Dita e Shën Marisë, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë

15 gushti është Dita e Shën Marisë, një nga festat më të kremtuara për besimtarët e krishterë.

I njohur si “Fjetja e Hyjlindëses”, 15 gushti është dita kur shenjtorja ju bashkua birit të saj, në botën e përjetshme.

Festa e Fjetjes së Hyjlindëses kremtohet në 15 gusht, e paraprirë nga dy javë agjërimi (kreshme). Kjo festë, e cila quhet edhe “Marrja”, është për të përkujtuar vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit. Ajo shpall që Maria “u mor” nga Perëndia, në mbretërinë qiellore të Krishtit, në të përmbushurit e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka ndarë kalendarin e festimeve në të gjitha kishat dhe manastiret e Fjetjes së Hyjlindëses Mari.

“Fjetja e Hyjlindëses” është paraqitur në afresket e kishave të ndryshme orthodhokse, anembanë vendit, ashtu sikurse edhe “Lindja e Virgjëreshës” apo “Hyrja e saj në Tempull”.

15 gushti kremtohet edhe nga besimtarët katolikë në të gjithë botën. Besimtarët katolikë në të gjithë botën kremtojnë të Ngjiturit e Zojës në Qiell, apo Zojën e Madhe, siç njihet ndër shqiptarë. Simbolikisht i vendosur në qendrën e periudhës së verës, ky solemnitet mund të konsiderohet si kohë për çlodhje e ripërtëritje.

Zojës së Madhe i janë kushtuar shumë kisha si ajo e Barbullushit në kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit, ajo e Mamurrasit, në kryedioqezën metropolite të Tiranë-Durrësit, ajo e Kaçë-Naraçit në dioqezën e Sapës, ajo e Grudës dhe ajo në fshatin Kollomzë afër Ulqinit, në kryedioqezën e Tivarit, ajo e Letnicës në Karadak dhe ajo e Zymit të Hasit, në administraturën apostolike të Prizrenit në Kosovë.

Në trevat shqiptare Kishat kushtuar Virgjërës Mari janë dëshmi identiteti shpirtëror e kombëtar, thesar feje e arti./atsh/KultPlus.com

Muzeu i Artit Mesjetar publikon ikonën “Hyrja e Shën Marisë në Tempull”, një thesar ikonografik nga shekulli XVII

Muzeu i Artit Mesjetar vazhdon të pasurojë koleksionin e tij me publikime të reja nga fondi i pasur i objekteve, duke prezantuar këtë herë ikonën me titull “Hyrja e Shën Marisë në Tempull”.

Kjo ikonë daton në mes të shekullit të XVII-të dhe ka origjinë nga Kisha e Shën Marisë në Vllahernë të Beratit.

Ikona përshkruan momentin e hyrjes së Shën Marisë në tempull, një ngjarje me rëndësi të madhe në traditën ortodokse. Në skenën qendrore, Shën Maria paraqitet në moshën 3-vjeçare duke ngjitur shkallët e tempullit të Solomonit. Ajo shoqërohet nga prindërit e saj, Joakimi dhe Ana, ndërsa pas tyre qëndrojnë dhjetë virgjëresha, simbol i pastërtisë dhe përkushtimit shpirtëror.

Në hyrje të tempullit, Profeti Zaharia pret me fjalët e tij të bekuara: “Ti je e përzgjedhura ndër të gjithë brezat”. Sipas traditës, Shën Maria qëndroi në tempull deri në moshën 14-vjeçare, pas së cilës ndodh ngjarja e “Ungjillëzimit”, e ilustruar në skenën e sipërme të ikonës, përcjellë KultPlus.

Kisha, nga e cila rrjedh kjo ikonë, ndodhet brenda mureve rrethuese të Kalasë së Beratit dhe përbën një nga ndërtimet më të vjetra mesjetare të kultit në qytet. Brenda saj, një dysheme e zbukuruar me një rozetë dekorative dhe piktura murale të realizuara nga Nikolla, biri i Onufrit, në vitin 1578, dëshmojnë për rëndësinë historike dhe artistike të vendit. Në dritaren e absidës dhe murin verior të kishës janë të ripërdorura elemente arkitektonike paleokristiane, që shtojnë vlerën e saj kulturore.

Ky objekt i vyer është një dëshmi e gjallë e traditës ikonografike shqiptare dhe pasuri e vyer e trashëgimisë kulturore, që Muzeu i Artit Mesjetar vazhdon ta ruajë dhe promovojë me përkushtim./atsh/KultPlus.com

Zbulohet për herë të parë ikona e Shën Mërisë së Mborjes në Korçë

Për herë të parë, publikut i jepet mundësia të shohë nga afër ikonën e Shën Marisë në Korçë, një nga veprat më të rralla të artit ikonografik shqiptar. Kjo ikonë i përket kishës së Mborjes, një kishë që sot nuk ekziston më, por që ka lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme shpirtërore dhe artistike.

Restauratori i njohur Genti Proko shpjegon se kjo ikonë daton në fundin e shekullit XIV dhe fillimin e shekullit XV, dhe dallohet për një veçori të rrallë: është pikturuar në të dy anët. Në njërën anë paraqitet figura e Shën Marisë, ndërsa në anën tjetër është realizuar skena e Kryqëzimit, përcjellë KultPlus.

“Kjo ikonë përfaqëson një punim të rrallë për nga teknika, koha dhe përmbajtja. Dyfaqësia e saj tregon për përdorim liturgjik të veçantë dhe na lidh me një etapë të hershme të ikonografisë sonë”, tha restautori Proko.

Ndërkohë, një tjetër ikonë me rëndësi të veçantë, ajo e “Joanit Pagëzorit”, ka përfunduar procesin e restaurimit pas disa muajsh pune të përkushtuar në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit, pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.

“Ikona kishte pësuar dëmtime serioze në të gjitha komponentët e saj, por tashmë ajo është restauruar dhe e gatshme për t’u ekspozuar. Është një pasuri që meriton të shihet nga publiku”, tha Marjana Lara, drejtore e muzeut.

Muzeu i Artit Mesjetar, në kuadër të një qasjeje të re ndaj publikut, prezanton herë pas here ikona që nuk janë ekspozuar më parë, duke i ofruar si vizitorëve vendas, ashtu edhe atyre të huaj, mundësinë për të zbuluar thesare të rralla të trashëgimisë sonë kulturore./KultPlus.com

Ndërhyrje konservuese në muralin e Manastirit të Shën Mërisë në Apolloni 

Ndërtuar majë një kodre, me peizazhin që përfshin rrënojat mijëra vjeçare të Parkut Arkeologjik të Apollonisë, fushën e myzeqesë dhe detin Adriatik, Manastiri i Shën Mërisë përbën një nga komplekset fetare më mbresëlënëse. Ndërtuar qindra vjet më parë, ai mban nën vete, si në “një djep të përmbysur”, qytetin antik të Apolonisë, nga i cili ato pak rrënoja te mbetura duken sikur tretin vështrim tej në detin Adriatik. 

Në këtë kryevepër të artit bizantin, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka nisur punimet konservuese. Sektori i Veprave të Artit në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Apolonisë, po zhvillon punime konservimi në pikturën murale të trapezërisë së Manastirit.  

Kjo murale, e krijuar në gjysmën e dytë të shekullit XIII përfaqëson një nga veprat më të rralla dhe më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore, duke zënë një vend të veçantë në historinë e artit bizantin në Shqipëri.  

IKTK bëri të ditur se, aktualisht po kryhet konsolidimi i shtresave përgatitore të pikturës me suportin në murin jugor dhe verior të objektit. 

Mozaikët pranë trapezërisë (mencës së murgjëve), portiku i kishës me kolonadën elegante prej tetë shtyllash, ikonat dhe pikturat murale së bashku krijojnë një kompleks të jashtëzakonshëm dhe tejet tërheqës. 

Ndërthurja unike e këtij ndërtimi, mes pasurisë së Antikitetit dhe arkitekturës bizantine, së bashku me Muzeun Arkeologjik, pozicionuar brenda Manastirit, e kthejnë kompleksin në një pikë të rrallë referimi për vlerat historike, arkitekturore, artistike dhe shpirtërore që bart. 

Andaj, edhe kjo ndërhyrje konservuese synon ruajtjen e kësaj pasurie kulturore, duke e mbrojtur nga dëmtimet e kohës dhe duke e rikthyer në vëmendjen e publikut e studiuesve. / KultPlus.com