Të fotografosh dhimbjen: Këndvështrimi i një fotografi të luftës në Kosovë

Libri i ri i Wade Goddard nga Zelanda e Re kap vuajtjet e konfliktit në Kosovë, por fotografi veteran i Ballkanit u përpoq gjithashtu të gjente kurajë dhe shpresë mes gjakderdhjes.

Në imagjinatën e Wade Goddard, Kosova është ende e fiksuar si një fotografi trupash fëmijësh të vrarë të shtrirë në tokën e lagur – një imazh që shfaqet në librin e tij të ri, “Lufta e Kosovës”, i cili u botua muajin e kaluar.

Në fotografitë e tij, Goddard portretizon tragjedinë e hidhur të cilën shumë familje shqiptare të Kosovës e përjetuan gjatë luftës së viteve 1998-1999 dhe efektet e konfliktit në jetën dhe ndjenjat e tyre.

Por Goddard kurrë nuk imagjinonte se pasioni i tij për fotografinë do ta çonte atë të kapte një sërë luftërash, derisa një ditë ai pa kopertinën e një gazete kroate me fotografi të qytetit kroat të Vukovarit, i cili u rrethua dhe u shkatërrua nga forcat e Beogradit në vitin 1991.

Një qytet rrënojash dhe rrugësh të mbushura me trupa njerëzish të vrarë përndoqi mendimet e tij dhe e bëri atë të udhëtonte në Jugosllavi në mes të shpërbërjes së saj të përgjakshme.

Në atë kohë, ai ishte 22 vjeç, i papunë dhe nuk kishte përvojë profesionale.

“Nuk mendoja kurrë se do të punoja në fushën e luftës. Kontaktova një fotograf për ta pyetur si të shkoja atje. Erdha për një muaj, por mbeta në Ballkan përgjithmonë,” tha Goddard në një intervistë për BIRN nga shtëpia e tij në qytetin kroat të Dubrovnikut.

Nga Kroacia, lufta u përhap në Bosnje dhe Hercegovinë dhe fotografitë e Goddardit nga qyteti i shkatërruar i Mostarit u shpërndanë në mediat në të gjithë botën.

“Bosnja dhe Kosova ishin universiteti im. Mësova biznesin. Si të bëj një marrëveshje dhe si t’ia shes medias fotografitë e mia,” shpjegoi ai.

Gjatë dhjetë viteve të ardhshme si fotograf i pavarur për Reuters, New York Times, Associated Press dhe Newsweek, ai mbuloi një sërë konfliktesh.

Ndër skenat që e mbërthyen më shumë atë në Bosnje ishte ardhja e mijëra refugjatëve nga Srebrenica në stadium ndërsa përgatiteshin masakrat famëkeqe të korrikut 1995.

“Ishte një fushë futbolli ku zakonisht të gjithë brohorisnin dhe merrnin energji, por në atë kohë u shndërrua në një vend dhimbjeje. Gratë qanin sepse kishin mbetur pa fëmijët dhe burrat e tyre,” kujton Goddard.

Masakër mbi kodër

Një mëngjes në shtator të vitit 1998, Goddardi u drejtua për në Kosovën perëndimore, ku në një kodër në një fshat pa vrasje masive të civilëve, përfshirë gra dhe fëmijë, të cilët u qëlluan ndërsa përpiqeshin të iknin.

“Ekzekutimi i fëmijëve ishte një nga skenat më të urryera. Njëzet e pesë gra dhe fëmijë u ekzekutuan ndërsa përpiqeshin të largoheshin nëpër shkurre. Njëri prej tyre ishte një i porsalindur. Ishte e tmerrshme dhe një nga momentet e mia të tmerrshme në Kosovë,” tha ai.

Në libër janë pamjet e trupave në tokë, pjesërisht të mbuluara me batanije, njerëz që vuajnë nëpër male dhe në kampe të improvizuara refugjatësh.

Në një nga fotografitë, një shqiptar i quajtur Imer Deliu nga fshati Abri në Drenas në Kosovën qendrore ka hedhur trupin e djalit të tij katër vjeçar të vrarë mbi një dërrasë, ndërsa rri aty i ngrirë si gur. Edhe gruaja e tij ishte vrarë. 16 anëtarë të kësaj familjeje u vranë në total në shtator të vitit 1998.

Një foshnje gjashtë muajshe nga familja u gjet e gjallë në krahët e nënës së saj të vrarë, por vdiq pak orë më vonë.

“Pra, të jesh në një skenë të tillë është e tmerrshme, shkatërruese në aspektin fizik dhe atë mendor. Kjo atmosferë e rëndë ende më shoqëron në jetën time dhe s’do ta harroj kurrë,” shtoi ai.

Goddard portretizoi mizoritë dhe tmerret e luftës, por gjithashtu edhe përpjekjet njerëzore për të thyer zinxhirin e dhunës dhe ndëshkimit.

“Shkatërrimi i jetës njerëzore dhe tragjedia e atyre që ishin të përfshirë nuk mund të harrohet kurrë,” shpjegoi ai.

Ruajtja gjallë e kujtimeve


Më 22 prill 1999, shqiptarët e Kosovës kalojnë kufirin me Shqipërinë gjatë një vale të re të të larguarve pas sulmeve nga forcat serbe. Foto: Wade Goddard

Goddard shpreson që pamje si ato që ai kapi gjatë një dekade luftërash të kontribuojnë në dokumentimin e disa prej faqeve të saj më të errëta në historinë e tanishme njerëzore në Europë.

“Pamje ai ato në Kosovë ose të tjera në Bosnje mund të shërbejnë në të ardhme për të ndryshuar rrjedhën e historisë njerëzore. Por përsëri, nëse mendoni se kjo mjafton për ndonjë ndryshim, do të zhgënjeheni shumë,” shtoi ai.

Tani 49 vjeç, Goddard beson se fotografitë e tij nga Kosova mbajnë gjallë kujtimin e njerëzve që vdiqën.

“Ne gjithmonë shpresojmë se imazhet e tilla mund ta ndërgjegjësojnë publikun dhe mund t’i bëjnë presion vendimmarrësve. Të paktën ne vëmë atë që duhet të bëjmë, regjistruam disa momente të tmerrshme dhe u përpoqëm të hedhim dritë mbi të vërtetën,” tha ai.

Ai ndjen se nuk ka pasur kurrë drejtësi të vërtetë për krimet që janë kryer në ish-Jugosllavi. “Drejtësia kurrë nuk vendoset kurrë. Si? Të njëjtët njerëz shesin armë nga një luftë në tjetrën dhe bënë para dhe atyre s’u ndodhi asgjë,” shpjegoi ai.


Më 16 qershor 1999, shqiptarët e Kosovës përshëndesin trupat gjermane të NATO-s në pikën kufitare të Morinës gjatë kthimit të tyre në shtëpi pas luftës. Foto: Wade Goddard

Goddard gjithashtu beson se historia e Kosovës, si ajo lindi si shtet dhe sakrificat që u bënë, nuk duhet të shtrembërohen ose të përdoren për qëllime politike. “Ne duhet t’i qëndrojmë të vërtetës që krime u kryen edhe nga pala shqiptare. Kjo është e gjithë pakoja e lindjes së Kosovës,” tha ai.

Mes dëshpërimit, vrasjeve dhe fshatrave të djegura në fotografitë në librin e Goddard, ai donte gjithashtu të tregonte guximin dhe shpresën e njerëzve.

“Pavarësisht sa i thellë ishte mjerimi dhe pa marrë parasysh se sa e rëndë ishte situata, unë gjithmonë pashë pak shpresë në sytë e atyre njerëzve që kishin ngecur në mizorinë e luftës. E gjeta atje,” tha ai./ Serbeze Haxhiaj, BIRN

‘The Kosovo War’, libri me fotografitë e masakrave dhe tmerrit në Kosovë

Ekspozita e tij me fotografitë nga lufta e fundit në Kosovë është e bukur, por edhe e tmerrshme. Mizoritë serbe janë në secilën fotografi e cila dëshmon vuajtjen e shqiptarëve dhe luftën e gjenocidin e bërë nga serbët.

Fotografitë e Wade Goddard kësisoj do të jenë pjesë e një libri – “The Kosovo War” apo Lufta e Kosovës.

Goddard, 49 vjeçar, ishte njëri prej fotografëve ndërkombëtarë që e përcolli luftën në Kosovë. Libri i tij do të botohet me rastin e 20-të vjetorit të fillimit të luftës së përgjakshme në Kosovë.

Goddard është i njohur me tmerrin dhe vrasjet e masakrat, pasi e ka përcjellë edhe një pjesë të luftës në Sarajevë.
Goddard sot jeton në Dubrovnik, atje ku deri në fund të tetorit është e hapur ekspozita e tij me fotografitë nga lufta e fundit në Kosovë.

Këto janë disa prej fotografive që janë të përfshira në këtë libër që mbetet si dokumentim tjetër i gjenocidit dhe luftës që shqiptarët e përjetuan jo shumë kohë më parë nga forcat serbe. / KultPlus.com