Carla Bruni zbulon se ka pasur kancer gjiri: Më shpëtoi mamografia

Përmes një video-mesazhi në llogarinë e saj në Instagram me rastin e ‘Tetorit Rozë’, fushatës vjetore të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, këngëtarja, modelja dhe ish-Zonja e Parë e Francës, Carla Bruni, shkoi në Institutin e Gjirit në Paris, një qendër mjekësore onkologjike, për të ndarë përvojën e saj me 803,000 ndjekësit e saj.

Me një kolazh fotosh në murin pas tij – me miqtë dhe familjen, të famshëm, në pasarelë dhe në skenë – artistja 55-vjeçare përmes disa tabelave ndan mesazhin e saj shumë personal:

“Katër vjet më parë u diagnostikova me kancer gjiri. Kirurgjia, terapia me rrezatim, terapia hormonale, ndoqa rrugën e zakonshme për të kuruar këtë lloj tumori. Por unë isha me fat: kanceri im nuk ishte ende agresiv. Pse ky kancer nuk ishte agresiv? Thjesht, sepse nuk ka pasur kohë të bëhet i tillë… Në fakt çdo vit, në të njëjtën datë, bëj mamografi. Nëse nuk do ta kisha bërë këtë mamografi çdo vit, sot nuk do ta kisha më gjoksin e majtë…

Nëse e bëj këtë postim nuk është për t’ju treguar jetën time apo detajet e shëndetit tim dhe hezitova për një kohë të gjatë para se të flasë. Po ju shkruaj këto rreshta, që t’ju dërgoj një mesazh të vetëm. Por një mesazh themelor për të gjitha gratë që do të më lexojnë: bëni mamografinë tuaj. Bëjeni çdo vit.”

Linku: https://www.dailymail.co.uk/news/article-12592521/Carla-Bruni-reveals-diagnosed-breast-cancer-2019.html

Foto: https://www.instagram.com/carlabruniofficial/?hl=en / KultPlus.com

Inteligjenca artificiale ekzaminuesi më korrekt i kancerit të gjirit, e zbulon para se dy mjekë të bënin mamografinë

Inteligjenca artificiale mund të konstatojë në mënyrë të sigurt imazhet e ekzaminimit të kancerit të gjirit, kështu thuhet në raportin e një studimi suedez.

Ata zbuluan se me ndihmën e kompjuterit inteligjenca artificiale mund të dallojë kancerin në mënyrë të saktë, por shtuan se nevojiteshin më shumë kërkime për të përcaktuar plotësisht nëse mund të përdoret në programet e shqyrtimit.

BBC shkruan se nuk është studimi i parë që shqyrton përdorimin e inteligjencës artificiale për të diagnostikuar kancerin e gjirit në mamografi.

Në hulumtimet e mëparshme, duke përfshirë disa të kryera në Mbretërinë e Bashkuar, teknologjia vlerëson skanimet që tashmë janë parë nga mjekët.

Studimi përfshin mijëra gra të marra nën mbikëqyrje, ku në gjysmën e skanimeve u vlerësuan nga dy radiologë, ndërsa gjysma tjetër u vlerësuan nga mjeti i shqyrtimit i mbështetur nga inteligjenca artificiale.

Në total, 244 gra u zbuluan nga aparatura e mbështetur në inteligjencën artificiale, ndërsa 203 u konstatuan nga aparatura e zakonshme.

Autorja kryesore e studimit doktoresha Kristina Lang tha se inteligjenca artificiale ka potencialin për t’u përdorur në zbulimin e kancerit të gjirit në të ardhmen edhe pse ende nevojiten shumë kërkime. / KultPlus.com

Veçantia e “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur” nga Kori i Grave ‘Okarina’ në muajin e kancerit të gjirit

Një program tejet i larmishëm ka zënë vendin e tij mu në ekzistencën e performancës artistike me titull “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur”, performancë kjo që mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ka dhuruar emocione të fuqishme. Kanë qenë Kori i grave “Okarina”, Kori i grave “Canta Peja”, aktorja Melihate Qena, Rina Kaçinari në violonçel, Eriona Krasniqi në trumbetë, pianistet Eleonida Elezi, Dea Bajrami e Mjellma Ibrahimi, ato që me dhuntinë e tyre kanë dëshmuar një dashuri për interpretim, shkruan KultPlus.

Organizuar nga OJQ ‘Progresiva’, nën udhëheqjen e mahnitshme të solo-këngëtares Elikonë Hysaj-Shala, performanca ka ardhur pikërisht në përmbylljen e muajit tetor. E gjitha kjo për shkak të shënimit të luftës kundër kancerit të gjirit. Kjo mbrëmje artistike i është dedikuar grave e vajzave të prekura nga kanceri i gjirit e po ashtu familjeve, të afërmeve dhe shoqërisë të cilët në mënyrë indirekte por që thellësisht janë ndikuar nga kjo sëmundje.

Performanca artistike “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur” që nisi fiks në orën 20:10, me mysafiret speciale të kësaj mbrëmje, i ka dhënë një hijeshi tjetër performimit në skenë. Me këngë korale, poezi e vepër premierë, mbrëmja ka luhatur nëpër ndjenjës e dashurisë, solidaritetit por mbi të gjitha, mbrëmja u mbështoll e gjitha nëpër vetëdijesimin për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të gjirit.

“Ecjen ti vazhdo” nga Florent Boshnjaku, “Mallëngjimi” nga Rashid Krasniqi, nën aranzhimin e Elikonë Hysaj-Shala, “Lamtumirë” nga Muharrem Qena, nën aranzhimin e Blina Sheholli, kolazh nga ABBA, “25 gërshetat”, “Kur hana del”, “Fërfëlloi fëllënza” nën aranzhimin e Elikonë Hysaj-Shala, premiera e “Vajzë” nga Eriona Rushiti, “Çika” nga zëri unik i Rina Kanicarit, qenë veprat që jehuan përtej mureve në këtë natë. Kori i grave “Okarina” dhe Kori i grave “Canta Peja”, kanë arritur të përthekojnë mbrëmjen në atë mënyrë që të lë gjurmë të dukshme në kujtesën e gjithsecilit.

Ndërkaq, në anën tjetër, talentet si Eriona Krasniqi në trumbetë, Eleonida Elezi në piano, Mjellma Ibrahimi në piano dhe Dea Bajrami në piano, kanë shkrirë interpretimet e tyre deri në maksimum. Ato iu kanë bashkëngjitur koreve shumë natyrshëm, teksa asnjëherë nuk e kanë tejkaluar zërin e tyre që vinte në një harmoni të pastër. Meloditë e pianos e trumbetës, i kanë dhënë kësaj mbrëmjeje një plus shtesë.

E ftuara speciale e mbrëmjes, nga Vjena ishte Rina Kaçinari, violonçeliste, artiste virtuoze e muzikës klasike, që i ka thyer kufijtë e muzikës duke gërshetuar rryma të ndryshme me atë të klasikes, për të gjetur zërin e saj unik artistik. Ajo me veprën “Çika” ka zgjuar publikun në këmbë, teksa edhe zërat e tyre janë ndërlidhur me atë të Korit e Rinës. Lëvizshmëria e saj në skenë, lëvizja e duarve në instrumentin e violonçelit dhe zëri i saj i rrallë, ka shënuar përfundimin e kësaj performance që u shfaq në mënyrë të jashtëzakonshme.

Gjithashtu, me performimin e saj të veçantë të poezive, këtë mbrëmje e ka nderuar edhe aktorja Melihate Qena. Poezitë si: “Të uroj” nga Viktor Hugo, “Me t’dasht ty” nga Primo Shllaku dhe “Kohë frike” nga Eduardo Galeano, thyen barrierat e mundshme të mesazhit që kjo performancë pati. Nga zëri i Qenës, të tri poezitë kanë gjetur vend në secilin shpirt të pranishëm.

Për të treguar më shumë rreth këtij koncerti, foli udhëheqësja e korit ‘Okarina’, Elikona Hysaj-Shala.

Me të vërtetë që si çdo herë pas një koncerti, jemi të gjithë të emocionuar. Nuk është asnjëherë lehtë për të qëndruar gjatë në secilën vepër. Secila vepër e ka mesazhin e vetë, por me të vërtetë sonte kemi qenë çika shumë të mbara, ashtu siç dinë të jenë vajzat nga Kosova. Ne kemi punuar çdo natë me Korin, kemi ardhur këtu dhe kemi qëndruar edhe me orë të tëra. Një grua që ta mbështes një grua, është më e pakta që ajo mund ta bëjë, andaj mendoj që sot e kemi mbështetur njëra-tjetrën. Jam shumë mirënjohëse për të gjithë që na kanë qëndruar afër për këtë performancë, fryma e tyre feministe nuk ka munguar. Gjithë ky koncert është organizuar për këtë muaj që me të vërtetë është një muaj ku angazhohemi dhe sensibiliozhemi, por që gjithë vitin duhet të jemi kështu. Mendoj që disa nga pikët tona sonte kanë qenë pikërisht referencë për këto gra të cilat kanë kaluar në faza të vështira të jetës ose janë në një fazë në të cilën nuk dëshirojnë të gjenden”, ka thënë Hysaj-Shala.

Aktiviteti organizohet në kuadër të Fondi për Art Feminist i Artpolis përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF ) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com

Qeveria mbulohet me fjongo rozë, Kurti zotohet në ngritjen e kapaciteteve për luftimin e kancerit të gjiri

Objekti i Qeverisë së Kosovës është mbuluar me një fjongo rozë, si shenjë për përmbylljen e aktiviteteve për muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

Kryeministri Albin Kurti tha se do të angazhohen edhe më tutje në ndërgjegjësimin për parandalimin e kësaj sëmundje, si dhe në ngritjen e kapaciteteve mjekësore.

“Sot në ndërtesën e Qeverisë kemi vendosur një fjongo shumë të gjatë rozë, meqenëse është bërë simbol i luftës kundër kancerit të gjirit. Muaji tetor u shpall kundër luftës së kanceri të gjirit për parandalimin e saj. Shumë gra e vajza janë goditur nga kjo sëmundje e cila shumë lehtë bëhet fatale, andaj ne kemi punuar në ndërgjegjësimin. Më lejoni të shpreh mirënjohjen time për të gjitha ato gra e vajza që u përballen me këtë sëmundje dhe arritën të mbijetojnë. Me reformat që do t’i ndërmarrim në shëndetësi do të angazhohemi që të ketë parandalim të kësaj sëmundje, dhe t’i ngritëm kapacitetet mjekësor. Ne krerët institucional nuk do të mund t’ia dilnim pa këto iniciativat nga shoqëria civile, nuk do të kishim as përafërti këto rezultate. Beteja jonë do të vazhdojë”.

Duke u bërë thirrje për të bërë kontrolle mamografike, ish-presidentja, Atifete Jahjaga, tha se në Kosovë nuk ka mungesë të pajisjeve, e gjithashtu edhe stafi mjekësor është profesionist.

“Përmes këtij aksioni simbolik ne shpresojmë përkrahjen ndaj të gjithëve që përballen me këtë sëmundje, u bëjmë thirrje të bëjnë kontrolle të rregullta. Disa vite më herët ka qenë më e vështirë, por tani edhe në QKUK janë të gjitha pajisjet e teknologjisë së fundit, dhe po ashtu stafi është i profesionist. Një skanim nënkupton shpëtimin e jetës”.

Themeluesja e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit, Nafije Latifi, tha se edhe pas përmbylljes së aktiviteteve për shënimin e këtij muajit, iniciativat për vetdijësimin e qytetarëve për kancerin e gjirit do të vazhdojnë.

“Atëherë sot përfundon aktiviteti për shënimin e këtij muajit, mirëpo lufta vazhdon. Unë falënderoj institucionet dhe Fondacionin Jahjaga. Qendrës tonë na mbetët që t’i ndërgjegjësojmë gratë sa më shumë, ndërsa institucioneve ju mbetet realizimi i kushteve sa më të mira. Mund të ju them se një punë shumë të madhe e bëjnë mediet, të cilat e përcjellin mesazhin tonë. Kërkojë nga të gjitha gratë që të bëjnë kontrolle”.

Pas kësaj të tre pjesëmarrësit, kanë vazhduar diskutimin e tyre në një kafene afër objektit të Qeverisë. /EO / KultPlus.com

Atifete Jahjaga iu bën thirrje grave që t’u nënshtrohen kontrolleve kundër kancerit të gjirit

Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në aktivitetin përmbyllës kundër kancerit të gjirit, iu ka bërë thirrje grave që t’u nënshtrohen kontrolleve të vazhdueshme në mënyrë që të parandalojnë këtë sëmundje.

“Përmes këtij aksioni simbolik ne kemi dashur të shprehim përkrahjen dhe mbështetjen tonë ndaj të gjithëve të prekurve kundër kancerit të gjirit, dhe njëherit ju bëjmë thirrje të gjithëve dhe veçanërisht grave që t’u nënshtrohen kontrolleve të rregullta, kontrolleve sistematike, si mënyra më e mirë për të parandaluar këtë sëmundje, sepse një kontroll e rregullt te një specialist do të nënkuptonte jo vetëm zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje, por njëherit do të nënkuptonte trajtimin më të mirë, dhe një luftë me efikase kundër kancerit të gjirit”, theksoi Jahjaga.

Tutje, Jahjaga tha se gjendja ka qenë më e vështirë më parë në Qendrën Klinike Universitare, por tani janë të gjitha kushtet e duhura, transmeton Klankosova.tv.

“Disa vite më parë ka qenë më vështirë, por tani duke pasë parasysh që në Qendrën Klinike Universitare janë të gjitha pajisjet, teknologjia e kohës së fundit, janë mjekët dhe motrat që janë të trajnuara dhe të specializuara, njëherit kemi edhe monografinë mobil, i cili është në dispozicion të kontrolleve të vazhdueshme, ju bëjmë thirrje grave që t’u nënshtrohen të gjitha këtyre kontrolleve, sepse kjo do nënkuptonte shpëtimin e jetës”, tha Jahjaga.

Ajo në fund tha se një skanim vjetor do të nënkuptonte zbulimin e hershëm dhe shpëtimin e jetës. / KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare merr ngjyrë rozë në shenjë solidarizimi me ato që luftuan dhe po luftojnë me kancerin e gjirit

Bibloteka Kombëtare e Kosovës ka marrë ngjyrë rozë në shenjë solidarizimi me ato që luftuan me sëmundjen e kancerit të gjirit, ato që fituan betejën dhe si kujtim për ato që humbën jetën nga kjo sëmundje, përcjell KultPls.

Njoftimin e ka bërë ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga përmes një postimi në Facebook.

“Bibloteka Kombëtare e Kosovës në rozë për të gjitha ato që po luftojnë sëmundjen e kancerit të gjirit, për ato që fituan betejen e si kujtim për ato që i humbëm!”-ka shkruar ajo./KultPlus.com

Komuna e Prishtinës edhe në nëntor shërbime falas për mamografi në QKMF’të e saj

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se edhe përgjatë muajit nëntor do të ofrojnë shërbime falas për mamografi në Qendrat Klinike Familjare të kryeqytetit.

“Gjatë muajit tetor kemi ofruar shërbime falas të mamografisë për të gjitha gratë e Komunës së Prishtinës. E këtë shërbim po e vazhdojmë edhe gjatë muajit nëntor”, thuhet në postimin e Komunës.

“Eja në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) për kontrolla rutinore dhe informim sa më mirë për sëmundjen e kancerit të gjirit dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm të saj”.

Ndryshe, muaji tetor njihet si muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Vera Ora me mesazh në muajin e ndërgjegjësimit: Bukuroshet e mia, ju lutem bëni kontrollet dhe ju burra përkrahini ato

Vera Ora, nëna e këngëtares shqiptare Rita Ora, vite më parë është përballur me sëmundjen e kancerit në gji, ku falë diagnostifikimit të hershëm të sëmundjes ka arritur që ta tejkalojë atë, shkruan KultPlus.

Pasi muaji tetor njëherit është edhe muaji i ndërgjegjësimit mbi gratë e prekura nga kjo sëmundje, Vera Ora ka publikuar një fotografi të cilës i ka bashkangjitur një shkrim mjaft motivues.

Ajo publikoi në rrjetin social Instagram një fotografi krah bashkëshortit të aj, Besnikut, në mbishkrimin e së cilës ua kujtoi të gjitha grave që të kryejnë me rregull kontrollet mjekësore dhe të kujdesen për shëndetin e tyre.

“Bukuroshet e mija të dashura, është muaji për të bërë kontrollat kryesore të jetës suaj, lufto kundër kancerit të gjirit. Mos hezito, shko për kontroll të lutem! E ju o burra/partnerë, ndihmoni dhe suportoni femrat e juaja se sëmundja afekton të gjithë të afërmit tuaj”, ka shkruar Vera Ora në Instagram. / KultPlus.com

Me një forcë të jashtëzakonshme, gratë rrëfyen për ballafaqimin me kancerin e gjirit

Suada Qorraj

“Vajza e vogël nuk e kuptonte se pse nëna ishte pa flokë, ajo ikte sa herë më shihte mua tullac”, tregonte Lindita Rugova me lot në sy e me zërin që i dridhej teksa rrëfente përvojën e saj me kancerin e gjirit. Tregimi i saj përloti gjithsecilin, madje edhe bashkëfolësen e saj, Nafie Latifin, që ndonëse kishte fituar të njëjtën betejë, emocionet si ndalte dot.

Ambienti ku përherë kishte mirëpritur figura e rrëfime që përçonin emocione, mbrëmë kishte marrë hijen e forcës e kurajos, ngase përballë publikut kishte dy gra, beteja e të cilave sot është sinonim i luftimit të kancerit të gjirit, shkruan KultPlus.

Edhe pse e shtyrë në moshë, Nafie Latifi kishte mbledhur forcat që të jetësonte edhe një herë rrugëtimin e betejën e saj me kancerin e gjirit. Ishte viti 2004 atëherë kur 24 orët e saj që i kushtoheshin dashurisë së madhe që kishte për profesioni, morën një kahje tjetër.

“Unë jam ataku me këtë sëmundje në vitin 2004, në kohën kur isha në kulmin e karrierës time. Editore e një reviste dhe me punë për rrogë te një revistë tjetër, realisht një punë 24 orëshe me shumë pasion. Nuk i kam kushtuar shume rëndësi shëndetit, s’ju kam vu veshin problemeve që i kam pasur dhe përnjëherë kam vërejtur një ndryshim në gjirin tim. Ka qenë një shok, ka qenë tmerr”, filloi kështu rrëfimin e saj Latifi.

Nafie Latifi tregoi se si për diagnozën e sëmundjen e saj lajmi u kumtohej të tjerëve, përpara se të arrinte tek ajo.

“Për diagnostifikim ka qenë aq vështirë sa është dashtë me shku prej një klinike në klinikën tjetër private dhe ende pa dalë nga aty, pa i marrë diagnozat e sakta, është marr vesh që Nafia ka kancer. Por, për mua nuk ishte me rëndësi sepse doja vetëm të gjeja një zgjidhje”, tha ajo.

Për Nafien trajtimi i sëmundjes vazhdoi rrugëtimin jashtë kufijve të Kosovës, e me një mbështetje të pakufizuar të familjes. Por, ishte pikërisht mbështetja, forca e kushtet që shtynë atë që të themelonte një shoqatë, qëllimi i së cilës ishte të ndihmonte gratë në luftimin por edhe marrjen e njohurive për kancerin e gjirit.

“Kur u ktheva në Kosovë pas trajtimit të sëmundjes mendova se çka bëjnë të tjerat që nuk e kanë përkrahjen e familjes dhe mjetet financiare të cilat unë i kisha dhe i pagova për jetën time. Prandaj konstatova se hapja e një shoqata është mënyra më e volitshme për të bërë diçka kundrejt kësaj çështje, dhe kështu në vitin 2008 pas përfundimit të proceseve administrative shoqata u hap”, vazhdoi tutje Latifi.

Ajo tregoi tutje se aktiviteti i parë i kësaj shoqate ishte bërë për ditën e gruas, më 8 Mars, festë të cilën ajo e ka menduar çdo herë si diskriminim total. Sipas saj aktiviteti i parë u shënua me shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe nënshkrimin e një peticioni që më pas ju dorëzua ministrit të shëndetësisë të asaj kohe.

Ndonëse ishte një rrugë mjaft e gjatë edhe e mundimshme, kërkesat që shoqata e Nafie Latifit kishte bërë, disa prej tyre tashmë janë realizuar, pasi që nga viti 2008 e deri më sot instituti onkologjik dhe autoambulanca mobile e mamografisë tashmë janë funksionalizuar.

Dekanja e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova, ishte vetëm 36 vjeçe kur u diagnostifikua me kancerin e gjirit. Ajo rrëfente se si mjeku përpiqej të gjente një lidhje gjenetike të kësaj sëmundje, ngase për të ishte e pakuptimit, një grua si Lindita Rugova, që deri atëherë kishte gëzuar një shëndet të plotë, të prekej nga kjo sëmundje.

Ishte dhjetori i vitit 2011 kur Lindita u ballafaqua me këtë sëmundje, dhe pikërisht koha kur ajo ishte e ngarkuar me punët dhe përgjegjësitë e saja në fakultet.

“Në dhjetor bëhen 9 vite, më 15 dhjetor u diagnostifikova kurse më 9 dhjetor preka gjëndrën me duart e mija. Isha në trajnim së bashku me kolege dhe rastësisht preka një gjëndrën në gjirin tim të majtë. Kështu që brenda një jave caktova termin te mjeku”, tregonte ajo.

Për Rugovën s’kishte kaluar një kohë e gjatë prej se kishte lindur vajzën e saj të vogël dhe ishte pikërisht ditëlindja e nënës së saj, koha kur ajo u operua.

“Unë isha vetëm 36 vjeçe dhe sapo kisha lindur vajzën prandaj dhe mendoja se isha shumë e re për kontrolle të tilla. Por, ja që ndodhi, brenda ditës më bënë mamografinë dhe aty u binda që unë isha e sëmurë sepse deri në atë kohë më mbante shpresa. Katër ditë më pas e caktuam operacionin dhe më 20 dhjetor, në ditëlindjen e nënës sime u operova dhe ma hoqën gjirin e majtë”, deklaroi Lindita Rugova.

Dekania e Fakultetit Filologjik tregoi se përgjatë kohës sa ishte e sëmurë nuk e kishte ndalur asnjëherë punën dhe përkushtimin që kishte ndaj saj.

Ndonëse rrëfimin e filloi me një forcë të jashtëzakonshme, lotët e përshkuan fytyrën e saj kur filloi të rrëfente për kohën kur ajo humbi flokët e saja, me të cilat çdo herë ishte krenuar shumë.

“Pasi fillova të merrja kimioterapinë unë i hoqa flokët sepse filluan të më binin. E vetmja gjë që më dhimbsen kanë qenë flokët sepse krenohesha me to shumë. Më pas kam përjetuar një periudhë dramatike sepse vajza ime e vogël nuk e kuptonte se pse nëna ishte pa flokë, ajo ikte sa herë më shihte mua tullac”, me zërin që i dridhej vazhdoi rrëfimin e saj Rugova.

Ajo tregon se nënës së saj i kishte treguar dy muaj pasi kishte mësuar për sëmundjen e saj. Por, për të kishte qenë e nevojshme që këtë ta ndante me vjehrrën dhe djalin e saj, asokohe njëmbëdhjetë vjeçar.

Lindita Rugova tha se nuk po qante nga mërzia, por sepse në raste të tilla është mirë të qahet, e të nxjerrësh jashtë atë që ke brenda.

“Nuk do të doja, nuk po qaj nga mërzia, po qaj për arsye se dua t’ju them edhe grave të tjera se në momente të tilla është mirë të qahet, është mirë ta nxirrni jashtë atë që e keni brenda, mos e mbani, mos e mërzisni veten sepse i bëni vetes keq më shumë”, tha ajo.

Për Rugovën dhjetori i 2011 nuk do ishte hera e parë që do hynte në një sallë operacioni. Dy vite pas, ajo gjendej prapë dyerve të spitalit, ngase rrezikonte një rikthim të mundshëm tumori. Por, pas kësaj periudhe jeta për Linditën filloi ti kthehej normalitetit të mëparshëm.

Rugova tregon edhe për kohën kur ajo duhej të shkonte në spital dhe të merrte kimioterapinë. Sipas saj tre orët që kalonte brenda atyre mureve i mjaftonin që të njoftohej me historitë e grave të tjera, të merrnin forcë nga njëra tjetra e ti ndihmonin njëra tjetrës.

E pikërisht për këto mure të spitalit, vendit ku mjekët trajtonin pacientët e sëmurë me kancerin e gjirit, Nafie Latifi thotë se puna ndonëse e thjeshtë dhe ndonjëherë edhe pa mjetet e duhura është bërë me zemër.

“Unë nuk e di se a janë të vetëdijshëm mjekët për rrezikun, fillimisht kur është hapur instituti ata nuk kanë pasur komora mbrojtëse për tretjen e ilaçit, ilaçe këto që sulmojnë edhe qelizat e thjeshta. Mjekët kanë punuar thjeshtë me maska e doreza, por kanë punuar me zemër”, pohoi Latifi.

Krejt në fund ajo shtoi se këtë vit nuk do të mbahet ecja në sheshin e Prishtinës, por këtë herë do të bëhet vendosja e shiritave rozë në 90 pemët që gjenden aty.

“Viteve tjera kemi pas ecjen, sivjet nuk do ta mbajmë për shkak të situatës, por do ta bëjmë një aktivitet tjetër simbolik. I kemi siguruar disa shalle dhe do t’i vendosim në të gjithë bulevardin e Prishtinës dhe t’i thërrasim njerëzit përgjegjës që ta zgjedhin drurin e tyre dhe ta lënë premtimin aty”, përfundoi kështu tregimin e saj Nafie Latifi. / KultPlus.com

Ndërtesa e Kuvendit merr ngjyrë rozë në shenjë solidariteti për gratë që përballen me kancerin e gjirit

Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare Facebook, ka publikuar një fotografi, ku tregon se ndërtesa e Kuvendit është ndriçuar me ngjyrë rozë, në shenjë solidarizimi me të gjitha ato nëna, gra, e vajza, të cilat përballen me kancerin e gjirit.

Ky është postimi i plotë i saj:

Sot, në kuadër të muajit kundër kancerit të gjirit, ndërtesa e Kuvendit të Kosovës është ndriçuar me ngjyrë rozë, në shenjë solidarizimi me të gjitha ato nëna, gra, e vajza, të cilat përballen me kancerin e gjirit. Për t’i kujtuar ato që na lanë dhe për t’i inkurajuar edhe më tej ato që ngadhënjyen në këtë sfidë.

Rrëfimi i tyre duhet të jetë mësimi më i mirë për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm. Kanceri i gjirit është një nga sëmundjet më të shpeshta te gratë, andaj është jetike të rritet vetëdija qytetare dhe të praktikohet kontrolli te mjeku. Njëkohësisht, institucionet përgjegjëse duhet t’i rrisin kapacitetet për diagnostikim dhe trajtim të sëmundjes.

Detektimi i hershëm shpëton jetë! / KultPlus.com

Flasin të famshmet që mundën kancerin e gjirit, konsiderohen gra luftëtare

Tetori është muaji ku ngjyra rozë shihet kudo. Nga ekipet sportive tek njerëzit në komunitet, mijëra marrin pjesë në Muajin Kombëtar të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit.

Kjo ngjarje vjetore organizohet nga organizata bamirësie të kancerit të gjirit që ndajnë të njëjtat qëllime: edukimin e njerëzve për trajtimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit.

Në të gjithë vendin, njerëzit do të marrin pjesë në marshime, maratona dhe konferenca për të ndihmuar në mbledhjen e parave dhe ndërgjegjësimin e kësaj sëmundjeje.

Shumë personazhe të njohur që janë prekur nga kanceri i gjirit kanë folur në publik për të dhe për betejën e gjatë dhe të dhimbshme, shkruan Living, transmeton KultPlus.

Disa nga ato mund t’i lexoni më poshtë:

Kylie Minogue

Ylli australian i popit, Kylie Minogue u diagnostikua me fazë të hershme të kancerit të gjirit në 2005 në moshën 39 vjeçare, vetëm pak muaj pasi një doktor tjetër i dha një diagnozë të gabuar.

“Mesazhi im për të gjithë ju është, vetëm sepse dikush vesh një këmishë të bardhë dhe përdor instrumente mjekësore nuk do të thotë që ata kanë plotësisht të drejtë,” i tha ajo Ellen DeGeneres në 2008, duke i këshilluar gratë të besonin në intuitën e tyre.

Katër ditë pas diagnozës së saj, Minogue u operua dhe më pas filloi kimioterapinë. Që atëherë ajo është shëruar.

Christina Applegate

Diagnostikuar në vitin 2008 në moshën 36 vjeçare, kjo aktore e njohur e humorit amerikan iu nënshtrua një mastektomie dypalëshe pasi zbuloi se ajo mbante gjenin BRCA, aka “gjen i kancerit të gjirit”.

Për fat të mirë për të, tumori i saj malinj u gjet me anë të një MRI pasi mjeku i saj përcaktoi se mamografia nuk ishte e mjaftueshme për shkak të dendësisë së gjinjve të saj. Kanceri u kap mjaft herët kështu që nuk u përhap në pjesët e tjera të trupit të saj. Që nga operacioni i saj, Applegate ka shprehur përkushtimin për të luftuar në këtë kauzë. Në një intervistë në “The Oprah Winfrey Show” ajo deklaroi:

“Unë jam një grua 36-vjeçare me kancer të gjirit dhe jo shumë njerëz e dinë që kjo u ndodh grave të moshës sime ose grave në të 20-at e tyre”, tha ajo. “Kjo është mundësia ime tani për të dalë dhe për të luftuar sa më shumë që të mundem për zbulimin e hershëm.”

Angelina Jolie

“Nuk ndihem më pak grua. Ndihem e fuqizuar që bëra një zgjedhje të fortë që në asnjë mënyrë nuk më zvogëlon feminitetin ”. – Angelina Jolie

Ashtu si Christina Applegate, Angelina Jolie e dinte se ajo kishte një histori familjare të kancerit të gjirit dhe zgjodhi t’i nënshtrohej testit gjenetik. Ashtu si Christina, ajo doli pozitive për një mutacion BRCA1 dhe bëri një mastektomi të dyfishtë ndërsa ishte në të tridhjetat. Sidoqoftë, ndryshe nga Christina, Angelina zgjodhi mastektominë e dyfishtë edhe pse nuk kishte kancer gjiri në asnjërin gji.

Aktorja, producentja dhe regjisorja e filmave vendosi të bëjë operacionin në 2013 si një masë parandaluese. Ajo zvogëloi rrezikun e saj të prekjes nga kanceri i gjirit nga rreth 87% në rreth 5%.

Megjithëse disa mund ta konsiderojnë kirurgjinë parandaluese ekstreme, është një mundësi për gratë që rezultojnë pozitive për mutacionet e gjenit BRCA dhe për këtë arsye kanë një rrezik shumë më të lartë të zhvillimit të kancerit të gjirit.

“Nuk është e lehtë të marrësh këto vendime. Por është e mundur të merret kontrolli dhe të trajtohet drejtpërdrejt çdo çështje shëndetësore. Ju mund të kërkoni këshilla, të mësoni rreth opsioneve dhe të bëni zgjedhjet që janë të përshtatshme për ju. Dituria është fuqi”. – Angelina Jolie

Dame Maggie Smith

Diagnostikuar me kancer gjiri në moshën 74 vjeç gjatë xhirimeve të “Harry Potter”, dhe pavarësisht kësaj këmbënguli të vazhdonte filmimet.

“Unë isha pa flokë,” tha Smith një intervistuesi në The Telegraph. “Unë nuk e kisha problem të vija paruken dhe pse dukesha si një vezë e zier”.

Megjithëse pranoi se kanceri i gjirit në moshën e saj ndryshoi pikëpamjen e saj për të ardhmen, ajo vuri në dukje në një intervistës:

“Dy vitet e fundit kanë qenë sfilitëse, megjithëse tani kam filluar të ndihem si një person”, tha ajo. “Energjia ime po kthehet.” / KultPlus.com

Të gjithë bashkë kundër Kancerit të Gjirit, koncert bamirësie në Sheshin Skënderbej

Ditën e dielë në datë 28, ora 11:00 do të organizohet një koncert bamirësie në Sheshin Skënderbej. Eventi do të organizohet nga Spitali Amerikan.

Përveç tingujve të muzikës dhe argëtimit, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet informimit dhe ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të sëmundjes që po prek gjithmonë e më tepër moshat e reja.

Të ftuar special do të jenë këngëtarët: Rovena Dilo, Orgesa Zaimi, Irma Libohova, Jonida Maliqi, Ermal Mamaqi, Manjola Nallbani, Eranda Libohova, Era Rusi dhe Orinda Huta./KultPlus.com