën, më duhet një orë për t’u qetësuar në krevat duke e ditur se fëmija ynë është në gjumë në dhomën e tij dhe bebi është në kujdesin tënd. E di që është e vështirë të dëgjosh të qarën e fëmijës. Më beso, e di. Por nëse mund të kujdesem dhe ta qetësoj foshnjën pjesën më të madhe të ditës, mund ta bësh dhe ti atë për një orë ose dy natën. Të lutem. Unë kam nevojë për ty.

Në fundjavë, më duhen më shumë pushime. Kohë ku mund të dal nga shtëpia vetëm dhe të ndjehem si një individ. Edhe nëse është vetëm një shëtitje rreth bllokut ose një udhëtim për tek dyqan ushqimor.

Dhe ato ditë kur kam planifikuar të shkoj në kursin e notit dhe duket sikur i kam të gjitha nën kontroll, më duhet të më ofrosh që të më japësh një dorë. Ose të sugjerosh të shkoj të shtrihem gjatë kohës që fëmijët flenë gjumë. Ose të fillosh të ngresh pjatat pa e sugjeruar unë që ta bësh. Unë kam nevojë për ty.

Së fundi, më duhet të dëgjoj se ti je mirënjohës për të gjitha ato që bëj. Unë dua të di se ti e vëren se rrobat janë larë dhe se është përgatitur një darkë e këndshme. Unë dua të di që ti e çmon faktin që unë ushqej me gji në të gjitha orët, edhe kur jam në punë, kur do të ishte më e lehtë për mua që t’i jepja ushqim të gatshëm.

Unë shpresoj ta vësh re se unë kurrë nuk të kërkoj të qëndrosh në shtëpi për të mos ndjekur aktivitetet e tua të punës dhe aktivitetet sportive. Si nënë, supozohet se unë do të jem në shtëpi gjatë gjithë kohës dhe gjithmonë në dispozicion për t’u kujdesur për fëmijët, ndërsa ti je jashtë.

E di që kjo nuk është mënyra që kanë ndjekur prindërit tanë dhe kam inat edhe që ta kërkoj. Do të doja të mund t’i bëja të gjitha dhe të mund ta bëja të dukej më e lehtë. Dhe unë uroj që të mos kem nevojë për shpërblim për të bërë gjërat që shumica e njerëzve presin nga një nënë.

Por unë kam ngritur flamurin e bardhë dhe e pranoj se jam thjesht njeri. Unë po të tregoj se sa shumë nevojë kam për ty dhe nëse vazhdoj me këtë ngarkesë që kam, një ditë do të thyhem. Dhe kjo do të të lëndonte ty, fëmijët, dhe familjen tonë.

Sepse, le ta pranojmë: ju keni nevojë për mua, gjithashtu. ” /shkollaesuksesit/ KultPlus.com