Silvira Tomazini, emrin e së cilës e mbante dikur Gjimnazi i Mitrovicës

Silvira Tomazini, komunistja që luftoi Xhafer Devën në Mitrovicë, qytet në të cilin edhe do të vritej (II).

Silvira Tomazini lindi më 2 dhjetor 1913 në Triestë të Italisë, nga prindërit italiano-slloven. Shkollimin fillor, përfshi atë të mesëm e kreu në Slloveni, për të vazhduar studimet në Fakultetin e Filiologjisë në Lublanë për gjuhë gjermane.

Gjatë studimeve, të cilat i përfundoi më 1938, u angazhua me lëvizjet komuniste, duke u bërë fillimisht anëtare e Lidhjes së Rinisë Komuniste Jugosllave dhe më pas, Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Nga kjo e fundit, Tomazini do të angazhohej si mësuese e gjuhës gjermane në njërën nga shkollat e mesme në Mitrovicë më 1940. Përveç veprimtarisë arsimore, ajo u angazhua edhe në punët e partisë si dhe në çështje humanitre, duke e ndërtuar kështu një kuzhinë popullore për nxënësit e varfër në Mitrovicë.

Pas pushtimit të Jugollsavisë nga Gjermania fashiste më 1941, Tomazini do të angazhohej kundër tyre, fillimisht si pjesë Lëvizjes për Çlirimin e rajonit të Mitrovicës dhe më pas si pjesë e trupës organizative për shpërndarjen e materialeve propaganduese kundër okupatorit nazist. Vendbanimi i saj u bë seli e fshehtë e njërës prej pikave të Partisë Komuniste Jugosllave, ku Tomazini ushtronte funksionin e anëtares së bordit të Frontit të Grave Antifashiste në Mitrovicë. Celula të tjera tashmë ishin formuar në Stantërg, Zveçan si dhe afër Stacionit të Hekurudhës.

Në verën e vitit 1942, forcat e Xhafër Devës, një bashkëpunëtor i hapur i gjermanëve dhe administrator lokal i pushtetit në Mitrovicë, do të ndërmerrnnin akcione për dëbimin e kolonistëve serbë, burgosjen e atyre që ishin pjesë aktive në luftën anti-fashiste, ku më i njohuri ishte ai fillimit të gushtit, nga i cili u arrestuan 17 persona, në mesin e të cilëve ishte edhe Silvira Tomazini. Pas një tentimi të pasukseshëm për arratisje më 13 gusht, ajo do të kapej dhe do të pushkatohej nga xhandarmëria shqiptare në bashkëpunim me forcat gjermane, në Stacionin Hekurudhor në Mitrovicë, i cili në atë kohë shërbente si burg.

Pas largimit të gjermanisë naziste, Silvira Tomazini do të kujtohej si një atdhetare e madhe në Mitrovicë nga komunistët. Më 27 nëntor, 1953, nga dekreti i presidentit të Jugosllavisë Josip Tito, ajo u shpallë “Heroinë e popullit”. Monumente, pllaka përkujtimore si dhe shfaqje të shumta teatrale për veprimtarinë e saj. Deri në vitet e 90’ta, Gjimnazi i qytetit të Mitrovicës do ta barte emrin e saj, i njohur tash si “Frang Bardhi”.
Përgatiti: Besart Peci. / KultPlus.com