Ambasada e Kosovës në Washington hapë ekspozitë për presidentin amerikan

Mbrëmë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Uashington, delegacioni nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria qëndroi në Ambasadën e Kosovës, ku e hapi ekspozitën dokumentare, i promovoi pullat postare me portretin e Wilsonit dhe librin “Albania” të Kristo Dakos.

Thomas Woodrow Wilson ishte presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fillim të pranishmit i përshëndeti zëvendësambasadori i Kosovës në Uashington, Frymëzim Isufaj. Ai u shpreh se ndjehet shumë i kënaqur që zyra e Ambasadës së Kosovës po bëhet një vatër kulturore që e freskon kujtesën kolektive për miqësinë shqiptaro-amerikane.

Pas tij foli këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Jahja Lluka, i cili tha se kjo ekspozitë dhe qëndrimi jonë në SHBA ka për synim ta ripërsërisë falënderimin e përjetshëm shqiptar për miqësinë me Amerikën. “Përmes këtij aktiviteti ne i zbuluam rrënjët e kësaj miqësie,” përfundoi ai.

Kurse, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani. Ai foli për rëndësinë e ekspozitës dhe përkushtimin e tre qendrave shqiptare, që edhe përmes  pullave postare me portretin e Wilsonit ta rikthejë miqësinë shqiptaro-amerikane.

“Amerika edhe më 1919, edhe më 1999, por edhe sot, për neve është vendi më i rëndësishëm për stabilizimin e rajonit dhe të kombit shqiptar. Bota jonë shqiptare e pret dorën e Wilsonit të ri”, tha ai.

Në këtë ekspozitë ishte i pranishëm edhe Robert Higdon, Avokat i Shteteve të Bashkuara në Distriktin Lindor të Karolinës së Veriut. Ai foli për rëndësinë e vendosjes së drejtësisë dhe shtetit ligjor në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkan, duke theksuar se “miqësia shqiptaro-amerikane dëshmohet më së miri përmes vendosjes së shtetit të së drejtës”.

Në fund foli drejtori i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, David Hosaflook, u ndal në botimin anastatik të Kristo Dakos “Albania”, që vjen pas 100 vjetëve nën botimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante.

Pullat postare me portretin e Wilsonit janë shtypur nga postat e Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa ekspozita do të qëndrojë e hapur deri të hënën.

Kur presidenti Wilson i bënte presion Francës: Të mbrohen të drejtat e shqiptarëve

“Le Petit Troyen” ka botuar, të hënën e 8 marsit 1920, në ballinë, një shkrim në lidhje me deklaratën e presidentit Wilson për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar.

Shkresa e re e presidentit Wilson për çështjen e Adriatikut

“Shkresa e re e presidentit Wilson lidhur më çështjen e Adriatikut erdhi dje në Quai d’Orsay (Ministrinë e Jashtme franceze)

Ky dokument është i moderuar në formë. Presidenti përshëndeti tonin e përzemërt që mbizotëronte në mesazhet e fundit të aleatëve, por ai mban të njëjtin qëndrim dhe vazhdon të formulojë të njëjtat kundërshtime, si për çështjen e Fiume-s dhe atë të Shqipërisë.

Ai mbështet, në fakt, memorandumin e 9 dhjetorit të fundit.

Veçanërisht për Shqipërinë, ai deklaron se është e rëndësishme mbrojtja e të drejtave të popullit shqiptar dhe nuk pranon që Jugosllavët të favorizohen në këtë pikë.

Së fundi, duke iu përgjigjur pasazhit të letrës së Zotërinjve Millerond dhe Lloyd George, të cilët treguan shqetësim serioz për një shtyrje më të gjatë të çështjes së Adriatikut, presidenti i Shteteve të Bashkuara e mbron fuqimisht veten se nuk ka shkaktuar këtë vonesë dhe lidhur me këtë pikë nuk mban asnjë lloj përgjegjësie.