Rrugëtimi i Adele drejt arritjes së majave të muzikës botërore

Karriera e saj profesionale, që filloi në vitin 2008, i ka ofruar 86 çmime, përfshirë 10 “Grammy” dhe një “Oscar”. Ajo konsiderohet si një nga këngëtaret më të mira në botë, shkruan KultPlus.

Adele lindi më 5 maj të vitit 1988. Ajo u rrit fillimisht nga babai i saj nga Uellsi dhe nëna nga Anglia, por më pas babai e la në moshë të re.

Adele e ka pëlqyer gjithnjë muzikën. Teksa rritej, ajo preferonte shumë të dëgjonte disa nga artistët kryesorë të muzikës pop, si për shembull Destiny’s Child dhe Mary J. Blige, por për nga natyra anoi te muzika xhaz dhe zëri i Ella Fitzgerald.

Në vend të shkollimit publik, kur ajo mbushi moshën, e ëma e regjistroi në Shkollën për Artet e Performuara dhe Teknologjinë – një shkollë që e ndihmoi shumë në formësimin e karrierës. Amy Winehouse gjithashtu shkoi në atë shkollë për një periudhë kohore.

Kur ishte në atë shkollë, Adele krijoi tri këngë të saj për një projekt mësimor. Më vonë ajo i postoi këngët në profilin e saj në “MySpace”. Këngët u përhapën në internet dhe me kalimin e kohës ato u panë nga ekzekutivët e kompanisë së regjistrimeve XL. Ata u befasuan!

Pasi mbaroi shkollën, XL nënshkroi me të një kontratë.

Sapo u bë një artiste profesioniste, Adele filloi nga puna për të arritur suksesin. Ajo publikoi albumin e saj të parë, të titulluar “19” në vitin 2008.

Albumi pati një pritje të pabesueshme nga publiku! Njerëzit u mahnitën nga zëri i saj i fuqishëm dhe i ëmbël. Albumi u bë shumë i njohur në SHBA dhe Europë.

Pas publikimit të “19”, Adele u shfaq në emisionin shumë të njohur amerikan “Saturday Night Live” dhe performoi atje këngët e saj. Përpara daljes në këtë program, albumi i saj renditej i 40-i në i Tunes dhe më pas shkoi në vendin e parë.

Çmimet “Grammy” në vitin 2009 ishin të mëdha për Adele. Ajo i forcoi themelet e suksesit të saj duke fituar çmimin për artistin më të mirë të ri dhe albumin më të mirë pop.

Pas suksesit të madh të albumit të parë, Adele e dinte se duhej ta pasonte dhe të mos i zhgënjente fansat. Ajo publikoi në vitin 2011 albumin “21”, që pati shumë prej hiteve të saj aktuale. Ajo shiti mbi 300 mijë kopje në javën e parë.

Këngët “Rolling in The Deep” dhe “Someone Like You” u klasifikuan në pesë këngët më të mira të “Billboard Hot 100”.

Adele dominoi edhe një herë çmimet “Grammy” të vitit 2012. Ajo fitoi në total gjashtë çmime, për çdo këngë për të cilën u nominua. Pas dominimit në “Grammy”, Adele publikoi një këngë të titulluar “Skyfall” në vitin 2012 për filmin më të ri James Bond me të njëjtin emër.

“Yahoo” ka vlerësuar se për vitin 2013 pasuria e saj ishte 55 milionë dollarë, ndaj largimi i përkohshëm nga muzika nuk i dëmtoi financat e saj. /KultPlus.com