Franca do të pezullojë Twitter-in nëse nuk respekton rregullat

Ministri i Digjitalizimit dhe Telekomunikacionit në Francë, Jean-Noel Barrot deklaroi se Twitter-i do të ndalohet në vendin e tij nëse u shmanget rregullave.

Barrot bëri një deklaratë në lidhje me shmangien e Twitter-it nga rregullat jo të detyrueshme të praktikës së përgatitur nga Bashkimi Evropian (BE) për të luftuar dezinformimin.

Ai tha se Twitter-i do të ndalohet në vend nëse vazhdon të shkelë rregullat.

“Twitter-i luan rol të rëndësishëm në debatin publik, por ne nuk rrezikojmë që një rrjet social si Twitter-i të lejojë mbështetësit e dezinformimit të ndikojnë tek ne duke marrë peng diskutimet publike dhe demokracinë tonë”, tha Barrot.

Ministri francez tha se për programet e inteligjencës artificiale si ChatGPT, duhet të përcaktohet kornizë që kufizon përdorimin e tyre brenda fushës së rregulloreve ligjore në Evropë.

Duke komentuar se teknologji të tilla nuk duhet të përjashtohen plotësisht duke u nënshtruar sanksioneve të rrepta, Barrot tha se “këto modele të IA janë subjekt i një gare të furishme që ne nuk duhet t’i lejojmë vetes t’i lëmë pas”.

Barrot theksoi se Evropa duhet të investojë në programet e inteligjencës artificiale./atsh/KultPlus.com

Pse përfaqësuesja e Francës është favoritja e re për të fituar Eurovizionin

Pak ditë më parë Franca zgjodhi përfaqësuesen e saj në Eurovizion. La Zara do të përfaqësojë Francën në Eurovizionin e 67-të me këngën “Évidemment”.

Kënga “Évidemment” është shkruar nga vetë këngëtarja dhe është punuar nga bashkëpunëtori i saj shumëvjeçar Benny Adams. Dyshja Banx & Ranx, të cilët janë pas hiteve të artistëve si David Guetta, Dua Lipa dhe Ellie Goulding, janë nënshkruar si bashkëproducente.

E lindur në Quebec, me origjinë marokene, La Zara e përshkruan këngën si një këngë të vërtetë franceze për qasjen universale ndaj dashurisë, rëndësinë e dashurisë për veten dhe kërkimin e lumturisë.

Në kanalin zyrtar të Eurovizionit në YouTube, ajo mblodhi më shumë se gjysmë milioni shikime në vetëm pak ditë. Shikuesit janë të kënaqur me këngën e saj. Shumë njerëz shkruajnë në komente se ajo meriton vetëm pikët më të larta (12) dhe se është favorite absolute. Disa e quajnë këngën një kryevepër.

Duke parë kanalin zyrtar në YouTube, përfaqësuesja norvegjeze Alessandra është më e shikuara deri më tani me 1.8 milionë shikime.

Në vend të dytë renditen kroateja Let 3 dhe interpretuesja spanjolle Blanka Paloma me po aq shikime, rreth 1.4 milionë. Vendin e tretë e zuri përfaqësuesi belg Gustav, ndërsa të katërtin La Zara, e cila tashmë ka afër 600 mijë shikime në vetëm tre ditë.

Sipas një sondazhi në faqen e Eurovizionit, Ukraina është favorit, e ndjekur nga Suedia. Franca, e cila iu bashkua garës vetëm një ditë më pas, tashmë është ngjitur në vendin e 11-të.

Franca ka fituar pesë herë Eurovizionin deri më tani, herën e fundit në vitin 1977./ KultPlus.com

Franca organizon konferencën ndërkombëtare në ndihmë të Ukrainës

Franca po organizon një konferencë ndërkombëtare për të ndihmuar Ukrainën për të forcuar qëndrueshmërinë civile të vendit gjatë dimrit.

“Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky arritën një marrëveshje për organizimin e konferencës gjatë një bisede telefonike”, njoftoi Pallati Élysée.

“Furnizimi me ujë dhe infrastruktura elektrike e Ukrainës kanë pësuar dëme të mëdha pas sulmeve ruse. Duhet të veprojmë përpara se të nis dimri”, shkroi Macron në Twitter.

“Ne do të mobilizojmë shpejt komunitetin ndërkombëtar dhe sektorin privat”, shtoi ai.

“Përgatitjet për konferencën e Parisit më 13 dhjetor duhet të fillojnë së shpejti”, tha pallati. Një konferencë dypalëshe më 12 dhjetor do të shërbejë për të mobilizuar kompanitë franceze.

Macron dhe Zelensky diskutuan gjithashtu situatën aktuale në terren dhe zhvillimet e fundit në kundërsulmin e Ukrainës.

“Siç i konfirmova këtë mëngjes presidentit Zelensky, ne jemi plotësisht të mobilizuar për të rritur mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e saj ajrore”, shkroi Macron në Twitter. / KultPlus.com

Kriza energjetike, Franca dërgon gaz në Gjermani

Shumë vende evropiane po paralajmërojnë se po kalojnë krizë të furnizimit me energji elektrike, transmeton KultPlus.

Së fundmi është njoftar se Franca i ka dërguar gaz Gjermanisë, pasi edhe kjo e fundit po kalon nëpër krizë energjetike.

Gazi, i shpërndarë nëpërmjet një tubacioni, është pjesë e një marrëveshjeje midis vendeve për të lehtësuar mungesat e energjisë pasi Rusia mbylli rubinetat për në Evropë.

Megjithëse fluksi i ri është më pak se 2% e nevojave ditore të Gjermanisë, ai është i mirëpritur ndërsa Berlini lufton për të diversifikuar energjinë e tij.

Rusia është akuzuar për përdorimin e furnizimeve me gaz si armë kundër Perëndimit që nga pushtimi i Ukrainës.

Operatori francez i rrjetit, GRTgaz, tha se fillimisht do të dërgonte 31 gigavat orë (GWh) në ditë, nëpërmjet një tubacioni nga fshati kufitar francez i Obergailbach.

“Kapaciteti maksimal ditor i rrjedhës së re të gazit është 100 GWh”, thuhet në një deklaratë.

Muajin e kaluar, në marrëveshjen e solidaritetit energjetik, Gjermania u zotua të sigurojë energji shtesë për Francën kur të jetë e nevojshme, dhe në këmbim Franca ra dakord të ndihmojë Gjermaninë me furnizimet me gaz. /KultPlus.com

Video romantike qeveritare ukrainase si mirënjohje për Francën

Një video e qeverisë ukrainase për të falënderuar Francën është publikuar në rrjetet sociale, në ndërkohë që ka shkaktuar surprizë në ambientet politike dhe mediatike.

Kievi falënderon Francën me pamje trëndafilash, me perëndime dielli mbi kullën Eiffel, me specialitete kulinarike franceze, me kujtime për Brigitte Bardot dhe Sophie Marceau, por që vazhdojnë me pas me bateritë kundërajrore ”Caesar”, që janë dërguar në vendin e përfshirë nga lufta kundër Rusisë nga ana e Parisit.

Kjo video është postuar, sipas asaj që duket në rrjetet sociale, nga Ministria ukrainase e Mbrojtjes.

Në sfond, notat e këngës “Je t’aime, moi non plus” të Serge Gainsbourg, me zërin pëshpëritës të Bardot.

“Veprimet romatike mund të marrin forma të ndryshme”, lexohet në mesazhin që shfaqet së bashku me imazhet e trëndafilave dhe baterive kundërajrore.

”Por, nëse me të vërtetë doni të pushtoni zemrat tona…”.

Në këtë çast, nga lulet dhe duart e të dashuruarve që kërkojnë njëri-tjetrin në Paris, kalohet te kundërajrorët që hyjnë në bordin e avionëve për të mbërritur në Ukrainë.

Mesazhi vazhdon “… asgjë nuk është më e mirëse… artileria, 155 mm, lëvizshmëri e madhe, vetëfurnizuese, artileri”.

Sërish në mesazh, nën zërin e Brigitte Bardot, shfaqen në fund fjalët “Merci beaucoup France” (”Shumë faleminderit Francë”) dhe “Send us more” (”Na dërgoni më shumë”)./atsh/ KultPlus.com

(Photo by ARIS MESSINIS / AFP)

Gjermania, Franca dhe Polonia kërkojnë progres për liberalizimin e vizave për Kosovën

Franca, Gjermania dhe Polonia përmes një deklarate të përbashkët të publikuar të premten nga Ministria e Punëve të Jashtme gjermane, kanë bërë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Përveç vizave, në këtë deklaratë përmendet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Të tria vendet kanë theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugën e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon.

“Ne mbështesim plotësisht BE-në, e cila udhëhoqi dialogun Kosovë-Serbi dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugën e tyre respektive evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon”, thuhet në deklaratë.

“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor; ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal. Duke pasur parasysh rëndësinë që i kushtojmë rajonit dhe si shenjë e mbështetjes sonë të përbashkët, ne kemi rënë dakord për një vizitë trepalëshe në këtë rajon dhe avokojmë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis BE -së dhe Ballkanit Perëndimor”.

Tutje, në deklaratë rikonfirmohet angazhimi i tri shteteve ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. /KultPlus.com

Dua Lipa shfaqet plot hijeshi në dasmën e stilistit francez Jacquemus (FOTO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore së fundmi ka qenë prezente në dasmën franceze të stilistit Simon Porte Jacquemus me Marco Maestrin. Ajo është shfaqur tejet elegante me fustanin e bardhë transparent, transmeton KultPlus.

Këngëtarja e “One Kiss”, 27 vjeç, veshi fustanin e dekoruar me lule në dasmën e stilistit me origjinë franceze dhe bashkëshortit të tij në Charleval të shtunën.

Dua dukej e mahnitshme me fustanin e saj të tejdukshëm, i cili shfaqte një ndarje të guximshme anash, teksa kalonte nëpër rrugët franceze.

Këngëtarja me origjinë shqiptare e ka shoqëruar veshjen me vathë të mëdhenj të bardhë me lule, të cilët plotësonin pamjen e saj.

Lipa shfaqi pamjen e saj të bukur natyrale me një prekje bronzi dhe një buzëkuq në ngjyrë të lehtë, ndërsa gjërat e nevojshme i mbante në një çantë dore të zezë.

Ndërkaq, ajo aktualisht po shijon një pushim të gjatë pasi festoi ditëlindjen e saj të 27-të në fillim të kësaj jave në Ibiza, duke shfaqur kështu figurën e saj të pabesueshme teksa ndau fotot e pushimeve me 66 milionë ndjekësit e saj në Instagram të premten. / KultPlus.com

Dyfish më shumë turistë francezë nga janari në korrik

38,915 turistë francezë e kanë vizituar Shqipërinë nga janari në korrik, dyfish më shumë se sa vitin e kaluar kur ishin 19,184 të tillë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot shkrimin e Laurence Depoux për gazetën e njohur franceze ”Femina”.

“I vërtetë, plot histori, ngjyra, por mbi të gjitha informues dhe frymëzues është ky reportazh i Laurence Delpoux për lexuesit francezë”, theksoi Rama.

“Përmes bashkëbisedimeve me aktorë të turizmit shqiptar, janë të shumta vendet dhe më të shumta arsyet të cilat renditen si domosdoshmëri për t’u vizituar, nga plazhet e jugut deri tek Përmeti e Gjirokastra”, shtoi Rama.

“Gjëja e parë që çdo njeri mund të shikojë kur vjen në Sarandë, është një hapësirë buzë detit, e cila përveç magjisë që mund të japë tek çdo qytetar, ose çdo i huaj, sepse njerëzit kanë nevojë për hapësirë dhe trotuare, që nuk ka në asnjë vend dhe kur je afër, buzë detit, jep jo vetëm kënaqësi, por të jep dhe argëtim. Kam parë turistë të ndryshëm dhe me cilësi. Kam parë sa i përket muzikës, që nuk luan muzika në orë nate, që përsa i përket kësaj varianti njerëzit duan qetësinë e tyre. Është një ambient familjar. Ne duam turistë familjarë, me familjen në Sarandë. Deti qe i pastër sa i përket cilësisë së ujit. Dhe duket që po ecën. Saranda u ndërtua shpejt e shpejt pa urbanistikë. Tani janë bërë gjëra që përpiqen sa më shumë për turizmin që ta rregullojnë, sepse është një vend shumë i bukur dhe turistik”, u shpreh një turist.

“Më mirë se në Itali. Shumë bukur ishte shumë bukur, plazhi të gjitha”, thanë dy turistë të tjerë.

Ndërsa një turist i huaj theksoi se, “qytet shumë i mirë, ka shumë plazhe. Nuk është i shtrenjtë në krahasim me vendet e tjera evropiane. E sugjeroj si një vend të mirë për të qëndruar për 1 javë ose edhe më tepër”.

“Saranda e bukur, kemi ardhur për dy ditë, shpresoj të rikthehemi shpejt”, u shpreh një turist italian.

“Pushime shumë të mira, vend shumë i mirë, qytet shumë i bukur. Na pëlqen shumë deti, është i pastër, na pëlqen të notojmë, uji është shumë i ngrohtë, na pëlqen. Çmimet shumë të mira. Ne jemi nga Ukraina dhe çmimet janë pothuajse të njëjta. Do të qëndrojmë gjatë gjithë verës këtu”, tha një turist nga Ukraina.

“Është vend i mrekullueshëm, është vend magjik. Opinioni i përgjithshëm është që gjithçka këtu është shumë e bukur, është magjike. Mbrëmja është e jashtëzakonshme, ka shumë gjëra për të bërë dhe nuk na mjafton koha që kemi në dispozicion. Plazhet janë madhështorë, sapo pamë një plazh dhe uji ishte i kristaltë. Ksamili i mrekullueshëm, kemi qenë herë tjetër dhe do të shkojmë edhe nesër. Deti është i mrekullueshëm, çdo gjë këtu është e bukur. Po kënaqemi shumë”, u shpreh një turist italian.

Ndërsa një turist nga Serbia tha se, “është mahnitëse, është shumë bukur, ka shumë njerëz dhe deti është i këndshëm. Ngjyrat janë të mrekullueshme, çdokush këtu është i hareshëm. Po është shumë mirë këtu. Kemi qenë dhe vitin e kaluar dhe mendoj se qyteti po zgjerohet, ka shumë hotele dhe bare të reja. Ka plazhe edhe për familjarë, edhe për të rinj. Mendoj që këtu ka diçka për të gjithë. Po mendojmë që të vijmë sërish vitin tjetër”.

Shqipëria po shënon këtë vit sezonin më të mirë turistik sa i takon fluksit të lartë të vizitorëve të huaj që kanë ardhur në vendin tonë.

INSTAT bëri të ditur se në qershor 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 876.056. Ky numër është rritur me 45,0 %, krahasuar me qershor 2021.

Shifrat tregojnë se 18 820 turistë spanjollë e kanë vizituar Shqipërinë nga janari deri në korrik të këtij viti, përkundër 4228 vizitorëve të së njëjtës periudhë të vitit që shkoi.

Kryeministri Rama u shpreh më herët se nga 36 mijë turistë britanikë deri në korrikun e vitit të kaluar 90 mijë kanë qenë vizitorët nga Britania e Madhe në Shqipëri këta shtatë muaj, falë edhe shtimit të konsiderueshëm edhe të udhëtimeve me linja direkte./atagoval/ /KultPlus.com

Tradita e tmerrit, vajzat dërgohen për synet nga Franca në vendlindje

Është operacioni i katërt këtë mëngjes për gjinekologen e specializuar për viktimat e gjymtimit seksual. Ajo po ndihmon vajzat të cilat vuajnë nga ana fizike dhe shpirtërore nga pasojat tradicionale. Shumica nga to vijnë nga Afrika, përcjell KultPlus.

Ato vinë në pjesën veriore të Parisit. Kjo lagje njihet si zonë e varfër sepse të gjitha vajzave të vogla iu është prerë klitorisi. Këto gra kanë dhimbje të mëdha gjatë aktit seksual dhe nuk kanë asnjë lloj dëshire për marrëdhënie seksuale.

Rreth 60.000 vajza janë të prekura nga ky fenomen në Francë dhe për këtë janë organizuar edhe shumë protesta.

Më poshtë gjeni historitë e dhimbshme e të ndryshme të tyre. /DW/ KultPlus.com

Shpërthejnë zjarret në Francë, mijëra të evakuuar

Zjarret shpërthyen të mërkurën në rajonin Gironde të Francës jugperëndimore, duke shkrumbuar shtëpi dhe detyruar evakuimin e 10,000 banorëve, disa prej të cilëve kishin hypur në çati ndërsa afroheshin flakët.

Zjarret e dala jashtë kontrollit, pavarësisht përpjekjeve të zjarrfikësve nga toka dhe ajri, kanë shkatërruar rreth 6,200 hektarë dhe janë afruan pranë rajonit Landes.

Franca, si pjesa tjetër e Evropës, po përjeton valë të njëpasnjëshme të të nxehtit dhe thatësirën më të rëndë në histori. Dhjetra zjarre janë djegur në të gjithë vendin, me të paktën tetë zjarre shumë të mëdha./ KultPlus.com

Zjarrfikësit në Francë po luftojnë një zjarr “përbindësh”

Më shumë se 1,000 zjarrfikës po luftojnë me një zjarr “përbindësh” në Francën jugperëndimore që ka shkatërruar tashmë rreth 7,000 hektarë (17,300 hektarë) pyll, thonë zyrtarët, shkruan BBC.

Zjarri i furishëm pranë qytetit të Bordeaux ka shkatërruar një numër shtëpish dhe ka detyruar 10,000 banorë të largohen.

“Është si një përbindësh,” tha përfaqësuesi i zjarrfikësve Gregory Allione për Radion Franceze RTL, transmeton KultPlus.

Erërat e forta dhe temperaturat e larta po vështirësojnë operacionin e shuarjes së zjarrit.

Presidenti Emmanuel Macron njoftoi se Austria, Gjermania, Greqia, Polonia dhe Rumania “po vijnë për të ndihmuar” Francën në luftimin e flakëve. “Solidariteti evropian në punë!” postoi ai në Twitter.

Këtë verë Franca dhe një numër vendesh të tjera evropiane kanë parë një valë zjarresh vdekjeprurëse, të shkaktuara nga temperaturat rekord dhe thatësirat në të gjithë kontinentin. /KultPlus.com

Kulla e famshme Eiffel në gjendje të mjeruar

Kulla e famshme franceze Eiffel është e mbushur me ndryshk dhe ka nevojë për riparime të plota, por në vend të kësaj po i jepet një bojë kozmetike prej 60 milionë eurosh përpara Lojërave Olimpike 2024 në Paris, sipas raporteve konfidenciale të cituara nga revista franceze “Marianne”, njoftoi CNN.

Kulla prej hekuri, e lartë 324 metra, e ndërtuar nga Gustave Eiffel në fund të shekullit XIX, është ndër vendet turistike më të vizituara në botë, duke mirëpritur rreth gjashtë milionë vizitorë çdo vit.

Megjithatë, raportet konfidenciale nga ekspertët e cituar nga “Marianne” sugjerojnë se monumenti është në një gjendje të keqe dhe i mbushur me ndryshk.

“Është e thjeshtë, nëse Gustave Eiffel do të vizitonte vendin, ai do të pësonte një atak në zemër”, i tha revistës “Marianne” një menaxher i paidentifikuar.

Kompania që mbikëqyr kullën, “Societe d’Exploitation de la Tour Eiffel” (SETE), nuk mund të kontaktohej menjëherë për komente.

Kulla aktualisht po i nënshtrohet një rilyerjeje që kushton 60 milionë euro në përgatitje të Olimpiadës 2024, hera e njëzetë që ajo rilyhet.

SETE heziton të mbyllë kullën për një kohë të gjatë për shkak të të ardhurave turistike që do të humbasin. / KultPlus.com

“Marsejeza” – historia e himnit revolucionar francez

Më 30 qershor të vitit 1792 në Paris, këndohet për herë të parë Marsejeza, si këngë lufte.

Konventa e miratoi atë si himnin kombëtar më 14 korrik 1795; e humbi këtë status nga Napoleon Bonaparti, vetëm për t’iu rikthyer pak kohë pas Revolucionit të korrikut të vitit 1830.

Pastaj “Marsejeza” u njoh si himn i lëvizjes revolucionare ndërkombëtare nga Komuna e Parisit në vitin 1871.

Tetë vjet më vonë u rishpall himn kombëtar i Francës dhe vazhdon të jetë. / KultPlus.com

Ndalohen organizimet e jashtme në një pjesë të Francës si pasojë e motit të nxehtë

Ngjarjet publike në ambiente të jashtme janë ndaluar në disa pjesë të Francës, si pasojë e temperaturave të larta.

Koncertet dhe organizimet e mëdha publike janë anuluar afër qytetit Bordu.

Është raportuar edhe për anulim të disa ngjarjeve në ambiente të brendshme, të cilat nuk kanë kondicioner.

Të enjten, në disa pjesë të Francës janë shënuar temperatura në deri 40 gradë Celsius dhe ato pritet të rriten edhe më shumë të shtunën.

Nxehtësi e tillë në këtë periudhë të vitit, nuk është regjistruar ndonjëherë në Francë.

Ministria e Brendshme franceze ka paralajmëruar njerëzit që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të mos ekspozojnë veten në këtë mot të nxehtë.

Autoritetet për motin kanë thënë se Franca po përballet me një mot të tillë për shkak të ajrit të nxehtë që është bartur nga veriu i Afrikës.

Shkencëtarët thonë se periudhat e të nxehtit ekstrem janë duke u bërë më të shpeshta dhe janë duke zgjatur më shumë si pasojë e ngrohjes globale.

Spanja, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar janë duke regjistruar po ashtu temperatura të larta.

Spanja, e cila ka regjistruar ditën më të nxehtë të muajit maj prej nisjes së shekullit, pritet të regjistrojë temperatura deri në 43 gradë Celsius këtë fundjavë, sipas meteorologëve.

Për temperatura të tilla nuk është raportuar vetëm në Evropë këtë javë.

Të mërkurën, një e treta e gjithë popullsisë së Shteteve të Bashkuara është udhëzuar që të qëndrojë në ambiente të brendshme, për shkak të temperaturave rekorde. / KultPlus.com

6 qershor 1944, Dita e Fitores në Normandi të Francës

Më 6 qershor miliona njerëz në botë përkujtojnë Ditën e Fitores në Normandi të Francës – një pikë kthese në Luftën e Dytë Botërore që ndryshoi rrjedhën e historisë. Përvjetori ngjall kujtime për veteranët e moshuar të Luftës së Dytë Botërore por është domethënës edhe për të tjerë që u prekën direkt ose indirekt nga lufta.

Në monumentin e Luftës së Dytë Botërore në Uashington, qindra njerëz vijnë çdo ditë për të nderuar miqtë dhe familjarët që humbën në luftë.

Cewin Johnson është një prej tyre. Tashmë 89 vjeç, ai ishte vetëm 19 kur humbi krahun duke luftuar në Francë.

“Ne ishim duke luftuar në fshatin Oberhofen i cili ështe rreth 20 kilometra në perëndim të Strasburgut dhe kishim qenë në atë fshat tre herë duke u përpjekur ta merrnim nën kontroll. I kishim rrethuar të gjithë gjermanët në fund të fshatit. Gary dëgjoi tankun që afrohej në rrugë dhe dërgoi artilerinë atje dhe e goditi tankun por atëherë u godita dhe unë.”

Frederick Douglass Williams ishte pilot në misione ushtarake në Evropë si anëtar i të famshmve Pilotët Tuskegee. Ai thotë se gjëja më e vështirë e të shkuarit në luftë ishte të menduarit për të dashurit e lënë pas.

“Më pëlqen ajo që ka thënë Uinston Çurçilli: se edhe ata shërbyen duke pritur. Mamatë, të dashurat…mamaja ime e shkretë u çmend. Ne e dinim dhe e prisnim, por jo ata. ‘Ku është djali im’ thonte.”

Për veteranët e Luftës së Dytë Botërore dhe shumë të tjerë, 6 qershori 1944 – Dita e Fitores, nuk do të harrohet kurrë.

Normandi shënoi fillimin e çlirimit të Francës nga pushtimi nazist që rezultoi në humbjen e Gjermanisë.

Christopher Yung është autor i një libri mbi planifikimin e Ditës së Fitores.

“Është një nga operacionet ushtarake më të rëndësishme të kryera ndonjëherë, me siguri sulmi më i madh i ndërmarrë nga uji ndonjëherë. U desh shumë zgjuarsi, këmbëngulje dhe mendim ushtarak.”

Pushtimi ishte një pikë kthese vendimtare.

“Është hapi i parë i cili i dha aleatëve mundësinë për t’u kthyer në kontinent. Gjermanët kishin ngritur një fortesë gjigande për të parandaluar rikthimin e aleatëve.”

Gjenerali brigadier Bruno Caitucoli është atasheu ushtarak në ambasadën franceze në Uashington. Babai i tij 94 vjeçar luftoi në luftë.

“Ajo që babai im më shpjegoi disa herë është rëndësia e të qenurit gati të mbrosh atë që nuk të jepet falas: lirinë, demokracinë, etc.”

Në zyrën e tij ndodhet një foto – një kujtim i sakrificës të Luftës së Dytë Botërore.

“Kjo foto tregon plazhin e Omahas, Omahanë e përgjakur me dy flamuj, ato francez dhe amerikanë bashkë dhe rreth tre mijë njerëz që formuan fjalët: Nuk do të harrojmë kurrë. Dhe mbi plazhin Omaha ndodhen Varrezat Coleville.”

Shumë vdiqën për ta bërë bërë të mundur fitorem por sakrifica e tyre hapi rrugën për kapitullimin e Gjermanisë naziste në maj të vitit 1945.

DISA STATISTIKA TË D-DAY

Ky Operacion vendimtar udhëhiqej nga Gjenerali Dwight D. Eisenhower, më vonë Komandant i NATO-s dhe president i SHBA.

Ushtria përbëhej nga:

156 000 trupa (73000 Amerikanë dhe 83000 britanikë dhe kanadezë)

12 837 Avionë luftarakë

6939 Anije

personel i marinës – 195 701 (52 889 Amerikanë, 112 824 britanikë dhe 4988 nga trupat Aleate) / KultPlus.com

Franca në ditë zie për maestron e kinemasë, Jacques Perrin

Franca i jep lamtumirën aktorit, regjisorit dhe producentit të madh, Jacques Perrin, i cili u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare, në Paris.

Perrin ka lindur në Paris më 13 korrik 1941. Nga vitet 1950 deri më sot, ai ka xhiruar në mbi 70 filma, duke përfshirë kulme artistike, si: “Les Demoiselles de Rochefort” në 1967 dhe “Peau d’âne” në 1970. Ai ka pasur një lidhje të ngushtë edhe me Italinë.

Shumë artdashës kujtojnë interpretimet e tij, në kinemanë italiane.

Roli i të riut Lorenzo Fainardi të dashuruar marrëzisht me Claudia Cardinalen, në “Vajza me valixhe”, nga Valerio Zurlinit (1961) ruhet në kujtesën kolektive. Në vitin 1966, Perrin fitoi dy çmime si aktori më i mirë, në Festivalin e Filmit në Venecie, për filmin italian “Un uomo a mezzo” dhe për filmin spanjoll “La busca”.

Më  1988, ai luajti rolin e Salvatores, në filmin “Nuovo Cinema Paradiso”, realizim nga Giuseppe Tornatore, i vlerësuar me “Oscar”, për filmin më të mirë të huaj, viti 1990. Sekuenca e fundit e këtij filmi është e famshme, me puthje të censuruara ndër vite, por “të shpëtuara” nga projeksionisti (Philippe Noiret). I paharrueshëm ishte edhe interpretimi i tij në filmin “Në emër të popullit sovran”, ky nga Luigi Magni (1990), një film historik, ku ai interpretoi rolin e priftit, Ugo Bassi.

Jacques Perrin ka qenë po ashtu bashkëprodhues në rreth pesëmbëdhjetë filma, nga vitet 1960 deri më sot, duke përfshirë: ‘Costa-Gavras ”Z” (1968), “Shkretëtira e Tartarit” (1977) nga Valerio Zurlini, në të cilin ai luajti edhe rolin e protagonistit, togerit Giovanni Drogo ose “Les Choristes” (2004) të nipit të tij, Christophe Barratier.

I lidhur veçanërisht me luftën në mbrojtje të natyrës, betejë kjo e përjetshme e artistit, ai u njoh edhe si bashkëprodhues në dokumentarë të shumtë mbi këtë temë. Më vonë, Perrin u bë autori i dokumentarëve, si “Océans” (1999) dhe “Il popolo migratore” (2001), që u ndoq nga 2.9 milionë shikues vetëm në Francë, duke fituar çmimin “César”, për dokumentarin më të mirë të vitit: 2011-ta.

Roli i tij i fundit në film ishte në trillerin nga Frédéric Tellier, “Goliath”, që u shfaq në Francë, marsin e kaluar – realizim ky, që trajton çështjen e lobimit dhe pesticideve. Sot, Franca mban zi, për një nga kineastët e saj më të mëdhenj. / KultPlus.com

Franca dëbon diplomatët rusë të cilësuar si një kërcënim për sigurinë kombëtare

Ministria e Jashtme franceze njoftoi sot se qeveria ka vendosur të dëbojë një numër të konsiderueshëm të punonjësve rusë me status diplomatik, aktivitetet e të cilëve ishin në kundërshtim me interesat e sigurisë së Francës.

“Përgjegjësia e Francës është të garantojë gjithmonë sigurinë e francezëve dhe evropianëve”, sipas deklaratës së ministrisë.

Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, në listë përfshihen 35 diplomatë rusë./atsh / KultPlus.com

BE: Kosova refuzon propozimin e QUINT’it për mbajtjen e zgjedhjeve serbe

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e Serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

“BE-ja ka vepruar si lehtësues, Përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. ‘Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.

“Duke pranuar se Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhje ne shprehim keqardhje se konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit pas vendimit të Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të Quint-it”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Ai e ka quajtur këtë vendim të jetë “në kundërshtim me përkushtimet e Kosovës për rrugëtim evropian dhe të ardhme demokratike dhe kundër parimeve të mbrojtjes të së drejtës demokratike të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që i takojnë popullatës jo shumicë”.

“Tash ne presim nga Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet dhe retorika e cila mund të rris tensionet dhe po ashtu u bëjmë thirrje të dyja palëve të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociata në kuadër të dialogut” ka thën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai ka thënë se në këtë moment nuk është në gjendje të paralajmërojë ndonjë takim në kuadër të dialogut, porse janë duke punuar në atë drejtim.

“Po punojmë në atë drejtim dhe ftojmë të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi në mënyrë që të jetë e mundur të organizohet një takim i tillë”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të hënën pas takimin me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Kurti u ka thënë ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë se “ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.

Ai është thënë të jetë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e vendeve të Kuintit në Kosovë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën, në një aktivitet parazgjedhor, se “Qeveria e Kurtit kërkon nga Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të lejohen zgjedhjet”, të cilat mbahen më 3 prill.

“Do të merrni nesër (të martën) përgjigjen”, ka thënë Vuçiq më 21 mars.

Autoritetet serbe kanë paralajmëruar që të martën, në ora 12:00 do të mbahet një takim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të vendosur “rreth hapave të ardhshëm”.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Vendet e Quint-it dhe BE-ja e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës për këtë referendum.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse./REL/KultPlus.com

Osmani takohet me Fischer, diskutojnë për sportin dhe Lojërat Olimpike 2024

Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani sot priti në takim Ambasadoren për sport të Republikës së Francës, Laurence Fischer, e cila këto ditë po qëndron në Kosovë për të marr pjesë në konferencën e diplomacisë sportive, që organizohet në bashkëpunim mes Ambasadës Franceze në Kosovë dhe Kolegjit AAB, në kuadër të javës frankofone.

Bashkë diskutuan për gjendjen aktuale në sport, sukseset e arritura në garat ndërkombëtare dhe proceset tjera të rëndësishme në zhvillimin e mëtutjeshëm të sportit në Kosovë.

Temë diskutimi ishte edhe rëndësia e fuqizimit të sportit për të gjithë dhe zhvillimi i sportistëve të rinj, duke ju ofruar atyre mundësi për pjesëmarrje në kampe të ndryshme stërvitore pranë trajnerëve të nivelit të lartë ndërkombëtar, të cilat organizohen në Francë dhe në shtete të ndryshme evropiane.

Ambasadorja Fischer tregoi nismat inovative që po ndërmerr shteti francez në kuadër të organizimit të Lojërave Olimpike verore Paris 2024, me qëllim të promovimit sa më të mirë të vlerave të vendit.

Duke përmendur përvojat e shtetit francez në organizim të ngjarjeve të mëdha sportive, ajo shprehu gatishmëri për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve për ofrimin e mbështetjes në forma të ndryshme për organizim të ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare sportive edhe në Kosovë.

Në këtë takim ajo ishte e shoqëruar nga Atasheu për bashkëpunim në Ambasadën Franceze, Cecilia Maronnier, si dhe menaxheren e projektit në delegacionin për sport të Ministrisë Franceze për Evropë dhe Punë të Jashtme, Marie Roy. /KultPlus.com

Viola von Cramon: Lajme të mira për Kosovën sa i përket luftës kundër korrupsionit

Kosova ka shënuar progresur duke u ngjitur 17 vende në krahasim me vitin e kaluar në indeksin e perceptimit të korrupsionit, shkruan KultPlus.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon e ka quajtur si shpërblim të vogël për të gjithë në Kosovë.

“Me të vërtetë lajme të mira për Kosovën sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kosova ka lëvizur lartë për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit. Shpërblim i vogël për të gjithë në Kosovë”, ka shkruar Von Cramon në “Twitter”.

Për këtë arritje ka pasur një gëzim edhe nga Amabasada e Francës në Kosovë dhe gjithashtu ambasadori gjerman,  Jorn Rogde.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) është renditja globale e korrupsionit më e përdorur gjerësisht në botë, e së fundmi Kosova ka shënuar rritje në luftën ndaj korrupsionit. /KultPlus.com

Vazhdon drama për Djokovic, pa vaksinë nuk lejohet as në ‘French Open’

Novak Djokovic mund t’i ndalohet pjesëmarrja në truneun “Frrench Open”, pasi ligji i ri i Francës për vaksina, do t’u kërkojë të gjithë njerëzve të kenë një certifikatë vaksinimi për të hyrë në vende publike si restorante, kafene, kinema dhe trena në distanca të gjata, përcjell KultPlus.

Numri një i botës në tenis, Djokovic, i cili nuk është vaksinuar kundër COVID-19, u deportua nga Australia të dielën përpara turneut të parë Grand Slam të vitit, pasi humbi një çështje gjyqësore rreth qëndrimit atje.

Ministrja e Sportit, Roxana Maracineanu ka thënë që sapo ligji i ri të miratohet, të pavaksinuarit nuk do mund të marrin pjesë në “French Open”.

“Rregulli është i thjeshtë. Leja e vaksinës do të vendoset, sapo të shpallet ligji, në institucionet që tashmë i nënshtroheshin lejes shëndetësore,” tha ministria.

“Kjo do të vlejë për të gjithë ata që janë spektator apo sportist profesionist”, shtoi ajo.

Serbi Djokovic ka refuzuar të vaksinohet dhe është kritikuar për pjesëmarrjen në ngjarje publike muajin e kaluar pasi rezultoi pozitiv me koronavirus. /KultPlus.com

Ambasada e Francës: Drejtësia duhet të vihet në vend

Sot, 15 janar 2022, janë bërë 23 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.

Ambasada e Francës përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, kanë thënë se drejtësia duhet të vihet në vend, derisa nuk do ta harrojnë këtë masakër.

“23 vjet më parë në Reçak u vranë 45 civilë të pafajshëm. Drejtësia duhet të vihet në vend. Ne nuk do ta harrojmë këtë masakër dhe viktimat e saj”, shkruhet në postimin e ambasadës.

Një reagim të ngjashëm për këtë ngjarje e pati edhe Ambasada e Italisë, e cila ishte e pranishme në përvjetorin e 23-të. të kësaj Masakre. /KultPlus.com

Kjo figurë ka një atribut alt të zbrazët; emri i kartelës për të është 271892347_517075243182103_1220215904256026520_n-1024x743.jpg

Presidenti Macron synon t’ia bëjë jetën më të vështirë të pavaksinuarve

Presidenti francez Emanuel Macron ka paralajmëruar që ai synon t’ia bëjë jetën më të vështirë qytetarëve që nuk vaksinohen kundër Covid-19.

Ai i tha gazetës “Le Parisien” se dua t’i shqetësoj ata dhe që do të vazhdoj të bëjë këtë gjë. Presidenti deklaroi se do t’i shtrëngoj masat duke vendosur që njerëzit nuk mund të hyjnë në ambiente publike dhe të përdorin transportin publik pa provuar që janë të vaksinuar.

Komentet e tij erdhën pasi prezantimi i një projekt-ligj për një leje Covid u vonua raporton “BBC”. Një debat në parlament që ndalon të pavaksinuarit nga një pjesë e jetës publike është lënë në pritje pasi deputetët opozitarë bashkuan forcat për ndalimin e këtij ligji. Ligji që pritej të votohej këtë javë ka acaruar kundërshtarët e vaksinës dhe disa deputetë kanë marrë kërcënime me vdekje.

Në një intervistë për gazetën “Le Parisien” ditën e mërkurë, zoti Macron deklaroji se nuk do të vaksinoji njeri me forcë por do të inkurajojë njerëzit që të vaksinohen duke i ndaluar hyrjen në aktivitetet e jetës sociale. Ai tha që nuk do çojë njeri në burg se nuk pranon të vaksinohet por ne do t’i themi atyre se nuk mund të hyjnë  në restorante, teatro, bare dhe kinema që nga data 15 janar.

Franca është një nga vendet që ka normën më të lartë të vaksinimit në Bashkimin Evropian. Në Francë prej muajsh njerëzit duhet të provojnë që janë të vaksinuar ose të tregojnë një test negativ Covid për të hyrë në shumë ambiente publike. Qeveria franceze do që të heq mundësinë për të treguar një test negativ si kundërpërgjigje ndaj rritjes së numrit të infektimeve të shkaktuara nga variantet shumë ngjitëse Omicron dhe Delta. /abcnews.al /KultPlus.com

Macron says he wants to 'piss off' the non-vaccinated - CNA

Vendet më të preferuara për t’u vizituar në vitin 2022

Për shkak të pandemisë, vitet e fundit pjesa e vizitave nëpër vende të ndryshme të botës ka qenë si “zgjidhje” për të qetësuar vetën dhe familjen nga jeta e përditshme.

Edhe pse për të vizituar një vend të huaj, qytetarëve të Kosovës u duhet të kalojnë midis shumë procedruave, por pavarësisht një gjë e tillë realizohet.

Disa prej destinacioneve më të mira që mund t’i vizitoni në këtë vit janë si vijojnë:

Ishulli Barduba në Karaibe

Barduba, një ishull i vogël është i bekuar me kilometra të tërë rëre të bardhë dhe rozë dhe ishte një nga vendet e preferuara për pushime të Princeshës Diana.

Ishujt Bissagos në Guinea

I përbërë nga 88 ishuj, nga të cilët vetëm 23 janë të banuar, ky arkipelag magjik i vendosur rreth 48 kilometra larg bregut të Guinesë në Afrikën perëndimore është unik. Turistët që i vizitojnë do të shpërblehen me parqe të gjera natyrore dhe ujëra të qeta blu.

Cepi Breton, Nova Scoti

I lidhur me kontinentin kanadez nga një rrugë e gjatë, ishulli Cape Breton është i famshëm për pamjet e tij piktoreske dhe vendet historike.

Collaborative Environmental Planning Initiative | Bras d'Or Lakes CEPI

Kili

Një rrip i gjatë e i hollë midis Oqeanit paqësor dhe maleve të Andeve, Kili është lider botëror në ekoturizëm dhe një parajsë e aventurave në natyrë.

Kolombo, Sri Lanka

Në Kolombo destinacionet për t’u vizituar nuk janë të pakta. Shtëpia e të ndjerë Geoffrey Bawa është tashmë një minimuze, ndërsa ishulli ka edhe plazhe të mrekullueshme e ferma të mëdha çaji.

Dijon, Francë

Dijon një nga ‘kryeqytetet’ gastronomike të Francës, një përzierje e lavdishme e shtëpive me korniza druri, pallateve madhështore të shekullit të 18-të.

Disko Bey, Greenlandë

Balenat, ajsbergët kolosalë, një akullnajë që lëviz me shpejtësi përcaktojnë Gjirin Disko, në bregun perëndimor të Grenlandës. Qyteti me shtëpitë e tij shumëngjyrëshe, përbën një bazë të shkëlqyeshme për eksplorim. Ky fjord është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, pjesërisht për shkak të shkëlqimit të tij mahnitës dhe pjesërisht për shkak të studimeve shkencore që janë zhvilluar këtu gjatë 250 viteve të fundit, të cilat i ndihmuan shkencëtarët të kuptojnë ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Disko Bay Explorer with Uummannaq - Secret Atlas

Parqet Kombëtare Gabon në Afrikën Qendrore

Pellgu i Kongos, nganjëherë i quajtur “mushkëria e Afrikës”, është pylli i dytë më i madh i shiut në botë. Më shumë se 10% e Gabonit, në vijën bregdetare të Atlantikut të Afrikës Qendrore, i është dhënë 13 parqeve të tij kombëtare.

Jordani

Disa vjet më parë, qyteti antik spektakolar i Petrës i gdhendur në shkëmb i Jordanisë ishte në rrezik të bëhej viktimë e suksesit të tij, pasi industria e turizmit kërcënoi strukturat e saj delikate. Vizitorët me siguri do të kthehen në këtë perlë, por ka mundësi për të eksploruar Jordanin në mënyrë nga më të ndryshme. Thesare të tjera arkeologjike, si rrënojat e Jerash dhe Umm Kais, meritojnë të shihen.

Lahti, Finlandë

Finlanda renditet rregullisht si vendi më i lumtur në botë, dhe ka shumë për të qenë të gëzuar kur bëhet fjalë për qytetin e bukur buzë liqenit të Lahtit. I ndodhur 100 kilometra në verilindje të Helsinkit, ky destinacion është i gjelbër në çdo kuptim. Qyteti i tetë më i madh i Finlandës është i mbushur me pyje, parqe dhe rezervate të bukura me shtigje të pabesueshme ecjeje dhe pika vëzhgimi.

Munga-Thirri-Simpson Desert, Australi

Për ata që kanë dashur gjithmonë të përjetojnë një sfidë një herë në jetë, në Outback të Australisë, parku kombëtar më i ri, dhe tani më i madhi, i pret. Parku Kombëtar i Shkretëtirës Munga-Thirri-Simpson i Australisë Jugore mbulon 36,000 kilometra katrorë dhe përfshin pjesë të shkretëtirës së famshme Simpson, e cila shtrihet në shtetin e Queensland dhe në Territorin Verior. Ai u shpall park kombëtar në nëntor 2021. E vetmja mënyrë për të eksploruar Parkun Kombëtar të Shkretëtirës Munga-Thirri-Simpson është me një automjet me katër rrota, i hapur, i domosdoshëm për të hyrë në rrjetin e gjerë të liqeneve playa, dunat e kuqe mahnitëse dhe kullotat e mbushura me zogj. Netët kalohen duke kampuar nën yje./KultPlus.com

Munga-Thirri-Simpson desert declared Australia's biggest national park  after 10-year campaign | South Australia | The Guardian