Qeveria Kurti 2: Emrat e gjithë kabinetit

Përbërja e plotë e kabinetit qeveritar që pritet të votohet pas pak në seancën që po mbahet është kjo:

Zëvendëskryeministër i parë për Integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Zëvendëskryeministre e tretë për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi.

Ministër i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ministre e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministër i Shëndetësisë do të jetë Arben Vitia.

Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë do të jetë Arbërie Nagavci.

Ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të jetë Hajrullah Çeku.

Ministër i Minsitrisë së Administrimit Lokal do të jetë Elbert Krasniqi.

Ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të jetë Liburn Aliu.

Ministër i Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të jetë, Faton Peci.

Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë Armend Mehaj.

Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministër i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim është Goran Rakiq

Ministër për Ministrinë e Zhvillimit Rajonal është Fikrim Damka.

Nga 15 ministra, 8 janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Nga 15 ministra, 1/3, pra 5 janë gra. Në kabinetin qeverisës të Kurtit më 18 anëtarë janë 6 gra e nga tre zëvendësministra janë dy gra./ KultPlus.com

Osmani: Sot na duhet patriotizëm institucional, të zotohemi që do ta mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti seancë solemne për Ditën e Pavarësisë.

Të pranishëm janë udhëheqësit shtetërorë, përfaqësues të familjes Jashari, familjes Rugova dhe të ftuar ndërkombëtarë e vendës.

Seanca ka nisur me intonimin e himnit të shtetit. 

E pranishme në këtë seancë nuk është Lista Serbe.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sot flamuj të vegjël e zemra të mëdha valëviten në të gjitha komunat e Kosovës.

Ajo ka thënë se sot Republika e Kosovës ka moshën e fëmijëve të pavarësisë të cilët sot ishin të pranishëm në seancë.

“Sot Kosova jonë jo vetëm që frymon e lirë por edhe po krijon imazhin e ri duke i ofruar vlera edhe botës. Xhudistët e kanë skalitur emrin e Kosovës në qindra piedestale. Ata na kanë bërë të qajmë nga gëzimi e të qeshim nga lumturia. Artistët janë duke na bërë të njohur në botë, kanë bërë që shteti i Kosovës të duhet nga të gjithë. Sukseset e studentëve në botë kanë dhënë shpresën që ky vend të shkëlqejë”, ka thënë ajo.

Ajo ka kujtuar brezat që punuan për lirinë e vendit dhe pavarësinë.

Osmani e ka kujtuar edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova derisa e ka quajtur ikonë të shtetit.

“Kujtojmë heronjtë tanë që sakrifikuan gjithçka, kujtojmë familjen Jashari që u sakrifikua e u bë dritë për ne dhe gjithë brezat që vijnë. Kujtojmë të gjithë dëshmorët dhe heronjtë. Mendojmë çdo ditë e çdo natë bashkë me nënat e të pagjeturve. Kujtojmë të gjithë martirët”, ka thënë ajo.

Osmani thotë se rrugëtimin deri në pavarësi e bënë bashkë me miqtë ndërkombëtarë.

“Ne sot i lusim ata që të qëndrojnë bashkë me ne e pranë nesh në jetësimin e vullnetit të qytetarëve, në zhvillimin ekonomik e integrimin evropian. U jemi mirënjohës SHBA-së me të cilët ruajmë miqësi të hershme e të përhershme”, ka thënë ajo.

E para e Kuvendit ka thënë se pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin e vendeve të rajonit.

“Qytetarët sot ëndërrojnë për zhvillim ekonomik. Së bashku me institucionet e vendit duhet t’i përmbushim dëshirat e tyre. Sot Kosova është e vendosur më shumë se kurrë që të integrohet në bashkësinë e popujve evropian. Ne do ta thellojmë përpjekjen për shtetndërtim, prandaj sot na duhet një patriotizëm institucional. Sot duhet të zotohemi që ta forcojmë shtetin e Kosovës, të zotohemi që do të mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës dhe të dëshmojmë që 17 shkurti është i pakthyeshëm e i pacenueshëm”, ka thënë ajo.

Pas përfundimit të fjalës së kryeparlamentarës, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet. / Koha.net / KultPlus.com