Tragjedia në Alpe, si e ngatërruan rrugën turistët, një i vdekur një i plagosur rëndë

Janë gjetur turistët të cilët kanë rënë në një humnerë në alpet mes Valbonës dhe Thethit.

Grupi prej 4 turistëve të huaj po eksploronte alpet teksa dyshohet se kanë ngatërruar rrugën. Dy prej tyre kanë rënë në humnerë ndërsa raportohet se një prej tyre ka ndërruar jetë, ndërsa turisti tjetër është në gjendje të rëndë.

Në foton e mëposhtme duket rruga që kanë ndjekur turistët (vija me të kuqe), ndërkohë që duhet të kishin ndjekur rrugën poshtë (vijën me të verdhë).

Njoftimi i policisë:

“Rreth orës 12:40, jemi njoftuar nga DVP Shkodër, se në kufirin mes Thethit dhe Valbonës, dyshohet se dy turistë gjerman, duke eksploruar zonën, janë dëmtuar rëndë. Për t’u ardhur në ndihmë turistëve, janë nisur shërbimet e Policisë të Komisariatit Tropojë dhe shërbimet e DVP Shkodër, si dhe është njoftuar spitali i Tropojës, për të nisur ekipin mjekësor”, ka njoftuar policia. /abcnews.al/ KultPlus.com

Emil Zola, tragjedia që mbeti enigmë

Shkrimtari më i famshëm francez i kohës së tij, vdiq në moshën 62-vjeçare, më 29 shtator 1902, në rrethana tejet të çuditshme.

Emil Zola dhe e shoqja, Aleksandrina, u kthyen në shtëpinë e tyre në “Rue de Bruxelles” në Paris më 28 shtator, si me magji. Ishte kohë e ftohtë dhe e lagësht, si për çudi në dhomën e tyre të gjumit ndezën zjarr qymyri pa tym për natën. Fjetën me dritare mbyllur, kurse Zola e mbylli derën, siç bënte gjithmonë. Vitet e fundit kishte marrë shumë kërcënime për jetën. Pa e kuptuar se çfarë po ndodhte, dalëngadalë që të dy u asfiksuan nga tymi i monoksidit të karbonit. Rreth orës tre të mëngjesit u zgjuan dhe ndiheshin keq, por Zola e ndaloi Aleksandrinë të ngrinte shërbëtorët për atë që ai mendonte se ishte thjesht një krizë mostretjeje.

Qe një vendim fatal, pasi, më vonë, kur ai u ngrit nga shtrati, ndoshta për të hapur dritaren, dhe ra në dysheme, ajo nuk lëvizte dot nga vendi. Në orën 9:00 të mëngjesit, të shqetësuar se diçka nuk shkonte, shkallmuan derën e dhomës së gjumit. Zola ishte në dysheme, i vdekur ose gati i vdekur. Aleksandrina dergjej në shtratin e saj, pa ndjenja. Erdhën mjekët dhe i dhanë Zolasë ndihmën e parë, frymëmarrje artificiale për 20 minuta ose më shumë, por më kot. Aleksandrina u dërgua në klinikë. Gjatë pasdites, ajo i kishte çuar fjalë të dashurës së të shoqit, Zhanë Rozero dhe dy fëmijëve të saj me të, Denisa dhe Zhaku. Denisa sapo kishte mbushur të 13-at dhe Zhakun të 11-at. Zhana e tmerruar doli menjëherë në përfundimin se Zola ishte vrarë.

Zhanë Rozero ishte 27 vjet më e re se Zola dhe kishte qenë dashnorja e tij prej vitit 1888, një situatë që Aleksandrinë e kishte pranuar me gjysmë zemre, pasi ajo dhe Zola, nuk kishin fëmijë.

Metresa nuk do të ishte personi i vetëm që dyshonte për diçka të dyshimtë, në lidhje me vdekjen e shkrimtarit. Ai kishte bërë armiq fanatikë në të djathtën nacionaliste, nisur nga sulmi ndaj autoriteteve mbi çështjen “Dreyfus”. Ndërkohë, trupi i tij dergjej në një arkivol të hapur zbukuruar me lule në shtëpinë e Parisit. Mes atyre që erdhën t’i bëjnë nderimet ishte edhe Alfred Dreyfusi, po ashtu Zhana dhe dy fëmijët shkelnin për herë të parë në shtëpi. Aleksandrina u kthye nga klinika dhe, më 5 tetor, një të diel, një turmë prej rreth 50 000 shoqëroi kortezhin në Varrezat Montmartre, ku morën pjesë ministra të qeverisë, zyrtarë dhe delegacione të minatorëve dhe masonëve. /Konica.al/Ushtarët nderuan me armë ndërsa kalonte makina e funeralit. Ishte i pranishëm edhe Dreyfus dhe Anatole France, i cili mbajti një fjalim plot lavde për Zolanë. 

“Zola, është i denjë për vendin e tij, sepse nuk e humbi besimin në aftësinë për të sunduar me ligj”  – duke përfunduar: “Ai ishte një moment në historinë e ndërgjegjes njerëzore”.

U përhapën thashetheme, se Zola ishte vrarë.

U urdhërua një hetim, specialistët kryen teste në shtëpinë e Parisit, u ndez zjarri, por pati fare pak shenja të monoksid karbonit, madje derrat që u mbyllën në dhomë nuk pësuan asnjë dëmtim. U çmontua oxhaku, por asgjë me rëndësi nuk u gjet, megjithëse sasia e blozës së oxhakut nuk ishte fshirë siç duhet. Mjeku ligjor, me sa duket i shqetësuar për të zbutur situatën, nuk pranoi të bënte publike raportet e ekspertëve dhe njoftoi se vdekja e Zolasë kishte ardhur për shkaqe natyrore.

Vite më vonë, në 1953, një letër drejtuar një gazete franceze, pohonte se Zola ishte vrarë nga një anti-Dreyfusard, kontraktues montimi oxhakësh, ndërsa po riparohej çatia e shtëpisë ngjitur. Ai dhe njerëzit e tij e kishin bllokuar me qëllim oxhakun e shtëpisë së Zolasë pa u vënë re, në hyrjen dhe daljen e përgjithshme, po ashtu e kishin zhbllokuar atë në heshtje herët të nesërmen, përsëri pa u vënë re. Me sa duket, atë që kishte bërë e rrëfeu në shtratin e vdekjes në vitin 1927. Disa nga biografët e Zolasë e kanë pranuar rrëfimin, por Frederick Brown, në biografinë e tij magjistrale, del në përfundimin se historia mund të ketë qenë e vërtetë, por e ka të pamundur të jetë i sigurt.

Në vitin 1908, trupi i Zolasë u zhvendos në Panteon, mauzoleun e nderuar të të mëdhenjve të Francës.

Pati përplasje dhe goditje, ndërsa nacionalistët e zemëruar u përpoqën të ndalonin makinën, por u ndaluan nga policia dhe ushtarët, kurse arkivoli u vendos në një katafalk të lartë. Në ceremoninë e rivarrimit mori pjesë edhe Presidenti. Aleksandrina, Zhana dhe dy fëmijët ishin të pranishëm. Po ashtu ishte i pashmangshëm edhe Dreyfus, i cili, u qëlluan me dy të shtëna pistolete nga një burrë pranë katafalkut, një gazetar i quajtur Louis Gregori. Dreyfus mori një plagë të lehtë në krah. Pasi mbaroi gjithë trazira, Aleksandrina, Zhana dhe fëmijët zbritën në dhomën e nëndheshme, ku Emil Zola u varros pranë një tjetër titani, Viktor Hygosë. / KultPlus.com

Zia e Madhe e Bukës​ ose siç njihet ndryshe “Kriza e Patates”, tragjedia më e mëdha në historinë e Irlandës



Jemi në vitin 1845. Popullsia e Irlandës ishte rreth 8 milionë. Deri në vitin 1850, një milion e gjysmë njerëz do të vdisnin si pasojë e zisë së bukës! Dy milion të tjerë do te emigronin, kryesisht në Britani ose në Shtetet e Bashkuara, në kërkim të një jete më të mirë.

Por, ç ‘gjë e shkaktoi këtë zi buke kaq të madhe?

Rreth fillimit të shekullit të 19-të, Britania e Madhe e kishte shtrirë sundimin e saj mbi një pjesë të madhe të botës. Këtu përfshihej edhe Irlanda. Pjesa më e madhe e tokave të Irlandës ishte nën zotërimin e pronarëve anglezë, shumë prej të cilëve jetonin në Angli. Këta pronarë që nuk jetonin në Irlandë, iu vinin qira të larta qiramarrësve të tyre irlandezë dhe u jepnin paga të ulëta për punën e tyre.

Mijëra bujq qiramarrës jetonin në një varfëri të thellë. Duke mos qenë në gjendje të blinin mish, si dhe shumë ushqime të tjera, njerëzit rrisnin pataten, që në kushtet e tyre ishte bima me më pak shpenzime, më e lehtë për t’u rritur dhe më ushqyese. Por në vitin 1845, të mbjellat e patates u goditën nga sëmundja kërpudhore (Phytophthora infestans), e njohur ndryshe si vrugu. Si rezultat u shkatërruan te gjitha të mbjellat. Filloi uria e madhe.

Situata rendohej edhe nga Corn Laws (Ligjet e Misrit), – dogana e lartë që i kishte vënë parlamenti i Londrës importit të drithërave, për të mbajtur lart çmimin e drithërave vendas, që i interesonte çifligarëve, të cilët kishin shumicën në Dhomën e Lordëve.

Mbretëreshë ishte Viktoria. Kryeministër ishte Robert Peel.

Ishte popullore teoria e Maltusit, që popullsia rritet më shpejt se prodhimi bujqësor prandaj duhen luftërat, epidemitë, urite; për të mbajtur nën kontroll popullsinë.

Thirrjeve për të ndihmuar irlandezet që të mos vdisnin, qeveria angleze i përgjigjej me teorinë se njerëzit duhet të mësohen të jetojnë brenda te ardhurave te veta, po i ndihmuam këtë radhë do kërkojnë gjithmonë dhe do të krijohet varësi. Çfarë do mendojnë ata që e fitojnë vet nëqoftëse disa te tjerëve u japim lëmoshë?

Me ne fund, me këmbënguljen e Viktorias, Peel arriti te bindte parlamentin të abrogonte Ligjet e Misrit.
1 milion e gjysmë irlandez humben jetën.

Shumë nga pronarët e tokave, të cilët nuk banonin në Irlandë, vazhdonin t’i kërkonin qiratë. Shumë prej qiramarrësve nuk ishin në gjendje për të paguar dhe, si pasojë, mijëra u dëbuan nga tokat e tyre. Për një numër njerëzish që sa vinte e shtohej, emigrimi u bë e vetmja mundësi.
Rreth vitit 1850, në qytetin e Nju-Jorkut 26 për qind e banorëve ishin irlandezë, madje kishte më shumë qytetarë irlandezë atje, sesa në kryeqytetin e Irlandës, Dublin.

Gjatë gjashtë viteve të zisë së bukës, pesë mijë anije bënë udhëtimin e rrezikshëm prej 5.000 kilometrash duke përshkuar Atlantikun.
Anijet që lundronin drejt Amerikës u quajtën anijet e vdekjes.

Sot, në të gjithë Irlandën, mure të shkatërruara dhe shtëpi të rrënuara qëndrojnë si përkujtues të zymtë të kohëve të vështira që sollën si pasojë diasporën mjaft të përhapur irlandeze. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, mbi 40 milionë njerëz mund të pohojnë se kanë prejardhje irlandeze. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhon F. Kenedi, si dhe Henri Ford, shpikësi i makinës së tipit Ford, janë pasardhës të drejtpërdrejtë të emigrantëve që erdhën me anije nga Irlanda, në kohën e zisë së bukës.

Pothuajse dyqind vjet pas tragjedisë së tmerrshme, Mbretëria e Bashkuar nuk ka bërë asnjë deklaratë për përgjegjësi. Kohët e fundit është folur edhe për gjenocid.

Fotografia: Dublino, a “An Gorta Mór”. / KultPlus.com