Një nga shfaqjet e fundit të Bekim Lumit ‘ArturoUi’, është dhënë sonte për herë të fundit në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Kjo është bërë e ditur nga Jeton Neziraj me anë të një postimi në Facebook i cili ka kërkuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës që të mbaj në reportor një nga shfaqjet më të rralla, por edhe të vetmet të Bekim Lumit që ende luhet në këtë teatër.
“I bëj thirrje publike TKK, ta konsideroj mbajtjen në repertor të kësaj shfaqjeje të rralle, të vetmen nga Lumi që akoma luhet- dhe mund të luhet. Për hir tonin, t’publikut, t’askujtë tjetër!”, ka shkruar ai.
Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:
Për ata që nuk e kan pa këtë shfaqje të mrekullueshme nga maestro, tashmë i ndjerë, Bekim Lumi! ARTURO UI – SONTE, 24 shkurt 2021 (e mërkurë), ora 19:00 – e me gjasë për herë të fundit!
P. s. I bëj thirrje publike TKK, ta konsideroj mbajtjen në repertor të kësaj shfaqjeje të rralle, të vetmen nga Lumi që akoma luhet- dhe mund të luhet. Për hir tonin, t’publikut, t’askujtë tjetër!
Sot shënohet dy vjetori i vdekjes së regjisorit Bekim Lumi. Shumë aktorë, regjisorë, miq e familjar të të ndjerit sot kanë ndarë kujtime të shumta me të, shkruan KultPlus.
Aktori Afrim Muçaj, ka publikuar një status në rrjetin social Facebook, ku ka treguar momentin se si e ka marrë lajmin për vdekjen e Lumit.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Muçajt.
”Mëngjes i hershëm i 30 korrikut
I urrej telefonatat e natës së vonë, e sidomos ato të paramëngjesit. Sa herë kam marrë një telefonatë të tillë më është thyer zemra si një gotë kristali që nuk kam mundur ta rikuperojë kurrë. Shpesh herë e mbaj telefonin e mbyllur natën, pikërisht me arsyejen dhe lutjen që deri në mëngjes kur të zgjohem të mos më ketë marrë askush.
Por mëngjesin e hershëm të 30 korrikut e kisha lënë të hapur telefonin për dreq, zilja po bije dhe po bije pa ndërprerë, e urrej ta hap telefonin derisa të paktën të shoh dritën në dritare, kthehem në krahun tjetër por është e pamundur ta vazhdoj gjumin, ngrihem ngadal dhe ulem në shtrat, marrë telefonin shpejtë të ia ndal zilen që të mos e zgjoj vajzën time të vogël asaj kohe dhe dal në dhomën tjetër, shoh që (Jetoni) vazhdonte ti bije telefonit tim, kryesisht kur ai më merrë në telefon përgatitem për shumë humor brenda asaj thirrje, por kësaj rradhe ishte ndryshe, hap telefonin dhe të vetmën fjalë që dëgjova ishte: “Muçë, Lumi na la”… Edhe pse këtë fjalë isha përgatitur ta dëgjoj qysh nga qershori i vitit 2017, por qe e pamundur të mos ngulfatesha në atë mëngjes. Ndërroj pizhamet e natës dhe nisem drejt spitalit amerikan, gjatë rrugës shikimi hera herës më humbiste duke vozitur, momente pafund më vlonin në kokë, ngjarje dhe batuta pa fund, nuk ishin as një muaj i plotë kur me fuqinë e fundit në provat e fundit të shfaqjes “Arturo Ui-s” na thoshte qe unë kam veq dy rrugë “me ba këtë shfaqje edhe me vdekë”, shfaqja ishte ba me 14 qershor ndërsa me 30 korrik 2018 ishte rruga e dytë qe Lumi pa deshirën tonë ia mbajti fjalën vehtës.
Eh sa herë e kundërshtuam që tia ndryshonim mendimet dhe fjalët, por si edhe herave të tjera nuk na degjoi se nuk na degjoi. Iku Lumi, miku, regjisori dhe profesori im i “vështirë”. Gjeniu i ndërtimit të roleve dhe shfaqjeve të papërsëritshme. Kërkuesi i zanoreve dhe bashktingëlloreve të shqiptuara në përsosmëri, i qendrimit dhe shikimit që e djersitë publikun, kërkuesi i netëve të gjata të lëvizjeve skenike deri në skajshmëri, i zanit kumbues dhe drithërues, i mbajtjes së rekuizitave në duar si xhevahir Smeraldi. Lum, po e përsërisë vetëm një frazë të statusit tim në ditën e ikjes tande: “Lum, lumi unë që ti, me artin dhe shkëlqimin tënd skenik, je pjesë e biografisë sime artistike.
Mbi trupin tand të bardhë e të brishtë U ngriten ledhet e gurta të kështjellës, Aty ku hapeshin perdet e një drame Mbylleshin portat e randa të jetës
Orakujt Rozë-fati të zgjodhën Të muroheshe ti duhej patjetër, Drandofille e fatit me fustan qefin Si fatet e preme të Gadishullit të Vjetër
U ç’dhembje të tmerrshme,ç’rrënqethje, ç’ankth do t’kesh ndie Nën peshën e randë të mureve të ftohtë, Po dhembje ma të tmerrshme do t’kenë ndie vetë muret Tue randue trupin tand të ngrohtë
Dhe gjersa trupi yt i bardhë murohej Në puset e netëve mitologjike, Në parandjenjën e kombit muroheshin Aktet e dramës së ardhshme tragjike
Dhe duhej, duhej që ti të muroheshe Të muroheshe ti duhej patjetër Nën ledhet e gurta të ftohta të kështjellës Apo nën pirgjet e baladës së vjetër
Mbi trupin tand të bardhë të brishtë U ngritën ledhet e gurta të kështjellës Aty ku mbylleshin perdet e një drame Hapeshin portat e randa të jetës. / KultPlus.com
Regjisor i shfaqjeve më të mira në teatrin kosovar në dy dekadat e fundit. Ky është një prej konstatimeve që ishte bërë për Bekim Lumin në ditën kur ai vdiq. Por gjatë jetës së tij prej artisti, Lumi nuk është njohur vetëm si regjisor. Midis të tjerash ai ishte edhe studiues.
Regjisori i njohur i teatrit shqiptarë dhe njëkohësisht profesor i nderuar që përcolli shumë gjenerata sot dy vite u nda nga jeta. Ai ishte ndër njerëzit që e donin më së shumti teatrin. Këtë e dëshmoi edhe vepra e tij e fundit që e jetësoi në skenë pak para se vdekja ta marrë, shkruan KultPlus.
Ndonëse ishte në ditët e tij të fundit, ai si rrallë ndonjë njeri tjetër, mblodhi të gjitha forcat për të realizuar ëndrrën e tij të fundit, jetësimin e veprës “Arturo Ui” në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Por, këtë ëndërr nuk pati fatin ta shoh bashkë me publikun në premierën e saj, pasi që gjendja ju përkeqësua dhe shëndeti i tij i lig ja pamundësoi një gjë të tillë, por ai po frymonte lirshëm që kishte arritur që atë shfaqje ta sjellë para publikut.
Lumi ishte një ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit në Kosovë, profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ndër veprat që ai ka vënë në skenë mund të përmendim Teatri Laborator “Loja”, Prishtinë 2010 – William Shakespeare, “Këmisha e gjakut” (bazuar në tragjeditë “Makbethi”, “Rikardi III” dhe “Hamleti” të W. Shakespeare-it, si dhe në disa tekste të Kanunit të Lekë Dukagjinit), Teatri Laborator “Loja”, Prishtinë 2008 – Eugene Ionesco, “Çifti Martin”, Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2006 – Federico Garcia Lorca, “Shtëpia e Bernarda Albës”, Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2005 – A. P. Çehov, “Arushani” & “Fejesa” (dy komedi), Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2003 – Slavomir Mrozhek, “Galani”, Teatri “Dodona”, Prishtinë 2002 – Eugene Ionesco, “Mësimi”, Teatri “Dodona”, Prishtinë 2000 – “Kësulëkuqja në botën e minave” (shfaqje me kukulla), Teatri “Loja”, Mynih (Gjermani) 1999 – A. P. Çehov, “Për gruan dhe tokën e jap edhe kokën” (komedi e adaptuar mbi disa tekste të Çehov-it dhe mbi disa fragmente të Kanunit të Lekë Dukagjinit), Teatri “Loja”, Mynih (Gjermani) 1998 – Gjergj Fishta, “Zogu i shqiptarit dhe zogu i gomarit” (tragjikomedi mbi veprat epike dhe satirike “Lahuta e Malcis’ ”, “Gomari i Babatasit”, “Anzat e Parnasit”), Teatri “Loja” & Theater Truebuene, Mynih (Gjermani), etj. Lumi ka qenë kryeredaktor i revistës teatrale “Loja”.
Ai është vlerësuar me Mirënjohje Speciale “Sound of MESS” me shfaqjen “Këmisha e gjakut”, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit MESS, Sarajevë (Bosnje e Hercegovinë). Në vitin 2011 ka marrë çmimin “Shfaqja më e mirë muzikore” për shfaqjen “Çifti Martin”, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Kamertal – Vratza (Bullgari). Çmimi “Shfaqja më e mirë” – Shfaqja “Mësimi”, Festival International del Teatro – Lugano (Zvicër).
U nda nga jeta më 30 korrik 2018 pas një sëmundje të rëndë. /KultPlus.com
Në kuadër të Festivalit të Teatrove që po zhvillohet në Ferizaj, u promovua vepra studimore “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, e autorit të ndjerë, Bekim Lumi.
Duke folur për këtë vepër, shkrimtarja dhe studiuesja Qibrije Demiri tha se Lumi bëri një përballje në mes të Shekspirit dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit, çfarë, sipas saj, dëshmon njohje të mirë të të dyjave nga ana e autorit. Demiri tutje tha se në këtë vepër vërehet qasja artistike, kritike dhe hulumtuese e regjisorit të ndjerë.
“Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që është një studim krahasues në mes veprës “Makbethi” të Shekspirit dhe normave kanunore të Kanunit të Lekë Dukagjinit, vlerësohet edhe nga dramaturgu Arian Krasniqi. Duke rrëfyer për këtë vepër, Krasniqi, më tepër vuri në pah faktin që Lumi asnjëherë nuk krijoi art brenda kornizave.
Natyrshëm, në këtë ngjarje të promovimit të librit studimor “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, u fol për autorin Bekim Lumi.
Aktori e regjisori Xhevat Limani e lavdëroi veprimtarinë profesionale të Lumit duke thënë se regjisorët e rinj duhet t’i ndjekin hapat e tij. “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” që vë përballë “Makbethi”-n dhe Kanunin shqiptar, u çmua si vlerë e veçantë sidomos për studentët dhe studiuesit e artit. /21media/ KultPlus.com