“Ngjashmëritë e shqipes me gjermanishten duhet kërkuar në keltishtën e lashtë”

Leibniz, filozof, historian, matematikan, jurist, diplomat, filolog, figurë e rëndësishme në mendimin perëndimor, lindi në Leipzig. Ai ishte presidenti i parë i Akademisë Prusiane të Shkencave. Por, pullariteti i tij sa ishte gjallë edhe u cënua, veçanërisht nga Volteri, i cili si mik i Njutonit, e ironizoi atë; madje edhe Kandidin e shkroi me Leibnizin në mendje. Por Leibniz ishte njeri i interesave të shumta.

Në 10 vitet e fundit të jetës, një nga përkushtimet e tij u bë edhe gjuha shqipe. Së pari, Leibnizi goditi mitin se shqipja, meqenëse flitej në Ballkan, bënte medoemos pjesë në grupin e gjuhëve sllave, apo rridhte nga greqishtja ose latinishtja. Ai besonte se shqipja ishte ilirishte (siç do të demonstrohej nga Franz Bopp më shumë se një shekull më vonë); Leibniz mendonte se shqipja kishte lidhje me gjermanishten dhe këto ngjashmëri ai i kërkon në keltishten e lashtë.

Mendimet mbi shqipen, Leibniz i shprehu në letërkëmbimet e tij (1705 – 1715) me shkencëtarë, studiues e intelektualë të kohës – gjithsej 5 letra mbi shqipen (FESH).

Ja si shkruante Leibniz – ndër të parët, në mos i pari albanolog që e vendosi shqipen në hartën e botës së studimieve gjuhësore:

 “Sa për gjuhën e shqiptarëve, e njohur si Linguam Illiricam…mendoj se është e denjë të studiohet….Të dhënat që kam tregojnë se shqipja përmban shumë latinisht dhe pak gjermanisht. Dhe ky është mendimi im mbi disa fjalë shqipe: ‘hundë’ nga keltishtja e vjetër ka dhënë gjermanishten ‘wen’ – ‘qen’, kafshë që karakterizohet nga përdorimi i hundës ‘nose’ – ‘nuhatje’. Fjala ‘gjueti’, anglisht “hint” – ‘gjurmë’ – ‘shenjë’; gjermanisht ‘spuhr’, nga ‘kunde’ – ‘dije, njohje’. Fjala ‘krah’  lidhet me ‘krezzen, crabbe’ – ‘gaforre’ nga rrjedhin kthetër, zvarrë, rrafsh, zero. ‘Gaforrja’ mund të ketë lidhje edhe me ‘furkën, pirunin’. Fjala  ‘burrë’ mund të jetë e lidhur me ‘brautigam’ ‘dhëndër’. Ndërsa fjalët shqipe për numrat nuk kanë asgjë që mund  të rrjedhin nga gjuhët fqinje, por, duke ditur shumë gjuhë të tjera, studiuesi mund të jetë në gjendje të kuptojë shumë fjalë të shqipes; fjala ‘det’ nga Delt, dmth Thalassa, Thellësi, Perendia e Detit në mitologjinë greke. Është e qartë se reliket e ilirishtes janë ruajtur në gjuhët moderne, veçanërisht në atë të shqiptarëve”, shkruan Leibniz, në “Opera Philologica”, përkthyer nga frengjishtja në anglisht nga Robert Elsie.

Vlera e ideve të Leibnizit qëndron edhe në faktin se si shkencëtar serioz, ai tërhoqi vemendjen e shkencëtarëve të tjerë për t’u marrë me studime në fushë të shqipes. Ky interesim i Leibnizit mund të shpjegojë ndoshta edhe arsyen pse albanologjia ka tërhequr vazhdimisht shkencëtarë, gjuhëtarë e filologë ndër më të shquarit gjermanë e nga bota. Leibniz shkroi kryesisht frengjisht e latinisht dhe pak gjermanisht. Shumica e shkrimeve të tij ndodhen ende të pabotuara, dhe janë marrë në mbrojtje nga UNESCO.

Në vitin 1985, qeveria gjermane krijoi Çmimin Leibniz, duke ofruar një shpërblim vjetor prej 1 milionë e 550 mijë euro për rezultate praktike dhe 770 mijë euro për ato teorike në shkencë. Ky është çmimi më i lartë në botë për arritje shkencore./KultPlus.com

Në Bullgari, atje ku flitet shqipja e para 400 vjetëve!

Përgatiti: Ylli Pata

Një dokument për shqiptarët e Bullgarisë dhe legjenda e tre vëllezërve nga Vithkuqi.

Si e flisnim shqipen ne shqiptarët para 400 vjetësh?! Përgjigjen na e jep një fjalor i botuar në Bullgari, ku jepet kuptimi i fjalëve në gjuhën bullgare, shqipen e sotme dhe gjuhën e vjetër shqip të përdorur nga banorët e fshatit Mandricë në Bullgarinë Juglindore, të cilët janë larguar 400 vjet më parë nga atdheu i tyre.

Të bën përshtypje në fjalorin i cili ka mijëra fjalë, përveç fjalëve bazike si bukë, ujë, sëmundje, lind, vdes, fle, ngrihem, ha, pi, etj etj, të gjitha të tjerat përgjithësisht ndryshojnë dhe janë shqiptuar krejt ndryshe.

Për shembull “sallam” nuk i thonë mishit të përpunuar por i thonë “i shëndetshëm”. Tarshit, do të thotë “kërkoj”, etj. Megjithatë fjalët bazike nuk ndryshojnë si numërimi apo gjërat kryesore të të bërit. Edhe pse nuk ka gramatikë, foljet janë zgjedhuar afërsisht siç bëhen në morfologjinë e sotme. Përshembull “do të fle” shqiptarët e Mandricës i thotë “ot fli”.

Kurse shprehja apo fjala “flas” është krejt ndryshe në gjuhën e vjetër të shqiptarëve të Mandricës. Ata thonë “zallahis”.

Hartuesja e këtij fjalori, Marija Georgieva (Peeva), banorë e Mandricës është marrë me fjalët bazë të gjuhës së vjetër shqipe që gjithmonë e kanë folur banorët e Mandricës, ndërsa është ndihmuar nga studiuesi i apasionuar ndaj gjuhës shqipe, Ludmill Stankov, i cili ka punuar në një kohë të gjatë në Tiranë si diplomat i Bullgarisë.

Autorja e fjalorit Marija Georgieva (Peeva) është 70 vjeç dhe ka ruajtur thuajse të gjitha fjalët e vjetra që kanë folur banorët e Mandricës.

Mandrica

Mandrica është strukur në mënyrë mahnitëse në bregun e djathtë të lumit Bjalla (Lumi i bardhë), në pjesën lindore të malеve Rodope, në vetë kufirin me Greqinë. Fshati ka ruajtur bukurinë, pamjen e tij autentike dhe gjuhën e vet që nga viti i largët 1636. Duke u bazuar mbi një mbishkrim të vjetër fshati është themeluar pikërisht në atë vit.

Një legjendë tregon se fshati është themeluar nga tre vëllezër shqiptarë nga fshati Vithkuq, që ndodhet jo larg qytetit të Korçës. Vëllezërit kanë qenë barinj të mëdhenj. Ata kanë furnizuar ushtrinë osmane me qumësht, mish dhe produkte të tjera në rrugëtimin e saj për në Edrene. Ashtu vëllezërit dhe familjet e tyre kanë udhëtuar bashkë me ushtrinë, duke arritur Edrnenë.

Ali Pasha ka dashur t’i falënderojë tre burrat dhe u ka propozuar të zgjidhin një vendbanim të përshtatshëm për bagëtinë e tyre. Ato fshatra janë bërë pronë të tre barinjve dhe pas kësaj të banorëve të sotëm të fshatit të Mandricës.

Me kalimin e kohës gjatë lëvrimit të tokës janë gjetur shumë byzylykë, pllaka, unaza dhe sende të tjera të cilat dëshmojnë për jetën mbi këto vende.

Pasi që familjet janë vendosur në fshat, ato kanë ndërtuar një baxho ose mandër. Tepricën e produkteve të qumështit ua kanë shitur fshatarëve në fshatrat fqinje. Blerësit kanë thënë se i kanë marrë produktet nga “mandra”, siç e kanë quajtur fshatin./ KultPlus.com