‘Shoka’, veshja tradicionale e nuseve arbëreshe (FOTO)

Në foto shihet një vajzë arbëreshe, e veshur me kostumin e nusërisë së grave të komunës së Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi).

Kjo veshje njihet me emërtimin ‘shoka’. Shoka, paraqet në vetvete një element të rëndësishëm dhe të pandarë të veshjes tradicionale shqiptare. Kjo veshje për femrat paraqet një fustan të qëndisur me dorë me fije ari dhe ngjyra të ndryshme.

Gjithashtu me emrin shoka njihet edhe brezi që përdorin meshkujt në veshjet tradicionale arbëreshe. Shoka ose ndryshe brezi punohet prej leshi në vegje e kombinuar me pet e ngjyrosur afërsisht me ngjyrat e ylberit, e gjatë sa sillet disa herë rreth mesit. Rrjedh direkt nga rripi ilir.

Foto nga Mit’hat Haxhiislami./ KultPlus.com

Shoka, kënga tradicionale e ritit martesor arbëresh

Ekziston një këngë, e zakonshme për trekëndëshin magjik arbëresh të përfaqësuar nga bashkësitë Carfizzi-Hora, Pallagorio-Puheriu dhe San Nicola dell’Alto-San Koghi në provincën e Crotone, e cila interpretohet gjatë ritualit martesor arbresh: Shoka.

Sipas shpjegimeve të Gianni Belluscios, teksti është një variant i punuar i rapsodisë së “turkut që rrëmbeu vajzën shqiptare”. E njëjta këngë, por me një tekst më të plotë e më të kuptueshëm, u regjistrua nga Giuseppe Gangale gjithashtu në Carfizzi (Diskografia Gangale, 1998).

Në materialin e publikuar nga Mario Bellizzi shkruhet:

“Kërce, kërce vajzë vallen-loj loj vasha valle”, që e shohim këtu është marrë nga hulumtimet etnografike dhe regjistrimet e vitit 1954, të bëra nga Diego Carpitella dhe Ernesto de Martino, që Antonello Ricci dhe Roberta Tucci kanë publikuar për shtëpinë botuese Squilibri në 2006.

“Shpresojmë që miqtë e Pallagorio të mund të bashkëpunojnë për të transkriptuar tekstin e Valle, nga e cila është bërë regjistrimi i zërit”, shkruan Bellizzi./dasiporashqiptare/ KultPlus.com