Kthehen ikonat e pikturuara para 300 viteve

Dy ikona të Krishtit dhe Virgjëreshës Maria, pikturuar përkatësisht në 1735 dhe 1785, u dorëzuan në ambasadën greke në Bejrut për t’u dërguar më pas në Greqi.

Ministria greke e Kulturës, në një njoftim, theksoi se të dy ikonat u vodhën në vitin 2006, së bashku me objekte të tjera, nga kisha e ”Aghia Triada”, në Oksia, Karditsa, ku ishin kataloguar.

Ikonat ishin futur në bazën e të dhënave të veprave artistike të kërkuara nga Interpol.

Në tetor 2020, dy ikonat u gjetën nga një arkeolog gjatë verifikimit të një liste ankandi që do të mbahej në Dyseldorf./ atsh/ KultPlus.com

Restaurohen dy ikona pjesë e fondit të DRTK, Kallfani: Nxjerrje në dritë e thesareve të fshehura

Në laboratorin e restaurimit të veprave të artit në Berat punohet çdo ditë me pasion dhe durim për nxjerrjen në dritë të thesareve të fshehura.

Ditët e fundit restauratorët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Berat janë duke ndërhyrë në restaurimin e ikonave, “Lindja e Krishtit dhe “Hyrja e Shën Marisë në Tempull”.

Drejtori i DRTK, Berat, Eugen Kallfani tha sot për ATSH-në se “janë dy ikona që janë pjesë e fondit që ka nën administrim DRTK, Berat. Specialistët e sektorit të artit të DRTK Berat pasi hartuan projektin morën aprovimin e miratimin nga Instancat e Këshillit Shkencor dhe Këshillit Kombëtar të restaurimeve”.

“Problematika e shfaqur në këto ikona është kryesisht në rënien e grundit, rënien e pelikulit dhe dëmtimin e panelit të drurit”, tha Kallfani.

Ai bëri të ditur se “fazat e ndërhyrjes konsistojnë fillimisht me konsolidimin e drurit, dezinfektimin e më pas integrimi piktorik. Restauratorët po bëjnë një punë të kujdesshme që vazhdon me javë të tëra deri në nxjerrjen nga emergjenca të këtyre thesareve të fshehura”.

“Aktualisht ndërhyrja është në fazën e konsolidimit të grundit dhe pelikulit”, shtoi Kallfani.

Restauratorët e DRTK, Berat kryejnë gjithmonë një punë të vyer, e cila shmang degradimin e mëtejshëm të ikonave si dhe rikthimin e imazhit ikonografik në bukurinë fillestare.

Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm. /atsh / KultPlus.com

Berat, dy ikonave u rikthehet bukuria fillestare

Pasuritë kulturore në të gjithë Shqipërinë vijojnë të vëzhgohen dhe mirëmbahen në mënyrë sistematike nga specialistët e Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulture.

Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në qytetin e Beratit po punon për nxjerrjen në dritë të thesareve të lëna në harresë. Në këtë laborator restauratorët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat janë duke punuar mbi dy ikona: Ikona “Profeti Ilia” dhe “Hyrja në Jeruzalem, raporton a.t.a.gov.al

Instituti i Monumenteve të Kulturës bën të ditur se “DRTK Berat po kryen ndërhyrje konservuese dhe restauruese në ikonat “Hyrja në Jeruzalem” dhe “Profeti Ilia”. Një punë e vyer e specialistëve, e cila shmang degradimin e mëtejshëm të ikonave si dhe rikthimin e imazhit ikonografik në bukurinë fillestare”.
Sipas IMK-së, kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm.

Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në qytetin e Beratit ka restauruar gjithashtu ikonat “Mbledhja e Kryeengjëjve”, me autor Gjergj Johan Çetirin, si dhe ikonën me të njëjtin emër “Mbledhja e Kryeengjëjve” e Kostandin Zografit, “Ngritja e kryqit” dhe “Shën Thanasi”. Ndërkohë që Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për: “Ndërhyrje restauruese në pesë ikonat e Amvonës, në Katedralen “Fjetja e Shën Mërisë”, sot “Muzeu Onufri”, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje konservuese dhe restauruese. / KultPlus.com