Presidentja Osmani: E analizova gjerë e gjatë propozimin për Asociacionin, s’do të ngutesha të them se është në përputhje me Kushtetutën

Presidentja Vjosa Osmani tha se nuk do të ngutet për ta vlerësuar si në përputhje me Kushtetutën e Kosovës draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga ndërkombëtarët.

Osmani tha në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, se e ka lexuar e analizuar “gjerë e gjatë” propozimin për Asociacionin, por që vlerësimin tha se duhet ta japë Gjykata Kushteutese, raporton Gazeta Express.

“Aty parashihet që vlerësimin e kushtetutshmërisë së atij drafti do ta bëjë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, kështu që unë nuk do të ngutesha me e shpallë në përputhje me Kushtetutën. Kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese dhe është institucioni në Republikën e Kosovës që e bën atë vlerësim, natyrisht në qoftë se asaj i paraprin akti i nënshkrimit apo miratimit të atij draft-statuti siç parashihet. Kështu që atë vlerësim duhet ta bëjë gjykata”, tha ajo.

Osmani tha se do t’i japë vlerësimet e saj si komente në Kushtetuese në rast se pranohet dhe miratohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit sipas propozimit europian.

“Natyrisht që e kam lexuar. Jo vetëm lexuar, por analizuar me vëmendje të thellë, gjerë e gjatë, mirëpo vlerësimet e mia do t’i japë edhe me shkrim në momentin që ndodhin hapat e paraparë, pra në qoftë se kemi proces të nënshkrimit. Pastaj kur shkon ky draft-statut në Gjykatën Kushtetuese, si presidente e Republikës do t’i dërgojë të gjitha komentet me shkrim se cilat pjesë të atij drafti vlerësoj se duhet të sqarohen që zbatimi të jetë në plotëni të plotë me Kushtetutën tonë”, tha Osmani.

Ajo përsëriti se vlerësimi i përputhshmërisë së propozimit për Asociacionin me Kushtetutën nuk është serioze të bëhet tash. / KultPlus.com

Vjosa Osmani vizitë zyrtare në Shqipëri më 4 shtator

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vizitojë më 4 shtator Shqipërinë me ftesë të Presidentit Bajram Begaj. Osmani do të pritet me një ceremoni shtetërore në ambientet e Presidencës.

Pas takimit është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp e dy homologëve, siç ka bërë të ditur Presidenca e Shqipërisë.

Kjo është vizita e parë e Presidentes së Kosovës që nga koha kur kreu i shtetit Bajram Begaj mori detyrën.

Vizita e kreut të shtetit të Kosovës vjen pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë dhe refuzimit që kryeministri Albin Kurti i bëri kryeministrit Rama në takimin informal me liderët e rajonit gjatë muajit korrik. / KultPlus.com

Presidentja Osmani do t’i adresohet këtë të mërkurë Parlamentit Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, do t’i adresohet Parlamentit Evropian këtë të mërkurë. Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian.

Presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta.

Gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Presidentja Osmani do të pritet fillimisht nga Presidentja e Parlamentit Evropian, znj.Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.

Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Mbretërinë e Bashkuar për Kurorëzimin e Mbretit Charles III


Me ftesë të Mbretit Charles III të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani e shoqëruar nga Zotëriu i Parë Prindon Sadriu, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në ceremoninë e Kurorëzimin të Mbretit.

Para ceremonisë së Kurorëzimit të Mbretit, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III dhe anëtarë të Familjes Mbretërore për liderët botëror në Buckingham Palace, sot më 5 maj.

Më 6 maj, Presidentja Osmani dhe Zotëriu i Parë, krahas krerëve shtetëror nga e gjithë bota, do të marrin pjesë në ceremoninë zyrtare të Kurorëzimit të Mbretit Charles III në Westminster Abbey, me çrast, Presidentja Osmani do t’i përcjellë urimet e popullit dhe institucioneve të Republikës, si dhe do të riafirmojë përkushtimin e palëkundur të shtetit tonë për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë qëndrimit në Londër, Presidentja dhe Zotëriu i Parë do të marrin pjesë edhe në pritjen që Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, organizon për liderët botërorë. / KultPlus.com

Presidentja ka dekoruar post mortem me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ideologun, politikanin, filozofin dhe liderin Arbën Xhaferi



Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka dekoruar sot post mortem me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ideologun, politikanin, filozofin dhe liderin Arbën Xhaferi, në një ceremoni të organizuar në Ambasadën e Kosovës në Shkup, ku të pranishëm ishin edhe disa nga pjesëtarët e familjes së tij.


“Arbën Xhaferi do të kujtohet e vlerësohet përherë për vetëdijen e lartë intelektuale, artikulimin politik largpamës, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve në Kosovë dhe sidomos në Maqedoninë e Veriut si dhe për afirmimin e orientimit properëndimor të kombit shqiptar në frymën e rilindësve tanë”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në emër të familjes së Arbën Xhaferit, i biri i tij Iliri, falënderoi Presidenten Osmani për respektin institituconal të treguar ndaj filozofit, intelektualit dhe liderit Arbën Xhaferi. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Mbështetja dhe inkurajimi janë thelbësore për fëmijët me autizëm

Dita Botërore e Autizmit e cila është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm, shënohet më 2 prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas dore.

Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm.

Për një qëllim të tillë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një grup të fëmijëve autik duke u shprehur se mbështetja dhe inkurajimi janë thelbësore për fëmijët me autizëm.

“Ata janë me ne, unik në potencialin e tyre, ndaj duhet të bëjmë gjithçka çdo ditë që ata të jenë edhe të barabartë”, shprehet Osmani. / KultPlus.com

Deklarata shtetërore e presidentes Vjosa Osmani në Samitin për Demokraci (VIDEO)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Samitin e Dytë për Demokraci, të organizuar sot virtualisht nga Shtëpia e Bardhë.

Në një seancë plenare, e cila do të zhvillohet në orën 15:00, Presidentja Osmani do të jetë folëse krahas liderëve botërorë: presidenti të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministrit të Suedisë, Ulf Kristersson, kryeministres së Islandës, Katrín Jakobsdóttir, presidenti të Kolumbisë, Gustavo Petro, si dhe krerëve të  shtetesh e qeverive nga Zambia dhe Bahamas.

Më poshtë po ju sjellim deklaratën shtetërore të presidentes në Samitin për Demokraci:

I nderuar President Biden, të nderuar kolegë,

Demokracia është më shumë se thjeshtë një sistem qeverisjeje. Për Republikën e Kosovës, ishte dëshira jonë e fortë për demokraci që siguroi rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Dhe duke e forcuar atë sot, demokracia do të na hapë rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme brenda institucioneve euroatlantike.

Në vetë thelbin e saj, demokracia ka të bëjë me të drejtën për ta zgjedhur drejtimin, të ardhmen dhe fatin tuaj. Populli i Kosovës ka zgjedhur rrugën e vet.

Samiti i këtij viti për Demokraci ka qenë sigurisht viti ynë i veprimit! Me forcë dhe entuziazëm të plotë kemi punuar për t`i zbatuar zotimet, të cilat i kemi përcaktuar vitin e kaluar.

Por, “viti i veprimit”, ka qenë gjithashtu një vit i sfidave të konsiderueshme globale, me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të cilat po ndodhin në mbarë botën përderisa ne jemi mbledhur sot.

Kosova e di shumë mirë se si ndihet një popull i pafajshëm i cili në lëkurën e vet përjeton një lufte brutale dhe gjenocidale, dhe pikërisht sepse e dimë këtë,  pa asnjë mëdyshje vendosëm menjëherë sanksione kundër Rusisë dhe e kemi mbështetur pa ndalur popullin e Ukrainës.

Vuajtja e pamasë e popullit ukrainas shërben si një kujtesë e fuqishme se asnjë çmim nuk është aq i lartë për të paguar për liri dhe demokraci – dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë me aleatët tanë për t`i mbrojtur këto vlera kudo në botë.

Gjatë vitit të kaluar, kemi bërë progres të jashtëzakonshëm në avancimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin  e korrupsionit. Jemi duke e zbatuar Strategjinë Kombëtare për Sundimin e Ligjit, krahas reformave të pakompromis dhe me ritme rekorde për ta garantuar një qeverisje llogaridhënëse, të barabartë dhe efektive në të gjitha institucionet publike.

Përpjekjet tona janë njohur në mbarë botën. Së bashku me miqtë tanë nga Republika Dominikane ne kemi bashkudhëhequr kohortën e Sundimit të Ligjit në kuadër të Samitit për Demokraci. Përveç kësaj, sipas Freedom House, Kosova në vitin 2022 është renditur si demokracia e tretë më e përmirësuar në botë, dhe në vetëm dy vite është ngritur për 20 vende më lart në indeksin antikorrupsion të Transparency International.

Që nga takimi ynë i fundit, ne kemi punuar pa u ndalur për ta avancuar diversitetin dhe gjithëpërfshirjen si themel për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. U zotuam për krijimin e Këshillit Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut dhe ia arritëm. Ky Këshill ka siguruar mbikëqyrjen e zotimeve dhe angazhimeve tona nga institucionet më të larta në vend dhe në çdo shtresë të qeverisjes, dhe puna e këtij Këshilli do të vazhdojë edhe përtej edicionit të dytë të Samitit.

Ne jemi gjithashtu krenarë të raportojmë mbi miratimin e një strategjie të guximshme kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore dhe për ndërmarrjen e hapave domethënës për të garantuar vendin e merituar të grave në institucionet publike dhe role vendimmarrëse.

Një demokraci e fortë është një demokraci që vepron edhe për gratë. Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm, por përderisa gratë vazhdojnë të përballen me mizogjininë në vendet e punës, dhunën në shtëpi, heshtjen me forcë në klasë ose keqtrajtim gjatë ecjes në rrugë – kjo betejë është larg përfundimit.

Gjatë këtij “viti të veprimit”, Kosova ka udhëhequr diskutimet globale për avancimin e të drejtave të grave duke qenë nikoqir i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me mbi 500 pjesëmarrës me ndikim në këtë fushë nga 6 kontinente, dhe në tetor të këtij viti do t’ju mirëpresim të gjithëve në edicionin e dytë në kryeqytetin tonë, në Prishtinë.

Te nderuar kolegë,

Përkushtimi ynë për demokraci nuk është vetëm një zotim i Samitit, është ekzistenca jonë e përditshme në vijën e parë të frontit përballë autokracive.

Përkushtimi ynë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i pathyeshëm.              

Përkushtimi ynë për të punuar me partnerë në mbarë botën për ta mbrojtur dhe ushqyer atë, është po ashtu i pathyeshëm.

Siç tha kohët e fundit Presidenti Biden: “Në momentet e trazirave të mëdha dhe pasigurisë, gjëja më e rëndësishme është të dish se çfarë përfaqëson. Dhe të dish se kush qëndron me ty, e bën gjithë dallimin.”

Vetëm përmes bashkimit të forcave mund ta ndërtojmë një të ardhme ku demokracia është një realitet për të gjithë.

Faleminderit!

Bashkëngjitur gjeni video adresimin e  Presidentes Osmani në Samitin për Demokraci. / KultPlus.com

Fjalimi i Presidentes Osmani në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas, ngjarje kjo që konsiderohet ndër më të rëndësishmet të vitit në këto 10 vitet e fundit.

KultPlus ju sjell fjalimin e plotë të presidentes:

E nderuar Ambasadore Soderberg,

E nderuar  Zeinah Salahi, udhëheqëse e USAID-it,

E nderuara znj. Stocker, udhëheqëse e Swiss Development Corporation,

E nderuar zëvendëskryeministre,

Të nderuara deputete,

Të nderuar kryetarë komunash,

Shumë të dashura vajza e gra dhe të gjithë ju të pranishëm sot,

Ju faleminderit për ftesën, për një prej ngjarjeve më të rëndësishme të vitit në këto 10 vitet e fundit, sepse gjithnjë është një kënaqësi e jashtëzakonshme të jemi pjesë e Javës së Gruas, dhe natyrisht këtu është momenti që t’i falënderojmë ato që e filluan këtë ngjarje, Grupin e Grave Deputete, të cilat të inspiruara nga ikona e lirisë dhe pavarësisë sonë, zonja Madeleine Albright, ecën përpara drejt fuqizimit të grave dhe vajzave dhe përgjatë këtij rrugëtimi vazhdimisht kishim mbështetjen e NDI, kështu që faleminderit edhe një herë!

Instituti Demokratik Kombëtar të cilin të gjithë e njohim si NDI sot shënon një kapitull të rëndësishëm në historinë e veprimit dhe punës në Republikën e Kosovës. Ky është një vit jubilar për një prej ngjarjeve më të rëndësishme vjetore në vendin tonë. U bënë 10 vite me Javën e Gruas; ngjarje kjo e cila ka vlera të çmuara për kontributin e pashembullt në avancimin e pozitës së gruas dhe promovimin e barazisë gjinore në jetën publike në vend. Për punën e palodhshme, për ambicien dhe përkushtimin e pashoq, Ambasadores Soderberg, stafit të NDI, Grupit të Grave Deputete por të gjithë atyre të tjerëve që kontribuuan ndër vite, u jemi vërtet shumë mirënjohës.

Të nderuar të pranishëm,

Diversiteti, barazia dhe gjithëpërfshirja qëndrojnë në themelet e një demokracie që frymon me shpirtin e barazisë. Duke u nisur nga këto premisa dhe duke punuar për t’i jetësuar ato ne i rrisim gjasat për t’u afruar gjithnjë e më afër ndërtimit të një demokracie të qëndrueshme.

Por në qendër të çdo veprimi është aktivizmi qytetar – janë vet qytetarët. Pra, demokracia është një rezultat i angazhimit të gjithmbarshëm shoqëror. Nëse tentojmë ta zbërthejmë në copëza, demokracia është një tërësi e veprave individuale të cilat kontribuojnë në ndërtimin e së mirës kolektive dhe e cila me mbështetjen e duhur institucionale arrin të përkthehet në promovim të vazhdueshëm të vlerave demokratike, e që përfundimisht rezulton pastaj me fuqizimin e demokracisë së gjithmbarshme.

Gratë dhe burrat e Kosovës, vajzat dhe djemtë tanë, qytetarët tanë, duke ndjekur idealet e tyre i kanë dhënë kah historisë së vendit tonë dhe kanë krijuar bazamentin që ka mundësuar ndryshimet. Ata i kanë dhënë krah demokracisë.

Prandaj, çdo përpjekje për avancim të demokracisë mund të jetë e suksesshme vetëm kur të fuqizohet zëri i qytetarëve – i të gjithëve, pa dallim. I grave dhe burrave, pa dallim.

Më pastaj institucionet e kanë për detyrë të ofrojnë mbështetjen, resurset, por edhe orientimin strategjik, të cilat krijojnë infrastrukturën e nevojshme siç është institucionalizimi pra i veprave individuale. Dhe ky vullnet, ky përkushtim, ekziston sot më shumë se kurrë.

Nëse duam demokraci të fortë, atëherë kemi nevojë për qytetarë të fuqizuar. Kur qytetarëve u krijohen mundësitë për pjesëmarrje e angazhim, niveli i përgjegjshmërisë së institucioneve fillon e rritet gjithnjë me shumë, shtohet transparenca dhe rritet llogaridhënia.

Angazhimi i gjithsecilit prej jush në këtë sallë sjell avantazh shtesë në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të mëtejmë të demokracisë. Sepse, realisht, demokracia nuk është kurrë një projekt i përfunduar. Ajo kërkon të mirëmbahet, të kultivohet e të fuqizohet vazhdimisht.

Një demokraci e mirëfilltë është një demokraci që kontribuon në mënyrë aktive për përmirësimin dhe avancimin e pozitës së gruas në një shoqëri. Një demokraci e shëndosh është një demokraci që frymon mbi parimin e jetësimit të barazisë gjinore.

Edhe pse Republika jonë është vetëm 15 vjeçare, qytetarët tanë e kanë dëshmuar ndër vite se e kuptojnë rëndësinë esenciale të përfshirjes së gruas në jetën institucionale e publike. Në 15 vite rrugëtim, Kosova mbetet vendi lider në rajon dhe më gjerë me dy gra presidente në historinë e saj të re; me një përbërje parlamentare që shkon përtej kuotës gjinore; me një qeveri ku gratë janë më të përfaqësuara dhe kanë zë më të fuqishëm se kurrë më parë; por mbi të gjitha, Kosova është sot vendi që e ka përkushtimin e palëkundur për të avancuar gjithnjë e më shumë barazinë gjinore në vend.

Realiteti është se angazhimi, fatkeqësisht, nuk është i njëtrajtshëm. Institucionet të caktuara punojnë me intensitet më të lartë e disa e kanë marrë dukshëm më shtruar këtë çështje. Por, çdo ditë e më shumë po bëhet gjithnjë e më qartë se kur gratë udhëheqin; kur grave u dëgjohet zëri; kur gratë përfshihen në politikbërje dhe vendimmarrje; rezultatet janë konkrete e progresi është i pashmangshëm.

Por, sukseset në kryeqendër nuk duhet të vënë nën hije nevojën për angazhim të shtuar për shtrirje të barazisë e gjithpërfshirjes në çdo cep të Kosovës. Ne duhet të mobilizohemi që mos të lejojmë të ngërthehemi nga kurthi i vetëkënaqësisë. Sidomos jo, kur në vendin tonë ende vriten gratë. Sepse, ka ende shumë punë për të bërë përtej përfaqësimit të grave në vendimmarrje në nivel qendror, duke filluar nga fuqizimi i tyre në nivel lokal, e duke vazhduar tek eliminimi i çdo padrejtësie e pabarazie që ato ballafaqohen qoftë në shtëpi, në punë, në rrugë apo edhe në hapësirën digjitale.

Në këto 10 vite të Javës së Gruas, NDI ka arritur të prekë jetët e shumë grave e vajzave të cilat nuk kanë pasur mundësinë për të qenë pjesë e diskutimeve, grupeve punuese, e lërë më të jenë pjesë e vendimmarrjes. Shumë nga ato janë sot në mesin tonë. Ato po e udhëheqin ndryshimin, ato janë vet ndryshimi. Edhe unë kam filluar nga radha e fundit atje ku jeni sot ulur, pastaj në vitin e dytë jam ulur pak më afër, në vitin e tretë më afër dhe sot flas  si Presidente e Republikës. Pas disa vitesh, ju që jeni ulur atje në fund do të jeni këtu, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Javës së Gruas në vend timin.

Mirëpo, nuk mund të mos përmend edhe punën e shkëlqyer edhe të shumë partnerëve të tjerë vendor e ndërkombëtar, të organizatave të shoqërisë civile në vend, por edhe të politikbërësve të shumtë në institucionet publike. Puna e të gjithëve ka rezultuar me fuqizim dhe gjithpërfshirje.

Por, duhet të kemi kujdes të shtuar e të sigurohemi që rrethet tona të zgjerohen gjithnjë e më shumë, përtej kësaj salle. Është obligim i yni që mundësitë që na u krijuan neve me përkrahjen e njëra-tjetrës, me përkrahjen e organizatave vendore e ndërkombëtare të zgjerohen në mënyrë që t’ua garantojmë edhe shumë vajzave e grave të tjera të cilat ndihen të izoluara dhe ende përballen me pabarazi.

Mjafton vetëm një zgjatje e dorës në raste të caktuara dhe ai moment shndërrohet në një avalansh që ka fuqinë të transformoj jetë e komunitete të tëra. Prandaj, në misionin tonë për garantim të barazisë gjinore, nuk ka ditë pushimi, sepse barazia gjinore duhet të jetë mision i çdoditshëm.

Të nderuar të pranishëm,

Në këto kohë të pasigurive të mëdha, shohim tendenca gjithnjë e në rritje për të sulmuar vlerat demokratike – ato vlera mbi të cilat janë ndërtuar dhe frymojnë shoqëritë tona.

Por, përderisa në qendër të angazhimit tonë i vendosim qytetarët, angazhimin për përmirësimin e jetës së tyre, garantimin e lirive të tyre, dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, busulla jonë morale dhe politike do të na orientoj përherë në drejtimin e duhur.

E kur këto përpjekje i shoqërojmë me përkushtimin për të avancuar barazinë, gjithpërfshirjen dhe diverzitetin, rezultati final është përherë më shumë demokraci. Demokraci e drejtë. Demokraci për të gjithë. Demokraci e qëndrueshme.

Ju faleminderit! / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim delegacionin e lartë të zyrtarëve dhe bizneseve amerikane

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të lartë të zyrtarëve e bizneseve të ndryshme amerikane (Partnership Opportunity Delegation-POD) të organizuar nga Zyra e Partneriteteve Globale e Departamentit amerikan të Shtetit.

Në takim me delegacionin e lartë amerikan, Presidentja Osmani ka biseduar mbi potencialin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, si dhe fuqinë e re e të kualifikuar punëtore.

Nisur nga interesimi i kompanive për zhvillimet në sektorin e energjisë, Presidentja Osmani foli për faktin që Kosova është në një moment të rëndësishëm të përcaktimit të së ardhmes energjetike dhe foli për fokusin e veçantë drejt dekarbonizimit. Ajo potencoi rëndësinë e diversifikimit, si dhe integrimit masiv të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, duke garantuar sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori.

Tutje, në takim u bisedua edhe për mundësitë e shumta për projekte, të cilat janë në interes të përbashkët e gjeostrategjik për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka folur mbi aleancën e fortë me Shtetet e Bashkuara, të bazuar në vlera të përbashkëta.

Presidentja ka theksuar se përqendrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, progresi i cili njihet edhe ndërkombëtarësisht, është indikacion i përkushtimit të palëkundur për rritje të qëndrueshme ekonomike si dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

POD-të janë një nismë që kanë për qëllim nxitjen e bashkëpunimit më të thellë midis Shteteve të Bashkuara, vendeve me rëndësi strategjike, si dhe sektorit privat. Kjo nismë eksploron një gamë të gjerë partneritetesh të mundshme për të bashkëpunuar në projekte specifike që avancojnë prioritetet e politikave të përbashkëta. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës priti në takim përfaqësues të organizatës “Handikos”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim përfaqësues të organizatës “Handikos”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës.

Presidentja shprehu mbështetjen ndaj përdoruesve të karrocës dhe tha se institucionet e Kosovës kanë gatishmëri t`i mbështesin ata jo vetëm në ditë të shënuara, por gjatë tërë vitit.

Në shenjë solidarizimi në Ditën Ndërkombëtare të Përdorimit të Karrocave, Presidentja Osmani është ulur në karrocë duke përcjell mesazhin për gjithëpërfshirje të përdoruesve, përmirësim të qasjes si një e drejtë themelore njerëzore si dhe eliminim të pengesave.

“Krijimi i mundësive për lëvizje të lirë për ju është obligim i yni. Gjithnjë është e mundshme të bëjmë më shumë për këta persona. Kemi mbështetur vazhdimisht aktivitetet e organizatës “Handikos”, por edhe të fëmijëve e grave me nevoja të veçanta. Jemi në çdo ditë të vitit me ju dhe për mundësi të barabarta për të gjithë ”, ka theksuar Presidentja Osmani. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Republika e Kosovës është e përjetshme

Kosova sot feston 15 vjetorin e pavarësisë e cila u shpall më 17 shkurt 2008.

Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar mëngjesin e sotëm një fotografi nga ceremonia e ngritjes solemne të flamurit të Republikës së Kosovës për 15 vjetorin e pavarësisë.

Sipër fotografisë, Osmani ka shkruar “Republika e Kosovës është e përjetshme”.

Në këtë ceremoni, përveç krerëve shtetëror, mori pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. / KultPlus.com

Presidentja Osmani dekoroi me medaljen ‘Urdhri i Lirisë’, veprimtarin e njohur, Xhim Xhema


Presidentja Osmani, ka pritur në një takim një delegacion shqiptaro-amerikan, të kryesuar nga veprimtari i njohur i diasporës shqiptare të Amerikës, Xhim Xhema, të cilit ia ka dorëzuar medaljen Urdhri i Lirisë, të dhënë me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përcjell KultPlus.

Presidentja Osmani ka theksuar se mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është urë e fortë lidhëse ndërmjet Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar në Ballkan me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar se Xhim Xhema është ikonë e mërgata shqiptare në Amerikë, i cili për më shumë se tri dekada ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidentja Osmani shprehu respektin dhe mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Republikës se Kosovës për rolin e pazëvendësueshëm të mërgatës shqiptaro-amerikane për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në këtë takim, Presidentja Osmani foli edhe për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës dhe nevojën për bashkërendim dhe unitet ndërmjet institucioneve te Kosovës me mërgatën shqiptare në SHBA.

Ndërkaq veprimtari Xhim Xhema shprehu mirënjohjen e thellë për Presidenten e Republikës se Kosovës dhe institucionet e Kosovës për mikpritjen dhe respektin. Ai tha se liria dhe pavarësia e Kosovës ka qenë beteja jetësore e tij dhe e të gjithë shqiptaro-amerikanëve.

Ai tha se dekorimi me medaljen “Urdhri i Lirisë”, është respekt dhe mirënjohje jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj veprimtarëve shqiptaro-amerikan, të cilët për vite dhe dekada kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës. / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim një delegacion parlamentar nga Shqipëria

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion parlamentar nga Shqipëria, të përbërë nga anëtarë të Komisionit për Integrim Evropian, të kryesuar nga Jorida Tabaku.

Në takim u diskutua për mundësitë e fuqizimit të koordinimit në politikën e jashtme,  në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, me fokus të veçantë në sferën e integrimit evropian.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mund të përfitojë nga përvoja e Shqipërisë në procesin e integrimeve evropiane, ndaj ka kërkuar që të vazhdojë edhe më tej të jetë zë i fuqishëm i Kosovës. Sipas Presidentes Osmani, Kosova llogaritë në mbështetjen e Shqipërisë në rrugën euroatlantike, në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria ndajnë të njëjtat vlera dhe se janë të përcaktuara për rrugën evropiane dhe të përkushtuara për paqe e stabilitet.

Delegacioni parlamentar nga Shqipëria i ka dhënë mbështetje Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe ka bërë të ditur se do të jetë krah Kosovës në proceset integruese, duke dhënë maksimumin nga përvoja e tyre. / KultPlus.com

Presidentja Osmani pritet në takim nga sekretari i Shtetit të Vatikanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Vatikanin me  sekretarin e këtij shteti, kardinali Parolin.

Në këtë takim është diskutuar për raportet e Kosovës me Vatikanin.

“Në takim u diskutua mbi raportet e Kosovës me Selinë e Shenjtë, mbi kultivimin e paqes, harmonisë e bashkëjetesës në mes njerëzve e besimeve të ndryshme, mbi vlerat e përbashkëta, mbi promovimin e mëtejmë të lirive fetare, për rolin e Kishës Katolike në Kosovë si partner të rëndësishëm social, si dhe për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha të ndryshme”.

Të hënën, presidentja Osmani është pritur edhe nga Papa Françesku. / KultPlus.com

Presidentja Osmani pritet nga Papa Françesku: E falënderova për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani sot ka udhëtuar për vizitë në Shtetin e Vatikanit. Ajo është pritur në audiencë private nga Papë Françesku në Selinë e Shenjtë, përcjell KultPlus.

“Thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientimi ynë i përbashkët. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore”, ka shkruar Osmani.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

E lumtur të pritesha në audiencë private nga Papë Françesku në Selinë e Shenjtë.

Papën e njoftova me vendosmërinë tonë për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, si vlera të popullit tonë, mbi të cilat janë kultivuar e ruajtur prej afro dymijë vjetësh edhe raportet tona me Selinë e Shenjtë. Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës. Ishte kënaqësi e veçantë po ashtu që të shkëmbeja me të pikëpamjet mbi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe progresin e vendit tonë drejt këtij synimi.

Thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientimi ynë i përbashkët. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore./ KultPlus.com

Presidentja Osmani fillon vizitën e saj në Vatikan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje udhëtoi për vizitë në Shtetin e Vatikanit dhe në Itali.

Osmani, së bashku me zotërinë e parë, Prindon Sadriu dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla do të pritet në audiencë nga Papa Françesku.

Presidentja do të ketë takim edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin si dhe do të realizohen edhe një sërë takimesh e aktivitete të tjera.

Gjatë qëndrimit në Romë, Osmani do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me të cilin do të diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit bilateral si dhe rritjen e koordinimit për tejkalimin e sfidave aktuale të sigurisë në rajon dhe përtej. / KultPlus.com

Presidentja Osmani u prit në takim nga presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev: Bullgaria i ofron Kosovës mbështetje në përballje me krizën energjetike


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka nisur vizitën zyrtare në Bullgari ku po qëndron me ftesë të homologut Rumen Radev, nga i cili është pritur me nderime të larta shtetërore.

Presidentja Osmani i cilësoi si të shkëlqyeshme marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet të dyja vendeve ndërkaq potencoi se Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja e Bullgarisë në procesin e integrimit euroatlantik.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen bullgare për Kosovën në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe e më pas në NATO, sikurse edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Teksa ka folur për zhvillimet në Kosovë, rajon e më gjerë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës. Ajo ka thënë se me zhvillimet e fundit në veri të vendit, Serbia po tenton ta destabilizojë Kosovën, duke përdorur strukturat e saj ilegale.

Megjithatë, sipas Presidentes Osmani Kosova vazhdon të luajë rol konstruktiv në dialogun me Serbinë, i cili duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke.

Në një pjesë të takimit, Presidentja Osmani e ka folur me homologun Radev për krizën energjetike me të cilën po përballet Kosova, rajoni dhe Evropa, duke u angazhuar për një përgjigje të përbashkët ndaj sfidave në këtë sektor. 

Bullgaria është shprehur e gatshme ta mbështesë Kosovën në përballje me krizën energjetike dhe të dy palët janë pajtuar që të gjinden modalitetet për bashkëpunim dhe mbështetje nga një grup i përbashkët ndërministror i të dy shteteve.

Presidentja Osmani në takim me homologun Radev ka theksuar se Kosova ka shënuar përparim në fushën e sundimit të ligjit dhe si një shoqëri multietnike, e cila i trajton në mënyrë afirmative të gjitha komunitetet.

Në takimin e të dy presidentëve, ndër të tjera është diskutuar edhe për forcimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, sigurisë, arsimit e shëndetësisë, sikurse edhe në sfera të tjera të interesit të dyanshëm. / KultPlus.com

Presidentja Osmani emëron anëtarët e rinj të Këshillit Konsultativ për Komunitete

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka emëruar sot 27 anëtarët e rinj të Këshillit Konsultativ për Komunitete (KKK)

Emërimi për mandat dy vjeçar i anëtarëve të KKK-së, është rezultat i një procesi të nominimit brenda secilit komunitet dhe në fund emërimit të tyre nga Presidentja e Republikës.

Bazuar në Rregulloren e KKK-së, brenda tridhjetë ditëve pas emërimit të anëtarëve të rinj, Këshilli e mban takimin e vet konstituiv, i cili do të kryesohet nga anëtari më i vjetër i Këshillit dhe nga radhët e tij zgjedh kryesinë e Këshillit.

KKK-ja përbëhet nga njëzeteshtatë anëtarë, përfaqësues të të gjitha komuniteteve të Kosovës, siç është përcaktuar me nenin 12 (6) të Ligjit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre në Republikën e Kosovës, që përfshinë:

· nga dy (2) përfaqësues të komunitetit rom, egjiptian, goran, ashkali, malazez dhe kroat

· nga tre (3) përfaqësues të komunitetit boshnjak dhe turk,

· pesë (5) përfaqësues të komunitetit serb,

· një (1) përfaqësues i lartë i Zyrës së Presidentes;

· tre (3) përfaqësues të lartë të Qeverisë, që caktohen nga ministria apo agjencia, fushëveprimi i të cilëve është me rëndësi të veçantë për komunitetet.

Këshilli Konsultativ për Komunitete ka për qëllim sigurimin e mekanizmit për shkëmbimin e mendimeve në mes të komuniteteve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. KKK-ja u ndihmon komuniteteve dhe bën artikulimin e qëndrimeve të komuniteteve joshumicë dhe përfaqësuesve të tyre kur janë ne pyetje legjislacioni, politikat publike dhe programet më rendësi të veçantë për komunitetet.

Gjithashtu, ky Këshill siguron forumin për koordinim dhe këshilla në mes të komuniteteve dhe siguron funksionimin organizativ të cilat i përfaqësojnë komunitetet në bazë të Rregullores, e cila është miratuar nga ana e Këshillit Konsultativ për Komunitete. / KultPlus.com

Rastet e dhunimeve seksuale: Osmani e Hovenier thonë se Kosovës i duhet reagim nga institucionet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar sistemin e drejtësisë për mungesën  e reagimit efektiv në rastet e dhunimeve seksuale.

Gjatë fjalës së saj në organizimin e Javës për të drejtat e viktimave të krimit, me moton “Moment Reflektimi i Zinxhirit Institucional”, e para e shtetit përmendi rastet e rënda të dhunimit që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit në Kosovë.

“Konsideroj që shënimi i javës së viktimave këtë vit bëhet edhe më i rëndësishëm nga fakti se ai tani e pak kohë opinioni ynë u trondit nga rastet e krimeve të neveritshme të dhunimeve seksuale, për t’u ndalur tek nevoja e luftimit efikas dhe të pakompromis ndaj këtyre krimeve të shëmtuara. Siç jeni në dijeni, gjatë muajve të kaluar vendi ynë është tronditur nga shumë histori shokuese të dhunimeve e ngacmimeve seksuale, në shumë raste viktimat ishin edhe të mitura. Ndonëse vet fakti se kanë ndodhur këto krime është mjaftueshëm i rëndë për të alarmuar secilin prej nesh. Ajo që e bëri edhe më të rëndë këtë situatë ishte mungesa e reagimit efektiv të institucioneve në adresim të këtyre veprave penale”.

Osmani tutje tha se në takimet me krerët e institucioneve të drejtësisë, ka adresuar çështjen e dështimeve dhe defekteve sistemime që janë vënë në pah nga analiza që janë bërë tashmë e disa vite me radhë.

“Pas takimit që kemi pasur me institucione përgjegjëse, sot jam këtu për të bërë thirrje publike për një rol shumë më proaktiv të institucioneve tona në parandalimin, hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin më efekt të veprave penale kundër integritetit seksual. Në takim me krerët e institucioneve të drejtësisë, ka adresuar çështjen e dështimeve dhe defekteve sistemime që janë vënë në pah nga analiza që janë bërë tashmë e disa vite me radhë. Në takimet tona kemi diskutuar mënyrat më të mira se si mund t’i adresojmë së bashku të metat dhe defektet e sistemit tonë të drejtësisë, jo vetëm të sistemit të drejtësisë, por edhe në mekanizmat tjerë ligjzbatues për të forcuar parandalimin e krimeve seksuale si dhe mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave. Institucionet tona përtej atyre të drejtësisë duhet të punojnë më shumë në parandalimin dhe luftimin efikas të këtyre akteve të shëmtuara kriminale që përveç se shkelin ligjin, shkelin edhe vlerat tona themelore, familjare e shoqërore”, tha Osmani.

Kurse, ambasadori Jeffrey Hovenier në konferencën për javën për të drejtat e viktimave të krimit, ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë mund të bëjë më shumë në trajtimin efikas të viktimave të krimit, me theks të veçantë për viktimat e dhunës në familje, dhunës seksuale dhe viktimat e trafikimit me njerëz.

Ambasadoir Hovenier tha se institucionet relevante të drejtësisë ekzistojnë për të siguaruar se ka drejtësi, dhe se kjo javë jo vetëm që rritë ndërgjegjësimin për viktimat e krimit, por edhe reflektimin mbi përpjektjet e institucioneve që të ndërmarrin veprime që të gjtha viktimat të marrin shërbimet e duhura, duke shtuar se shumë shpesh shfaqen pabarazi dhe abuzime të shumëfishta, pikërisht ndaj këtyre grupeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Fillimisht, ne duhet të jemi në gjendje që t’i dëgjojmë këto viktima, sepse këta pjesëtarë janë caqe të cenimit të krimeve, trafikimit, dhe shpesh nuk jemi të përgatitur t’i dëgjojmë këta persona, pa i dëgjuar, nuk mund t’i ndihmojmë”, ka thënë Hovenier.

Ambasadori theksoi se ka shumë gjëra për të cilat institucionet e Kosovës mund të lavdërohen për garantimin e të drejtave të viktimave të krimit, pasi kjo është kodifikuar edhe me Kodin e ri të Procedurës Penale të Kosovës, duke shtuar se kjo tregon përkushtimin e institucioneve.

Ai tha se sidomos trajnimi i prokurorëve në fushën e dhunës në familje, raste të trafikimit me qenie njerëzore dhe të rasteve të dhunës në familje, është praktika më e mirë për shumë arsye, pasi është esenciale kemi prokurorë me ekspertizë të specializuar, për sfidat që paraqiten në drejtësi për këto viktima.

Ne i mbështesim të gjitha këto përpjekje si dhe të gjitha aktivitetet e organizuara gjatë kësaj jave”, ka thënë ambasadori Hovenier.

Ai deklaroi se sistemi i drejtësisë mund të bëjë edhe më shumë për viktimat e krimit.

“Unë nuk po e përfaqësoj sistemin amerikan të drejtësisë si të përsosur, sepse edhe ne kemi probleme, por duhet të përkushtohemi për të ju dhënë zë atyre që nuk kanë zë, e që janë bërë viktima të veprimeve kriminale të dikujt tjetër”, ka shtuar Hovenier.

I njëjti shtoi se është shumë e rëndësishme që kriminelët të mbahen pergjëgjës, personat që kanë shkaktuar dhunë në familje, dhunë seksuale apo trafikim.

“Ju kërkojmë institucioneve të zbatimit të ligit që të bashkëpunojnë dhe të ju japin përparësi ndjekjeve penale të dhunës në familjes dhe dhunës në bazë gjinore sepse këtu mund të aplikohen fillimisht mjete për vlerësimin e rrezikut”, ka shtuar Hovenier. / Express / KultPlus.com

Presidentja Osmani: SHBA-ja s’ka kërkuar të heqim dorë nga njohja reciproke me Serbinë

Presidentja Vjosa Osmani thotë se SHBA-ja s’ka kërkuar kurrë që Kosova të heq dorë nga kërkesa për njohje reciproke me Serbinë.

Osmani tha se presidenti amerikan, Joe Biden dhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken kanë kërkuar me shkrim që njohja reciproke të jetë në qendër të dialogut, raporton Gazeta Express.

“Sa i përket marrëveshjes finale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk kanë kërkuar nga Republika e Kosovës një marrëveshje finale pa njohje reciproke. Po ashtu më lejoni ta potencoj një gjë që është konfirmuar edhe nga partnerët tanë strategjikë më shumë se një herë: njohja reciproke është e vetmja zgjidhje e cila sjell paqen dhe stabilitet afatgjat në rajonin tonë”, tha Osmani.

“Janë tjetërgjë propozimet për marrëveshje specifike që diskutohen në Bruksel”, shtoi presidentja.

Osmani ka përsëritur se “nuk ka pasur kërkesë asnjëherë që Kosova të heq dorë nga kërkesa për njohje reciproke”.

Presidentja Osmani tha se njohja reciproke “është domosdoshmëri”. / KultPlus.com

Blinken e falënderon Presidenten Osmanin për organizimin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Në hapje të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili fillon punimet sot në Prishtinë, dhe i cili mbahet me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pjesëmarrësve iu drejtua me një video adresim të të veçantë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ai ka falënderuar Presidenten Osmani për organizimin e këtij Forumi dhe NDI-në për mbështetjen e tij. Sipas tij, Sekretarja Albright kur është pyetur se çfarë e bën krenare gjatë shërbimit të saj prej shumë dekadas.

Blinken në fjalimin e tij e ka citu sekretaren Madeleine Albright.

Ai tha se Albright i ka mbrojtur parimet e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare.

“Ajo na kujtonte vazhdimisht rëndësinë e qëndrimit përballë tiranëve dhe provokuesve, sikurse edhe të parandalimit që vendet me përdorim të forcës të rishkruajnë kufijtë e një tjetri dhe për të mbrojtur parimet e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”, ka cituar Blinken, zonjën Albright. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Historia e Kosovës, është histori e secilës grua që hoqi një gur nga rruga 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një organizim i pari i këtij lloji, është e rëndësishëm për njerëzimin në përgjithësi.

Sipas saj, historia e Kosovës është histori e secilës grua e cila siç ka thënë, ka larguar një gur nga rruga drejt barazisë.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, e para e shtetit ka falënderuar partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për ndihmën në organizimin e këtij eventi.

“Ne besojmë që nëse i njohim praktikat e partneritetit, çdo fëmijë do të na jep kontributin që të ndërtojmë një botë paqësore. Pjesëmarrja dhe vetëbesimi është mbushur me liderë, ekspertë nga e gjithë bota, të cilët e kanë mësuar mësimin e tyre për botën si një botë të sigurt. Dua t’i falënderoj miqtë që e kanë bërë këtë Forum, të gjitha institucionet kosovare dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, u shpreh Osmani.

Përgjatë dy ditëve sa do të zgjasë ky Forum, folës, panelistë e diskutues të tjerë do të debatojnë në temën bosht “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi ambasadorët e Norvegjisë, Greqisë dhe Luksemburgut

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve me ambasadorë evropianë, ka takuar ambasadorët e Norvegjisë, Greqisë dhe Luksemburgut.

Presidentja Osmani ka ritheksuar në takim me ambasadorët se Kosova është vendi më proevropian dhe se populli i sa i ndan të njëjta vlera me popujt e tjerë evropianë. Në këtë kontekst, ka potencuar se Kosova i ka plotësuar të gjithë kriteret për liberalizim vizash, ndaj sipas saj, duhet zbatuar rekomandimi i Komisionit Evropian për heqjen e vizave.

Sipas Presidentes Osmani liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbetet peng i teknikaliteteve të reja dhe se  vendimmarrja politike duhet të ndodhë gjatë Presidencës Çeke, ndërkaq hyrja në fuqi sipas praktikave paraprake.

Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani diskutoi me ambasadorët rëndësinë e mbështetjes për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me të cilën gjë qytetarëve të Kosovës u mundësohet fuqizimi i të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimin e ligjit. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Dhuruam 100 proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri i gjirit

Presidentja Vjosa Osmani në kuadër të muajit Rozë, ka vizituar Klinikën e Onkologjisë në QKUK, së cilës i është dhuruar 100 proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri i gjirit ndërkaq në vitet në vijim, ajo shprehet se do të rritet kjo përkrahje, përcjell KultPlus.

“Prioritet duhet të jetë parandalimi, reduktimi i vdekjeve të parakohshme, krahas zbulimit të hershëm, sikurse edhe përmirësimi i cilësisë së jetës dhe trajtimit të të prekurve nga kjo sëmundje”, ka thënë Osmani.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Muaji Rozë është një muaj në të cilin duhet ta shprehim solidaritetin, t’i shtojmë përpjekjet, e ta sensibilizojmë secilën grua për rrezikun nga kanceri i gjirit. Identifikimi i hershëm shpëton jetë.

Në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftimit të Kancerit të Gjirit, vizitova sot Klinikën e Onkologjisë në QKUK, së cilës ia dhuruam 100 proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri i gjirit ndërkaq në vitet në vijim do ta rrisim këtë përkrahje.

Prioritet duhet të jetë parandalimi, reduktimi i vdekjeve të parakohshme, krahas zbulimit të hershëm, sikurse edhe përmirësimi i cilësisë së jetës dhe trajtimit të të prekurve nga kjo sëmundje.

Na duhen 12 muaj rozë që jetën ta bëjmë më të mirë me njerëzit tanë bashkërisht! / KultPlus.com