Ekzekutimi i poetëve, ekspozita me sendet personale të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës

Tashmë kanë kaluar 45 vite nga ekzekutimi i poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit organizon ekspozitën “45 vite nga ekzekutimi i poetëve”.

Ekspozita, sjell përpara publikut të fotografi dhe dokumente mbi jetën dhe veprimtarinë e këtyre poetëve. Ekzekutimi i tyre simbolizon krimin sistematik të diktaturës komuniste mbi fjalën, mendimin dhe artin.

Procesi ndaj dy poetëve nisi në maj të vitit 1975 dhe në të u përfshinë 39 persona. Pas përfundimit të procesit intelektualët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u dënuan me ekzekutim në vitin 1977.

Gjykata e Lartë nuk e hodhi poshtë këtë vendim dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk e pranoi kërkesën për faljen e jetës së poetëve.

Pas kërkimeve disa vjeçare, vendi i ekzekutimit të tyre u zbulua në pranverën e vitit 1994. Në prill 1994 eshtrat e tyre u varrosën me të gjitha nderimet në varrezat e qytetit të Librazhdit./ KultPlus.com

Më 17 korrik u pushkatuan dy poetët, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Sot është dita për të përkujtuar poetët martirë, Vilson Blloshmi (18 mars 1948-17 korrik 1977) dhe Genc Leka.

Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë

Shkëputur nga poezia e Vilson Blloshmit, me titull “Saharaja”, e konsideruar si vepër penale e “agjitacion e propagandës për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor”, njofton Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.  

Aktakuza e cila dënoi me vdekje poetin, ndër të tjera lidhet edhe me këtë poezi për përqasjen e Shqipërisë me shkretëtirën e Saharasë.

Vilson Blloshmi lindi më 18 mars të vitit 1948, në Bërzeshtë të Librazhdit. Ndoqi shkollën e mesme Pedagogjike në Elbasan dhe pas mbarimit të saj edhe pse me rezultate të shkëlqyera nuk u lejua të vazhdonte shkollën e lartë. Pas diplomimit në Elbasan punoi si bujk, druvar dhe minator.

Gjatë kësaj kohe iu përkushtua shkrimit dhe përkthimit, por pa patur mundësi t’i botojë për shkak të qenit pjesëtar i një familje “kulakësh”. Duke qenë me biografi të “keqe”, Vilson Blloshmi përndiqej nga Sigurimi i Shtetit.

U arrestua në vitin 1977 me akuzën “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë”. Ditarët, përkthimet dhe poezitë iu sekuestruan dhe iu nënshtruan hetimit në detaje. Letërsia e tij do të përbente rrezik për regjimin komunist shqiptar.

Në datë 13 qershor 1977 Gjykata e Rrethit Librazhd i dënoi dy poetët Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën me vdekje, pushkatim, vendim i cili u zbatua në datë 17 korrik 1977.

Në vitin 1994 Vilson Blloshmit iu dha dekorata “Martir i Demokracisë” dhe në vitin 2006, u shpall “Qytetar Nderi” i rrethit të Librazhdit.

Në nder të dy poetëve është ngritur një memorial bronzi në qytetin e Librazhdit. / KultPlus.com