MASHTI: Do të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave është duke i bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor 2022/2023 të nis sipas planit të paraparë.

Krahas investimeve për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, MASHTI është duke i trajtuar me kujdes aspektet ligjore dhe rregullimin e çështjeve të rëndësishme në mënyrën më të mirë të mundshme.

E drejta për shkollim është e garantuar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar, andaj konform përgjegjësive që MASHTI ka, thuhet se do t’i përmbushin të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohen që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore.

Ministria e Arsimit do të angazhohet në avancimin e sistemit arsimor dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, të favorshëm dhe mbështetës për të gjithë ku askush nuk ndihet i përjashtuar dhe cenuar.

Ata njoftojnë se tashmë jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor dhe presim që procesi mësimor të nis sipas planifikimeve. /KultPlus.com

MASHTI harton rregulloren e brendshme për parandalim të konfliktit të interesit

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në Mbështetje të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, ka hartuar Draftin e Rregullores së Brendshme për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Rregullorja ka për qëllim vendosjen e rregullave dhe procedurave të brendshme për parandalimin e konfliktit të interesit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe institucionet vartëse”, thuhet në njoftim.

Ky dokument është hartuar në konsultim të ngushtë me Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe parasheh:

Obligimi për parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit brenda MAShTI;

– Trajtimi i konfliktit të interesit nga autoriteti përgjegjës;

– Veprimet e ndaluara për zyrtarin e MAShTI;

– Angazhimi në punë jashtë institucionit;

-Obligimi, përgjegjësitë për parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit;

– Identifikimi dhe raportimi i konfliktit të interesit në MAShTI;

– Mënyrat e trajtimit dhe zgjidhjes së konfliktit të interesit;

– Sanksionet në rastet e konfliktit të interesit

Ndryshe, draft-rregullorja është në diskutim publik deri më 27 korrik 2022. /KultPlus.com