Përurohet shtatorja e komandantit Adem Jashari në Shtime

Për nder të festës së 28 nëntorit është bërë përurimi i i shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, në qendër të qytetit në Shtime. Kjo shtatorë u përjetësua në këtë komunë për të shërbyer si kujtesë për brezat e ardhshëm për sakrificën e paraardhësve për çlirimin e vendit.

Kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli, tha se po promovojnë shtatoren e komandantit Adem Jashari në këtë ditë e moment të veçantë.

“Me luftën e UÇK-së u kurorzua ajo që me shekuj pritej, liria e Kosovës, prandaj në këto ditë të veçanta kur përurojmë shtatore si ky i komandantit Adem Jashari dhe ushtarëve të tij, pjesëtarëve të UÇK-së, sigurisht që na kthehet kujtesa mbrapa jo vetëm për 22 vite por edhe për dekada e shekuj. Populli jonë deri te arritja e lirisë, pati një rrugëtim të gjatë, të vështirë me plotë sakrifica, ku shumë shqiptarë e paguan, madje edhe me gjak. Prandaj të gjithë ne që frymojmë lirshëm e kemi një obligim, kujtesën për të kaluarën dhe respektin dhe gjithsesi atë që më së shumti duhet ta mbajmë mend janë vlerat e UÇK-së sepse ato janë bazamenti, themeli mbi të cilat po ngritët shteti ynë, shteti më i ri, Republika e Kosovës ”, ka thënë ai, raporton kp.

Ai shtoi se komuna e Shtimes ka pasuar transformime të rëndësishme në ndërtim e zhvillim, në emancipim dhe integrim.

“Do mbetet gjithmonë obligim i yni ku do që jemi, që kontributin tonë dhe punën tonë, duke mos harruar asnjëherë të kaluarën tonë të lavdishme me plotë sakrificë të vazhdojmë drejt synimeve tona për shtet dhe për liri dhe për të mirat e gjithë qytetarëve dhe gjithë brezave që vijnë”, ka thënë Ismajli.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i zgjedhur, Qemajl Aliu, përfaqësues të shoqatës së familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të invalidëve të luftës dhe qytetarë të shumtë. / KultPlus.com

Nis peticioni për vendosjen e shtatores së Adem Jasharit në Prishtinë

Grupimi i tifozëve kryeqytetas, “Plisat”, kanë paralajmëruar se tashmë ka nisur peticioni për vendosjen e shtatores s komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në Prishtinë, përcjellë KultPlus.

“Plisat” përmes një statusi në rrjetin social Facebook kanë treguar se tenda për nënshkrimin e peticionit është vendosur afër shtatores së Skënderbeut dhe do të jetë e hapur nga ora 11:00 deri në 23:00.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tyre:

Peticioni nuk është vetëm për qytetarët e Prishtinës por është për të gjithë. Është edhe për ty që je pjesë e politikës, për ty që je rrit politikisht në emër të UÇK-së dhe familjes Jashari, është edhe për ty që ishe shok, bashkëluftëtar i komadantit Adem Jashari, është edhe për ty qe sje i Drenicës, që sje i Prishtinës, është edhe për ty qe je familje dëshmori, veterani e invalidi. Lufta e bacit Adem nuk ishte e ndarë por ai luftoi për Kosovën pjesë të Shqipërisë, luftoi sakrifikoi dhe u flijua me gjithë familjen e tij për të gjithë ne, pra Baca Adem e meriton të jetë në kryeqytetin e Kosovës, përkrah heronjëve të idealit të tij.

Mos prito, dil edhe ti nënshkruaje peticionin në sheshin Skendërbeu në Prishtinë.

Tenda hapet nga ora 11:00 deri 23:00. / KultPlus.com

Shtatorja e Adem Jasharit merr formë

Shtatorja e komandantit legjendar, Adem Jashari ka hyrë në procedurën e realizimit të shtatores në argjilë për të vijuar pastaj në bronz.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shkruar në Facebook se pas finalizimit të shtatoreve të Shaban e Hamzës, edhe shtatorja e komandantit legjendar ka hyrë në procedurën e realizimit të shtatores në argjilë për të vijuar pastaj të trijat në bronz.

“Tri shtatoret, nga nëntori, në Sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas, përjetësisht do t’i japin vlerë, bukuri dhe mesazh gjeneratave se sa e vlefshme dhe sa e çmueshme është liria. Lavdi e përjetshme Jasharajve legjendar”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

Prishtina nuk ka kohë për shtatore të Adem Jasharit

Heroi kombëtar Zahir Pajaziti, Gjergj Kastrioti Skënderbeu e ish-presidenti Ibrahim Rugovës, janë figurat historike për të cilët ka shtatore në qendër të Prishtinës.

Shumë liderë institucionalë e qytetarë, sa herë shënohet 28 Nëntori, bëjnë homazhe në veçanti pranë shtatores së Zahir Pajazitit.

Por, atyre që duan ta nderojnë edhe figurën e heroit Adem Jashari, iu duhet të vizitojnë Prekazin apo Skënderajn, pasi kryeqytetit i mungon shtatorja e tij, shkruan Koha.

Prishtina ka një shesh me emrin e heroit, derisa një fotografi e tij e vendosur për një ndeshje sportive vite më parë, ka mbetur në Pallatin e Rinisë, por që nuk ka ndonjë lidhje me të.

Organizatat e dala nga lufta ka kohë që kanë kërkuar që edhe Prishtina të ketë shtatoren e Adem Jasharit.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Migjen Shala, thotë se kryeqyteti është dashur qysh moti ta nderojë veprën e Jasharit. Shala tregon se një kërkesë e tillë ka kohë që u është drejtuar organeve komunale.

Sipas tij, nuk ka rëndësi lokacioni. Komuna e Prishtinës, në anën tjetër, nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur kryeqytetit do t’i shtohet edhe shtatorja e Adem Jasharit. Tahiri nuk ka dhënë detaje nëse shtatorja e Jasharit do të mund të vendosej në sheshin që mban emrin e tij. Aty për momentin është përmendorja e Vllaznim-Bashkimit, për të cilën Shpend Ahmeti kishte kërkuar referendum.

E familja Jashari nuk ka dashur të flasë për këtë çështje. Bekim Jashari ka thënë se përgjegjësia dhe vendimmarrja për këtë u mbetet udhëheqësve të Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

A i plotëson kriteret kjo shtatore e heroit Adem Jashari?

Ilir Muharremi

Shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari pritet të vendoset më 28 nëntor në Lipjan, e punuar nga artisti Durrsak Idriz Balani. Lartësia e shtatores është rreth 3m e 25 cm, do të peshojë pas derdhjes në bronz afërsisht 1 ton. Pritet që këto ditë kjo vepër monumentale në argjilë, të përgatitet për derdhje në bronz, në një nga fonderitë e specializuara për derdhjen e veprave të artit në Tiranë. Arsyeja pse u zgjodh kjo punë nga Belani është se boceti i tij u vlerësua më i mirë nga autoritetet e Lipjanit. Sa arriti skulptori të futej thellë në botën e heroit? A ngjanë realisht pamja e shtatores me pamjen reale të heroit? A i përket frymës socrealiste skulptura, apo ka diçka nga e sotmja? Nga koka e gjerë tek këpucët a i plotëson kriteret për një figurë madhështore siç qe Jashari? A ka kreativitet vepra? Ose pse gjithmonë heronjtë i paraqesim me pushkë dhe plumba? A mund të qëndroj heroi pa këto?
Skulptori Balani në të gjitha veprat e tij përdorë lëvizshmëri, dinamikë, elegancë… Por, kësaj radhe, figurën madhështore e projekton më mirë krahas atyre shtatorëve të shëmtuara që u bënë për heroin tonë. Nuk e dijë pse së paku fytyrën nga fotot që i kemi për heroin ta paraqisnin origjinal, por gjithmonë me deformime, Balani lirohet nga këto amatorizma, krijon një fytyrë të butë, engjëllore, të pastër, por paska si shumë ka lëmuar pjesën e ballit, hundës dhe mjekrës. Hundën e paraqet më të vogël krahas me hundën origjinale të heroit. Dihet që Ademi hundën e kishte më të gjerë në pjesën e poshtme. Po të ishte më e gjerë do ishte origjinal fytyra e Jasharit. Shihet që ka bërë përpunim të mirë të fytyrës, ka nxjerrë forma nga heqja e madhe e pjesëve. Nuk është vetëm ngjashmëri e fytyrës me heroin, por e veçohet ana estetike, e lëmon aq shumë, me qëllim depërtimit të dritës mbi fytyrë. Ka një ekuilibër harmonikë fytyra. Nuk përqendrohet te mjekra, gjatësia, por te ana e muskujve, lëkura, dhe artisti që nxjerr mirë muskujt me saktësi, ka arritur ta sfidoj skulpturën. Pjesën e flokëve e paraqet më të shkurtra, kur dihet në çdo fotografi Ademi i kishte më të gjata.

Nga ana vizuale, dora e djathtë duket pak më e zgjatur se e majta, ndonëse plumbat peshojnë, dhe pjesën e sipërme të krahut e jap si më të vogël, më të ngushtë. Është përthyerje e madhe e dorës dhe krahut të djathtë. Gishtërinjtë janë pak më të mëdhenj sesa ata që duhet të jenë me përmasa të sakta natyrale krahas me madhësinë trupore. Mëngët te duart duhet paksa të zmadhohen në raport me shuplakën e dorës.
Gjoksi është mirë i punuar, kurse kostumi në raport me muskulin, është më i vakët, kjo e qëllimshme sepse Balani sforcon pjesën anatomike muskulore. Është pak i ngarkuar me armë, sidomos në kohën në të cilën jetojmë.

Madhështia e skulpturës nuk qëndron te armët, kjo pak na vret syrin, por te fytyra, karakteri, veshja, lëvizja trupore, e në këtë rast, shtatorja përmes fytyrës shprehë paqe, kurse përmes qëndrimit etje për luftë. Qëndrimi dhe fytyra janë të kundërta njëra me tjetrën.

Pjesa e pantallonave i ka vetëm dy thyerje në pjesën e djathtë të këmbës nga lartë dhe te pjesa e këpucës poshtë. Pantallonat janë shumë të lëmueshme, të drejta të jep përshtypjen e materialit të kadifes ngjajnë edhe si tuta. Pantallonat është dashur të jenë më me lakime, më të vrazhda sepse është një ushtarak. Skulptura duhet ta ketë një stil të punës nga fytyra e deri te këpuca. Duhet të respektohet liria e artistit, veçanërisht tek stili i tij. Këpucët duken sikur të njëjta, por ndoshta kjo vetëm vizualisht mashtron, nëse vendoset mbi bazament, mund të peshoj më mirë. Pushka nuk është theksuar mjaftë krahas me elementët tjera nuk arrihet saktë forma e shprehjes së saj.

E bukura e skulpturës është se heroi duket shtatdrejtë, ashtu siç ishte vërtetë. Ka përmbajtje të fortë, ka ritëm, dhe nga sytë e tij del shpirti origjinal i Ademit. Trajtimi është shumë realist, i saktë në tërësi, e riprodhuar më imazh tejet të fuqishëm, dinamikë, dhe çdo aksentë është mirë i përpunuar, gjithmonë them në tërësi, përjashtuar detajet e vogla që u theksuan më sipër.

Pse gjithmonë heronjtë të ngarkuar me pushkë dhe plumba? Kjo shtatore ka imazh tipik socrealist dhe arti s’mund t’i takojë të gjitha kohërave, përcaktohet nga koha e tij, gjithmonë shprehë vlerat më të privilegjuara qofshin heronj apo ndonjë klasë dominuese. Skulptura e sotme, është konceptuale, zbukurim i hapësirës dhe shfrytëzuese në raport me hapësirën. Duhet pra ta krijojmë të bukurën absolute brenda vendit dhe kohës në të cilën jetojmë. Jo të jetë bukuri kalimtare siç e krijoji Rafaeli, kjo ndonëse qe e pakuptueshme për njeriun e ri. Ademi për njerëzit e ri duhet të jetë i kuptueshëm dhe skulptori Balani kishte dashur t’ja vë në kokë plisin. Ky veprim i tij u mohua, por do ishte më e arsyeshme vendosja e plisit kur bëhet fjalë pas njëqind vjetësh, dhe identifikimi i tij mund të keqkuptohet nga njerëzit në rajon e më gjerë. Plisi do ruante të vërtetën mbi kokën e Ademit. Nëse heronjtë do i lirojmë nga pushka dhe plumbat, mund ta deformojmë biografinë e tyre. Skulptura ndërtohet mbas biografisë së personazhit. Veçanërisht shtatoret në vendet publike, por edhe skulpturat e parkut.

A duhet të lirohemi nga shabllonet e paraqitjeve të heronjve? Në planin estetik, po, në planin historik jo. Duhet të harmonizohen të dyja këto, me kujdes dhe ruajtje të madhe ndaj patetikës. Qëllimi i çdo skulpture të sotme nuk është më të imitojë saktë njeriun, por ta stilizoj pa e deformuar, të mbajë ngushtë shprehjet e tij që janë domethënëse (ana ushtarake), të bëjë vërtitje të shumta të qëndrimeve, të ngrihet mbi frontin e krejt qyteteve, të zhurmojë me perfeksionin anatomik gjithmonë stilist.
Andaj, lirisht mund të them se kjo shtatore krahas me ato që u punuan për heroin Adem Jashari është më e kompletuara njëherësh dhe shpresoj ta meritoj vendin e duhur. / KultPlus.com