Strugë, promovohet libri “Populli i pandalur” i Agim Vincës

Të shtunën në Strugë, para një auditoriumi të zgjedhur, me miqë e dashamirë të librit, të ardhura nga Tirana, Prishtina, Shkupi e Tetova, u bë promovimi i librit “Populli i pandalur” të autorit Prof.dr. Agim Vinca. Ky libër vjen i ribotuar nga Shtëpia botuese AGORAPRINT e Shkupit, pas 33 viteve.

“Ky libër ribotohet pa ndryshime. Janë ndrequr vetëm gabimet e shtypit dhe asgjë tjetër. Ribotimi i këtij libri mund të shërbejë si një rifreskim i kujtesës për rrugën nëpër të cilën kanë kaluar veçanërisht shqiptarët në Maqedoni, për çka kemi shumë nevojë si shoqëri”, nënvizoi prof. Agim Vinca i cili me këtë rast tërhoqi vëmendje e audtoriumit me disa momente që përbënin segmentet më thelbësore të strukturës së librit.

“Ky libër dëshiron të jetë dëshmi e një kohe të pakohë; zë i ndërgjegjes intelektuale dhe i protestës individuale kundër dhunës, gënjeshtrës dhe errësirës”, nënvizoi Vinca.

Ai vuri në dukje edhe rëndësinë e ribotimit të këtij libri për kohën e tanishme, sepse, sipas autorit janë shumë çështj politike e etnike të shqiptarëv, sidomos në Maqedoni, e që edne nuk janë mbyllur. Prandaj, sipas Vincës, ky libër mund të jetë një vizion dhe rrugëtregues për politkbërjen dhe elitën inelektuale shqiptare. Për poetin dhe studiuesin Agim Vinca, në mënyrë telegrafike foli Prof.dr. Sherif Bundo, sekretar shkencor i Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, kurse Prof. dr. Begzat Baliu gjithashtu në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë që ka ky libër në kontekstin aktual. Me të njejtat vlerësime për librin dhe autorin, u paraqit edhe aktori dhe regjizori Mevlan Shanaj, i cili Agim Vincën e quajti poetin më (gjithë)shqiptar.

Botuesi i këtij libri, Emin Azemi në vështrimin e tij përmbledhës vuri në dukje se “Populli i pandalur” është një libër që tejkalon dimensionin e një kohe të caktuar. Ai është një testament moral, intelektual dhe kombëtar. Është një pasqyrë ku shqiptarët duhet të shohin jo vetëm plagët e së kaluarës, por edhe përgjegjësinë e tyre për të mos lejuar që ato plagë të hapen sërish.

“Në kohën e sotme, kur sfidat kanë marrë forma të tjera – nga globalizimi i pakontrolluar deri te kolonizimi kulturor dhe marginalizimi i heshtur – mesazhi i këtij libri është më i domosdoshëm se kurrë. Ai na kujton se nuk mjafton të mbijetojmë si kolektivitet biologjik, por se duhet të mbijetojmë dhe të zhvillohemi si subjekt politik, kulturor dhe historik. Në këtë kuptim, “Populli i pandalur” është më shumë sesa një libër: është një akt i ndërgjegjes kolektive, një flamur rezistence dhe një thirrje për t’u zgjuar, për të mos harruar dhe për të mos lejuar që historia të përsëritet. Është dëshmi se fjala, kur lind nga ndërgjegjja dhe nga dashuria për të vërtetën, bëhet më e fortë se çdo armë, më e qëndrueshme se çdo pushtet dhe më e pavdekshme se çdo kohë”, nënvizoi Azemi.

Brezi i ri nuk e di sa e rrezikshme ishte që t’i botoje shkrimet si ato që janë përfshirë në këtë libër, tha recensenti i këtij libri, poeti dhe studiuesi Salajdin Saliu, sipas të cilit ky libër që dikur e rrezikonte, sot e nderon profesor Agim Vincën, poetin që jeton për të bukurën dhe intelektualin që jeton për të vërtetën.

“Agim Vinca si poet është lirik, kurse si mendimtar është kritik dhe racional. Ai shkroi për shumë dukuri negative, polemizoi me guxim dhe kulturë me shumë autorë serbë e maqedonas, duke mbrojtur edhe personalitetet më të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare nga sulmet e politikës shoviniste. Në librin Populli i pandalur shfaqet një protestë e fuqishme kundër dhunës, gënjeshtrës dhe errësirës nga një zë i ndërgjegjes intelektuale që nuk pranoi të heshtë”, theksoi Salajdi Saliu.

Atmosferën e këtij eventi kulturor e bëri më interesant edhe deklamimi i disa fragmenteve të librit, nga ana e aktorit Arsim Kaleci, kurse një surprizë-dhuratë për autorin, ishte një pikturë me portretin prof. Agim Vincës./GazetaFAKTI

Dita e Liqenit të Ohrit

21 qershori tradicionalisht shënon fillimin e sezonit të plotë turistik në tri bashkitë që rrethohen nga Liqeni i Ohrit – Struga, Ohri dhe Pogradeci.

Për herë të parë Dita e Liqenit të Ohrit është shënuar në vitin 2002, me qëllim kontribuimin në mbrojtjen e pasurisë natyrore dhe kulturore të rajonit, si dhe përafrimin e mëtejshëm të banorëve në të dyja anët e liqenit.

Vendi mikpritës i manifestimit qarkullon nga njëra bashki te tjetra, por mesazhi është gjithmonë i njëjtë: ngritja e vetëdijes të opinioni për bashkëpunim sa më të madh të qytetarëve dhe të pushtetit për mbrojtjen e basenit të liqenit të Ohrit, si pasuri e pazëvendësueshme natyrore.

Në Strugë organizohen aktivitete letrare për nder të Pavarësisë së Kosovës

Më 11 dhe 12 shkurt 2025, në shenjë të festimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë, organizon mbrëmje poetike dhe tryezë letrare, me pjesëmarrje të shkrimtarëve dhe studiuesve nga Kosova, Shqipëria, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Ulqini.

Në këtë aktivitet kulturor me fjalë përshëndetëse do të paraqitet Agim Krasniqi, 

Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

Në ditën e parë, në mbrëmjen poetike do të recitohen poezi të zgjedhura për Kosovën, të shkruara nga poetët e mirënjohur: Dritëro Agolli (“Unë di shumë për Kosovën”), Ali Podrimja (“Drenica), Ismail Kadare (“Kosova”), Azem Shkreli (“Motiv me Kosovë”), Bilal Xhaferri (“Kosova “) dhe Voreo Ujko (“Fusha e Kosovës”).

Në këtë mbrëmje poetike poezitë e tyre do t’i lexojnë: Agim Vinca, Sadik Bejko Ibrahim Berisha, Entela Kasi, Puntorie Muça Ziba, Binak Kelmendi, Sali Bashota, Salajdin Salihu, Lulzim Tafa, Lulzim Haziri dhe Hajredin Kovaçi.

Në ditën e dytë do të mbahet tryeza: Shkrimtarët për Kosovën. Kumtesat e tyre do t’i paraqesin shkrimtarët dhe studiuesit e letërsisë: Ibrahim Berisha (Shkrimtari i Kosovës: identiteti dhe pavarësia), Sadik Bejko (Takimet e mia me Rugovën në vitet e nëntëdhjeta), Agim Vinca (Shkrimtarët për lirinë e Kosovës), Entela Kasi (Kadare dhe Kosova), Ismet Kallaba (Kosova në publicistikën e Basri Çapriqit), Salajdin Salihu (Shkrimtarët për Kosovën: dy qasje të kundërta)

Binak Kelmendi (Pavarësia e Kosovës në shtypin francez), Qazim Muja (Jevrem Bërkoviqi dhe shkrimtarët e Kosovës) dhe Sali Bashota (Poetët për Kosovën)./ KultPlus.com

Për herë të katërt organizohet Simpoziumi ndërkombëtar i artit në Strugë

Nga 25 qershor deri më 30 Gusht 2020 në Strugë, për herë të katërt organizohet Simpoziumi ndërkombëtar i artit “Struga 2020” ku pjesëmarrës janë rreth 30 artistë të njohur kombëtar e ndërkombëtar.

Artistë të shumtë kanë vërshuar Strugën, ku me penelatat e tyre do të kenë mundësi që inspirimin nga bukuritë e rralla të Strugës t’i hedhin në telajo duke krijuar vepra arti.

Organizatorë të aktivitetit janë Burhan Ahmeti dhe Verim Zendeli nga Shoqata Silindart kurse mbështetet nga Ministria e Kulturës. / Flaka / KultPlus.com

Plazhet e Ohrit dhe Strugës pritet të punojnë me kapacitet të përgjysmuar

Plazhet e Strugës dhe Ohrit këtë sezon do të duhet të përshtaten me masat për mbajtjen e distancës, nëse duan të punojnë. Edhe pse ende priten rekomandimet e Qeverisë, kompetentët vlerësojnë që koncesionerët duhet ngadalë të përgatiten. Nëse në një plazh verën e kaluar kanë ardhur deri në 100 persona, tani do të vijnë 50 ose 30 pushues. Një pjesë e koncesionerëve thonë që kjo nuk do të ketë leverdi ekonomike.

“Mendoj që asnjëri nuk do t’i plotësoj kriteret. Sepse nuk do të paguhet kurse futemi në harxhime të mëdha. Thjesht mund të sigurojmë mjete për dezinfektim, të dezinfektohen shazllonet dhe pajisja. Të kemi distancë sociale mes njerëzve dhe asgjë më shumë” – tha Ilija Xheparoski- ish koncesioner.

Nga Qendra e shëndetit publik në Ohër tashmë kanë njoftim se si do të organizoheshin plazhet këtë sezon.

“Nëse qëndrojnë ulur dy apo tre persona, patjetër të mbajnë maskë. Maska mbrojtëse është e obligueshme të paktën për momentin. Si do të jetë në periudhën verore, do të shohim. Do të respektohen të gjitha masat dhe rekomandimet për mbrojtjen e notuesve nga rrezitja e deri në hyrjen në ujë. Nëse deri më tani rregulli ishte që në 4 metër katror duhet të jetë një pushues, supozoj që kjo do të jetë më gjerë. Besoj që edhe distanca e shazlloneve dhe peshqirëve do të jetë më e madhe” – u shpreh Sasho Toçkov- Qendra e shëndetit publik, Ohër.

Në disa vende turistike në botë tashmë janë vendosur pengesa të tejdukshme të plastikës mes mysafirëve në plazhe dhe kafene. Pritet që këtë ta rregullojnë koncesionerët e plazheve. Në disa vende evropiane, vizita e plazheve mund të përkufizohet edhe sipas moshës, që të evitohet kontakti me kategoritë më të moshuara të njerëzve dhe personat e prekur me sëmundje kronike.

Ndryshe, nga Kryqi i kuq i Ohrit thonë që edhe puna e shpëtimtarëve këtë verë duhet të përshtatet. Ata do të kenë rol t’i vizitojnë notuesit se si duhet të sillen, por edhe t’i denoncojnë parregullsitë pranë institucioneve kompetente.

Dy kostume tradicionale të Strugës, i shtohen koleksionit etnografik të Muzeut Kombëtar

Muzeut Historik Kombëtar iu shtua një tjetër pasuri plot vlera për trashëgiminë dhe kulturën shqiptare nga shkrimtarja dhe poetja me origjinë nga Struga, por që tashmë jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sadije Veseli.

Në një takim, të zhvilluar me drejtorin e muzeut Dorian Koçi, Veseli shprehu dëshirën për të dhuruar dy kostume tradicionale nga zona e Strugës për koleksionin etnografik të Muzeut Historik Kombëtar dhe këto kostume të veçanta ju shtuan trashëgimisë sonë kombëtare.

Bëhet fjalë për dy veshje tradicionale, ku kostumi i parë vishej përgjithësisht nga mosha e tretë dhe përmban këto pjesë: dimija, brez, peshterka, (përparëse),këmbëza, shami dhe çorape. Ky kostum është i vjetër mbi 100 vjet dhe i gjithi i punuar me dorë në veg.

Kostumi i dytë i përket veshjes së nuseve të reja strugane, që daton nga vitet 1980 dhe përmban dimija, brez, këmbëza, këmishë të punuar me grep,shaminë e kokës dhe çorapet. Po ashtu edhe ky kostum është i punuar me dorë në veg./ata