Përderisa nuk je dashuri

Sabit Rrustemi

Po i lajë duart prej teje
qysh i kam larë parreshtur nëpër kohë
gurrave të mira e të paqta të vendlindjes
me ujë të kthjelltë
që buron nga thellësitë e lashta të këtij dheu
e po marr frymë
po marr forcë
me t’pa n’sy
e mos me t’prekë
as me gishtin e vogël
mos me t’thithë
e me t’shti brenda vetes
se ti nuk ishe asnjëherë e mira ime
anise m’u vardise
m’u shtire
madje dhe më nxeve
për pak dhe më nxite të besoj
se ishe andrra ime
fryma ime
jeta ime
në këtë botë të përkohshme
dhe në atë të përjetshmën botë
që e jetojmë pakufishëm me mungesën tone

Erdhi një çast
kur u ndriçua çdo gjë
dhe prania jote
misioni yt

U shfaqe para meje e botës
me një mal të panjohurash
që i kishe krijuar ruajtur e brumosur
thellë qenies sate të mistershme

Nuk e kam të lehtë të të dëboj prej jetës sime
të të shmangem
e të gjej shtigje tjera ku ti ende s’ke shkelur

Do të mbyllem
në kopshtin e paparë të zemrës
që përpak nuk ta dhurova
e do të të flakë tutje
me puhizat e mëngjesit e të mbrëmjes
me erërat e bimëve të jetës
me dritën e zjarrin e pashuar të trupit
kudo që të shoh
a të zë

Do ta djeg e përvëloj
dhe atë gjurmë të frymës sate
atë stërkalë
a teshtimë të frikshme që ndjell vdekje

Vend s’do të lë as në terr
e ferr të kësaj e asaj bote

The qafën andej prej nga erdhe
siç thyen qafën dhe kokën
të gjitha të zezat tjera
që u sollën vërdallë rreth meje
e më gllabëruan pjesë të dashura
nga shpirti im i moçëm sa vetë bota

Hapësirave të mia
nuk ka vend as për ty
përderisa nuk je jetë
përderisa nuk je as dashuri

Vetë mortja je./KultPlus.com

Vendi i dytë në Festivalin mbarëkombëtar të poezisë, “FLAKADANI I KUJTESËS, ediicioni i tretë.

Kjo stinë e ftohur si unë mbeti

Nga Sabit Rrustemi

Trotuarit
për rreth dritareve të Vendtakimit tonë kalove
me flokët ngjyrë argjendi mbi supe
e një mbulesë jeshile
duarsh luaje me një kuti magjike
e as kokën me pa kush pret i vetëm brenda
nuk e ktheve

Në një kohë kaq të afërt
tërë ato kujtime që shprushen
e përftojnë dhe tash kujtesës sime
i hodhe diku pas shpine 
si letra të përdorura

Pastaj ato pëshpëritje të ëmbla në ikje 
kah të nesërmet e dëshirta
aty nën bli
tek i trazonim pa dashje zogjtë fshehur gjetheve
e fluturat thellë dejve të ndezur 
në ecje e sipër i ndrydhe

As të njëqindtën e një sekondeje s’ma fale
përmes një shikimi
n’atë ikje vetëtimthi

Porta e pa çelur u var nën çati
ulësja ngjitas meje që priste
në çast u nxi

Rrëmbimthi ike
si një mëllenjë Çepuri
më trembe 
frymën ma ndale

Për ku nxitoje
kësaj dite të shenjtë që iku
në cilin kënd a udhëkryq
ai shën valentini misterioz të priste

Kjo stinë e ftohur 
pa vallëzuar syve të tu mbeti
si unë