Kurti kujton masakrat në Stagovë, Studime, Poklek të ri e Tusuz

Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrat në Studime, Poklek të Ri, Tusuz dhe Stagovë. Ai bëri thirrje për drejtësi dhe angazhim i përhershëm për të mos harruar asnjëherë, këtë të kaluar të dhimbshme.

Kurti, në një postim në Facebook, ka shkruar se fundi i muajit majit na përkujton sakrificën e popullit tonë për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Me nderim e dhembje përkujtojmë të vrarët në masakrat në Studime, Poklek të ri, Tusuz e Stagovë.

“Më 31 maj 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, u krye një nga mizoritë më të mëdha ndaj një familjeje shqiptare. Forcat serbe masakruan 13 anëtarë të familjes Gërxhaliu, mes tyre shtatë fëmijë të moshës 7 deri në 16 vjeç. Viktimat e kësaj masakre ishin: Sabahudin, Mybera, Safer, Abdurrahman, Mexhit, Muharrem dhe Shaban Gërxhaliu, si dhe Sofije, Fehrije, Selatin, Xhemajl dhe Salihe Gërxhaliu. Një vit më parë, më 31 maj 1998, në Poklek të Ri të Drenasit, forcat serbe vranë dhe zhdukën dhjetë civilë shqiptarë të pafajshëm. Asnjë prej tyre nuk ishte i përfshirë në luftë – viktimat ishin civilë të pambrojtur”, ka shkruar Kurti.

Masakra tjetër, shton ai, ndodhi më 26 maj 1999 në lagjen Tusuz të Prizrenit, ku 27 civilë shqiptarë u ekzekutuan mizorisht nga forcat serbe gjatë ofensivave ushtarake në qytet.

Po ashtu, shton Kurti, më 21 maj 1999, në fshatin Stagovë, u vranë 13 civilë të pafajshëm, mes tyre gra, burra dhe fëmijë, përfshirë Fitim Gudaqin, vetëm 6 vjeç. Viktimat e tjera ishin: Bahrije Elezi, Baki Bela, Brahim Dashi, Fahri Mani, Hamdi Dashi, Hanife Jaha, Hanife Gudaqi, Ibush Rrushi, Ramush Jaha, Ramadan Dashi, Selvije Krivanjeva dhe Sevdije Guri.

Këto masakra, thotë kryeministri në detyrë,  përfaqësojnë krime të rënda kundër njerëzimit dhe janë dëshmi e dhunës sistematike që populli shqiptar përjetoi gjatë luftës për liri. Institucionet vendore dhe ndërkombëtare janë rregullisht thirrur që të ndjekin këto raste drejtësie dhe të mos lejojnë që këto krime të mbeten pa u ndëshkuar.

Kujtimi i të vrarëve është thirrje për drejtësi dhe angazhim i përhershëm për të mos harruar asnjëherë të kaluarën tonë të dhimbshme, shton Kurti. 

“Drejtësia për të gjithë të vrarët nga Serbia gjatë luftës në Kosovë është obligim moral dhe kombëtar, ndaj kujtimit të tyre, ndaj paqes që e jetojmë sot dhe ndaj brezave që do të trashëgojnë historinë tonë, Lavdi martirëve dhe dëshmorëve të mbarë kombit shqiptar! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, ka shkruar Kurti në Facebook./rtk

Presidentja Osmani në 25 vjetorin e Masakrës së Tusuzit: Vendosja e drejtësisë për viktimat është përkushtim i çdoditshëm i yni

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka përkujtuar viktmat e Masakrës Tusuz (Lagjja e Trimave) në Prizren.

Më 26 maj 1999-të, atje forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, vranë mizorisht 27 banorë.

Kjo ndodhi në pragun e lirisë së Kosovës.

Osmani tha se “kjo lagje shquhet për kontributin e dhënë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës, ndaj vendosja e drejtësisë për viktimat është përkushtim i çdoditshëm i yni”.

“Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët dhe të gjithë të rënët për liri!”, tha Osmani.

’27 lule nga të cilët rritet liria jonë’, Kurti bën homazhe për të vrarët në masakrën e Tusuzit

Kryeministri Albin Kurti, mëngjesin e së dielës bëri homazhe në qytetin e Prizrenit, për të vrarët në masakrën e Tusuzit.

Ai vendosi kurora me lule te varret e të vrarëve, në nderim dhe përkujtim të martirëve e dëshmorëve të Lagjes së Trimave.

“Martirët dhe dëshmorët e kombit janë në njërën anë dëshmi e qëndresës sonë, e rezistencës së popullit, e atdhedashurisë për të jetuar në liri e në paqe në tokën stërgjyshore, por në anën tjetër janë gjithashtu edhe dëshmi e krimeve të Serbisë, e krimeve të kryera gjatë luftës, ku bëjnë pjesë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi”, tha Kurti.

“27 martirët e Tusuzit, janë sot 27 lule nga të cilët rritet liria jonë dhe gëzohet shteti ynë”, shtoi shefi i qeverisë.

Në këto homazhe, teksa përkujtoi të rënët e masakrës, kryeministri u shpreh se në lapidarin e të rënëve është i skalitur emri i Behar Abdylmexhitit, i cili atë kohë ishte vetëm 17 vjeçar, si dhe Fazile Maqkaj, e cila u dogj e gjallë në karrocën invalidore të saj.

Më tej, kryeministri duke përmendur djegien e mbi 300 shtëpive, dhe dhembjen për vrasjen e 27 civilëve nga forcat armike serbe, që sot janë martirë të kombit, theksoi se nevojitet edhe drejtësia e jo vetëm pavarësia e shtetit.

Teksa foli për këtë masakër, për të cilën vetëm dy persona mbahen në burg dhe katër të tjerë ndiqen, Kurti shtoi se numri i ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve është shumë më i madh se kaq, tha Zyra e Kryeministrit në një kumtesë, raporton Klankosova.tv.

Kurti i bëri thirrje Prokurorisë së shtetit që me fuqinë dhe dijeninë e saj të bëjë gjithçka, në mënyrë që të ketë drejtësi ata që mungojnë tash e 25 vite.

Kryeministri tha se drejtësia i mbyllë plagët që kullojnë dhe sjellë paqe të qëndrueshme.