“Sajtet e institucioneve kanë mungesë të kritereve bazë të sigurisë”

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Blerim Rexha ka pohuar se sajtet e institucioneve kosovare kanë nevojë për përmirësim sepse atyre iu mungojnë kriteret bazë të sigurisë.

“Në vitin 2015 ne kemi bërë një analizë pothuajse për të gjitha sajtet e institucioneve publike dhe në bazë të asaj analize kemi bërë edhe një publikim shkencor që është mirëpritur shumë mirë nga komuniteti akademik ku kemi analizuar sigurinë e këtyre sajteve në varshmëri të kompetencës së zhvilluesve të softuerit dhe kemi parë që shumë sajte të këtyre institucioneve kanë mangësi të cilat e cenojnë privatësinë dhe rrezikojnë sigurinë e atyre shënimeve”, ka thënë Rexha.

“Mirëpo nga viti 2015 e deri më tani është bërë një përmirësim i dukshëm, por ende shumë institucioneve iu mungojnë kriteret bazike të implemetimit të mekanizmave të sigurisë dhe pra si përfundim shumë institucione kanë nevojë të përmirësojnë faqet e tyre në internet nga kuptimi i sigurisë”.

Profesori universitar ka treguar për EO se mangësia kryesore që kanë këto sajtë është mungesa e certifikatës së sigurisë.

“Në rend të parë tani viteve të fundit kemi parë një përmirësim nga protokolli i sigurisë që ne e quajmë një SSL protokoll ose një certifikatë e sigurisë, dhe tanimë thuajse të gjitha faqet e kanë këtë, por ka ende disa, kjo është e para. Pastaj ka ende shumë faqe të kenë formën e autetifikimi ku shfrytëzuesi gjegjësisht përdoruesi duhet së pari të regjistrohet dhe pastaj të autetifikohet që i bien që duhet të tregoj kredencialet e veta dhe çdo veprim i mëvonshëm len gjurmë në faqen e institucionit ashtu që mos të kemi veprime anonime në faqe sidomos të institucioneve qeveritare”, ka thënë Rexha.

Po ashtu Rexha ka këshilluar institucionet që të mos jenë rehat pse kanë një faqe të sigurt sepse kjo gjë mund të mos vlejë edhe nesër por të punojnë vazhdimisht në avancimin e sigurisë.

“Pre e sulmeve kibernetike mund të jenë të gjithë. Sa më i vlefshëm informacioni që mbajnë ato faqe aq më i madh është interesimi për sulme ndaj atyre faqeve prandaj kjo varet shumë nga lloji dhe sasia e informacionit që mbajnë ato faqe. I sigurt nuk është askush sepse kjo është një garë e vazhdueshme në mes të zhvilluesve dhe keqdashësve apo keqbërësve në internet”, ka thënë ai,

“Kështu që institucionet nuk duhet të ndihen rehat e të jenë të qeta nëse kanë një faqe sot të sigurt sepse ajo nuk do të thotë që është nesër e sigurt. Dhe kjo është një punë, shkollim e trajnim i vazhdueshëm i atyre që merren me mirëmbajtjen dhe azhurnimin e këtyre faqeve”.

Sipas profesorit përgjegjës për ruajtën e të dhënave të qytetarëve është Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Për të dhënat e qytetarëve kemi institucionet përgjegjëse që janë të thirrura me ligj që të ruajnë të dhënat personale. Kjo është detyrë e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që të sigurojë që këto të dhëna të mos keqpërdorën gjegjësisht të mos përfundojnë në palë të treta. Kjo është përgjegjësi në rend të parë e institucionit dhe agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale”, ka përfunduar Rexha. /express/ KultPlus.com

Koordinatorit nacional për Siguri Kibernetike, Zafir Berisha, i hakohet llogaria në Facebook

Pak orë pas emërimit Koordinator Nacional për Siguri Kibernetike, zv.ministrit të Brendshëm, Zafir Berisha i është hakuar llogaria e tij në Facebook.

“As 3-4 orë nga emerimi i Zafir Berisha u thye Facebooku i tuij hahahaha. N’dor t’kuejt ka met siguria kibernetike qe facebookin e vet sun e run. Me Respekte nga PRESHEVA!”, shkruhet në një postim nga llogaria e tij.

Në një status të mëvonshëm disa minuta më pas, nga llogaria e Berishës është shkruar se synimi i vetëm i këtij veprimi është që të gjithë ta shohin se “në dorë të kujt ka mbetur siguria kibernetike”.

“Mos m’shkruni mesazhe se ja kthej Facebookun, as që jom tu e kontrollu. Vetëm vlerësone se në dor t’kujt ka met siguria kibernetike”, shkruhet në status.

Emërimi i tij si koordinator për Siguri Kibernetike kishte nxitur debat në rrjetet sociale.

Berisha, zv.ministër i Brendshëm i Kosovës, pos koordinatorit për Siguri Kibernetike është emëruar edhe koordinator për menaxhimin e emergjencave.

Përpos Berishës, Agron Bacaj është caktuar koordinator kundër krimit të organizuar; koordinator Nacional për parandalimin e krimit dhe koordinator për kontrollin e armëve të vogla, të lehta dhe eksplozivëve. Po ashtu, Milan Radojević është autorizuar t’i ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë e koordinatorit kundër narkotikëve; koordinatorit nacional për siguri në bashkësi, dhe koordinatorit Nacional kundër trafikimit me njerëz. Yildiray Bajram ndërkohë është autorizuar për Menaxhim të Integruar të Kufirit; për Riintegrim, dhe Riatdhesim të Personave dhe si dhe të Koordinatorit Nacional për Migrim. / KultPlus.com