Mbretëria e Bashkuar falënderon Qeverinë e Kosovës për strehimin e afganëve

Mbretëria e Bashkuar ka falënderuar Kosovën për strehimin e 117 afganëve, të cilët kanë udhëtuar sot në Britani, pas evakuimit të tyre nga Afganistani.

Përmes një postimi, Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se 117 anëtarët e stafit të NATO-s që ishin strehuar përkohësisht në Kosovë, kanë arritur të sigurt në Mbretërinë e Bashkuar.

“117 anëtarë të stafit të NATO-s kanë arritur sot të sigurt në Mbretërinë e Bashkuar nga Kosova. Mbretëria e Bashkuar është mirënjohëse ndaj Qeverisë së Kosovës për ndihmën jetike duke i pritur ata përkohësisht”, thuhet në postimin e tyre.

“Ne do të vazhdojnë të kërkojmë tërheqje të sigurt të afganëve të tjerë që kanë të drejtën të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar, e të cilët janë ende në rrezik”, thuhet në postim.

Qeveria e Kosovës, disa javë më parë, ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja. / KultPlus.com

Ambasadori Kosnett: Kosova po u jep mundësi afganëve për të ndërtuar jetë të re

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Kosova u jep mundësi afganëve në krijimin e jetëve të reja.

“I nderuar që i shoqërova liderët kosovarë dhe ambasadorët e shteteve QUINT-it për ta mirëpritur grupin e parë të afganëve që janë evakuuar në Prishtinë”, ka thënë ai përmes një shkrimi në ‘Facebook’.

“Afganët shtëpinë e përhershme do ta kenë diku tjetër, por përkohësisht do të qëndrojnë në Prishtinë. Kosova nuk është duke shpëtuar jetë, ajo është duke u dhënë atyre mundësi për të ndërtuar jetë të reja”, ka thënë tutje ai.

Përgjatë mbrëmjes së të dielës në Kosovë kanë arritur 111 afganë në Aeroportin e Prishitnës. Ata do strehohen në ish-Kampin e Bektel Enka-s.

Siç ka bërë me dije Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nesër do nisen aeroplanë të tjerë ushtarakë amerikanë me afganë në drejtim të Kosovës. /KultPlus.com