Ellen DeGeneres thyen heshtjen pas akuzave të rënda ndaj saj

Ellen DeGeneres është një ndër figurat më të njohura dhe të dashura të ekranit, e cila ka fituar zemrat e publikut me emisionin “Ellen DeGeneres Show”.

Në momentin që mendohej se nuk ka asgjë që nuk shkon me të, të shumtë ishin personat që e akuzuan dhe thanë për të që ajo në të vërtetë nuk është aq e dashur dhe e sjellshme siç paraqitet në ekran.

Kështu ka ndodhur sërish së fundmi pasi, punonjësit e tanishëm dhe të dikurshëm të emisionit të saj thonë se janë përballur me racizëm, frikë dhe kërcënim. Ata thonë se janë pushuar nga puna pasi kanë marrë leje për probleme shëndetësore ose për raste vakie për familjarët.

Sakaq, disa ditë më parë, disa punonjës janë përballur me arrogancë dhe kanë qenë dëshmitarë të favorizimit nga producentët e emisionit, duke shtuar se problemi qëndron tek tre producentët që kanë në dorë çdo gjë, të cilët tregohen arrogantë, madje të pushojnë nga puna nëse ke ndonjë problem, pasi sipas tyre ka shumë njerëz që duan të punojnë aty.

Pas gjithë zhurmës ka ardhur edhe reagimi i Ellen DeGeneres, e cila i ka dërguar stafit të emisionit të saj një letër të publikuar nga E!News, ku shkruan se është e zhgënjyer nga akuzat e bëra kundër anëtarëve të stafit të saj, shkruan të premten IconStyle.

“Një ditë para fillimit të emisionit, unë u thashë të gjithëve në takimin tonë të parë se Ellen DeGeneres Show do të ishte një vend i lumturisë – askush nuk do të ngrinte zërin dhe të gjithë do të trajtoheshin me respekt. Natyrisht, diçka ndryshoi, dhe unë jam e zhgënjyer kur mësoj se nuk ka qenë kështu. Për këtë, më vjen keq. Kushdo që më njeh e di se është e kundërta e asaj që unë besoj dhe ajo që doja për emisionin tonë”, ka thënë ajo.

DeGeneres pranon se suksesi i saj dhe i spektaklit që drejton prej vitesh nuk do të ishte i mundur pa të gjitha kontributet e punonjësve të saj. Ajo thotë se emri i saj është në një show kaq të madh dhe për gjithçka që ndodh, përgjegjësinë e merr ajo.

Për këtë arsye, ajo deklaroi se ajo dhe Warner Bros. po punojnë së bashku për të përcaktuar hapat e ardhshëm për të korrigjuar çështjet që gjetën përmes një hetimi të brendshëm.

“Ndërsa jemi rritur në mënyrë eksponenciale, unë nuk kam qenë në gjendje të qëndroj në krye të gjithçkaje dhe jam mbështetur te të tjerët për të bërë punët e tyre pasi ata e dinin se si do të doja t’i bëja. Por, është e qartë se disa nuk e kanë ditur. Kjo tani do të ndryshojë dhe unë jam e vendosur të sigurojë që kjo nuk do të ndodhë më”, shtoi ajo. / KultPlus.com

“The Ellen DeGeneres Show” po hetohet nga “WarnerMedia”

Shou më i shikuar në Amerikë, “The Ellen DeGeneres Show”, është duke u hetuar nga “Warner Media” pas spekulimeve për një ambient toksik të punës në këtë emision.

Një punëtorë aktual dhe dhjetë ish-punëtorë të emisionit ditorë, i cili prezantohet nga aktorja komike Ellen DeGeneres, së fundmi kanë folur hapur rreth sfidave të punës në këtë shou, si dhe i kanë akuzuar tre producentët ekzekutiv të tij, Ed Glavin, Mary Connelly dhe Andy Lassner, për bulizëm, transmeton Koha.

Pas spekulimeve të tyre, revista “Variety” tani po raporton se televizioni i cili e prodhon këtë shou, “Warner Bros. Television”, ia ka dërguar një memorandum stafit të punëtorëve për t’i informuar se i kanë filluar hetimet rreth sjelljeve joadekuate dhe të padrejta në vendin e punës.

Kompania “WarnerMedia” e cila e posedon televizionin “Warner Bros.”, u ka kërkuar punëtorëve nga departamenti i burimeve njerëzore që ta realizojnë një hetim së bashku me një firmë të palës së tretë, të cilët besohet se do t’i intervistojnë punëtorët aktual dhe të kaluar të këtij shou, rreth eksperiencës së tyre në vendin e punës.

Qëllimi i këtij hetimi është ta sigurojnë një ambient ku punëtorët mund të lulëzojnë.

Në akuzat e ngritura nga punëtorët e emisionit, të cilat ishin publikuar në një artikull të “BuzzFeed”, 62-vjeçarja Ellen nuk akuzohej për keqbërje, por ata thonë se ishin këshilluar që të mos i drejtohen asaj nëse e shohinin duke ecur nëpër ndërtesën ku xhirohet shou.

Një grua afrikano-amerikane kishte deklaruar se është trajtuar ashpër, i është injoruar kërkesa për rritje të pagës dhe është akuzuar se po duket shumë arrogante dhe e zemëruar, pasi ajo kishte kërkuar që të gjithë pjesëtarët e stafit t’i nënshtrohen trajnimeve për diversitet dhe gjithëpërfshirje në vendin e punës.

Një tjetër punëtore kishte deklaruar se është pushuar nga puna, ngase kishte marrë pushim mjekësor për një muaj pas tentimit të vetëvrasjes.

Pas publikimit të këtyre akuzave në mediat botërore, producentët e përmendur në këtë raport e kanë lëshuar një komunikatë për media, ku thuhej: “Gjatë dy dekadave të punë në këtë shou dhe punësimit të më shumë se 1000 njerëzve, ne jemi munduar ta krijojmë një ambient punë të hapur, të sigurt dhe gjithëpërfshirës. Andaj, po ndihemi zemërthyer dhe na vjen shumë keq të dëgjojmë se disa pjesëtarë të stafit tonë, të cilët i konsiderojmë si një familje, kanë pasur eksperienca negative në këtë shou. Ne nuk jemi dhe nuk synojmë të jemi të këtillë, si dhe ky nuk është misioni që Ellen e ka vendosur për ne.”

Ellen DeGeneres e cila konsiderohet një prej prezantueseve më të pasur në botë, ende nuk ka bërë komente zyrtare rreth kësaj çështje.

Aktualisht ajo vazhdon të qëndrojë në karantinë në shtëpinë e saj, prej nga edhe e ka realizuar shoun televiziv tash e disa muaj. / KultPlus.com