Vrasja e lirisë!

Autori: Nëse mund të pranohet vlerësimi se shkrimet që ka lënë Bashkim Kosova – dhe ato kryesisht vinë nga koha pasi që ai të jetë kthyer nga burgu – “në dukje”paraqesin “dy gjendje shpirtërore” si kundërpërgjigje ndaj faktorit që i ka kushtëzuar ato ( fjala është për dhunën shtetërore te Beogradit), megjithatë si duhet shpjeguar qëndrimin e Bashkim Kosovës, të mbyllet brenda për brenda një hapësire (ajo e Hades), prej nga për vite të tëra nuk do të dalë më, madje edhe atëherë kur do të arrihet, që pas ndërhyrjes së NATO-s (me nxjerrjen e Serbisë nga Kosova),me instalimin e administratës ndërkombëtare, të përfundojnë shkaktarët e tragjedisë së tij? Mund të ishte i pakënaqur me atë zhvillim? Ose, pse kishte ndonjë arsye tjetër që do t’ia kishte kushtëzuar atë gjendje?…

Shpresa Kosova – Berisha: Sjellja e tillë ishte edhe e kuptueshme. Sepse, Bashkim Kosova kishte humbur njëherësh dy gjëra: botën e madhështisë dhe familjen pa kurrfarë kundërvlere. Kur flas për “kundërvlerën” nuk mendoj për ndonjë zhdëmtim material apo tjetër, me të cilën shumëkush kënaqet dhe ashtu projekton edhe “përmasat” e ndryshimeve shoqërore dhe politike, por fjalën e kam për kalimin nga një gjendje e dhunës te një gjendje e turbullt fare, ku rrënimi i një sistemi vlerash, pa marrë parasysh çfarë ka qenë, nuk zëvendësohet me tjetrin, atë që pritej dhe duhej të ishte në përputhje me konceptin qytetërues të një shoqërie të lirë perëndimore që i kishte besuar aq shumë në të. Në vend të saj kemi shfaqjen e një gjendje kalimtare, pa vlera dhe jashtë normave elementare morale, ku çdo gjë lejohet, madje edhe vrasjet makabre (përfshirë edhe intelektualët) pa qarë kokën për pasojat.

Për ta kuptuar dëshpërimin, zhgënjimin e thellë dhe vetë neveritjen madje nga gjithë kjo rënie që e mbërthen idealistin e paepur, mjafton këtu të shihen sjelljet e disa liderëve politikë që kanë marrë pjesë në lëvizjen kombëtare në të gjitha fazat e saj: nga ajo institucionale (shteti paralel) e deri te rezistenca e armatosur dhe lufta, ku ideali i lirisë dhe i bërjes së shtetit është kthyer në ideal të zhvatjes së shtetit dhe të kthimit të tij në një plaçkë për kusuritje gjithëfare dhe me këdo, qofshin ata edhe pushtuesit dhe vrasësit e deridjeshëm!

Gjatë takimit të fundit pak ditë para se të vritej, dukej tepër i thyer shpirtërisht, sikur me padurim priste atë që do t’i vijë ditën e shtatëmbëdhjetë shkurtit me marrë fund ai mundim. Në dhomën e errtë dhe të ftohtë, prej nga ishte mbyllur dhe prej kohësh nuk dilte, gjendja e tij vinte edhe më e zymtë nga ç’dukej, sepse ai nuk pranonte kurrfarë ndihme dhe, ç’ishte më keq, nuk dëshironte me asgjë që këtë ta ndryshonte. Ata që i rrinin pranë dhe nuk i ndaheshin (ishin dy boksierët e rinj Luan Hoti dhe Bekim Krasniqi, që e kishin gjetur pas atentatit dhe e kishin dërguar për në spital), kishin bërë me dije për gjendjen e tij të rëndë, veçmas pse ai kohëve të fundit fliste përçartë për vrasës të padukshëm, të plotfuqishëm, që e kishin vrarë të djeshmen mizorisht, që po e vrisnin të sotmen dhe do ta vrasin edhe të nesërmen, prej të cilëve nuk kishte shpëtim…

Diç të ngjashme m’u bë se ma tha gjatë takimit të fundit.

“Mos u mundo për me më ndihmue, meqë m’u ka vra ideali i lirisë…”

(Shkëputje nga romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” nga Jusuf Buxhovi, Prishtinë, 2011)