Historia e panjohur e Xhemal Ferrës, tregtarit shqiptar të tekstileve në Milano

Publikohet historia e panjohur të Xhemal Ferrës me origjinë nga qyteti i Krujës, i cili që në moshën 8-vjeçare iu shiste çikërrima ushtarëve austro-hungarezë të garnizonit të atij qyteti dhe gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, u bë një nga tregtarët dhe ndërtuesit me të njohur jo vetëm në rrethin e Krujës e Matit, ku me fonde shtetërore ndërtoi disa godina publike, si Nënprefekturën dhe Garnizonin Ushtarak të Burrelit, si dhe elektrifikoi qytetin me një central që e solli nga Londra, por edhe në Tiranë, ku ai fitoi të drejtën për ndërtimin e Pallatit Mbretëror të Zogut (Pallati i Brigadave), i cili mbeti pa mbaruar për shkak se në majin e vitit 1939-ës, Xhemali u internua në Itali si antifashist. Dëshmia e të birit, Ferik Ferra, për historinë e të atit që nga koha kur ishte i internuar në Itali dhe më pas gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, ku ai si një nga biznesmenët e njohur në qytetin e Milanos për tregtinë e tekstileve dhe ndërtimit, ndihmonte qeverinë shqiptar në gjetjen e tregjeve për shitjen e produkteve të ndryshme që eksportonte Shqipëria e asaj kohe.

Përse nuk pranoi ai të kthehej në Shqipëri pasi regjimi komunist i lejoi që t’i shkonin pjestarët e familjes për ta takuar në Itali, dhe ndarja nga jeta në qershorin e vitit 1991-it, duke u përcjellë për në banësën e fundit në Tiranë, ku ai kishte qenë për herë të fundit në 1943-in?! Ishte fundi i qershorit i vitit 1991, kur në aeroportin e Rinasit me një nga linjat e pakta ajrore që preknin asokohe Shqipërinë, do të mbërrinte trupi pa jetë i Xhemal Ferrës, me origjinë nga Kruja, që ishte larguar nga vendlindja e tij që nga viti 1943.

Kush ishte ky njeri që njihej ndryshe dhe si “Konti Ferra”, dhe cila ishte e kaluara e tij që arriti të bëhej i njohur nga të gjithë shqiptarët? Për herë të parë djali i madh i “Kontit”, Ferrik Ferra, poeti i njohur, i cili pas viteve ’90-të ka filluar të ndjekë gjurmët e të atit, rrëfen historinë e panjohur 90 vjeçare të babait tij Xhemalit: që kur braktisi klasat e fillores të Mulla Hysenit në Krujë për t’ju shitur cikërrima ushtarëve austro-hungarezë, e deri kur mbylli sytë në një nga klinikat mjeksore të Universitetit Politeknik të Milanos në Itali, në 21 qershor të 1991-it. Si e filloi tregtinë? Xhemali lindi në qytetin e Krujës në vitin 1903, dhe ishte fëmija i tretë i Haxhi Ferrës, krutanit që kishte kryer dhjetë vjet shërbim ushtarak në perandorinë turke, duke shkuar si bedel për vëllezërit e tij.

Pas kthimit nga ushtria, Haxhiu filloi të merrej me tregëti të vogël, të cilën e bëntë kryesisht në rrethin e Matit. Pas vdekjes së djalit të madh, i cili e ndihmonte Haxhiun në punët e tregtisë, gjendja ekonomike e familjes u rëndua dhe ai u detyrua që të hiqte nga shkolla djalin tjetër, Xhemalin, që mësonte me Mulla Hysenin (shkolla e të pasurëve të qytetit), për t’i gjetur një punë. Fillimisht ai nisi të punonte tek dajat e tij (fisi Vogli), si shegert, të cilët duke parë aftësitë e tija në punët e tregtisë, më pas hapën një dyqan dhe e bënë ortak.

Pas hyrjes së trupave austro-hungareze në qytetin e Krujës, ai filloi të shkonte nga kazermat e tyre, ku ju shiste ushtarëve gjithshka. Xhemali kishte një kujtesë natyrale shumë të mirë, i bënte me mend, të gjitha veprimet kur blinte e shiste. Kjo gjë e ndihmoi atë që brenda pak muajsh, të mësonte gjuhën gjermane, me të cilën komunikonte lirshëm me ushtarët austro-hungarezë. Komandanti austriak i garnizonit të Krujës, duke parë aftësitë e prirjet e tij, i propozoi të atit Haxhiut, që ta dërgonte Xhemalin për të studjuar në një shkollë ushtarake në Austri, dhe për ta joshur i tregoi atij një uniformë të bukur ushtarake. Kjo nuk u realizua pasi nëna e tij e refuzoi, nisur nga pritja e gjatë prej dhjetë vjetësh që ajo i kishte bërë burrit të saj. Pas kësaj, komandanti austriak e dërgoi Xhemalin si përkthyes në administratën e komunës së Cudhinit afër Krujës. Në vitin 1932, Xhemali u martua me një vajzë nga fisi i njohur i Dollakëve të Krujës, me të cilën pati tre djem e një vajzë.

Nga Londra, central elektrik për Burrelin Aktiviteti ndërtimor i bëri ata shumë të njohur dhe më pas fituan si firmë ndërtuese, tenderin për ngritjen e ndërtesës së Nënprefekturës dhe Garnizonit Ushtarak të qytetit të Burrelit. Pas këtyre ndërtimeve që u vlersuan nga Ministria e Punëve Botore, në vitin 1932-’33, Xhemali hapi një shoqëri transporti udhëtarësh, duke vënë autobuzët e tij në linjën: Tiranë-Burrel e anasjelltas gjë e cila ndihmoi shumë matjanët për të udhëtuar drejt kryeqytetit. Aktiviteti dhe fitimet e Xhemalit filluan të rriteshin dhe ai vazhdoi përsëri aktivitetin ndërtues në qytetin e Burrelit, duke ngritur depo, dhe një hotel me restorant për vete.

Pas disa viteve pune në qytetin e Burrelit ku kishte dhe pjesën më të madhe të aktivitetit tregtar dhe atij ndërtues, Xhemal Ferra mendoi që të ngrinte një central elektrik për qytetin e Burrelit. Këtë dëshirë të tij dhe të banorëve matjanë, ai arriti ta realizojë duke blerë një central elektrik në kryeqytetin britanik, Londër, të cilin e solli dhe e instaloi në qytetin e Burrelit, duke bërë që të ndizen për herë të parë llampat elektrike në atë qytet. Po në vitin 1935, Ministria e Punëve Botore duke parë aktivitetin e tij ndërtues të suksesëshëm, i ofroi atij tenderin për ngritjen e Pallatit Mbretëror (sot Pallati Brigadave), të cilin ai filloi ta ndërtonte. Xhemal Ferra kishte një aktivitet shumë të zgjeruar për kohën, që kapte afërsisht rreth 50 të punësuar.

I punësuar si ekonomist në firmën e Xhemal Ferrës, për disa vjet në kohën e Monarkisë, ka punuar Hysni Kapo, njëri nga njerzit që pas 1945-ës, ka qenë figura kryesore e shtetit komunist shqiptar pas Enver Hoxhës. Lidhur me aktivitetin e tij si tregtar dhe ndërtues, i biri i tij, Ferriku, dëshmon: “Gjatë periudhës së Monarkisë, baba, Xhemali, kishte 12 kamionë, autobuzë e automjete të tjera ngarkim shkarkimi. Përveç disa dyqaneve që ai kishte në qytetet, ku shtrihej aktiviteti i tij tregtar e ndërtues, ai ndërtoi dhe katër shtëpi për veten e tij si në Burrel, Durrës, Krujë dhe Tiranë. (Shtëpie në Burrel, ka shërbyer si Shtëpia e Pritjes, deri në 1990-en) Një ndihmë të madhe në aktivitetin e tij tregtar, i dha Xhemalit dhe vëllai i tij, Qazimi. Përveç aftësive që kishte për tregti, Xhemali ishte dhe një punëtor i madh. Mëngjesi e zinte në Krujë, dreka në Burrel, darka në Tiranë dhe e nesërmja në Durrës.

Të gjithë këtë ai e përballonte së bashku me shoferin e tij personal, Njazi Islamin (pas 1945-ës ka qenë ministër i Komunikacioneve dhe anëtar i Komitetit Qëndror të PPSH së), që ishte një djalë i sjellshëm dhe punëtor i palodhur. Babai e vlersonte dhe e donte shumë Njaziun, të cilin e zëvendësonte shpesh në timon, kujton Ferriku, Internimi në Itali Në viti 1939, aktiviteti ndërtimor më i madh i Xhemal Ferrës ishte përqëndruar në ndërtimin e Pallatit të madh Mbretëror që kishte filluar Mbreti Zog dhe që ngrihej me fondet e shtetit. Këto punime ai i vazhdoi deri në muajin maj të atij viti, kur do të arrestohej nga italianët, dhe gjithë ai ndërtim kolosal do t’i mbetej pa mbaruar, vetëm për rifiniturën. Arrestimi i Xhemalit me akuzën e kundershtarit politik të fashizmit, erdhi pak kohë pas pushtimit të vendit, pasi ai kishte ndihmuar dhe mbajtur me ushqime falas, rreth 1000 forca vullnetare për 8 ditë në Qafë-Shtamë të Krujës, ku ato i kishin zënë pritë forcave pushtuese italiane, që përparonin në thellësi të vendit për të shkuar në Mat. Kështu më 24 maj të 1939-ës, Xhemali arrestohet dhe del në gjyq më 12 qershor, së bashku me vëllanë e tij, Qazimin, të cilët dë, nohen me dy vjet internim në Itali.

Në aktin e dënimit të tyre, me vendim gjyqësor, ju sekuestrua e gjithë pasuria së bashku me depozitat bankare (shuma të konsiderueshme), ju mbyll i gjithë aktiviteti tregtar e ndërtues. Familjes tyre ju la vetëm shtëpia që kishte ngritur babai i Xhemalit, Haxhi Ferra, në Krujë. Pas vendimit gjyqësor, Xhemali me Qazimin u dërguan në bugun e Barit, e më pas u ndanë, duke shkuar, Xhemali në Kolflorito, e Qazimi në Akuila. Në kampin burg të Kolfloritos ku ishte Xhemali, ndodheshin të internuar si kundërshtarë politik të regjimit fashist dhe shumë intelektualë të njohur shqiptar, si profesorët: Zijaudin Kodra e Petraq Pepo, Tahir Dizdari, Faik Bregu, Tefik Gjyli, Skënder Frashëri, Haki Luzati, Seit Bilali etj. Lidhur me këtë Ferrik Ferra kujton fjalët e babait tij: “Aty në Kolflorito në ditët e para të internimit, u kujtova se shkollën e kisha lënë pa bërë dhe gjithë kohën që kisha në dispozicion, e kaloja midis intelektualëve të njohur, si profesorët Zijaudin Kodra e Petraq Pepo, të cilët diskutonin e debatonin në atë kamp ku ndodheshin shumë nga ajka e inteligjencies shqiptare të asaj kohe, të cilët i dëgjoja me kujdes”.

Edhe në atë burg, Xhemali nuk e harronte zanatin e tij, duke u marrë me furnizimin e të dënuarëve me ushqime. Pas dy vitesh internimi, Xhemali së bashku me vëllanë Qazimin, u liruan dhe u kthyhen në Shqipëri. Xhemali vendoset në Krujë tek shtëpia e babait, dhe filloi përsëri një tregti të vogël tek një barrake që kishte pasur dikur për shitjen e biletave të linjës autobuzëve Burrel-Tiranë, e cila ishte e vetmja “pasuri” që kishte mbetur pa i’u konfiskuar. Kurse vëllai Qazimi, u vendos në Tiranë, ku hapi një dyqan si bashkëortak me Rexhep Kasmin nga Kruja. Këtë punë Xhemali e vazhdoi deri nga muaji mars i vitit 1943. Kështu më 23 prill të vitit 1943, ai u largua me një dhimbje të madhe për të mos e parë më kurrë sa ishte gjallë vendin e tij. Në 1943-in, vendosët në Milano Xhemali u vendos në qytetin e Milanos, duke shpresuar në fillimin e ndonjë aktiviteti të vogël. Lidhur me këtë periudhë kohë të Xhemal Ferrës, I biri, Ferriku, dëshmon: “Në fillim baba paraqitej në Kuesturë çdo ditë dhe hapsira e lëvizjes për të ishte e kufizuar.

Ai ra në kontakte me tregtarët që vinin nga Shqipëria për të blerë mallra të ndryshme dhe i prezantonte ata me pronarët e firmave pritëse. Për këtë punë komisioneri që bënte, ai merrte një përqindje të vogël të fitimit, nga të dy tregtarët që prezantonte. Pas disa kohësh, këtë shifër e ngriti në 2 %, gjë e cila i dha mundësi që të krijonte një fitimi dhe një fond të mjaftueshëm për t’i hyrë një tregtie të vogël të tekstilit të cilën ai e njihte mjaft mirë. Ai blente nga një firmë tekstile dhe i shiste tek një firmë tjetër. Këtë punë ai e vazhdoi deri nga fundi i vitit 1944, kur arriti që të futej plotësisht në biznesin e tekstilit. Gjatë asaj kohe që ai merrej me tekstile, nuhati mungesën e pambukut që i mungonte atij biznesi, gjë e cila kishte filluar të ndjehej nga vitet e Luftës. Pas mbarimit të Luftës, në nëntorin e 1944-ës, dhe vendosjes së regjimit komunist, Xhemali nuk u kthye më në Shqipëri, ku kishte të gjithë njerzit e familjes. Ai ndiqte me vëmëndje konjukturat politike dhe shprehej se: ‘Nacional-çlirimtarja është shumë larg atyre që premtoi gjatë Luftës’ Po kështu ai kishte kontakte me shumë nga shqiptarët që arratiseshin nga Shqipëria për në Perëndim, të cilët i tregonin dëshmi të rënda dhe aspak premtuese nga vendi i tij. Një nga arsyet që e brengosi më shumë atë dhe ndikoi në vendimin e tij për të qëndruar në Itali, ishte dhe arrestimi e dënimi i vëllait, Qazimit, në vitin 1946, si dhe sekuestrimi e konfiskimi i të gjithë pasurisë tij nga ana e regjimit komunist në fuqi. (Qeveria që erdhi në tetorin e 1943-it, ja riktheu atij të gjithë pasurinë që ja kishin sekuestruar italianët.) Në këto kushte nga mesi i vitit 1945, kur Italia filloj të çlirohej nga Lufta e pasojat e saj, dhe nisi të konsolidohej shteti ligjor demokratik, Xhemali mendoi që të qëndronte aty dhe filloi të interesohej për tregjet e pambukut të cilat ofronin punë dhe fitim kolosal”, kujton Ferrik Ferra periudhën kur i jati i tij, Xhemali, vendosi të qëndronte përfundimisht në Itali.

Në Teheran për tregti Lidhur me vajtjen e Xhemalit në Iranin e largët për problemet e gjetjes së tregjeve të pambukut, i biri i tij, Ferriku, dëshmon: “Pasi studjoi mirë konjukturat e tregjeve të pambukut, babai shkoi në Teheran në mesin e vitit 1946, dhe kontaktoi me pronarin e njërës prej firmave më të mëdha të pambukut në botë. Para nënshkrimit të kontratës, Xhemali i tha tregtarit persian: ‘Zotëri, sa metra tekstil doni tju sjell nga Italia’? Ai u kap në befasi dhe ju drejtua babait: ‘Zoti Ferra, unë jam tregtar pambuku, e jo tregtar tekstili’. Pas kësaj Xhemali ju kthye duke i thënë: ‘A mos keni keq zotëri që të fitoni në të dy krahët’?! I joshur nga sugjerimi i babait, tregtari persian filloi që të mendonte seriozisht për atë gjë dhe konstatoi se fitimi i tij ishte me të vërtetë i madh në dy drejtime. Kështu ai, nga njëra anë shiste sasira të mëdha pambuku, dhe nga ana tjetër merrte tekstile të gatëshme nga Italia, që do ja sillte Xhemali për t’i shitur në tregun e tij në Iran”. Tregtisë së pambukut, ju shtua dhe ajo e qylymave Persian, që ai ja blente tregtarit persian dhe i shiste në Itali. Në aktivitetin e tij, shquhet sidomos puna e madhe që bëri me firmën amerikane “Anderson- Klejton” që ishte asokohe një nga shtëpitë më të mëdha të pambukut në botë. Pa i shkëputur asnjëherë kontaktet me familjen, të cilën ai e ndihmonte sadopak financiarisht për arsye të pengesave ligjore, Xhemali vazhdonte të ndihmonte dhe njerëz të tjerë miq e të afërm, me të cilët dikur kishte punuar në Shqipëri. Shpëtoi 4000 punëtorë italianë nga falimenti Në vitin 1955, një nga fabrikat e Tekstilit me të cilën Xhemali bënte tregti, ishte në prag të falimentit. tregon Ferriku: “Pronarët e fabrikës duke mos pasur rrugë tjetër, i kërkuan babait që ai t’i ndihmonte financiarisht, për të kaluar krizën që do i conte drejt falimentit. Xhemali i ndihmoi ata duke ju dhënë një shumë të madhe, pa interesi.

Pasi fabrika kaloi krizën, presidenti i sindikatave italiane të asaj kohe, De Vitorio, e falenderoi përzemërsisht për xhestin e tij, duke i thënë se kishte shpëtuar nga flakja në rrugë rreth 4000 puntorë. Po kështu ai ju drejtua babait, duke i thënë se kishte dijeni që ai nuk e kishte familjen në Itali, e po të dëshironte mund të ndërhynte pranë autoriteteve më të larta shqiptare, që t’i krijonte mundësinë e bashkimit me familjen në Itali. Babai pasi e falenderoi për interesimin nuk i tha jo, por ia la atë në dëshirën e tij. Përgjigjia që mori De Vitorio nga autoriteti më i lartë shqiptar ishte: “Nuk e kemi bërë ligjin akoma për këtë, por sa ta bëjmë do të shohim se çmund të bëhet”. I hapi Shqipërisë tregjet me Perëndimin Aty nga fundi i viteve ‘50-të e fillimi i viteve ’60-të, tregtia që Xhemali bënte me pambukun filloi të binte, për shkak të konkurencës së madhe, dhe fitimet ranë ndjeshëm. Kështu ai u detyrua dhe e kaloi biznesin e tij në ndërtime, pasi në ato vite Italia ishte në fazën ë një bumi ekononmik, e ai si njohës i mirë i konjukturave të biznesit, diti të manovronte e të gjente mundësitë për të punuar. Në vititn 1959, në zyrën e tij të punës, shkuan dy shqiptarë që ishin përfaqësues tregtarë pranë ambasadës shqiptare në Romë dhe kërkuan që të bisedonin me të për probleme tregtie. Xhemali lidhur me këtë vizitë ka dëshmuar: “I prita tepër gjakftohtë ata dy zyrtarë të ambasadës shqiptare, sepse e dija që një ditë do të vinin në zyrën time për të kërkuar ndihmë. Pasi biseduam normalisht për punët e tregtisë, problemi kapërceu disi kur njeri nga ata më pyeti për konjukturat e çmimeve të grurit në Itali, e mënyrat se si mund të blinin. Unë ju thashë se grurë në Itali kishte plot e me çmime të arsyeshme, por po më çudit fakti se Bashkimi Sovjetik që ka grurë sa të mbulojë gjithë territorin e Shqipërisë, pse nuk ju jep, po kërkoni ta blini këtu”?! Megjithatë dhe pas këtyre fjalëve, Xhemali u tregua i gatshëm që t’i ndihmonte ata, në të gjitha kërkesat për mallra që dëshironin të blinin për Shqipërinë.

Duke parë mundësitë e vogla të Shqipërisë për aktivitetin tregtar me Italinë, babai filloi të mendoi për hapjen e një zyre tregtare në Milano me përfaqsues shqiptarë, e cila do të kordinonte shkëmbimet e ndërsjellta të mallrave në mes dy vendeve, sidomos të disa lëndëve të para që Shqipëria i dispononte deri diku. Kështu pas hapjes së kësaj zyre, nga Shqipëria drejt Italisë dhe Perëndimit, filluan të vërshojnë sasira të mëdha mallrash, si: duhani, pambuku, bitumet, mermeri, nafta, prodhimet artistike etj. Babai në këtë ndihmë që i dha Shqipërisë për çeljen e tregjeve të saja me Perëndimin, nuk vuri në mes pikpamjet e tija politike dhe as inatin e sekuestrimit të pasurisë dhe bu, rgosjes së vëllait Qazimit, dhe se familja e tij në Shqipëri ishte e diferencuar e shikohej me sens negativ. Ai atë e bëri pa snjë lloj interesi, por thjesht si një shqiptar që e donte vëndin e tij dhe shqiptarët”. I hapet rruga e takimit me familjen Ndihma e madhe që Xhemali i dha shtetit shqiptar, i vuri në pozitë të madhe autoritetet zyrtare të Tiranës, në trajtimin që i bëhej familjes Ferra në Shqipëri. Në vitin 1962, shteti shqiptar lejoi djalin e madh të Xhemalit, Ferikun, për të takuar babanë në Itali, të cilin nuk e kishte parë që nga prilli i 1943-it. Lidhur më këtë vizitë, Feriku kujton: “Qëndrova afro tre muaj me babanë në Milano, në apartamentin e vetëm të tij. Ai atëherë e deri sa vdiq, bëri një jetë krejt normale, pa asnjë lloj lluksi. Ai kishte mundësira të mëdha të ndërtonte vila për vete, por qëndroi në atë apartamentin e thjeshtë dhe zyrën e tij të punës. Ai kishte një kujtesë brilante dhe një mendje të fuqishme që bënte veprime matematikore me disa shifra. Babai ruante traditat shqiptare dhe sa herë që flitej për Shqipërinë, i mbusheshin sytë me lot.

Ai ishte shumë i pezmatuar për gjendjen në të cilën ndodhej Shqipëria, e i vinte shumë keq që disa përfaqsues tregtarë pranë ambasadës në Romë, të cilët ai i kishte ndihmuar dhe kishin fituar përvojë, sapo ktheheshin në Shqipëri, përfundonin nëpër bu, rgje. Hapja e zyrës tregtare në Milano që ai e bëri me dëshirë, si dhe gjithë ndihma që ai dha jo vetëm në sektorin tregtar por dhe në atë të kreditit që hynte si garant për palën shqiptare, i jepte një kënaqësi të madhe që diçka po bënte për vendin e tij. Babai e kishte të vështirë që të kthehej përgjithmonë në Shqipëri pranë familjes, ndonëse i kishte të gjitha mundësitë dhe rrugët e hapura. Arsyeja kryesore ishte se ai kishte pikpamje politike me diferenca të thella me regjimin në fuqi, të cilat nuk i premtonin dhe nuk i hapnin asnjë lloj perspektive. Ardhja e tij këtu vetëm sa do t’i krijonte probleme serioze, për vete dhe për familjen. Megjithëatë ai kurrë nuk e ndërroi shtetësinë e tij shqiptare për të marrë atë italiane, gjatë gjithë jetës së tij në Itali dhe deri sa vdiq, ai mbeti thjesht një emigrant ekonomik shqiptar”. Pas vizitës së parë që i bëri djali Feriku, shteti lejoi pak nga pak dhe pjestarët e tjerë të familjes, që të shkonin ta vizitonin nga një herë në Itali. Xhemali vazhdonte ta ndihmonte familjen në Shqipëri dhe insistonte që ata të mbaronin shkollat, për të cilat ai ishte gati të jepte gjithshka. Oferta zyrtare nga Tirana: Zoti Ferra, silli depozitat këtu Në vitet ’60-të, Xhemal Ferra konsiderohej dhe njihej në Itali, si një nga biznesmenët e suksesëshëm. Po në këtë viti kur një delegacion qeveritar italin do të bënte një vizitë disa ditore në Bashkimin Sovjetik, u ftua dhe u caktua që në përbërje të tij, do të ishte dhe afaristi Xhemal Ferra.

Nuk dihen ende arsyet sepse në çastet e fundit të nisjes së atij delegacioni, Xhemali nuk u paraqit. Pasi u interesuan për të, mësuan se ai ndodhej i shtruar në një nga klinikat mjeksore të Milanos?! Aty nga fillimi i viteve ’70-të, gjatë një bisede që Xhemali po bënte me disa përfaqsues së Ministrisë së Tregtisë së Jashtme të Shqipërisë, që kishin shkuar për probleme pune në Itali, i kërkuan atij duke i sugjeruar që po të donte të shihte mundësinë e trasferimit të depozitave bankare nga bankat italiane, për në Shqipëri, duke i garantuar dhe interesat përkatëse. Lidhur me këtë ofertë që pala zyrtare shqiptare i bëri Xhemal Ferrës, djali i tij Ferriku dëshmon: “Pasi i dëgjoi ata, babai ju përgjigj me dipllomaci duke ju thënë: ‘Do ta kem parasysh këtë propozim dhe do ta shoh pasi të kem përfunduar disa punë që kam nëpër duar. Fundi i një jete të gjatë Ndonëse Xhemalin Ferrën në Shqipëri e njohin ndryshe si Konti Ferra, ai as nuk e kishte dhe as e dëshiroi kurrë që ta thërrisnin ashtu. Lidhur më këtë, djali i tij Ferriku dëshmon:” Babai kurrë nuk ka lejuar njeri që ta quante Konti Ferra. Kur dikush e thërriste ashtu, kuptohet nga dashamirësia, ai ja shpjegonte se nuk e kishte pasur kurrë atë titull. Titujt: Kont, Baron, Markez, etj., jepeshin vetëm në regjimet Monarkike, dhe Italia ku ai jetonte e punonte, ishte një republikë. Ndonëse ai nuk e pranonte titullin Kont, kishte një simpati të veçantë për periudhën e Monarkisë së Zogut. Për këtë ai shpjegonte: “Unë i kam provuar të gjitha regjimet që nga austro-hungaria, e deri tek fashizmi.

Por periudha e Monarkisë ka qënë më e mira, sepse na dha mundësitë me legjislacionin e krijuar që të punonim të gjithë dhe të tregonim aftësitë tona”. Xhemali punoi në mënyrë aktive me biznesin e tij deri nga vitet 1977-‘78 pa e ndërprerë për asnjë çast punën. Edhe pas kësaj moshe, kur ai e la aktivitetin e tij si afarist, ndiqte me vëmendje bursën italiane dhe atë europiane, jo për ndonjë përfitim ekonomik, por vetëm për sadisfaksion profesional. Dhe në moshë të thyer ai ishte në korent të përhershëm të bursës, duke ju dhënë këshilla shumë miqëve të tij tregtarë e afaristë që e pyesnin për gjithshka. Puna e madhe që e nisi që 8 vjeç dhe e la në moshën 78 vjeçare, sëmundjet e herë pas hershme dhe ndërhyrjet kirurgjikale, kishin bërë punën e vet.

Nga fundi i viteve ’80-të, ai e kuptoi se po i afrohej momenti kur do të mbyllej gjithshka, por i padëshpëruar dhe krenarë e i kënaqur për atë që kishte bërë në punën e jetën e tij. Lidhur me ditët e fundit të jetës së gjatë afro 90-të vjeçare të Xhemal Ferrës, djali i tij Ferriku kujton: “Në shkurt 1991-it, pak muaj para se babai të ndërronte jetë, ai pa në televizor rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës. Pasi u mendua pak, u tha njerëzve që kishte pranë: Tani do të fillojnë ditë të vështira për Shqipërinë. Ai kishte shumë dëshirë që të vinte dhe t’i shijonte ado “ditë të vështira”, por shëndeti i keqësuar nuk ja premtonte. Në qershorit të vitit 1991, në ditët e fundit të jetës tij, rastësisht i gjetëm në rrobat që kishte veshur, një flamur të vogël shqiptar që e mbante me vete që nga viti 1939 kur ishte internuar si antifashist në Kolflorito të Italisë. Ai ju shpjegoi njerëzve që e pyetën se atë e mbante me vete si shenjë idenditeti, sepse rruga e puna e tij kalonin përmes rreziqesh që nuk ju dihej fundi”.

Megjithë përpjekjet e mëdha të mjekëve të klinikës së Universitetit Politeknik të Milanos, për ta mbajtur në jetë atë trup 88 vjeçar, më 21 qershor të 1991 it, në atë kohë që shqiptarët po përjetonin fundin e sistemit komunist afro 50 vjeçar, Xhemal Ferra ndërroi jetë. Familjarët e tij e sollën trupin e tij në Shqipëri dhe miqtë e të afërmit i bënë një përcjellje dinjitoze me të gjitha nderimet e rastit për në banesën e fundit në Tiranë./ Memorie.al / KultPlus.com