‘Trëndafili i egër’, ndikimi i televizionit dhe medias në inspirimin e Dardan Zhegrovës dhe Lola Sylajt

Arbër Selmani

Brooklyn Bridge dhe Times Square janë dy prej lokacioneve më të frekuentuara në Nju Jork të Amerikës. Të njëjtat janë edhe lokacione të rekomanduara për turistët.

Në qëndrimin e tyre disa javë në Nju Jork, Dardan Zhegrova dhe Lola Sylaj zgjodhën këto dy lokacione për videoinstalacionin e tyre të radhës. Lola në Times Square, në dridhje trupi por edhe e shtrirë përtokë, Dardani në Brooklyn Bridge në një mot me shi e gati gati depresiv, duke ecur deri në zhdukje.


Dy video nga kjo eksperiencë artistët i prezantuan sonte në Klubin e Boksit në Prishtinë. “Rosehip” apo Trëndafili i Egër erdhi duke dashur të thumbojë stereotipat e konstruktuara nga media e pas të cilave vrapojmë shumica, ose bëhemi viktimë e tyre, dikur edhe viktimë me dashje dhe e qëllimshme e tyre, derisa bëhemi produkti i asaj që shohim dhe që më pas ndikon në gjykimet, perceptimet, gjithçka që ne jemi.

“Karakteret në video janë gjithmonë në lëvizje. Ideja është të tregojmë se si gjithçka dhe gjithkush përfshihet nga ndikimet e tilla. Prandaj edhe e kemi konceptuar punën si trëndafil i egër, pasi rritet gjithkund, pa dritë, si një bimë e egër që del çdoku” tregon Dardani për KultPlus.

/ Trëndafili i egër je ti, Trëndafili i egër jam unë, Trëndafili i egër jemi ne, Trëndafili i egër janë ata, Trëndafili i egër është ai dhe ajo, Trëndafili i egër është një qen, Trëndafili i egër është një shishe, Trëndafili i egër është një tavolinë / – Lexon kësisoj mes rreshtash koncepti i punës e cila solli dy artistët që kanë fituar jo shumë kohë më parë çmimin “Artistët e së Nesërmes” në Kosovë, në një garë të fortë me artistë tjerë.

Dy karakteret lëvizin, në dy lokacione. Njëri provon famën, më shumë se tjetri. Kjo famë megjithatë mund të jetë mashtruese, tunduese për 15-të minutat e famës në “American Dream” (Ëndrrën Amerikane).

“Ne e kemi njoftë Nju Jorkun vetëm me anë të filmave dhe kësisoj edhe jemi ndiku. Në momentin që kemi zbritë atje, e ndoshta edhe sepse pritjet tona kanë qenë të mëdha, e kemi pa se nuk bëhet fjalë për një mjuzikëll ku të gjithë nisin e vallëzojnë. Kështu është zakonisht Nju Jorku në filma, dhe ne jemi ndikuar prej pamjeve të tilla, prej filmave e muzikës. Trëndafili i egër mundohet ta gjejë të vërtetën e asaj çka na servohet në media dhe asaj çka është e vërtetë” tregon Lola Sylaj për KultPlus.

Sipas artistëve, videoja është menduar të jetë edhe kinematografike, në sensin e faktit se sa lehtë mund të humbasësh në minutat e një vëmendjeje që të vjen nga të gjithë. Lola, shembull, në Times Square shpesh takohet me njerëz që e përshëndesin dhe duan të bëjnë fotografi me të. Magjia gjithsesi ndodhë, e vërtetë ose jo. Ndodhë edhe mashtrimi.


Dy artistët e kanë shfrytëzuar mirë kohën e tyre në rezidencën artistike Residency Unlimited në Nju Jork. Takimet e shpeshta me kuratorë, me artistë, por edhe Rosehip si pikënisje për një hulumtim të vazhdueshëm të dyshes rreth identitetit e gjinisë, janë vetëm disa prej pikave të cilat janë inspirimi i Lolës e Dardanit.
Lola është pjesë e HAVEIT – kolektivit artistik të përbërë nga Hana Qena, Alketa Sylaj dhe Vesa Qena, ndërsa Zhegrova është artist i cili është aktiv në pjesëmarrje artistike në Kosovë dhe jashtë Kosovës, përfaqësuar nga galeria Lambdalambdalambda. / KultPlus.com