Erolina, shqiptarja e parë shofere e autobusit në kantonin Ticino

Ndër shumë vajza dhe gra shqiptare që po tregohen të suksesshme në fusha të ndryshme në diasporë, është sigurisht edhe Erolina (Maliqaj) Gashi, e lindur në Kosovë dhe e rritur në Zvicër.

Kësaj radhe, për dallim nga herët e tjera, Albinfo.ch ju sjell një storie suksesi që ka të bëjë me një vajzë shqiptare, vozitëse autobusi në kantonin e Ticino.

Ani pse në shtetin e Kosovës vozitja e autobusëve nga një femër vazhdon të jetë e pazakont, në shtetet evropiane kjo gjë është më se normale, veçmas në Zvicër.

Erolina (Maliqaj) Gashi është vetëm 25-vjeçare dhe po në këtë moshë arriti të bëhet shoferja e parë e autobusit në kantonin e Ticinos, ëndërr kjo që në moshën e saj të re, shkruan tutje albinfo.ch.

Ajo ka lindur në një fshat Kosovar, Poslisht, nga komuna e Prizrenit. Ndërkohë që moshën pesëvjeçare emigroi në Zvicër, për t’iu bashkuar familjes së saj.

“Në moshë shumë të re, kur i kisha vetëm 5 vjeç, emigrova në Zvicër dhe iu bashkova familjes sime, babait tim, Misinit, bashkë me mamin, Jetmiren dhe motrën Mirinda. Babai ka jetuar dhe ka punuar në Zvicër që nga viti 1989, e bashkimi i familjes ishte parësor dhe një nismë e re për familjen time dhe mua, në realizimin e ëndrrave të mia”, tregon Erolina.

Gjithashtu, ajo ndan edhe historinë e saj për Albinfo.ch lidhur me ambientimin jo të lehtë në Zvicër, shoqërinë, shkollimin etj.

“Në filim ishte shumë e vështirë për mua, isha mësuar me një kulturë tjetër në Kosovë, pavarësisht që isha shumë e re. Pastaj, përjetimi i luftës si fëmijë, traumave, gjërat që i kishim përjetuar sikurse të gjithë njerëzit e Kosovës në atë kohë, kanë pasur ndikim tek unë. Por, me kalimin e kohës, ne si familje dhe personalisht unë gradualisht u intergrova shumë mirë, si në ambientin e shkollimit, ashtu edhe në shoqërinë zvicerane”, shprehet ajo.

Vlen të theksohet se Erolina mësimet i ka përfunduar në shkollën “Media” në Viganello, ku më pas vazhdoi edhe 3 vjet të tjera në nivelin profesional “Arte Mestieri SAMS Viganello, Lugano”, shkruan albinfo.ch.

Dëshira që një ditë të bëhet shofere e autobusëve

Erolina që e vogël kishte shprehur dëshirën për vozitje dhe aq më shumë kur shikonte ngasjen e autobusëve.

“Kur isha në moshë shumë të re, ëndërroja se do të bëhem shofere dhe vazhdimisht e pyesja babain se a do të vijë dita që edhe ne femrat të vozitim, duke ia përshkruar autobusin që kalonte pranë nesh”, tregon ajo.

Misini, babai i Erolinës, ka qënë një nga motivuesit kryesor që vazja e tij të ndjekë çdo ëndërr të saj dhe ta realizojë atë, me punë dhe sakrificë, shkruan albinfo.ch.

“Babi më thoshte se çdo punë e mirë është e mundshme dhe e realizueshme në jetë. Dhe, prej atij momenti kam pasur këtë dëshirë, që një ditë të bëhem shofere e autobusit gjigant që po e shihnim përballë nesh në atë kohë”, shprehet ajo.

Erolina ka mësuar dhe ka ndjekur me shumë pasion vozitjen e autobusëve, duke përfunduar me afat rekord të gjitha provimet e saj teorike dhe praktike lidhur me vozitjen.

Në moshën 25-vjeçare ajo u bë shqiptarja e parë vozitëse në kantonin Ticino, në komunën Lugano, ku jeton dhe vazhdon të punojë edhe më sot.

Nga ana tjetër, Misin Maliqaj, babi i Erolinës, ndjehet krenar për arritjet e vajzës së tij, aq më shumë në profesionin që ajo kishte ëndërr që e vogël.

“Unë, së bashku me familjen, jemi shumë krenarë për sukseset e Erolinës që ia arriti qëllimit për realizimn e ëndrrës së saj që kishte që në ditët e para të ardhjes në Zvicër, për t’u bërë një shofere e denjë dhe në shërbim të qytetarëve”, përfundon Misini. /Albinfo.ch / KultPlus.com