Rikthehet seriali ‘Sex and the City’

Pritjes së fansave të serialit të famshëm amerikan ”Sex and the City” shumë shpejt do t’i vijë fundi, kjo pasi është bërë i ditur kthimi i kastit pas 17 vjetëve.

Të premten është publikuar traileri i sezonës më të re të serialit, HBO Max njoftoi se seriali do të shfaqet më 9 dhjetor, dhe se janë dhjetë episode.

Dy episodet e para do të transmetohen në atë datë, ndërsa tetë episodet e tjera do të shfaqen çdo të enjte, thanë nga HBO Max në një deklaratë për media.

Në këtë sezonë personazhet kryesore të filmit do të jenë në një kapitull të ri të jetës së tyre, atë të moshës 50 vjeçare.

Në rolet kryesore janë aktoret Sarah Jessica Parker, Kristin Davis dhe Cynthia Nixon, që luajnë karakteret si Carrie, Charlotte dhe Miranda.

Seriali origjinal “Sex and the City” u shfaq në HBO nga viti 1998 deri në vitin 2004 dhe u krijua nga Darren Star, bazuar në librin me të njëjtin emër nga Candace Bushnell, shkruan CNN./KultPlus.com

Sarah Jessica Parker dënon akuzat mizogjeniste për serialin e famshëm

Aktorja e njohur Sarah Jessica Parker dënon akuzat mizogjeniste për serialin e njohur ”Sex and the City”.

Me sa duket, kur u njoftua seriali i ri me 10 episode, disa fansa nuk mund të mos shprehnin habinë se përse u rikthye ky serial pas gjithë këtyre viteve.

Kjo, sepse gjatë këtyre 20 viteve që kanë kaluar që nga transmetimi i parë, Parker dhe pjesa tjetër e zonjushave të ”Sex and the City” nuk janë më në moshë të re si dikur.

”Ka kaq shumë thashetheme mizogjene si kundërpërgjigje ndaj nesh, sa ato nuk duhej të ndodhnin kurrë”, tha A.Man për ”Vogue”.

”Por, kishte edhe shumë reagime pozitive dhe njerëz të cilët i bënin ‘share’ fotove të të ashtuquajturave ‘Vajzat e arta”, shtoi regjisori Michael Patrick King.

Seriali i ringjalljes, i cili do të shfaqet premierë në HBO Max muajin e ardhshëm, do të ndjekë Carrie (Parker), Miranda (Cynthia Nixon) dhe Charlotte (Kristin Davis) ndërsa ato eksplorojnë realitetin e ndërlikuar të jetës dhe miqësisë së tyre 30-vjeçare, tashmë në të 50-tat e tyre dhe realitetin akoma më të ndërlikuar”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Anëtarët e mbetur të katërshes fillestare ku Kim Cattrall nuk është përfshirë në serial pas përplasjes me Parker në vitet e fundit, gjithashtu kanë shprehur pakënaqësi mes tyre.

Sidoqoftë, seritë pasuese do të korrigjojnë disa nga gabimet e serialit origjinal duke shtuar një pjesë të vogël me aktorë të rinj, përfshirë Sara Ramirez, Karen Pittman dhe Nicole Ari Parker, për të pasqyruar më mirë diversitetin e jetës reale të qytetit.

Gjithashtu në këtë serial do të jenë edhe ”veteranët” e “Sex and the City” si Chris Noth, Mario Cantone, David Eigenberg, Evan Handler dhe Willie Garson, i cili vdiq në shtator nga kanceri pankreatik. / KultPlus.com

Rikthehet seriali më i shikuar, ‘Sex and the city’

Derisa adhuruesit anembanë botës e festuan lajmin se “Sex and the City”, po rikthehet në ekran me një edicion special, megjithatë ata janë kureshtarë ta dinë nëse aktorja e rolit të Samanthas do të zëvendësohet.

Aktoret e kastës origjinale të serisë, Sarah Jessica Parker e cila e portretizon protagonisten Carrie, Cynthia Nixon që vjen në rolin e Mirandas dhe Kristin Davis që e luan rolin e Charlottes, tashmë e kanë konfirmuar lajmin se do të rikthehen në projektin special me titull “And Just Like That”, i cili do të transmetohet në platformën HBO Max. Ato do t’i përsërisin rolet e tyre në serinë 10 episodesh, e cila vjen me histori të freskët dhe xhirimet e saj pritet të fillojnë këtë pranverë në New York City.

Por njëra aktore e cila nuk do të rikthehet në këtë projekt është, Kim Cattrall, e cila në serinë e shpërblyer me “Emmy” e luante rolin e Samantha Jonesit. Ajo ka treguar publikisht se nuk do të përfshihet në vazhdimet e këtij projekti për shkaqe personale, duke vënë në pah edhe raportet e këqija të saj me yllin e serisë, Sarah Jessica Parker.

Ndërkohë platforma HBO Max nuk ka dhënë detaje nëse ky personazh do të zëvendësohet nga ndonjë aktore tjetër, apo do të largohet nga historia e serisë së ardhshme.

Parker e ka postuar një video në Instagramin e saj, e cila e paralajmëron projektin e shumëpritur, duke e konfirmuar kështu se diçka e re po vjen së shpejti. / KultPlus.com