Shani Pnishi nderohet me titullin ‘Ambasador i Kombit’

Repubilka e Shqipërisë i dha titullin ”Ambasador i Kombit”  poetit e publicistit Shani Pnishi i cili jeton e vepron në Kanada.

“Në një ceremoni organizuar nga Ambasada Shqiptare në Ottawa, Kanada, m’u dorëzua titulli “Ambasador i Kombit”. Falënderoj të gjithë ata që më kanë përkrahur në çdo hap, veçanërisht gruan time Albana Hisenaj-Pnishi dhe bashkëpunëtorët e Shoqatës Shqiptare të Hamiltonit”, ka shkruar Pnishi.

Shani Pnishi u lind në Demjan të Hasit të Gjakovës. Studioi Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe më pas Shkenca Politike në McMaster University në Hamilton të Kanadasë. Pnishi merret me poezi dhe publicistikë. Ka të botuar dy libra me poezi: “99” dhe së fundmi librin “Këtu dhe atje”. Ai po ashtu është pjesë e Shoqatës Shqiptare të Hamiltonit dhe mjaft aktiv në jetën kulturore shqiptare në Kanada.

Koka

Poezi nga Shani Pnishi, nga libri në shtyp “Këtu dhe Atje”.

Me mijëra qindra eshtra
e kushedi sa fije nervash
që përcjellin gjakun si gypa
të ndryshkur e të kthjellur.

Një fabrikë e tërë
mendimesh e ëndrrash të parealizuara
me muskuj që e mbajnë mbi qafë
me flokë që e ruajnë nga shiu
me veshë anash

që mund të dëgjojë, dhe mund të mos dëgjojë…

Truri vlon brenda
si gjella në tenxhere.

E vogël sa për ta thyer qafën
e madhe sa për ta rrokullisur botën.

Sytë,
që nuk e shohin njëri-tjetrin
por që shohin e shohin përtej.

Koka, kokë më!