Veçantia e “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur” nga Kori i Grave ‘Okarina’ në muajin e kancerit të gjirit

Një program tejet i larmishëm ka zënë vendin e tij mu në ekzistencën e performancës artistike me titull “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur”, performancë kjo që mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ka dhuruar emocione të fuqishme. Kanë qenë Kori i grave “Okarina”, Kori i grave “Canta Peja”, aktorja Melihate Qena, Rina Kaçinari në violonçel, Eriona Krasniqi në trumbetë, pianistet Eleonida Elezi, Dea Bajrami e Mjellma Ibrahimi, ato që me dhuntinë e tyre kanë dëshmuar një dashuri për interpretim, shkruan KultPlus.

Organizuar nga OJQ ‘Progresiva’, nën udhëheqjen e mahnitshme të solo-këngëtares Elikonë Hysaj-Shala, performanca ka ardhur pikërisht në përmbylljen e muajit tetor. E gjitha kjo për shkak të shënimit të luftës kundër kancerit të gjirit. Kjo mbrëmje artistike i është dedikuar grave e vajzave të prekura nga kanceri i gjirit e po ashtu familjeve, të afërmeve dhe shoqërisë të cilët në mënyrë indirekte por që thellësisht janë ndikuar nga kjo sëmundje.

Performanca artistike “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur” që nisi fiks në orën 20:10, me mysafiret speciale të kësaj mbrëmje, i ka dhënë një hijeshi tjetër performimit në skenë. Me këngë korale, poezi e vepër premierë, mbrëmja ka luhatur nëpër ndjenjës e dashurisë, solidaritetit por mbi të gjitha, mbrëmja u mbështoll e gjitha nëpër vetëdijesimin për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të gjirit.

“Ecjen ti vazhdo” nga Florent Boshnjaku, “Mallëngjimi” nga Rashid Krasniqi, nën aranzhimin e Elikonë Hysaj-Shala, “Lamtumirë” nga Muharrem Qena, nën aranzhimin e Blina Sheholli, kolazh nga ABBA, “25 gërshetat”, “Kur hana del”, “Fërfëlloi fëllënza” nën aranzhimin e Elikonë Hysaj-Shala, premiera e “Vajzë” nga Eriona Rushiti, “Çika” nga zëri unik i Rina Kanicarit, qenë veprat që jehuan përtej mureve në këtë natë. Kori i grave “Okarina” dhe Kori i grave “Canta Peja”, kanë arritur të përthekojnë mbrëmjen në atë mënyrë që të lë gjurmë të dukshme në kujtesën e gjithsecilit.

Ndërkaq, në anën tjetër, talentet si Eriona Krasniqi në trumbetë, Eleonida Elezi në piano, Mjellma Ibrahimi në piano dhe Dea Bajrami në piano, kanë shkrirë interpretimet e tyre deri në maksimum. Ato iu kanë bashkëngjitur koreve shumë natyrshëm, teksa asnjëherë nuk e kanë tejkaluar zërin e tyre që vinte në një harmoni të pastër. Meloditë e pianos e trumbetës, i kanë dhënë kësaj mbrëmjeje një plus shtesë.

E ftuara speciale e mbrëmjes, nga Vjena ishte Rina Kaçinari, violonçeliste, artiste virtuoze e muzikës klasike, që i ka thyer kufijtë e muzikës duke gërshetuar rryma të ndryshme me atë të klasikes, për të gjetur zërin e saj unik artistik. Ajo me veprën “Çika” ka zgjuar publikun në këmbë, teksa edhe zërat e tyre janë ndërlidhur me atë të Korit e Rinës. Lëvizshmëria e saj në skenë, lëvizja e duarve në instrumentin e violonçelit dhe zëri i saj i rrallë, ka shënuar përfundimin e kësaj performance që u shfaq në mënyrë të jashtëzakonshme.

Gjithashtu, me performimin e saj të veçantë të poezive, këtë mbrëmje e ka nderuar edhe aktorja Melihate Qena. Poezitë si: “Të uroj” nga Viktor Hugo, “Me t’dasht ty” nga Primo Shllaku dhe “Kohë frike” nga Eduardo Galeano, thyen barrierat e mundshme të mesazhit që kjo performancë pati. Nga zëri i Qenës, të tri poezitë kanë gjetur vend në secilin shpirt të pranishëm.

Për të treguar më shumë rreth këtij koncerti, foli udhëheqësja e korit ‘Okarina’, Elikona Hysaj-Shala.

Me të vërtetë që si çdo herë pas një koncerti, jemi të gjithë të emocionuar. Nuk është asnjëherë lehtë për të qëndruar gjatë në secilën vepër. Secila vepër e ka mesazhin e vetë, por me të vërtetë sonte kemi qenë çika shumë të mbara, ashtu siç dinë të jenë vajzat nga Kosova. Ne kemi punuar çdo natë me Korin, kemi ardhur këtu dhe kemi qëndruar edhe me orë të tëra. Një grua që ta mbështes një grua, është më e pakta që ajo mund ta bëjë, andaj mendoj që sot e kemi mbështetur njëra-tjetrën. Jam shumë mirënjohëse për të gjithë që na kanë qëndruar afër për këtë performancë, fryma e tyre feministe nuk ka munguar. Gjithë ky koncert është organizuar për këtë muaj që me të vërtetë është një muaj ku angazhohemi dhe sensibiliozhemi, por që gjithë vitin duhet të jemi kështu. Mendoj që disa nga pikët tona sonte kanë qenë pikërisht referencë për këto gra të cilat kanë kaluar në faza të vështira të jetës ose janë në një fazë në të cilën nuk dëshirojnë të gjenden”, ka thënë Hysaj-Shala.

Aktiviteti organizohet në kuadër të Fondi për Art Feminist i Artpolis përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF ) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com