Pikaset në brigjet e Suedisë balena e dyshuar spiune ruse

Një ish-balenë spiune e dyshuar ruse, është parë në brigjet e Suedisë, thotë një organizatë e dedikuar për të gjurmuar balenën belua, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

E quajtur nga vendasit si Hvaldimir, balena u pa për herë të parë në brigjet e Norvegjisë në vitin 2019 e veshur me parzmore ruse.

Pasi ka kaluar vite duke udhëtuar ngadalë drejt jugut nga veriu i largët i Norvegjisë, balena ka përshpejtuar lëvizjet e saj jashtë ujërave norvegjeze muajt e fundit.

OneWhale tha se arsyeja e nxitimit së saj të papritur ishte e paqartë.

Balena e zbutur beluga iu afrua për herë të parë varkave norvegjeze pranë ishullit Ingoya katër vjet më parë. Ishulli është 415 kilometra nga Murmansk, ku është vendosur Flota Veriore e Rusisë.

Ajo u zbulua i veshur me një parzmore të pajisur me një kamerë GoPro dhe kapëse që mbanin mbishkrimin “Pajisjet e Shën Petersburgut”./KultPlus.com

Artistja e burgosur ruse: Shteti im është i etur për gjak

“Unë jam patologjikisht e paaftë që të tradhtoj ndërgjegjen time”, tha artistja dhe muzikantja nga Shën Petersburgu, Aleksandra Skochilenko, e cila dha një intervistë për Radion Evropa e Lirë nga një qendër paraburgimi.

“Nuk kam shpresë. Komiteti i Hetimeve dhe kreu i tij, Aleksandr Bastrykin, personalisht më kanë zgjedhur mua që të vuaj ndëshkimin më të ashpër të mundshëm”, tha ajo për Realitetet e Veriut të REL-it.

Artistja 32-vjeçare që shpesh përdor vetëm emrin Sasha, u arrestua në prill pasi ajo ndryshoi pesë etiketa çmimesh në një dyqan me mesazhe kundër pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës. Ndaj saj është ngritur akuzë për shpërndarje të informacioneve “të rreme” lidhur me forcat e armatosura dhe mund të përballet deri me dhjetë vjet burgim.

“Shteti im është i etur për gjak”, tha ajo. “Përfshirë timin”.

Pavarësisht gjendjes së brishtë shëndetësore dhe natyrës jo të dhunshme të akuzës ndaj saj, Skochilenko e pranon se ka ndryshuar etiketat e çmimeve, por mohon se ka thënë diçka të rreme apo shpifëse. Ajo për më shumë se tre muaj gjendet në një qendër paraburgimi. Masa e paraburgimit i është zgjatur deri më 1 gusht dhe qëndrimi në paraburgim mund t’i zgjatet edhe më shumë.

Radio Evropa e Lirë pati mundësi që t’i dërgonte pyetje me shkrim Skolchilenkos për këtë intervistë dhe ajo ktheu përgjigjet me shkrim përmes avokatit të saj.

Duke përfshirë Skochilenkon, të paktën 73 persona në Rusi janë akuzuar në bazë të një ligji të ashpër të miratuar disa ditë pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt. Shumica e të pandehurve janë politikanë, gazetarë, priftërinj, aktivistë dhe madje edhe zyrtarë policorë. Më 8 korrik, ligjvënësi komunal i Moskës, Aleksei Gorinov, u dënua me shtatë vjet burgim, në bazë të këtij ligji.

Skochilenko tha se zyrtarët e burgut kanë ngurruar që të akomodojnë kufizimet e saj dietale për shkak se ajo ka intolerancë ndaj glutenit, pavarësisht presionit që kanë bërë aktivistët e shoqërisë civile dhe avokatët e saj, që burgu t’i mundësojë një dietë të përshtatshme për të.

“Në mënyrë të vazhdueshme kam dhimbje barku dhe nganjëherë vjelli kur jam duke ngrënë”, tha jo. “Imagjinoni të jetoni çdo ditë me simptomat e helmimit nga ushqimi. Kjo është jeta ime tani”.

Ajo po ashtu ka filluar që të ketë probleme me zemër, që kishte arritur t’i mbante nën kontroll qëkur ishte adoleshente.

“Në dy muajt e fundit kam dhimbje të zemrës”, tha ajo për REL-in. “Kohë pas kohe, shikimi më errësohet, kam probleme me frymëmarrje, shtrëngim gjoksi, marramendje dhe dhimbje në krahun e majtë”.

Ajo shtoi se shqetësohet se shoqja e saj e qelisë nuk do të mund të thërrasë për ndihmë nëse humbet ndjenjat gjatë natës ose që autoambulanca nuk do të arrijë në kohë për ta ndihmuar.

‘Rregulla të çuditshme’

Fillimisht, Skochilenko ishte vendosur në një qeli standarde me gjashtë të burgosur dhe një prej të burgosurave ishte një e “besuar”, e quajtur Yelena. Zyrtarisht, Yelena ishte përgjegjëse për të siguruar që qelia të mbahej e pastër, por në realitet, tha Skochilenko, detyra e saj ishte që t’ia bënte të mjerueshme jetën artistes.

“Para të gjithëve, ajo më tha se unë ‘kundërmoj’ dhe më detyroi që të laja të gjitha rrobat me dorë”, tha Skochilenko. “Ajo më shikoi gjatë gjithë kohës dhe më detyroi që ta pastroja tualetin me një sfungjer në vend të brushës”.

“Ka edhe rregulla të tjera të çuditshme që ajo shpikte, të tilla sikurse ju mund të mbani fshesën vetëm në një mënyrë të caktuar”, shtoi Skochilenko. “Ne na duhej ta pastronim komplet qelinë tri herë në ditë. Për pastrimin e çdo sipërfaqeje kishte një leckë të posaçme, dhe të gjitha leckat duhej të laheshin me dorë pasi pastronim qelinë…. [Yelena] nuk lejonte askënd që të hapte frigoriferin dhe na lejonte që të hanim vetëm në kohë të caktuara… Gjithë ditën ajo e linte televizorin e ndezur dhe shikonte filma lufte apo shikonte lajme për ‘operacionin e posaçëm ushtarak’”.

Yelenës, sipas Skochilenkos, më vonë iu zbut dënimi dhe u dërgua në burgim shtëpiak.

Zyrtarët po ashtu duket se synojnë që të dëshmojnë se Skochilenko është e paaftë mendërisht. Një psikiatër i burgut, që e kontrolloi në qendrën e paraburgimit, erdhi në përfundim se Skochilenko ishte e aftë.

Pavarësisht kësaj, hetuesit insistuan që ajo të dërgohej në një spital psikiatrik për një vlerësim dyjavor. Një komitet “prej pesë doktorësh dhe një konsulent” po ashtu erdhën në përfundim se Skochilenko është e aftë dhe nuk ka nevojë për ilaçe psikotrope.

“Ndoshta ata vepruan kështu si një formë shtesë për të më bërë presion ose ndoshta ata thjesht duan të më turpërojnë sa më shumë që të munden”, tha Skochilenko. Pasi ajo u kthye nga spitali në burg, hetuesit i kërkuan që ajo t’i nënshtrohej edhe një vlerësimi tjetër psikiatrik në burg.

Sipas Skochilenko, konstatimi i paaftësisë mendore mund të përdoret për të justifikuar një trajtim të detyruar mjekimi. Ajo tha se një nga psikiatrit që e kontrolloi “vazhdoi të këmbëngulte që unë të shkoja në kishë”.

Skochilenko për një kohë të gjatë ka vuajtur – por, ka qenë duke u trajtuar – nga çrregullimi bipolar, që përfshin periudha të “depresionit paralizues”. Megjithatë, ajo tha se gjendja e saj nuk ishte një problem i posaçëm për të qëkur është arrestuar.

“Vitet e tëra që kam kaluar duke punuar në shëndetin tim mendor dhe edukimin, përfshirë konsultimet me doktorë, ilaçet, vite të terapisë psikike dhe pjesëmarrja nëpër seminare, kanë dëshmuar se janë efektive”, tha Skochilenko për REL-in. “Dhe unë kam pranuar mbështetje të madhe, gjë që më ka ndihmuar që ta përballoj” arrestimin.

Autoritetet janë “tmerrësisht të frikësuar”

Ajo tha se nuk pendohet që vendosi në etiketat e çmimeve informacione për luftën e Rusisë në Ukrainë, edhe pse “ato pesë etiketa vendosën fatin tim”.

“Një grup i tërë i policisë u krijua për të më gjetur dhe pas dhjetë ditësh ata më kapën”, tregoi ajo. “Sigurisht, unë kurrë nuk u fsheha”.

Ajo beson se Bastrykin dhe hetuesit e tjerë synojnë që ta ndëshkojnë atë sa më shumë që të munden sepse ata “janë tmerrësisht të frikësuar”.

“Kur një person është tmerrësisht i frikësuar, ai priret të shohë kërcënime të mëdha diku ku nuk ka asgjë”, tha ajo. “Unë peshoj 47 kilogramë, nuk di të shti me armë. Nuk mund të luftoj. Nganjëherë vuaj nga depresioni paralizues. Shëndeti im është i dobët. Edhe nën një stres të vogël, unë menjëherë kam simptoma. I dua njerëzit, fëmijët dhe kafshët. Unë jam një kandidate e keqe për organizimin e një rebelimi të armatosur. Por, frika është një gjë e paarsyeshme”.

“Sikurse të gjithë që ndiqen padrejtësisht në Rusi, unë nganjëherë frikësohem”, tha ajo. “Unë jam këtu dhe me gjasë do të vdes në burg për liri të shprehjes dhe pacifizëm”.

“Por, besimi im në liri të shprehjes dhe në humanizëm është më i fortë se frika ime”, përfundoi ajo./ REL / KultPlus.com

Abazoviq i jep përgjigje epike pyetjes provokative të gazetarit serb

Gjatë një paraqitje në televizionin publik serb RTS, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq është përballur me një pyetje provokative nga gazetari serb i këtij televizioni.

Gjatë intervistës, gazetari ka ironizuar me Abazoviqin duke e pyetur se a vazhdojnë ende malazezët të thonë: “Ne dhe rusët 200 milionë?”

“Që kur di për veten, malazezët thonë: “Ne dhe rusët 200 milionë”. Si është situata numerike këto ditë?”, e ka pyetur gazetari serb Abazoviqin.

Kryeministri Abazoviq është përgjigjur në mënyrë epike duke thënë se tani në Mal të Zi ka ndryshuar situata dhe populli thotë: “Ne dhe Bashkimi Evropian 501 milionë”.

“Situata numerike këto ditë është se malazezët tani thonë: “Ne dhe Bashkimi Evropian 501 milionë”

“Nuk e di si dëshironi të deklarohem, por malazezët kohë e fundit tani thonë: “Ne dhe Bashkimin Evropian 501 milionë. Nuk është keq, nuk është aspak”, ka thënë  tutje Abazoviq.

Abazoviq së fundmi ka qëndruar për vizitë zyrtare dyditore në Beograd. /Reporteri/ KultPlus.com

https://video.gjirafa.com/gjirafavideo-prime-teaser
https://video.gjirafa.com/gjirafavideo-prime-teaser

Lovro Pogorelich, sonte me koncert në Tiranë

Pas Rita Orës dhe Ermal Metës, Tirana do të presë sonte edhe një tjetër spektakël muzikor. Por kësaj here bëhet fjalë për muzikë klasike nga një pianisti me famë botërore, Lovro Pogorelich.

Duke nisur nga ora 20:30 ai dhe orkestra e zgjedhur që e shoqëron do të performojnë në ambientet e Muzeut Kombëtar disa nga veprat më të njohura të dy autorëve rus Sergei Prokofiev dhe Modest Musorgski.

Nga prokofiev ai do të interpretojë Sonatën Nr. Me 3 kohë, ndërsa nga kompozitori Modest Musorgski do të luajë veprën muzikore “Tablo në Ekspozitë” e frymëzuar nga një vizitë në një ekspozitë arti. Secila nga kohet përfaqëson një nga vizatimet ose veprat e artit në ekspozite. Rëndësia dhe popullariteti i kësaj vepre është kaq e madhe sa cilësohet si vepra ciklike për piano më e rëndësishme ruse.

Musorgski kompozoi “Tablo-të” si një përkujtim për mikun e tij, artistin rus Viktor Hartmann, i cili kishte vdekur në 1873 në moshën 39 vjeç. Pak kohë pas vdekjes së artistit, Musorgski vizitoi një ekspozitë retrospektive të skicave, pikturave dhe studimeve te Hartmann, dhe ndjeu nevojën për të kapur esencën e saj në muzike.

Vepra paraqitet ne 10 kohe muzikore të 10 pikturave të Hartmanit, të ndërlidhura nga një temë e përbashkët e përsëritur, quajtur “Promenade” ( Shëtitje), që përfaqëson një vizitor – në këtë rast, kompozitori vetë – shëtitës nëpër ekspozitë, shkruan GSH./ KultPlus.com