“Washington Post”, jehonë Shqipërisë turistike, alternativa më e mirë edhe krahasuar me Mikonos

Kolosi mediatik “Washington Post” i bën jehonë Shqipërisë turistike, e cila u ofrohet  lexuesve si alternativa më e mirë edhe krahasuar me Mikonosin në Greqi.

Kryeministri Edi Rama ndau sot artikullin e publikuar nga “Washington Post”, i cili promovon Shqipërinë si paketa më e plotë e turizmit të qëndrueshëm, në vend të destinacioneve të mirënjohura por edhe të mbipopulluara të Mesdheut.

Rama bëri të ditur se në artikull ftohen turistët të provojnë eksperiencën unike përgjatë bregdetit shqiptar me plazhe të kristalta, qytete antike dhe male perfekte për sporte natyrore.

“Ja edhe kolosi mediatik ‘Washington Post’, me jehonën e tij për Shqipërinë turistike e cila u jepet lexuesve si alternativa më e mirë edhe krahasuar me të superfamshmin Mikonosin fqinj, duke i ftuar të provojnë eksperiencën unike përgjatë bregdetit shqiptar me plazhe të kristalta, qytete antike dhe male perfekte për sporte natyrore si paketa më e plotë e turizmit të qëndrueshëm, në vend të destinacioneve të mirënjohura por edhe të mbipopulluara të Mesdheut”, shkruan Rama. / atsh / KultPlus.com

Shqipëria turistike në një prej guidave prestigjioze franceze

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila theksoi se “guida është format praktik, i dedikuar për të gjithë udhëtarët francezë dhe udhërrëfyesi ideal për ta njohur Shqipërinë, duke iu shtuar kështu promovimit tonë për gjithë botën frankofone”.

Ministrja Kumbaro tha se “72% më shumë vizitorë francezë mikpritëm në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021”.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor. / KultPlus.com

Shqipëria, vend turistik që nga viti 1929

Shqipëria ka qenë destinacion turistik që në vitin 1929.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar materiale që i referohen revistës ”Shqipëria Turistike”, botuar në vitin 1929 nga kompania “Adriatica” me qendër në Venecia, të Italisë. Kjo revistë (“Albania Turistica”) dëshmon ekzistencën e linjave të anijeve dhe avionëve për të gjithë turistët, të huaj apo shqiptarë, që preferonin të vizitonin Shqipërinë.

Ndërkohë në një postim të Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër thuhet se që në nëntor 1934, revista kulturore “Minerva” në numrin e saj 25-të, përshkruan malet dhe zonat e Dukagjinit, duke bërë një guidë të thjeshtë turistike të zonës së Dukagjinit në përgjithësi dhe të Thethit në veçanti.

Një përshkrim-guidë prej 4 faqesh, nga faqja 21-24, i shoqëruar me 7 fotografi të peizazheve natyrore të zonës (Shtegu i Dhenve, Ujëvara në Shosh, Gryka e Ndërshqemit /Porta e Shalës, Lumi i Shalës, Qafë e Valbonës dhe Rrogami, Jezerca dhe grup alpinistësh).

Shkrimi i veçantë për Dukagjinin tregon potencialet e tij turistike, por edhe problemet që identifikon autori si hapja e rrugës së makinës dhe sistemimi i shtëpive për të pritur turistë.

Ndërsa nëse i referohemi “Archivio Centrale dello Stato” (Itali), mbi turizmin ne Shqipëri, përpara vitit ’39, thuhet se Shqipëria kishte struktura turizmi, por ishin të prapambetura e me kushte të dobëta higjenike.

Më pas, me ndërhyrjen italiane, Shqipëria turistike u promovua edhe nga Lloyd Triestino, kompani e rëndësishme e trasportit detar, si dhe në aktivitetet e panairit Fiera del Levante të qytetit të Barit./ KultPlus.com