Katër vjet pa Bekim Lumin, ekspozita “U artësofshi” hapet të shtunën në nderim të tij

“U artësofshi”, titullohet ekspozita në nderim të Bekim Lumit, e cila vjen së shpejti në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Në 4 vjetorin e vdekjes së tij, regjisori Bekim Lumi do të kujtohet dhe do të nderohet nëpërmjet ekspozitës “U artësofshi”.

Fotografi të shumta si dëshmi të një procesi të gjatë të artësimit, që e ka lënë Bekimi, do të na sjellin si rrallë herë portretin e tij prej artisti, pedagogu dhe njeriu.

Ekspozita është e përgatitur nën kujdesin e kuratorit Mentor Berisha dhe ndihmës kuratorit Afrim Muçaj. Ndërkaq, do të hapet të shtunën, më 30 korrik, në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, duke filluar nga ora 20.00.

Ekspozita është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Qendra Multimedia, Muzeu i Kosovës dhe Teatri Kombëtar i Kosovës. / KultPlus.com