Melodi e këputur!

Agim Vinca

(Nderim për Fazli Graiçevcin, 1935-1964)

E nderuara familje Graiçevci,

I nderuar Kryeministër, ministra, deputetë,

Të dashur miq dhe kolegë,

Zonja dhe zotërinj!

Gjashtëdhjetë vjet më parë, më 17 gusht 1964, pas katërmbëdhjetë ditë torturash çnjerëzore, vdiq poeti dhe veprimtari Fazli Graiçevci.  

Kjo vrasje mizore ndodhi në Burgun e Prishtinës, nëpër dyert e të cilit kanë kaluar me qindra atdhetarë, djem e vajza, burra e gra, që nuk u pajtuan me pushtimin e tokave shqiptare dhe me copëtimin e tyre nga pushtuesit fqinj dhe fuqitë e mëdha.

Mbytja mizore e Fazli Graiçevcit në burg është një nga aktet e shumta të politikës gjenocidale serbomadhe ndaj shqiptarëve të mbetur padrejtësisht nën sovranitetin jugosllav, pavarësisht si quhej shteti: “monarki” apo “republikë”.

Fazliu është njëri nga ata që burgu iu bë varr; hyri me këmbët e veta në të, por nuk doli i gjallë.

Dramën e bën edhe më të dhimbshme fakti që pas vdekjes së Fazliut, bashkëshortja e tij, Myrvetja, pasi bëhet nënë, shkon në Turqi, për vizitë te njerëzit e saj dhe atje i ndodh një fakteqësi: i vdes ku lind fëmijën që e kishte në bark, djali, es aksidentalisht si fëmijë, duke rënë nga ballkoni i shtëpisë tek ishin vendosur.

Një familje u shua, ndërsa një këngë mbeti e pakënduar, melodi e këputur!

Përse u privua nga jeta Fazli Graiçevci?

Ishte anëtar i organizatës politike “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” (LRBSH), të kryesuar nga veprimtari i shquar, simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi. Në fakt, Fazliu ishte jo vetëm anëtar, por edhe njëri nga drejtuesit e LRBSH-së, të kësaj organizate politike që shtrihej në tërë Kosovën dhe që kishte në program çlirimin e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me shtetin amë, Shqipërinë. Ishte kryetar i Komitetit për Drenicën.

Kishte ngritur flamuj, sikurse shokët e tij, në ‘63-shin, por aksioni i tij kishte qenë nga më të vështirët dhe më të guximshmit, sepse Fazliu e kishte vënë flamurin në repetitorin e Televizionit në Golesh. Të lartët synojnë gjithmonë lartësitë!

Ditën e arrestimit, më 3 gusht ’64, kishte lënë dy porosi: e para, fëmijës që pritej të lindte, nëse do të ishte djalë, t’ia linin emrin Flamur dhe, e dyta, “shkrimet të m’i ruani si sytë e ballit”, sepse për shkrimtarët dorëshkrimet janë si fëmijët!

Sa herë që flitet për Fazli Graiçevcin, nuk mund të mos përmendet akti burrëror i dr. Ali Sokolit, që nuk pranoi ta nënshkruante dokumentin për kinse vdekjen e tij nga sëmundja e tuberkulozit e jo nga torturat në burg. Gjesti i këtij mjeku atdhetar me etikë profesionale dhe ndërgjegje kombëtare, tregon se Hipokrati dhe Sokrati nuk mund të ndahen, madje as në kohëra të errëta e të rrezikshme, çfarë ishte ajo e para vitit 1966 në Kosovë, por dhe më herët e më vonë.

Shtrohet pyetja: cili është portreti i Fazli Graiçevcit; çka e karakterizon atë si njeri dhe krijues?

Pamjen e tij të jashtme e njohim nga fotografitë: një djalë i gjatë, i pashëm, elegant, kurse botën e brendshme nga poezitë e botuara ose të lëna në dorëshkrim: një shpirt lirik me botë të pasur shpirtërore.

Bir i një familjeje të varfër fshatare me shumë fëmijë, Fazliu u rrit me dashurinë për vendin e lindi e për gjuhën amtare dhe me idenë e çlirimit të Kosovës dhe të bashkimit kombëtar.

Ishte atdhetar, por edhe humanist; në shpirtin e tij nuk kishte asnjë grimcë urrejtjeje për të tjerët. Të tillë kanë qenë gjithmonë revolucionarët e vërtetë; i tillë ishte edhe Fazli Graiçevci, mësues dhe poet, në vargjet e të cilit frekuentojnë shpesh fjalët dashni, njerëzi dhe mirësi. 

Kam dalë me ‘i tubë shpresa n’grusht

Kangë me i thurë mirësisë

(Me melodinë e ngrohtë jam mik i ngusht’)

Rreze dashnije me i falë njerëzisë.

Nuk e lanë ta vazhdonte këtë mision, që, në kushtet e trysnisë politike dhe policore, mund të ishte edhe iluzion. Jeta e tij u ndërpre dhunshëm, nga ata që strategji shtetërore kishin shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve, kurse kënga e tij mbeti e papërfunduar, si e shumë krijuesve të tjerë të talentuar, si Jusufi (Gërvalla), Bahriu (Fazliu) e të tjerë, që dhuntinë e tyre krijuese, ia falën kauzës kombëtare, pa harruar kurrsesi as “Bacën Adem”, të  cilit as armiqtë e tij më të mëdhenj nuk ia mohojnë talentin letrar. (Njëri nga denoncuesit e tij në vitin 1958, edhe vetë poet, e quante “shkrimtari ma i talentuem i Kosmetit”).

Pas vdekjes fizike nga torturat në burg, pasoi vdekja shpirtërore e Fazli Graiçevcit, që është edhe më e tmerrshme se e para: ndalimi i veprës dhe i emrit të tij, siç ndodh rëndom në sistemet totalitare, çfarë ishte edhe sistemi jugosllav, me gjithë propagandën dhe demagogjinë perfide.

Deri në vitin 1990, kur ra sistemi njëpartiak dhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë, emri i Fazliut, sikurse edhe ai i Demaçit dhe i shumë të tjerëve, ishte i ndaluar. Pastaj, vrulltas u “zbulua” e u përmend në shkrime e gazeta si martir dhe si poet. U mblodhën poezitë e tij të botuara te “Zani i rinisë” dhe “Jeta e re”, si dhe ato të lëna në dorëshkrim dhe u botuan në dy përmbledhje vjershash: “Kanga e maleve” (1994) dhe “Gjethet e përgjakuna” (1995), që dolën njëra pas tjetrës, duke e rivënë komunikimin e ndërprerë me krijimtarinë e tij.

Por, ç’ndodhi më tej? Pasi kaloi euforia e fillimit të viteve nëntëdhjetë, Fazli Graiçevci sikur u la në harresë. Kjo harresë arrin deri aty sa ai nuk u përfshi as në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të hartuar nga Akademia jonë e Shkencave dhe e Arteve (2018), ku emri i tij nuk figuron fare, si të mos ekzistonte. Aty ka tre Grajçevcë të tjerë, të gjallë, por mungon zëri për më të njohurin dhe më të rëndësishmin ndër ta, Fazli Graiçevcin! Gati s’po u besoja syve teksa e shfletoja këto ditë botimin luksoz të Fjalorit Enciklopedik, të financuar nga shteti në themelet e të cilit qëndron gjaku i Fazli Graiçevcit dhe i shokëve të tij! Nuk është hera e parë që institucioni ynë më i lartë shkencor, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), që thith mjete të mëdha nga buxheti i varfër i Republikës së Kosovës, me qëllim apo nga mosdija, bën gafa të këtilla!

Po të kishte jetuar normalisht si gjithë të tjerët, Fazli Graiçevci mund të ishte ende gjallë, por ai zgjodhi rrugë tjetër: t’i qëndronte besnik idealit të vet jetësor: luftës për çlirimin e Kosovës dhe betimit për të mos i tradhtuar shokët, që ishte normë morale e Lëvizjes sonë Kombëtare.

Po e mbylli këtë fjalë modeste me një përqasje, që m’u imponua vetvetiu derisa po i bëja këto shënime. Mund të jetë rastësi, por edhe rastësitë e kanë simbolikën e vet. Përse është fjala? Për një analogji fati e moshe të dy djemve kryengritës, njëri i Delvinës, tjetri i Drenicës.

I lindur në vitin 1935, Fazliu ishte 29 vjeç kur vdiq, në të vërtetë kur e vranë, po aq sa edhe njëri nga intelektualët më të talentuar të viteve tridhjetë në Shqipëri, poeti dhe publicisti Ismet Toto (1908-1937), të cilin pushteti zogist e vari në litar me akuzën se kishte dashur ta përmbyste regjimin. Para se ta ekzekutonin, shkroi tekstin vehement: “De profundis”, që mbyllet me fjalinë lapidare: “Bota nuk është e atyre që ngrohen, bota është e atyre që digjen”.

Fazli Graiçevci i takon lagjes së atyre që digjen, që u dogjën për ta ndryshuar botën, në rastin tonë fatin e Kosovës dhe të shqiptarëve si komb, por, pse jo, edhe të njerëzve të tjerë që jetojnë në këtë hapësirë dhe më gjerë, pa dallim race, gjuhe, feje e kombësie.

Lavdi atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës!

Nderim emrit dhe veprës së Fazli Graiçevcit!

 (Fjalë e mbajtur në mbrëmjen përkujtimore kushtuar poetit dhe veprimtarit Fazli Graiçevci mbajtur në Kryeministrinë e Republikës së Kosovoës, më 17 gusht 2024)/ KultPlus.com

Agim Vinca, intelektuali i patjetërsueshëm

Fitim Çaushi

Në ditët e Festivalit “Strugë Jeho”, korrik 2024, në Hotelin “Diplomat” u takova me poetin, prozatorin dhe intelektualin e afirmuar Agim Vinca. Ishte po ai, që kisha takuar në Apoloni, Tiranë dhe Prishtinë, i thjeshtë e njerëzor. M’u përforcua bindja, se Agimi ishte profesori dhe edukatori me një ndërgjegje atdhetare dhe dashuri të madhe për emrin shqiptar, për Shqipërinë, me individualiet të spikatur dhe kurajo qytetare për të prekur temat e nxehta në shërbim të vendit të tij, që shumë intelektualë shqitarë u shmangen.

Me sjelljen e tij të natyrshme dhe ngrohtësinë tepër njerëzore, me natyrën e çiltër dhe modestinë mbresëlënëse, më krijoi një marrëdhënie vëllazërore, për të cilën kisha nevojë. Më dhuroi dy libra me poezi të përkthyera edhe në gjermanisht dhe më pohoi, se në bibliotekën e tij kishte dy libra të miat; “Dritat dhe hijet e Faik Konicës”, dhe “Në vdeksha qamë me ligje”. Me gjithë komplekset e inferioritet, që kisha para një intelektuali madhor, si Agim Vinca, u ndjeva mirë nga fryma e tij vëllazërore dhe e falenderova për marrëdhëne kaq të natyrshme që po më ofronte.

Duke pirë  kafen, më lexoi një poezi për fshatin e lindjes, Veleshtën: poezi plot mbresa, plot nostalgji dhe frymëzim prekës, imazhe, e qëndrime ideoemocionale  të freskëta, si t’i lëshonte në fluturim për ta lehtësuar shpirtin e brengosur nga braktisja fshatit. Ndjeva se poezia ishte  ndërtur mbi tonalitete simfonie, me përsiatje, ku fëmijëria e tij në fshatin e lindjes, mbetej burim poezie  dhe poezia si reflektim dhe frymëzim jete. Në thjeshtësinë e bukur kishte rrjedhshmëri rrëfimi, kthelltësi mendimi, çiltërsi ndjenje dhe lehtësi vargëzimi. M’u duk se poezia ngërthente dashurinë për fshatin e intelektualit të larguar, trishtimin e largimit të banorëve me shtëpi të mbyllur. Jetës i mungonte gjallëria e fëmijërisë së tij të dikurshme. Ishte poezi e lindur nga dashuria për vendlindjen.

Pas një bisede të gjatë, më mori me makinë dhe më shëtiti në fshatin e tij Veleshtë, Duke kaluar nëpër ambientet e hotelit dhe rrugët e Veleshtës, e takonin me shumë respekt të njohur dhe ish studentë, duke i shprehur mirënjohjen e tyre për vlerat e tij intelektuale dhe njerëzore. Ky shoqërim, më pasuroi shumë shpirtërisht, mbeti për mua një emocion i fortë, një detyrim vëllazëror, sepse ndjeva njeriun e çliruar prej tjetërsimesh, që prezantonte vetveten si njeri plotësisht shoqëror. Gjatë bisedave e ndjeva si një enciklopedist në kulturën shqiptare, veçanërisht në letërsi, si pedagog në Universitetin e Prishtinës prej 40 vjetësh.

Nuk kisha aftësinë dhe sigurinë për të dhënë mendime për krijimtarinë e Agim Vincën, por me sa dija unë, në analiza, interpretime dhe vlerësime, ka qëndruar sa më pranë mendimit kritik të kohës. Në trajtime periodike, autori  e ka trajtuar letërsinë realiste, jo si dukuri të shkëputur, po si stad i veçantë i historisë së letërsisë shqiptare, si zhvillim risor i traditave popullore, atdhetare e përparimtare të mëparshme, si një letërsi në shndrim e lartësim të pandrëprerë  bashkëkohësimi e cilësie. Me krijimtarinë e tij, Agim Vinca e ka  ndier veten përfaqësues të  popullit, me misionin e lartë që veprat e tij t’i shërbenin çlirimit, emancipimit dhe aktivizimit të masave, në lartësim të dinjitetit njerëzor dhe shndrim të marrëdhënieve shoqërore.

Poeti dhe shkrimtari Agim Vinca, është përfaqësues  aktiv i formës kombëtare, me të cilën kupton jo vetëm mjetet e shprehjes artistike apo vetëm gjuhën, por veçanësitë e konstitucionit shpirtëror kombëtar dhe veçoritë e zhvillimit historik. Në çështje të formës e të mjeshtërisë artistike, origjinaliteti i të shprehurit artistik, gjetja e formave dhe strukturave sa më të përshtatshme të pasqyrimit, shfrytëzimi sa i më i efektshëm i mundësive dhe i pasurisë shprehëse të gjuhës shqipe, e pasuroi ideoemocialisht letërsinë e Agim Vincës.

Në morinë e veçorive kombëtare dhe shpërfaqjen e individualitetit të tij në rrafsh shoqëror, mënyrat e pasqyrimeve të drejpërdrejta epike, të reflektimeve meditative, të ndërtimit të veprave mbi bazë herë metaforike e konvencionale janë vetëm forma artistike, që nuk përjashtojnë as realizmin as tendenciozitetin. 

Personazhet e Agim Vincës, janë karaktere jetësor, me fizionomi të përcaktuar shoqërore e veçori vetiake, kalitur në kudhrën e jetës, me rrënjët në historinë kombëtare, në rrethana të përcaktuara historike e bashkëkohëse, në mendimin, se njeriu duhet të ngadhnjej në jetë e t’i bëjë rrethanat sa më njerëzore. Kjo është një vlerë artistike e krijuar, një përvojë pozitive dhe dëshmi artistike e çmueshme. Këto e ritën prestigjin e Agim Vincës, të arrinte popullarit e lartësi. Poezia e tij përthyente në imazhe poetike të përgjithësuara, përplasjet dramatike, shpreh tendosjen nervore dhe shqetësimet e gjendjeve të krijuara, vizaton tiparet shoqërore të bashkëkohësit dhe ndërgjegjen e tij të paqetë me të cilat ndikon fuqishëm te lexuesit.

                    Agim Vinca formon profile artistike të veçanta, tipare individuale, duke dhënë kontribute për modernizimin e letërsisë në përvijimin e rrugëve për pasurimin e mundësive pasqyruese e shprehëse të saj dhe daljen në pararojën e letërsisë kombëtare, madje kontribon të njihet e të çmohet letërsia shqiptare edhe jashtë kufijve të vendit.

Aktualisht nuk shkruhet për formën, teknikën artistike, për estetikën e veprave, flitet pak për individualitetin e penave më të shquara, ndërkohë  që letërsia shqiptare e para viteve ‘90 del e përfaqësuar nga vlera të shumta, të cilat jo vetëm janë pasqyrë e kohës, shprehëse të një fryme humaniste e demokratike, frymëzuese dhe mishëruese të fizionomisë kombëtare, por edhe për natyrë dhe realizëm artistik; shpërthimin e talenteve, krijonte të bukurën, ecte drejt emancipimit të gjithanshëm të personalitetit të njerëzve, pra edhe të letrarëve dhe të artistëve.

Te Agim Vinca gjejmë mirënjohjen dhe respektin e thellë për shkrimtarin dhe intelektualin, që vuri një gur themeli në letërsisë tonë. Në krijimtarinë e tij  harmonizohen maturia dhe ekuilibri në gjykime e vlerësime, dashuria e thellë për kulturën kombëtare, atdheun dhe popullin, qëndrimi i ftohtë kritik dhe pasioni i fuqishëm i intelektualit krijues. Në krijimtarinë e tij ka përgjithësime dhe interpetime që do t’i qëndrojnë kohës.

Më duket, se mendimi vjen tek Agim Vinca si reflektim intelektual e emocional për historinë dhe bashkëkohësinë, për problematikën e kohës; për fizionominë, botën shpirtëtore, përgjgjësitë dhe aspiratet e brezit të ri.

Agim Vinca ështe një pasuri intelektuale e një brumi të veçantë, i paisur nga natyra me aftësinë e njeriut që ka dhunti forcën e shprehjes, guximin, formën tërheqëse dhe stilin e ngjeshur me mendim. Ai do të mbetet pasuri e kulturës tonë kombëtare, për tërë atë trashëgimi letrare e estetike për të cilën edhe ka shkruar:

Këtu jam vetëm

Po me mua janë: Naimi,

Mjeda, Noli, Migjeni, Agolli,

Kadareja…

Shpirti me ta fluturon i lirë

E trupi shpëton nga vdekja.

Agim Vinca e ka publikuar misionin e tij artistik: “Kot e kini, nuk mbyllet në burg poeti”. “Të jesh fanar mes errësirës”

U largova nga Struga me dashurinë e një vëllai të një gjaku, mora urtësinë e një intelektuali të këtij trualli dhe bindjen e një patriotizmi të brendshëm që i qëndronte si stolia e ndritur në zëmrat shqiptare./ KultPlus.com 

Tetë dekadat e Adem Demaçit

Nga Agim Vinca

Në vitin 1990, kur Adem Demaçi kishte hyrë në vitin e vet të 28-të të burgut, e përjavshmja “Danas” e Zagrebit, i vetmi organ i shtypit jugosllav që u bënte vend shkrimeve tona të pakta që merrnin në mbrojtje, pak a shumë, shqiptarët nga fushata e tmerrshme që zhvillohej kundër tyre në vitet ’80 (pas vitit 1981), në rubrikën e saj të rregullt “Ličnost tjedna” (Personaliteti i javës), botonte një shkrim për të burgosurin politik numër një në ish-Jugosllavi dhe ndër më të njohurit në botë, Adem Demaçin.

Jugosllavia e atëhershme, nën ndikimin e zhvillimeve në Evropën lindore e qendrore (në ish-Bashkimin Sovjetik, Poloni, Çeki etj.), po shkonte drejt pluralizmit politik dhe si rezultat i rrethanave të reja të krijuara, pritej lirimi i të burgosurve politikë, në mesin e të cilëve doemos edhe i të burgosurve politikë shqiptarë, të cilët ishin, në raport me numrin e popullsisë, pra proporcionalisht, më të shumtit në numër dhe të dënuar me dënime nga më të rëndat, disa prej të cilëve, madje, si Adem Demaçi me shokë, nga dy-tri herë radhazi.

“Čovjek sa transparenta” (Njeriu i tranparenteve) titullohej shkrimi i “Danas”-it, që Óiste në dy faqe për Adem Demaqin (kështu ia shkruanin emrin) dhe që sillte edhe fotograÒnë e tij, për herë të parë pas shumë vitesh e dekadash dhe që, siç mund të shihej qysh prej titullit, e paraqiste atë si lider politik të lëvizjes ilegale shqiptare për çlirim, si njeri që mobilizonte masat, me portretin e të cilit dilej në demonstrata, kryesisht në Perëndim, e të tjera të ngjashme.

Shkrimi ishte kryesisht pozitiv, por e paraqiste Adem Demaçin, autorin e romanit të famshëm Gjarpinjtë e gjakut, të shndërruar në legjendë, ashtu sikurse edhe autori i tij, vetëm si njeri politik, por jo edhe si krijues letrar, pra si shkrimtar.

I vetëdijshëm se në këtë mënyrë, Adem Demaçi paraqitej në mënyrë jo të plotë, madje të njëanshme, pata bërë një shkrim, në të cilin, duke përshëndetur veprimin e gazetës zagrebase, ia bëja me dije redaksisë dhe, nëpërmjet saj, edhe lexuesve, se Adem Demaçi, përveç se veprimtar politik, shumë i njohur dhe shumë i çmuar, ishte edhe shkrimtar, autor i një numri të konsiderueshëm tregimesh dhe i një romani, që kishin bërë bujë në kohën kur ishin botuar në Prishtinë, në gjysmën e dytë të viteve ’50 të shekullit XX, por që më vonë, pas rënies në burg të autorit, ishin ndaluar, ashtu siç ishte ndaluar edhe emrin i autorit të tyre, i cili, në Kosovë e gjetkë rreth tri dekada nuk mund të përmendej publikisht, pos në kontekst negativ: si armik i Jugosllavisë, çfarë edhe ishte në të vërtetë. (Armik i Jugosllavisë? Po.

I shtetit dhe i ideologjisë së tij, por jo edhe i popujve të saj, sepse Adem Demaçi, njeri me sens të rrallë politik dhe humanist i vërtetë, ka ditur ta bëjë gjithmonë dallimin mes popujve e regjimeve dhe nuk i ka bërë kurrë vend urrejtjes në zemrën e tij të madhe).

Në fund të shkrimit tim, të cilin Danas-i, për çudi, nuk e botoi, edhe pse më kishte botuar jo pak shkrime të tjera më parë, nënvizoja edhe një detaj, në dukje mbase të parëndësishëm, por që do ta ndjekë si fatalitet shkrimtarin ndër vite, faktin se emri i Adem Demaçit, në të vërtetë mbiemri i tij, shkruhej me ç” (të fortë) e jo me “q” (të butë), si thuhet në Kosovë, siç e kishte shkruar gazetari i “Danas”-it dhe siç do ta shkruajnë jo rrallë edhe vetë shqiptarët jo vetëm në atë kohë, por edhe më vonë, deri në ditët e sotme. Kjo ishte, siç kam marrë vesh, një nga arsyet (edhe pse jo e vetmja), që e shtyri autorin, shkrimtarin Adem Demaçi, të hiqte dorë për një çast nga emri i tij historik dhe ta nënshkruante kompletin e veprave të tij prej dhjetë librash, të botuar në vitin 2012, me Adem Dema e jo Adem Demaçi, veprim ky, i cili, megjithatë, mua personalisht, si lexues i veprës së Adem Demaçit dhe si studiues i saj, nuk më është dukur me vend!

Të ritheksojmë edhe një herë, edhe në këtë përvjetor jubilar, se Adem Demaçi, është jo vetëm veprimtar i shquar politik, njeri që bëri epokë, por edhe një krijues me talent të rrallë artistik. E them me përgjegjësi të plotë se po të mos e kishte Óijuar talentin e tij letrar për hir të çështjes kombëtare, Adem Demaçi do të ishte bërë një shkrimtar i përmasave të mëdha ose, siç kam thënë në një rast tjetër, sado hipotetike që mund të duket kjo gjë, Kadareja i Kosovës.

“Baca”, siç jemi mësuar ta quajmë me dashuri të gjithë ne kur Óasim për të, madje edhe ata që mund të jenë moshatarë të tij apo edhe më të moshuar se ai, i kishte të gjitha predispozitat për t’u bërë i tillë: talentin, imagjinatën, aftësinë e të vërejturit të fenomeneve jetësore, prirjen për tëkrijuar karaktere njerëzore, gjuhën e pasur, stilin lakonik, njohjen me themel të frazeologjisë popullore, zotërimin e gjuhës si sistem mjetesh shprehëse në të gjitha nivelet e saj, e të tjera.

Në librin Dosja Demaçi të historianitdr. Hakif Bajrami, haset, ndër të tjera, edhe një fjali, në të cilën thuhet: “në mesin e shkrimtarëve të Kosmetit konsiderohet si shkrimtari ma i talentuem”. Jam mahnitur kur e kam lexuar këtë fjali, tëshqiptuar nga njëri nga denoncuesit e tij. Përse? Për shkak se aty mësova, ku më së paku e prisja, se talentin si shkrimtar Demaçit nuk ia mohonin as ata që e denonconin e as ata që e burgosnin.

Përkundrazi, e konÒrmonin atë, duke pohuar me gojë plot se ai ishte “i talentuem”, madje shumë më i talentuar se ata vetë, por, ajme, kishte një të keqe të madhe: ishte armik i shtetit dhe jo një armik dosido, por i vendosur, trim e konsekuent deri në fund. Adem Demaçi i ri, ky idealist i vërtetë, sikurse edhe shokët e tij, që iu bashkuan dhe e mbështetën, kishte një ëndërr të madhe, heretike për kohën: ëndrrën e çlirimit të Kosovës nga zgjedha serbe dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, prej së cilës ishte shkëputur padrejtësisht e me dhunë në vitet 1912-13.

Për hir të kësaj ëndrre, Adem Demaçi e sakriÒkoi talentin e tij si shkrimtar dhe karrierën e tij prej shkrimtari të dorës së parë. Kur ra në burg për herë të parë, në vitin 1958, me akuzën për “agjitacion e propagandë”, Ademi ishte emër i njohur në letrat shqipe në Kosovë.

Ish-studenti i shkëlqyeshëm letërsisë botërore, që me dijen dhe talentin e tij kishte çuditur edhe profesorët më të rreptë në Universitetin e Beogradit dhe gazetar i rubrikës së kulturës në të vetmen gazetë të përditshme shqipe në ish-Jugosllavi, “Rilindja”, ai kishte botuar, duke Òlluar nga viti 1953, në shtypin dhe periodikun letrar të Kosovës, kryesisht te “Jeta e re”, një varg tregimesh, me të cilat kishte përvetësuar lexuesit dhe kritikën letrare të kohës si një talent i rrallë në fushën e prozës, e cila atëherë ishte dhe, në njëfarë mase, vazhdon të jetë edhe sot deÒcitare në letërsinë shqipe të Kosovës.

Nuk harrohen tregimet e tij: Kur zoti harron, Mestani, Kthimi, Burija e Pizh Magjupit, Eu, Binak, eu…, Toka nuk sillet vetëm rreth boshtit të vet, Ezopi e të tjera, që shquhen për gjetjen e temës dhe të subjektit, për personazhet pikante, për nuancimet psikologjike, për gjuhën e gjallë e autentike, për ndjenjën e humorit dhe vlera të tjera, që i bëjnë ato modele të tregimit të shkurtër dhe si të tilla tërheqin edhe sot vëmendjen e lexuesit.

Pas një përvoje në fushën e tregimit, ku herë-herë shkëlqen si të ishte nxënës i Çehovit ose O’Henrit, i inkurajuar edhe nga suksesi që arriti tek lexuesit, Adem Demaçi do të kalojë në fushën e romanit.

Kur nuk ishte më shumë se 22 vjeç, ai botoi, në faqet e “Jetës së re”, në dy vazhdime, romanin e tij të njohur, Gjarpijt e gjakut, i cili, po atë vit (më 1958), falë përkujdesit dhe dashamirësisë së Esad Mekulit, do të botohet si libër më vete në edicionin e “Jetës së re”. Njohës i mirë i jetës dhe i mendësisë së popullit të vet, i plagëve dhe dhembjeve të tij, Adem Demaçi do të verë gishtin aty ku duhej: te plaga e hapur e vëllavrasjes dhe e gjakmarrjes, duke u angazhuar jo në mënyrë banale, por nëpërmjet situatash artistike, për kapërcimin e saj.

Pamja e fundit e romanit, ku njëri nga personazhet (Mustafa), kundërshtar i rreptë i zakoneve prapanike, pas përleshjes së dy familjeve, i drejtohet një fëmije, simbol i së ardhmes, me fjalët: “Shtypi, shtypi këta gjarpij të gjakut!…”, Óet jo vetëm për mesazhin e qartë të veprës, por edhe për mundësitë e mëdha krijuese të autorit të saj.

Se sa është treguar inventiv e largpamës Adem Demaçi në këtë vepër të papërsëritshme të prozës shqipe, Óet edhe motoja e vënë në krye të saj.

Vargjet emblematike: “Jo atyne që janë trima/ me ngrehë gishtin e krimit/ po atyne që janë trima/ me shtri dorën e pajtimit” shprehin në mënyrë lapidare preokupimin atdhetar e humanitar të shkrimtarit, të cilin ai përpiqej ta bënte pjesë të ndërgjegjes së popullit të vet. Jo rastësisht këto vargje, tridhjetë vjet më vonë, u bënë moto e lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në vigjilie të viteve ’90, kur Adem Demaçi ende mbahej në burg, por fara që kishte hedhur ai tashmë kishte mbirë dhe kishte dhënë frytet e saj në tokën e plleshme të Kosovës

Gjatë viteve të burgut, jo vetëm të parit e të dytit, por edhe të tretit, më të gjatit, Adem Demaçi nuk mundi ta ushtronte profesionin e shkrimtarit.

Ndryshe nga ç’veprohej me intelektualët e tjerë disidentë të Evropës, atij nuk iu mundësua në burg që ta ushtronte zanatin e shkrimtarit. Në burgun e Stara Gradishkës, ku qëndroi në vitet e fundit, ai bënte punën e montuesit të stilolapsave, por atij vetë (çfarë ironie!) nuk i lejohej të shkruante.

Ky fakt, sikurse edhe qindra të tjerë, tregon qartë se sa ishte i rremë miti mbi liberalizmin e regjimit titist jugosllav, të cilin me të drejtë disa analistë perëndimorë e cilësonin si “stalinizëm antistalinist”.

Edhe pas daljes nga burgu Adem Demaçi arriti t’i befasonte lexuesit, duke dëshmuar se vitet e gjata të burgut nuk e kishin tharë shpirtin e tij krijues. Në vitin 1994 botoi romanin Libër për Vet Mohimin, në të cilin u përpoq të shprehte, në mënyrë alegorike, vizionin e tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe, rrjedhimisht, edhe ëndrrën për një pajtim të mundshëm historik mes dy popujve të armiqësuar, serbëve dhe shqiptarëve.

Ndryshe nga romani i tij i hershëm Gjarpijt e gjakut, ku gjejmë tipin e prozës sociale të mjedisit rural, me elemente herë-herë etnograÒke, në Libër për Vet Mohimin, Demaçi kultivon prozën urbane me elemente eseistike, që e hasim rëndom te shkrimtarët politikisht të angazhuar (Brehti, Sartri, Kërlezha etj.).

Protagonist i rrëÒmit është një intelektual shqiptar, ish-i burgosur politik, i cili, pas një qëndrimi të gjatë në burg, kthehet në vendlindje, ku sheh shumë ndryshime, por edhe një gjendje në thelb të pandryshueshme: atë të mungesës së lirisë kombëtare.

Shikuar nga aspekti tipologjik ai i takon kategorisë së personazheve-ide e jo të personazheve-karaktere, gjë që e sugjeron edhe emri i tij: Vet Mohim (nga fjala shqipe vetëmohim: Óijim i interesit vetjak për hir të interesit të përgjithshëm).

Së bashku me një grup miqsh, bashkëmendimtarë të tij, ky personazh ideograÒk, niset në kërkim të disa të vërtetave thelbësore me rëndësi jetike për jetën e banorëve të hapësirës ballkanike, por edhe për njeriun në përgjithësi.

Si të dilet nga kriza e krijuar pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë? Si të zgjidhet çështja shqiptare dhe veçanërisht çështja e Kosovës? Si të pastrohet Ballkani nga shpirtrat e këqij, nga demonët që luajnë me fatin e popujve?

Cilat janë rrugët më të drejta e më frytdhënëse për t’u mposhtur e keqja? Si të shpëtohet njeriu i sotëm nga rreziku që i kanoset prej teknikës? Si të shpëtohet natyra prej ndotjes? Si të çlirohet njeriu nga ankthi i vdekjes dhe a është i pavdekshëm shpirti i tij?

Njeri që pjesën dërrmuese të jetës e ka kaluar në burg, por pa e humbur kurrë lirinë e vet të brendshme, heroi i Demaçit, pas daljes nga “burgu i vogël” në “burgun e madh”, niset në kërkim të rrugëve të lirisë për vete dhe të tjerët, për “të vetët” dhe ata “të tjerët”, sepse askush nuk mund të jetë i lirë, sipas tij, duke e mbajtur në robëri dikë tjetër, duke e shtypur dhe shfrytëzuar atë. Mirëpo, si të arrihet kjo, në ç’mënyrë? – shtrohet pyetja.

Dhe përgjigjja është: “jo me dhunë, por me marrëveshje; jo me agresivitet, por me durim; jo me urrejtje, por me dashuri”. Për Demaçin më trim është ai që fal sesa ai që vret, ndërsa më fatkeq – ai që e shkakton sesa ai që e pëson vuajtjen. Kjo do të thotë se ÒlozoÒa e tij është ÒlozoÒ e mosdhunës, por kurrsesi jo e qyqarllëkut. Për të nuk është i huaj koncepti i Gandit se “dishepull i vërtetë është ai që i njeh dhembjet e tjetrit si të ishin

të tijat”, sikundër edhe parimi i lartë etik, i formuluar për mrekulli nga malësori ballkanas Mark Milani, se trimëri është ta mbrosh veten nga të tjerët, ndërsa burrëri t’i mbrosh të tjerët nga vetja.

Vepra e parë e Adem Demaçit e shkruar dhe e botuar pas daljes nga burgu, romani Libër për Vetmohimin, do të pasohet edhe nga një varg veprash të tjera të krijuara më vonë, siç janë: Heli e Mimoza, Nëna Shegë e pesë gocat, Shkrumbnajë e dashuri, Dashuria kuantike e Filanitdhe Alb Prometeu, një cikël prej pesë romanesh, të shkruara në vitet 2007-2012, pra në prag dhe pas shpalljes së pavarësisë, që Óasin për luftën dhe pasluftën në Kosovë, poema Tung vargu im, e vetmja vepër në vargje e këtij prozatori të spikatur dhe drama historiko-politike Politika dhe pushka, hedhur në letër në vitin 1970 në burgun e Pozharevcit dhe e përpunuar në vitin 2011-2012 në Prishtinë e Sarandë, e cila u botua për herë të parë në kuadër të kompletit.

Edhe në këto vepra Adem Demaçi vazhdon aventurën e tij krijuese, duke u bërë jehonë ideve të vetapolitike, por edhe shoqërore e ÒlozoÒke, që e kanë udhëhequr në jetë dhe të cilave ai ua ka kushtuar jetën dhe duke ndërfutur, kur më shumë e kur më pak, edhe elemente autobiograÒke, pa bërë në asnjë rast apologjinë e vetvetes, por duke mbrojtur gjithmonëpopullin të cilit i takon.

Kur në vitin 1957, ideologu i hegjemonizmit serb, shkrimtari Dobrica Qosiq, në një takim të mbajtur në Prishtinë, në ndërtesën e Komitetit Krahinor, i porosit shkrimtarët e Kosovës që “ta hapin hullinë e parë”, duke Òlluar “nga Òllimi” dhe duke shkruar vepra “në frymën e patriotizmit socialist jugosllav”, i vetmi që guxon t’i kundërvihet pikëpamjes së tij, duke ia dhënë përgjigjen e merituar, është i riu Adem Demaçi, i personiÒkuar në roman si Filani: ”Si duket shkrimtari nga Beogradi nuk e ditka se ne kemi letërsinë tonë. Ne nuk kemi nevojë ta Òllojmë letërsinë tonë nga e para; ne duhet të vazhdojmë aty ku e lanë shkrimtarët tanë të

mëdhenj: Pjetër Budi, Frang Bardhi, De Rada, Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Noli, Migjeni, Luigj Gurakuqi, Mihal Grameno, Lasgush Poradeci, Sterjo Spasse, Mitrush Kuteli…”. Në atë “ftohtësi akulli”, që mbretëron në sallë, në praninë Duçit famëkeq (Dushan Mugosha) dhe komitetlinjve të tjerë, dëgjohet zëri inkurajues i profesor Zekeria Rexhës: “Bravo Filan!”, alias Adem.

Ka pasur përpjekje që Adem Demaçi dhe ÒlozoÒa e tij krijuese të karakterizohen me pak fjalësi vijon: “realist në politikë, liberal në ideologji, hegelist në ÒlozoÒ, stoik në etikë dhe ithtar i postmodernizmit në letërsi”.

Edhe pse tingëllon bukur, cilësimi i mësipërm lë për të dëshiruar dhe është i diskutueshëm, veçanërisht togfjalëshi i fundit, i formuluar nën ndikimin e modës së postmodernizmit.

Më parë se postmodernist, ndonëse në veprën e tij nuk mungojnë as elementet postmoderne,sidomos te Libër për Vet Mohimin dhe Dashuria kuantike e Filanit, Demaçi si shkrimtar do të mund të quhej mbase postrealist, ithtar i një realizmi tëri, tëcilin ÒlozoÒ francez Rozhe Garodi (Roger Garaudy) e quante “réalisme sans rivages” (realizëm pa brigje).

Vepra letrare e Adem Demaçit është e hapur ndaj jetës, botës, natyrës, shoqërisë dhe e grish lexuesin për komunikim të hapur, jashtë skemave dhe klisheve, që nuk i honeps. Duhet të lexohet krijimtaria e Adem Demaçit për të parë se në themel të saj qëndron ideja sublime e lirisë së popujve si kusht i paqes dhe i prosperitetit.

Duhet të lexohen dhe rilexohen tregimet dhe romanet e tij – dhe të gjitha shkrimet e tjera të tij, letrare e publicistike – për të nxjerrë “mësim” prej tyre dhe për t’u kënaqur me to. Sepse, ta lexosh Adem Demaçin do të thotë të bëhesh pjesëmarrës i një “udhëtimi dramatik ÒlozoÒko-politik dhe artistik”, siç thotë një nga personazhet e tij./ KultPlus.com

Agim Vinca: Kolegji AAB dhe përvoja ime

(Një histori e parrëfyer)

Të nderuar miq dhe kolegë,

Zonja dhe zotërinj!

Ju përshëndes të gjithëve dhe ju falënderoj që keni gjetur kohë të vini të merrni pjesë në këtë takim!

Falënderoj në radhë të parë mikun tim Lulzim Tafa, Lulin e Madh, që është ideator i këtij eventi: shpalljen time “Professor Honoris Causa” i Kolegjit AAB, nder që nuk ma ka bërë as Fakulteti në të cilin kam punuar dyzet vjet, dyzet e më shumë, e ku kam dalë në pension dhe, ç’është më me rëndësi, ku kam investuar aq shumë!

Nuk thuhet më kot: I nderuari të nderon!

Falënderoj Rektorin për fjalën e tij dhe ish-studentin e mikun tim Bedri Zyberaj, prorektoren Venera për moderimin dhe aktorët për deklamimin e vargjeve të mia.

Lidhjet e mia me këtë institucion janë të hershme. Në njëfarë dore, madje, do të mund të thuhej se unë jam bashkëthemelues i tij. Mendoj se është rasti të thuhet diç për fillimet e këtij institucioni.

Ishte viti 2001-2002. Në Kosovën e posaçliruar kishte shumë entuziazëm e iniciativa. Dy djem të rinj, Ilir Tafa dhe Bekim Mula, kishin një zyrë në afërsi të Fakultetit Filologjik dhe një ide në kokë: të themelonin një institucion privat të arsimit të lartë, një kolegj, me një degë të vetme: Moderator-prezantues dhe zëdhënës. Realiteti i ri në Kosovë e shtronte si nevojë një profil të tillë kuadrosh dhe ata, Iliri dhe Bekimi, e kishin hetuar këtë me intuitë.

Kërkuan ndihmën time dhe unë, natyrisht, iu gjeta pranë. Sa më kujtohet, në këtë proces kanë qenë të përfshirë që në fillim edhe dy vetë dhe unë që s’dua t’i mbes borxh askujt, nuk mund të mos i përmend: Bashkim Ramadani dhe Mimoza Doko, por unë isha i vetmi me gradë shkencore e titull “Profesor” dhe me përvojë të gjatë pune në Universitet.

U shpall konkursi dhe u bë provimi pranues. Interesimi nuk mungoi. Filloi puna. E quajtën AAB, me këto tri germa që i ka edhe sot si emblemë. Nga kjo bërthamë lindi gjiganti që është sot.

Në fillim, një vit a dy kemi mbajtur mësim, në Qendrën e Studentëve, pastaj në një shtëpi private në rrugën që çon për në Matiçan, te shkolla “Iliria”, ku më vonë u vendos Kolegji “Pjetër Budi”.

Një nga ata që jepte mësim në AAB ishte edhe aktori i njohur Adem Mikullovci. Një ditë Ademi, me natyrën e tij të drejtpërdrejtë, më tha: “O Agim, mos po i mashtrojmë këta të rinj?”. “Jo, Adem, i thashë, nuk e besoj, sepse këta djem e kanë seriozisht, kurse ne e bëjmë punën tonë ndershmërisht”.

Ky është, pak a shumë, raporti im me institucionin që po më nderon sot me titullin: “Profesor Nderi”, Kolegjin AAB, që sot ka dhjetëra fakultete, qindra profesorë dhe mijëra studentë, ndërkohë që në institucionet shtetërore, arsimore, informative dhe kulturore të Kosovës (dhe jo vetëm) punojnë shumë ish-studentë që kanë studiuar në këtë institucion, disa nga të cilët janë personalitete në fusha të ndryshme.

Pa dashur të shkoj më thellë në histori, sepse koha për të cilën po flas tashmë mund të quhet lirisht histori, nuk mund të mos theksoj edhe diçka.

Për kolegjet private flitet gjithçka, mirë e keq (më shumë keq se mirë), por unë mund t’ju them një gjë: gjatë atyre gjashtë viteve që kam dhënë mësim në AAB (2002-2008), mua, që njihem si profesor “i rreptë”, askush nuk më ka thënë:

“Profesor, zbute kriteriumin ose kaloje këtë kandidat!”. Jo. Në asnjë afat dhe në asnjërën lëndë.

E kam ligjëruar dy lëndë: Kulturë gjuhësore, në vitin e parë të studimeve dhe Qytetërim shqiptar, në të tretin, sepse studentët e Komunikimit masiv, si u quajt më vonë dega fillestare e këtij Kolegji, kishin shumë nevojë për zotërimin solid të gjuhës shqipe, veçanërisht të gjuhës standarde dhe për njohjen e qytetërimit shqiptar nga lashtësia e deri më sot. Puna e parë ishte, sigurisht, hartimi i silabusit e literaturës, pastaj leksionet, puna me studentë, në formë debati e ushtrimesh dhe, në fund, provimi, me test. (Ende i ruaj të gjitha testet dhe leksionet në kompjuterin tim).

Kështu gjashtë vjet, derisa ky institucion krijoi fizionominë e vet dhe u bë tërheqës edhe për të tjerë. Kur AAB-ja u afirmua, unë u tërhoqa për t’u bërë vend të tjerëve, duke vazhduar punën në Fakultetin tim në UP, që nuk e kisha ndërprerë, natyrisht, për asnjë çast.

As më vonë nuk i kam ndërprerë kontaktet me Kolegjin AAB dhe drejtuesit e tij, të cilët kanë ditur gjithmonë t’i nderojnë personalitetet e shquara të kulturës kombëtare si Ismail Kadare, Rexhep Qosja e Adem Demaçi, por edhe të atyre nga rajoni, si poeti e intelektuali i madh malazias Jevrem Bërkoviqi dhe poeti e skenaristi i mirënjohur boshnjak Abdullah Sidrani; kam mbajtur fjalë rasti për “Bacën” dhe Profesor Qosjen dhe kam kryesuar Jurinë e Çmimit “Ali Podrimja” për Bërkoviqin, kurse jo më larg se dy muaj më parë, më 21 mars të këtij viti, kam qenë i ftuar nderi për Ditën e Poezisë, me ç’rast kam folur për poezinë si art dhe kam deklamuar vargje nga krijimtaria ime.

Gjatë gjithë karrierës sime jam përpjekur t’u jap studentëve dije, kulturë dhe etos, i bindur se dija, kultura dhe karakteri janë tri komponente të domosdoshme për formimin e personalitetit të njeriut, veçanërisht të të rinjve, pa harruar kurrsesi as ndjenjën e dashurisë për Lirinë e Atdheun, për Të vërtetën dhe Të drejtën, vlera për të cilat, siç thoshte Volteri, e vlen të sakrifikohet edhe jeta.

Kam kërkuar nga studentët, por edhe u kam ofruar atyre, pa u kursyer, në çdo kohë, duke e konsideruar punën time më shumë se profesion. Nuk po them mision, sepse nuk i dua fjalët e mëdha e patetike, që në kohën tonë, mjerisht, shumë herë shpërdorohen.

Jemi në vitin 2024; Kolegji AAB është shndërruar, si thashë, në gjigant, kurse unë, profesori i dikurshëm jam tërhequr në kabinetin tim, duke u marrë me punën me të cilën jam marrë gjatë gjithë jetës, krijimtarinë letrare dhe duke endur tisin e kujtimeve, që janë pjesë e jetës së çdo njeriu dhe veçanërisht e krijuesve dhe poetëve.

Kam shumë kujtime, si t’i kisha një mijë vjet, thoshte poeti i madh frëng, gjeniu Artyr Rembo (Arthur Rimbaud).

Nuk di si ta mbylli ndryshe këtë fjalë timen, pos me një kujtim dhe disa vargje, që lidhen me punën time si profesor, me studentë, në auditor, por edhe me situatën nëpër të cilën kemi kaluar, të cilën, për hir të së ardhmes, nuk duhet harruar.

Ishte viti 1998, qershor. Mbaja provim me shkrim me studentët e mi të Letërsisë në shkollën fillore “Nazim Gafurri” në periferi të Prishtinës. (Ishte koha e “sistemit paralel” dhe e “shtëpive shkolla”). I radhita studentët, ua dhashë temat; ata filluan punën, kurse unë endesha mes bankave. Vërejta se kishte rënë numri i studentëve në atë afat. Lufta në Kosovë kishte marrë hov, kurse rrugët e Kosovës ishin shndërruar në arenë ku maltretoheshin njerëzit, veçanërisht të rinjtë, nga cerberët me uniformë.

Aty më lindi ideja për poezinë, të cilën e shkrova në klasë duke huazuar një fletë nga studentja që ishte në bankë të parë. Titullohet: PROVIMI. Salla gjysmë e zbrazët. Pak studentë./ Cerberë në postblloqe rrugës për Prishtinë./ Mungon Drenica e Dukagjini… / Tani atje jepet tjetër provim”. (Prishtinë, 21 qershor 1998).

Ky provim, i atdhedashurisë dhe i dashurisë për dijen, nuk merr fund kurrë, madje as pasi përfundon jeta jonë fizike mbi këtë tokë.

Edhe një herë: faleminderit AAB për nderimin dhe organizmin e kësaj ceremonie, kurse juve, të dashur miq dhe kolegë, për vëmendjen me të cilën më dëgjuat.

Mirupafshim në takime të tjera!

Prishtinë, 22 maj 2024

(Fjala e Profesor Agim Vincës në ceremoninë e dorëzimit të titullit “Profesor Nderi – Professor Honoris Causa” nga Kolegji Universitar AAB, mbajtur më 22 maj në mjediset e këtij Kolegji) / KultPlus.com

Kur lexon poeti i Kosovës

Visar Zhiti

– Në një takim ndërkombëtar poezie
Agim Vincës –

Të bukura janë poezitë e botës,
gjithë mister si sy dashurie.
Por kur lexon poeti i Kosovës
loti rrjedh e përndriten hijet.

Të çuditshme janë poezitë e botës,
si ashensorë të çojnë nëpër yje.
Por kur lexon poeti i Kosovës
ferri tronditet, portat Skee* thyhen.

Paradokse janë poezitë e botës,
kollona ajri tempujsh t’vërtetë.
Por kur lexon poeti i Kosovës,
ujvara Agimesh derdhen mbi jetë.

Alvito, 28…

———————————————————

*) Portat Skee janë portat monunentale të qytetit mitik të Trojës homerike, ndanë tyre u bënë betejat më të rëndësishme…

***

Poezia u shkruajt në Takimin Ndërkombëtar të Poezisë në Alvito në Itali, kur po lexonte Agim Vinca
dhe është e përfshirë në librin:
Visar Zhiti – “Si shkohet në Kosovë”,
Botimet Toena, Tiranë 2000
dhe ribotimi me shtesa “Si është Kosova”, Botimet Buzuku,Prishtinë 2014.

E risolla sot, në ditëlindjen e poetit.

(V. Zh.)/ KultPlus.com

Në 77 vjetorin e lindjes, poeti dhe studiuesi Agim Vinca nderohet me titullin “Profesor Nderi” nga Kolegji AAB

Kolegji AAB, sot ka organizuar një ceremoni të veçantë me rastin e ditës së lindjes të poetit dhe studiuesit Agim Vinca, duke e nderuar me titullin “Profesor Nderi”.

Ceremonia u mbajt në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, ku u vlerësua kontributi dhe roli i rëndësishëm që Vinca ka dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë. Prorektorja e Kolegjit AAB ndërsa moderoi këtë ngjarje, e cilësoi Vincën si emer të dijes dhe frymëzimit, duke shtuar se kontributet e tij në arsim dhe letërsi kanë lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në qarqet akademike por edhe përtej.

Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, në fjalën e tij të rastit përshëndeti të pranishmit dhe tha se institucioni jep vlerësime të rezervuara për individë me merita të jashtëzakonshme, ndërsa përmendi personalitetet e shquara që kanë marrë titullin “Profesor Nderi” deri tani.

“Profesor Vinca, duke ju dhënë titullin “Profesor Honoris Causa”, ne ju njohim jo vetëm talentin e jashtëzakonshëm letrar, por edhe kontributin e madh në arsim si dhe angazhimin e palëkundur në kërkimin e së vërtetës, të bukurës dhe të drejtësisë. Ju, duke pranuar këtë titull, na nderoni edhe ne si kolegë e si institucion, ku gjithashtu keni dhënë kontributin tuaj si profesor, por edhe si anëtar bordi”, u shpreh rektori Olluri.

Poeti i mirënjohur Lulzim Tafa, solli disa nga kujtimet më të bukura që ka me Vincën si një mik i tij, por edhe figurë e dalluar në fushën e poezisë. Ai citoi disa vargje dhe tha se zëri i tij ishte i lartë dhe i fuqishëm edhe kur ka qenë vështirë të flitej. Kurse figurën e tij Tafa e cilësoi si shumëdimensionale me veçori të dallueshme.

Profesori Bedri Zyberaj, pati një përmbledhje për profilin e Agim Vincës si pedagog dhe studiues i letërsisë. Ai kujtoi kohët kur Vinca u zgjodh si “profesor ordinar”, deri tek veprimtaria e tij e bujshme që nderohet edhe në ditët e sotme.

Vinca, përshëndeti të gjithë që ishin prezent në Teatrin Kamertal dhe kujtoi themelimin e Kolegjit AAB, deri tani si një gjigant në fushën e arsimit.

“Lidhjet e mia me AAB-në janë të hershme dhe mund të them se jam edhe bashkëthemelues i institucionit, që sot është shndërruar në një gjigant falë punës dhe përkushtimit nga stafi dhe udhëheqësit”, tha ai.

Gjithashtu, ai ndau edhe përvojën si profesor në Kolegjin AAB, ku shtoi se për studentët çdoherë këmbëngulte të kishin tri elemente: dije, kulturë dhe ethos, sepse sipas tij janë më të rëndësishmet për formimin e karakterit të njeriut.

Në fund të ceremonisë rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri dhe poeti Lulzim Tafa, i ndanë titullin “Profesor Nderi” Vincës me motivacion: “Për kontributin e dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë, si dhe për meritat e jashtëzakonshme për artin dhe letërsinë ndërkombëtare”.

Në këtë ngjarje pati edhe recitime të poezive të autorit nga artistët Fitnete Tuda, Arta Lahu dhe Alban Zogaj, të shoqëruar nga kitaristi Riad Ramadan,i si dhe këngë të vjetra shqipe nga Ermal Demiri./ KultPlus.com

 

 

Orë letrare për 77-të vjetorin e lindjes së shkrimtarit Agim Vinca

Në kuadër të Prishtina International Theater Festival – PITF 2024 do të mbahet orë letrare me shkrimtarin dhe studiuesin Agim Vinca, orë letrare që do të mbahet në 77 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Agim Vinca, shkruan KultPlus.

Ora letrare do të mbahet më 22 maj, në ora 14:00 në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB (Kati i 4-të). / KultPlus.com

Agim Vinca: Po rrezikojmë të shuhemi, nuk ka më dashuri për shqiptarinë

Agim Vinca poet dhe studiues i letërsisë shqipe mendon se shqiptarët nga një popull ksenofob, që e cilësonte diçka të jashtme rrezik për vendin, tashmë është kthyer në një vend ksenomaniak, që e do të huajën më shumë se të vetën. Ky është një fenomen shumë i rrezikshëm, thotë profesori, që po zbeh identitetin e shqiptarëve.

“Unë mendoj se emri është shumë i rëndësishëm. Ky problem shtrihet jo vetëm te emrat personalë të fëmijëve, pasardhësve, por edhe te emrat e kafeneve. Po ju tregoj edhe një rast tjetër. Isha në një lokal shumë luksoz në stadiumin Air Albania.

Kur erdhi kamerieri, numëroi 10 lloje birrash edhe japoneze madje, por kur e pyeta për birrë shqiptare rrotulloi sytë. Jo tha, asnjë birrë shqiptare nuk kemi. E vetmja birrë që njoha ishte Heineken. Por si mundet një lokal në mes të Tiranës të mos ketë një birrë shqiptare?

Kjo tregon se jo vetëm që nuk e duam prodhimin tonë, por po dëmtojmë edhe ekonominë tonë. Dëmtojmë edhe imazhin. Sepse turistët e huaj kur vijnë në Shqipëri nuk duan Heineken, sepse atë e pinë në Gjermani, por duan birrë shqiptare.

Jua përmenda këto shembuj për të provuar në një farë mënyrë tezën time, se shqiptarët nga një popull ksenofob, të mbyllur ndaj gjërave të huaja të cilat i quanin rrezik për vendin, tani, janë kthyer në një popull ksenomaniak, që e duan të huajën më shumë se të vetën. Dukuri të tilla e zbehin imazhin dhe identitetin e shqiptarëve si komb.

Nuk veprojnë kështu të tjerët. Ne si gazetarë, studiues, shqiptarë, si njerëz kemi për detyrë ta afrimojmë gjuhën tonë, identitetin tonë, t’i tregojmë botës kulturat tona. Dhe jo të kemi kompleksin e inferioritetit.”,-  u shpreh profesor Vinca në një intevistë për Dritare TV/KultPlus.com

Origjina dhe përkufizimi i poezisë

Nga Prof. Agim Vinca

“Sa është e pashtershme jeta, po aq është e pashtershme edhe poezia”.
Janis Ricos

Përkufizimi i poezisë është punë tejet e vështirë, për të mos thënë edhe e pamundur.

  Në jetën e përditshme poezi quajmë veprën letrare të shkruar në vargje. Me këtë term sot kuptohen të gjitha veprat e shkruara në vargje, për ndryshim nga ato të shkruara në prozë, që në kohën tonë mbulohen me termin letërsi. Organizimi në vargje, pra forma e shkrimit, që e dallon atë nga proza, është tipari themelor i poezisë. Vargu është njësia themelore e vjershës. Përbërës të tij janë tingujt dhe rrokjet. Prej numrit të tyre varet gjatësia e vargut. Metrika klasike kishte njësi matëse të rrokjeve dhe theksave këmbët poetike (trokeu, jambi, daktili, anapesti, amfibraku). Mirëpo, poezia si art ka edhe tipare të tjera, të cilat, pavarësisht nga evolucioni që kanë pësuar gjatë shekujve, e kanë ruajtur pak a shumë të paprekur natyrën e saj.

  Fjala poezi vjen nga fjala greke poieo, që do të thotë bëj, krijoj. Në antikë poezia konsiderohej mjeshtëri a shkathtësi (greq. tehne, lat. ars), si çdo gjë tjetër që bëhej nga dora e njeriut e jo nga natyra. Lindjen e poezisë Aristoteli e sheh të lidhur ngushtë me dy prirje instinktive të njeriut: prirjen për imitim, që shfaqet qysh në fëmijëri dhe që e dallon njeriun nga qeniet e tjera dhe prirjen për ritëm e harmoni. Të gjithë njerëzit i kanë të lindura këto dy dhunti, mirëpo ata që i kanë ato të zhvilluara në masë më të madhe krijuan poezinë, që në burim lidhet me fjalën poiésis – krijim.

  Në shoqërinë primitive poezia bashkëjetonte me artet e tjera dhe ishte pjesë e punës së përditshme të njeriut; e shoqëronte atë në procesin e punës dhe në ritet që bënte për nder të hyjnive dhe forcave të natyrës, të cilat, duke mos qenë në gjendje t’i shpjegonte, u blatonte dhurata nga më të ndryshmet. Në fëmijërinë e njerëzimit njerëzit këndonin e vallëzonin duke imituar fenomenet e natyrës dhe duke iu përmbajtur me këtë rast një rregulli e ritmi të caktuar. Mu për këtë, teoricienët amerikanë Uellek dhe Uoren, theksojnë se “në shoqërinë primitive ishte e pamundur të ndahej poezia nga riti, magjia, puna dhe loja”.

  Poezia është art i fjalës, tipare themelore të së cilës janë vargu, ritmi, imazhi dhe forma pak a shumë specifike, delikate.

  Në kuptim të gjerë me këtë term kuptojmë gjithë krijimtarinë letrare artistike, që e trajton realitetin në mënyrë figurative. Ka raste kur nocioni poezi përdoret si sinonim jo vetëm i letërsisë, por edhe i artit në përgjithësi, si kuintesencë e tij. Kështu, për shembull, edhe një vepër me vlerë në prozë shpeshherë quhet poemë, kurse një artist i hollë figurativ ndodh të pagëzohet poet. Në këtë kuptim, romani Shpirtra të vdekura i Gogolit, një nga kryeveprat e letërsisë botërore, është quajtur “poemë”, kurse piktori i njohur shqiptar, peizazhisti Vangjush Mio, “poet i natyrës shqiptare”.

  Gjuha e poezisë dallohet jo vetëm nga të folurit e përditshëm, por edhe nga gjuha e prozës dhe e dramës; ajo është më e kondensuar dhe më ekspresive. Muzikaliteti dhe imazhi janë dy elemente thelbësore të poezisë lirike. Në poezi fjala ka funksion konotativ, që do të thotë se ajo merr kuptime të ndryshme varësisht nga konteksti në të cilin përdoret.

  Poezia dhe proza janë dy forma të shprehjes gjuhësore artistike; dy lloje të ligjërimit letrar. Shikuar nga aspekti formal vargu është elementi bazë i poezisë. Poezia shkruhet kryesisht në vargje me ritëm, metër, rimë, strofa etj. Sipas Solarit, poezia lind atëherë kur fjala, përveç vlerës së saj kuptimore, ka edhe vlerë tingullore. Për shembull:

Kraharorë e kam çpuar,
E kam bërë vrima-vrima
Dhe kam qarë e kam rënkuar
Me mijëra psherëtima.


  Është një strofë nga poezia Fyelli e Naimit, e shkruar sipas motiveve të vjershës Kënga e kallamit të poetit persian Xheledin Rumiu. Ritmi, rima, kadenca i karakterizojnë vargjet e mësipërme, që do të thotë se fjala aty ka, përveç vlerës kuptimore, edhe vlerë tingullore. Kjo është e qartë dhe mund të konstatohet lehtë gjatë deklamimit me zë të këtyre vargjeve.

  Shembulli i mësipërm është shumë i njohur, por po marrim një shembull tjetër, pak ose aspak të njohur, nga poezia bashkëkohore.

Po më dridhet shpirti si një fije bar,
unë po shkoj drejt dimrit, ti del në behar…


Këto dy vargje janë shkëputur nga një poemth lirik i poetit Agim Spahiu me titull Vizatime dashurie në terr. Ato përbëjnë fillimin e poemthit dhe kanë si titull pasthirrmën Oh! Siç mund të
shihet edhe këto vargje kanë ritëm, rimë dhe strukturë të caktuar metrike (12-rrokëshi, me cezurë në mes), por ato shquhen për një mënyrë të re ligjërimi dhe një figuracion të ri poetik. Në vargun e parë ka një krahasim, kurse në të dytin një antitezë. Ai që ligjëron në këto vargje është subjekti lirik, që shpreh një ndjenjë, një përjetim (Po më dridhet shpirti…); përjetimi i tij lidhet me një person tjetër, i cili është, kuptohet, i gjinisë tjetër dhe i një moshe të re. Krahasimi (të dridhurit e shpirtit si një fije bari) është shumë i bukur, i gjetur dhe funksional, por po aq i bukur dhe kuptimplotë është edhe kontrasti, që bazohet mbi kundërvënien e stinëve të vitit: dimër-behar. Fjalët dimër dhe behar (pranverë) në këtë rast, në raport me dy qenie njerëzore (një mashkulli të moshuar ose të lodhur nga jeta dhe një vajze të re, të bukur e plot jetë), marrin kuptim metaforik. Ato shenjojnë rininë dhe pleqërinë. Fjalët në poezi vihen në lidhje të reja, që do të mund t’i quanim asociative. Dy vargjet e mësipërme e dëshmojnë fare mirë këtë ligjshmëri. Shikuar nga ky aspekt poezia largohet nga të folurit e përditshëm ose, thënë me
gjuhën e formalistëve rusë, gjuha në tekstin poetik çrëndomtësohet.

  Shumë poezi i thonë “diçka” lexuesit: i flasin për një dashuri, për një kujtim, për një gëzim, brengë a hidhërim. Por ka edhe të tilla që nuk e kanë preokupim këtë gjë, pra që nuk dëshirojnë të referojnë doemos diçka konkrete e imediate. Më shumë sesa çka, në poezi ka rëndësi si thuhet diçka.

  Poezia nuk mund të ritregohet me fjalë, kurse proza në njëfarë mase po. Poeti dhe teoricieni francez Malerb (François de Malherbe, 1555-1628), duke folur për raportin ndërmjet poezisë dhe prozës thotë: “Poezia i ngjan valles, kurse proza – të ecurit”. Derisa Malerbi shprehet në mënyrë figurative, shkrimtari i njohur indian, Rabindranat Tagora (1861-1941), poet dhe prozator, fitues i Çmimit Nobel (1913) për veprën e tij lirike Gitanjali, të përbërë nga 103
proza poetike, kësaj çështjeje i jep një përgjigje spirituoze. Duke dashur të tregojë afinitetin midis këtyre dy formave të ligjërimit letrar, poezisë dhe prozës, Tagora thoshte se poezia dhe proza janë motra e jo re e vjehërr.

  Sipas teoricienit të njohur rus Roman Jakobson, thelbi i poezisë nuk është metri, por poeticiteti, term ky me të cilin rëndom kuptohet ndjenja subtile, mendimi i thellë dhe imazhi befasues. Studiuesi francez Zhan Orize  (Jean Orizet), autor i një antologjie me titull Njëqind poezitë më të bukura të gjuhës frënge (2001), shkruan: “Vallë a do ta dimë ndonjëherë se ç’është poezia? Prej kohësh janë rrekur ta përkufizojnë shumë veta. Ata kanë kapur veç një shkëndijë nga ky zjarr i madh, i gjallë. Si mund ta përkufizosh zjarrin? Poezia, ajo e vërteta, ngaherë ka qenë thelbi i njeriut”.

  Kuteli ynë, i cili si kritik letrar ka qenë nën ndikimin e teorisë së Kroçes, për të dalluar poezinë nga jopoezia a vargëzimi, përdor termin “fluid lirik”, ndërsa Mjeda, njëri nga mjeshtrit më të spikatur të vargut shqip, në një shkrim të tij mbi natyrën e poezisë, duke iu referuar Aristotelit, i cili “shumë herë thotë se nji prozë filozofike a historike vu në vjershë, nuk asht poezi”, shkruan:

“Disa (…) tue folë për poezi kujtojnë se masa (metri) asht nji gja e domosdoshme për poezi. Por ka shprehje të lidhuna me masë, me rroke, theksa e rrima që s’mund të thohen përnjimend poezi; auktorët e tyre munden me u thanë vjershatarë, por jo poetë”.

  Poezia e parë e botuar shqip është vjersha Kënga e përshpirtshme e Lekë Matrëngës. Kjo poezi e shkurtër me përmbajtje fetare u botua në kuadër të veprës E mbësuame e krështenë (1592) të këtij autori arbëresh. Mirëpo, poezia shqipe është shumë më e vjetër se kjo poezi e shkurtër me gjithsej tetë vargje, të rimuara sipas modelit të lutjeve fetare. Tradita e saj është shumë më e lashtë dhe e pasur – në trajtën e poezisë gojore. Poezia popullore shqipe është një poezi me përmbajtje të gjerë dhe me vlera të larta artistike. I pyetur në një rast se çfarë do t’i rekomandonte opinionit botëror për përkthim nga letërsia shqipe, shkrimtari i shquar bashkëkohor shqiptar I. Kadare është përgjigjur: “Para së gjithash baladat popullore të dy mijë viteve të fundit”. Fati i keq historik bëri që kjo traditë e lashtë poetike të dëshmohet relativisht vonë me shkrim.

  Me shekuj poezia është konsideruar mbretëreshë e arteve. Sot ajo mbase e ka humbur primatin në raport me format e tjera të artit letrar, por vazhdon të mbetet gjallë edhe përkundër
profetizimeve mbi vdekjen e saj.

  Poeti i njohur italian Euxhenio Montale, në fjalën e tij me rastin e marrjes së Çmimit Nobel (1975), pat shtruar pyetjen: “A është poezia ende e mundshme?” (E ancora possibile la poesia?). “A do të jetë në gjendje poezia të mbijetojë në universin e komunikimit masiv?” – pyet Montale dhe përgjigjet: “Përgjigjja mund të jetë vetëm afirmative”. Tagora thotë se poezia do të vazhdojë të shkruhet gjithnjë përderisa dy njerëz të dashuruar të ecin mbi këtë tokë.

  “Vargjet shkruhen për të thënë më shumë se ç’është e mundur në prozë” – thoshte poeti dhe eseisti i njohur rus Valerij Brjusov. Edhe vetë poet, madje simbolist, Brjusovi hyn në radhën e
atyre që e idealizojnë statusin e poezisë. Por mendimi i këtij njohësi të mirë të vargut konsiston në faktin se në tekstin poetik, ndryshe nga ç’ndodh në të folurit e përditshëm dhe në prozë, nuk ka shenjë gjuhësore semantikisht neutrale. Në tekstin poetik secili element, edhe më i vogli, siç është tingulli, është në funksion të tërësisë.

  Shikuar nga ky aspekt poezia nuk ka të bëjë vetëm me formën e të shkruarit, por edhe me mënyrën e transmetimit të përmbajtjes. Në fillimet e çdo letërsie gjendet tradita orale. Sipas traditës aristoteliane poezia ndahet në tri gjini kryesore: gjinia lirike, odja dhe elegjia.

  Në antikë forma të preferuara të poezisë lirike ishin: odja, himni, ditirambi dhe elegjia. Poetët romakë i trashëguan këto forma të poezisë lirike (Horaci himnin, Ovidi elegjinë), por e kultivuan me të madhe edhe epigramin (Marciali). Në mesjetë mbizotëruan këngët religjioze dhe të përshpirtshme, ndërsa në poezinë e trubadurëve edhe poezia erotike e përcjellë me muzikë. Një përhapje të gjerë pati edhe poezia e tipit sentencioz-didaktik. Në periudhën e renesansës, kur djep i artit dhe kulturës bëhet Italia, shfaqen forma të reja poetike si: soneti, kancona, trioleti, madrigali etj. (Dante, Petrarka, Mikelanxhelo). Zhvillimi i mëvonshëm i poezisë, solli forma të reja të lirikës dhe e zgjeroi diapazonin tematik dhe regjistrin e mjeteve të saj shprehëse. / KultPlus.com

Zotërit e fjalës

Agim Vinca

Në librin e tij me shkrime kritike Magjia dhe magjistarët e fjalës (1998), studiuesi i njohur Jorgo Bulo (1939-2015) ka vënë si moto këtë tekst:

“Ne ikim, ikim vazhdimisht, herë të entuziazmuar drejt së ardhmes e herë të trembur drejt humbjes, por ata, zotërit e fjalës, vijnë vazhdimisht drejt nesh dhe na magjepsin me magjinë e verbit shqip, dhe na shkundin nga marrëzia e shkatërrimit të vlerave ose nga përtacia mendore e indiferencës ndaj tyre. Ata na bëjnë të realizohemi si njerëz të këtij trualli ku ka lindur, për të mos vdekur kurrë dhe për t’u ripërtëritur pafundësisht, fuqia e perëndishme e fjalës shqipe.

Ky le të ishte edhe kryemotivi dhe shpirti i këtij libri të përkorë”.

Një tekst i bukur e kuptimplotë: himn fjalës krijuese në përgjithësi dhe fjalës shqipe në veçanti.

Duke shkruar për Jorgo Bulon, një studiues shqiptar nga Maqedonia e Veriut, e citon këtë tekst, por duke bërë një ndërhyrje të vogël: fjalën zotër e bën zotërinj! Kështu, togfjalëshi i Bulos “zotërit e fjalës” tek autori shqiptar në RMV bëhet “zotërinjtë e fjalës”!

Nuk është gabim shtypi, por ndërhyrje e qëllimshme, sepse autori në fjalë nuk e ka kuptuar shprehjen e mentorit të tij.

Shkrimtarët janë zotër të fjalës; mund të jenë edhe zota të fjalës, por jo zotërinj të fjalës! Fjala është pasuri shpirtërore e jo materiale, prandaj krijuesit e vërtetë janë zotër e jo zotërinj të saj!

“Ne ikim vazhdimisht (…), por ata, zotërit e fjalës, vijnë vazhdimisht drejt nesh…”.

Paragrafi mbyllet me fjalët: “fuqia e perëndishme e fjalës shqipe”. Do të mund të thuhej edhe: “fuqia hyjnore e fjalës shqipe”. Shprehja: “zotërinjtë e fjalës” e prish bukurinë e tekstit, e bastardon atë.

Në Bibël thuhet: “Në fillim ishte Fjala/ e Fjala ishte në Hyjin/ e Fjala ishte Hyj”. (Bibla, përkthimi i Dom Simon Filipajt, Ungjilli sipas Gjonit, f. 1505).

Ndërkaq, vetë Jorgo Bulo e hap librin e tij Magjia dhe magjistarët e fjalës me të njëjtën thënie, por shqipëruar ndryshe: “Që përpara herësë ishte Fjala… Të gjitha u bënë me anë t’asaj, edhe pa atë nuk u bë as ndonjë gjë që është bërë”. (Ungjilli pas Joanit, përkthimi duhet të jetë i Kristoforidhit).

Prandaj, kujdes me fjalën, zotërinj!

Që të mos ua trazojmë eshtrat zotërve të fjalës!

Ju falem, të nderuar këndonjës, unë shërbëtori i përulur i Fjalës Shqipe, A. V., dora vetë!/ KultPlus.com

Dy fjalë për fjalët Zot, Zoti, Zotëri


Shkruan: Prof. Agim Vinca


1. Kuptimi i parë i fjalës Zot-i është: forca e mbinatyrshme që drejton botën, sipas besimit fetar. Perëndia, Hyu. Te myslimanët Allahu. Te jobesimtarët: Natyra. Themi: Besoj në Zot; I lutem Zotit; Zoti ju bekoftë!. Përdoret edhe shprehja: Zotat e tokës dhe të qiellit, në kuptimin “të fortët, ata që vendosin”.

 2. Përdoret për të thirrur me nderim një burrë. Zoti Hasan, zoti Hysen, zoti Hashim, zoti Pjetër.

 3. Për t’iu drejtuar në mënyrë zyrtare personave zyrtarë: Zoti Kryetar (ose President, siç ka hyrë në përdorim te ne); Zoti Kryeministër; Zoti Ministër; Zoti Ambasador etj. (Nga ky aspekt fjala
zot ka zëvendësuar fjalën e dikurshme shok).

Fjala zoti përdoret rëndom e shoqëruar me emrin, mbiemrin a funksionin e personit që i drejtohemi. P. sh. Zoti Eqrem, zoti Demiraj, Zoti Kryeministër etj., ndërsa kur nuk shoqërohet me emrin a mbiemrin ose funksionin e personit që i drejtohemi, përdoret trajta zotëri. (Në të folur përdoret edhe trajta gege: zotni).

Urdhëroni, zotëri!; Ç’dëshironi, zotëri?; Për se angazhoheni ju, zotëri?.

Te poetët e Rilindjes trajta zot përdoret edhe e pashoqëruar nga emri, njësoj sikurse edhe fjala zotëri.

Urdhëroni, zot, në fshatin tonë
Me shtëpi të bardha si gjithmonë…
Portën miqve ne gjithmonë ua çelim
Se zakonet, zot, ne nuk i shkelim….

(Asdreni, “Letrë prej katundit tem”, Psallme murgu, Bukuresht 1937, f. 22-24).

Fjala “zotëri” (sikurse dhe trajta gege “zotni”) kur shquhet merr mbaresën –a: zotëria e jo zotëriu. Të thuash zotëriu është njësoj si të thuash Perëndiu. Non sens!

Fjala zotëri ka edhe kuptimin e njeriut të pasur ose me pushtet; pronar i një shtëpie a pasurie tjetër, i një biznesi a posti sot. Zotëria ka shumë para; Ky është djali i zotërisë etj.

Në shumës fjala zotëri bën zotërinj (trajta e pashquar), zotërinjtë (trajta e shquar), por jo zotërinjët!

Në gjininë femërore barasvlerës i fjalës zotëri është fjala zonjë (për vajzat e reja thuhet zonjushë, dikur edhe për gratë e pamartuara, por sot po përdoret gjithnjë e më dendur zonjë për çdo grua në moshë – dukuri e përhapur edhe në gjuhë të tjera). Në mbledhje a takime të tjera publike të pranishmëve u drejtohemi rëndom me fjalët: Zonja dhe zotërinj!

Fjala zotrote (nga zotëria jote) përdoret në shenjë nderimi, por edhe kur i drejtohemi dikujt me ironi. P. sh. Ç’punë bën, zotrote?” (ç’profesion ke?), por edhe: E paske kënaqur, zotrote! (kur personi në fjalë nuk ka punuar mirë).

Për sot kaq, zonja dhe zotërinj!

Ju falemnderit!

(Nxjerrë nga një fletore e shënimeve e viteve 2002-2004, kur në Kolegjin AAB mbaja lëndën Kulturë gjuhësore dhe letrare). / KultPlus.com

E kujtoj mësuesin

Agim Vinca

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha ahere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi. / KultPlus.com

Metaforë e madhe e kujtesës njerëzore

Agim Vinca

(Një libër që memorizon dhe arkivon jetën tonë)

Bajram Kosumi, Enciklopedia imagjinare. Postroman, Artini-Toena, Prishtinë 2023.

Kemi para vetes një libër të madh, jo vetëm si vëllim (771 faqe), por edhe me shumësinë e temave që trajton, të problemeve që ngre, të ideve që shfaq dhe të mesazheve që transmeton, sikurse edhe me gjuhën e pasur, sintaksën shqipe dhe stilin e konsoliduar.

Ky është një libër pretencioz, që pretenciozitetin e vet e shpreh që në titull: Enciklopedi…

Dy fjalë në shikim të parë kundërthënëse: “enciklopedi”, nocion shkencor dhe “imagjinare”, fjalë që lidhet me artin si trillim, të shoqëruara nga një term letrar: “PostRoman”, sikundër edhe ballina e librit me atë kullën e lartë si pirg,[1] krijojnë sakaq idenë e një vepre të pazakontë, që eksperimenton si në planin përmbajtësor, ashtu edhe në atë formal.

Një vepër e konceptuar në formë fjalori, ku të gjitha tekstet janë strukturuar sipas shkronjave të alfabetit shqip: nga A-ja tek ZH-ja, në të vërtetë deri te Z-ja, sepse shkronja Zh mungon (nuk e dimë pse).[2] Teksti është i radhitur në dy kolona, si në enciklopedi dhe shoqërohet jo rrallë edhe me fusnota, si në veprat shkencore.  

Vepër që dekonstrukton traditën e zhanrit, roman-fjalor, roman-enciklopedi, zbulim apo risi? As njëra, as tjetra, por thjesht një vepër letrare me përmbajtje e strukturë të mëvetësishme, për të mos thënë edhe krejtësisht origjinale. (I tillë është edhe kompozicioni i kësaj vepre).

Veprat letrare në formë fjalori a leksikoni nuk janë të panjohura në botë dhe, pjesërisht, as ndër ne. Shkrimtari amerikan Embrouz Birs (Ambrose Gwinnett Bierce, 1842-1914) u bë i njohur me veprën e tij në formë fjalori me titull Fjalori i Djallit (1911).

Shkrimtari i shquar francez Gystav Flober (Gustave Flaubert, 1821-1880) la në dorëshkrim veprën Fjalor i ideve të pranuara(Dictionnaire des idées reçues), i cili u botua shumë vjet pas vdekjes së autorit (më 1913).

Nuk mund të mos përmendet në këtë rast edhe romani Fjalor i hazarëve (1984) i shkrimtarit serb Millorad Paviq (“romani i parë postmodern në Ballkan”), i përkthyer edhe në gjuhën shqipe (Fjalori kazar, 2012).

Tek ne, Qosja te romani Një dashuri dhe shtatë faje (2003) ka një kapitull me titull Fjalori i fshehur, që shtrihet në mbi 50 faqe. (E njëjta teknikë përdoret edhe te romani Bijtë e askujt, 2010).

Ka edhe shembuj të tjerë veprash në formë fjalori, por Bajram Kosumi e ndërton godinën e vet letrare me materialin e tij dhe sipas konceptit të vet për artin dhe letërsinë, që është në thelb koncept postmodern.

Studiuesit e përcaktojnë artin postmodern si ars combinatoria, domethënë si art ku ka gjithçka: fakte, dëshmi, dokumente, të dhëna shkencore, kujtesë historike, personazhe reale e fiktive, me një fjalë gërshetim të fiksionit me faktografinë.

Nga të gjitha llojet letrare romani është më i përshtatshmi për këtë lloj eksperimenti. Romani gjithmonë ka qenë zhanër sintetizues, por ky i kohës sonë, duke mos qenë beletristikë e pastër, por “bricolage,[3] është i tejngopur me material dokumentar.

Ideja për këtë libër autorit i ka lindur nga koha kur ka qenë në burg (rreth dyzet vjet më parë), kurse një bërthamë fillestare gjejmë te vëllimi poetik Fjalor i Barbarëve (2000), i cili apostrofohet shpesh në këtë libër, madje thuhet, me humor, se është shitur shpejt, ngaqë lexuesit e kanë pandehur për “fjalor të etruskëve”.

Duke qenë libër specifik, Enciklopedia… e Kosumit edhe mund të lexohet ndryshe nga librat e zakonshëm, pra jo në mënyrë konvencionale – nga faqja e parë tek e fundit, siç lexohen rëndom librat, veçanërisht romanet, por edhe duke nisur nga fundi a nga mesi, për t’u kthyer sërish në pjesët e tjera të rrëfimit. (Hapni ku të doni këtë libër dhe besoj se do të gjeni diçka interesante, që do t’ju nxisë ta vazhdoni aventurën e leximit). Unë, fjala vjen, Prologun e lexova në fund, ose kah fundi, dhe pashë se isha lodhur kot për të gjetur çelësin e hapjes së dyerve të kësaj ngrehine letrare atipike, ta quaj kështu, sepse atë na e ofron vetë autori: teksti mund të lexohet në dy mënyra: “si enciklopedi dhe si letërsi”; edhe njëra, edhe tjetra mundësojnë qasjen “në humnerat e artit, të historisë dhe të filozofisë”.[4]

Qysh enciklopedistët francezë në shekullin e 18-të, theksonin se tri aftësitë e mendjes njerëzore: kujtesa, gjykimi dhe fantazia, u përgjigjen tri fushave të dijes: historisë, filozofisë dhe artit.[5]

Enciklopedia imagjinare është një vepër me një trajektore të gjerë kohore dhe hapësinore, që shtrihet nga lashtësia deri në ditët e sotme dhe nga lagjja e fshatit deri te kontinentet e largëta, por që ka një bosht rreth të cilit sillen të gjitha rrëfimet.

Ky bosht është “Ishulli” dhe banorët e tij “Ishullarët”, nga burojnë edhe togfjalëshat: “fjalor ishullor”, “filozofi ishullore”, “mentalitet ishullor” etj. (Edhe pse është përcaktuar për emrin imagjinar “Ishull”, autori nuk ngurron të përdorë edhe emërtimet reale gjeografike: Kosovë, Shqipëri, Ballkan etj.).

Kemi të bëjmë me një toponim letrar, në të vërtetë me një metaforë, që shpreh idenë e izolimit të shqiptarëve si popull. Dhe jo vetëm të shqiptarëve, kudo që jetojnë, në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset e tjera, por edhe të ballkanasve në përgjithësi; në një kuptim më të gjerë edhe të mbarë njerëzimit.[6]

Janë qindra zëra, njësi, rrëfime, skica, tregime, mite, legjenda, parabola, poezi, këngë, letra (letrat e Marie K. dërguar të dashurit të saj që vuan dënimin me burg janë perla të vërteta), lojë fjalësh (jeux des mots), humor, batuta, intervista; histori, gjeografi, drejtësi, gjuhësi, onomastikë, semantikë, simbologji, teori komunikimi; tekste liturgjike dhe shprehje në gjuhë të huaja; cikle tregimesh dhe esesh me mbititull “libra” (Libri i mashtrimeve, Libri i Mallkimeve, Libri i Simboleve, Libri i Skurajve, Libri për pesë Mariet etj.); ngjarje, njerëz, vite, shekuj, data, fusnota, që shumë herë janë po aq interesante sa teksti bazë, në mos edhe më shumë, të gjitha këto së bashku sajojnë spektrin e këtij libri-mozaik për nga përmbajtja, por unik për nga këndvështrimi dhe qasja.

Gjatë rrëfimit Narratori pleks kohët, duke kaluar jo rrallë nga e kaluara tek e sotmja e, madje, ose, siç i pëlqen të thotë autorit, poende, tek e ardhmja, duke përmbushur kështu mëtimin për të bërë një vepër të pazakontë letrare… Sikurse kohët, në këtë vepër takohen edhe kategoritë: e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, e madhërishmja dhe e ulëta, tragjikja dhe komikja, humori dhe satira, sensi lirik dhe mendimi kritik.

Vepra që po përurojmë sot është shkruar një kohë të gjatë; është menduar akoma më gjatë dhe është botuar gati gjysmë shekulli nga koha kur autorit i ka lindur ideja fillestare “në vetminë e nëndheshme të Burgut të Nishit” (f. 14).

Në këtë vepër nuk ka një kryepersonazh, si në romanin klasik, balzakian, e as si në romanin modern, kafkian (Kafka dhe Kamyja kanë krijuar personazhet model të letërsisë moderne, Jozef K.-në dhe Mërsonë) – nga ky aspekt ky është një libër policentrik, që ka personazhe të shumta: të imagjinuara dhe reale, historike dhe aktuale; heronj dhe qyqarë; idealistë dhe pragmatistë; asketë dhe hedonistë, me një fjalë njerëz me fate nga më të ndryshmet, fatin e të cilëve e përcaktojnë rrethanat historike, por edhe karakteret e tyre të çuditshme. (Nga ky aspekt autori ka ditur të përfitojë edhe nga Marksi, edhe nga Frojdi).

Pothuajse nuk ka personalitet të historisë shqiptare – nga e kaluara e largët e deri në ditët e sotme, që nuk shfaqet në këtë vepër, kuptohet në kontekste të ndryshme. Për ta autori nuk shkruan si historian, por si letrar, duke piketuar ndonjë moment të veçantë nga jeta, vepra apo edhe vdekja e tyre, ndonjë tipar të karakterit a ndonjë detaj në dukje të parëndësishëm, por që autori e bën tërheqës dhe interesant me rrëfimin e tij.

Është vështirë të veçosh nga ky libër pjesët më mbresëlënëse, mirëpo për të mos mbetur vetëm në nivel të konstatimeve të përgjithshme, po ndalemi te disa tekste konkrete, pa pretenduar se kemi bërë zgjedhjen më të mirë.

Luftëtari i vjetër Dedë Gjo Luli goditet me shuplakë nga kamerieri i shtyrë nga konsulli rus (kundrejt një shpërblimi material) në Kafen e Madhe në Shkodër dhe pas kësaj vakie e humb respektin e bashkëqytetarëve. (Është një tekst i shkurtër, që ngërthen një mesazh të fuqishëm: kritikë mentalitetit shqiptar). Dedë Gjo Luli e fal shërbyesin e varfër, që shitet për para, kurse paria shkodrane vetëm e sodit aktin e turpshëm dhe nuk ndërmerr asgjë: “Të gjithë e panë, por askush nuk tha asnjë fjalë e as nuk bëri një lëvizje”.

Kalojmë te një shembull tjetër, në Kosovën e pasluftës, që flet për një zyrtar të administratës shtetërore. Zëvendësministrin e Arsimit, Arbër Rexhajn (emër fiktiv), i diplomuar në Universitetit e Hajdelbergut, në një subjet të Hegelit, pjesë e një qeverie të korruptuar, nuk e lënë të korruptohet sytë e Adem Jasharit, që e vështrojnë me qortim nga fotografia e varur në mur (në zyrë), sa herë që ka rrezik të “devijojë”, andaj jep dorëheqje nga posti.

Dhe ja edhe një shembull tjetër, për mua si profesor shumëvjeçar i Universitetit të Prishtinës dhe si studiues i letërsisë shqipe (natyrisht edhe si krijues), por besoj edhe për të gjithë ju, është me interes të veçantë.

Në sythin “Regjistri i letrave të popullit” flitet për letra me të cilat qytetarët denoncojnë “armiqtë e popullit”. Këto letra janë gjetur, si thuhet, në vitin 1999 në ndërtesën e bombarduar të Sigurimit Shtetëror në Prishtinë nga ushtarët e UÇK-së. “Edhe sot e ruaj regjistrin në arkivin tim personal”, thuhet në fusnotë; në këto letra (“anonime e joanonime”), të shkruara në vitet ’80 të shekullit të kaluar, qytetarët e Kosovës, të kombësisë shqiptare, në njërën anë denoncojnë me vetëdëshirë “armiqtë e popullit” si Adem Demaçi me shokë, ndërsa në anën tjetër shprehin devotshmërinë e tyre ndaj shtetit jugosllav dhe politikës së tij.

Po citojmë njërën nga këto letra, autor i së cilës është një Profesor Universiteti dhe “shkrimtar modern”. Në këtë letër me shifrën 68/80 thuhet tekstualisht, e zezë mbi të bardhë: “Derisa po kaloja nëpër duar libra të rinj të bibliotekës së Fakultetit të Filologjisë, dega e Letërsisë Shqipe, pashë se ka qindra ekzemplarë nga Tirana (…). Unë nuk e di ku është faji, te dekani i fakultetit apo te Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë, po me rëndësi është që ta thirrni dekanin dhe t’ia ngrehni pak veshin (…). Unë dhe një rreth i nderuar intelektualësh – vazhdon “shkrimtari modern” nga Prishtina – jemi për të marrë modele në Beograd. Në vend se të shohin zhvillimet moderne në Beograd, ata i kthejnë sytë e verbër kah Tirana. Boll ma se na çmendën!

Këtë letër mos e konsideroni opinion vetëm timin, se ne nuk do të lejojmë prapakthim që na rrezikon modernen në art, por vetëm që ta keni të qartë ju, si kujdestarë të sigurisë në vend. Ne do ta shkruajmë një apel publik kundër shkretëtirës së artit atje në Shqipëri. Do të shihni, do t’ia bëjmë bam!” – përfundon apologjeti i “modelit jugosllav”, i shqetësuar për librat që vijnë nga “shteti amë”. Fjala “shkretëtirë”, me të cilën mbyllet kjo letër ta kujton artikullin Vox clamantis in deserto (Zëri i të vetmuarit në shkretëtirë), të botuar në “Rilindje” në vitin 1971 (i nënshkruar nga tetë letrarë kosovarë), pikërisht në kohën kur bashkëpunimi kulturor ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës merr karakter institucional. (Në vitin 1970 nënshkruhet Marrëveshja për bashkëpunim midis UT-së dhe UP-së).

Ky është një libër që bën bashkë dy dhunti: imagjinatën e shkrimtarit me kërshërinë e kërkimtarit (kërkimi “kuintesenca e jetës”), por edhe përvojën krijuese të poetit, publicistit dhe studiuesit, që tani shfaqet edhe me kostumin e prozatorit, ku Kosumi shkëlqen më shumë se kudo tjetër.

Për të krijuar libra si ky duhet dije, njohuri, kërshëri, por edhe durim dhe energji. Janë konsultuar shumë burime, libra shkencorë, historikë, politikë, foklorikë, gjuhësorë, juridikë, etnologjikë; botime enciklopedike, uebsajte elektronike, fjalorë, doracakë, me një fjalë një literaturë e pafund, pa e bërë qëllim më vete erudicionin, por duke e vënë atë në funksion të qëllimit që i ka vënë vetes si detyrë parësore autori: të dëshmojë për Ishullin dhe Ishullarët (për Shqipërinë dhe shqiptarët; për Ballkanin dhe ballkanasit); t’u lërë dëshmi bashkëkohësve dhe brezave që vijnë  për jetën dhe zakonet e tyre; për luftërat, fitoret, dështimet, rëniet e ngritjet, me theks të veçantë te marrëzitë e tyre.[7]

Nuk ka qenë punë aspak e lehtë mbarështrimi i gjithë kësaj lënde. Për t’i dalë në krye kësaj sfide është dashur një punë e madhe këmbëngulëse. (Teknologjia digjitale, të cilën autori duket e zotëron mirë, e ka bërë të mundur ose, thënë më drejt, e ka lehtësuar realizimin e këtij projekti).

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-serbe është një përbërës i rëndësishëm i kësaj vepre. Për krimet dhe masakrat serbe mbi popullsinë shqiptare në harkun kohor 1878, 1912, 1945, 1981, 1999, Kosumi flet me kompetencën e studiuesit dhe me ndjeshmërinë e shkrimtarit, aq sa mund të thuhet se ky libër do të mund të shërbente si shkas për debat mbi këtë temë.

“Revolucioni i 81-shit”, si e quan autori, është lajtmotiv i kësaj vepre që zuri fill në burg. Duke qenë njëri nga të rinjtë tanë që kaluan nëpër ferrin e burgjeve jugosllave është e kuptueshme që kjo të jetë temë obsesive e kësaj vepre. Po qe se përdorim termin e studiuesit të njohur rus të Dostojevskit, Mihal Bahtin, burgu te Kosumi është kronotop: pikë ku takohen koha (kronos) dhe hapësira (topos).

Konform konceptit të tij gjithëpërfshirës, “post/romani” i Kosumit nuk mund të lërë jashtë, natyrisht, luftërat në ish-Jugosllavi, veçanërisht në Bosnjë dhe në Kosovë, duke e parë fenomenin luftë jo vetëm në planin etnik, historik dhe politik, por edhe nga aspekti thjesht njerëzor. Tregimi me titull “Anti-“ (f. 50-52) tregon se deri ku arrin makabriteti i qenies njerëzore të molepsur nga ideologjia e urrejtjes dhe nga shtytjet shtazarake (viktimë e ushtarit serb, të demobilizuar pas Dejtonit, është vajza e mitur boshnjake, Selma, që përjeton një kalvar të paparë), kurse tregimi “Harrimi” (f. 249-253) shpalos dhimbjen e thellë të babait dhe bashkëshortit që dëgjon krismat e automatikut që qëllojnë gruan dhe fëmijët e tij në kohën kur “Prishtina vdiste çdo minutë”, aq sa personazhi “harrohet” për një çast dhe humb orientimin në kohë: në një minutë, madje në disa sekonda ankthi e pritjeje, rrudhen shekujt!

Në krahasim me tregimet e luftës, tregimet që flasin për periudhën e pasluftës, duken  “zbavitëse”, edhe kur janë në fakt tragjike dhe groteske. I tillë është, fjala vjen, tregimi “Varri i heroit Besim Krasniqi”, në të cilin flitet për një ish-luftëtar të UÇK-së, i cili, pas veprimeve dëshpëruese që bën në shenjë revolte për mospërfshirjen e tij në listat e veteranëve, ku kanë hyrë edhe njerëz që kishin qenë kundër luftës (shpall në fb “shitjen e varrit” dhe, i frymëzuar nga një tregim i Bertolt Brehtit, “shndërrohet” në përmendore të gjallë në mes të qytetit), ostrakohet nga bashkëqytetarët e tij të nxitur nga media e papërgjegjshme e senzacionale, që e shpall heroin “profiter, mendjemadh dhe egoist”!

Skicat dhe tregimet e këtij libri mbështeten kryesisht mbi një fundament real, por në procesin krijues ato i kalojnë kufijtë e reales dhe shndërrohen në tregime imagjinare. Sepse arti, sipas autorit, duhet të shkojë edhe përtej reales, duke depërtuar në zonën e nënvetëdijes (shih: Romani për nënën, f. 617).

Bajram Kosumi nuk ka studiuar filozofi, së paku jo në shkollë, por vepra e tij, krahas problemeve shoqërore, sociale, politike, etike, estetike, ngre edhe probleme filozofike, si pozita e njeriut në botë dhe e planetit Tokë në kozmos; dualizmi jetë-vdekje, trup-shpirt, ferr-parajsë dhe në mënyrë të veçantë fenomeni kohë.

Teksti më i gjatë i librit Libri për Një Çast (f. 450-479) flet për kohën dhe perceptimin e saj. Kryepersonazhi i këtij rrëfimi, Astriti, është alter ego e vetë shkrimtarit, kurse kronika për të parët e tij në pesëqind vjet (nga mesjeta e këndej) një parabolë e fatit historik të shqiptarëve si komb.

Enciklopedia imagjinare është një vepër që vlen të lexohet, madje edhe të rilexohet, si për shkak të përmbajtjes së saj, ashtu edhe për hir të rrëfimit të shkathët, por dyshoj se do të ketë shumë lexues, jo vetëm pse kultura e leximit është në krizë, por edhe për shkak të vëllimit të madh; njerëzit sot përtojnë të lexojnë gjatë. (Uroj ta kem gabim).[8]

Në Prolog autori, pasi flet për mënyrat e leximit të librit, shpreh dëshirën që të mos e arrijë ditën kur do të varroset libri, fjala është për librin klasik, që preket me dorë dhe që ka aromë, për t’u zëvendësuar me atë që quhet e-book (libër elektronik).[9]

Ta lexosh Enciklopedinë e Kosumit është si të hysh në një pyll të dendur, ku në çdo hap shfaqen peizazhe mahnitëse, por edhe skena të frikshme. Do të mund ta përdornim edhe metaforën e lumit, të një lumi të gjerë e të thellë si Nili, siç do të thoshte Noli,[10] por kjo na kujton rrezikun (real a imagjinar) të “mbytjes” nëse nuk e zotëron mirë shkathtësinë e notimit, përkatësisht të  leximit.

Në kopertinën e mbrapme të këtij libri janë vënë disa mendime për autorin dhe veprën e tij. Në mesin e të përzgjedhurve jam edhe unë, Agim Vinca. Duke folur për poezinë e Bajram Kosumit, gati tridhjetë vjet më parë (1995), kisha shqiptuar fjalinë: “Poezia e tij nuk njeh kufij”. Vepra që po përurojmë sot e konfirmon shumëfish vërtetësinë e këtij pohimi: Enciklopedia imagjinare është një metaforë e madhe e kujtesës njerëzore dhe një vepër që s’njeh kufij.

(Fjalë e mbajtur në përurimin e librit “Enciklopedia imagjinare” të Bajram Kosumit, në Prishtinë, më 13 shkurt 2024). / KultPlus.com

‘Enciklopedia imagjinare’- Metaforë e madhe e kujtesës njerëzore

Një libër që memorizon dhe arkivon jetën tonë. Bajram Kosumi, Enciklopedia imagjinare. Postroman, Artini-Toena, Prishtinë 2023

Nga Agim Vinca

Kemi para vetes një libër të madh, jo vetëm si vëllim (771 faqe), por edhe me shumësinë e temave që trajton, të problemeve që ngre, të ideve që shfaq dhe të mesazheve që transmeton, sikurse edhe me gjuhën e pasur, sintaksën shqipe dhe stilin e konsoliduar.

Ky është një libër pretencioz, që pretenciozitetin e vet e shpreh që në titull: Enciklopedi…

Dy fjalë në shikim të parë kundërthënëse: “enciklopedi”, nocion shkencor dhe “imagjinare”, fjalë që lidhet me artin si trillim, të shoqëruara nga një term letrar: “PostRoman”, sikundër edhe ballina e librit me atë kullën e lartë si pirg,[1] krijojnë sakaq idenë e një vepre të pazakontë, që eksperimenton si në planin përmbajtësor, ashtu edhe në atë formal.

Një vepër e konceptuar në formë fjalori, ku të gjitha tekstet janë strukturuar sipas shkronjave të alfabetit shqip: nga A-ja tek ZH-ja, në të vërtetë deri te Z-ja, sepse shkronja Zh mungon (nuk e dimë pse).[2] Teksti është i radhitur në dy kolona, si në enciklopedi dhe shoqërohet jo rrallë edhe me fusnota, si në veprat shkencore.  

Vepër që dekonstrukton traditën e zhanrit, roman-fjalor, roman-enciklopedi, zbulim apo risi? As njëra, as tjetra, por thjesht një vepër letrare me përmbajtje e strukturë të mëvetësishme, për të mos thënë edhe krejtësisht origjinale. (I tillë është edhe kompozicioni i kësaj vepre).

Veprat letrare në formë fjalori a leksikoni nuk janë të panjohura në botë dhe, pjesërisht, as ndër ne. Shkrimtari amerikan Embrouz Birs (Ambrose Gwinnett Bierce, 1842-1914) u bë i njohur me veprën e tij në formë fjalori me titull Fjalori i Djallit (1911).

Shkrimtari i shquar francez Gystav Flober (Gustave Flaubert, 1821-1880) la në dorëshkrim veprën Fjalor i ideve të pranuara (Dictionnaire des idées reçues), i cili u botua shumë vjet pas vdekjes së autorit (më 1913).

Nuk mund të mos përmendet në këtë rast edhe romani Fjalor i hazarëve (1984) i shkrimtarit serb Millorad Paviq (“romani i parë postmodern në Ballkan”), i përkthyer edhe në gjuhën shqipe (Fjalori kazar, 2012).

Tek ne, Qosja te romani Një dashuri dhe shtatë faje (2003) ka një kapitull me titull Fjalori i fshehur, që shtrihet në mbi 50 faqe. (E njëjta teknikë përdoret edhe te romani Bijtë e askujt, 2010).

Ka edhe shembuj të tjerë veprash në formë fjalori, por Bajram Kosumi e ndërton godinën e vet letrare me materialin e tij dhe sipas konceptit të vet për artin dhe letërsinë, që është në thelb koncept postmodern.

Studiuesit e përcaktojnë artin postmodern si ars combinatoria, domethënë si art ku ka gjithçka: fakte, dëshmi, dokumente, të dhëna shkencore, kujtesë historike, personazhe reale e fiktive, me një fjalë gërshetim të fiksionit me faktografinë.

Nga të gjitha llojet letrare romani është më i përshtatshmi për këtë lloj eksperimenti. Romani gjithmonë ka qenë zhanër sintetizues, por ky i kohës sonë, duke mos qenë beletristikë e pastër, por “bricolage,[3] është i tejngopur me material dokumentar.

Ideja për këtë libër autorit i ka lindur nga koha kur ka qenë në burg (rreth dyzet vjet më parë), kurse një bërthamë fillestare gjejmë te vëllimi poetik Fjalor i Barbarëve (2000), i cili apostrofohet shpesh në këtë libër, madje thuhet, me humor, se është shitur shpejt, ngaqë lexuesit e kanë pandehur për “fjalor të etruskëve”.

Duke qenë libër specifik, Enciklopedia… e Kosumit edhe mund të lexohet ndryshe nga librat e zakonshëm, pra jo në mënyrë konvencionale – nga faqja e parë tek e fundit, siç lexohen rëndom librat, veçanërisht romanet, por edhe duke nisur nga fundi a nga mesi, për t’u kthyer sërish në pjesët e tjera të rrëfimit. (Hapni ku të doni këtë libër dhe besoj se do të gjeni diçka interesante, që do t’ju nxisë ta vazhdoni aventurën e leximit). Unë, fjala vjen, Prologun e lexova në fund, ose kah fundi, dhe pashë se isha lodhur kot për të gjetur çelësin e hapjes së dyerve të kësaj ngrehine letrare atipike, ta quaj kështu, sepse atë na e ofron vetë autori: teksti mund të lexohet në dy mënyra: “si enciklopedi dhe si letërsi”; edhe njëra, edhe tjetra mundësojnë qasjen “në humnerat e artit, të historisë dhe të filozofisë”.[4]

Qysh enciklopedistët francezë në shekullin e 18-të, theksonin se tri aftësitë e mendjes njerëzore: kujtesa, gjykimi dhe fantazia, u përgjigjen tri fushave të dijes: historisë, filozofisë dhe artit.[5]

Enciklopedia imagjinare është një vepër me një trajektore të gjerë kohore dhe hapësinore, që shtrihet nga lashtësia deri në ditët e sotme dhe nga lagjja e fshatit deri te kontinentet e largëta, por që ka një bosht rreth të cilit sillen të gjitha rrëfimet.

Ky bosht është “Ishulli” dhe banorët e tij “Ishullarët”, nga burojnë edhe togfjalëshat: “fjalor ishullor”, “filozofi ishullore”, “mentalitet ishullor” etj. (Edhe pse është përcaktuar për emrin imagjinar “Ishull”, autori nuk ngurron të përdorë edhe emërtimet reale gjeografike: Kosovë, Shqipëri, Ballkan etj.).

Kemi të bëjmë me një toponim letrar, në të vërtetë me një metaforë, që shpreh idenë e izolimit të shqiptarëve si popull. Dhe jo vetëm të shqiptarëve, kudo që jetojnë, në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset e tjera, por edhe të ballkanasve në përgjithësi; në një kuptim më të gjerë edhe të mbarë njerëzimit.[6]

Janë qindra zëra, njësi, rrëfime, skica, tregime, mite, legjenda, parabola, poezi, këngë, letra (letrat e Marie K. dërguar të dashurit të saj që vuan dënimin me burg janë perla të vërteta), lojë fjalësh (jeux des mots), humor, batuta, intervista; histori, gjeografi, drejtësi, gjuhësi, onomastikë, semantikë, simbologji, teori komunikimi; tekste liturgjike dhe shprehje në gjuhë të huaja; cikle tregimesh dhe esesh me mbititull “libra” (Libri i mashtrimeve, Libri i Mallkimeve, Libri i Simboleve, Libri i Skurajve, Libri për pesë Mariet etj.); ngjarje, njerëz, vite, shekuj, data, fusnota, që shumë herë janë po aq interesante sa teksti bazë, në mos edhe më shumë, të gjitha këto së bashku sajojnë spektrin e këtij libri-mozaik për nga përmbajtja, por unik për nga këndvështrimi dhe qasja.

Gjatë rrëfimit Narratori pleks kohët, duke kaluar jo rrallë nga e kaluara tek e sotmja e, madje, ose, siç i pëlqen të thotë autorit, poende, tek e ardhmja, duke përmbushur kështu mëtimin për të bërë një vepër të pazakontë letrare… Sikurse kohët, në këtë vepër takohen edhe kategoritë: e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, e madhërishmja dhe e ulëta, tragjikja dhe komikja, humori dhe satira, sensi lirik dhe mendimi kritik.

Vepra që po përurojmë sot është shkruar një kohë të gjatë; është menduar akoma më gjatë dhe është botuar gati gjysmë shekulli nga koha kur autorit i ka lindur ideja fillestare “në vetminë e nëndheshme të Burgut të Nishit” (f. 14).

Në këtë vepër nuk ka një kryepersonazh, si në romanin klasik, balzakian, e as si në romanin modern, kafkian (Kafka dhe Kamyja kanë krijuar personazhet model të letërsisë moderne, Jozef K.-në dhe Mërsonë) – nga ky aspekt ky është një libër policentrik, që ka personazhe të shumta: të imagjinuara dhe reale, historike dhe aktuale; heronj dhe qyqarë; idealistë dhe pragmatistë; asketë dhe hedonistë, me një fjalë njerëz me fate nga më të ndryshmet, fatin e të cilëve e përcaktojnë rrethanat historike, por edhe karakteret e tyre të çuditshme. (Nga ky aspekt autori ka ditur të përfitojë edhe nga Marksi, edhe nga Frojdi).

Pothuajse nuk ka personalitet të historisë shqiptare – nga e kaluara e largët e deri në ditët e sotme, që nuk shfaqet në këtë vepër, kuptohet në kontekste të ndryshme. Për ta autori nuk shkruan si historian, por si letrar, duke piketuar ndonjë moment të veçantë nga jeta, vepra apo edhe vdekja e tyre, ndonjë tipar të karakterit a ndonjë detaj në dukje të parëndësishëm, por që autori e bën tërheqës dhe interesant me rrëfimin e tij.

Është vështirë të veçosh nga ky libër pjesët më mbresëlënëse, mirëpo për të mos mbetur vetëm në nivel të konstatimeve të përgjithshme, po ndalemi te disa tekste konkrete, pa pretenduar se kemi bërë zgjedhjen më të mirë.

Luftëtari i vjetër Dedë Gjo Luli goditet me shuplakë nga kamerieri i shtyrë nga konsulli rus (kundrejt një shpërblimi material) në Kafen e Madhe në Shkodër dhe pas kësaj vakie e humb respektin e bashkëqytetarëve. (Është një tekst i shkurtër, që ngërthen një mesazh të fuqishëm: kritikë mentalitetit shqiptar). Dedë Gjo Luli e fal shërbyesin e varfër, që shitet për para, kurse paria shkodrane vetëm e sodit aktin e turpshëm dhe nuk ndërmerr asgjë: “Të gjithë e panë, por askush nuk tha asnjë fjalë e as nuk bëri një lëvizje”.

Kalojmë te një shembull tjetër, në Kosovën e pasluftës, që flet për një zyrtar të administratës shtetërore. Zëvendësministrin e Arsimit, Arbër Rexhajn (emër fiktiv), i diplomuar në Universitetit e Hajdelbergut, në një subjet të Hegelit, pjesë e një qeverie të korruptuar, nuk e lënë të korruptohet sytë e Adem Jasharit, që e vështrojnë me qortim nga fotografia e varur në mur (në zyrë), sa herë që ka rrezik të “devijojë”, andaj jep dorëheqje nga posti.

Dhe ja edhe një shembull tjetër, për mua si profesor shumëvjeçar i Universitetit të Prishtinës dhe si studiues i letërsisë shqipe (natyrisht edhe si krijues), por besoj edhe për të gjithë ju, është me interes të veçantë.

Në sythin “Regjistri i letrave të popullit” flitet për letra me të cilat qytetarët denoncojnë “armiqtë e popullit”. Këto letra janë gjetur, si thuhet, në vitin 1999 në ndërtesën e bombarduar të Sigurimit Shtetëror në Prishtinë nga ushtarët e UÇK-së. “Edhe sot e ruaj regjistrin në arkivin tim personal”, thuhet në fusnotë; në këto letra (“anonime e joanonime”), të shkruara në vitet ’80 të shekullit të kaluar, qytetarët e Kosovës, të kombësisë shqiptare, në njërën anë denoncojnë me vetëdëshirë “armiqtë e popullit” si Adem Demaçi me shokë, ndërsa në anën tjetër shprehin devotshmërinë e tyre ndaj shtetit jugosllav dhe politikës së tij.

Po citojmë njërën nga këto letra, autor i së cilës është një Profesor Universiteti dhe “shkrimtar modern”. Në këtë letër me shifrën 68/80 thuhet tekstualisht, e zezë mbi të bardhë: “Derisa po kaloja nëpër duar libra të rinj të bibliotekës së Fakultetit të Filologjisë, dega e Letërsisë Shqipe, pashë se ka qindra ekzemplarë nga Tirana (…). Unë nuk e di ku është faji, te dekani i fakultetit apo te Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë, po me rëndësi është që ta thirrni dekanin dhe t’ia ngrehni pak veshin (…). Unë dhe një rreth i nderuar intelektualësh – vazhdon “shkrimtari modern” nga Prishtina – jemi për të marrë modele në Beograd. Në vend se të shohin zhvillimet moderne në Beograd, ata i kthejnë sytë e verbër kah Tirana. Boll ma se na çmendën!

Këtë letër mos e konsideroni opinion vetëm timin, se ne nuk do të lejojmë prapakthim që na rrezikon modernen në art, por vetëm që ta keni të qartë ju, si kujdestarë të sigurisë në vend. Ne do ta shkruajmë një apel publik kundër shkretëtirës së artit atje në Shqipëri. Do të shihni, do t’ia bëjmë bam!” – përfundon apologjeti i “modelit jugosllav”, i shqetësuar për librat që vijnë nga “shteti amë”. Fjala “shkretëtirë”, me të cilën mbyllet kjo letër ta kujton artikullin Vox clamantis in deserto (Zëri i të vetmuarit në shkretëtirë), të botuar në “Rilindje” në vitin 1971 (i nënshkruar nga tetë letrarë kosovarë), pikërisht në kohën kur bashkëpunimi kulturor ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës merr karakter institucional. (Në vitin 1970 nënshkruhet Marrëveshja për bashkëpunim midis UT-së dhe UP-së).

Ky është një libër që bën bashkë dy dhunti: imagjinatën e shkrimtarit me kërshërinë e kërkimtarit (kërkimi “kuintesenca e jetës”), por edhe përvojën krijuese të poetit, publicistit dhe studiuesit, që tani shfaqet edhe me kostumin e prozatorit, ku Kosumi shkëlqen më shumë se kudo tjetër.

Për të krijuar libra si ky duhet dije, njohuri, kërshëri, por edhe durim dhe energji. Janë konsultuar shumë burime, libra shkencorë, historikë, politikë, foklorikë, gjuhësorë, juridikë, etnologjikë; botime enciklopedike, uebsajte elektronike, fjalorë, doracakë, me një fjalë një literaturë e pafund, pa e bërë qëllim më vete erudicionin, por duke e vënë atë në funksion të qëllimit që i ka vënë vetes si detyrë parësore autori: të dëshmojë për Ishullin dhe Ishullarët (për Shqipërinë dhe shqiptarët; për Ballkanin dhe ballkanasit); t’u lërë dëshmi bashkëkohësve dhe brezave që vijnë  për jetën dhe zakonet e tyre; për luftërat, fitoret, dështimet, rëniet e ngritjet, me theks të veçantë te marrëzitë e tyre.[7]

Nuk ka qenë punë aspak e lehtë mbarështrimi i gjithë kësaj lënde. Për t’i dalë në krye kësaj sfide është dashur një punë e madhe këmbëngulëse. (Teknologjia digjitale, të cilën autori duket e zotëron mirë, e ka bërë të mundur ose, thënë më drejt, e ka lehtësuar realizimin e këtij projekti).

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-serbe është një përbërës i rëndësishëm i kësaj vepre. Për krimet dhe masakrat serbe mbi popullsinë shqiptare në harkun kohor 1878, 1912, 1945, 1981, 1999, Kosumi flet me kompetencën e studiuesit dhe me ndjeshmërinë e shkrimtarit, aq sa mund të thuhet se ky libër do të mund të shërbente si shkas për debat mbi këtë temë.

“Revolucioni i 81-shit”, si e quan autori, është lajtmotiv i kësaj vepre që zuri fill në burg. Duke qenë njëri nga të rinjtë tanë që kaluan nëpër ferrin e burgjeve jugosllave është e kuptueshme që kjo të jetë temë obsesive e kësaj vepre. Po qe se përdorim termin e studiuesit të njohur rus të Dostojevskit, Mihal Bahtin, burgu te Kosumi është kronotop: pikë ku takohen koha (kronos) dhe hapësira (topos).

Konform konceptit të tij gjithëpërfshirës, “post/romani” i Kosumit nuk mund të lërë jashtë, natyrisht, luftërat në ish-Jugosllavi, veçanërisht në Bosnjë dhe në Kosovë, duke e parë fenomenin luftë jo vetëm në planin etnik, historik dhe politik, por edhe nga aspekti thjesht njerëzor. Tregimi me titull “Anti-“ (f. 50-52) tregon se deri ku arrin makabriteti i qenies njerëzore të molepsur nga ideologjia e urrejtjes dhe nga shtytjet shtazarake (viktimë e ushtarit serb, të demobilizuar pas Dejtonit, është vajza e mitur boshnjake, Selma, që përjeton një kalvar të paparë), kurse tregimi “Harrimi” (f. 249-253) shpalos dhimbjen e thellë të babait dhe bashkëshortit që dëgjon krismat e automatikut që qëllojnë gruan dhe fëmijët e tij në kohën kur “Prishtina vdiste çdo minutë”, aq sa personazhi “harrohet” për një çast dhe humb orientimin në kohë: në një minutë, madje në disa sekonda ankthi e pritjeje, rrudhen shekujt!

Në krahasim me tregimet e luftës, tregimet që flasin për periudhën e pasluftës, duken  “zbavitëse”, edhe kur janë në fakt tragjike dhe groteske. I tillë është, fjala vjen, tregimi “Varri i heroit Besim Krasniqi”, në të cilin flitet për një ish-luftëtar të UÇK-së, i cili, pas veprimeve dëshpëruese që bën në shenjë revolte për mospërfshirjen e tij në listat e veteranëve, ku kanë hyrë edhe njerëz që kishin qenë kundër luftës (shpall në fb “shitjen e varrin” dhe, i frymëzuar nga një tregim i Bertolt Brehtit, “shndërrohet” në përmendore të gjallë në mes të qytetit), ostrakohet nga bashkëqytetarët e tij të nxitur nga media e papërgjegjshme e senzacionale, që e shpall heroin “profiter, mendjemadh dhe egoist”!

Skicat dhe tregimet e këtij libri mbështeten kryesisht mbi një fundament real, por në procesin krijues ato i kalojnë kufijtë e reales dhe shndërrohen në tregime imagjinare. Sepse arti, sipas autorit, duhet të shkojë edhe përtej reales, duke depërtuar në zonën e nënvetëdijes (shih: Romani për nënën, f. 617).

Bajram Kosumi nuk ka studiuar filozofi, së paku jo në shkollë, por vepra e tij, krahas problemeve shoqërore, sociale, politike, etike, estetike, ngre edhe probleme filozofike, si pozita e njeriut në botë dhe e planetit Tokë në kozmos; dualizmi jetë-vdekje, trup-shpirt, ferr-parajsë dhe në mënyrë të veçantë fenomeni kohë.

Teksti më i gjatë i librit Libri për Një Çast (f. 450-479) flet për kohën dhe perceptimin e saj. Kryepersonazhi i këtij rrëfimi, Astriti, është alter ego e vetë shkrimtarit, kurse kronika për të parët e tij në pesëqind vjet (nga mesjeta e këndej) një parabolë e fatit historik të shqiptarëve si komb.

Enciklopedia imagjinare është një vepër që vlen të lexohet, madje edhe të rilexohet, si për shkak të përmbajtjes së saj, ashtu edhe për hir të rrëfimit të shkathët, por dyshoj se do të ketë shumë lexues, jo vetëm pse kultura e leximit është në krizë, por edhe për shkak të vëllimit të madh; njerëzit sot përtojnë të lexojnë gjatë. (Uroj ta kem gabim).[8]

Në Prolog autori, pasi flet për mënyrat e leximit të librit, shpreh dëshirën që të mos e arrijë ditën kur do të varroset libri, fjala është për librin klasik, që preket me dorë dhe që ka aromë, për t’u zëvendësuar me atë që quhet e-book (libër elektronik).[9]

Ta lexosh Enciklopedinë e Kosumit është si të hysh në një pyll të dendur, ku në çdo hap shfaqen peizazhe mahnitëse, por edhe skena të frikshme. Do të mund ta përdornim edhe metaforën e lumit, të një lumi të gjerë e të thellë si Nili, siç do të thoshte Noli,[10] por kjo na kujton rrezikun (real a imagjinar) të “mbytjes” nëse nuk e zotëron mirë shkathtësinë e notimit, përkatësisht të  leximit.

Në kopertinën e mbrapme të këtij libri janë vënë disa mendime për autorin dhe veprën e tij. Në mesin e të përzgjedhurve jam edhe unë, Agim Vinca. Duke folur për poezinë e Bajram Kosumit, gati tridhjetë vjet më parë (1995), kisha shqiptuar fjalinë: “Poezia e tij nuk njeh kufij”. Vepra që po përurojmë sot e konfirmon shumëfish vërtetësinë e këtij pohimi: Enciklopedia imagjinare është një metaforë e madhe e kujtesës njerëzore dhe një vepër që s’njeh kufij.


[1]  Një zgjidhje grafike e qëlluar e inventive.

[2]  Përveç shkronjës së fundit të alfabetit (Zh), në “Enciklopedinë” e Kosumit mungojnë edhe: Dh-ja, Ll-ja, O-ja dhe Y-ja, pra gjithsej pesë shkronja.

[3]  Term i studiueses franceze të intertekstualitetit Natali Pjege-Gro, që në shqip është përkthyer “bubërrim”. Shih: Nathanie Piége-Gros, Introduction à l’intertextualité (Hyrje në intertekstualitet),Paris 1996, f. 143.

[4]  “Tekstit mund t’i qaseni në dy mënyra: si enciklopedi dhe si letërsi” (f. 15); “të dy qasjet do t’ju mundësojnë një kredhje të thellë në humnerat dhe shpellat e artit, të historisë dhe të filozofisë”.

[5]  Mendim i shprehur në Fjalën hyrëse të Enciklopedisë Franceze, shkruar nga matematikani dhe filozofi D’Alamber (Jan d’Alambert, 1717-1783).

[6]  “Nuk ka ishull më të madh se Toka (…). Ishullarët janë mbase vetë banorët e tokës” (f. 13).

[7]  “Ngjashëm me skulptorin që laton, me piktorin që ngjall(ë) natyrën, me krijuesin që ngjiz planetët, me njeriun që ngjiz(ë) njeriun… është krijuar kjo Enciklopedi…”, thuhet në Prolog (f. 11).

[8]  I huaji i Kamysë dhe Plaku e deti i Heminguejit nuk i kalojë të njëqind faqet, por janë kryevepra.

[9]   “Tekstit mund t’i qaseni në dy mënyra: si enciklopedi dhe si letërsi” (f. 15) për të hyrë në humnerat e artit, të historisë dhe të filozofisë.

[10]  Aluzion te skica e hershme Shpirti im i përgjumur si Nili, të cilën Noli e shkroi në vitin 1903, kur ishte në Egjipt.

(Teksti është fjala e mbajtur në përurimin e librit në Prishtinë, më 13 shkurt 2024)/ GazetaExpress/KultPlus.com

Agim Vinca jep dorëheqje nga PEN Qendra e Kosovës: Nuk përkon me misionin që kanë këto asociacione kudo në botë

Poeti, studiuesi dhe profesori Agim Vinca ka dhënë dorëheqje nga PEN Qendra e Kosovës. Sipas Vincës, kjo dorëheqje vjen për disa arsye, sidomos pasi politika që zhvillon ky asociacion nuk përkon me misionin që kanë këto asociacione kudo në botë: mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shkrimtarëve.

KultPlus ju sjell reagimin e plotë të profesorit Agim Vinca:

PEN QENDRA E KOSOVËS DHE DEGRADIMI I SAJ

Politika që zhvillon PEN Qendra e Kosovës si asociacion nuk përkon me misionin që kanë këto asociacione kudo në botë: mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shkrimtarëve. Në kohë të fundit, madje, veprimtaria e PEN Qendrës së Kosovës është krejt e kundërt me këtë mision.

Dy edicionet e manifestimit “Ora e shkrimtarit” (1, 2), si dhe seria me temë “Debat për kulturën dhe letërsinë në kohë pandemie”, e dëshmojnë plotësisht uzurpimin e këtij asociacioni nga një grup njerëzish, që luftojnë për interesa grupore e personale.

Në shenjë mospajtimi me këto veprime të grupit të instaluar brenda PEN Qendrës, jap dorëheqje nga anëtarësia në këtë asociacion, me shpresë se njerëzit që janë në krye të tij do të reflektojnë në të ardhmen.

Prishtinë, 7 shkurt 2022                                                                  Prof. dr. Agim Vinca

P. s. Teksti i kësaj dorëheqjeje, siç mund të shihet, është shkruar shumë kohë më parë, por, për shkak të insistimit të disa miqve, nuk e pata bërë publik. Tash po e shoh se kam gabuar. Grupi i paskrupull i PEN-it kosovar, peng i të cilit është edhe kryetari i tij aktual, vazhdon me sjelljen dhe veprimet e veta antikulturore.

Prishtinë, 12 janar 2024. / KultPlus.com                   

Qentë e Sodomës

Poezi nga Agim Vinca

Së pari kafshojnë,
pastaj lehin.
Qentë e Sodomës,
racë e çuditshme!
Dhe ec e dije
kur luajnë bishtin në shenjë miqësie;
kur skërmitin dhëmbët
në shenjë kërcënimi.
Së pari kafshojnë, pastaj lehin
(Kafshojnë natën, lehin ditën) –
Shprehi e lashtë e pedigresë së tyre.
Njësoj i trajtojnë
të gjallët dhe të vdekurit:
gërmojnë eshtrat,
gërryejnë zorrët.
Gjithmonë kështu.
Gjithmonë kështu.
Qentë e Sodomës,
racë fisnike!

1985/KultPlus.com

Zbulohet juria profesionale e edicionit të gjashtë të “KultStrofa”

KultPlus këto ditë ka hapur thirrjen për edicionin e gjashtë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.

Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë  “KultPlus”.

Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme.

Organizatorët e këtij konkursi sot kanë bërë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni e cila këtë vit ka një përbërje të veçantë, duke përfshirë shkrimtarë, gazetarë dhe tekstshkrues të këngëve, me qëllim të një laramanie sa i përket shijeve.

Juria përbëhet nga: Agim Vinca, kryetar jurie, Beti Njuma dhe Shpat Deda.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka treguar se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’. Afati i fundit për aplikim është data 26 nëntor 2023, ora 23:59.

Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftura në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj. / KultPlus.com

Botohet “Jetë a vdekje përqafuar”, libri më i ri i autorit Agim Vinca

Në botim të shtëpisë botuese “Olymp” nga Prishtina, këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i prof. Agim Vincës “Jetë a vdekje përqafuar. Ese & eulogji me një rragatë në fund”. Ky libër përfshin shkrimet kritike dhe eseistike të viteve të fundit të këtij autori. Një kapitull i këtij libri përmban edhe shkrime polemike për çështje të rëndësishme kulturore dhe letrare. Libri ka gjithsej 356 faqe, përcjell KutPlus.

Fjala e redaktorit Ag Apolloni

Kur lexuesi merr në dorë një libër të ri të profesorit, studiuesit dhe shkrimtarit Agim Vinca, për një gjë është i sigurt: ai libër thotë diçka. Ndryshe nga shumë autorë që shkruajnë edhe kur s’kanë çfarë të thonë, Vinca shkruan vetëm kur idetë, emocionet dhe fjalët s’mund t’i heshtë. Prandaj, edhe ky libër duhet parë si një reagim i tillë. Këtu flitet për vepra e vdekje që të prekin, për marrëzi që na ndjekin, për letërsinë dhe gjuhën, për paqen dhe luftën.

I shkruar me një gjuhë tërheqëse, ky libër të shëtit nëpër vepra e vende të ndryshme. Bota e kësaj vepre është e mbushur me dashuri, dhimbje, respekt, pikëllim, dëshpërim, nderim dhe qortim. Autori nderon punën, vlerat dhe artistët, ndërsa qorton përçarësit dhe pseudoartistët. Kështu, ky libër shtrihet nga diskursi eulogjik deri tek ai polemik. Këtu mblidhen të ndryshmet dhe të kundërtat në një vend, për t’u kujtuar më gjatë, duke shpalosur kështu bindjen e autorit se as e mira, as e keqja s’duhet të harrohen. E mira jepet si një model që duhet ndjekur, ndërsa e keqja si një defekt që duhet ndrequr.

Me këtë libër përkujtues dhe reflektues, Agim Vinca ka bërë një regjistrim dhe interpretim fenomenesh publike dhe private, nëpërmjet një ligjërimi personal, që herë thekson të bukurën, herë të dobishmen.

Fjala e recensentit Begzat Baliu

Ata që e kanë njohur angazhimin intelektual të Profesor Agim Vincës në fund të viteve ’60; ata që e kanë njohur angazhimin e tij kombëtar për studimin dhe botimin e letërsisë si tërësi integrale në vitet ’70; ata që i kanë dëgjuar diskutimet e tij dhe i kanë lexuar dhe njohur polemikat në shtypin jugosllav në mbrojtje të letërsisë, kulturës dhe çështjes shqiptare në Jugosllavi; ata që e kanë dëgjuar dhe ia kanë lexuar artikujt dhe veprat polemizuese të tij, pas rënies së komunizmit në Shqipëri e deri më sot, pasi ta lexojnë këtë vepër, sigurisht do të thonë:

Ishte lehtë të ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ta ndërtoje bazamentin e monumentit të lirisë e pavarësisë së atdheut; ishte lehtë të ishe politikan i rreshtuar, që del në zgjedhje në flakët e luftës dhe i dhuron një votë presidentit historik të Republikës së Askundit. Vetëm intelektual, intelektual dhe eulogjist ishte vështirë të ishe dhe t’i shkruaje poezi përflakjes së Prekazit; ta mbroje publikisht të drejtën e bashkimit kombëtar; t’i thoshe lamtumirë patriotit revolucionar në Tiranë, mbi mortin e të cilit neokomunistët e demokracisë, shtinin me gisht: komunist, komunist, komunist!

I tillë ishte me veprën e tij intelektuali, shkrimtari, studiuesi e Profesori Agim Vinca. I tillë ishte me veprën mendore dhe jetësore, i tillë shfaqet edhe me këtë vepër: lirik, fjalëzgjedhur, i pakompromis! / KultPlus.com

E kujtoj mësuesin

Agim Vinca

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha atëhere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi. /KultPlus.com

Një takim i përmallshëm

Agim Vinca

Këto ditë të nxehta vere, në Strugën tonë të bukur, takova djalin e mësuesit tim të parë, Sadik Halilit, figurën e të cilit e kam përjetësuar në një poezi të shkruar rreth pesëdhjetë vjet më parë. Kishte ardhur nga Stambolli, tok me të shoqen e dy fëmijët dhe kërkoi të më takonte. U takuam në një restorant buzë Drinit, aty ku dikur familja e mësuesit e kishte pasur shtëpinë (para se t’ua sekuestronte “pushteti popullor”, duke i zhvendosur te “Lagjja e jevgjve”).

Ishte mesi i viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, kur qindra familje shqiptare nga këto vise, për shkak të presionit politik, por edhe të iluzioneve për një jetë më të mirë, morën rrugën e arratisë. Kështu edhe familja e mësuesit tim, i cili iu nënshtrua dëshirës së prindërve, të babait të tij në radhë të parë dhe u detyrua të largohej nga vendi ku kishte lindur e ishte rritur dhe ku e kishte filluar punën si mësues. Punoi vetëm një vit, në vendlindjen time, në Veleshtë, në vitin shkollor 1954/55 dhe pastaj u largua. Iku përgjithmonë, si shumë të tjerë.  

Puna e parë që u detyrua të bënte familja e tij, sikurse edhe familjet e tjera të shpërngulura në Turqi, ishte ta ndërronte mbiemrin. Duhej të hiqnin dorë nga llagapi familjar dhe të zgjidhnin një tjetër. Ky ishte rregull. Mësuesi im, Sadik Halili, nuk mund të quhej më si më parë. Por, i zgjuar e atdhetar, ai zgjodhi një mbiemër që e lidhte me vendlindjen: Akgöl (Akgjol), që në shqip do të thotë Liqeni i Bardhë. Babai i tij ishte kalishtar, ndërsa mësuesi kishte lindur në Strugë, në një shtëpi shumë afër Liqenit dhe ishte rritur aty. Edhe atje ku shkoi, pa dëshirën e tij, nuk donte të shkëputej nga gjoli i tij. 

Krijoi familje duke u martuar me një vajzë nga Ohri, po ashtu familje shqiptare e shpërngulur, me të cilën lindi e rriti dy fëmijë, djalë e vajzë.

Mustafa quhet i biri i mësuesit. Është inxhinier me profesion, por shumë i dashur e i afërt. Erdha nga Prishtina për t’u takuar me të dhe për të mësuar diç më shumë për njeriun që m’i mësoi shkronjat e gjuhës shqipe. Kur i kreva studimet dhe mora ditarin në dorë, në vitin e largët 1971, shkrova vjershën e famshme “E kujtoj mësuesin”, që është poezia ime ndoshta më e popullarizuar. E dinë përmendsh pothuajse të gjithë fëmijët e shkollave në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni e në diasporë. Më ka ndodhur, madje, ta recitojnë në praninë time, pa e ditur se unë jam autori.

Njohja virtuale me djalin e mësuesit ndodhi vitin e kaluar, afërsisht në të njëjtën kohë, kurse tani u takuam për herë të parë “live” dhe kaluam disa orë bashkë. Kishte marrë me vete një album me fotografi nga koha kur babai i tij ka shërbyer si mësues në shkollën tetëvjeçare “Fejzi Vinca” në Veleshtë. Në secilën fotografi ka shkruar me dorën e tij kur, ku dhe me kë ka dalë. Disa nga këto shënime janë histori në miniaturë.

Mustafai më dhuroi dy foto nga albumi i babait, kurse unë një kopje të librit tim të parë, “Feniksi” (1972), ku gjendet poezia për mësuesin.

Ruan edhe një fletore të vitit 1946. Për herë të parë shihja fletore të asaj kohe me portretin e Titos në ballinë. E shfletoj dhe në të lexoj: fjalia, periudha, kryefjala, kallëzuesi… Kjo është gramatika e dhembjes sonë!

E ka humbur gjuhën, por jo kujtesën dhe ndërgjegjen. Është për lakmi kujdesi që tregon ndaj trashëgimisë së të atit. Më thotë se këngë e preferuar e Mësuesit paskësh qenë “Dalëngadalë po vjen behari…” dhe, sakaq, ma lëshon të regjistruar në celular. I them se kjo është këngë partizane, shumë e dashur në Shqipëri për shkak të luftës antifashiste, kurse për ne këndej kufirit e donim ngaqë prisnim të vinte behari i lirisë. “Dalëngadalë po vjen behari, dalëngadalë po na vjen…”.

Rreth tryezës e këndojmë ngadalë, nën hundë, këtë këngë që tani gjithnjë e më rrallë dëgjohet ndër ne.

Mësoj se mësuesi im e paskësh dashur shumë Shqipërinë (e tillë çfarë ishte) dhe se paskësh marrë gazeta e revista nga Tirana. I lexonte, thotë i biri, dhe i ruante në shtëpi, gjer ditën që ndodhi grushtshteti i vitit 1980, kur u detyrua t’i asgjësonte për shkak të simboleve komuniste.

Mustafai nuk di shqip (as unë turqisht), kështu që detyrohemi të flasim me përkthyes, rol që e luajnë me zell e përpikëri çifti simpatik strugan Albena dhe Hysen Dika, të afërm të tij.

Mësuesi im pat ardhur për herë të fundit në vendlindje në vitin 2006. Nuk më njoftoi kush, sepse po ta kisha marrë vesh do t’i hipja makinës dhe do të vija për ta takuar. Kur e mora vesh, e kërkova adresën, por derisa ma gjetën, ai iku nga kjo botë. (Ndërroi jetë në vitin 2010). Më ka mbetur peng që nuk arrita ta takoj dot as edhe një herë të vetme në jetë!

Biseda sillet rreth shkollës, mësuesit, poezisë. Mysafiri kërkon që ta recitoj poezinë për babanë e tij dhe unë ia plotësoj dëshirën, kurse ai më regjistron në celular. Do ta marrë me vete si kujtim nga vendlindja e të parëve për t’ua treguar miqve dhe të afërmve. Më ndjekin me vëmendje të gjithë, duke më falënderuar në fund me fjalë e duartrokitje, ndërsa e shoqja e Mustafait, mësuese në një shkollë fillore në Stamboll, uron që fëmijët e saj, Selini dhe Urali, të bëhen si Profesori, nxënësi i dikurshëm i gjyshit të tyre, mësuesit Sadik.

Çdo shkulje nga vendi është dramë, por shpërngulja e shqiptarëve në Turqi qe një dramë e madhe kombëtare e njerëzore, me pasoja të rënda në jetën e njerëzve tanë dhe të kombit shqiptar në Ballkan.

Përmenden shifra marramendëse të numrit të shqiptarëve në Turqi, por kjo i takon tashmë të kaluarës. E keqja është se mërgimi në këto troje vazhdon, tani në forma e drejtime të tjera dhe, gjithsesi, edhe për motive të tjera. E mërgimi sjell bjerrjen, zbehjen, asimilimin.

Ajme, sa keq, sa vrer e sa zor, do të thoshte i madhi Nol.

Dita e ngrohtë e verës po i afrohet fundit, qyteti vlon ende nga njerëzit, zërat, thirrjet…; Drini rrjedh i qetë në shtratin e vet; diku larg, në një dasmë, dëgjohet kënga “Vijnë pampurat”…, ndërsa unë dhe ime shoqe përshëndetemi me miqtë tanë që nesër do të marrin rrugën për nga kanë ardhur, mbushur me mall e kujtime nga vendi i të parëve, me urimin për t’u parë sa më parë në Strugë apo në Stamboll. / KultPlus.com

Ditëlindja

Agim Vinca

Në Paris, rastësisht, i mbusha pesëdhjetë e sa vjet.

Tani jam një vit më i madh se Naimi, 
dyfish më i moshuar se Migjeni
dhe – mjekërbardhë si Lasgushi.

Për ditëlindjen time
pimë nga një gotë verë
me Veronikën nga Kili
dhe Mihain nga Bukureshti.

Ç’rastësi
Të tre kemi njohur nga një diktaturë
(unë dy a tri)
dhe kemi ëndërruar botën e lirë.
I cakërrojmë gotat dhe themi:
Gëzuar!
Secili në gjuhë të vet;
në Paris, në botën e lirë
(A thua, vërtet?)

Në ditëlindjen time të njëqindepesëdhjetë! / KultPlus.com

Sipari

Poezi nga Agim Vinca

(Aktorit Istref Begolli)

Gjashtë muaj para se të ikte nga kjo botë
pushoi së foluri. Heshti përgjithmonë
Ai që tërë jetën kishte këlthitur
herë si Makbeth, herë si Hamlet
mbi dërrasat që quhen jetë.
Ra në komë të thellë e s’foli dot.
E përse të fliste? Me kë të fliste? Ç’të thoshte, vallë?
Qe një heshtje që fliste më shumë se çdo llomotitje.
Qe monologu më i gjatë i jetës së tij. Jo në skenë,
po në shtrat.
Gjashtë muaj heshtje. Vetmi. Gjashtë muaj varg…
Pastaj, ashtu i madh e shpërfillës si një mag
U ngjit pa bëzajtur lart në Dragodan
Si të luante të mbramin rol shenjtori a djalli
Për të na dhënë edhe një kumt
Para se të binte sipari.

Prishtinë, 31 janar 2003

Në studion e shkrimtarit Thoma Kacori

Agim Vinca

Si shenjti shqiptar Shën Nikodimi
Shenjtori i Kishës së Shën Sofisë
Plakesh mbi shkrimet shenjta të shqipes
Ti relikt i gjallë i Kolonisë.

Nën dritën e kandilit të De Radës
E qiririt të pashuar të Naimit
Ndjek shtegun e gjatë të shqipes
Nga Meshari e përtej Mesharit.

Kur të zë malli për mëmëdhenë
Del e bredh rrugëve të Sofjes.
Me shkop në dorë si i përhënë
Më kot kërkon zërat e humbur prej motesh.

Ndonjë psherëtimë të shpëton padashur
E ndonjë lot të ndrit në qepallë.
S’je Shën Thomai i përrallës
Po shpirt i gatuar me mall.

Si vithkuqari Shën Nikodim
Shenjtor i Kishës së Shën Sofisë
Plakesh mbi shkrolat shqipe shqim
Ti pinjolli i fundit i Kolonisë.

Sofje, maj 2000. / KultPlus.com

Agim Vinca: Nga Kasaj në Parnas, homazh për Hamit Aliajn

Homazh për Hamit Aliajn (1954-2023)

Nga: Agim Vinca

Hamit Aliaj lindi në Kasaj të Tropojës, fshat që gjendet në afërsi të kufirit me Kosovën. Në këtë fshat u rrit djaloshi që do të shkruante vargjet më të bukura, më tronditëse, për ndarjen tragjike të trojeve shqiptare. Kur ai erdhi në këtë botë, një ditë vjeshte të vitit 1954, shqiptarët kishin vite që nuk mund të shkonin më te njëri-tjetri për shkak të këtij kufiri absurd. As në dasmë, as në mort, as në gëzim e as në hidhërim. Vetëm zogjtë e malit guxonin ta kalonin atë vijë tragjike që ndante njerëzit e një gjaku. Kjo padrejtësi shekullore, ky absurditet i historisë, do të bëhet lajtmotiv i vargjeve të poetit, i cili, qysh në fillim, shpallte botërisht: “Bjeshkët janë mbiemri im”. (Ky është titulli i librit të parë të Hamit Aliajt, të cilin e botoi kur ishte njëzet vjeç). Edhe poetë të tjerë shqiptarë, këndej e andej kufirit, në Kosovë e në Shqipëri, në Jug e në Veri, e kanë trajtuar këtë temë: temën e ndarjes tragjike të trojeve shqiptare, por pothuajse askush si djaloshi nga Kasaj, që e kishte shtëpinë “pesëqind metra larg dhimbjes”. “Shtëpinë, mbështjellë me një re të bardhë,/ në Veri e kam,/ pesëqind metra larg dhimbjes,/ piramida 6 përballë”. Ç’figurë e gjetur e domethënëse! Këtu, në Veri, pranë gurit kufitar, lindi dhe u rrit poeti; këtu u përkund në djep dhe këtu do ta ketë edhe banesën e fundit. (Hamit Aliaj u varros këto ditë me nderime në vendlindje).
Teoria e mjedisit si koncept teorik është e kapërcyer, por as kritika moderne nuk e mohon rolin e vendlindjes dhe të fëmijërisë në formimin shpirtëror të krijuesit.
Hamiti e kaloi fëmijërinë në vendlindjen e tij, në një vend ku bashkëjetonin doke e zakone, ku këngët dhe legjendat e moçme ishin akoma rit i mbrëmjeve. Rriste shtatin në kodrat dhe livadhet e fshatit dhe mrekullohej nga tingujt e fyejve të barinjve që çdo verë ua mësynin bjeshkëve të Shkëlzenit, ndërsa tufat e deleve, formonin në imagjinatën e tij poema pa fund me vargje të bardha… Ky ishte sfondi ku poeti filloi të thurte vargjet e para në fletoret shkollore, që i fshihte nga sytë e të tjerëve… Nëna e tij, një grua e fortë, e cila shpesh dinte të ishte edhe burrë, do të ishte mbështetësja dhe frymëzuesja e tij më e madhe. Ajo i dha të birit jo vetëm dashuri prej nëne, por i mëkoi edhe shpirtin artistik…Vendosja e fshatit të tij të lindjes përballë Kosovës, e cila ishte disa minuta afër, por mijëra vjet larg, kur shikoje gardhin e përshkuar nga korenti vdekjeprurës, ka qënë një dhembje e gjatë, por edhe një burim frymëzimi për shumë poezi të poetit, që e vuante paradoksin historik të ndarjes përgjysmë të trupit të atdheut, thuhet në një shënim të shkruar me gjasë nga vetë autori ose nga ndonjëri nga miqtë e tij letrarë.
Ky është kufiri i parë nga ajo anë. Po nga kjo anë?
Në një takim letrar në Pogradec, vite më parë, pata thënë: “Tërë jetën e kemi soditur nga larg këtë qytet, jemi orvatur më kot ta rrokim me shikim, duke i marrë mëri sytë tanë që s’kishin forcë të shihnin përtej, në anën tjetër të masivit ujor të quajtur Liqeni i Ohrit. Vështrimi ynë nga brigjet e Strugës arrinte shumë-shumë deri te Lini i futur si hundë në liqen. Nga Struga Pogradeci nuk mund të shihej, por vetëm mund të merrej me mend, kurse kënaqësinë e të soditurit të konturave të tij e përjetonim kur shkonim në të rrallë në Shën Naum. Nga bedenat e manastirit të lashtë, ku murgj dhe policë rrinin bashkë, e shikonim tinëz, me mall, qytetin që ishte aq afër dhe aq larg njëkohësisht. Ky është Pogradeci i djalërisë sime. Pogradeci im i dikurshëm. I papërsëritshëm”.
Treva nga e cila vjen Hamit Aliaj dhe një varg poetësh të tjerë të talentuar (Anton /Ndoc Papleka, Besnik Mustafaj, Buçpapajt Mujo e Skënder e shumë të tjerë) quhet ndryshe “Malësi e Gjakovës”. Malësorët e fshatrave të Tropojës pazarin e bënin në Gjakovë, ku zbrisnin për të shitur e blerë, por edhe për të lidhur miqësi e krushqi, derisa ky qytet shqiptar nuk iu shkëput Shqipërisë, ashtu siç ndodhi edhe me shumë qytete e fshatra të tjera të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare. Xhevahir Spahiu e Bardhyl Londo kanë shkruar vargje pikante për “Vitin 13”, që në letërsinë shqipe ka marrë përmasat e një figure topike (toposi i ndarjes përgjysmë të trupit të atdheut), por Hamiti i ka shkuar deri në fund këtij motivi, duke e shtrydhur fjalën “derisa gjak t’pikojë”, siç do të thoshte Azem Shkreli.
Te poema e tij e jashtëzakonshme, por e pavënë re, Zeka i Zi, me të cilën mbyllet libri Lotin nuk ta fal, lexojmë vargjet: “E kemi parë Zekën e Zi,/ me kokë nën sqetull rend./ E lë kokën në një lis/ e lisi shqip flet, / e lë kokën në një gur / e guri flet si njeri, / e lë kokën në një re/ e reja vetëton,/ ia lë kokën tokës,/ toka rend, vrapon”, për ta përmbyllur frazën me një figurë shumë të përhapur në letërsinë shqipe, nga Barleti e gjer tek Kadare, atë të ndarjes së kokës nga trupi: “Koka në bjeshkë, trupi në det”.
E krijuar në një periudhë gjysmëshekullore dhe e shpërndarë në shtatë vëllime (Bjeshkët janë mbiemri im, Një vend e ruaj për ty, Lotin nuk ta fal, Mungon Viti Një, Njëqind vjet e Martë dhe E hëna e përtejbotës, ky i fundit me haiku), poezia e Hamit Aliajt është homogjene për nga përmbajtja dhe pothuajse e nivelizuar për nga vlera.
Hamit Aliaj është pa dyshim një nga krijuesit më të talentuar të brezit të vet. I veçantë me botën e interesimeve tematike, ai është i veçantë edhe me shprehjen dhe sintaksën poetike. Në poezinë e tij shkrihen natyrshëm rrëfimi dhe lirizmi, figura dhe mendimi, toni epik dhe elegjiak. Me një qartësi e thellësi të lakmueshme, që rrallë haset tek i njëjti poet, ai i flet lexuesit për të vërtetat jetësore dhe paradokset e historisë.
Rexhep Qosja, në një intervistë dhënë shtypit shqiptar, e pati quajtur Hamit Aliajn “poet që të bën mik të përjetshëm shpirtëror” dhe “që do ta nderonte çdo letërsi evropiane”. Fqinj me Hamitin për nga vendlindja, profesor Qosja shquan “mendimin subtil, pamjet krijuese dhe figurat befasuese” si veçori të stilit të tij. Këtyre karakteristikave, u duhet shtuar edhe imagjinatën e pasur, origjinalitetin e shprehjes dhe aftësinë për të depërtuar në thelbin e fenomeneve të jetës.
Subjekti lirik i kësaj poezie bredh lirshëm nëpër kohë e vende, nga Ballkani në Evropë, nga antika në kohët moderne, nga Albanopoli në Fushë Kosovë, për t’u kthyer sërish te shtëpia e tij “pesëqind metra larg dhimbjes”.
Hamit Aliaj do të mbahet mend edhe si krijues tekstesh për këngë. Shkroi shumë të tilla, por disa prej tyre janë bërë pjesë e kujtesës kolektive. Me këngën e tij “N’Dardani bjen nji tupan” studentët e Prishtinës dilnin në demonstratë. Ata ishin krushqit e lirisë së Kosovës, që do të vinte me shumë mund e sakrifica. Edhe Hamiti ka dhënë kontributin e vet për këtë ditë, sepse nuk luftohet vetëm me armë, por edhe me art. Pas çlirimit të Kosovës do t’i bëhet e mundur të vinte për herë të parë në Gjakovë, aty ku të parët e tij dikur vinin për çdo javë. “Njëqind vjet për të mbërritur tek ti…/ Jam më i pasuri mbi dhe:/ Kam timen këtë natë/ Që ndan mijëvjeçarët” – thuhet në poezinë Nata e parë në Gjakovë, shkruar në vitin 1999. Ndien gëzim për këtë takim, por edhe dhimbje e trishtim për krimet që janë bërë në Kosovë, krime para të cilave do të trishtohej edhe vetë Shekspiri: “Ju lutem, mos m’i thoni gjë Shekspirit/ se i djeg librat e tij”.
Ndryshe nga shumica e kolegëve të tij poetë, Hamit Aliaj e krijoi veprën e vet në heshtje. Ai nuk ishte poet i çmimeve e promovimeve, as i ekraneve e portaleve, por krijues vargjesh të denja për çdo antologji, që shpresojmë të mbijetojnë edhe në këtë katrahurë vlerash e kriteresh.
Hamit Aliaj e nisi udhëtimin e tij nga fshati i lindjes për t’u bërë banor i Parnasit shqiptar. Rruga drejt majave të artit nuk është e lehtë. Ajo është e gjatë dhe e vështirë edhe kur nisesh nga ndonjë metropol e botës, se jo më nga një fshat i vogël mes malesh. Shikuar nga ky aspekt Hamit Aliaj mund të quhet një sfidues i madh. Përgjithësisht i tërhequr në jetë, ai guxoi si poet. Kërkoi hapësira të reja shprehëse, duke i mbetur besnik formimit të vet shpirtëror, që i ka rrënjët te tradita e vendlindjes dhe filozofia e njerëzve të saj.
Dy-tre librat e tij të fundit (Mungon Viti Një, Njëqind vjet e Martë dhe Hëna e përtej botës), të botuar në periudhën 1997-2017, tregojnë se Hamiti i ndiqte trendet e reja të poezisë në hapësirën shqiptare dhe më gjerë, por pa rënë në grackën e snobizmit dhe të epigonizmit. Vërtet që këta libra sjellin diçka të re në konceptimin e vargut (herë-herë deri te poezia e tipit vizual), mirëpo libri i tij më i mirë, më homogjen dhe, madje, edhe më modern mbetet vëllimi Lotin nuk ta fal, i botuar në kapërcyell të dy epokave, në vitin 1990 shtëpia botuese “Naim Frashëri” (në 2000 kopje).
Në antologjinë Muza e Mëmëdheut (Njëqind poetë për Atdheun), botuar në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Hamiti prezantohet me poezinë Shtëpinë e kam pesëqind metra larg dhimbjes, vargjet e së cilës janë vënë edhe në kopertinën e mbrapme të librit.

Shtëpinë, mbështjellë me një re të bardhë,
në Veri e kam, pesëqind metra larg dhimbjes,
piramida 6 përballë.

Miqtë e mi të letrave kanë surpriza të zymta
kur më vizitojnë,
dil nga legjendat, më thonë kritikët, po ç’të bëj:
ashtu real, jashtë çdo fantazimi,
i marr për dore dhe ua prezantoj
vitin ’13, çunak të përgjakur.

Ç’të bëj. Toka ime s’ka klithur kurrë në qiell,
klithmat i ka lënë në gurë e në drurë,
në një djep klithmash jam rritur,
dhe themelet e shtëpisë klithma i kam
pesëqind metra nga piramida 6.

Gjumin s’e kam pasur kurrë të qetë:
rënkon toka pranë shtëpisë sime në Kasaj
nga prerja e madhe e vitit trembëdhjetë.

Net për net më duhet
të zgjohem nga britma fëmijësh të prapë,
të dal jashtë, t’i kap për veshi,
Bismarkun, Lord Grejin, Bikonsfildin,
kral Pjetrin, Nikollën, Çubrilloviqin
e më të rinj që emrin s’po ua them,
në gjuhë të ndryshme shahen ndyrë,
zihen si rrugaçë
aty te piramida 6.

… Shtëpinë e kam pesëqind metra larg dhimbjes
pranë një meridiani të këputur e kam,
të tjerat merren me mend.

Vargu i fundit: “të tjerat merren me mend” e lë të hapur kuptimin e tekstit, që nxit asociacione e përsiatje nga më të ndryshmet.
Dikush profetizonte se shqiptarët do të bashkoheshin në vitin 2012; të tjerë thonë se do të bëhemi bashkë në BE, por ka edhe të tillë që nuk e duan bashkimin e Kosovës me Shqipërinë! Çka s’ka ndër ne! Por, për fat, ka edhe poetë si Hamit Aliaj i Tropojës, si Agim Spahiu i Kukësit e Visar Zhiti i Lushnjës (dhe i burgut) e dhjetëra të tjerë anekënd Shqiptarisë, që kanë kënduar me frymëzim të vërtetë, bukur e dhimbshëm, për dramën e ndarjes dhe ëndrrën e bashkimit. Moikom Zeqo e quante “Ribërja e Atdheut”. Nga demiurgët De Radë e Naim e këndej, vazhdon kjo “ribërje”. Dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. / KultPlus.com

Hamit Aliaj