Burrnesha shqiptare kthehet prapë në Berlin

Kur flet shqip dhe kur luan rolin e një burrnesheje, Alba Rohrwacher shkëlqen në aktrimin e saj.

Aktorja italiane do të rikthehet përsëri në Berlinale. Ajo e cila luajti rolin kryesor në “Sworn Virgins” nga Laura Bispuri, me të njëjtën regjisore prapë vjen në Festivalin prestigjioz të Filmit në Berlinale 2018.
Rohrwacher është pjesë e filmit “Figlia Mia”, i cili do ta ketë kësisoj premierën botërore. Në këtë film luajnë edhe Valeria Golino, Sara Casu dhe Udo Kier.

Filmi është një bashkëproduksion mes Italisë, Gjermanisë dhe Zvicrës dhe është pjesë e garës kryesore në edicionin e 68-të të Berlinales.

Regjisorja Laura Bispuri solli historinë e burrneshave shqiptare, grave që përbetohen të jetojnë si burra tërë jetën e tyre, në edicionin e Berlinales në vitin 2015-të, ku morri kritika pozitive.

“Figlia mia”, (Vajza ime) filmi i saj i ri, flet për një vajzë e cila gjendet mes dy emocioneve, mes dashurisë për nënën biologjike dhe për nënën e cila e ka adoptuar.

Berlinale 2018 mbahet nga 15-25 shkurt, ndërsa këtë vit mes regjisorëve që sjellin filmat e tyre janë edhe Wes Anderson me “Isle of Dogs”, “Dovlatov” me regjisor Alexy German Jr dhe “Mug” nga Malgorzata Szumowska, në mesin e emrave tjerë. / KultPlus.com

Manushja, virgjëresha e përbetuar shqiptare në librin e shkrimtares franceze

Ka kohë që është inspiruar nga shqiptarët dhe kufijtë me të cilët ata rrethohen.

Shkrimtarja franceze Emmanuelle Favier është fokusuar në virgjëreshat e përbetuara shqiptare për librin e saj “Le courage qu’il faut aux rivières”.

Romani i parë i shkrimtares merret me Manushen, gruan e cila vendosë të jetojë si mashkull, përgjithmonë, për shkak të rrethanave familjare dhe mentalitetit patriarkal shqiptar. Manushja pi sikur një mashkull, tymos si një mashkull, jeton si një mashkull. Fshati e çmon sakrificën e saj, ndërsa ajo gëzon respekt të veçantë.
45 vjeçarja Manushe jeton në monotoni derisa paraqitet në jetën e saj Adriani, një i huaj për fshat.

Culturebox ka shkruar për librin i cili në 224 faqe vë në pikëpyetje gjininë, dëshirën seksuale, dëshirën njerëzore për pasion, jetën e këtyre grave që kthehen në burra dhe mbijetojnë në një shoqëri me kode burrash.
“Ky është roman lirik, sensual dhe plot befasi brenda tij” shkruan Culturebox për librin e francezes, e cila tanimë po e promovon romanin në pjesë të ndryshme të Francës. Romani tanimë është nominuar për dy çmime letrare franceze: Talents Cultura dhe “Envoye par la poste”.

Pak më vonë në KultPlus do të lexoni një intervistë të shkurtër me shkrimtaren Emmanuelle Favier. / KultPlus.com

Ballina: Qamile Stema – Dailymail