40-vjeçari që merr rrogë në ministri, por paraqitet në punë vetëm një herë në muaj

Një 40-vjeçar serb nga Mitrovica e Veriut (emër i njohur për redaksinë), detyrim të vetëm për marrjen e pagës mujore nga institucionet e Kosovës e ka paraqitjen në punë një herë në muaj në një ministri në Prishtinë. Vite më parë, ai i ishte bashkangjitur strukturës paralele serbe në veri, ‘Mbrojtja Civile’.

Pas vendimit për shpërbërje të kësaj strukture dhe pas marrëveshjes së Brukselit për integrimin e stafit të Mbrojtjes Civile, ai ishte punësuar në një nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. Ka kontratë të përhershme, por nuk ka detyra ditore, e as vend pune.

“Kam nënshkruar një kontratë për të punuar, jo për të mos punuar, por agjencitë nuk janë të hapura, nuk ka vend për të punuar. Nuk është faji im. Mendoj që kjo situatë i përshtatet dikujt që të jemi vetëm në listën e pagave, pa shpenzime të tjera, zyra, kompjuterë, letër, etj”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.

Sipas tij, situatë të njëjtë kanë edhe shumë ish-kolegë të tij në ‘Mbrojtjen Civile’.

Disa nga institucionet qendrore në Prishtinë kanë dështuar në hapjen e agjencive dhe degëve të ministrive në pjesën veriore të vendit, ku do të akomodoheshin ish-pjesëtarët serbë të ‘Mbrojtjes Civile’. Kjo strukturë ishte shpërbërë më 2015/16, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e ku Kosova kishte marrë përgjegjësinë për integrimin e tyre në institucionet e vendit.

Rreth 483 ish-pjesëtarë të kësaj strukture paralele janë punësuar nëpër institucione e agjenci shtetërore, por një pjesë e konsiderueshme e tyre, marrin paga, pa bërë asnjë ditë pune efektive.

Pas fillimit të procesit të integrimit, në Mitrovicën e Veriut ishte bërë një përpjekje për hapjen e zyrave të ministrive dhe agjencive, ku do të punonin ish-pjesëtarët e ‘Mbrojtjes Civile’, porse një hotel i dedikuar për këtë qëllim, ishte sulmuar menjëherë pas prezantimit si qendër e institucioneve të Republikës së Kosovës, më 28 dhjetor, 2016.

Bashkëbiseduesi i Radios Evropa e Lirë thotë se kjo gjë pati shkaktuar frikë në mesin e atyre që patën nënshkruar kontrata me Qeverinë e Kosovës, dhe se një frikë e tillë ende ekziston.

Ish-udhëheqësja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se këtë çështje e sheh si problem politik, pasi Serbia, pavarësisht se kishte nënshkruar marrëveshjen në vitin 2015, e kishte penguar zbatimin e saj.

“Serbia duhet të mos e pengojë veprimin e institucioneve të Kosovës në veri. Kur ne i kemi punësuar si shërbyes civilë, ish-punonjësit e të ashtuquajturës ‘Mbrojtje Civile’, dhe kur unë kam shkuar të hapë zyrat e ministrive me veprim lokal, atë ditë Serbia i ka bombarduar dhe ka pamundësuar funksionimin”, tha Tahiri.

Ajo shtoi se zbatimi i Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk duhet të ndodhë, para se Serbia të shuajë të gjitha strukturat e saj paralele.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga personazhi i këtij rrëfimi, por edhe nga bashkëbisedues në veri të Kosovës, se edhe në komunat që punojnë me sistem të Kosovës, ekziston ky fenomen, ku punëtorët marrin paga, pa u paraqitur fare në punë.

Radio Evropa e Lirë, ka kërkuar përgjigje nga disa ministri, duke përfshirë Ministrinë e Brendshme, atë të Punës, por nuk i janë përgjigjur pyetjeve të dërguara, pos Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, që është organ i pavarur në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Nehat Koqinaj nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent i tha Radios Evropa e Lirë se 82 pjesëtarë të ish-Mbrojtjes Civile janë integruar dhe kanë detyra specifike në komunat veriore të Kosovës.

“Ata janë të sistemuar në njësitet profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan. Po ashtu edhe në Qendrën operative emergjente QOE 112 , e cila me lokacion është ne Komunën e Zveçanit”, sqaroi Koqinaj.

Sipas tij, i gjithë personeli është aktiv dhe se raportojnë në baza ditore.

Edhe Adriana Hoxhiq, që e administron zyrën e Qeverisë së Kosovës në veri, thotë se kanë hapur disa zyra, porse nuk ka specifikuar se cilat janë ato.

“Ata janë të obliguar të paraqiten çdo ditë në punë”, tha Hoxhiq për Radion Evropa e Lirë.

Si ishte krijuar ‘Mbrojtja Civile’?

Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ‘Mbrojtja Civile’ ishte themeluar më 2006, në kohën kur në Serbi, kryeministër ishte Vojisllav Koshtunica.

E konsideruar si struktura paralele më e rrezikshme për sigurinë nacionale të Kosovës, në fillim kishte rreth 500 anëtarë, por me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008 dhe pastaj më 2013 dhe 2014, numri ishte rritur në rreth 751.

Pjesëtarët e saj kishin të kaluar ose ishin trajnuar me metoda ushtarake.

Ata paguheshin nga Qeveria e Serbisë, dukë përfshirë këtu edhe rreth 200 pjesëtarë të tjerë, të cilët ishin në komunat e tjera me shumicë serbe në jug të lumit Ibër. ‘Mbrojtja Civile’ ishte përgjegjëse edhe për barrikadat në veri, të cilat u hoqën po ashtu me Marrëveshjen e Brukselit.

Për shuarjen e kësaj strukture paralele ishte diskutuar për më shumë se 2 vjet në Bruksel, ku Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për integrimin e tyre në institucionet e Kosovës në vitin 2015. Ata janë sistemuar me vende pune në 9 ministri, dhe 11 agjenci e institucione të tjera shtetërore. / KultPlus.com

Covid-19 mbyll shkollat, fëmijët e botës detyrohen të punojnë në përpjekje për mbijetesë

Teksa si pasojë e Covid-19 u mbyllën shkollat, fëmijët rreth botës u detyruan të shkojnë në punë. Nxënësit po kryejnë punë të paligjshme dhe shpesh të rrezikshme në Indi dhe vendet e tjera në tranzicion, shkruan The New York Times, përcjellë KultPlus.

Çdo mëngjes përpara blloqeve të banesave publike të Devaraj Urs në periferi të qytetit Tumakuru, një tufë fëmijësh shihen në rrugë. Ata nuk shkojnë në shkollë. Në vend të çantave të shpinës ose librave, secili fëmijë mban një thes plastike. Këta fëmijë, nga 6 në 14 vjeç, dërgohen nga prindërit e tyre për të kontrolluar deponitë e mbeturinave të mbushura me xhama të thyer dhe copa betoni, në kërkim të plastikës së riciklueshme. Ata fitojnë disa cent në orë dhe shumica nuk mbajnë doreza ose maska. Shumë prej tyre nuk kanë këpucë dhe kryejnë punën e tyre zbathur, me këmbë të gjakosura.

Në mars, India mbylli shkollat për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe Rahulit 11 vjeçar iu desh të shkonte në punë. “Unë e urrej atë”, shprehej ai.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të zhvilluara debatojnë për efektivitetin e shkollimit në internet, qindra miliona fëmijëve në vendet e varfëra u mungon kompjuteri ose interneti dhe nuk kanë fare shkollim. Puna e fëmijëve është vetëm një pjesë e një katastrofe globale që po afron. Uria e rëndë po i ndjek fëmijët nga Afganistani në Sudanin e Jugut. Martesat e detyruara për vajzat dhe trafikimi i fëmijëve, sipas zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara, po rriten në të gjithë Afrikën dhe Azinë. Punëtorët e ndihmës në Kenia thanë se shumë familje po dërgojnë vajzat e tyre adoleshente në punë seksuale për të ushqyer familjen. Në Indonezi, djem dhe vajza të moshës 8 vjeç pikturohen në argjend, për t’u kthyer pamjet e tyre si statuja të gjalla që kërkojnë lëmoshë. I tillë është rasti me 14 vjeçaren, Surlina nga kryeqyteti indonezian. Ajo e lyen veten me argjend për t’i ngjarë një statuje dhe qëndron në një pikë karburanti me dorën e shtrirë për para. Nëna e saj është shërbëtore dhe babai i saj shiste skulptura të vogla para se pandemia ta linte pa punë. Në fund të çdo dite ajo ia jep fitimet nënës së saj, e cila i furnizon me ngjyrë, atë dhe dy vëllezërit e motrat e saj, 11 dhe 8 vjeçar.

“Nuk kam zgjidhje”, tha Surlina. “Kjo është jeta ime. Familja ime është e varfër. Çfarë tjetër mund të bëj?” Ajo ndonjëherë përpiqet të lexoj nga një libër pune në klasën e gjashtë por e ka të vështirë leximin. “Kjo më bën të trullosem dhe askush nuk më ndihmon”, tha Surlina. “Unë thjesht heq dorë.”

Fëmijët e moshës shkollore në Indi tani po kryejnë të gjitha llojet e punëve, nga përgatitja e cigareve dhe grumbullimi i tullave deri te servirja e çajit në shtëpitë publike. Pjesa më e madhe e këtyre punëve është e paligjshme dhe e rrezikshme. Në një vend ndërtimi pranë Gaya, një qytet në Bihar, 12 vjeçari Mumtaz dhe vëllai i tij 10 vjeçar Shahnawaz, përballen me ngarkesa të mëdha zhavorri. Shahnawaz kujton kur ngriti një kovë në majë të kokës. Këmbët e tij të dobëta gati u mbërthyen. Ai i nxori sytë fort dhe dukej sikur do të qante. Rreth tij qëndronin burra sa trefishi i moshës së tij, të cilët vetëm e shikonin. “Kam dhimbje koke”, tha Shahnawaz. “Nuk mund të fle natën. Trupi më djeg.”

Vëllai i tij i madh duket se ka parë një të ardhme të re të vetes. “Kam frikë se edhe nëse shkolla hapet përsëri, unë do të duhet të vazhdoj ta bëj këtë, për shkak të borxhit të familjes,” tha Mumtaz. Shumë nga prindërit e intervistuar thanë se ishin nën një presion të jashtëzakonshëm për të vënë në punë fëmijët e tyre të papunë. “Ne kemi nevojë për pagat e tyre”, tha Mohammad Mustakim Ansari, një murator i papunësuar, i cili njëkohësisht është babai i Mumtaz dhe Shahnawaz. “Pa ta, nuk do të isha në gjendje të bëja bashkë as dy shujta ushqimi”. /KultPlus.com

Këshilltarja e Albulena Haxhiut: Nuk iu japin pushim nga puna, raportojeni menjëherë!

Këshilltarja politike e Ministres së Drejtësisë, Nazlie Bala ka ftuar të gjithë gratë dhe burrat që t’i raportojnë rastet e moszbatimit të vendimit qeveritar për lirimin e njërit prind nga vendi i punës për përkujdesje të fëmijëve.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka treguar edhe për veprimet që do të ndërmerren ndaj atyre që nuk e zbatojnë këtë vendim.

“Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundje ngjitëse nuk vepron sipas urdhërave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, DËNOHET ME BURGIM DERI NË 2 VJET”, ka shkruar Bala.

Ndryshe, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka apeluar te qytetarët që të mbajnë higjienën, ndërsa si edhe në shumë vende të tjera të botës, ka thënë se është mirë të evitohen përshëndetjet me duar.

Masat e Qeverisë së Kosovës kundër koronavirusit:

Ndërmarrja e procesit edukativo arsimor dhe institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020.Pezullohet përkohësisht linja e udhëtimit ajëror dhe tokësor.

Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF’vë në të gjitha hyrjet dhe daljet e Kosovës me mbështetjte të PK;së.

Vetëkarantim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në KOsovë nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm.

Aktivititetet publike dhe jo publike mund të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut.

Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.Të ndalohet eksporti I pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë.

Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë privatë që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.

Sëmundja vdekjeprurëse, që ka marrë mijëra jetë në shumë vende të botës, tash për tash nuk është konfirmuar të ketë mbërritur në vendin tonë.

Ndonëse shumë qytetarë deri më tani janë testuar me dyshimet se janë prekur nga koronavirusi, rezultatet kanë treguar se asnjëri prej tyre nuk është infektuar nga sëmundja, që origjinën e ka nga Kina./Express / KultPlus.com

Nuk është lehtë të jesh nënë dhe të punosh

Të gjithë e dimë se nënat nuk kanë asnjë ditë të lirë, as fundjavë, as pushim gjatë festave, as pushim vjetor! Dhe një studim i ri tregon se sa shumë në fakt punojnë nënat. Studimi i publikuar së fundmi, ka analizuar 2,000 nëna të fëmijëve mes 5 deri 12 vjeç dhe ka arritur në përfundim se nënat punojnë mesatarisht 98 orë në javë. Kjo është e barabartë me dy punë e gjysmë me orar të plotë. 

Krejt kjo duke përjashtuar edhe nënat që kanë një punë të rregullt, jashtë obligimeve të shtëpisë e fëmijës. Punë kjo që zgjatë 8 orë në ditë dhe pjesa tjetër është një orar shtesë për të e që konsiderohet ende më i lodhshëm. Madje shpesh ka pasur deklarata nga nënat që më i vështirë është orari më fëmijën sesa orari i punës së rregullt që ajo mban. Por, kënaqësia dhe dashuria që të ofron fëmija i tejkalon të gjitha dhe për këtë arsye nënat ja dalin me sukses të kryejnë të gjitha këtë obligime.

Sipas këtij studimi që e cekem më lart, një nënë zakonisht zgjohet në ora 6:30 të mëngjesit, dhe puna e saj nuk përfundon deri në ora 8:30 të mbrëmjes. (E për shumicën e ne nënave kjo na duket si ditë e mirë. Duke pasur parasysh se ky orar mund të zgjatet deri në 10 a 11 të mbrëmjes.)

Rezultatet e studimit nxjerrin në pah se sa shumë kërkesa ka roli i nënës dhe se nënat kanë detyra që nuk mbarojnë gjatë gjithë ditës. Studimi thotë se një nënë është me fat nëse arrin të gjej rreth 1 orë e 7 minuta për veten e saj çdo ditë.  Katër në dhjetë gra kanë pohuar se ndihen sikur jeta e tyre është si një seri e obligimeve që asnjëherë nuk marrin fund.

Krahas listës së gjatë të kërkesave, nënat e intervistuara kanë deklaruar se kanë edhe disa shpëtimtarë! Në krye të listës së gjërave që ua ruajnë mëndtë, dhe i shpëtojnë nga kaosi i përditshmërisë, nënat kanë vendosur faculetat e lagura, iPad-ët, filmat për fëmijë, ushqimet e gatshme, kafenë, dhe ndihmën e gjyshërve dhe dadove.

Është shumë e qartë se shumë nëna punojnë me gjithë kapacitetin e tyre, kështu që nuk është për t’u befasuar se 72% e tyre thonë se ndonjëherë e kanë të vështirë t’i ushqejnë fëmijët e tyre shëndetshëm gjatë gjithë kohës.

Mund të duket dëshpërues fakti që një nënë punon 14 orë në ditë, e që kjo është sa të punosh dy punë e gjysmë. Por, për shumë nëna, amësia ia vlen kohën shtesë që kalojnë duke vrapuar përreth e duke pastruar gjësende.

Sigurisht, ne nënat rezultatet e këtij studimi nuk na habisin fare. Por, ajo që është me rëndësi në këtë studim është t’i tregohet pjesës tjetër të shoqërisë: Nënat kanë nevojë për përkrahje, në shtëpi, në vendet ku punojnë dhe në komunitet! / Autore: Heather Marcoux / Përshtatja: supergratë / KultPlus.com

Suksesi nuk na bën të lumtur, është lumturia ajo që sjell më pas suksesin

Nga Lisa C.Walsh, Julia K Boehm, Sonja Lyubomirsky

Puno shumë, bëhu i suksesshëm, atëherë do të jesh i lumtur. Të paktën, kjo është ajo që shumë prej nesh kanë mësuar nga prindërit, mësuesit dhe bashkëmoshatarët tanë. Ideja që ne duhet të jemi të suksesshëm për të qenë të lumtur, përmendet në institucionet më të çmuara të Shteteve të Bashkuara (Deklarata e Pavarësisë), besimet (ëndrra amerikane) dhe narrativat (Roki dhe Hirushja).

Shumica e njerëzve duan të jenë të lumtur, prandaj ne përpiqemi vazhdimisht të arrijmë suksesin, duke menduar se kënaqësia qëndron vetëm tek hyrja në universitet në degën e preferuar, nisja e punës së ëndrruar, promovimi në detyrë, apo të fituarit 1 milionë dollarë.

Por për shumë ndjekës së saj, si suksesi ashtu dhe lumturia, mbeten përgjithmonë të paarritshme. Problemi është se ekuacioni, mund të jetë i vërtetë së prapthi. Hipoteza jonë, është se lumturia i paraprin dhe çon drejt një suksesi në karrierë, dhe jo anasjelltas.

Në shkencën psikologjike , “lumturia” lidhet me “mirëqenien subjective”, dhe “emocionet pozitive” (ne përdorim termin të ndër-shkëmbyeshme). Ata që kanë një mirëqenie më të madhe, tentojnë të jenë më të kënaqur me jetën e tyre, dhe të përjetojnë gjithashtu emocione më shumë pozitive, dhe më pak negative.

Studimet sugjerojnë se janë këto emocione pozitive – si eksitimi, gëzimi dhe qetësia – ato që nxisin suksesin në vendin e punës. Le ta shohim fillimisht këtë në studimet e ndërthurrura, që i shqyrtojnë njerëzit nga një pike e vetme. Kjo i lejon kërkuesit të përcaktojnë nëse lumturia dhe suksesi, janë të ndërlidhura mes tyre.

Në lidhje me bashkëmoshatarët e tyre, njerëzit më të lumtur, janë më të kënaqur me punën e tyre ; ata marrin gjithashtu marrin një mbështetje më të madhe sociale nga bashkëpunëtorët, dhe vlerësime më të mira të performancës nga eprorët.

Veçanërisht, mund të ndodhë që shefat u japin punonjësve të lumtur vlerësime më të larta të performances së tyre, për shkak të një efekti halo, ku një përshtypje e favorshme në një fushë (si lumturia) ndikon mendimet në një fushë tjetër (siç është aftësia për punë):P.sh Timi është i lumtur, ai duhet të jetë shumë i aftë edhe në punën e tij”.

Megjithatë, ka edhe prova që njerëzit me një mirëqenie më të lartë psikologjike, kanë një rendiment më të lartë në kryerjen e një sërë detyrash të lidhura me punën. Një studim i rëndësishëm, zbuloi se agjentët e shitjeve me një pikëpamje më pozitive, shisnin 37 përqind më shumë polica të sigurimit të jetës, sesa kolegët e tyre me pikëpamje më pak pozitive.

Lumturia, është e lidhur me shpesh me rendimentin e shkëlqyer në punë edhe në fusha të tjera . Njerëzit që përjetojnë shpesh emocione pozitive, kanë prirjen të ecin në karrierë në vendet ku punojnë. Ata janë gjithashtu janë më pak të prirur të mungojnë në punë, apo të braktisin vendin e tyre të punës.

Njerëzit me një mirëqenie më të mirë, kanë gjithashtu tendencën të fitojnë paga më të larta, se sa ata me një mirëqenie më të ulët. Megjithatë, hulumtime të tilla të ndërthurrura kanë kufijtë e tyre, pasi ato nuk mund të përcaktojnë se kush vjen e para:lumturia apo suksesi.

Në këtë rast, mund të ndihmojnë studimet shumëvjeçare, pasi ato i vëzhgojnë njerëzit gjatë ditëve, javëve, muajve ose viteve, për të parë se si ata kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Sipas këtyre studimeve, njerëzit që fillojnë të jenë të lumtur, nisin të bëhen të suksesshëm.

Sa më shumë i kënaqur të jetë një person në fillim të një kohe të caktuar, aq më shumë ka ai gjasa të jetë më vonë i qartë mbi punën që dëshiron të bëjë. Një studim, gjeti se të rinjtë që raportojnë një mirëqenie më të lartë psikologjike se sa bashkëmoshatarët e tyre, para se të diplomohen në universitet, kanë më shumë gjasa të fitojnë në intervistat e punës 3 muaj më vonë.

Emocionet pozitive, janë gjithashtu parashikues të saktë të arritjeve, si dhe i të ardhurave të mëvonshme financiare. Në një studim , 18-vjeçarët e lumtur, kishin më shumë gjasa të punonin në punë prestigjioze, që falnin kënaqësi, dhe të ndiheshin financiarisht të sigurtë pas moshës 26-vjeçare.

Ndërkohë në një studim tjetër , njerëzit që ishin më të gëzuar kur nisnin universiyetin, kishin më shumë të ardhura. Por nuk është e mjaftueshme, të dish se lumturia vjen para suksesit. Ne duam të dimë: A e shkaktojnë ato njëra-tjetrën? Tek e fundit, mund të ketë disa ndryshore të pa matura në këto studime, si inteligjenca ose të qënit tipa të hapur, ato që nxisin mirëqenien dhe pasjen e një pune të mirë.

Në fakt, tipat e hapur kanë më shumë gjasa të jenë të lumtur, dhe të fitojnë të ardhura më të mëdha. Nga rishikimi që i kemi bërë i më shumë se 170 studimeve të ndërthurrura, është e qartë se mirëqenia e promovon në shumë mënyra suksesin e karrierës.

Kjo nuk do të thotë se njerëzit e palumtur, nuk mund të kenë sukses. Përkundrazi, historia tregon se individë që kanë vuajtur gjatë nga depresioni si Abraham Linkoln dhe Uinston Çurçill, kanë mundur të kenë suksese të pabesueshme. Të dyja emocionet, si negative ashtu edhe pozitive, u përshtaten situatave – ka një kohë për të qenë e trishtuar, ashtu siç ka një kohë për të qenë të lumtur.

Çdo udhëheqës apo menaxher biznesi që e lexon këtë, do të kujdesej që të mos punonte vetëm me njerëz të lumtur, apo t’i detyronte punonjësit e tij të jenë me zor më optimistë. Strategji të tilla kanë dhënë efektet e kundërta në të kaluarën – si në rastin e buzëshjes së detyrueshme të imponuar ndaj stafit në zinxhirin e supermarketeve amerikane, “Trader Joe”, ku kjo praktikë si për ironi i bëri punonjësit të ndiheshin edhe më keq.

Njerëzit dhe kompanitë, që shpresojnë të rritin lumturinë në një mënyrë më të shëndetshme, do të kishin më shumë fat, nëse do të promovoin aktivitete pozitive, si aktet e mirësisë dhe të shprehjes së mirënjohjes. Filozofi Bertrand Rasëll u shpreh në vitin 1951:”Jeta e mirë, siç e konceptoj unë, është një jetë e lumtur”.

Por ai vazhdoi:”Nuk dua të them, që nëse je një njeri i mirë do të jesh i lumtur; dua të them që nëse je i lumtur, do të jesh një njeri i mirë”. Kur vjen puna për të lënë shenjë në punën që bëni, ne jemi dakord. Nëse doni të jeni të suksesshëm, mos rrini në pritje për ta gjetur lumturinë diku tjetër:fillojeni nga aty ku jeni. / Bota.al / KultPlus.com

Jeta nuk duhet të jetë vetëm punë, pagesë faturash dhe vdekje!

Ne jemi të mbingarkuar gjatë gjithë kohës. Testet e shkollës duhet të shkojnë mirë, duhet të kaloni vitin, duhet të ndiqni një shkollë të mirë, duhet të ndiqni disa kurse prestigjioze, duhet të keni një punë të mirë, një program të mirë dhe më shumë respekt në njohuritë tuaja. Personalisht kurrë nuk e kam kuptuar gjithë këtë presion për të pasur një punë të mirë në vetëm 20 vjet. Ne na mësojnë se suksesi në jetë është të pasurit një pozicion në krye të një kompanie të njohur dhe që ka disa punonjës nën komandën e tyre.

Ne rritemi duke e besuar këtë me besnikëri. Pra, pse edhe ata që i arrijnë këto qëllime bëhen një person i dëshpëruar, materialist dhe konkurrues? Ajo që ka rëndësi është të bësh shumë para, apo jo? Jo!

Jeta nuk duhet të jetë vetëm studim, punë, të bësh para dhe të vdesësh. Ne nuk kemi lindur në këtë botë të mrekullueshme, plot me vende fantastike, njerëz të veçantë dhe ushqime të shijshëm, për të jetuar çdo ditë në zyrë nga ora 9-18. Unë, për një gjë e konsideroj veten një person me shumë fat. Unë kurrë nuk kam punuar për shumë dhe kurrë nuk kam pasur një pagë që mund ta ketë zili dikush. Unë mendoj se jam një person më i suksesshëm se sa miqtë e mi me kostume që fitojnë 5-shin e pagës time.

U hodha me parashutë, mësova anglishten te murgjit e Indisë rurale, vizitova vende që shumica e njerëzve nuk e dinë që ekzistojnë, kam punuar vullnetare, kam udhëtuar me çantë shpine pa destinacion, kam jetuar në shumë vende, më kanë grabitur dhe kam mbetur pa para në një kontinent tjetër. Këto gjëra nuk llogariten si përvojë? Kjo nuk duhet të kërkohet gjatë një interviste për punë?

Ne vetë jemi kurrikula jonë. Ne nuk jemi kompania shumëkombëshe në të cilën punojmë. Ne nuk jemi paga që fitojmë. Ne jemi ajo që jetojmë. Ne jemi njerëzit që njohim, librat që lexojmë, vendet ku vizitojmë. Ne jemi përvojat që bëjmë.

Njerëzit, le të shkojmë në punë për të grumbulluar para që do të na lejojnë të udhëtojmë. Ne vullnetarë. Ne shkruajmë një libër edhe nëse nuk do të publikohet asnjëherë, luftojmë për shkaqet në të cilat besojmë edhe nëse e gjithë bota do të mendojë se jemi të çmendur (megjithëse ne jemi profesionistë). Ne mbjellim një pemë, bëjmë gjithçka…

Ata që janë 20 vjeç dhe pak më shumë janë të mbërthyer në trak për të shkuar në punë, ata që gjithmonë shohin të njëjtit njerëz para të njëjtit kompjuter.

I gjithë ky hulumtim i suksesit profesional për çfarë është? A kemi vërtet nevojë për të gjitha paratë që fitojmë? Çfarë bëjnë disa zero shtesë në llogarinë tonë bankare? A besojmë se ne jemi njerëz të mëdhenj për të studiuar në këtë universitet dhe për të punuar në kompaninë më të njohur?

Nëse nuk kemi të ardhura për të ndihmuar financiarisht shtëpinë, nuk mund të themi se problemi është paraja. Siç e kam përmendur tashmë, kam jetuar një vit të tërë me paratë e lënë mënjanë gjatë 13 muajve të trajnimit. Megjithatë, unë kam avancuar. Ne nuk kemi nevojë që të gjitha gjërat të tejkalohen.

Kur arrijmë në moshën 60-vjeçare, të pasur, në shtëpinë tonë prej 300 metrash katrorë, ne do të jemi në gjendje të marrim diell në kopshtin tonë dhe të kemi makinën më të bukur në qarkullim, ne do të mendojmë se kemi arritur qëllimin tonë në jetë. Por pavarësisht kësaj, ne do të jemi të pakënaqur, në depresion.

Të jesh i realizuar, për mua nuk do të thotë të kesh shumë para. Të kuptuarit do të thotë të kesh histori për të treguar. Të jesh i realizuar do të thotë të ulesh në një bar me katër miq dhe të pish një birrë të mirë të ftohtë, pa u shqetësuar për punën që mbetet për t’u bërë për sot sepse ishte shumë dhe nuk kishe kohë të mjaftueshme.

Ne ndjekim atë që e bën zemrën tonë të mundë më shpejt. Ne jemi shumë të rinj për t’u shqetësuar për pensionin dhe hipotekat. Karkalecat nuk kanë sirtarë dhe çfarë do të fitojmë në jetë, nuk mund ta marrim me vete pas vdekjes. Ajo që mund të sjellim nga kjo jetë është jeta e njëjtë që kemi jetuar.

Duhet të kemi sukses në gjetjen e ekuilibrit të duhur mes domosdoshmërisë dhe lirisë. Përgatiti: Brikela Daci | Burimi / emozionifeed.it /KultPlus.com