Sloterdijk: Puna skllavërore dhe puna në përgjithësi

Peter Sloterdijk (1947), filozof dhe eseist gjerman, profesor i estetikës në Hochschule für Gestaltung të Karlsruhes, rektor i të cilit është që nga viti 2001. Jep mësim po ashtu edhe në Akademinë e Arteve të Bukura të Vjenës.

PUNA SKLLAVËRORE DHE PUNA NË PËRGJITHËSI

Peter Sloterdijk

Nata e gjatë e parahistorisë avulloi në muzgun e kohës historike kur gjuetarët dhe mbledhësit e epokave më arkaike arritën te një zbulim përplot me pasoja: gjuetia e preve kafshërore mund të zgjerohej me pretë njerëzore.

Pas kësaj erdhi afirmimi i skllavërisë, një institucion i mbetur në këmbë për kohë të gjatë dhe paralel me rritjen e bagëtisë. Në atë epokë muzgore edhe mbarështimi i kafshëve kaloi nga gjahu – ku qëllimi ishte vrasja – te kontrolli – ku qëllimi ishte shfrytëzimi – me pasoja që s’do të reshtnin kurrë as në epokën historike. Tash mund të saktësohet formula primare e këmbimit organik: «forca muskulore + x». Në gjithë atë që vijon, lypset të bëhet dallimi mes forcës muskulore vetanake (të atij që dominon) dhe e të tjerëve (të skllevërve dhe kafshëve të barrës). Vijon dallimi i dytë, që shënjon një ndarje jashtë rethit simbolik. Përtej plusit piroteknik, në shoqëritë e para të bazuara në rritjen e bagëtive dhe te skllevërit hyn në lojë një rritje vendimtare e forcës muskulore të kontrollueshme, që mund të përdoret për të gjitha veprimet që futen në tipologjinë «punë», mbi të gjitha në rrethin e agrikulturës së sapofilluar dhe në kontekstet e ekonomisë së pallatit, por edhe në ndërtimin e tempujve dhe varreve princërore.

Në rastet kur zgjerohet horizonti i «punës» së kuptuar kështu, të bazuar në zanafillë në forcën muskulore të të tjerëve, bilanci energjetik i «shoqërive», ose më mirë i ndërtimeve të para shtetëtore, njeh një zgjerim thërmues. Pikërisht ky zgjerim do t’u japë jetë qytetërimeve të para të avancuara si mbistruktura të një sasie masive të argatllëkut skllavëror. Në këtë mënyrë mund të lindte ideja mashtruese se «puna», e kuptuar si shumë e mundimeve muskulore të një popullsie, kalonte në vendin e parë të bilancit energjetik të shteteve despotike, ndërsa kontributet nga sfera e lëndëve djegëse bëheshin sekondare. Në të vërtetë, shuma e sferave muskulore në një sistem të parakohshëm shtetëror ose agroimperial është i përbërë në radhë të parë nga puna e skllevërve, qoftë ajo e kryer nga insividët që Platoni i quan «shteti i tretë» (përfshirë artizanët, bánausoi, demiourgói), apo nga «barbarët» e nënshtruar, që filozofi i konsideron të destinuar të jenë skllevër «nga natyra» (katá phýsin) për shkak të barbarive të tyre, do të thotë të qenies së tyre pa arsye.

Në këtë kuadër, megjithatë, definicioni aristotelian i skllavit si «instrument i gjallë» tregohet qysh nga fillimi i pamjaftueshëm: ajo që ka rëndësi nuk janë gjithaq cilësitë e instrumentit mekanik të një skllavi sa struktura e tij prej anglomerati muskulor antropomorf, pra edhe përdorshmëria e tij si makina e parë për prodhimin e energjisë. Historia e impianteve të prodhimit të energjisë mekanike (ku sistemi energjetik parëzohet me një sistem zbatimi) nuk fillon me mullinjtë e shumtë me ujë të Mesjetës, as me mullinjtë e erës, që e gjallëruan peizazhin e vendeve të Evropës veriore, duke filluar nga shekulli XVI (duket se veç Holanda kishte më shumë se dhjetë mijë mullinj, perandoria gjermane njëzet mijë), as me makinën me avull, që duke filluar nga gjysma e shekullit XIX i kanë tejkaluar sistemet më antike të prodhimit të energjisë. Përkundër, fillon mijëra vjet më parë, me përdorimin e biomakinave humanoide, të shtyra nga muskujt, të ndjeshme ndaj komandave dhe në gjendje të sillnin rezultatet e dëshiruara.

Në terma juridikë, karakteristika e statusit të skllavit është mungesa e zotësisë për të poseduar lirisht vetveten. Edhe sipas konceptimit antik, skllevërit janë krijesa me formë njerëzore, po megjithatë të konsideruar nga pronarët e tyre si robotë në të cilët, në njëfarë mase, pulla «unë» është e çaktivizuar. Gjithsesi s’e kanë posedimin dhe zotërimin e vetes së tyre. Duken të programuar «për nga natyra» që të jenë të qeverisur nga të tjerët, qoftë në kontekstin e përdorimit shtetëror, qoftë në atë të dimensionit civil dhe shtëpiak, ku skllevërit janë në varësi të drejtpërdrejta të pronarëve. Sipas Codex Iustiniani të vitit 529, një skllav që ikën nga pronari mund të akuzohet me fajin e «vjedhjes së vetvetes» (furtum sui), një krim paradoksal, ku i njëjti jo-person, i privuar nga të drejtat, paraqet në të njëjtën kohë hajnin dhe të mirën e vjedhur.

Mënyra e vetme legale sipas së cilës skllevërit mund të fitonin posedimin legjitim të vetvetes ishte akti i çlirimit (manumissio, nga manumittere, përbërë nga mittere, përzë, largoj dhe manu, me dorë), që bëhej nga pronari. Një ikje në masë e skllevërve mund të shndërrohej në një gjendje të lirisë relative nëpërmjet një akti legalizimi ex post: me lejimin e përgjitshëm të së drejtës së nënshtetësisë (siç bëri Caracalla me ediktin e vitit 212), ose nëpërmjet një imitimi në çelës religjioz të «emancipimit» civil. Në këtë rast, skllavi shkëputet nga pronari i tij tokësor për t’iu betuar për besnikëri Krishtit, pronarit të tij të ri. Paradoksi i krishterë kulminon në shkrimin e Luterit Mbi lirinë e të krishterit (1520), ku akti i emancipimit nga çdo dominim i jashtëm lidhet me skllavërinë vullnetare në shërbim të dashurisë; me ca sforcime, Luteri e justifikon detyrimin e nënshtrimit ndaj autoriteteve sekulare përmes argumentit, blasfem në mënyrë të mjegullt, sipas të cilit edhe ato autoritete kanë prejardhjen nga Zoti. Në këtë kontekst, pohimi i Palit që përkufizohet «skllav i Krishtit» duket në mënyrë programatike i ngarkuar me pasoja (doúlos Christoú*) dhe përmban in nuce fundamentin e një shoqërie skllevërish në shtëpinë e një autoriteti mbitokësor. Për këtë arsye, në Perëndim qenia njerëzore, si e krishterë, gjendet përherë në skenë si shërbëtore e dy pronarëve.

Gjatë gjithë periudhës së karakterizuar nga shoqëritë skllavëruese afrimohet një formulë e re për këmbimin organik: pushtet i komandës + park i biomakinave + x piroteknike. Dukshmëria masive e ushtrisë së skllevërve punëtorë përherë e ka fshehur faktin se, edhe sa ishte në fuqi mospërdorimi i forcës muskulore energjetike, ndihma e dhënë nga piroteknika gjithmonë ka ndërfutur një plus të çmueshëm të paktën sa puna skllavërore në regjimet metabolike të kulturave të avancuara në rrugë të maturimit: e ka bërë nën formën e vatrave të pafundme që sillnin efektet e dëshiruara në oxhaqe, furnela, stufa, furra, manifaktura metalurgjike, furra për qeramikë dhe vaska. Kjo vlen posaçërisht për qytetërimet e Epokës së bronzit, kur shkrirja e kallajit dhe bakrit në një lidhje të përshtatshme për të prodhuar armë e bënte të nevojshme një sasi të konsiderueshme të lëndës djegëse. Në të vërtetë, qysh Aristoteli kishte zhvlerësuar drurin duke e konsideruar si një materie pa cilësi dhe, para shpikjes së pylltarisë në Gjermani në fillim të shekullit XIX, pyjet nuk kishin kurrfarë mbrojtjeje; termi Nachhaltigkeit, «mbrojtje», fundamental në zhargonin pyjor (i ngjizur më 1713 nga Hans Carl von Carlowitz në librin Sylvicultura oeconomica), është në gojën e të gjithëve vetëm tash së voni, i shoqëruar nga korresponduesi i tij në anglisht sustainability. Ai që i përket një shoqërie të themeluar mbi shfrytëzimin e energjisë fosile e përdor këtë term për t’i bërë homazh të nxituar dhe faqor dijes antike pyjore, duke vazhduar ta injorojë gjerësisht kuptimin e tij të vërtetë: sipas parimit të ripërtëritjes së vazhdueshme është e mundshme të nxirret nga burimet ekzistuese vetëm ajo që mund të zëvendësohet në mënyrë të përshtatshme ose, me terma pyjorë, mund të garantojë një «rirritje».

Me imponimin e njerëzve të pajisur me fuqinë e komandës në raport me skllevërit, shërbëtorët dhe personat e obliguar të nënshtrohen, në gjuhët perandorake funksioni vokativ zhvillohet, në rrafshin formal dhe pragmatik, duke u shndërruar në imperativ. Zotësia për të përdorur fraza komandimi në mënyrë efikase dhe të kuptimtë e karakterizon klasën e pronarëve. Skllevërve u ngulitet habitus të përgjigjen me përulësi, ose thënë më mirë, t’u paraprijnë urdhrave me një qëndrim disponueshmërie të përulur. Nga këtej përshëndetja latine ego sum servus tuus, prej nga vjen servus e gjermanishtës meridionale dhe io sono il tuo schiavo (unë jam skllavi yt) në italisht; ose ciao; që të dy format sot përdoren vetëm në shkëmbimin komplimenteve mes të të barabartëve. Në shkrimet e tij politike, Aristoteli këmbëngul me njëfarë pathosi në faktin se nuk mund të ekzistojë një komunitet, një «rregullim i zakonshëm» njerëzor, nëse struktura nuk është e ndarë mes një dominimi dhe një të qeni i dominuar (árchein e árchestai). Ai që dominon duhet të jetë për nga natyra i zoti të reflektojë (diánoia); ai që nënshtrohet vihet në anën e mungesës së reflektimit. Ndërsa bëhet plotësisht skllav vetëm ai që në ekzsitencën e tij mbetet krejtësisht i kufizuar në sferën e trupit (sóma**). Sipas rregullit, dëgjueshmëri do të thotë të jesh i gatshëm t’iu nënshtrohesh programeve që parashikojnë sforcimin muskulor***.

Ekonomia skllavërore me mbistrukturat e saj padronale has në limite përgjithësisht të ngurta në faktin se një dru mund të digjet vetëm njëherë (ndërsa vjeljet në ara ripërtërihen përherë me ritmin vjetor falë forcës rigjeneruese të tokës, që garanton njëfarë rregullësie). Që një dru të rirritet do të duhet të të kalojnë disa vite. Ngadalësia e prodhimit të drurit e zbut arrogancën e pronarëve dhe pamjaftueshmëria relative e bollëkut të kultivimit të arave dhe kopshteve e përcakton kusurin. Edhe ngadalësia e këmbimeve taksore të mallrave që vijnë nga territore të afërta dhe të largëta nuk lë margjina të gjera për burimet fiskale të princërve. Ligji i pamjaftueshmërisë, që mbetet i pashkelur, ua kujton edhe tiranëve se lëshimi në dëshirën e pretendimit të së pamundshmes nuk sjell tjetër veçse rrënimin e gjithçkajes.

Shënime:

*Romakët, I, 1 dhe në katër pasazhe të tjera. Në periudhën moderne, qeniet njerëzore mund të konsiderohen në pjesën më të madhe si pasues dhe pasardhës të skllevërve të ikur apo të liruar. Përmes Deklaratës së të drejtave të njeriut dhe të qytetarit, të redaktuar më 1789 dhe më pas të rielaboruar, vërtetohet se skllevërit kishin të drejtën të vidhnin vetveten meqë, nëse më parë kishin qenë skllevër, ishin shkëputur nga vetvetja me një akt ilegal tjetërsimi. Motoja e Paracelsit «Ai që e di se i përket vetvetes nuk i përket askujt tjetër» paraqet parimin modern sipas të cilit ai që është i rritur dhe i moshës madhore është për nga natyra një qenie që ka zotësinë të jetë i lirë dhe fëmijët e qenieve njerëzore duhet të edukohen në atë mënyrë që të jenë të zotë të jenë të lirë.

**O. Gigon, Die Sklaverei bei Aristoteles, në Entretiens sur l’Antiquite classique, II, 1965, fq. 247-276.

***Mes këtyre, aktivitetet (jo rrallë skllavërore) e prerësve të druve, nxjerrësve të thëngjillit, të fokistëve dhe të farkëtarëve vihen sipas çdo gjase në kufirin mes ekonomisë muskulore dhe ekonomisë piroteknike. Duke u nisur nga periudha e thëngjillit, në shekullin XVIII, pozicioni ndërmjetësor zihet nga punëtorët e minierave të thëngjillit. Bashkë me tipografët dhe punëtorët e furrënaltave në industrinë e hekurit dhe të çelikut, përbëjnë elitën e proletariatit klasik, heroik.

/Marrë nga Peter Slotedijk, “Il rimorso di Prometeo. Dal dono del fuoco al grande incendio del pianeta”, Marsilio, 2024

/Përkthimi: Gazeta Express/KultPlus.com