Pa kulm mbi kokë por me shumë shkëlqim, Pafika e jonë me shpirtin e sopranos Adelina Paloja

Ardianë Pajaziti

Pafika e Gocës së Kaçanikut nuk e ka komoditetin  e artisteve të operave të shteteve të zhvilluara, të cilat shijojnë edhe shumë repriza të një shfaqje operistike dhe kalojnë prej njërës në tjetrën shfaqje. Pafika jonë hoqi gërshetat menjëherë pas reprizës së dytë të shfaqjes “Goca e Kaçanikut”, ‘armët’ e shfaqjes dhe u nis për në Pejë, për të vazhduar rutinën e mëhershme, për të mbajte mësim me studentët e muzikës. Sepse, një soprano në Kosovë nuk është vetëm një soprano, për faktin se nuk mund të mbijetojë si e tillë. Një soprano në Kosovë mund të jetë një soprano, mund të jetë edhe një profesoreshë, mund të jetë pjesë e korit shtetëror, mund të jetë pjesë edhe e një projekti tjetër të jashtëm, por asesi nuk mund të jetë vetëm një soprano që mund ta shijojë magjinë e një shfaqjeje edhe për një kohë, edhe përkundër sakrificës e mundit të madh, që në fund audienca me shumë dashuri t’ia shtojë epitetin e dashur “Pafika jonë”.

Pafika jonë nuk i ka mbajt provat në sallën ku edhe është dhënë premiera, sepse Pafikës sonë ende nuk i është ndërtuar shtëpia e saj. Pafikës sonë dhe krejt trupës përcjellëse të shfaqjes “Goca e Kaçanikut” i është dashur të ushtrojnë në Sallën e Kuqe të Prishtinës, e më pas të barten për premierë dhe reprizën e parë në një sallë private, ku vetëm me provën gjenerale, shpejt e shpejt u është dashur të përshtaten me formatin e skenës së re.

Pafika jonë nuk ka pas një dhomë personale në prapaskenë, edhe përkundër peshës së madhe si artistja kryesore e shfaqjes, po prapa perdeve me gjithë trupën e shfaqjes, ata disi struken në qoshe të prapaskenës, e brenda pak minutave duhet të shndërrohen në shkëlqim të saj.

Kjo është Pafika jonë, që shpërfaqë në të njëjtën kohë edhe suksesin edhe sakrificën, edhe buzëqeshjen edhe trishtimin, edhe shkëlqimin në skenë edhe vuajtjet prapa skenës, por e lumtur, shumë e lumtur, për faktin se pikërisht asaj i është besuar ky rol historik për Operën e Kosovës, e cila vazhdimisht do të kujtohet si sopranoja që hapi perdet për këtë institucion me një shfaqje operistike kombëtare, institucion që mëton që në vitet në vijim ta ketë shtëpinë e saj operistike.  

E lodhur nga rruga, pas kthimit prej Pejës ku kishte mbajt mësim me studentët e saj, sopranoja Adelina Paloja përderisa fliste me mua, më thoshte se ende po e ka ndjesinë e gërshetave, e besa edhe shumë shpesh po prek brezin e saj, në kërkim të armëve (rekuizita të shfaqjes) .

“Më mungon Pafika”, thotë duke qesh Adelina Paloja, e cila nuk e fsheh kënaqësinë e suksesit të dy mbrëmjeve kur edhe e shfaqën shfaqjen “Goca e Kaçanikut”, shfaqje kjo me muzikë të Rauf Dhomit, regji të Nikolin Gurakuqit, libret të Jusuf Buxhovit e Ajmone Dhomit.

Adelina Paloja nuk ishte fare në këtë botë kur kompozitori Rauf Dhomi para 53 viteve e kishte rrumbullakuar këtë shfaqje operistike, por as kur para 45 viteve ishte shfaqë për herë të parë në Tiranë. Dhe se një rol i tillë do ti besohej pikërisht vajzës nga qyteti me ajrin më të ndotur të Kosovës, Obiliqit, por që po ky qytet çuditërisht ka nxjerr një artiste me zë kaq të kristaltë. Dhe se do ti shkonte roli i Pafikës, jo të gjithë e kishin perceptuar, vetëm për një fakt, se disa menduan se Adelina Paloja ka një fytyrë shumë të butë për karakterin e Pafikës, sepse Pafika në këtë shfaqje paraqitet si një vajzë lozonjare e deri te heroina, dhe kësaj të fundit i druheshin. Por Adelina Paloja përgjatë intervistës kujtoi fjalët e kompozitorit e regjisorit të shfaqjes: Edhe kompozitori Rauf Dhomi, edhe regjisori Nikolin Gurakuqi, të dy të nesërmen më thanë ‘Kjo është Pafika jonë’.

Po jo vetëm shtëpia operistike u mungon këtyre artistëve. Edhe shkollimi i tyre, literatura lë shumë për të dëshiruar. Adelina Paloja tregon për KultPlus se për herë të parë për shfaqjen operistike “Goca e Kaçanikut” kishte dëgjuar përgjatë shkollimit, por vetëm si literaturë, nuk kishin pas rast si studentë që të dëgjonin ndonjë notë nga kjo shfaqje operistike.

“Në momentin kur është vendosë që të punohet për këtë shfaqje, atëherë edhe është filluar të punohet në përpunimin e shfaqjes, sepse ishte një botim i vjetër dhe mezi shiheshin notat”, ka thënë Plaoja.  

Ajo vazhdon ta konsiderojë rolin e Pafikës si rol të një shfaqje historike për Kosovën, dhe se ndihet me fat që pikërisht ky rol i është besuar asaj. “Ndonjëherë e ke përshtypjen që karriera e juaj nuk përcillet sa duhet nga të tjerët, sidomos nga profesionistët. Po pikërisht rrugëtimi i artistit nëpër shfaqje të tilla, si brenda dhe jashtë vendit, rrumbullakojnë mozaikun e suksesit dhe të ofrohen edhe role të tilla. Mendoj se mu për këtë arsye mu ofrua roli kryesor i kësaj shfaqje, sepse kanë parë performancat e mia të shumta”, ka thënë Paloja, e cila e vetëdijshme për peshën e shfaqjes, tregon për hezitimet që kishte në fillim, por dëshira dhe dashuria për këtë shfaqje, sipas saj kanë triumfuar në pranimin e rolit, dhe që sipas Palojës mbetet vendimi më i mirë që ka marr në karrierën e saj artistike.

“Ne si artistë kemi pas mundësi që të performojmë me vepra botërore, por asnjëherë më nuk do të përsëritet shfaqja e parë operistike kombëtare e Kosovës.  Kjo shfaqje për jetë do të mbetet në histori, dhe për mua nuk do të kishte një moment më briliant.  Rolit të Pafikës ia dhash hakun, e po besoj që edhe muzikës operistike kosovare”, ka thënë Paloja.

Sopranoja Paloja është e lumtur për këtë prurje operistike, shfaqje kjo që ka përfshirë solistë të rinj e energji të re.

“Po uroj që Opera e Kosovës të shihet me shumë prioritet, në mënyrë që solistët të angazhohen sa më shumë. Edhe pse arritëm ta realizonim këtë shfaqje, për shkak të kostove të larta që ka një shfaqje, ne e mbyllëm këtë sezon me vetëm dy repriza, në mënyrë që të kthehemi prapë edhe me disa repriza në vjeshtë. E uroj që këto repriza të jenë më të shpeshta, me qëllim që tu jepet shansë të rinjve”, ka thënë Paloja, e cila ka shpjeguar se kjo shfaqje operistike, si e para kombëtare për Operën e Kosovës do të shfaqet edhe në Shqipëri e Maqedoni të Veriut, me qëllim që të prezantohet trupa e Operës së Kosovës edhe përtej Kosovës.

Paloja, e cila qysh e vogël është marr me muzikë, një vajzë që e para në familjen e saj ka qarë rrugën e karrierës artistike, pa pas atë bagazhin e privilegjeve familjare, tashmë është prezantuar edhe në skena të ndryshme të Evropës, e përgjatë këtij viti ka projekte edhe në Austri e Itali. Ajo vazhdon të punojë brenda Kosovës e herë pas herë të lëvizë edhe jashtë shtetit, por asnjëherë se ka parë si opsion që karrierën ta realizojë vetëm jashtë Kosovës.

“Nuk është zgjidhje që secili të synojë për të performuar vetëm jashtë vendit. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se në vendet e jashtme ka shumë shtëpi operistike e shumë produksione, që shumë më lehtë se këtu mund të marrim edhe oferta. Por unë nuk e shoh atë zgjidhje, unë po besoj që institucionet e tona dita ditës po forcohen, dhe me patjetër bashkërisht duhet ti rrisim edhe profesionalisht. Unë do të vazhdoj të kem performanca jashtë vendit, por vetëm me lëvizje, asesi të shkëputem prej Kosovës”, ka thënë Paloja.

Duke kujtuar sfidat e shumta nëpër vite, qysh prej moshës së vogël ku i është dashur ti ndërrojë dy autobus për të ndjekur shkollën e muzikës, e deri të mosha e rritur, ku sipas saj shpesh herë i është bërë e padrejtë, ajo thotë se vetëm këmbëngulja të sjell role të mëdha, sikurse rolin e Pafikës, pasi që, sipas saj padrejtësitë e shumta përgjatë rrugëtimit, sidomos në fushën e artit, pothuajse janë shumë të shpeshta.

Duke bart mbi supe rolin kryesor që shënjon rrugëtimin e Operës Kombëtare të Kosovës, ajo tashmë ëndërron diçka tjetër. Skenat e mëdha prestigjioze sikurse “La skala” apo skena të ngjashme të mëdha, por sipas saj, jo me sforcim, se kërkesat e sforcuara sipas saj asnjëherë nuk e reflektojnë magjinë e skenës, por do të punojë shumë deri në një ngjitje të tillë skenike.

“Sikurse deri më tash që kam punuar pa sforcime, punë e angazhim që më solli rolin më të dashur që do ta ëndërronte çdo artiste, sepse si grua, unë me këtë rol përfaqësova heroinën tonë Pafikën, duke personifikuar shumë vajza e gra heroina shqiptare, e sukses më të madh nuk di që mund të ëndërrojë një artiste, sidomos kur kemi të bëjmë me sukës kombëtar. Pafika më ka plotësuar rrugëtimin në karrierën time artistike, dhe si të tillë do ta ruaj me shumë xhelozi”, ka thënë Paloja, e cila këtë sukses, thellë thellë ia dedikon prindërve e bashkëshortit të saj, që sipas Palojës, vetëm artistët e kuptojnë më së miri sakrificën e familjes, të cilët ndihmojnë aq shumë për një grimcë shkëlqimi skenik./ KultPlus.com

Sibel Halimi për gazetën online për art dhe kulturë KultPlus: KultPlus është medium shumë i rëndësishmë për promovimin e kulturës

Sibel Halimi, drejtoresha e sapo emëruar në Drejtorinë për Kulturë në Komunën e Prishtinës ka filluar pritjet dhe vizitat nëpër institucione, me qëllim të njohjes nga afër me zhvillimet dhe problemet që mund të ballafaqohet sektori i kulturës në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Një pritje të tillë ka bërë për një pjesë të redaksisë së gazetës online për art dhe kulturë “KultPlus”, ku ka pritë drejtoreshën e këtij mediumi Ardianë Pajaziti, redaktoren përgjegjëse Jeta Zymberi dhe përgjegjësen për marrëdhënie me publikun, Liridona Spahiu.

Sibel Halimi në këtë takim ka thënë se KultPlus është një medium tepër i rëndësishëm për promovimin e kulturës, dhe se një bashkëpunim i tillë me redaksinë e KultPlus është më se i domosdoshëm.

Ajo ka treguar gatishmërinë e saj për mbështetjen e zhvillimeve kulturore në cdo segment, dhe se me këtë dinamikë do të vazhdojë deri në fund të kryerjes së mandatit.

Kurse drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti ka thënë se sikurse edhe në vitet e mëparshme, KultPlus do të jetë i hapur për të gjitha ngjarjet kulturore, duke përfshirë edhe ato që organizohen nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Fëmijë shqiptarë e ukrainas realizuan pikturë të përbashkët në KultPlus Caffe Gallery, Makei: Falënderim për mikpritjen kosovare

Gazetarja dhe artistja ukrainase Liudmyla Makei e mbështetur nga KultPlus Caffe Gallery ka mbajte punëtorinë artistike për fëmijët shqiptarë dhe ukrainas, të cilët, në shenjë të 16-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kanë realizuar një pikturë të përbashkët, shkruan KultPlus.

Me dominim të ngjyrës së kaltër, shumë fëmijë të dy shteteve kanë shfaqë talentin e tyre përgjatë kësaj punëtorie, të cilët në në një pëlhurë të përbashkët kanë shkrirë imagjinatën e tyre me ndihmë të Liudmyla Makei por edhe të artistes nga Kosova, Bija Jasiqi.

Kjo pikturë do të qëndrojë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery si shenjë e mbështetjes të grupit të gazetarëve ukrainas që i bën tash e sa kohë kjo galeri.

“Jam e lumtur që po jap këtë kontribut për fëmijët shqiptarë dhe ukrainas, iniciativë kjo që do të ishte e pamundur pa mbështetjen  e Ardianë Pajazitit, drejtoreshë e KultPlus, e cila na mbështeti këtë projekt”, ka thënë për KultPlus, Liudmyla Makei, e cila këtë punëtori e caktoi me qëllim në ditën e shtetësisë së Kosovës, që të jetë një shenjë mirënjohje për dashurinë që kanë marrë dhe po vazhdojnë ta marrin në këtë vend./ KultPlus.com  

Librat e babës

Ardianë Pajaziti

Librat e babës në familjen tonë ishin një ceremoni në vete. Gjithçka sillej rreth librave të babës. Nuk mbaj mend të ketë qenë ndonjë temë më e shpeshtë se sa ajo për librat, rreth librave dhe me librat.

Edhe kërkimet brenda shtëpisë kanë pas pikë reference librat e babës. Ku janë syzet? – te librat e babës; Ku janë dokumentet? te librat e babës; ku, ku, ku-  ka pas gjithmonë një përgjigje të njëjtë në shtëpinë tonë, te librat e babës.

Ky ishte komunikimi më i zakonshëm për familjen tonë. Librat e babës ishin bërë pjesë e jona, si të ishin qenie të gjalla.

Dhe ne asnjë nuk i referoheshim si bibliotekë, po krejt ato libra tashmë kishin marr epitetin “Librat e babës” se me të vërtetë ishin të babës.

Panairi i librit dhe blerja e një libri të ri ishte solemnitet për të. Kurrë se kam pa babën që një libër të ri ta merr me nguti. Vështrimi i tij mbi kopertinën zgjaste më shumë se sa duhej. E shikonte sikurse ta kishte dizajnuar vet, dhe se nëse Shtëpia Botuese ta ketë lëshuar ndonjë gabim. E krejt vonë, vonë pas një soditje të gjatë, ai fillonte ta shfletonte me një kujdes, që nuk e kam pa te një tjetër.

Baba lexoi shumë, deri në fund të jetës së tij. Disa prej librave i kanë mbete pa lexuar fare, ato nuk e patën fatin që të përzienin aromën e letrës me aromën e babës. Nuk do të mbeteshin në gjendje të tillë, sikur mos të kishte problemin me sy. Me një palë syze goxha të rënda, me ndihmën edhe të një llupe dhe me përshtatjen e rrezeve të diellit në rreshtat e librit, bukur sfidues, baba vazhdoi leximin e librave të tij deri në fund te jetës së tij.

Dhe tashti, sa herë që shoh një bibliotekë, e kam fjalën për bibliotekat personale, në shikim të parë më duket një bibliotekë e zakonshme, një bibliotekë e pluhurosur ose e pastër, por në fakt, këto biblioteka janë thesar të paçmuar, sepse, nëpërmjet kësaj biblioteke njoh shijen e personit që ka blerë përgjatë gjithë jetës së tij/saj, ndjej aromën e librit, diku-diku edhe aromën e personit koleksionues, shoh ndonjë shënim aty këtu: datë, vend, diku-diku ndonjë dedikim, dhe fletët e zverdhura të kohës, që dëshmojnë vjetërsinë.

Pata fatin të rritem në mes të librave, duke qenë vajza e një adhuruesi të madh të librit. Ku shumicën e shkrimtarëve, sidomos emrat, i mësova përtej moshës së vogël që kisha. E më pas të thellohesha edhe në krijimtarinë e tyre.

Të kesh fatin të rritesh mes librave është edhe një përparësi tjetër, se qysh herët e sofistikon shijen, jo se ti ke shije të hollë, por ke një gjeneratë para teje që të mëson të jesh një seleksionuese e thellë.

Sepse, në këtë kohë dinamike, ti falësh kohën një ‘libri’ apo ‘autori’ nuk është vetëm humbje kohe, është shtrembërim i shijes, e sidomos për ata që janë në ndërtim e sipër të përzgjedhjes së autorëve, zhanreve…

Po sikurse që ka përparësinë të rritesh mes një biblioteke, ka edhe defektin tjetër. Në raport me librat e babës kam një obsesion ta pashpjeguar. Librat e tij nuk dëshiroj që ti prek dikush tjetër. Mes tyre, përpos aromës së vjetërsisë së librit, më ngjason që nuhas edhe aromën e tij. Deri sa shpalosë fletët e librave, kam ndjesinë se më puqen prekjet me prekjen e tij. Dhe jo një gjësend tjetër ta jep këtë ndjesi, ku përpos tregimit që të sjell po ai libër, të sjell kujtimet e shtëpisë së vegjëlisë, hijen e rënd të babës dhe diskutimin për librin.

Më mësoi se si duhet të jemi të rreptë me përzgjedhjen e librit, përzgjedhjen e autorëve. Fatkeqësisht, jo të gjitha librat janë libra që vlen të shpenzohet për to, sikurse që ka libra që do të dëshiroje me çdo kusht ti kesh pjesë të bibliotekës.

Unë i përulem babës, se ai më ndërtoi një shije të mirë për librin, më ndërtoi një lidhje të mirë me librin, dhe ajo më e rëndësishmja, edhe përkundër faktit që nuk është më në mesin tonë, unë ende kam kontakt me të, po nëpërmjet librit. Dhe, sa herë që diskutohet për librin, unë humbem në mendime. Copëza të diskutimeve me të, gjithnjë dhe gjithmonë janë më dominuese se çdo diskutim në tavolinat e ditëve të sotme./ KultPlus.com

Elbenita Kajtazi shkëlqeu në mbrëmjen artistike “Ta zbardhi ftyrën”: Kosova ka qenë e vogël për ëndrrat e mia të mëdha

Era Berisha
Fotografitë: Arlind Gashi

Edicionin e tij të gjashtë, projekti magjik i Prishtinës “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, e që sjell artistët më të suksesshëm shqiptarë nëpër botë, mbrëmë e shënoi me një interpretim me shumë emocione nga sopranoja e njohur shqiptare, Elbenita Kajtazi, e cila u shoqërua nga pianistja e mirënjohur Camille Lemonnier dhe Kori i grupit të fëmijëve “Okarina”.

Nëpërmjet perlave shqiptare dhe ato gjermane, këndshëm të përzgjedhura në një mënyrë të përsosur, mbrëmja ka kulmuar me zërin e Kajtazit, e cila si asnjëherë më parë, derdhi gjithë dashurinë, mallin, talentin e vuajtjet ndër vite, nga zëri i saj i ëmbël, për të krijuar një atmosferë që s’harrohet dot më.

Këngët e kënduara ekskluzivisht kanë ardhur në një formë të atillë që bëri që gjithë salla të jehojë me duartrokitje të kohëpaskohshme të publikut. Pasioni i saj qysh nga fëmijëria, duket se nuk ka humbur e nuk do të humbasë deri në frymën e fundit, andaj audienca përjetoi një mbrëmje ku interpretimi nga shqiptarët e suksesshëm në botë, për shqiptarët, ka dalë përtej limitit, shkruan KultPlus.

Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka mirëpritur një numër tejet të madh të të pranishmëve që enkas kanë ardhur për të dëgjuar zërin e rrallë të sopranos Kajtazi.

Fytyra të reja, njerëz të moshuar dhe mosha nga më të ndryshmet, kanë mbushur hapësirën qosh më qosh. Dalja në skenë e artistes Kajtazi dhe korit “Okarina”, ka qenë diçka që mezi prisnin të ndodhte. Të pranishmit kanë përjetuar një mbrëmje të paharrueshme, duke marrë parasysh edhe ambientin e ngrohtë të krijuar nga reflektorët me ngjyrë të kuqe, kaltërt e bardhë në prapavijë dhe ato të ngrohtat në pjesën e tavanit që kanë ndihmuar në përcjelljen më të pastër të gishtërinjve të pianistes Lemonnier dhe qëndrimit të Korit “Okarina”.

Teksa ora po shënonte 20:00, duartrokitjet e shumta zënë vendin për të hapur këtë mbrëmje që u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës. Padurimi për të parë sa më shpejt artisten në skenë, qe e lartë, dhe kjo më së miri vërehej në sytë e çdokujt që lëvizte kokën majtas e djathtas.

Moderatorja, Fëllënza Çitaku, qe ajo që bëri hapjen e kësaj mbrëmjeje plot gjallëri.

“Një mbrëmje e jashtëzakonshme kulturore në kryeqytetin e Kosovës. Një mbrëmje që sjell magjinë e artistëve shqiptarë të suksesshëm në botë, magji që ata shpalosin para publikut të tyre nëpërmjet këtij formati. Sonte “Ta zbardhi ftyrën” do të mirëpresë në skenë një emër të madh të artit, një artiste e shquar e cila ka shfaqë talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës. Është fjala për sopranon Elbenita Kajtazi.”

Ndërkaq, hapjen zyrtare të edicionit të gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” e nisi drejtoresha e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila ka shprehë mirënjohjen për gjithë këta artistë të suksesshëm shqiptarë, që asnjëherë nuk i kanë thënë jo ftesës së KultPlus.

“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur, kësaj mbrëmjeje i keni dhënë magji me prezencën e juaj dhe Elbenita e ka dëshiruar këtë mbrëmje, sepse ajo është mësuar me skena prestigjioze, por ka nevojë për ngrohtësinë e vendit të vetë. “Ta zbardhi ftyrën” është një format shumë i veçantë për stafin e KultPlus, është një format që sjell artistë nga vende të ndryshme të botës. Në edicionin e parë, nga Amerika kemi sjell Sislej Xhafa, nga Parisi, Imer Kutllovci, nga Vjena, Flaka Goranci, pastaj Erza Muqollin nga Parisi, Gjon’s Tears nga Zvicra, Gëzim Myshketën e kemi sjellë nga Milano e Elbenitën nga Gjermania. Elbenita vjen nga ato skenat magjike në një vend ku ende mungon salla prestigjioze. Unë jam shumë e lumtur që kam arrit me i sjell këta emra së bashku me ekipin e KultPlus-it, ekip që edhe tash është duke punuar brenda kësaj salle. Shpesh them që Kosova ka pasaportën më të pafuqishme në botë,  por këta artistë na krijojnë një pasaportë më vete. Jemi shumë me fat që kemi nxjerr artistë kaq të mëdhenj. Unë ju uroj një mbrëmje shumë të këndshme, shijojeni”, ka thënë Pajaziti.

Në emër të Komunës së Prishtinës, për një fjalë rasti doli edhe Pëllumb Bajqinovci, i cili i uroj gazetës KultPlus, suksese të mëdha tutje.

“Ardianë, përgëzime për gjashtë vite, është me të vërtetë e vështirë pasi që kultura në kryeqytet në përgjithësi në këto vitet e fundit ka pësuar një ulje dhe ka nevojë për evente të tilla. Mendoj që gjashtë vite me artistë të mëdhenj por shqiptarë, e madhështon këtë ngjarje. Ne me në krye me kryetarin Përparim Rama, do të bëjmë çmos që ngjarjet e tilla të jenë prezente edhe më shumë. Gjeneratat e reja duhet të mësohen me art dhe kulturë të nivelit më të lartë, andaj juve KultPlus ju dëshiroj sukses”, ka thënë ai.

Pas këtij fjalimi, në sallë mbizotëruan brohoritjet dhe u krijua një energji e hatashme, kur sopranoja Elbenita Kajtazi doli në skenë, e shoqëruar më pastaj edhe nga pianistja Lemonnier. Mbrëmja u zhvillua fillimisht me një rrëfim jetësor dhe më pastaj me këndime, që krijuan kujtime të paharrueshme. Sopranoja Elbenita Kajtazi ka rrëfyer shumëçka nga jeta e saj qysh nga fëmijëria e deri më sot, copëza që kanë ndërtuar po këtë Elbenitë, po këtë shkëlqim të kësaj artisteje që po mbërthen teatro të mëdha nëpër botë.

Tutje, në një bashkëbisedim me moderatoren, Fëllënza Çitaku, sopranoja Kajtazi ka thënë se dashuria për vendin e saj është krejtësisht tjetër. Ajo tha se nëpër shfaqjet nëpër botë, ndjen respekt shumë të madh për publikun që vjen dhe i përcjell shfaqjet por këtu ajo ndjen një dashuri të pakrahasueshme për publikun, andaj dallimi për të është i dukshëm.

Biletat për koncertin ishin rezervuar brenda vetëm ditëve. Dhe krejt kjo për vajzën që vjen nga Mitrovica, një talent që siç e thotë edhe ajo vetë: buron nga uji i Ibrit.

Është kënaqësi shumë e madhe të jem këtu,  sepse mua më mungon shumë publiku i Kosovës, por nuk kam kohë të vij më shpesh. Gjithmonë i gjej disa momente të veçanta dhe vij gjithmonë me shumë qejf. Këtu çdonjërin në publik e njoh dhe është ndjenjë e mrekullueshme. Është kënaqësi me këndu për ata njerëz që ma kanë zgjatë dorën të parët dhe për mua është emocion i papërshkrueshëm. Këtë dashni mundohem me e dërgu në krejt botën, andaj suksesi është prezent”, ka thënë Kajtazi.

Me imazhet në ekranin në prapavijë që ndërroheshin kohë pas kohe, audienca hyri në fëmijërinë e Kajtazit, duke njohur edhe qoshet më të vogla të saj. Fotografia e parë shpërfaqi Elbenita Kajtazin si shitëse të qumështit, një fotografi e largët në kohë, por që sjell shumë emocion te artistja e skenave të mëdha, që Kosovën e bart tatuazh në krahun djathtë të saj.

“Flokët na i patën pre në luftë, megjithatë është një moment shumë i bukur i jetës sime. Para pak kohe, fotografinë ma dërgoi po kojshia që ia pata dërgu qumështin. Pas fotografisë qëndron një histori dhe dua ta ndaj me ju. Ishte një dasmë dhe unë isha duke e dërguar qumështin që më duhej t’a shisja. Dhe para disa kohe isha në Hamburg duke gatu, dhe për një moment më cingëroi telefoni, ma dërgoi po këtë fotografi, dhe fillova me qajtë kur e pashë fotografinë. Ne nuk kemi pasë shumë, por kemi pasë shumë dashni dhe me shumë qejf e kam dërgu këtë qumësht. Kam shumë dashni për kafshët dhe ato lopët që i kemi pasë, unë i kam dashtë shumë”, shpjegon sopranoja Kajtazi historinë e kësaj fotografie ku na shpërfaqë Elbenitën si shitëse të qumështit, dashurinë e saj për lopën, kafshë që u ka ndihmuar në mirëqenien e familjes së Elbenitës, por edhe krijimin e kontakteve me fqinjët, duke shitur qumështin në lagje.

Sipas saj, ajo kohë është një kohë që e ka bërë Kajtazin atë të cilën është sot. Kajtazi tutje u shpreh se ka dëshirë të flasë vetëm për kujtime të mira sepse ato të këqijat që janë përjetuar në luftë, secili i din dhe nuk ka nevojë me u përkujtu. Por, ato kujtime zakonisht i përmendin gjithmonë me shumë vendosmëri nëpër botë, nëpër çdo intervistë që ajo jep nëpër gazeta.

“Moment tjetër që e mbaj mend me shumë dashni është kur e kemi marr viqin e asaj lope dhe e kemi vendos në gepekun e kerrit. S’patëm mundësi me e mbajtë më dhe na u desh t’i hiqnim të dyja. Rrugës për Drenicë, viqi ish prapa neve, unë edhe tri motrat në kerr, babai dhe nëna para neve. Na ndali KFOR-i francez, për një moment ne u munduam mos me e lanë viqin me qu kryet por e qoi kryet. Ky është një nga momentet më të bukura të jetës sime,  sepse pastaj na dhanë rroba, dhe ne arritëm tek halla, të lumtur të gjithë”, ka thënë Elbenita për shpjegimin e fëmijërisë së saj.

Një foto tjetër doli në ekran dhe në atë foto, ishte e gjithë familja e Kajtazit, të buzëqeshur e të kapur për njëri-tjetrin.

“Këtu jemi të gjithë së bashku. Për mua, vlera më e madhe është familja ime. Meqenëse, fëmijëria ime më është cenu gjatë luftës, nuk mendoj që kam qenë fëmijë ndonjëherë. Gjithmonë kam mendu si e rritur, andaj në shtëpi motrat dhe vëllau më thërrasin ‘bac’. Edhe prindërit e mi të mrekullueshëm, kanë sakrifikuar shumë, por me shumë mundime na kanë rritë e na kanë shkolluar. Unë i kam pesë motra dhe një vëlla. Unë jam shumë krenare për motrat e mia. Motra ime e dytë është avokate që punon në Nju Jork, motra ime e tretë largon bombat e Luftës së Dytë Botërore në Hamburg, motra ime e katërt ka lindë në ditën që ka përfundu lufta në Kosovë dhe për momentin është duke studiuar regji të Operës dhe piano në Hamburg, motra e pestë ka përfunduar për infermieri dhe motra e gjashtë është duke përfunduar për infermiere, kurse vëllau im, Bardhi, dëshiron të shkoj në Amerikë.”

Ndonëse nuk kanë pasur edhe shumë fotografi në sitrarin e familjes, sopranoja Kajtazi e ka zgjedhë atë fotografi pikërisht ku aty shihen buzëqeshjet e secilit dhe e mban mend si moment shumë të bukur. Ajo ka thënë se prindërit e saj janë shembuj se si duhet të edukohen fëmijët.

“Babai im çdo javë ka ardhë në shkollën e muzikës me ditë se çfarë po bëj. Kurse nëna ime është po ajo grua që më ka inkurajuar për mësim. Nëse më ka parë duke punuar tentene, të njëjta mi ka shti në zjarr, sepse më ka thënë që librat janë për mua, dhe jo tentenet. Nëna më ka thënë që duhesh me lanë një pikë në këtë botë, duhesh me qenë e pavarur.”

Rrugëtimi nga Mitrovica në Prishtinë

Sopranoja Kajtazi më pas para të pranishmëve kujton ëndrrat e saj për Prishtinën, po për atë Prishtinë që nuk i përmbushi ëndrrat e saj.

“Kur kam qenë në Mitrovicë mendoja se si të arrij në Prishtinë, se a thua si do të jetë, dhe kur arrita aty mua më pëlqeu gjallëria e qytetit, por gjithmonë më ka mungu Mitrovica. Gjithsesi, kohën e studimeve e kam pas me shumë turbulenca emocionale. Kam qenë studente e mirë, por mu ka dukur pak Prishtina. Kosova ka qenë e vogël për ëndrrat e mia të mëdha. Nuk ka qenë e vështirë që unë të angazhohesha në Filharmoninë e Kosovës, por në të njëjtën kohë, përgjatë studimeve, prej gjithë profesorëve të fakultetit, ne kemi mësuar shumë dhe kemi qenë si shpuza, duke thithur informacione”, ka thënë Kajtazi, e cila po prej skenës bëri edhe një thirrje sa i përket po Fakultetit të Arteve. Sipas saj, ky institucion ka nevojë për një rigjenerim total, pasi që sipas saj,  artistët duhet ta kenë hapësirën e duhur për të studiuar. “Sepse unë për vete shumë shpesh kam hyrë në depresion dhe të gjitha gjërat më janë dukur gabim. Pritshmëritë e mia kanë qenë shumë të larta dhe pastaj kur nuk kam hasur në ato, jam dëshpëruar shumë”, ka thënë Elbenita po për periudhën e studimeve në Prishtinë.

Dashuria e saj, Ardiani

Dhe ndërtimi i karrierës opersitike do të ishte i pamundur pa mbështetjen e partnerit të saj, Ardianit, që sipas Elbenitës, bashkë më të i ka ndërtuar ëndrrat.

“Unë dashurinë time të jetës e kam takuar në Mitrovicë. Në shkollë të mesme, Ardianin e kam taku dhe e kam vërejtur se është djalë shumë i mirë. Ne kemi fillu lidhjen në bankat e shkollës së rokut në Mitrovicë. Ai është një person shumë i rëndësishëm i jetës sime, ai është shtëpia ime dhe qetësia ime. Asnjëherë se harroj momentin kur ishim të ulur dhe më pyeti për një katalog që e mbaja me vete të Maria Callasit, dhe më pyeti se kush është, iu përgjigja duke thënë se është diva e Operës dhe unë do të bëhem si ajo. Unë kam ëndërruar shumë dhe dore përdore ne jemi ngritur së bashku, por kemi pas edhe momente shumë të vështira, pasi që kemi qenë të ndarë për një kohë të gjatë për shkak të studimeve”, ka thënë Elbenita, e cila falënderuese ishte për Ardianin edhe nga skena e Prishtinës, duke shpjeguar se edhe pse nuk ishte i pranishëm në skenë, ai ishte i pranishëm me punën për këtë mbrëmje, pasi që, aranzhmanin e dy këngëve të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, ishin realizuar po nga Ardiani.  

Ermonela Jaho – drita e fundit e tunelit

Në pjesën e bashkëbisedimit me Elbenita Kajtazin, e pashmangshme ishte paraqitja e fotografisë së sopranos së famshme Ermonela Jahos, që për Elbenita Kajtazin vazhdon të jetë motra e saj e madhe, pasi që, ajo vazhdon të jetë mbështetësja më e madhe në karrierën operistike.

“Unë Ermonelën e ndjej si motër. Ajo e ka një vend të veçantë në zemrën time, sepse e kam takuar në një prej momenteve më të vështira psikologjike të jetës sime. Ka qenë viti i fundit i studimeve, dhe kur erdhi ajo për një koncert, unë paraprakisht i pata thënë nënës se doja ta lija punën e studimeve. Në atë moment në televizion, kishte intervistë Ermonela dhe në atë kohë ajo debutoi në Londër, dhe unë e shihja me admirim ngaqë nuk e kisha njohur më herët. E dëgjova intervistën dhe më la përshtypje shumë intervista. Në atë moment nëna më tha pse nuk po kontakton me të, dhe e bëra pas insistimit të saj. E lash telefonin mbi piano, dhe derisa isha duke dalë prej dhomës, mora përgjigje menjëherë nga ajo. Ajo më dha shpresë të madhe dhe ajo mbetet për mua drita në fund të tunelit”, ka thënë Kajtazi, e cila fuqishëm ka vazhduar me bindjen se nëse për ëndrrat e tua punon fortë, do ia dalësh.

Karolina dhe Vera – shtyllat e forta të jetës

Dhe pos Ermonela Jahos, edhe dy gra të tjera kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për Elbenita Kajtazin. Karolina dhe Vera vazhdojnë të jenë çelësi i suksesit të sopranos shqiptare, e cila edhe më tej vlerëson përkushtimin e tyre në ndriçimin e karrierës së saj.

“Ndodhi një masterklasë në Kosovë dhe u zgjodha si studente që me shku në Amerikë. Atje takova Verën, ajo është regjisore dhe puna me të ka qenë shumë e thellë, shumë emocionale. Ajo e dalloi talentin tim e më tha se kam potencial, dhe më luti  që të marr një vizë për Evropë. Më premtoi që do të mi organizoj audicionet. Falë Verës, unë jam këtu ku jam, kam depërtuar në vende të ndryshme. Në anën tjetër, Karolina është profesoresha ime gjermane e këndimit që 15 vite. Ajo e bën një punë të shkëlqyer me këngëtarët operstikë si në Kosovë e Shqipëri, e që shumë njerëz nuk e dinë. Ajo i merr këngëtarët mbi supet e veta, i ushqen dhe i ushtron pa asnjë cent. Falë saj, unë jam këtu ku jam. Andaj, e falënderoj shumë, sepse është një pjesë e rëndësishme e muzikës klasike në Kosovë.”

Shtëpia operistike në Prishtinë – ëndërr e venitur

Dhe ëndrrat për një artist janë më se të natyrshme, por Kajtazi një ëndërr të venitur e quan ndërtimin e një salle operistike në Kosovë.

“Unë nuk pushoj së ëndërruari, por një ëndërr që e kam pikë është me këndu në shtëpinë operistike në Prishtinë. Gjithë ëndrrat e tjera kam përshtypjen se do të realizohen, por kjo është e vetmja ëndërr që shpresën e kam pak të venitur. Nuk e di se a do të bëhet, por këtë e ëndërroj”, ka thënë ajo.  

Titulli  “Ambasdore nderi”, ndarë nga presidentja Vjosa Osmani

Elbenita Kajtazi tashmë kishte mbërthyer audiencën me rrëfimin e saj, dhe natyrshëm ndau me ta edhe për emocionet që i dha presidentja Vjosa Osmani, kur i dha titullin “Ambasadore Nderi”.

“Është një kënaqësi shumë e madhe. Kam një vlerësim shumë të lartë për presidenten Osmani dhe për mua ajo ka qenë inspirim qysh një kohë të gjatë, sepse ka qenë nxënëse e babait tim. Gjithmonë e kam pasur pikësynim me qenë  e edukuar si ajo, e shkolluar. Unë pata një takim me të, dhe shkova aty me babin tim. Më pyeti se a e kam marr pasaportën gjermane dhe i thashë jo.  Sepse ata kërkonin që kjo e Kosovës të më hiqej. Natyrisht, nëse merr pasaportë gjermane, duhesh me e fshi identitetin kosovar dhe unë natyrisht që nuk kam pranu. Tash, në bisedë e sipër presidentja më tha shiko se çfarë duhet me bë për ta arritur atë, dhe ne të ndihmojmë. E pyeta një avokat dhe më tha se nëse në shtetin tënd vlerësohesh si artist i vendit atëherë asnjë shtet në botë nuk ka të drejtë me ta heq shtetësinë. Dhe, tashmë sot i kam tri pasaporta, të Kosovës, Shqipërisë dhe Gjermanisë”, ka thënë Kajtazi, artistja që dikur kishte problem për një vizë e tashmë posedon tri pasaporta.  

Eksluzivisht për KultPlus

Dhe se puna do angazhim, dhe se angazhimi të bën ëndrrat realitet, Elbenita e dëshmoi në këtë rrëfim me ndarjen e një ekskluzivieti, që për ta jetësuar këtë ëndërr, punon tash e 15 vjet.

“Në sezonin e ardhshëm do të këndoj në Operën Shtetërore të Vjenës. Që 15 vite jam duke punuar për me arrit aty dhe më në fund e arrita”, ka shpalosur Kajtazi në fund të krejt bisedës, bashkëbisedim që tregoi për fëmijërinë e saj, sfidat, sukseset, ëndrrat, pengesat dhe triumfin.

Më pas, me një video mesazh është lajmëruar baritoni Gëzim Myshketa, protagonisti i edicionit të vitit të kaluar të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” i cili ka përshëndetë organizatoren Ardianë Pajaziti, mysafiren Elbenita Kajtazin dhe gjithë të pranishmit.  

“Mirëmbrëma Kosovë, mirëmbrëma Prishtinë. Ju përqafoj të gjithëve,  por në veçanti Ardianë Pajazitin, e cila është një mike e shtrenjtë që u bë shkas për një mbrëmje, emocionet e së cilës i mbaj akoma thellë në shpirt, edhe pse ka kaluar një vit nga edicioni i pestë i ‘Ta zbardhi ftyrën’. Kam marr vesh me shumë kënaqësi që kjo mbrëmje i dedikohet sopranos me vlera të jashtëzakonshme, siç është Elbenita. E re nga mosha, por me një karrierë të shkëlqyer. Kam në kujtimet e mia momentet e para të takimit tim me të dhe nga ai moment dallova talentin e saj, dëshirën e saj për të kënduar. Mikja ime, të uroj suksese. Ju përqafoj me shumë mall, toka ime e shtrenjtë”, ka thënë mes të tjerash Myshketa.

Tashmë, dukej se çdo gjë ndali dhe erdhi koha për të shijuar deri në maksimum zërin e veçantë të sopranos Elbenita Kajtazi. Notë pas note, lëvizje pas lëvizje, ajo na dhuroi një mbrëmje që doli përtej imagjinatës. Duke kënduar vepra të mëdha siç është ajo gjermane “Për të gjithë shpirtrat”, një këngë që u dedikohet jetëve të humbura në luftë, deri tek kënga e dytë nga opera Manu, një rol që i ka dhënë asaj suksesin më të madh në jetë, e deri tek këngët shqipe si: Mallëngjimi, E duam lumturinë dhe Për ty atdhe.

Kënga “Mallëngjimi” nxori në skenë edhe një artiste tjetër, ku me ftesë të Elbenita Kajtazit, Zana Abazi Ramadani interpretuan këtë këngë, të cilat shkëlqyen dhe sollën shumë emocion tek publiku.

“Çdo kangë shqipe ma dridhë zemrën”, ka thënë Kajtazi para se të marr skenën e t’a pushtoj atë me gjithë qenien e saj.

Ndërsa, në këtë mbrëmje krejt në fund ajo ndau një kujtim që e kishte nga fëmijëria e saj.

“Kur kam qenë e vogël kam fillu me këndu në shkollën Ismail Qemali në Mitrovicë, aty ku ka dhënë mësim babai im në lëndën e gjeografisë. Gjithsesi, këngën “Lumturia” e kam këndu shumë herë në korin e shkollës dhe si e vogël e kam mendu që një ditë në jetën time do e marr korin e fëmijëve dhe do e këndoj këtë këngë. Andaj, sonte kam kënaqësinë që dy këngë t’i këndoj me Korin e fëmijëve ‘Okarina’.”

Si një buqetë me lule plot, ishin fëmijët që këndonin njëzëri me sopranon Kajtazi. Fotografitë e shumta, buzëqeshjet e pandalura u dalluan në moment. Prindërit krenarë që shikonin fëmijët e tyre të performonin, artdashësit e muzikës klasike si dhe asaj pianistike, kanë përjetuar një mbrëmje të paparë.

Për ta shpërblyer sopranon Elbenita Kajtazi me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, në skenë doli drejtoresha Ardianë Pajaziti. Por, nuk mbaroi gjithçka me kaq, pasi që të pranishmit u ftuan në koktelin që ishte organizuar në KultPlus Caffe Gallery, ku sopranoja Elbenita Kajtazi gjithashtu u mirëprit me duartrokitje të forta e ku vazhdoi pastaj takimin me njerëzit dhe nënshkrimin e autografeve e një numër të pafund fotosh me gjithsecilin që shprehte dëshirë për të biseduar me të.

Ndërsa për KultPlus, profesoresha e muzikës, Besa Luzha ka thënë se projekti “Ta zbardhi ftyrën” organizuar nga KultPlus, është një platformë e shkëlqyeshme ku artistët bashkëbisedojnë më së miri.

“Elbenita është një soprano shumë e talentuar, me një zë të bukur e mirë të formësuar, atiste e cila mishërohet me rolin plotësisht, duke qenë shumë emocionale e temperamente. Pra, kur talenti dhe puna, kombinohen me përkrahje e mbështetje, suksesi është i garantuar. Elbenita, Marigona, Graniti e shumë të tjerë, që ishin studentë të UP, tash po korrin suksese në shfaqjet e ndryshme të shtëpive operistike, e neve po na bëjnë krenarë me arritjet e tyre. Një ditë, në të ardhmen e afërt këta artistë do t’i shohim duke performuar në shtëpinë operistike të Kosovës poashtu. Projekti “Ta zbardhi ftyrën” i KultPlus është një platformë e shkëlqyeshme ku këta artistë bashkëbisedojnë për jetën dhe profesionin e tyre, para publikut, për të cilin pastaj artistët edhe performojnë pjesë të zgjedhura, si një format unik. Elbenitës i uroj t’i realizohet ëndërra e saj shtytëse për t’u marr me këndimin-që ajo të bëhet një Maria Kallas e dytë, dalur nga trojet shqiptare e të vazhdojë të na bëjë krenarë ne dhe atdheun që ajo aq shumë e don.”

Po ashtu, dirigjenti Memli Kelmendi potencoi se gazeta KultPlus i ka sjellë një freski artit në Kosovë.

“Dua të përgëzoj Ardianën dhe KultPlus për organizimin dhe freskinë dhënë artit në Kosovë. Me Elbeniten jemi miq që nga studimet, çdoherë e ka dashur suksesin dhe sot ndihemi të gjithë krenarë për Elbeniten dhe suksesin e saj. Ishte një mbrëmje ndryshe prej të tjerave, e shijuam.”

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.

Projekti “Ta zbardhi ftyrën” u organizua nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, dhe kjo mbrëmje është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, Radio Televizioni Publik i Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës, AMC, Coca Cola HBC Kosovo, Ujë Rugove, Frutomania dhe Agrocop. / KultPlus.com

Po afron festa për poetët shqiptarë, hapet konkursi mbarëkombëtar i poezisë ‘KultStrofa”

KultPlus ka hapur sot thirrjen për edicionin e gjashtë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.

Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë  “KultPlus”.

Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme. Ardianë Pajaziti, organizatorja e këtij konkursi dhe themeluesja e KultPlus, ka shprehur se “KultStrofa” mbetet një nga konkurset më të rëndësishme dhe më të nderuara në fushën e poezisë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.

“Për ne, ‘KultStrofa’ vazhdon të jetë një konkurs i rrallë dhe serioz në botën e poezisë. Kjo është e njohur nga poetë të shumtë të shquar, të cilët kanë kontribuar me poezi të jashtëzakonshme në edicionet e mëparshme. Një nga veçoritë që e dallon është përzgjedhja e një jurie profesionale, e cila çdo vit sjell personalitete të shquara në skenës letrare. Këtë vit, kemi emra të fuqishëm, të cilët do të prezantohen në ditët në vijim”, thotë Pajaziti.

Njoftohet se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka bërë të ditur se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa'”.

Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftura në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj. Thirrja mbetet e hapur deri më 26 nëntor 2023 në ora 23:59.  Kujtojmë se KultStrofa sivjet po shënon edicionin e gjashtë./ KultPlus.com

10 vjetori ngërthen në vëmendje figurat ikonike të RTP-së, Prelvukaj: KultPlus është një muze virtual e praktik

Era Berisha
Fotografitë: Nok Selmani

“Shuni se lajmet”, titullohet ekspozita që mbrëmë ka frymuar për herë të parë, krejt ëmbëlsisht në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery. Kuruar deri në detajet më të imëta nga drejtoresha e KultPlus-it, Ardianë Pajaziti, ekspozita na çon prapa në kohën e lajmeve të Radio Televizionit të Prishtinës, një periudhë kjo që ka shërbyer si shtyllë e vetme, prej ku janë informuar qytetarët tanë, me vite të tëra. Nëpërmjet kësaj ekspozite, është shënuar njëkohësisht edhe përvjetori i dhjetë i themelimit të gazetës së parë për art dhe kulturë, KultPlus.  

Tashmë ka kaluar një dekadë, por puna, përkushtimi, e mbi të gjitha dashuria për shkrimin, informimin dhe krijimin e një vendi në të cilin lexuesi ndjehet i sigurtë, ka bërë që këto plotë dhjetë vite, të jenë fole e dashamirëve të artit. Këtë më së miri e dëshmoi mbrëmë edhe ceremonia që mblodhi afër vetes një numër të lartë të komunitetit artistik e jo vetëm. Ata nëpërmjet ekspozitës, përjetuan një rikthim në një kohë ku fytyrat e folësve ikonikë si: Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu, kanë qenë indikatorë në formimin e një mediumi si RTP, shkruan KultPlus. 

Këto figura të shquara, me një pasion të paparë në vete, kanë krijuar një rrugëtim të cilin zor se e harrojmë dot, e prej të cilit janë krijuar qindra kujtime thellë brenda kujtesës së popullit. Nostalgjia, si emocion që rrëqeth deri në asht, ka qenë ajo vija kryesore nëpër të cilën kanë ecur mbrëmë trupat e të pranishmëve. Gjithsej 18 fotografi të vendosura nëpër muret e KultPlus Caffe Gallery, kanë shfaqur fytyrat e personave që kanë prezantuar lajmet, çdo herë, fiks në orën 19:30. Vëzhgimi i fotografive bardh e zi, të ngjallte emocione të llojllojshme. Laramania e tyre të dërgonte direkt tek kohët kur dëgjimi i lajmeve nuk ka qenë edhe gjëja më e bukur e mundshme, por tejet e domosdoshme për secilën familje. 

Kurimi i “Shuni se lajmet” nga Ardianë Pajaziti, e cila vjen për herë të parë në rolin e kuratores, ka qenë tejet unik. Duke shkuar në çdo shtëpi të këtyre personazheve të RTP-së, duke mbledhur çdo fotografi, shpesh edhe të turbullta, për të vazhduar me qartësimin dhe rikthimin e shkëlqimit brenda fotografive, e deri tek një pozicionim i këndshëm i kornizave në mure, është thjeshtë për t’u mahnitur. Në rolin e kuratores, Pajaziti ka çelur një kuti kujtimesh për qytetarët, që asnjëherë nuk ka qenë e mbyllur shpirtërisht për ta.

Përveç hapjes së ekspozitës, u festua edhe ceremonia e një rrugëtimi prej dhjetë vjetëve të KultPlus-it, një rrugëtim ky që ka pasur sfida dhe suksese, një rrugëtim i përkushtuar për të promovuar artin dhe kulturën brenda dhe jashtë Kosovës. Gazeta e parë për art dhe kulturë, KultPlus vazhdon të mbetet një dritare e hapur e fjalës së lirë, një shtëpi e korrektësisë dhe strehë për zhvillimin e kreativitetit individual. 

Nën moderimin e gazetarit e poetit, Arbër Selmani, njashtu si lajmet e kohëve të hershme, nisën edhe disa fjalime fiks në orën 19:30. 

“Unë kam punuar në KultPlus, për gjashtë vite shumë të mira të jetës time. Nëpër këto vite, e kam zhvilluar veten si gazetar, por gjithmonë me ndihmën e shoqes dhe koleges time, Ardianë Pajaziti, e cila na ka mbledhur sonte të gjithëve, këtu. Ju falënderoj secilin që keni gjetë kohën me ardhë, që keni lënë angazhimet anash dhe jeni bashkuar në këtë ekspozitë që lidhet shumë mirë me atë se çfarë bëhet në KultPlus, për këto dhjetë vite”, thotë Selmani. 

Sipas tij, kjo gazetë është përkujdesur që gjithmonë krahas lajmeve të momentit, realitetit, të mos i lë në në harresë as ato figura që ndoshta historia pakëz i ka lënë anash. 

“Jetojmë në një kohë komplet ndryshe prej kohës që paraqitet në këto fotografi”, thotë ai. 

Ndërsa, për këtë mision fisnik të sajin dhe shënimin e 10 vjetorit të gazetës të krijuar nga ajo vetë, kuratorja e ekspozitës, Ardianë Pajaziti është shprehur tejet e lumtur. 

“Faleminderit për prezencën e juaj këtu sonte, sepse ky moment është shumë i rëndësishëm jo vetëm për mua, por edhe për krejt ekipin e KultPlus-it. Unë dua t’i falënderoj edhe të gjithë gazetarët e tjerë që kanë punuar dhe kanë dhënë kontributin e tyre në formësimin e KultPlus-it. Kam menduar që mjaftueshëm jam gazetare por ky vend më ka rritur tejet shumë profesionalisht, duke pasur parasysh që kam hasur në lajme të ndjeshme, në një komunitet shumë të ndjeshëm, siç është arti dhe kultura. Andaj, sa ka përfituar lexuesi, aq ka përfituar edhe ekipi jonë dhe unë së bashku me ta, për plot 10 vite, duke e sjellë KultPlus-in aty ku është sot”, thotë ajo. 

Sipas saj, kjo është hera e parë që i ka dhënë të drejtë vetes për të marrur titullin e kuratores e për të jetësuar ekspozitën “Shuni se lajmet”. 

“Unë këtu po shoh njerëz që e dinë shumë mirë shprehjen ‘Shuni se lajmet’, sepse aq e rëndësishme ka qenë ajo periudha e kohës 19:30. Realizimi i ekspozitës ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për mua, gjithmonë duke e falënderuar familjen e Drita Gërmizajt, që ka qenë realisht një shtysë për pikënisjen e kësaj ekspozite. Drita nuk është në mesin tonë, por kam dashur që fillimisht aty të sigurohem për mbledhjen e këtyre fotografive të vjetra. Së pari, fotografitë janë marrë në një format ‘hardcopy’, pastaj fotografi Hazir Reka ka qenë një ndihmë e madhe për mua, pasi që më ka ndihmuar për t’i qartësuar këto fotografi e për t’i sjellë në nivelin që po i shihni sot”, përfundon Pajaziti.  

I pranishëm në “Shuni se lajmet”, ka qenë edhe prezantuesi i njohur i lajmeve, Mustafë Muçaj, i cili me zërin e tij plot zhurmë e tejet të njohur për veshin e dëgjuesve, ka thënë se tashmë me shumë dëshirë, i lexon lajmet që shfaqen për sukseset e Kosovës, përkundër atyre që ai vetë është dashur t’i lexonte në kohën e RTP-së. 

“46 vjet kam qenë mu në atë karrigen aty në fotgrafi, asnjëherë nuk kam lëviz. Kam pasur oferta të ndryshme punësimi, mirëpo kam mbetur besnik i fjalës dhe njeri i popullit. I kam kalu të mirat e të këqijat me gjithë spektatorët. Përpara, e kemi pasur vetëm një televizion, vetëm një dritare informimi, që niste në orën 19:30, dhe unë i kujtoj shumë mirë krejt këto fotografi e personazhe. Televizioni i Prishtinës dikur dhe ai sot, janë gur themeli i fryteve që ne sot i gëzojmë. Në kohën time, kam luftuar për çdo gjë që ka qenë kundër Kosovës, andaj sot me shumë dëshirë i lexoj lajmet e sukseseve të shtetit tonë”, ka thënë Muçaj. 

Në një prononcim për KultPlus, piktorja Zake Prelvukaj ka thënë se kjo gazetë vazhdon të jetë një muze virtual e praktik. 

“KultPlus është një medium që asnjëherë nuk len që kujtesa të zbehet. Ekspozita ishte mjaft atraktive dhe më se e dëshiruar nga artdashësit, qytetarët e njerëzit intelektualë. Ne jemi rritë me ata persona që kanë prezantuar lajmet qendrore, por atëherë ata kanë pasur një pa-përpunim natyral dhe nuk ka qenë teknologjia që është sot. Kanë pasur thjeshtë, një puro talent për prezantim, andaj kanë krijuar një arkiv të rëndësishme të bazave të para. KultPlus, në anën tjetër është rikthyer me një angazhim publik, mendor dhe një hulumtim të ri të periudhave kohore. Asnjëherë nuk është dorëzuar, edhe pse me ngritjet e uljet e veta. Çdo herë ka prezantuar njohuri të rëndësishme, qoftë nga e kaluara, e tashmja apo e ardhmja. Hulumtimi në terren është i fuqishëm dhe i uroj jetë të gjatë KultPlus-it, sepse puna e tyre është e domosdoshme për rrethin në të cilin jetojmë. KultPlus-i është një muze virtual e praktik”, thotë ajo.

Po ashtu, poetja Sibel Halimi është shprehur se KultPlus-i është një dritare krijuese që i ka qëndruar besnike të gjithë atyre që duan të kontribuojnë në art. 

“”Shuni se lajmet” është frazeologjia e kujtesës sonë individuale në rëndesën e ngjarjeve të vështira që i kaluam si shoqëri. Ekspozita me portretet e folësve ikonikë të RTP, na kthyen në të kaluarën ku fati ynë varej në atë çfarë na prezantonin në lajmet qendrore Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu. Poashtu, kënaqësi që së bashku kremtuam edhe një dekadë pune e angazhimi të portalit ‘KultPlus’. Për plot 10 vite, ‘KultPlus’ u bë dritarja jonë krijuese që na qëndroi besnike të gjithë neve që duam sado pak të kontribuojmë në kulturë dhe art”, ka thënë Halimi.

Në këtë mbrëmje të veçantë, nuk ka munguar as degustimi i rakisë së brendit të njohur “The Vidasus Distillery Nivokaz”, një emër i njohur që synon të përfaqësojë trashëgiminë dhe shijet autentike të kësaj toke. Me sloganin e thjeshtë “Piju shqip”, ka ardhur para nesh një përshëndetje me shije të vërtetë dhe një përjetim autentik.  

Nata nën dritën e hënës ka vazhduar me rikthimin e kujtimeve të bollshme, festimin e arritjeve të ndryshme si dhe muzikë të mirëfilltë shqiptare e të huaj. Kështu, i erdhi fundi një dekade dedikim ndaj artit, kulturës dhe gazetarisë në shërbim të komunitetit tonë, për të nisur me këmbë të mbarë, dekadën e radhës, akoma të panjohur për ne. 

Ky event është mbështetetur nga Komuna e Prishtinës, Stone Castle, Frutomania, The Vidasus Distillery dhe Uji i Alpeve. / KultPlus.com 

‘#StandWithUkraine”, ekspozita që pasqyron dhimbjen dhe dëshirën për mbijetesë të ukrainasëve

Flonja Haxhaj

Sirenat e policisë, bombardimet, zhurmët e armëve e të ndërtesave të shkatërruara janë ato që e shoqërojnë Ukrainën dhe popullin e saj tash e më shumë se një vit që prej sulmeve të para të filluara nga Rusia, e që përveç shkatërrimeve, la pas vetes edhe shumë viktima, shkruan KultPlus.

Por kjo situatë, nuk i ndaloi shumë njerëz nga mbarë bota t’ia mësyjnë këtij vendi, për të dokumentuar vetë tmerrin që lufta sjell pas vetes.

E një veprim të tillë e bëri edhe gazetarja maqedonase Kristina Atovska e cila për tre muaj rresht qëndroi në Ukrainë, e në këtë periudhë qëndrimi ngriu momente me aparatin e saj, si një nismë e vogël për t’i treguar botës imazhe që pasqyrojnë realitetin që tashmë po e jetojnë ukrainasit.

E disa nga këto fotografi të realizuara që në ditën e 20-të të luftës në Ukrainë, u ekspozuan në KultPlus Caffe Gallery, në ekspozitën që u hap mbrëmë,  për të sjellë përpara publikut kosovar një histori jo të panjohur për të. Kjo ekpozitë transmetoi dhe pasqyroi frikën dhe luftën për mbijetesë, ku mes shkatërrimeve në të gjitha anët, dëshira për t’u ringjallur tejkalon gjithçka.

Përveç fotografive që dëshmojnë tmerrin në Ukrainë, në këtë ekspozitë u shfaq edhe traileri i filmit dokumentar ‘Silent Lullabies’ e që është një përmbledhje e shkurtër dhe e dhimbshme e gjithë situatës në këtë vend.

E pikërisht hapjen e kësaj ekspozite e bëri producenti i filmit, Viktor Petreski, i cili pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, tha se në këto fotografi mund të shihet vetëm një pjesë e vogël e tmerreve nëpër të cilat jetojnë ukrainasit për më shumë se një vit.

“Autorja e kësaj ekspozite, vendosi të bëjë çmos që të arrijë sa më shpejt në Ukrainë dhe mundësoi që të dëgjohej zëri i njerëzve të prekur nga lufta. Në ditën e njëzetë të luftës, ajo shkoi në Ukrainë me mjete minimale, krejtësisht e vetme dhe qëndroi atje për tre muaj. Shumë nga historitë prekëse që ajo dëgjoi gjatë qëndrimit të saj atje, përfunduar në filmin dokumentar të saj të quajtur ‘Silent Lullabies’, që tashmë ka fituar nëntë çmime dhe 14 përzgjedhje në festivalet ndërkombëtare të filmit. Fotografitë e shfaqura këtu janë vetëm një paraqitje e shkurtër e këtij filmi”, u shpreh Petreski i cili mes tjerash tha se kjo ekspozitë bashkë me filmin janë një mënyrë për të treguar mbështetje për popullin ukrainas dhe një frymëzim për të tjerët që të mbështesin ata në çdo mënyrë që munden.        

Më pas, fjalën e mori vetë autorja Kristina Atovska, si rezultat i punës së së cilës u realizua edhe kjo ekspozitë,  e cila përveç se në Prishtinë, është hapur edhe në Shkup e Tiranë.

“Një nga padrejtësitë më të mëdha që mund t’i ndodhë një personi është të zgjohet me një ushtri armike në oborrin e tij. E kalova gjithë karrierën time duke luftuar padrejtësitë, prandaj ishte shumë e rëndësishme për mua t’u jepja zë ukrainasve që kanë ngecur në një realitet të tmerrshëm, jo prej zgjedhjes së tyre. Miliarda civilë të pafajshëm po bien në gjumë me sirena dhe alarme nga bombardimet. Ka vende ku sirenat janë të heshtura dhe vetëm sepse bombardimet atje nuk ndalen kurrë. Të gjithë këta civilë kanë vetëm një dëshirë gjatë ditës, të mbijetojnë. Fatkeqësisht për mijëra njerëz, kjo dëshirë nuk u realizua”, rrëfen Atovksa momentet e tmerrshme që i përjetoi në Ukrainë.

Përveç ekspozitës, publiku pati mundësinë ta shohë edhe trailerin e filmit dokumentar, për të cilin, Atvoska thotë se ka vendosur t’i ekspozojë të gjitha historitë që pasqyrojnë të gjitha format e rezistencës së ukrainasëve.

“Historitë që kam vendosur t’i shfaq në film, janë ato që tregojnë të gjitha format e rezistencës që ukrainasit përdorën për t’u përballur me tmerret e imponuara nga okupatori”, tha mes tjerash Atovska.

Në hapjen e ekspozitës “#StandWithUkraine” e cila u mundësua nga KultPlus dhe Flori Zaevi, foli edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila vlerësoi lart ekspozitën dhe punën e gazetares Kristina Atovska, e cila pavarësisht rreziqeve shkoi në fronin e luftës, për të dëshmuar horrorin që po ndodhte atje.

“Kjo ekspozitë është më e pakta që kemi mundur të bëjmë ne si KultPlus, duke e marrë parasysh që para më shumë se 20 viteve e kemi kaluar të njëjtën përvojë, të njëjtën dhimbje, por shpresa që jeta të mos të ndalet tregojnë pikërisht këto fotografi, shumë prej të cilave shfaqin dhimbje, por edhe fotografi që tregojnë se njeriu është forca e jetës. Ne si shqiptarë, e kemi pasë fatin që ta përjetojmë luftën në Kosovë, e Kristina e ka bërë detyrën e saj në një nivel tjetër, ka shkuar si gazetare në një vend lufte, për t’iu treguar botës, atë që po ndodh në Ukrainë”, u shpreh Pajaziti.

E pranishme në këtë ekspozitë ishte edhe Lyudmila Makey, gazetarja e parë e cila u strehua në Kosovë pas luftës në Ukrainë. Ajo falënderoi gazetaren Atovska, që po e vendos në sytë e të tjerëve, atë që shohin çdo ditë ukrainasit.

“Unë dua t’ju tregoj juve rreth historisë së familjes time. 70 vite më parë, nëna ime ishte një vajzë e vogël dhe ajo ishte nje refugjate. Dhe pas kaq vitesh, unë dhe vajzat e mia jemi prapë refugjate sepse Ukraina jonë është në zjarr. Çdo fotografi këtu është një mesazh i fortë, ashtu siç edhe populli i Ukrainës është”, u shpreh Makey për KultPlus.

Ndërkaq, ju kujtojmë që ekspozita ‘#StandWithUkraine’, e hapur më 5 prill në KultPlus Caffe Gallery, do të qëndrojë e hapur për dy javë./ KultPlus.com

Mbi 100 gra në Konferencën Ndërkombëtare të Albanian Ecxellence, Flora Nikolla: Prezantimet e kësaj konference do të botohen në libër

Konferenca Ndërkombëtare “Suksesi i Zonjave shqiptare dje dhe sot, sfidat e se ardhmes” për tri ditë ka mbledhë mbi 100 gra nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Londra në Tiranë, të cilat me ftesë të Flora Nikolla në kuadër të Albanian Ecxellence, këto gra nga profile të ndryshme kanë shpërfaqë rrugëtimin e tyre drejt suksesit, gra të cilat shpalosën sfidat, sakrificën, guximin e ballafaqimin deri në shkëlqimin në shumë profile.

Muziciente, bankiere, shkrimtare, politikane, mjeke, gra nga biznesi, gra nga aviacioni, të medias, artit, aktiviste dhe shumë profile të tjera janë prezantuar për këto tre ditë, rrëfime dhe sfida që sipas Flora Nikollës do të botohen edhe nëpërmjet një libri, libër që do të ketë një promovim të një formati surprize nga Albanian Ecxellence.

“Jam shumë e lumtur që Albanian Ecxellence bëri bashkë gratë e suksesshme nga shumë vende të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, e që për shumicën e tyre rrugëtimi nuk ishte i lehtë, por që sot janë inspirim jo vetëm për vajzat dhe gratë, po për të gjithë”, ka thënë Flora Nikolla.

Por jo vetëm rrëfimet e grave të suksesshme ishin pjesë e kësaj konference tre ditore, por brenda saj ishte gërshetuar edhe gastronomia dhe kultura shqiptare, ku me këtë rast gratë pjesëmarrëse kanë pas rast të shijojnë vajin e ullirit, të shihnin nga afër kreacionet e Joni Brahos dhe pikturat e Marjana Goxhabelliut, ku kjo e fundit ishte inspirim për të gjitha gratë pjesëmarrëse që të jenë pjesë e e artit ë përbashkët në një tablo të vetme.

Por vëmendja e kësaj konference kishte dy emra: Vera Bekteshin dhe Flora Brovinën, të cilat promovuan librat: Pusulla të verdha nga Bekteshi dhe krijimtaria e Brovinës në përgjithësi, të cilat me gratë prezente ndanë edhe rrugëtimin e tyre, që krijoi shumë emocione te pjesëmarrëset.

Ndërkohë, nën patronazhin e ministres së Shtetit për Standardet dhe Shërbimet Milva Ekonomi , gratë pjesëmarrëse të konferencës ndërkombëtare kanë marr pjesë edhe në një prezantim tradicional në Muzeun Gjergj Kastrioti Skenderbeu në Krujë, sikurse që kanë vizituar edhe Pazarin e Krujës.

Konferenca Ndërkombëtare “Suksesi i Zonjave shqiptare dje dhe sot, sfidat e se ardhmes” është vetëm një nga aktivitetet e shumta të Flora Nikollës që i organizon në kuadër të Albanian Ecxellence, e që promovimi dhe mbështetja e grave është jashtëzakonisht i madh në kuadër të këtyre aktiviteteve./ KultPlus.com

Ornela Vorpsi ekskluzivisht për KultPlus: Nuk shkruaj në shqip, ndryshe ngrihen demonët e së kaluarës dhe më shqyejnë të gjallë

Ardianë Pajaziti

Fytyra e saj është një fytyrë si e një kukulle porcelani. Dhe jo vetëm, por edhe një fytyrë kukulle e habitur. Dhe me sytë e saj të mëdhenj sikurse edhe më ma vërteton këtë ndjesi që ma jep figura e Ornela Vorpsit.

Në pamje të jashtme ta le përshtypjen e një gruaje të fortë, që është në gjendje të thyej çdo barrikadë, po në shpirt, sikurse e thotë edhe vet, është e vrarë, shumë e vrarë nga jeta që e rropati brenda dhe jashtë Shqipërisë.

E përkthyer në mbi 20 gjuhë të botës, mu kjo Ornela e Shqipërisë që doli nga ky vend dhe vazhdon të bëj nam nëpër botë me librat e saj, akoma nuk e ka shkruar një libër në gjuhën shqipe, po gjithë krijimtarinë e saj e ka të shkruar o në italisht, o në gjuhën frënge. Dhe ka një arsye pse nuk ka shkruar dhe nuk dëshiron të shkruajë në gjuhën shqipe.

Përgjatë një bisede të gjatë, pashë shumë Ornela rreth meje, e mezi arrija të përmblidhja mu atë Ornelën që kisha para syve të mi, që padyshim është një zonjë e madhe, dhe nuk do të ishte e tillë po të kishte pas një jetë ndryshe.

Për mbi dy orë përgjatë intervistës pashë Ornelën e vogël të Tiranës e cila lumturohej në familjen e saj të vogël, pastaj pashë Ornelën e topitur, mu këtë Ornelën me fytyrë porcelani, hije që mori që nga vdekja e gjyshes, vdekje që ndodhi në prani të saj, hije që u bë edhe më e rëndë me burgosjen e babait. Pashë Ornelën e vetmuar rrugëve të Tiranës, vetmi dhe refuzim që e mbështolli regjimi i Enver Hoxhës, pashë Ornelën duke vrapuar pas ngjyrave, pikturës, pastaj atë Ornelën e Milanos e të Parisit, Ornelën në romane që edhe më tej refuzon ti shkruaj në gjuhën e nënës, e deri te kjo Ornela e fundit që i janë përkthyer romanet e saj në mbi 20 gjuhë të botës, këtë Ornelën e ekspozitave e të pikturës, e cila prap më jep ndjesinë e një portreti të një figureje porcelani, e cila edhe e thotë vetë, që këtë figurë apo ndjesi të majës së ajsbergut, e mori që nga përplasja e gjyshes para këmbëve të saj, vdekje që ja dha një nur përgjatë gjithë jetës.

Përderisa kujton fëmijërinë e saj, e cila e konsideron fëmijëri të lumtur, rritën e saj me dashurinë e gjyshes dhe prindërve të saj, Ornela Vorpsi e kujton atë periudhë si periudhën më të ëmbël, e cila rritej në një shtëpi në mes të Tiranës, me një kopsht shumë të madh me hurma e ullinj, e cila shumë më vonë kuptoi se babai i saj kishte prona, shumë prona, por që ata e rritnin pa ia kujtuar se ishin një familje e kamur, duke vënë në plan të parë dashurinë që kishin për njëri tjetrin, e sidomos për gjyshen. 

“Kam pas një gjyshe jashtë mase të dashur, dhe mbaj mend se deri në moshën gjashtë vjeçe kam gëzuar dashurinë e saj të pafund. Dhe vdekja e saj, besoj se ishte një nga goditjet më të mëdha që kam pas në jetë. U rrëzua para syve të mi, ra në tokë, mbaj në mend që më tha “koka, më dhemb shumë koka” dhe vdiq, para syve të mi vdiq”, kujton Ornela dashurinë për gjyshen, dashuri që më pas u shndërrua në atë topitjen, akullnajën jetësore, pasi që këtë vdekje e kapërceu ftohtë, pa lot dhe pa bërtima, me një mur në mes, mur të madh mes dhimbjes shpirtërore dhe reagimit të jashtëm.

Ornela kujton më pas se kishte vazhduar jetën në atë Tiranën e atëhershme, Tiranë që bashkë me Shqipërinë ishin super të izoluara nga bota, me makina të pakta, e edhe më pak racione ushqimi, por me një dashuri të madhe për artin, dashuri që e kishte qysh nga vegjëlia e saj.

Dhe kjo artiste e madhe, rrugëtimin drejt artit e kishte nisë në piano. Prindërit e saj e kishin detyruar të ngulitej në atë instrument, tinguj që kurrë se plotësuan shpirtin e saj të madh artistik, që në periudha të ndryshme jetësore ndryshonin formë, herë pikturë, herë fotografi e herë letërsi.

Dhe përderisa Ornela kërkonte art, apo dhimbja e saj kërkonte të shpërfaqej nëpërmjet artit, në kohën kur ende mësonte piano, por që nuk përmbushte dëshirën e saj për të bukurën, me vetëm shtatë vjet ajo pëson edhe një goditje.

Dhe si me rastin e vdekjes së gjyshes, edhe kësaj radhe, nuk qau, as lëvizi e as nuk reagoi. Ishte zhdukja e babait, dhe ajo që dinte në atë kohë ishte vetëm kjo, babai i saj iku me motorin.

“Mbaj mend mamin, e priste. Por babai u zhduk, kishte një motor dhe po me atë motor u zhduk. Unë si fëmijë nuk reagoja, nuk merrja pjesë në këto goditje, nuk lëvizja, nuk qaja dhe nuk prekesha”, shpjegon Ornela Vorpsi duke kujtuar këtë goditje si shtatë vjeçe, e cila më pas ka shpjeguar se pas bisedave dhe konsultave më të vonshme me psikoanalistë, i kishin shpjeguar se ky mos reagim i saj ishte më shumë si një mur, si një mbrojtje e vetvetes karshi zhvillimeve.

“Dhe babai nuk u kthye, kaluan gjashtë muaj dhe nuk kuptuam asgjë. Brenda këtyre gjashtë muajve mami shkonte në polici të pyeste, dhe ata i thoshin se nuk dinin gjë. Të njëjtit kërcënonin mamanë time se ajo duhej tu tregonte se ku ishte burri i saj” tregon Ornela për atë periudhe të rëndë për familjen e saj, të cilës familja e saj veç po i zvogëlohej, dhe tani kishte ngelur me mamanë e saj, e që atë kohë ishte 29 vjeçe.   

Dhe regjimi i Enver Hoxhës sapo kishte trokitur në portën e familjes së Ornela Vorpsit, dhe shija e hidhur e komunizimit kishte kaluar përmasat për të dhe për mamanë e saj, të cilat vuanin në palcë ndarjen e familjes, distancimin e njerëzve nga to dhe vuajtjet e kësaj kohe që kishin shndërruar një grua dhe një vajzë të vogël si dy njerëz tmerrësisht të padëshiruara nga të tjerët.

Babain e dënuan për politikë pa u marr asnjëherë me politikë, kishin për qëllim sekuestrimin e pronave

Ornela Vorpsi kujton që babain e saj e kishin gjykuar me dyer të mbyllura, e kishin akuzuar për politikë, edhe pse, sipas Ornelës, babai i saj kurrë nuk ishte marr me politikë. Sipas saj, arsyeja e burgosjes së tij ishte diku tjetër, sekuestrimi i pronave të shumta që kishte kjo familje. Dhe me rënien e tij në burg, krejt këto prona u sekuestruan dhe lanë këtë familje në dyer të botës. 

Ornela kujton se dy herë e kishte vizituar babain e saj në burgun e Spaçit, njëherë kishte shkuar me gjyshin, nga ana e babit, dhe njëherë kishte shkuar me mamin. Të dy vizitat kishin lënë vragë të thella në memorien e Ornelës, duke nisë nga kontrollet e rrepta të gardianëve e deri te takimi me babain, që për të ishte shumë i panjohur.

“Nuk e njoha fare babain tim, ishte dobësuar jashtë mase, ishte me pizhame me vija, si ato të Auschwitz. Dhe mbaj në mend që mamit tim i dha një qese të vogël, kur u ktheva në shtëpi, si kurreshtare që isha e hapa atë qese. Në të gjeta dhëmbët e thyer të babit, sepse më vonë e kam kuptuar se kur e kishin arrestuar, e kishin futur në një thes, dhe e kishin rrahur aq fortë sa që ia kishin thyer edhe dhëmbët”, tregon Ornela Vorpsi, e cila kujton edhe një takim tjetër me babain e saj në burg, po këtë herë më shumë kujtime të hidhura i kishte lënë rruga deri në Spaç, sesa vet Spaçi.

“Nuk kishte makina, mbaj mend se patëm shkuar me autostop me një kamion që barte derra, mami ishte ulur me shoferin para, unë isha pas, me derrat. Para syve të mi shihja se si tentonte shoferi ta puthte mamin tim, ishin kohë të tmerrshme, ishte një Shqipëri që nuk të le qetë as sot”, kujton Ornela.

Dhe përgjatë kohës sa babai i saj vuante dënimin, mamanë e saj e detyruan ose të divorcohej ose do ti internonin, por sipas Ornelës, mamaja e saj zgjodhi të parën, dhe pas sekuestrimit të pronave, Ornela bashkë me mamanë e saj u detyruan të ktheheshin te dajët, ku u vendosën të dyja në një dhomë të vogël, dhomë e cila u shndërrua në shtëpinë e tyre për shumë vite.

“Të gjithë njerëzit na u larguan, mbaj mend edhe kushërirat e mia të cilat bëheshin se nuk më shihnin në rrugë. Tirana ishte e vogël atëherë, dhe bënim pjesë te shoqëria margjinale. Ndërkohë, Shqipëria në atë kohë ishte kaq injorante, me mentalitet shumë të rëndë, sa po të ishe një grua pa burrë, sikurse ishte ime më, ishe direkt kurvë”, kujton Ornela, e cila mentalitetin e Shqipërisë edhe sot e sheh si të ngecur në vend, me shumë pak ndryshime.

Nga një inxhinere mekanike, mamanë e Ornelës e vendosën në punë në një fabrikë me tre turne. E dërmuar nga rrethanat, e larguar nga shoqëria, sipas Ornelës, mamaja e saj për një muaj e gjysmë u shtri në psikiatri.

“U shtri në psikiatri vetëm që të flinte, nuk flinte dot nga puna që bënte në tri turne. Dhe si e vogël unë mbeta vetëm me gjyshen te dajët”, rrëfen Ornela, të cilës çdo ditë po i zvogëlohej bota, e krejt këtë çmenduri që e kishin kaluar shqiptarët që i prekte regjimi i Enver Hoxhës, Ornela e shpjegon me një fjali “Ishte një Shqipëri e çuditshme, mos ta jetoje, nuk e koncepton dot”.

Ornela shpjegon se babai i saj vuajti shtatë vjet dënim, dhe pas burgut ajo e takoi si 14 vjeçe. Si vajzë e një të burgosuri politik, përgjatë kohës sa babin e kishte në Spaç, i kishin thënë shumë fjalë të këqija për babain e saj. Aq keq i kishin fole, sa që Ornela tregon se kur dikush i thoshte se sa shumë i ngjante babit të saj, ajo nuk ndihej mirë, ndihej shumë keq.

“E kam takuar edhe dy tri herë, fshehtas prej mamit. Sepse ajo nuk donte që të takohesha me të, asaj i ishte ngulitur në mendje se ai ishte shkaktari që na shkatërroi jetën. E në fakt nëna kishte probleme mendore, sepse i vuajti shumë pasojat”, tregon Ornela më tej.

E adhuroja vizatimin, pikturën, po sistemi i atëhershëm nuk më lejonte të futesha në Liceun Artistik, isha vajza e një të burgosuri politik

Dhe përderisa jeta i kishte rropatë sa poshtë e lart këtë familje tironse, lufta e artit brenda shpirtit të Ornelës nuk gjente paqe. Përderisa bënte shkollë për piano, brenda saj ajo kishte zbuluar pasionin për vizatimin, pasion që u bë aq i fuqishëm sa mori edhe vendimin për braktisjen e pianos.

Ajo kujton se vet kishte shkuar të Pallati i Pionierit për tu regjistruar për vizatim, pastaj përfundoi shkollën tetë vjeçare të normales, institucion në të cilin poashtu ndjeu distancën e shokëve, shoqeve dhe mësimdhënësve.

“Pastaj kisha dëshirë të vazhdoja Liceun Artistik për pikturë, por ishte e pamundur, sepse isha fëmija i një të burgosuri politik, dhe në Shqipërinë e atëhershme, arti ishte propagandë, dhe nuk kisha të drejtë, kisha të drejtë vetëm në gjimnaz”, tregon Ornela Vorpsi, e cila kujton se përgjatë asaj kohe, ajo kishte vijuar gjimnazin, përderisa pikturën e vazhdonte në shtëpi.

Dhe me përfundimin e gjimnazit, si duket po përfundonte edhe një regjim i tmerrshëm në Shqipëri. Ornela Vorpsi ishte në vitin e tretë të gjimnazit kur kishte vdekë Enver Hoxha, dhe Ornela kujton edhe sot kumtin e zysheve të asaj kohe dhe histerinë kolektive për vdekjen e Enver Hoxhës.

Por me vdekjen e tij, vendi kishte filluar pak të merrte frymë. Më në fund, Ornela Vorpsi arrin të futet në Institutin e Arteve, tash Akademia e Arteve të Bukura, garë të cilën e synonin mbi 400 të rijnë, e pranoheshin vetëm 25 studentë.

“Kisha përballë fëmijë të artistëve, fëmijë që ishin rritur me art, fëmijë që ishin mirë politikisht dhe që ishin mirë me talent. Po pata një fat të jashtëzakonshëm, dhe pata një mbështetje nga Hektor Dula, i cili mbështeste talentin tim, dhe kështu që e fitova atë konkurs. Mbaj në mend që për një javë kam pirë vetëm ujë dhe nuk haja asgjë, aq isha e emocionuar”, tregon Ornela Vorpsi për këtë vulë jetësore, vulë që e kërkonte pothuajse që nga fëmijëria dhe më në fund ia kishte dalë që të jetë pjesë e këtij institucioni që pas përfundimit do ta nxirrte si piktore.

Ika me mamin në Itali, kapitalizmi mu duk gjëja me e egër që kisha parë në jetën time, nuk i kuptoja lëvizjet e gjithë atyre makinave, sikurse nuk e kuptoja dashurinë e tyre për macet dhe qenët. Atëbotë në Shqipëri nuk kishte as veterinar

Dhe portat po hapeshin për piktoren e re. Në fakt nuk u hapën portat, po shqiptarët po i hapnin ato dhunshëm, duke u futë nëpër ambasada dhe duke kërkuar një jetë më të mirë.

“Meqë jam esteiste, Shqipëria nuk u hap bukur, po ky ishte realiteti i jonë”, kujton Ornela lëvizjet e shqiptarëve përgjatë viteve të 90-ta, e që Ornelën ajo periudhë e kishte gjete 22 vjeçe dhe me titullin piktore e diplomuar.

Ornela kujton se kjo dyndje e shqiptarëve e kishte provokuar edhe mamanë e saj, dhe sipas saj, kërkesa e saj ishte që të iknin nga Shqipëria dhe të shkonin ne Milano. “Ishte një shoqëri që nuk na kishte lënë vend, nëse njerëzit tjerë kishin vend, ne nuk kishim një të tillë”, tregon Ornela, duke e krahasuar Shqipërinë e atëhershme si një moçal dhe si një vend të kalbur.

“Ne morëm një vizë për dy javë, unë kisha një gocë tezeje e cila duke qenë nxënëse shembullore, duke pas babin komunist, me të drejtë e shkreta, rrinte larg meje, ajo mbaroi me medalje ari, dhe e cila duke qenë kaq e shkëlqyer, Shqipëria i qonte jashtë shtetit. Edhe atë e kishin dërguar në Romë, kështu që unë me mamin tim duke mos e pas fare idenë e një vendi të huaj, siç ishte Italia, marrim biletën dhe shkojmë tek ajo. E ke parasysh, ajo ishte në kolegj universitar, ishte në konvikt, dhe ne i shkuam në konvikt”, tregon Ornela duke qeshur, e cila shpjegon se këto ishin pasojat e izolimit 50 vjeçar, dhe një izolim i tillë reflekton më pas edhe budallallëqe të tilla.

Ajo tregon se për dy javë sa patën vizë, qëndruan fshehurazi në konvikt, dhe pas asaj kohe ishte lufta tjetër, se nëse do të ktheheshin në Shqipëri, apo do të vazhdonin të kërkonin tokën e premtuar. Zgjodhën këtë të fundit, edhe pse, sipas Ornelës me shumë frikë, sepse sipas saj, kapitalizmi ishte gjëja me e egër që kishte parë në jetë.

“Mu duk një tmerr, ishte një gjuhë e huaj që nuk e njihja fare, por nuk kishte gjë që mamin tim ta kthente në Shqipëri”, tregon Ornela rreth vendimit të qëndrimit në Itali.

Por 50 vjet izolim ishin shumë për dy gratë shqiptare, të cilat po përpinin habinë dhe magjinë e Milanos.

Ornela atëbotë kishte kujtuar se të gjitha gratë e Milanos janë si Sophia Loren, por edhe pse nuk ishin si Sophia, sipas saj dallonin shumë nga vajzat dhe gratë shqiptare.

“Ishin vajza të holla, ne në Shqipëri na donin me gjoks e me vithe, me flokë të zeza, ndërkohë ato të gjitha ishin bërë bionde, ishin të nxira nga dielli, nuk kuptoja se çfarë ishte kjo.  Pastaj nuk i kuptoja makinat që shkonin e vinin, sepse në Tiranë ishin katër makina që rrotulloheshin në krejt Tiranën, dhe ishin aso makina që shkonin e vinin për punë. Ishte një shoqëri që e nuk e kuptoja në asnjë gjë, nuk e kuptoja as dashurinë që kishin për qentë dhe macet, përderisa ne në Shqipëri nuk kishim atë kohë as veterinar. Çdo gjë ishte një tronditje e madhe, unë do të isha kthyer në Tiranë, por mami nuk deshi”, tregon Ornela për goditjen me perëndimin, duke u detyruar që pas vendimit të qëndrimit në Milano, të bënte hapin e radhës, të bënte një copë vend për vete.

Në Milano ma thyen ëndrrën, profesori më tha: Piktura tashmë ka vdekur

Pasioni për pikturën e ndiqte edhe këtu, dhe duke pas parasysh se Shqipëria atëherë kishte ngelur te realizimi socialist, dhe shkollimi i saj po në atë pikë, Ornela Vorpsi kishte një tjetër ëndërr. Të përfundonte Akademinë e Arteve edhe në Milano. 

“Dhe mbaj në mend, konkursin e fitova pa asnjë tmerr në Milano, në Aakademinë e Arteve të Bukura të Brerës, dhe pyesja vetën se si ka mundësi, sepse në Shqipëri shumë pata heqë që të pranohesha në atë Institut”, tregon Ornela, por duke mos qenë e përgatitur se furtuna e radhës veç sa se kishe goditë.

Ajo kujton se kishte marr një pikturë të saj për t’ia prezantuar profesorit të saj, dhe përgjigja e tij se piktura tashmë kishte vdekur, dhe se art tash janë instalacionet, artet konceptuale, video instalacionet e performancat e kishte goditur jashtë mase. Një jetë të tërë kishte luftuar për vizatimin dhe pikturën, dhe në mes të Milanos, Ornela e kupton se ajo që e kishte ëndërruar kaq shumë, tashmë kishte vdekur.

“Dhe kështu vendosa të bëja disa hulumtime në këtë art konteporan dhe të shoh se si më fle. Dhe bëra këto katër pesë vjet, që për mua ishte humbje e kohës komplet, sepse nëse në Shqipëri mësova se si të pikturoj, aty te arti konteporan, mu duk një spekulacion, dhe edhe sot e kësaj dite mendoj se është një punë koti, por njerëzit nuk kanë guxim ta thonë.  Dhe unë nuk e ndjeva, nuk isha fare e kësaj udhe, njoha instalacionet, provova fotografitë, dhe nuk ma mbushi mendjen”, tregon Ornela Vorpsi për ballafaqimin me artin konteporan.

Dhe përderisa kishte mbetë pa atdhe, përderisa piktura kishte vdekur, po sipas profesorit italian, dhe përderisa nuk kishte një copë vend në Itali, Ornela Vorpsit me nguti i duhej të bënte një zgjidhje, sepse i duhej të ekzistonte në një vend të huaj.

Ornela përgjatë kohës sa ‘varroste’ pikturën, dashurinë më të madhe te jetës, bëri fotografi mode, mënyrë elementare për të siguruar jetën.

“Dhe më erdhi shkrimi, mu dhuru kjo dhuratë e madhe e shkrimit, pa asnjë lloj mendimi se mund të bëhesha shkrimtare, apo ti publikoja, pasi që ëndrra ime ishte piktura. Fillova të shkruaj, dhe fillova të shkruaj kur isha në Paris, pasi që isha pjesë e një shkëmbimi universitar mes atij të Milanos dhe Parisit. Shkova ne Paris për gjashtë muaj në Erasmus, dhe nuk u ktheva më në Milano, dhe mbaj në mend që fillova të shkruaj në Paris”, tregon Ornela për fillimin me shkrimin, e cila tash njihet për romanet e saj në 20 shtete, përderisa ajo kishte dashuri të pa kompromis pikturën.

“Vendi ku nuk vdiset kurrë” u shkrua në italisht, kisha nevojë për një gjuhë që mbanë një distancë, dhe një gjuhë që nuk e bartë fëmijërinë time

Dhe një shqiptare që kishte jetuar për gjashtë vjet në Itali, dhe sapo ishte vendosë në Paris dhe po provonte kulturën e ushqimin francez, kishte filluar ti lëshonte rrënjët e para të romanit bestseller “Vendi ku nuk vdiset kurrë” por jo në gjuhën shqipe, por ajo pavetëdijshëm kishte filluar ta shkruante në italisht.

“Qëndrova në Itali për gjashtë vjet dhe gjuha italiane ishte shumë e kollajshme, veshi ma kishte dëgjuar që kur isha në Shqipëri dhe për atë nisa të shkruaj në italisht. Shumë më kanë pyet se pse nuk e shkrova në gjuhën e nënës, në gjuhën shqipe. Nuk mund të shkruaja në shqip, sepse të gjithë demonët  e së kaluarës  ngrihen dhe më hanë, e gjithë e kaluara më mbytë, nuk do të shkruaja dot emocionalisht. Kisha nevojë për një gjuhë që mbanë një distancë, dhe një gjuhë që nuk e bartë fëmijërinë time. Italishtja ime nuk e barte fëmijërinë time, frëngjishtja nuk e bartë fëmijërinë time, nuk mbytem në to, ka një lloj distance, në shqip s’do të kisha shkruar kurrë atë që kisha shkruar në italisht”, thotë Ornela, e cila përpos që po fitonte distancën me gjuhën shqipe, ajo po fitonte edhe një distancë tjetër, me nënën e saj, e cila kishte mbet në Milano, përderisa Ornela po qëndronte në Paris, por që pavarësinë e saj nuk e fitonte dot, se ishin të lidhura si mish e thua.

“Fillova ta shkruaj, sepse nuk dija çfarë të bëja me ditët e mia. Mbaj në mend se si u ula aty afër shpisë, më erdhi të shkruaj dhe shkrova një tregim dhe më pëlqeu disi, po pa i bërë pyetje vetës se pse po shkruaj në italisht, më erdhi në mënyrë organike, ato gjëra që i kam treguar në këtë libër dhe që janë të vërteta, në shqip nuk do ti tregoja kurrë, do të kisha vdekë, do të isha djegë. Shkrova një tregim të vogël, dhe ja përktheva keq e keq një shokut tim shkrimtar që ishte francez. Edhe ai është goxha i njohur, dhe më tha ‘e di që është fantastik’. Dalëngadalë shkrova, edhe mbarova këtë libër, që tashmë është i përkthyer në shumë gjuhë të botës, anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe shumë gjuhë të tjera, dhe gjuha e fundit që do të përkthehet së fundi është në gjuhën serbe”, ka thënë Ornela Vorpsi, e cila kujton edhe detajin tjetër, se iu deshën vite të tëra që të jepte dritën e gjelbër që të përkthehej edhe në gjuhën shqipe.

Babai mu lut që mos ta përktheja romanin në gjuhën shqipe, i kishin thënë se kisha shkruar shumë keq për Shqipërinë dhe nuk dëshironte që ky libër të fliste në shqip

“Mora shumë kohë deri sa vendosa ta botoj në gjuhën shqipe, sepse im atë më luti që mos ta përktheja. I kishin thënë që kisha shkruar tmerre për Shqipërinë, dhe nuk donte që ky libër të fliste edhe shqip. Por më në fund vendosa, ka tri vjet që është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe”, thotë Ornela.

Dhe përgjatë këtyre viteve të krijimtarisë në fushën e librit, Ornela ndër vite prap e ka bindë vetën se piktura nuk ka vdekur, dhe se piktura është ringjallë më shumë se kurrë, dhe paralelisht punon në të dyja, herë në libër e herë në pikturë, e me raste edhe në fotografi.

Ajo është duke shkruar në librin e ri, por është duke e shkruar në gjuhën frënge, pasi që, sipas saj, duke jetuar që një kohë të gjatë në Francë, italishtja, sipas saj ka filluar ti brishtësohej, dhe nuk ndihet mjaftueshëm e sigurt në këtë gjuhë.

Ndërkohë, përderisa shkruan dhe pikturon, Ornela Vorpsi tregon edhe një detaj që e vuan si pasojë nga Shqipëria. Ajo synon prestigjiozen për ti bindë të tjerët se arti i saj vlen. Së fundi ka fituar qëndrimin në një rezidence shumë prestigjioze, sikurse që ka ndërruar shtëpinë botuese që vlerësohet të jetë poashtu shumë prestigjioze.

“Në Shqipëri më kanë rrahur aq keq, sa që kisha dëshirë të kapja këto maja prestigjioze, është njësoj sikur të vësh pak balsam mbi trup. Sepse, në Shqipëri ngaqë kisha një natyrë të çuditshme dhe nuk më kuptonin, më konsideronin keq, sepse në Shqipëri po të jesh gocë e bukur të vlerësonin si budallaqe, dhe ky mentalitet, për mu ishte një ravansh me Shqipërinë,  po për mua ishte një ravansh i madh, sepse vija nga një Shqipëri ku më copëtuan, më dërmuan në të gjitha dimensionet. Por në të njëjtën kohë pata fatin ti them këto mrekulli, dhe falënderoj Zotin, misterin që bën jetën, edhe pse ngelem njeri jashtë mase i vrarë, gjërat që kanë ndodhë nuk shërohen më”, ka thënë Vorpsi, e cila tregon se në Shqipëri e kishin quajtur tradhtare, për faktin se nuk kishte shkruar në shqip. 

“Unë e ndjej vetën tërësisht shqiptare, dhe fakti që kam jetuar në Itali dhe Francë nuk më bën as italiane e as franceze. Të përdorësh një gjuhë të huaj është një mjet, që për mua ishte i shëndetshëm”, ka thënë Ornela.

Ornela Vorpsi që ka mbi supe tetë tituj të librave dhe shumë ekspozita, që nuk ka asnjë shtëpi në Tiranë, edhe përkundër faktit se babai i saj posedonte shumë prona, që vishet vazhdimisht me ngjyrë të zezë, që edhe këtë detaj e adreson te Shqipëria, sepse ky vend e la pa ngjyra dhe pa lule, që sheh akoma ëndrrat në Shqipëri, edhe pse dëshiron që ti rri larg saj, që humbi nënën gjatë pandemisë dhe që nuk arriti as ta shoh në momentet e fundit, edhe sot nuk e konsideron vetën të suksesshme, dhe sipas saj ajo e vuan këtë pjesë si njeri që ka bërë shumë pak.

Ornela Voprsi ka dëshirë që të bënte shumë më tepër, jo në nivelin e shkrimit e të pikturës. Po ëndrra e saj do të ishte që të mund të krijonte azile për të moshuar dhe të ndihmonte njerëzit e rrugëve. “Kur i shoh njerëzit nëpër rrugët e Parisit, janë pamje që më vrasin, sepse unë isha rrugëve bashkë me nënën time”, përfundon Ornela, e cila vazhdon të jetojë dhe krijojë në zemër të Parisit, bashkë më bashkëshortin, vajzën e saj dhe tri mace, tri mace në shtëpinë e kësaj Ornele që në fillet e migrimit të saj nuk i kuptonte perëndimorët për dashurinë ndaj maceve dhe qenve./ KultPlus.com

Shukrie Ramadani: Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi

Ardianë Pajaziti

Shukrie Ramadani kishte hyrë në klasë të parë shumë e vogël, më e vogla prej moshatarëve të saj. Nuk i kishte mbushë as gjashtë vjet kur ishte ulë në bankën e shkollës së fshatit të lindjes në Zhegër të Gjilanit, dhe këtë nguti për tu regjistruar në shkollë ajo e sheh edhe si një sinjal tjetër, të takohej që nga fëmijëria me shokun e saj të klasës, shokun e jetës, bashkëshortin dhe babain e tre fëmijëve të saj, Agim Ramadanin, e cila nuk e kujton asnjërin prej takimeve si takimin e parë, sepse sipas saj e gjithë jeta e saj ishte Agim.

Si dy rivalët më të këqij që ishin përgjatë shkollimit, dhe në të njëjtën kohë edhe miqtë më të mirë, jetën e Shukrie dhe Agim Ramadanit do ta perceptonin vetëm bashkëkohanikët, pasi që, nëse do ta dëgjoje si rrëfim, më shumë i ngjanë legjendave se sa vetë jetës.

Ata jetuan shpejt, aq shpejt sa për të lënë gjurmë në lirinë e Kosovës, gjurmë që kishin nisë që nga organizimet ilegale, protestave të vitit 81, arrestimit të Shukrisë, ballafaqimin me luftën e Kroacisë, jetën në Zvicër, luftën e Kosovës e deri të Rrasa e Zogut. Rrasa e Zogut është vend që pothuajse ka pushuar edhe zemra e Shukrisë, se mu në këtë vend, më 11 prill të vitit 1999 kishte rënë Agim Ramadani, i cili edhe sot vazhdon të jeton në kujtimet e Shukrisë, sikurse që jeton edhe në Agimin e vogël, nipin e Agim e Shukrie Ramadanit, e cila Shukria e quan edhe si rinkarnim i Agimit.

Ajo sot është 58 vjeçe, dhe nëse ke fatin të dëgjosh rrëfimin e saj, e sheh që nëse flet për Agimin, emri i tij është dashuri,  forcë, dhimbje dhe krenari për të.

Por nëse flet me etapa, është e çuditshme që se sytë i xixëllojnë kur flet për fëmijërinë, dhe po për atë fëmijëri që brenda saj ka edhe Agimin. Një ngazëllim i tillë zgjatë deri te vitet e 80-ta, pastaj, duket se të dy janë të destinuar për punë të mëdha dhe fillon e rëndohet biseda. E edhe më e rëndë bëhet kur flitet për luftërat, atë të Kroacisë e Kosovës, por kur arrijmë te pjesa e luftës së Kosovës, ngazëllimi i mëhershëm i Shukrisë merr tjetër formë, ngufatet nga vaji e nga lotët, e cila me dhimbje, me shumë dhimbje flet për momentin kur kupton se ka rënë Agimi, për momentin se tenton që ta zhvarrosë kufomën e tij e deri te pendimi i rëndë, që edhe sot nuk e lë rehat se pse nuk e bëri atë veprim, zhvarrimin, pikërisht në Koshare, vendi që prehet Agim Ramadani, e që edhe për Shukrinë mbetet vendi më qetësues karshi Zhegrës, Kroacisë e Zvicrës, vende ku ka ndarë pjesët më të bukura, më sfiduese dhe më kërkuese me Agim Ramadanin. 

Agimin e kisha rivalin më të madh në klasë

Shukria e cila me Agimin ishte në të njëjtën klasë, që nga klasa e parë, kujton për lexuesit e KultPlus se atë e kishte rivalin më të madh në klasë, por në të njëjtën kohë e kishte edhe mikun më të mirë.

“Unë isha më e mira në gjuhë shqipe, e ai në matematikë, dhe pikërisht se bënim gara me njëri tjetrin, mund të them se sa e kemi dashur njëri tjetrin, po aq e kemi urryer”, kujton Shukria kujtimet e para me Agimin, e cila tregon se në shkollë kishte hyrë pak para se të mbushte gjashtë vjet, e Agimi kishte hyrë si shtatë vjeçar.

Duke qenë shokë klase, duke marr pjesë në shumë aktivitete kulturore, sportive e aktivitete të tjera shkollore, Shukria thotë se nuk mban mend ndonjë takim të parë, apo të dytë, sepse krejt jeta e saj sillet rreth Agimit. “Jam rritë me të, çdo kujtim i imi i fëmijërisë lidhet me të”, ka thënë Shukria, e cila kujton se edhe kur ishin diku rreth moshës 12/13 vjet, ata të dy patën luajtur në shfaqjen “Halili dhe Hajria” dhe Shukria kujton se si Agimi skuqej në skenë kur ishte pjesa e shprehjes së dashurisë ndaj Shukrisë, në këtë rast që luante personazhin e Hajrisë.

Ndarjen si opsion nuk e panë as në shkollë të mesme në Gjilan, edhe atje vazhduan në të njëjtën klasë, por tashmë me një miqësi më të ngushtë, miqësi më me vizion dhe me aktivitete më të ndjeshme, pasi që, sipas Shukrisë, të dy u bënë pjesë e ilegales.

“Përderisa ishim në vitin e fundit të shkollës së mesme, dhe ishim aktiv në ilegale, ne në të njëjtën kohë patëm menduar që të shkonim bashkë në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Më shumë ishte qëllimi që mos të ndaheshim, edhe pse, në atë kohë ende nuk ishim të dashur, akoma vazhdonim të ishim miq të ngushtë e të mirë”, tregon Shukria, por që planet që kishin menduar për të ardhmen duket se nuk kishin shkuar në favor të tyre.

Kishin shpërthyer demonstratat e vitit 81, dhe Shukria ishte pjesë e organizimit të këtyre demonstratave. Sipas saj, ajo ra në duar të policisë.”Disa kushërinj kisha të punësuar në policinë e atëhershme, por edhe në pozita të tjera institucionale. Në fakt, me këtë arrestim, unë isha rrebeli i familjes që po ua merrja ftyrën. Gjatë marrjes në pyetje unë nuk mohova asgjë, po duke pas rreth familjar nëpër këto isntitucione, ata ndryshuan deklaratën zyrtare dhe më nxorën të nesërmen nga aty. Por e keqja ishte se përgjatë marrjes në pyetje më kishte rrahur një polic aq shumë, sa që ma kishte thyer krahun”, tregon Shukria.

Më burgosën në vitin 1981, për këtë fakt më ndaluan shkollimin në Akademinë Ushtarake në Zagreb

Por pasoja më e madhe e këtyre zhvillimeve ishte se Shukrisë me këtë pjesëmarrje në këto demonstrata i ishte ndaluar vijimi i Akademisë Ushtarake në Zagreb dhe këmbanat e ndarjes ishin më afër se kurrë. Por Shukria tregon se fillimisht Agimi kishte shkruar për të përfunduar shërbimin ushtarak,  kurse Shukria kishte ngel në Gjilan për të vijuar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan, pasi që edhe në Universitetin e Prishtinës i ishte mohuar vijimi i studimeve.

“Në një formë ishte ndarja fizike me Agimin, po ajo ndarje ishte edhe periudha vendimtare që të ofrohemi edhe më shumë me njëri tjetrin. Në letrën e parë që ma kishte dërguar Agimi, përpos asaj që më kishte treguar se si po kalon në shërbimin ushtarak e detaje të tjera, krejt në fund të letrës më kishte shkruar “Përjetësisht, Agimi”, tregon Shukria, e cila më tej shpjegon se mu kjo letër fillimisht i kishte rënë babait të saj në dorë, shkas që iu bë me dije edhe njëherë se ata nuk dëshirojnë që vajza e tyre të lidhet me atë djalë.

“Atë letër e kam edhe sot”, tregon Shukria, e cila më pas ofrohet te një moment më delikat, atëherë kur edhe kishin shkëmbyer puthjen e parë.

“Agimi ishte në shërbim ushtarak, dhe momenti për të shkuar në Akademi Ushtarake po ofrohej, dhe mundësia ishte që të bënte kalimin prej ushtrisë e drejt në Akademi. Po para se të bënte këtë kalimin ai mori pushim tri ditë, dhe brenda kësaj periudhe ndodhi lidhja e jonë. Agimi ishte 19-të vjeç e unë 18-të. Kur e pashë e ndjeja se zemra donte të më dilte prej vendit, nuk ishte ai Agim që njihja, ishte më i rritur, më i fuqishëm, më burrëror, kishte marr komplet një nur tjetër”, tregon Shukria, e cila këtë distancë më të vonshme sa ishte në Akademinë Ushtarake e tregon pak më të afërt, pasi që edhe letrat kishin marr një dimension tjetër, të cilat forconin çdo ditë e më shumë lidhjen e tyre.

“Kemi shkëmbyer mbi 100 letra, se Agimi qëndroi atje për pesë vjet. Për fat të keq shumica më janë djeg, letrat që i kam pas në Kosovë më janë djegë si pasojë e luftës, kurse një pjesë të letrave që i kam pas në Zvicër i kam edhe sot. Ka pas një shkrim të jashtëzakonshëm Agimi. Zakonisht në letra më ka dërguar edhe vizatime, apo pjesë të poezive. Letrat e Agimit mund ti lexosh lirisht para çdo fëmije, pa u turpëruar, kanë qenë poezi në vete, ka qenë një poet i papërshkrueshëm. Është çudi se si një njeri të brumosen kaq shumë gjëra, kaq shumë njohuri, kaq shumë dashuri, ai ka qenë i dashuruar në jetën. Unë kam qenë e kundërta, nganjëherë them se kemi qenë si ajo shenja kineze, e bardha dhe e zeza, ndoshta kjo ka bërë që në dy të tërhiqemi kaq shumë ndaj njëri tjetrit. Se unë s’kam qenë tip pozitiv, jo e vrullshme për jetën dhe ai më ka mësuar ta shoh bukurinë e jetës”, ka thënë Shukria.

Dhe përderisa Agimi vazhdonte në Akademinë Ushtarake në Zagreb, Shukria i kishte njoftuar familjarët e saj se lidhja me Agimin kishte marr hov, por ata nuk i kishin dhënë leje. Vazhdonin të kundërshtonin këtë lidhje, tashmë duke i dhënë edhe një arsye, se duke qenë Agimi oficer ushtarak, nuk dëshironin që vajza e tyre të jetonte larg familjes.

Agimi erdhi për tre ditë nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, kishte ardh me një qëllim, të merrte dorën time dhe të kthehej

Ndërkohë, krahu që ia kishin thyer nga rrahjet në demonstratat e vitit 81, Shukrisë vazhdonte ti sillte telashe, dhe me patjetër duhej ti bënte një intervenim në spitalin e Shkupit.

“Agimi e kishte kuptuar për operacion dhe kishte ardhë pa lejen e lëshuar nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, me qëllim që të takohej shpejt e shpejt me babain tim. I kishte dalë në udhë dhe i kishte hyrë në makinë.  I ka kërkuar dorën time, babai im e kishte kundërshtuar duke i thënë ‘Se nuk e pranonte këtë lidhje’. Po Agimi, duke qenë edhe me uniformë ushtarake, kishte nxjerrë revolen dhe e kishte lënë në makinë të babës. ‘Ose ma jep dorën e Shukrisë ose më qëllo’, i kishte thënë Agimi babait tim. Babai im kishte lëshuar pe, dhe mu aty ia kishte dhënë dorën time”, tregon Shukria, e cila kishte mësuar për fejesën e saj gjatë qëndrimit të saj në spital, e cila shpjegon se kurrë se kishte menduar se një ditë do të mund të arrinin në këtë pikë, duke pas parasysh se sa shumë e kish kundërshtuar këtë lidhje familja e saj.

Duke qenë një çift që kishte jetuar shumë shpejt, edhe martesën e kishin bërë po aq shpejt. Të dy kishin vendosur se e diela e parë pas betimit të Agimit si oficer, do të duhej të ishte e diel e kurorëzimit të martesës së tyre. Dhe Shukria tregon se Agimi kishte dhënë betimin të enjten, ceremoni në të cilën kishte shkuar edhe Shukria, kurse të dielën ishin martuar, pa marr parasysh udhëtimin e gjatë të asaj kohe deri në Zagreb,  udhëtim që i kishte dërmuar të dy, por në të njëjtën kohë edhe i kishte lumturuar, sepse po fillonin një etapë të re.

Më pas, Kroacia ishte bërë strofulla e këtij çifti, të cilët përgjatë qëndrimit të tyre për pesë vjet, iu kishin lindur dy djem, dhe gjithçka dukej se po shkonte mirë, dhe përderisa Shukria kishte përfunduar edhe shkollimin për edukatore, tashmë në gjuhën kroate, lufta kishte shpërthyer në Slloveni, më pas edhe në Kroaci, situatë që filloi të shkundë edhe familjen Ramadani.

“Isha e re dhe atëherë, në ish Jugosllavi, ndërtesat e oficerëve ishin të ndara nga ndërtesat e tjera. Dhe mbaj në mend se ajo ndërtesë ku jetoja pat mbet vetëm ndërtesë me gra dhe fëmijë, pasi që asnjëra prej neve nuk e dinim se ku i kishim burrat. Agimi më shumë ishte në mision se sa ishte afër neve. Andaj, vendosa të kthehem në Kosovë, përderisa Agimi qëndroi edhe më tej në Kroaci, sepse kishte për qëllim që të shpëtonte shumë djem shqiptarë të cilët ishin në mision ushtarak në armatën jugosllave. Po para se të vija në Kosovë, Agimi ma pat treguar një kod, që nëse më thërret në telefon dhe më thotë se do të shkojmë në Kërçovë, unë duhet të marr sinjalin se unë duhet të bëhesha gati bashkë me fëmijët dhe të lëshonim Kosovën”, thotë Shukria. 

Duke kujtuar këtë vendim të vështirë, që e dinin se po lëshonin Kosovën po nuk e dinin kthimin, ajo kujton se këtë kod e mori për Vit të Ri, dhe ajo bashkë me Agimin dhe dy djemtë e tyre fluturuan prej aeroportit të Shkupit.

“Ende i kam të freskëta emocionet e atij fluturimi. Deri në aeroport, Agimi ishte me uniformë ushtarake, pak para se të niseshim shkoi dhe hoqi uniformën dhe veshi atë civilen, po deri sa kemi arrit në Zvicër unë kisha frikë se do ta arrestojnë, sepse ai sapo kishte dezertuar prej ushtrisë së Jugosllavisë së atëhershme”, thotë Shukria.

Dhe tashmë jeta e tyre ishte më e sigurt kur kemi parasysh luftën, por jo jeta më e mirë e mundshme që mund të të ofrojë perëndimi, pasi që për disa muaj familja Ramadani bashkë me shumë familje të tjera refugjate ishin vendosë në një bunker, që sipas Shukrisë detyroheshin të dilnin në diell që të merrnin rreze dielli, sepse ishte jashtë mase ftohtë brenda bunkerit. Pasojat e qëndrimit në këtë bunker, ishin pasoja të rënda për Shukrinë, pasi shëndeti iu rëndua dhe ishte detyruar të shtrihej në spital.

Kamp pas kampi, e shtëpi pas shtëpie, më në fund ishin vendosë në një shtëpi që plotësonte nevojat e familjes Ramadani në Zurich të Zvicrës, ku edhe filluan një jetë më të rregullt, ku Shukria vazhdoi punën si mësuese e gjuhës shqipe, kurse Agimi përpos punëve të ndryshme, ai ishte përgjegjës edhe për aktivitetet kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër, sikurse që merrej në të njëjtën kohë me poezi dhe pikturë.

Në shikim të parë dukej se jeta e tyre po stabilizohej, duke përfshirë se familja e tyre ishte rritë edhe me lindjen e një vajze, por situata ‘poshtë’, ashtu sikurse i referoheshin mërgimtarët Kosovës nuk ishte në ditët më të mira.

Shukria tregon se tashmë oficerët shqiptarë që ishin mërgimtarë në diasporë kishin filluar ti shpeshtonin takimet dhe të shqyrtonin mundësinë e rikthimit të tyre në atdhe, për të mbrojtur vendin e tyre.

Vendimi i Agim Ramadanit për të shkuar në luftën e Kosovës, ishte vendim që shqetësoi edhe fëmijët. Shukria kujton se vajza e tyre ishte vetëm tri vjeçe, dhe edhe pse nuk i kishin treguar se po shkonte në Kosovë, trupi i saj e kishte ndjerë këtë fakt, dhe sipas saj, temperatura i kishte shkuar në 40 gradë. “U pat detyruar Agimi që udhëtimin ta shtyjë për një natë, me rekomandim të mjekut. Më pas iu thamë fëmijëve se babai po shkon me punë në Francë, dhe kështu i qetësuam ujërat”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë asaj periudhe kishin edhe probleme financiare, sepse kishin mbet vetëm me pagën e Shukrisë si mësuese.

Agimi la Zvicrën për luftën e Kosovës, shkoi edhe me një parullë, se nuk i takon asnjë partie politike

“Agimi ka shkuar në luftë me një dëshirë, duke treguar gjithnjë se nuk është anëtarë i asnjë partie dhe se shkon për të luftuar për vendin e tij.  Për Agimin ka qenë esenciale se oficeri dhe mësuesi nuk guxojnë kurrë ti takojnë një partie. Ai këto dy profesione i ka vlerësuar si profesione që janë në shërbim të popullit”, ka thënë Shukria. 

Udhëtimi për luftë i Agim Ramadanit nuk paraqiti ndonjë problem për Shukrinë, problemi më i madh për të ishte se si nuk kishte mundësi që të shkonte edhe ajo për të luftuar bashkë me të, po pasi që ishte nënë e tre fëmijëve, ata ndanë rolet, njëri në luftë e tjetri kujdesin për fëmijët.

Pas asaj ndarje, Shukria kujton se me Agimin ishte takuar pas nëntë muajve, atëherë kur ishte kthyer Agimi në Zvicër për të mbledhë fondet për blerjen e armëve, dhe më pas ishte edhe një takim tjetër në Shqipëri, ku Shukria shkoi të takojë Agimin pas rënies së Junikut, dhe Agim Ramadani kishte udhëheqë kolonën shqiptare për në Shqipëri.

Shukria e përshkruan Agimin si një njeri që nuk e njihte. “I kishte mbet veç shpirti, një njeri që ishte i mbështjellë vetëm me lëkurë. Por kishte shpirtin aq të fortë, aq të fortë e aq pozitiv sa më dha shumë shpresa që liria nuk është larg”, rrëfen Shukria, e cila e vuan edhe më faktin që Agimi dhe shokët e tij nuk e lejuan që ti bashkohej në luftë, edhe pse shumë e dëshironte.

“Më detyroi të kthehesha për Zvicër pas tri ditëve, ishte shumë situatë e vështirë”, tregon Shukria për jetën me shumë sakrifica me Agim Ramadanin, i njohur nga të gjithë me nofkën “Katana”.

Por vizita e fundit dhe takimi i fundit me Agimin ishte në vitin 1998, kur Agimi kishte shkuar sërish në Zvicër, por tashti i shoqëruar edhe nga Sali Ceku.

Shukria tregon se këtë herë e kishte parë më se paku, sepse shtëpia e saj ishte e mbushur me mysafirë dhe nuk kishte pas rast të bisedonte shumë me të.

“Përpos disa gjërave që mi ka treguar, e më mirë është që mos ti dija”, thotë Shukria, që edhe kësaj here nuk shpalosë më shumë se çfarë i kishte treguar Agim Ramadani me atë vizitë.

Përderisa Shukria vazhdonte të jetonte në Zvicër bashkë me fëmijët e saj, Agim Ramadani vazhdonte të luftonte në Kosovë, e për momentin e bombardimeve të NATO-s, Shukria tregon se si e kishte thirrë Agimi në telefon, në mënyrë që ti dëgjonte bombardimet edhe Shukria në Zvicër.

“Kur sulmoi për herë të parë NATO, më thirri Agimi në telefon. ‘E dëgjon’, më tha, ‘Kjo është zhurma e lirisë, e dëgjon si ushton liria’, më tha Agimi në telefon, dhe mbaj në mend që i pata thënë ‘Çfarë zhurme paska liria, qenka e çuditshme”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë qëndrimit të Agimit atje, ata janë dëgjuar pothuajse në çdo të tretën ditë.

Përderisa vjen te momenti që është edhe momenti më i vështirë në jetën e Shukrisë, sikur lëvizë vend dhe sikur mbledhë forcat për të treguar edhe këtë pjesë të jetës së saj, jetë me shumë copëza, shumë dhimbje por jetë e mbushur me shumë dashuri.

Atë ditë që kishte rënë Agimi unë pata një ngushti që ma shtrëngonte shpirtin

Shukria tregon se ishte e ftuar në drekë te një familje shqiptare në Zvicër, por edhe pse ishte momenti kur po shtrohej tryeza e drekës, Shukria mban në mend se ishte ngritur në këmbë me kërkesën e saj për tu kthyer në shtëpi.

“Një ngushti aq shumë ma shtrëngoi shpirtin, sa nuk më zinte vend vend. Sikur që thonë te ne, toka peshë më qojke”, tregon Shukria, e cila edhe telefonin me të cilin komunikonte me Agimin e kishte harruar në banesë. “Kam shkuar shpejt e shpejt në banesë dhe kam thirrë në telefon, mu lajmërua Agron Isufi, e pyeta për Agimin po ai më tha se është në front. I thashë që ti thotë Agimit të ruhet, sepse kam një ndjenjë të keqe”, kujton ato momente Shukria, e cila më pas shpjegon se pas një ore sërish thirri, po prap i thanë të njëjtën përgjigje se nuk mund të fliste se ishte në front. Shukria tregon se atë natë nuk kishte vënë gjumë në sy, dhe herën e fundit që kishte fole me Agimin ishte 9 prilli.

Të nesërmen e asaj dite, ajo tregon se në banesën e saj kishte ardhur Kimete Gashi, ish gruaja e Xhafer Gashit dhe e zverdhur në fytyrë i kishte thënë se duhet të shkonin në Shqipëri, që ti vizitojnë burrat.

“Mbaj në mend se më tha se kishte dëgjuar se Agimin e kanë plagosur, në fakt ajo me të vërtetë ishte veç me atë informatë. Po unë e di se përjetova diçka të tmerrshme në brendinë time, se e dija se nëse do të ishte i plagosur Agimi, ai do të më merrte në telefon, dhe jo këtë lajm ta merrja vesh prej Kimetes”, tregon Shukria.

Ndërkohë, Shukria tregon se para se të nisej për Shqipëri me vëllain e Agimit dhe disa shokë të tij, ajo kishte biseduar me djalin e saj, në atë kohë nëntë vjeç dhe i kishte thënë se edhe nëse ka ndodhë diçka me babin, babi bëhet hero, dhe ku ka gjë më të mirë se të bëhet hero. “Djali vetëm më dëgjonte dhe në fund më tha ‘Mam, nuk dua që babi të bëhet hero, unë dua që babi të kthehet në shtëpi”, tregon Shukria e cila shpjegon se vetëm ajo e di se si e ka përmbledhë vetën para fëmijëve dhe si nuk ka qarë para tyre, vetëm që ti ruaj ata nga dhimbja.

Shukria fillimisht kishte shkuar në Bajram Curr, dhe aty ishte vendosur me një shtëpi, pasi i thanë se kanë shumë rrugë për të bërë deri në Koshare.

“Isha e hutuar, fëmijët i kisha në Zvicër, unë isha në Bajram Curr, ndërkohë më thoshin se burrin e kisha të plagosur në Koshare. Por goditjen më të madhe e mora nga vëllai i shokut të Agimit. Ai mu drejtua dhe ma dha lajmin. Lajmin se Agimi kishte rënë. Nuk di si e kam pranuar atë lajm, veç e di se në një tavolinë aty afër ka qenë një gazetë me fjalëkryq, jam ulë dhe me një shpejtësi marramendëse e kam plotësu fjalëkryqin. Desha të sprovoj vetën se a jam mirë me mendje. Atë natë nuk kam vënë gjumë në sy, dhe ashtu e dërmuar me mëngjes jemi nisë në Koshare”, tregon Shukria, e cila në trajektin që po udhëtonin nga liqeni i Komanit, bashkë me ta kishin rastisë edhe disa gazetarë të huaj, gazetarë që me një farë forme penguan të realizonte Shukria një plan që e kishte brenda. Ajo kishte planifikuar që ta hapte varrin, ta zhvarroste Agimin, sepse vetëm në këtë mënyrë do të bindej se ishte po Agimi i saj. Por të gjithë shqiptarët që po e rrethonin Shukrinë e lutën që mos ta bënte këtë gjest pata gazetarëve të huaj, sepse do të shndërrohej në lajm botëror.  

Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi

“Të them të drejtën shumë jam penduar që nuk e kam hapë varrin, kurrë nuk jam bind që ka vdekë Agimi”, thotë krejt në lot Shukria, e cila pas vizitës në ato varreza, asaj i ishin dorëzuar edhe gjërat personale të Agimit, sikurse që kishin dashur t’ia jepnin revolen dhe kallashin. “Armët nuk i pranova, iu thash që këto armë duhet të përdoren deri sa të largohet këmba e fundit e serbit”, tregon Shukria, e cila thotë që edhe pse ka përfunduar lufta, ato armë më nuk i kanë rënë në dorë, edhe pse do të dëshironte shumë që ti kishte në gjërat personale të Agimit, duke përfshirë ditarin e Agimit, ditar që sipas Shukrisë pa ndihmën e shokëve të tij nuk ka mundësi ta c’kodojë, sikurse që i ka dhënë vetës detyrë që të bëj Muzeun e Agimit, film për Agimin, ribotimin e librit “Si e njoha Agim Ramadanin”, që është shkruar nga Ibrahim Kadriu dhe një ekspozitë.  

Sot 58 vjeçe, e që e ve është që nga mosha 32 vjeçe, ajo edhe sot prehjen më të madhe e gjen në Koshare, pavarësisht shumë vendeve që kishte jetuar me Agimin, po sikurse që ka për zemër edhe Zvicrën, pasi që është vendi ku më së gjati ka jetuar me Agimin. “Ndoshta kjo është edhe arsyeja që u ktheva në Zvicër”, thotë Shukria e cila tash punon si diplomate në Ambasadën e Kosovës në Zvicër.

Ajo tash është e rrethuar me fëmijët e saj, dhe me nipat e mbesat e saj, po më të preferuarin e ka Agimin e vogël, që sipas saj shpesh i duket që Agimi i saj është rinkarnuar në Agimin e vogël. Shukria që jeton me shumë kujtime për Katanën, ka edhe një detaj tjetër që Agimin ia ringjallë. Shumë shpesh ndodhë që ti kthehen pikturat e Agimit nga blerësit e mëhershëm, të cilët vlerësojnë se këto piktura më mirë është që ti takojnë familjes se sa blerësve. “Është edhe dhimbje po edhe ringjallje, që kohë pas kohe më kthehet diçka e Agimit”, tregon Shukria duke treguar edhe një detaj, se pikturat e Agimit që i posedon edhe sot, për çudi shumica e tyre kanë pamjen e Rrasës së Zogut, Rrasë që prehë heroin e Kosovës, Agim Ramadanin./ KultPlus.com

Ardianë Pajaziti për këngën fituese për në Eurovision: Këngë e masës dhe masa e votoi

Festivali i Këngës në RTSH mbrëmë mbylli edicionin e 61-të me shpalljen e këngës fituese, që dhe do të përfaqësojê Shqipërinë në Eurovision, shkruan KultPlus.

Është këngëtarja Albina Kelmendi me familjen që me këngën ‘Duje’ rrëmbeu fitoren e këtij festivali, fitore kjo që erdhi nga votat e publikut.

Përkundër faktit që Albina mori një përkrahje të madhe nga mediat dhe populli, kishte edhe shumë kritike e njerëz të artit që nuk e vlerësuan këngën “Duje” si të duhurën për Eurovison.

Një reagim të tillë e bëri sot edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti.

Sipas Pajazitit, ishte fat për Albinën që këtë vit fituesi shkoj më vota të publikut, sepse kënga ishte e masës dhe masa e votoi.

“Fat per Albina Kelmendin qe kete vit fituesi shkoj me vota te publikut, kenge e mases dhe masa e votoi”, shkruan Pajaziti.

Kujtojmë që këngëtarja Elsa Lila u shpall fituese me votat e jurisë, por megjithatë Shqipëria këtë vit do të përfaqësohet në Eurovision nga Albina Kelmendi bashkë me familje. / KultPlus.com

Suksesshëm shënohet edicioni i pestë i konkursit poetik “KultStrofa”, çmimi i parë shkon në Tiranë

Uranik Emini
Fotografitë: Nok Selmani

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffee Gallery në një vijë me emocionet e mëdha u eksploruan fuqitë e jashtëzakonshme të poezisë. Të pranishmit e mbledhur për të përcjellur nga afër konkursin mbarëkombëtar të poezisë të organizuar nga KultPlus, “KultStrofa”, u bënë dëshmitarë të asaj se poezia nuk ka një përkufizim të saktë – asnjë të vërtetë të përgjithshme që vlen për të gjitha poezitë, por ndjesitë që vijnë prej saj janë diçka që nuk mund të kontrollohen, as të përkufizohen, por vetëm të shijohen e përjetohen, shkruan KultPlus.

Ceremonia e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, me ç’rast në natën finale të edicionit të pestë u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia dhe Zvicra.

Por fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatorja Vlora Merovci.

“Përgjatë këtyre viteve, për pesë edicione ka kaluar numri i mbi një mijë poezive që kanë arritë ne adresë të KultPlus, e që e dëshmon edhe më fuqishëm se “KultStrofa” është gara poetike me e adhuruar ndër poetet”, thotë Merovci.

Sipas saj, ky edicion i ka mbledhur mbi 200 poezi të cilat kanë ardhur në KultPlus pas thirrjes së hapur e më pas ato poezi janë vlerësuar e që në fakt nuk ka qenë fare e lehtë për ta.

“Ndërkohë ju kujtojmë se përgjatë edicioneve të shkuara, fitues të KultStrofa kanë dalë: Ragip Syla, Arjola Zadrima, Merita Bërdica dhe Gentiana Bajrami Atashi”, shton tutje ajo.

Më pas, për një fjalë rasti është ftuar edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila u shpreh se të bësh një konkurs të tillë është një emocion shumë i madh.

“Është një emocion i madh që të shënojmë edicionin e pestë të KultStrofës e që po shkon çdo vit duke u bërë edhe më i rëndësishëm për gjithë komunitetin e poetëve në nivel mbarëkombëtar. Jam e nderuar për një juri kaq të mirë dhe profesionale që ka bashkëpunuar aq ngushtë për përzgjedhjen e 10 finalistëve. Dua të them diçka për KultStrofën. Unë që 2 muaj jam duke menduar aq gjatë sa jam shterruar se çka të them, pra është një emocion i madh që t’i mbledhim poetët e të gjitha trevave”.

Kult(Plus)ura thyen të gjitha barrierat

Pajaziti thotë tutje se përgjatë gjithë edicioneve të KultStrofës, poetë nga trevat shqiptare janë bërë bashkë dhe është dëshmuar se kultura nuk ka pasur kufi asnjëherë.

“Ne i kemi në 4 vite, dy poetë nga Shqipëria, e dy nga Kosova, që do të thotë se KultStrofa i ka thyer të gjitha barrierat. Kultura dihet se kufi nuk ka pasur asnjëherë, e këtë gjë po vazhdon ta dëshmoj e vazhdoj KultStrofa. Edhe finalistët e këtij edicioni janë nga Ulqini, Shkodra, Tirana, Prishtina, e me të vërtet është një emocion shumë i mirë dhe shumë i madh. KultStrofën nuk do të mund ta bëja vetë, pa stafin e KultPlusit. Po besoj shumë në shijën e Ornelës, Agut dhe Drenit, që do t’i dëgjoni e shijoni poezitë e natës së sotme, duke ju uruar kështu një mbrëmje shumë të mirë”, përfundon ajo.

Gjatë leximit të poezive, për një fjalë rasti është ftuar edhe njëri ndër anëtarët e jurisë, këngëtari i njohur, Dren Abazi, i cili tha se është një kënaqësi e madhe për të qenë aty.

“Është një kënaqësi që të jem mes jush. Nuk e shoh veten as si shkrimtar dhe si poet jo se jo. Meqenëse më ka ftuar Ardiana, dua të them se unë përpos që i kompozoj këngët, i shkruaj edhe tekstet. I kam lexuar të gjithë poezitë dhe mendoj që është kompetencë më e madhe e Agut dhe Ornelës që të flasin për poezitë. Kanë qenë diku 117 poezi dhe ka qenë vështirë që t’i zgjedhim më të mirat, por besoj që ia kemi arritur qëllimit”, tha ai.

Po ashtu, anëtari tjetër i jurisë së këtij konkursi, profesori Ag Apolloni, shpjegoi procesin e përzgjedhjes, derisa tha se gjithë poezitë e ardhura në adresë të KultPlus, sipas tij, janë fituese.

“KultPlusi është një platformë që na bën bashkë edhe kur jemi të gjithë bashkë tek shpija, sepse na bën që ta klikojmë së bashku. Në këtë konkurs kanë aplikuar mbi 200 poezi, por siç tha Dreni, kemi përzgjedhur për vlerësim 117, sepse disa janë diskualifikuar në momentin që janë pa se janë të publikuara. Në mesin e këtyre poezive kemi gjetur një top 10 dhe mandej tre fituesit. Unë mendoj se fitues kanë qenë të gjithë pjesëmarrësit, sepse na kanë dhënë një kënaqësi të leximit, por ashtu e do natyra, që disa të zgjedhen në mesin e të tjerave”, thotë Apolloni.

Në anën tjetër, kryetarja e jurisë për edicionin e pestë të KultStrofës, Ornela Vorpsi, tregon se u ndje shumë e befasuar dhe e lumtur në të njëjtën kohë, kur pranoi ftesën për të qenë pjesë e këtij edicioni.

“Kur Ardiana më ftoi, unë u preka jashtë mase sepse e di që të gjithë jemi shqiptarë, por të më thërras mua nga Shqipëria u befasova shumë dhe për këtë arsye erdha pasi nuk jam shumë njeri i dashuruar pas udhëtimeve, jam në punën time. I lexova poezitë me kujdes dhe vëmendje. Diçka që më preku dhe që ndoshta ndryshon nga shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë është se ndjeva një dimension jashtë mase patriotik te ju, që neve na mungon. Domethënë ishin nga poezitë ku kishte dashuri universale, por ajo e patriotizmit më preku jashtë mase. Në Shqipëri ne e kemi humbur këtë dimension”, shpjegon ajo.

Tutje, Vorpsi thotë se të shkruash poezi në ditët e sotme, marrë parasysh në epokën teknologjike që po jetojmë, është një akt rezistence në vete.

“Të shkruash poezi sot është një akt rezistence, sepse siç e dijmë të gjithë jemi në një epokë tjetër, asaj të teknologjisë dhe ku qejfet janë më të kollajta në telefon e tablet dhe poezia është tamam si një formë rezistence e një arti që mundohet të jetoj sërish. Kjo më pëlqen jashtë mase. Për mua të gjithë 117 janë fituese dhe saherë që hiqja ndonjë për të arritur në një dhjetëshe dhe treshe finale, më dhimbte zemra. Kështu që, i falënderoj të gjithë poetët që vazhdojnë këtë rrugë shumë të vështirë dhe i uroj gjithë të mirat. Falënderoj edhe Ardianën për këtë mbrëmjë që na dhuron dhe për ftesën që ma bëri”, thotë në fund kryetarja e jurisë, Vorpsi.

Emocionet janë pjesë e secilit njeri, e kur bëhet fjalë te poezia, kjo e fundit di të hy thellë në shpirtin e njeriut dhe të zgjojë ato emocione të cilat ne shpesh herë mendojmë se kishin vdekur dhe nuk kanë qenë kurrë aty.

Ndërkaq, finalistët e shpallur të këtij edicioni janë: Donika Berishaj, Eneida Gjonbalaj, Fatbardha Hasi, Argëzon Sulejmani, Zhaneta Barxhaj, Amina Kaja, Irsa Ruçi, Urim Dullovi, Fjolla Gashi dhe Ermira Alia.

Në mungesën fizike të tri autoreve finaliste, qe studentja e letërsisë Edlira Musliu ajo që interpretoi këndshëm poezinë “Histori e humbur” nga Eneida Gjonbalaj dhe poezinë e Ermira Alia “Frymë nën frymë”. Ndërsa, moderatorja Vlora Merovci e interpretoi poezinë e Irsa Ruçit, “Kur zoti puthi tokën”.

Vargjet e secilës poezi po kumbonin në atmosferën e mrekullueshme përpara të pranishmëve, derisa në fund erdhi edhe momenti i së vërtetës, ai i shpalljes së fituesve të çmimit “KultStrofa”. Fillimisht, u bë ndarja e mirënjohjëve për poetët: Donika Berishaj, Irsa Ruçi, Eneida Gjonabala,j Urim Dullovi, Amina Kaja, Argëzon Sulejmani, Fjolla Gashi.

Çmimi i tretë shkoi për poezinë “Frymë nën frymë” nga autorja shkodrane, Ermira Alia, derisa këtë çmim e ndau anëtari i jurisë, Dren Abazi.

Ndërkaq, vendin e dytë e ndau profesori Ag Apolloni, çmimi ky i cili shkoi për poezinë “Me dashtë” nga Fatbardha Hasi.

Autorja Zhaneta Barxhaj me poezinë “Hija”, mori çmimin e parë të edicionit të pestë të konkursit poetik “KultStrofa”. Ornela Vorpsi e bëri edhe ndarjen e çmimit, duke shpjeguar edhe arsyen pse kjo e fundit, sipas jurisë, mori çmimin kryesor.

“Kishte një gjuhë shqipe jashtë mase të pastër. Diçka që më bëri përshtypje në poezitë ishin fjalët e huazara nga gjuhët tjera. Por, kur shkruhet e punohet në një gjuhë sikurse të atdhuet edhe një gjuhë tjetër, sigurisht lëvrohet. Të huazosh fjalë totalisht të huaja s’më pëlqeu shumë, por në rastin e fitueses kemi një gjuhë shqipe të lëvëruar mjaftë mase bukur”, tha Vorpsi në dakordim me anëtarët e tjerë të jurisë.

Po ashtu fituesja e vendit të parë, Zhaneta Barxhaj theksoi se kjo është hera e parë që ajo po merr pjesë në një konkurs të tillë, derisa thotë se është munduar që në të gjithë krijmtarinë e saj t’i qëndrojë besnike gjuhës shqipe.

“Kur mora pjesë në këtë konkurs, ia thashë edhe Ardianës se unë thjeshtë e pava si një njoftim dhe vendosa të aplikoj. Kjo është hera e parë që unë marr pjesë në një konkurs të poezisë edhe pse kam lëvruar gjatë. Për mua poezia nuk ka fitues, sepse ajo është një ndjenjë dhe ne nuk mund të vlerësojmë ndjenjat dhe për mua të gjithë poetët janë fitues. Më preku Ornela me fjalët e saj, sepse unë në të gjithë krijimtarinë time jam munduar që t’i qëndroj besnike shqipes, t’i risjellë ato fjalë të cilat i kemi humbur, qoftë edhe për shkak të internetit dhe hapësirave tjera. Në qoftë se unë kam arritur ta ruaj të pastër gjuhën shqipe, është çmimi më i madh për mua”, tha ajo, derisa pranoi me shumë emocione çmimin e parë.

Kështu për të përmbyllur këtë edicion, edhe një herë fjalën e mori drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila ndau mirënjohjen vjetore për performancë të shkëlqyer në redaksinë e gazetës, dhe kjo mirënjohje iu dha gazetares Era Berisha.

“Në fakt ne tradicionalisht e kemi që ky tubim të shënojë pak edhe fundvitin dhe në mesin e mirënjohjeve dhe çmimeve tjera, është koha të rikthejmë kokën pak brenda KultPlus-it, që edhe pa qenë këtu e klikoni në shtëpi. Çdo vit e vlerësojmë dikë që ka punuar pak më shumë dhe ma me përkushtim. E kemi një vajzë shumë të re dhe e cila ka një energji të papame dhe një përshkrim që ndodhë në një të ardhme, edhe mund të shndërrohet në një romanciere shumë të mirë. Era e ka një performancë të shkëlqyer për këtë vit”, thotë Pajaziti.

Krejt në fund, u krijua një atmosferë e pakrahasueshme dhe e mbushur me plot lumturi, dashuri e miqësi që shënoi fundin e kësaj nate të paharrueshme për të gjithë të pranishmit që patën mundësi të përhumbeshin pas artit që e posedon poezia.

‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus.

Ndërkaq, kjo mbrëmje kishte sponsor Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ambasadën e Francës në Kosovë Hotel Nartel dhe Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com

Më 16 dhjetor, mbrëmja finale e konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’

Më 16 dhjetor nga ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery do të mbahet nata finale e konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus.

Juria e përbërë nga Ornela Vorpsi, kryetare e jurisë, si dhe Ag Apolloni dhe Dren Abazi do ndajnë çmimet për tre vendet e para.

Ndërkaq ky konkurs i cili ndër vite ka sjellë prurje të jashtëzakonshme të cilat janë kurorëzuar me një event të organizuar në KultPlus ku edhe janë shpërblyer, këtë vit paralajmëron një edicion special të mbështjellë me një laramani emocionesh.

Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.

Ju kujtojmë që në konkursin e parë fitues ishte poeti i njohur Ragip Sylaj, për të vazhduar tutje ne edicionet tjera me poetet, Arjola Zadrima, Merita Berdica dhe Gentiana Bajrami Atashit.

“KultStrofa”, këtë vit mbështete nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komuna e Prishtinës, Ambasada e Francës në Kosovë, Hotel Nartel. / KultPlus.com

Gëzim Myshketa me dedikim emocionues pas “Ta zbardhi ftyrën”: Unë nuk kam lindur në Prishtinë, ama këtu mu duk se rilinda

Edicioni i pestë i mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” këtë vit u shënua me baritonin Gëzim Myshketa, mbrëmje kjo që dhuroi tejet emocion e që po vazhdon edhe më tej.

Tejet i emocionuar nga kjo mbrëmje ka mbetur edhe baritoni Gëzim Myshketa i cili sot i ka dedikuar një shkrim në shenjë falënderimi, organizatorëve të këtij eventi KultPlus-it dhe themelueses Ardianë Pajaziti.

Myshketa është shprehur se në këtë mbrëmje është rilindur shpirtërisht dhe ka ndjerë një dashuri të pakusht.

Ai gjithashtu është shprehur se popullin e Kosovës e do pa patriotizëm të kotë e të pa vend.

Ky është postimi i plotë i baritonit Myshketa:

Katër Ungjijtë e shenjtë dekretojnë :

“nemo propheta in patria” – “askush nuk është profet në vendin e tij”…

Nuk ndodh gjithnjë kështu ose të paktën jo kështu ( krejtësisht ) …

Unë nuk kam lindur në Prishtinë por në Durrës… ama këtu mu duk se rilinda!!!

Rilinda shpirtërisht e gjithë zymtësia e javëve të fundit jetese “në botën e pasur e të përparuar“ u venit.

U rilinda me shpresë e vrull të ri nga një dashuri e dëshiruar e pakufijtë e sinqertë…

Ndjeva të më duan aq shumë deri “siklet” , një “siklet” i ëmbël …privilegjues…

Ju dua populli im i Kosovës , i Prishtinës!

Ju dua pa patriotizëm të kotë e të pa vend!

Ju dua thjesht se më deshët!

Ju dua se emocionin që zinte fill nga gryka ime drejt jush ma keni kthyer 100 fish në kohë reale përgjatë të gjithë mbrëmjes e më pas, e tani , e nesër akoma.

Ju dua se po ndërtoni me shumë sakrifica të ardhmen TUAJ , ndaj mos kini asnjë shenjë të zbehtë ngurrimi a inferioriteti ndaj askujt !!! Jeni më të mirë e keni më shumë vlera se mjaft popuj të cilët “lluksin” e lirisë e kanë të tyrin prej shekujsh…

I Falem Nderit që më bëtë: KultPlus.com
Ardianë Pajaziti, Kult Plus, Lule Elezi, Elikona Hysaj Shala, Meriton Ferizi, Arsim Halili, Fëllënza Citaku!!!

Flm maestro LULE ELEZI.

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës
Radion Televizioni i Kosovës- RTK
Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Ardianë Pajaziti: Edicioni i pestë i “Ta zbardhi ftyrën” do të shënohet me baritonin Gëzim Myshketa

Pas katër edicioneve të suksesshme, KultPlus ka nisur përgatitjet për të sjellë edicionin e pestë me radhë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”.

“Ta zbardhi ftyrën” është një prej ngjarjeve më të bukura që përjetohen në kryeqytetin e Kosovës pasi që deri më tani ka arritur të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar të cilët kanë dhuruar emocione të forta e kanë rrëfyer histori të padëgjuara më herët.

Edhe ky edicion pritet të jetë tejet special me një figurë të rëndësishme të artit shqiptar që na bën çdo ditë krenar me paraqitjet e tij në skenat ndërkombëtare.

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus, ka njoftuar se tashmë është konfirmuar edhe artisti i këtij edicioni.

“Pas katër edicioneve të suksesshme ku kemi pas artistë mjaftë të rëndësishëm nëpër shtete të ndryshme të botës, edhe këtë vit do të sjellim një artist shqiptar që  vlerësohet shumë  në nivel ndërkombëtar. Këtë vit do të sjellim baritonin e suksesshëm Gëzim Myshketa, me të cilin edhe do të shënojmë edicionin e pestë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, ka thënë Pajaziti.

Ajo ka treguar më pas se për shkak të agjendës së ngjeshur të Myshketës, kjo mbrëmje artistike që zakonisht është mbajtur në muajin gusht, këtë vit do të mbahet në muajin dhjetor.

“Për shkak të natyrës së mbrëmjes, ku sjellim artistë shqiptarë që jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës e më gjerë, jo gjithherë po arrijmë ta realizojmë këtë mbrëmje në një muaj të caktuar. Sepse po varemi prej agjendës së mysafirëve”, ka thënë Pajaziti e cila është shprehë të jetë shumë e kënaqur që KultPlus si herëve të shkuara, edhe kësaj radhe do të prezantojë një artist të përmasave të mëdha.

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.

“Ta zbardhi ftyrën” është një mbrëmje artistike ku KultPlus sjell personalitete të cilat krijojnë dhe kanë sukses jashtë Kosovës, për të na treguar për sfidat, vështirësitë dhe rrugëtimin e tyre. Emërtimi i debatit nuk asocon me asgjë tjetër, pos idesë se artistët kosovarë e shqiptarë mund dhe arrijnë të kenë suksese edhe në shtetet tjera evropiane ku depërtimi është shumë më i vështirë. A ekziston ende shprehja “na e zbardhe ftyrën” dhe a veprojnë artistët bazuar në këtë thënie, do ta zbulojmë edhe me artistin e këtij edicioni ku do të ketë një diskutim të hapur me audiencën dhe performancë para publikut me një repertor të përzgjedhur.

Edicioni i sivjetmë i “Ta zbardhi ftyrën” mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme. / KultPlus.com

KultPlus në përgatitje të edicionit të pestë të “Ta zbardhi ftyrën”

Foto: Nga edicioni i fundit i mbrëmjes “Ta zbardhi ftyrën”

Pas katër edicioneve të suksesshme, KultPlus ka nisur përgatitjet për të sjellë edicionin e pestë me radhë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”.

“Ta zbardhi ftyrën” është një prej ngjarjeve më të bukura që përjetohen në kryeqytetin e Kosovës pasi që deri më tani ka arritur të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar të cilët kanë dhuruar emocione të forta e kanë rrëfyer histori të padëgjuara më herët.

Edhe ky edicion pritet të jetë tejet special me një figurë të rëndësishme të artit shqiptar që na bën çdo ditë krenar me paraqitjet e tij në skenat ndërkombëtare.

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus, ka njoftuar se tashmë është konfirmuar edhe artisti i këtij edicioni.

“Pas katër edicioneve të suksesshme ku kemi pas artistë mjaftë të rëndësishëm nëpër shtete të ndryshme të botës, edhe këtë vit do të sjellim një artist shqiptar që po vlerësohet shumë. Tashmë e kemi të konfirmuar artistin por që për arsye të brendshme ende nuk ka ardhur koha për ta zbuluar emrin. Ajo çka mund të them tani, është që ju pret një mbrëmje speciale me një zë të fuqishëm që do të ju dhurojë emocione të forta”, thotë Pajaziti.

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Gioranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.

“Ta zbardhi ftyrën” është një mbrëmje artistike ku KultPlus sjell personalitete të cilat krijojnë dhe kanë sukses jashtë Kosovës, për të na treguar për sfidat, vështirësitë dhe rrugëtimin e tyre. Emërtimi i debatit nuk asocon me asgjë tjetër, pos idesë se artistët kosovarë e shqiptarë mund dhe arrijnë të kenë suksese edhe në shtetet tjera evropiane ku depërtimi është shumë më i vështirë. A ekziston ende shprehja “na e zbardhe ftyrën” dhe a veprojnë artistët bazuar në këtë thënie, do ta zbulojmë edhe me artistin e këtij edicioni ku do të ketë një diskutim të hapur me audiencën dhe performancë para publikut me një repertor të përzgjedhur.

Edicioni i sivjetmë i “Ta zbardhi ftyrën” mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme. / KultPlus.com

KultPlus dhe Mrizi i Zanave me ekspozitë të përbashkët, prezantuan “Gjamë” nga Nagip Tashi

Përderisa institucionet shtetërore të Shqipërisë e Kosovës po rikthejnë hapësirat e burgjeve, qoftë për ndonjë projekt të caktuar, kujtesë kolektive apo si hapësirë arti, “Mrizi i Zanave” një gjë të tillë po e bën me vetiniciativë.

Një hapësirë që ishte përdorë për të burgosurit, tash e sa vite është shndërruar në kantinë te “Mrizi i Zanave”, ku brenda kësaj hapësire ka fuqi të mëdha të verërave, por që të në njëjtën kohë bëhet edhe degustimi i verërave që prodhohen nga Altin Prenga.

Dhe, përderisa kjo hapësirë vizitohet nga turistë vendorë e të huaj, në pasditen e së shtunës erdhi edhe me një ‘gjamë’.

“Gjama” ekspozita e Nagip Tashit po u uronte mirëseardhje artdashësve  të pranishëm, ku si fillim ishte vendosë portreti-mozaik në dru i Gjergj Fishtës, portet që edhe i printe kësaj ekspozite që përfshinë figura të rëndësishme të historisë e kulturës shqiptare, e që nuk janë më në mesin tonë si: Gjergj Kastrioti, Gjergj Fishta, Ibrahim Rugova, Ibrahim Kodra, Bekim Fehmiu e shumë figura të tjera të rëndësishme të kombit shqiptar, por e veçanta e kësaj ekspozite që ka bashkuar Shqipërinë, Kosovën e Luginën e Preshevës, ishte se në mesin e portreteve ishte i vetmi portret i një figure të gjallë, e që është portreti i Fahrije Hotit, gruas së guximshme nga Krusha, e cila dhimbjen e ka shndërruar në guxim e forcë, për të krijuar biznes, për tu shndërruar në inspirim për regjisorë, e tash së fundi inspirim edhe për Nagip Tashin nga Tërrnoci, i cili edhe ishte shkak i bashkëpunimit mes KultPlus dhe Mrizit të Zanave.

Altin Prenga në cilësinë e nikoqirit të kësaj ekspozite ka falënderuar fillimisht të pranishmit nga Kosova e Lugina e Preshevës, i cili ka vlerësuar punën dhe angazhimin e Tashit për këtë projekt artistik, por që i njëjti ka falënderuar edhe kryeredaktoren e KultPlus, Ardianë Pajaziti, i cili ka thënë se Pajaziti asnjëherë nuk e ulë nivelin, dhe gjithnjë sjell vlera artistike, sikurse është ekspozita “Gjamë” e Nagip Tashit.

Ndërkohë, Ardianë Pajaziti ka potencuar në hapjen e kësaj ekspozite, se ekspozita e Nagip Tashit pas prezantimit në Prishtinë, në KultPlus Caffe Gallery, tashmë po numëron ekspozitën e dytë të radhës te Mrizi i Zanave në Shqipëri.

“Unë dhe Altin Prenga që një kohë kemi qenë në kërkim të një projekti të përbashkët që mund të organizohet nga të dy palët, dhe ekspozita e Nagip Tashit është gjetja më e mirë e këtij bashkëpunimi, duke pas parasysh veçantinë e punës së Tashit me këto mozaikë, por edhe përzgjedhjen e figurave të rëndësishme kombëtare e kulturore. Nuk do të kishte një projekt më të denjë që do të mund të niste këtë bashkëpunim mes KultPlus dhe Mrizit të Zanave”, ka thënë Pajaziti.

Kurse Fahrije Hoti është shprehë të jetë e privilegjuar që portreti i saj të gjendet në mesin e këtyre figurave kaq të rëndësishme shqiptare, por që në të njëjtën kohë është shprehë falënderuese që këtë sukses dhe këtë vlerësim po e përjeton duke qenë në mesin e të gjallëve, pasi që, sipas saj, është një fenomen i pranishëm, që në të shumtën e rasteve puna të vlerësohet pas vdekjes.

Kurse për fund, autori i ekspozitës duke falënderuar partneritetin e KultPlus dhe Mrizit të Zanave që edhe kanë iniciuar këtë ekspozitë, ai ka treguar se ndihet shumë mirë që në këtë ekspozitë është e pranishme edhe Fahrije Hoti.

“Unë kësaj radhe kam bërë një përjashtim, duke përfshirë një portret që është në mesin e të gjallëve. Kam pas dëshirë të inspirohem nga një person që e kemi në mesin tonë, dhe këtë inspirim e kam marr nga figura e Fahrije Hotit”, ka thënë Tashi.

Ekspozita “Gjamë” e Nagip Tashit do të qëndrojë e hapur për dhjetë ditë dhe përfshinë 17 portrete në mozaik, të cilat janë punuar me mbetje të drurit./ KultPlus.com

“Gjama” e Nagip Tashit nesër te “Mrizi i Zanave”, ekspozohen portrete të figurave të rëndësishme shqiptare

Copëza të drurit që formojnë mozaikë, e që brenda këtyre mozaikëve paraqiten figurat më të ndritura të historisë dhe kulturës shqiptare shpërfaqin krijimtarinë e Nagip Tashit, i cili më 25 qershor do të prezantohet me ekspozitë personale te “Mrizi i Zanave” në Lezhë të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Të realizuara në një punëtori modeste në Tërrnoc të Bujanocit, portretet e Tashit që përfshijnë figura si të: Gjergj Kastriotit, Gjergj Fishta,  Bekim Fehmiu, Ibrahim Kodra, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Abdurrahman Shala, Leze Qena, Adem Mikullovci, Arbën Xhaferi, Fahrije Hoti  e figura të tjera do të ekspozohen te Mrizi i Zanave, por që kësaj radhe me vëmendje të theksuar te figura e Gjergj Fishtës.

Nagip Tashi ka thënë për KultPlus se ndihet të jetë i nderuar që po vlerësohet puna e tij që ka filluar shumë vite më parë, po që viteve të fundit ka dalë në pah edhe me ekspozita.

Ekspozitën e parë personale, Tashi e ka prezantuar në KultPlus Caffe Gallery, në Prishtinë, për të lëvizë tash në një pjesë tjetër të territorit shqiptar, në Lezhë të Shqipërisë.

Ekspozita “Gjama” e Nagip Tashit është duke u realizuar si bashkëpunim mes “KultPlus” dhe “Mrizi i Zanave”, ceremonia e së cilës do të fillojë në ora 16:00, me 25 qershor. / KultPlus.com

Portrete të realizuara në vetëm një vijë, Visar Kryeziu sjell figura të rëndësishme shqiptare në KultPlus Caffe Gallery

Flonja Haxhaj

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, mbrëmë kishin ateruar figurat më të njohura të historisë dhe kulturës shqiptare. Një frymë ndryshe kishte mbërthyer këtë ambient që si dukej po dërgonte porosi se ata ishin aty dhe ju nuk duhej munguar.

Mbretëresha Teutë, Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Gjergj Fishta, Pandeli Sotiri, Shote Galica, Nënë Tereza, Marie Shllaku, Adem Jashari, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Anton Çetta, Agim Ramadani, Madeleine Albright e Leze Qena, mbrëmë kishin marrë formë tjetër. Me një thjeshtësi dhe elegancë të jashtëzakonshme, artisti Visar Kryeziu, i kishte sjell këto figura të rëndësishme shqiptare përmes artit të tij të veçantë. Me vetëm një vijë, këto figura kishin marrë formën perfekte dhe sikur komunikonin me të pranishmit dhe një qetësi të pashoqe, përcjell KultPlus.

Këto portrete të veçanta dhe unike, të realizuara në vetëm një vijë erdhën të shoqëruara edhe me punimet e realizuara me anë të telit për tu ekspozuar mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery.

Artisti Visar Kryeziu i cili jeton në Zvicër, këto punime i nisi me vetëm një qëllim, që në shtëpinë e tij të ketë një ambient ku fëmijët të rriten duke i parë figurat e rëndësishme shqiptare. Por, ky qëllim madhor i Visarit, rezultoi të shndërrohet në një art që e përqafuan të gjithë e në këtë formë ta sjellin në vendlindje edhe më një ekspozitë që mblodhi shumë artdashës.

Hapjen e kësaj ekspozite e bëri drejtoresha e KultPlus, e cila falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen e më pas tregoi se si erdhi deri tek realizimi i kësaj ekspozite.

“Këtë herë në KultPlus e kemi ftuar Visar Kryeziun, i cili ka ardhur nga Zvicra. Ideja për realizimin e kësaj ekspozite ka ardhur qysh nga realizimi i portretit të Skënderbeut, që Visari e postoi në ciklin e parë dhe vazhdoi tutje, vazhdimisht duke sjellë edhe figura të tjera poashtu shumë të njohura të kulturës dhe historisë shqiptare ndaj edhe vendosëm me e mbajt këtë ekspozitë”, tha Pajaziti e cila falënderoi artistin Kryeziu për këtë përzgjedhje të figurave, me të cilat sipas saj krenohet i gjithë populli shqiptar.

Në hapjen e kësaj ekspozite foli edhe kuratori, Ilir Muharremi, i cili vuri në pah se krijimi i këtyre portreteve ka bërë që artisti Visar Kryeziu tashmë të identifikohet me stilin e tij, atë të vizatimeve me një vijë.

“Për mua si kurator, është një përvojë e madhe duke qenë kurator në shumë ekspozita, në pothuajse 60-70 ekspozita, por kjo ekspozitë për mua është shumë e veçantë, sidomos te vizatimi, sepse ne e dimë që tek arti pamor, pikënisja, baza ose zanafilla e çdo emocioni është vizatimi, qoftë skulptor, qoftë mozaik, qoftë bitrazh, vizatimi është baza. Visari trajton një vizatim shumë të veçantë, një vizatim që kuadron gjestin, sikurse skulptori i cili me talentin e kap gjestin në skulpturë, Visari në vizatim ka gjestin e figurave të famshme historike që i kemi ne, qoftë nga rilindja apo nga antikiteti”, u shpreh Muharremi.

E në hapjen e kësaj ekspozite e cila kishte bërë bashkë shumë dashamirë të artit, ishte i pranishëm edhe gazetari i njohur, Enver Robelli, i cili e konsideron shumë të rëndësishme këtë ngjarje, që “bëri bashkë” shumë figura të rëndësishme kombëtare.

“Visari po vjen nga Cyrihu për të sjellë një ekspozitë me figura kombëtare, disa nga këta njerëz kanë një përvojë në botën perëndimore, pak kush e di që Adem Jashari ka qenë në Zvicër, Agim Ramadani ka ardhur nga Zvicra këtu, Ibrahim Rugova ka fluturuar vazhdimisht prej Cyrihut nëpër botë për ta internacionalizuar çështjen e Kosovës, Adem Demaçi po ashtu”, tha Robelli i cili tutje u shpreh i bindur që Visari do të vazhdoj që me këtë thjeshtësi dhe elegancë të sjellë edhe më shumë figura shumë të rëndësishme të historisë, kulturës, të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare që kufizohen me Kosovën.

Më pas, për KultPlus foli edhe vetë artisti Kryeziu i cili tregoi se si erdhi ideja e realizimit të këtyre portreteve në një vijë, stil ky i cili në Kosovë vjen për herë të parë.

“Punimi i parë ka qenë portreti i Skënderbeut, e publikova në rrjete sociale dhe u pëlqye shumë, sa nuk e kam prit fare. Më pas vendosa të vazhdoj edhe në punime të tjera të cilat u pëlqyen shumë, pastaj pata kontakt edhe me KultPlus të cilën më ftuan për hapje të ekspozitës dhe më dhanë guxim, motivim dhe mbështetje dhe për këtë vendosa të vijë dhe ta realizoj ekspozitën”, deklaroi Kryeziu për KultPlus.

Ai tutje shpjegoi se në realizimin e këtyre portreteve të figurave që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare ka ndikuar edhe fakti që ai jeton në Zvicër.

“Kam dashur ta kem një ambient në shtëpi ku fëmijët e mi rriten brenda frymës shqiptare, ku do të jenë prezentë portretet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”, shtoi më tutje ai.

Ndërkaq, artisti Kryeziu përveç realizimeve të portreteve me një vijë, artin e tij po e dëshmon në realizimin e portreteve në vetëm një tel. Ai tregon për KultPlus se pas vizatimeve në një hapësirë të bardhë, u intrigua që ato portrete t’i realizojë edhe me një tel.

“Ideja për realizimin e portreteve me tel erdhi duke i parë këto vizatime me një vijë në hapësirën e bardhë, e thashë me vete sa interesante do të dukej sikur ky portret të qëndronte në ajër, e mendja më shkoi tek teli”, thotë Kryeziu i cili shton se më pas e provoi me një tel që e kishte pranë vetes, i cili ndonëse më vështirë i punueshëm, arriti ta bëjë figurën e Rugovës.

Kryeziu, i cili tashmë po identifikohet me këtë stil arti, thotë se do të vazhdojë të realizojë edhe shumë portrete të tjera të historisë shqiptare.

Ekspozita ‘Në një vijë me Visar Kryeziun’ është realizuar nga KultPlus dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ujë Rugova dhe do të qëndrojë e hapur deri më datë 2 maj në KultPlus Caffe Gallery. Të gjitha portretet janë në shitje dhe të gjithë të interesuarit duhet të kontaktojnë me artistin për t’i blerë ato./ KultPlus.com

‘Venat Vaditëse’, piktura me energji dhe forcë të shprehjes

Shkruan Ilir Muharremi, kritik i artit

Mbrëmë kisha rastin të vizitoj ekspoziten personale të artistit Sadri Morina që u hap në hapësirat e KultPlus Caffe Gallery. Hapjen e ekspozitës e bëri drejtoresha e kësaj Galerie Ardianë Pajaziti.

Ai i beson unit të tij, lëngut dhe magmës së ngjarjeve dhe trajtesave, e ndjen një energji që përfshihet në guximin dhe aventurën e çmendur galaktike, stërgjyshore, duke u nisur nga gjaku që shndërrohet në bojë, ngritë stërlaken që ngjynë shpirtin me dorën dhe penelin, transformonë jetën, vdekjen dhe  procesin.

Pikturat e tij kanë një botëkuptim të vrullshëm ndërmjet abstraktes dhe surrealizmit, mirëpo në vrullin e tij artistik nuk ka rregulla, ka përmasa brenda formës anatomike, pra figurave të njerëzve në pozicione të ndryshme, nuk ka simetri te ngjyra,  ka energji dhe forcë të shprehjes, komunikim përmes klithmës rebeluese dhe revoltës që shprehet përmes ngjyrave ose meditimit dhe zgjajtjes së plastikës së trupave njerëzor që nuk peshojnë askund, por vërtiten të lirë në galaktikën mendore të artistit.

Kjo lojë ose ky sinqeritet është një liri frelëshuar  që udhëton me barkën e vjetër dhe të re që shkundë britmat e brendshme dhe relaksohet mbi madhësinë e dallgëve oqeanike të cilat vetvetiu brenda absolutes bëjnë lëvizje dhe në këtë lëvizje shpirti i artistit lëshohet lehtë si në fluturim, merr me vete imazhe, regjistron çdo gjë duke i vizualizuar me bojë, formë, perpesktivë, harmoni dhe kontrase. Aty mund të ndjesh insekte, aromën e bimëve, të nuhasësh djegien e tyre, të vallëzosh me violinën e vuajtjes brenda kornizës së qelqit, brenda një bote fizike të vogël, ndërsa të pa kufijshme shpirtërore. Njeriu është përballë një kaosi metafizik, astronomik , shkencor, me trup të përkyer nga kohërat antike, dhe figura e tij qëndron si monumentale brenda gjithë këtij kaosi./ KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘Vena vaditëse’, artisti Morina: Veprat e para nga ky koleksion janë shitur në Paris

Flonja Haxhaj

Hapësirat e KultPlus Caffe Gallery morën ngjyrë tjetër mbrëmë me hapjen e ekspozitës ‘Vena vaditëse’ të artistit Sadri Morina, përcjell KultPlus.

 Veprat në të cilat ngjyrat janë kombinuar me përpikmëri, kishin një detaj që i bashkonte, e ai është elementi i galaktikës, të ciliin Morina e ka përvetësur në stilin e tij.

E vlerën që ka pas vetes arti që e krijon artisti Morina u dëshmua edhe nga pjesëmarrja e madhe e njerëzve që prisnin me padurim që ekspozita të fillonte dhe të shkrepnin fotografi me pikturat që ishin rënditur me kujdes nëpër mure nga artisti.

E hapjen e kësaj ekspozite e bëri drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në ekspozitën e parë për këtë vit në këtë ambient.

“Kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të projekteve që janë të mbështetura prej Ministrisë së Kulturës, projekt në kuadër të KultPlus Caffe Gallery. Kemi vendosur me e realizu një llojllojshmëri të përzgjedhjeve dhe kemi filluar me Sadriun e do të vazhdojmë me projekte të tjera në mbështetje të artistëve të rinj” – u shpreh Pajaziti.

Në hapjen e kësaj ekspozite foli edhe drejtoresha e Akademisë Evolucion ku Morina kishte filluar studimet para 13 viteve.

“Sadriun e njoha para 13 vitesh kur ai ka filluar si student për pikturë, dhe ai është dalluar qysh në fillim sikurse të gjithë piktorët me stilin e vetë, por unë e kam ndjekur atë edhe në vitet në vazhdim  dhe më pëlqen një gjë tek ai, që është shumë kërkues. E ka pasur një pjesë të jetës që ka punuar kitarat, violinat dhe brenda gjeje jo vetëm ngjyra por edhe muzikën që dilte nga ato piktura sikurse edhe ngjyrat që i kemi sot në këtë ekspozitë që shpërthejnë sikurse galaksitë.” – thotë Shatri në hapjen e kësaj ekspozite.

Në mesin e pjesëmarrësve që kishin ardhur për ta parë artin e Sadri Morinës ishte edhe kritiku i artit, Ilir Muharremi.

“Një ekspozitë shumë e veçantë, veçanërisht pse autori shpreh atë botën e tij të brendshme, atë ta quaj ‘rrëmujë mendimesh’ ku ka një lëvizje të rregullt të formave, ka ritëm, kompozicionet janë të rregullta, pra është një temë ndërmjet galaktikës, ndërmjet planeteve, një ylber ngjyrash ku dominojnë ngjyrat e ngrohta, poashtu edhe ngjyrat e ftohta. Ky art mund të veçohet më shumë i art surrealist sa i përket trajtimit të formave dhe trajtimit të idesë. Mesazhet, secili artist i ka ato mesazet e veta herë enigmatike e herë konkrete, por sido që të jetë e veçanta e këtij arti është provokimi, kur ti rrëmbehehs dhe futesh, lundron brenda këtij oqeani ose këtyre ngjyrave.” – thotë Muharremi për KultPlus.

I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe piktori i njohur, Agron Mulliqi i cili e vlerësoi lart artin që ka shpalosur artisti në këtë përmbledhje pikturash.

“Sadri Morina është një djalë shumë punëtor edhe nuk është tërhjekur asnjëherë nga arti, madhështia e artit është vazhdimësia prandaj më vjen mirë që e ka hapur këtë ekspozitë. Ajo që më ka pëlqyer më së shumti është tema që e ka marrë, ajo e galaktikës dhe të cilën ai e ka adaptuar në teknikën e vetë” – thotë piktori Mulliqi duke i uruar më tutje suksese artistit Morina.

Ndërkaq për KultPlus foli edhe vetë piktori Morina i cili e shpjegon konceptin e kësaj ekspozite ku ka paraqitur pikturat në të cilat ai ka punuar që nga viti 2017.

“Njeriu jeton mes dy universeve, atij që funksionon brenda nesh dhe atij që funksionon jashtë nesh. Duke u munduar ta kuptoj veten time, kam arritur të krijoj imazhe të universit jashtë nesh me kontraste të forta, me thellësi ashtu si vetë jeta ime. Jam munduar ta krijoj një formë të re të artit duke e gershetuar abstrakten me realizmin dhe surrealizmin duke sjellë një abstrakt tre-dimensional.” – thotë Morina i cili tregon se veprat e para nga ky koleksion janë shitur në Paris duke e shtyrë atë që të japë më shumë në një energji të tillë. Kurse veprat e tjera artisti thotë se janë zgjedhur me kujdes për këtë ekspozitë.

Ndërkaq, ekspozita ‘Vena vaditëse’ do të jetë e hapur deri më 29 janar. Pikturat janë në shitje dhe të gjithë të interesuarit mund ta kontaktojnë artistin për blerjen e tyre./ KultPlus.com

Çmimi i parë i konkursit poetik ‘KultStrofa’ i ndahet Gentiana Bajrami Atashit

Era Berisha

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery tashmë është shndërruar në një hapësirë ku letërsia, kultura e arti janë gërshetuar mes vete e kanë zënë vendin e tyre të veçantë mu në mesin e shumë miqve artdashës, shkrimtarëve të cilët kanë një bagazh të mirëfilltë prapa tyre, shkrimtarëve të rinj, entuziazmi i së cilëve dallohej në linjat e fytyrave të tyre, si dhe ekipit të mrekullueshëm të KultPlus.

Mbrëmë, atmosfera poetike futi rrënjët e saj dhe morri përsipër ceremoninë e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” të organizuar nga KultPlus e që konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, me ç’rast në natën finale të edicionit të katërt u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia dhe Zvicra, shkruan KultPlus.

Por fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatori Arbër Selmani.

“Unë me shumë kënaqësi e pranova ftesën që të jam edhe pjesë e jurisë bashkë me profesorin Sali Bashota dhe profesoreshën Nerimane Kamberi, të cilët i kanë vlerësuar këto poezi”, thotë Selmani.

Sipas tij, ky edicion i ka mbledh gjithsej 93 poezi të cilat kanë ardhur në KultPlus pas thirrjes së hapur e më pas ato poezi janë vlerësuar e që në fakt nuk ka qenë fare e lehtë për ta.

“Në edicionin e parë e kemi pasur fitues Ragip Sylën, në të dytin e kemi pasur Arjola Zadrimën dhe në të tretin, fitues ishte Merita Bërdica”, thotë ai.

Tutje, fjalën e mori edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila shprehet tejet e lumtur që edhe sivjet në dhjetëshen finaliste ka emra shumë të mirë.

“Faleminderit shumë që keni ardhur. Faleminderit jurisë për përkushtimin që gjatë këtyre ditëve e kanë dhënë për këto poezi, teksa unë i ndiqja vlerësimet e juaja. Faleminderit krejt poetëve që kanë aplikuar në edicionin e katërt nga të gjitha anët e botës. Edicioni sivjet që po e shënon të katërtin na ka munguar vjet për shkak të pandemisë e që ka ndikuar edhe tek ne. Por, në fakt energjinë e kemi mbledhur sivjet edhe pse përsëri në kushte pandemike. Jam shumë e lumtur që edhe në dhjetëshen e sivjetshme finaliste, kemi emra shumë të mirë por mbi të gjitha poezi të cilat lexuesit e KultPlus-it ende nuk kanë pasur rastin me i pa e që do ti shohin në ditët në vazhdim”, thotë Pajaziti.

Sipas saj, së bashku me ekipin e KultPlus-it, ajo është duke u munduar që të dhurojë maksimunin që gazeta të shndërrohet në opozitën e të gjitha atyre antivlerave që po ndodhin në Kosovë edhe pse kjo nuk konsiderohet fare e lehtë.

“Ky është vetëm edicioni i katërt e së bashku kemi shumë rrugë për të bërë”, përfundon Pajaziti.

Ndërsa, kryetari i jurisë së këtij konkursi, profesori Sali Bashota, e konsideroi punën e KultPlus një punë me plot përkushtim e angazhim të plotë.

“Ne kemi qenë të nderuar që jemi marrë me vlerësimin e punimeve tuaja që keni konkuruar në edicionin e katërt të “KultStrof-ës”, tek një gazetë i cili me punën e përkushtimin e kryeredaktores Ardianë Pajaziti dhe ekipit të saj, është shembull i angazhimit, përkushtimit e vlerësimit të krijuesve por edhe të institucioneve kulturore sepse kjo hapësirë pothuajse që dy vjet e më shumë është ndoshta vendi ku edhe frymëzohen poetët për shkak se shohin një punë të vyer të Ardianës e një punë të vyer e të mrekullueshme të ekipit të saj”, thotë Bashota.

Sipas tij, të vlerësosh poezinë është një ndjenjë e përgjegjësisë së lartë për atë që mendohet të dhurohet një vlerësim sa më objektiv me argumente e fakte që në një mënyrë, kjo konkurrencë e madhe të vlerësohet sa më mirë.

“Poezia është së pari përjetim, pra emocion edhe te vlerësuesi e jo vetëm tek ai që shkruan. Madje, Borgesi ka thënë se i vetmi zhanër që nuk shpjegohet është poezia. Ajo vetëm përjetohet. Andaj, temat, idetë, stilet, motivet, preokupimet, figuracioni dhe elementet tjera përbërëse të poetikës së poezisë janë shqyrtuar nëpërmjet aktit të komunikimit midis jurisë”, përfundon Bashota.

Po ashtu, anëtarja tjetër e jurisë së këtij konkursi, profesoresha Nerimane Kamberi, tregoi se përzgjedhja nuk ishte e bazuar në asnjë lloj elementi tjetër, përveç të bukurës e emocionit.

“Sigurisht që nuk ka më bukur se këto kohë festash që të festojmë me poezi. U tha nga fillimi që jemi profesorë, por me një modesti të vogël, do të thosha se ne jemi edhe poetë. Të vlerësosh është shumë e vështirë sepse në një anë e xhelozon pse nuk dita unë të shkruaj ashtu kurse në anën tjetër ke frikë se e lëndon por fundja ne këtu nuk kemi shiku as nga vjen, as nga gjinia, as nga përkatësia fetare, as nga orientimet seksuale. Këtu vetëm e kemi shiku të bukurën. Fjalën e bukur dhe atë që na ka zgjuar emocione”, thotë Kamberi.

Pas këtyre fjalimeve, më në fund, radha që vargjet të fillojnë të jehojnë bujshëm para të pranishmëve, erdhi. Edicioni i katërt i konkursit të poezisë “KultStrofa”, edhe kësaj here dëshmoi forcën hyjnore të poezisë që fjalë pas fjale, varg pas vargu, bënë bashkë ndjenjat nga më të ndryshmet dhe ato i shndërron në një ylber emocionesh që vrullshëm derdhet në shpirtrat e të pranishmëve e fuqishëm mbizotëron në brendësinë e trupave tanë, për të kapluar kështu çdo qelizë, muskul, venë e arterie tonën.

Para të pranishmëve, poezitë e dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria e përbërë nga profesori Sali Bashota (kryetar i jurisë), profesoreshës Nerimane Kamberit dhe shkrimtarit Arbër Selmani: Agon Rexhepi, Afrim Demiri, Bekim Shala, Gentiana Bajrami Atashi, Flamur Dardeshi, Liridon Mulaj, Nikas Kaça, Redon Elshani, Shazim Mehmeti dhe Valentina Broja, u vazhduan të lexohen njëra pas tjetrës duke bashkuar kështu poetët nga trevat e ndryshme shqiptare të cilët po interpretonin në dialektin gegë e toskë e po ashtu duke sjell fjalë të vjetra e të ruajtura shqiptare.

Në një mënyrë krejt rastësore, nga vetë autorët e pranishëm, u interpretuan poezitë: “Zbresim shkallëve” nga Afrim Demiri, “Kur njeriu vdes” nga Redon Elshani, “Lama e Pejës” nga Gentiana Bajrami Atashi, “Marrja e shpisë” nga Agon Rexhepi dhe “Mikes” nga Bekim Shala.

Në mungesën fizike të pesë autorëve të tjerë finalistë, redaktorja e KultPlus, Jeta Zymberi lexoi poezinë “Grahme” të Valentina Brojës, gazetarja Era Berisha lexoi poezinë pa titull të Liridon Mulajt, gazetari Uranik Emini lexoi poezinë “Ne” të Flamur Dardeshit si dhe studentja e letërsisë, Edlira Musliu lexoi poezitë: “Faleminderit” të Shazim Mehmetit dhe “Liria” të Nikas Kaçes.

Më pastaj, u ndanë mirënjohjet ndaj poetëve: Afrim Demiri, Bekim Shala, Redon Elshani, Valentina Broja, Flamur Dardeshi, Liridon Mulaj, Nikas Kaca dhe Shazim Mehmeti.

Agon Rexhepi u radhit në vendin e tretë në këtë edicion me “Marrja e shpisë”, ndërsa Flamur Dardeshi u radhit i dyti me poezinë “Ne”.

Autorja Gentiana Bajrami Atashi, fitoi vendin e parë në edicionin e katërt të këtij konkursi me poezinë “Lama e Pejës”.

“Së pari dua ta ndaj një sekret të vogël me ju. Pas një dekade që merrem me poezi, është hera e parë që e hapa sirtatin e letrave dhe vendosa që të marr guximin që ta dërgoj në email-in e juaj duke mos i treguar askujt. Sonte jam vërtetë e emocionuar sepse poezia ime u vlerësua e u zgjodh e para. E pikërisht këtë çmim ia dedikoi motivit të poezisë sime, babait tim, që falë tij jam kjo që jam dhe jam ktu ku jam sot”, tha Atashi pasi pranoi çmimin.

Kështu për të përmbyllur këtë edicion, edhe një herë fjalën e mori drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila ndau mirënjohjen vjetore për performancë të shkëlqyer në redaksinë e gazetës.

“Asgjë nuk mund të bëjmë vetë. Gjithçka që e bëjmë e çdo organizim që zhvillohet, e kemi dikë në krah e në fakt asnjërin nga ekipin tonë nuk mund ta ndajë sepse të gjithë janë një shtyllë e fortë e imja. Por, këtë vit, këtë çmim vendosa t’ia ndaj një personi që e kam krah të djathtë, Liridona Spahiut”, thotë Pajaziti.

Kurse, përgjegjësja e marrëdhënieve me publikun, Liridona Spahiu, është shprehur tejet e lumtur që është pjesë e një ekipi të tillë.

“Jam shumë e nderuar që punoj në një redaksi siç është KultPlus, e jam shumë me fat që jam afër juve ku momentet më të mira të jetës i kemi ndarë së bashku. Unë jam shumë e befasuar sonte, e në të njejtën kohë edhe shumë falënderuese”, tha Spahiu.

Ndërkaq, ishin shkrepjet e fotografive që dëgjoheshin në çdo çast e meloditë muzikore që vinin nga këngëtari Endrit Rexhepi si dhe vogëlushja Anna Krasniqi, të cilët ëmbëlsisht sollën melodi shqipe dhe jo vetëm. Një atmosferë e pakrahasueshme dhe e mbushur me plot lumturi, dashuri e miqësi, shënoi fundin e kësaj nate të paharrueshme.

‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus. / KultPlus.com

Bëhet publike juria profesionale e edicionit të katërt të “KultStrofa”

Konkursi për edicionin e katërt të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, tashmë është mbyllur, dhe organizatorët janë duke punuar për mbrëmjen finale të këtij konkursi, që tashmë konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar.

Ardianë Pajaziti drejtoreshë e KultPlus, ka njoftuar për prurjet e këtij edicioni, e cila ka vlerësuar se edhe ky edicion ka një përfshirje të poetëve nga të gjitha trojet  shqiptare, por që sikurse edhe edicionet e shkuara përfshinë edhe poetët nga diaspora.

“Është kënaqësi që në edicionin e sivjetmë kanë arrite poezi nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, kurse nga diaspora, këtë vit kemi poetë që kanë aplikuar nga shtetet si: Gjermania, Spanja, Italia dhe Zvicra”, ka thënë Pajaziti.

Ajo ka njoftuar se janë duke u bërë përgatitjet e fundit për mbetjen e ceremonisë së edicionit të katërt të këtij konkursi poetik, përderisa tashmë është përzgjedhë edhe juria profesionale.

“Juria profesionale e këtij edicioni është në përbërje të Sali Bashotës, kryetar i jurisë, dhe Nerimane Kamberit e Arbër Selmanit”, ka thënë Pajaziti.

Gjatë javës që vjen do të bëhet e ditur lista prej dhjetë finalistëve, sikurse që do të bëhet e ditur edhe data e ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve, ceremoni që do të mbahet në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com