Xhaketa që Buzz Aldrin veshi në misionin drejt Hënës shitet për 2.8 milionë dollarë

Xhaketa e veshur nga ish- astronauti, Buzz Aldrin, teksa është nisur drejt Hënës vite më parë, është shitur në një ankand në Nju Jork për 2.8 milionë dollarë.

E zbukuruar me flamurin amerikan dhe logon e Agjencisë amerikane të Hapësirës (NASA), Aldrin e ka veshur xhaketën teksa ka udhëtuar në Hapësirë për të arritur në Hënë më 1969.

Xhaketa është një prej 69 gjërave personale që 92-vjeçari ka vendosur t’i shesë.

Shitja në këtë çmim e kthen xhaketën në artefaktin më të vlefshëm hapësinor që është shitur ndonjëherë në një ankand në SHBA.

Aldrin është ish-astronauti i vetëm i gjallë që ka marrë pjesë në misionin për të shkuar në Hënë.

Ai besohet se e ka veshur xhaketën e shitur në pjesën më të madhe të udhëtimit të tij.

E krijuar nga një material rezistent ndaj flakëve, xhaketa është bërë veshja e vetme e misionit të vitit 1969 që është shitur ndonjëherë.

Ajo ka qëndruar në ankand për gati 10 minuta, para se një person i interesuar përmes telefonit – i paidentifikuar – e ka blerë atë.

Pas shitjes së gjërave tjera personale, Aldrin ka fituar një total prej 8.2 milionë dollarëve.

Zbritjen e astronautëve në Hënë besohet se e kanë shikuar në televizion rreth 650 milionë njerëz nga mbarë bota. /REL / KultPlus.com

Shitet për 298 mijë dollarë xhaketa e Michael Jacksonit

Xhaketa e zezë e lëkurës e veshur nga mbreti i ndjerë i muzikës pop, Michael Jackson, të cilin e kishte veshur në turneun e parë solo “Bed”, është shitur për 298 mijë dollarë.

Siç raporton Reuters, çmimi ishte rreth tre herë më i lartë se çmimi i parë që ishte propozuar, e që ishte 100 mijë dollarë, transmeton Koha.net.

Xhaketa u shit nga biznesmeni i Teksasit dhe filantropisti Milton Verret, së bashku me gati 100 gjëra të tjera nga koleksioni i tij i madh i rock’n rollit.

Këngëtari xhaketën, në shpinën e së cilës gjendet nënshkrimi i tij i përhershëm, e kishte veshur nëpër koncerte të ndryshme përgjatë viteve 1987 deri 1989,

Një pjesë e të ardhurave në ankand do të shkojnë për bamirësi nga “MusicCares” të organizatorëve të çmimit Grammy, Akademisë së Regjistrimit, e cila po ashtu ofron shërbime shëndetësore dhe shërbime të tjera për muzikantët./ KultPlus.com