Përurohet shtatorja e komandantit Adem Jashari në Shtime

Për nder të festës së 28 nëntorit është bërë përurimi i i shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, në qendër të qytetit në Shtime. Kjo shtatorë u përjetësua në këtë komunë për të shërbyer si kujtesë për brezat e ardhshëm për sakrificën e paraardhësve për çlirimin e vendit.

Kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli, tha se po promovojnë shtatoren e komandantit Adem Jashari në këtë ditë e moment të veçantë.

“Me luftën e UÇK-së u kurorzua ajo që me shekuj pritej, liria e Kosovës, prandaj në këto ditë të veçanta kur përurojmë shtatore si ky i komandantit Adem Jashari dhe ushtarëve të tij, pjesëtarëve të UÇK-së, sigurisht që na kthehet kujtesa mbrapa jo vetëm për 22 vite por edhe për dekada e shekuj. Populli jonë deri te arritja e lirisë, pati një rrugëtim të gjatë, të vështirë me plotë sakrifica, ku shumë shqiptarë e paguan, madje edhe me gjak. Prandaj të gjithë ne që frymojmë lirshëm e kemi një obligim, kujtesën për të kaluarën dhe respektin dhe gjithsesi atë që më së shumti duhet ta mbajmë mend janë vlerat e UÇK-së sepse ato janë bazamenti, themeli mbi të cilat po ngritët shteti ynë, shteti më i ri, Republika e Kosovës ”, ka thënë ai, raporton kp.

Ai shtoi se komuna e Shtimes ka pasuar transformime të rëndësishme në ndërtim e zhvillim, në emancipim dhe integrim.

“Do mbetet gjithmonë obligim i yni ku do që jemi, që kontributin tonë dhe punën tonë, duke mos harruar asnjëherë të kaluarën tonë të lavdishme me plotë sakrificë të vazhdojmë drejt synimeve tona për shtet dhe për liri dhe për të mirat e gjithë qytetarëve dhe gjithë brezave që vijnë”, ka thënë Ismajli.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i zgjedhur, Qemajl Aliu, përfaqësues të shoqatës së familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të invalidëve të luftës dhe qytetarë të shumtë. / KultPlus.com

Shkatërrohet Qendra Rinore e Shtimes nga disa të panjohur (FOTO)

Komuna e Shtimes përmes një njoftimi ka bërë të ditur se këto ditë nga disa persona të panjohur Qendra Rinore e Shtimes është shkatërruar.

Sipas komunës, në këtë objekt janë bërë dëme të konsiderueshme.

Si masë preventive, Komuna ka filluar instalimin e kamerave të sigurisë dhe do të bëhet shtimi i kamerave vëzhguese në shumë hapësira tjera për të ruajtur pronën.

“Këto ditë nga persona tash për tash të panjohur janë shkatuar dëme të konsiderueshme materiale në Qendrën Rinore të Shtimes. Andaj, Komuna e Shtimes apelon te organet kompetente që të bënë zbardhjen e këtij rasti sa më parë me qëllim që keqbërësit të marrin dënimin e merituar për shkak të dëmtimit të pronës publike.

Keqbërsit përmes këtyre akteve të tilla të vandalizmit po tentojnë të pengojnë rrugëtimin tonë drejt një shoqërie të civilizuar mirëpo ne jemi të vendosur të krijojmë kushte sa më të mira për zhvillimin e aktiviteteve rinore në gjithë komunën e Shtimes.

Si masë preventive, Komuna ka filluar instalimin e kamerave të sigurisë dhe do të bëhet shtimi i kamerave vëzhguese në shumë hapësira tjera për të ruajtur pronën tonë të çmueshme kudo që është. Prandaj, të gjithë ata që dëmtojnë pronën publike do të identifikohen nga Policia e Kosovës, të cilët veçse kanë nisur menjëherë hetimet në terren.

Komuna e Shtimes apelon tek të gjithë qytetarët e saj që të përkujdesen sa më shumë për hapësirat publike kudo që janë ato. Pra, të mbrojmë qytetin tonë së bashku duke ruajtur pronën publike”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/ KultPlus.com