Botohet libri “Ajo” nga autorja e re Yllka Shala

Vetë titulli i librit intrigon lexuesin të pyesë se për kë bëhet fjalë, dhe se kush është ajo? Në promovimin e librit të parë të saj Yllka Shala shpalosi detaje në lidhje me përmbajtjen dhe pasqyrimin e asaj se çfarë kishte shprehur përmes poezive të saj.

Qysh e vogël kishte pasur dashuri të madhe ndaj librit, e sidomos ndaj poezisë. Më në fund ajo arriti ta shkruajë një libër të saj, e cila është një përmbledhje poezish, kushtuar vetëm asaj, personazhit të cilës më qëllim nuk i kishtë vënë emër.  

Përmes këtij libri, ajo thotë se secila femër mund ta gjejë veten, pikërisht për këtë e ka titulluar në këtë mënyrë.  

“Në këtë libër e kam përshkruar një femër, ashtu siç edhe e kam titulluar librin ‘‘Ajo‘‘. Janë shumë poezi në të cilat secila femër mund të gjejë veten“- u shpreh ajo.

Libri duke qenë një përmbledhje poezish të renditura njëra pas tjetrës, shtjellon më së shumti temën e vuajtjes dhe dashurisë:

“Secila poezi ka të bëjë me një vajzë e cila nuk ka guxim t’i shprehë ndjenjat, por i shpreh përmes shkrimit. Në këtë rast unë kam vendosur që ndjenjat e saj t’i publikoj në një libër, që në këtë rast mund të jem unë ajo vajzë dhe mund te jetë edhe secila vajzë tjetër, ku hasim më së shumti në temën e vuajtjes dhe dashurisë“.

Yllka për KultPlus shpalosi edhe një ndër poezitë e preferuara të saj, vargjet e të cilave ishin:

Në heshtje të deshi,

dhe në heshtje të kujton,

në heshtje akoma të do,

dhe në heshtje ajo po shkon.

“Jam frymëzuar në shumë raste nga vetja, por edhe nga shoqëria, secila poezi niset nga ajo“ – u shpreh autorja e re.

Ajo e përmbylli promovimin me një thënie që e kishte edhe në hyrje të librit dhe që tani për të kishte marrë edhe një kuptim shumë më të fuqishëm: “Është bukur kur jeton me ëndrra, shpresa dhe lutje, por akoma më bukur kur ato iu realizohen“.

Libri i saj tashmë ka dalë në shitje dhe gjendet në Librarinë Dukagjini. /KultPlus.com