Presidentja Osmani pas suksesit të sportistëve kosovarë në ‘Oran 2022’: Ky është imazhi ynë në botë

Lojërat Mesdhetare do të marrin fund sonte përmes një ceremonie mbyllëse.

Në këtë garë mori pjesë edhe Kosova në sporte të ndryshme.

“Dardanët” përfunduan në vendin e 16-të pasi i fituan gjashtë medalje në “Oran 2022”, i cili u mbajt në Algjeri.

Pesë medalje i siguroi sporti i xhudos dhe një ai i boksit, në një total prej tri të artave dhe tri të bronztave.

Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu u veshën me ar në këtë garë prestigjioze, kurse Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Shpejtim Bajoku u ngjyrosën me bronz.

Për gjithë këtë sukses, sot ka reaguar edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila është shprehur se këta janë sportistët tanë fantastike, ky është imazhi ynë në botë.

“Me gjashtë medalje, tri të arta dhe tri të bronzta, sportistët tanë po kthehen triumfues në Kosovë.

Këta janë sportistët tanë fantastik, kjo është Kosova, ky është imazhi ynë në botë. Kosovën e nderojnë bashkërisht vajzat dhe djemtë tanë si: Distria, Loriana, Laura, Flaka, Akili, Shpejtimi e shumë të tjerë.

Faleminderit për emocionet që na i dhuruat këto ditë!”, ka shkruar Osmani.

Pra, edhe një herë ishte kryesisht xhudoja ajo që ia zbardhi fytyrën Kosovës, ndërsa garuesit tjerë kryesisht patën paraqitje të zbehta dhe rezultate dëshpëruese.

Kosova në Lojërat Mesdhetare u përfaqësua nga 39 garues në 13 sporte të ndryshme.

Pjesa e fundit e ekspeditës kosovar mbërrin sot në atdhe. / KultPlus.com