Fotografi nga Parisi viziton ekspozitën e artistit Sadri Morina: U godita menjëherë nga intensiteti i veprave të tij

Flonja Haxhaj

Një ditë nga vizita e tij në Prishtinë, fotografi nga Parisi, Romain Thibaudat ia kushtoi ekspozitës së parë personale të artistit Sadri Morina që po qëndron e hapur në KultPlus Caffe Gallery.

Fotografi Thibaudat thotë se për ekspozitën e artistit Morina kishte dëgjuar nga një shok i tij artdashës as 24 orë pasi kishte mbërritur në Prishtinë, e më pas kishte vendosur që fotografitë e ekspozitës ‘Vena Vaditëse’ të jenë pjesë e koleksionit të fotografive që ai i realizon nëpër vende të ndryshme të botës.

“Unë u godita menjëherë nga intensiteti i veprave të tij, osmoza e ngjyrave të tij që varionin nga errësira në dritë, nga e nxehta në të ftohtë, secila duke shprehur një emocion të ndryshëm, duke reflektuar një formë melankolie.”- thotë fotografi thibaudat për KultPlus.

Sadri Morina, autori i ekspozitës ‘Vena vaditëse’. /Foto: Romain Thibaudat

“Universi i tij i thellë dhe simbolik që na fton të dyve të bëjmë një hap prapa nga bota jonë ose nga vetja jonë, të shkëputemi dhe të vendosim veten në “pauzë”. por gjithashtu na fton të tregojmë mprehtësi për të soditur yjet, planetet, me pak fjalë për të vëzhguar atë që na rrethon. ”- shton më tutje ai.

Romain Thibaudat, i cili thotë se filloi të merrej më fotografi në moshën 14-vjeçare, në këtë fushë të artit u përkushtua edhe më shumë pas moshës 17-vjeçare kur u regjistrua në shkollën e fotografisë ‘Lycée Brassai’ në Paris.

Fëmijët duke peshkuar në portin e Cienfuegos në Kubë. /Foto: Romain Thibaudat

“Fillimisht fillova të bëj fotografi të natyrës së vdekur, të cilat më pëlqenin t’i vë në skenë, të luaja me dritat dhe ngjyrat, të krijoja atmosfera të ndryshme.” – thotë fotografi Thibaudat duke shtuar se tani është i fokusuar më shumë tek arkitektura dhe fotografia e reportazhit.

E dashurinë për fotografinë ai e kishte përforcuar edhe më shumë duke ndjekur rrugët e fotografëve që lanë gjurmë në këtë fushë siç janë Marc Riboub dhe Sabastiao Salgado.

Babë e bir në një motoçikletë në qytetin e Shirazit në Iranin jugor. /Foto: Romain Thibaudat

“E adhuroja veçanërisht fotografin humanist Marc Riboub si dhe fotografin franko-brazilian Sebastiao Salgado që mes tyre më solli dëshirën për të udhëtuar sa më shumë nëpër botë dhe më lejoi të kap momente të jetës nëpër vende si Irani, Kuba, Gjeorgjia.” – deklaron Thibaudat për KultPlus.

Ndërkaq, disa nga fotografitë e tij, Romain Thibaudat i kishte shfaqur në ekspozitën e tij të parë ‘Cuban Express’ në ‘Galerie Echmomusee’ në Paris./ KultPlus.com


Një zonjë e moshuar duke mbledhur copa të vogla druri, në mes të rrënojave buzë Detit të Zi, në qytetin e Potit në Gjeorgji. /Foto: Romain Thibaudat

Hapet ekspozita ‘Vena vaditëse’, artisti Morina: Veprat e para nga ky koleksion janë shitur në Paris

Flonja Haxhaj

Hapësirat e KultPlus Caffe Gallery morën ngjyrë tjetër mbrëmë me hapjen e ekspozitës ‘Vena vaditëse’ të artistit Sadri Morina, përcjell KultPlus.

 Veprat në të cilat ngjyrat janë kombinuar me përpikmëri, kishin një detaj që i bashkonte, e ai është elementi i galaktikës, të ciliin Morina e ka përvetësur në stilin e tij.

E vlerën që ka pas vetes arti që e krijon artisti Morina u dëshmua edhe nga pjesëmarrja e madhe e njerëzve që prisnin me padurim që ekspozita të fillonte dhe të shkrepnin fotografi me pikturat që ishin rënditur me kujdes nëpër mure nga artisti.

E hapjen e kësaj ekspozite e bëri drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në ekspozitën e parë për këtë vit në këtë ambient.

“Kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të projekteve që janë të mbështetura prej Ministrisë së Kulturës, projekt në kuadër të KultPlus Caffe Gallery. Kemi vendosur me e realizu një llojllojshmëri të përzgjedhjeve dhe kemi filluar me Sadriun e do të vazhdojmë me projekte të tjera në mbështetje të artistëve të rinj” – u shpreh Pajaziti.

Në hapjen e kësaj ekspozite foli edhe drejtoresha e Akademisë Evolucion ku Morina kishte filluar studimet para 13 viteve.

“Sadriun e njoha para 13 vitesh kur ai ka filluar si student për pikturë, dhe ai është dalluar qysh në fillim sikurse të gjithë piktorët me stilin e vetë, por unë e kam ndjekur atë edhe në vitet në vazhdim  dhe më pëlqen një gjë tek ai, që është shumë kërkues. E ka pasur një pjesë të jetës që ka punuar kitarat, violinat dhe brenda gjeje jo vetëm ngjyra por edhe muzikën që dilte nga ato piktura sikurse edhe ngjyrat që i kemi sot në këtë ekspozitë që shpërthejnë sikurse galaksitë.” – thotë Shatri në hapjen e kësaj ekspozite.

Në mesin e pjesëmarrësve që kishin ardhur për ta parë artin e Sadri Morinës ishte edhe kritiku i artit, Ilir Muharremi.

“Një ekspozitë shumë e veçantë, veçanërisht pse autori shpreh atë botën e tij të brendshme, atë ta quaj ‘rrëmujë mendimesh’ ku ka një lëvizje të rregullt të formave, ka ritëm, kompozicionet janë të rregullta, pra është një temë ndërmjet galaktikës, ndërmjet planeteve, një ylber ngjyrash ku dominojnë ngjyrat e ngrohta, poashtu edhe ngjyrat e ftohta. Ky art mund të veçohet më shumë i art surrealist sa i përket trajtimit të formave dhe trajtimit të idesë. Mesazhet, secili artist i ka ato mesazet e veta herë enigmatike e herë konkrete, por sido që të jetë e veçanta e këtij arti është provokimi, kur ti rrëmbehehs dhe futesh, lundron brenda këtij oqeani ose këtyre ngjyrave.” – thotë Muharremi për KultPlus.

I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe piktori i njohur, Agron Mulliqi i cili e vlerësoi lart artin që ka shpalosur artisti në këtë përmbledhje pikturash.

“Sadri Morina është një djalë shumë punëtor edhe nuk është tërhjekur asnjëherë nga arti, madhështia e artit është vazhdimësia prandaj më vjen mirë që e ka hapur këtë ekspozitë. Ajo që më ka pëlqyer më së shumti është tema që e ka marrë, ajo e galaktikës dhe të cilën ai e ka adaptuar në teknikën e vetë” – thotë piktori Mulliqi duke i uruar më tutje suksese artistit Morina.

Ndërkaq për KultPlus foli edhe vetë piktori Morina i cili e shpjegon konceptin e kësaj ekspozite ku ka paraqitur pikturat në të cilat ai ka punuar që nga viti 2017.

“Njeriu jeton mes dy universeve, atij që funksionon brenda nesh dhe atij që funksionon jashtë nesh. Duke u munduar ta kuptoj veten time, kam arritur të krijoj imazhe të universit jashtë nesh me kontraste të forta, me thellësi ashtu si vetë jeta ime. Jam munduar ta krijoj një formë të re të artit duke e gershetuar abstrakten me realizmin dhe surrealizmin duke sjellë një abstrakt tre-dimensional.” – thotë Morina i cili tregon se veprat e para nga ky koleksion janë shitur në Paris duke e shtyrë atë që të japë më shumë në një energji të tillë. Kurse veprat e tjera artisti thotë se janë zgjedhur me kujdes për këtë ekspozitë.

Ndërkaq, ekspozita ‘Vena vaditëse’ do të jetë e hapur deri më 29 janar. Pikturat janë në shitje dhe të gjithë të interesuarit mund ta kontaktojnë artistin për blerjen e tyre./ KultPlus.com

Sot në KultPlus Caffe Gallery hapet ekspozita ‘Vena vaditëse’ e artistit Sadri Morina

“Vena vaditëse” është titulluar ekspozita e Sadri Morinës, e cila do të prezantohet në KultPlus Caffe Gallery.Ky titull vjen si shpërfaqje e inspirimit të artistit në këtë cikël të punimeve artistike, që në këtë ekspozitë do të prezantohet me 11 sosh.

“Arti im bazohet në besimin e një energjie universale që përshkon çdo gjë: nga insekti te njeriu, nga njeriu në spektër, nga spektri në bimë nga bima në galaktikë. Veprat e mia janë venat vaditëse të këtij lëngu universal. Përmes tyre ngjiten lëngjet stërgjyshore, besimet origjinale, akumulimet fillestare, mendimet e pavetëdijshme që gjallërojnë botën, është përshkrimi i autorit mbi këtë ekspozitë.

Ju ftojmë që të jeni pjesë e kësaj ngjarje kulturore që mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, ku nëpërmjet ngjyrave dominuese në artin e Morinës, mund të zbutni ngricat e muajit janar. Ekspozita do të hpet sot nga ora 18:00 dhe do të rri e hapur deri më 29 janar. Kurse veprat e kësaj ekspozite janë edhe në shitje./ KultPlus.com